ATV

Author: ATVLive

  • Moti sot, diell dhe vranësira, temperaturat shkojnë deri në 15 gradë Celsius

    Moti sot, diell dhe vranësira, temperaturat shkojnë deri në 15 gradë Celsius

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 15 gradë Celsius.

    “Në mëngjes parashihet të krijohet mjegull e radiacionit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Negociatat dhe kërkimi shkencor

    Negociatat dhe kërkimi shkencor

    NGA AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Në fillim të viteve ‘90, si një shoqëri e lodhur nga regjimi diktatorial dhe e drobitur nga varfëria, që kishte krijuar ekonomia e centralizuar, të frikësuar nga rregullat morale të atij sistemi, ku fjala e lirë dënohej me burgim, të mbyllur në mënyrë sterilizuese vetëm brenda një kulture të ideologjizuar nga shkërmoqja që kishte shkaktuar lufta e klasave, nga klaustrofobia sociale, që kishte krijuar izolimi, nga ndalimi i lirisë së besimit, që kishte shkaktuar një traumë të përgjithshme, ne thirrëm: “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”. Dhe kjo thirrje, tashmë, me hapjen e negociatave, që e ka sjellë më afër se kurrë Shqipërinë me BE-në, po bëhet realitet. Tani që kthejmë kokën pas dhe jemi në stacionin e hapjes së negociatave për disa nga kapitujt, themi: kohë e gjatë, vështirësi dhe pengesa, arritje dhe në disa raste ngecje në vend apo kthim pas, por busulla kombëtare, politike dhe ndërinstitucionale, e tregonte nordin shqiptar kah Bashkimit Europian.

    Prandaj, hapja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE) përfaqëson një moment historik në historinë e post viteve ‘90 të Shqipërisë, duke shënuar jo vetëm njohjen formale të përparimit të saj, por edhe fillimin e një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar të integrimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një ambicie politike për Shqipërinë; është një domosdoshmëri për arritjen e stabilitetit politik, mirëqenies ekonomike, modernizimit të administratës, kohezionit social, integrimit në tregun evropian, mbështetjen nga strukturat e përbashkëta politike dhe ato të sigurisë, krijimin e një të përbashkëte evropiane etj.. Rëndësia politike e hapjes së negociatave me BE-në përfaqëson një hap vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Politikisht, fillimi i bisedimeve të anëtarësimit është një njohje e përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, veçanërisht në lidhje me institucionet e qëndrueshme, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin e mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Negociatat gjithashtu shërbejnë si një forcë shtytëse për reforma të mëtejshme në kuadrin politik, ekonomik dhe institucional të Shqipërisë.

    Hapja e negociatave, veç suksesit, është përgjegjësi kombëtare dhe natyrisht, është shumëdimensionale, duke përfshirë jo thjesht nga numri i kapitujve (33) por gjithësinë e zhvillimit të ardhshëm europian të vendit tonë. E këtu, çdo kapitull që do të negociohet, është shumë i rëndësishëm dhe të gjithë kapitujt i shërbejnë një qëllimi: “Shqipërisë Europiane”.

    Në këtë këndvështrimi, edhe negociatat për Kapitullin 25 të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili ka si objekt shkencën dhe kërkimin, që është një nga kapitujt që, megjithëse shpesh nuk zë shumë vend në debatet politike, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Shqipërisë. Ky kapitull luan një rol kyç në përafrimin e Shqipërisë me politikën kërkimore të Bashkimit Evropian dhe në përmirësimin e kapacitetit të saj për të konkurruar në një ekonomi të bazuar mbi njohuritë dhe inovacionin. Duke u fokusuar në zhvillimin e potencialit kërkimor dhe krijimin e një ekosistemi inovativ. Ky kapitull përmban mundësi të mëdha për Shqipërinë për të përfituar nga bashkëpunimi me institucionet dhe projektet shkencore evropiane.

    RËNDËSIA E SHKENCËS DHE KËRKIMIT PËR ZHVILLIMIN E SHQIPËRISË

    Në kontekstin e integrimit në BE, shkenca dhe kërkimi nuk janë thjesht aspekte teknike të zhvillimit; ato janë faktorë të domosdoshëm për rritjen ekonomike afatgjatë, zhvillimin shoqëror dhe përballjen me sfidat rajonale apo më gjerë. Për një vend si Shqipëria, i cili është ende në proces zhvillimi ekonomik dhe institucional, investimi në shkencë dhe kërkim përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të përmirësuar kapacitetin e vendit në inovacion, konkurrencë dhe produktivitet.

    Në një ekonomi gjithnjë e më shumë të bazuar mbi dijen, vendet që investojnë në kërkime shkencore të avancuara dhe inovacion teknologjik janë më të afta për të përballuar sfidat ekonomike dhe për të rritur konkurrencën e tyre në tregjet ndërkombëtare. Integrimi i Shqipërisë në politikat në fushë e shkencës të BE-së do të ndihmojë në modernizimin e sistemit arsimor dhe kërkimor të vendit, duke u mundësuar universiteteve dhe institucioneve kërkimore shqiptare të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve komplekse, nga ndryshimet klimatike te shëndeti publik dhe digjitalizimi.

    PËRSHTATJA ME ZONËN EVROPIANE TË KËRKIMIT (ERA)

    Kapitulli 25, siç e ceka më lart, ka të bëjë me shkencën dhe kërkimin shkencor, çka kërkon që shtetet anëtare të sigurojnë kapacitetet e nevojshme zbatuese, për të ndjekur objektivat dhe aktivitetet e Bashkimit Europian në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik. Ky kapitull nuk kërkon transpozimin e rregullave të BE-së në rendin ligjor kombëtar. Kapaciteti zbatues ka të bëjë me ekzistencën e kushteve të nevojshme për pjesëmarrje efektive në Programet Kuadër të BE-së. “Politika e BE-së për kërkimin dhe zhvillimin teknologjik (RTD) ka qenë një fushë e rëndësishme e legjislacionit europian, që nga fillimi, dhe u zgjerua në vitet 1980 me një program kuadër europian për kërkimin. Në vitin 2014, shumica e financimeve të BE-së për kërkimin u vunë nën ombrellën e ‘Horizon 2020’, i cili mbulonte periudhën 2014-2020 dhe synonte të siguronte konkurrencën globale të BE-së. Pasardhësi i tij, ‘Horizon Europe’, programi aktual i kërkimit dhe inovacionit të BEsë, u lançua në vitin 2021 për periudhën 2021- 2027. Qëllimi i politikës së BE-së për KZhTnë është të rrisë konkurrencën globale të industrisë së BE-së. Neni 179 i TFBE-së (Treaty on the Functioning of the European Union) thotë se, “Bashkimi do të ketë objektivin të forcojë bazat e tij shkencore dhe teknologjike, duke arritur një zonë kërkimore europiane në të cilën kërkuesit, njohuritë shkencore dhe teknologjia, të qarkullojnë lirshëm”.

    Skema “Rrjeti i Zonës Europiane të Kërkimit” (ERANET), u lançua në vitin 2002 për të mbështetur koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet programeve kërkimore kombëtare dhe rajonale, si dhe programeve të kryera në shtetet anëtare dhe vendet e asociuara përmes rrjeteve, aktiviteteve të përbashkëta dhe “hapjes reciproke” të programeve. Në të njëjtën frymë, BE-ja ka financuar COST (Bashkëpunimi Europian në Shkencë dhe Teknologji), i krijuar për të ndihmuar krijimin e rrjeteve kërkimore për bashkëpunim midis shkencëtarëve në të gjithë Europën (dhe ndërkombëtarisht). “Horizon Europe” është mjeti kryesor për qasjen globale të Europës 2021 ndaj kërkimit dhe inovacionit, i cili synon të mbështesë një mjedis R&I (Research and Innovation), të bazuar në rregulla dhe vlera dhe të sigurojë reciprocitet dhe një fushë loje të barabartë në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Si pjesë e qasjes globale dhe me qëllim të rritjes së sigurisë së kërkimit në një kontekst ndërkombëtar të transformuar, në vitin 2022, Komisioni publikoi një paketë mjetesh për trajtimin e ndërhyrjeve të huaja në R&I. Instituti Europian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT) u krijua në vitin 2008, me synimin për të stimuluar dhe ofruar “innovation leader” në botë, nëpërmjet krijimit të Komuniteteve të Njohurisë dhe Inovacionit (KIC) shumë të integruara.

    KIC-të bashkojnë arsimin e lartë, kërkimin shkencor, biznesin dhe investitorët, organizatat publike dhe jofitimprurëse, në mënyrë që të prodhojnë modele të reja inovacioni, që mund të frymëzojnë të tjerët të ndjekin shembullin.”[1] E bëra këtë skanim përmbledhës për të kuptuar së paku dy-tri çështje kyçe. Rëndësia e shkencës dhe teknologjisë në BE, raporti mes anës konkrete dhe asaj legjislative të nevojshme, strukturat e përhershme që ka BE në fushën e shkencës dhe teknologjisë dhe homologimi ynë institucional me to, si dhe grupi i faktorëve që do duhet të përfshihen për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë. Detyrat në fushën e shkencës dhe teknologjisë janë shumë të mëdha dhe tejet konkrete. Ne duhet të dalim përfundimisht nga klima e diskutimit në lidhje me shkencën dhe duhet të përfshihemi sipas parimeve të BE-së në punën shkencore-kërkimore dhe në zhvillimet teknologjike.

    Për këtë duhet një filozofi e re me disa objektiva: ngritja e kapaciteteve të certifikuara, bazë shkencore dhe teknologjike dhe përfshirja në studime rajonale apo më gjerë, që organizon BE. Nëse për të tjerë vende të zhvilluara, drejtuese në shkencë dhe teknologji, flitet për zhvillim të përshpejtuar, për ne është një revolucion i vërtetë. Prandaj integrimi i Shqipërisë në Zonën Evropiane të Kërkimit (ERA), një hapësirë ku studiuesit, institucionet shkencore dhe teknologjia lëvizin lirshëm për të mbështetur rritjen e konkurrencës, inovacionit dhe shkëmbimin e dijes brenda hapësirës evropiane është shumë i rëndësishëm. Integrimi në ERA do të thotë që Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë nga projektet kërkimore bashkëpunuese, si dhe të rrisë mobilitetin e studiuesve shqiptarë që mund të punojnë dhe bashkëpunojnë me ata evropianë. Pjesëmarrja në ERA do të ndihmojë gjithashtu Shqipërinë të përmirësojë infrastrukturën e saj kërkimore dhe të përfitojë nga teknologjitë e reja që po zhvillohen në vendet anëtare të BE-së. Kjo përfshin qasjen në fonde për projekte të mëdha shkencore si ato të programit “Horizon Europe”, i cili është programi më i madh i kërkimit dhe inovacionit në botë, me një buxhet prej miliarda eurosh që do të investohen në hulumtime shkencore.

    FORCIMI I INSTITUCIONEVE KËRKIMORE DHE INOVATIVE TË SHQIPËRISË

    Një nga përfitimet më të rëndësishme të përafrimit me BE-në përmes Kapitullit 25 është përmirësimi i institucioneve kërkimore dhe inovative të Shqipërisë. Në këtë drejtim, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta evropiane dhe qasja në burime financiare të BE-së do të ndihmojnë Shqipërinë të ndërtojë një komunitet shkencor të fortë dhe të aftë për të nxitur zhvillimin teknologjik dhe inovacionin. Universitetet shqiptare dhe institucionet e kërkimit do të kenë qasje më të lehtë në fondet kërkimore të BE-së, gjë që do t’u mundësojë atyre të modernizojnë laboratorët e tyre, të financojnë studimet e avancuara dhe të mbështesin doktorantët dhe studiuesit e rinj.

    Kjo është kritike për të krijuar një mjedis kërkimor të qëndrueshëm që jo vetëm të prodhojë zgjidhje për problemet lokale, por edhe të kontribuojë në zgjidhjen e sfidave rajonale. Përmirësimi i kapacitetit të kërkimit është gjithashtu thelbësor për të nxitur inovacionin teknologjik në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke përfshirë bujqësinë, energjinë e rinovueshme dhe teknologjinë e informacionit. Për shembull, investimi në kërkimin e energjisë së rinovueshme përputhet me objektivat e BE-së për një ekonomi të gjelbër dhe të qëndrueshme, duke u mundësuar shkencëtarëve shqiptarë të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër. Duke përafruar përparësitë e saj kërkimore me ato të BE-së, Shqipëria mund të marrë pjesë në nisma të përbashkëta kërkimore që kërkojnë zgjidhje për disa nga problemet më urgjente që lidhen me ekonominë e gjelbër, atë blu apo edhe shfrytëzimin efikas të përparimit të inteligjencës artificiale.

    LUFTIMI I “RRJEDHJES SË TRURIT” DHE ZHVILLIMI I KAPITALIT NJERËZOR

    Një sfidë e vazhdueshme për Shqipërinë ka qenë “rrjedhja e trurit”, një fenomen që përshkruan largimin e profesionistëve të rinj dhe të talentuar jashtë vendit për të kërkuar mundësi më të mira pune. Kapitulli 25 përqendrohet në zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes rritjes së investimeve në arsim dhe kërkim shkencor, duke krijuar më shumë mundësi për studiuesit dhe ekspertët që të zhvillojnë karrierën e tyre brenda vendit. Përmes aksesit në programet kërkimore të BE-së, studiuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga mobiliteti ndërkombëtar, që u mundëson atyre të fitojnë përvojë në projekte kërkimore ndërkombëtare dhe më pas të sjellin ato njohuri në Shqipëri. Kjo lëvizshmëri ndërkombëtare nuk do të thotë largim i përhershëm, por përkundrazi, krijon një cikël të kthimit të njohurive dhe teknologjive të reja, duke kontribuar në zhvillimin e vendit. Investimi në arsim dhe kërkim gjithashtu ndihmon në krijimin e një fuqie punëtore të aftë dhe të specializuar, e cila është thelbësore për përmbushjen e kërkesave të tregut. Duke përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë dhe duke krijuar mundësi për kërkime të avancuara, Shqipëria mund të trajtojë më mirë sfidën e “rrjedhjes së trurit” dhe të ndërtojë një ekonomi të bazuar mbi njohuritë.

    * * *

    Hapja e negociatave të anëtarësimit në BE është një moment historik për Shqipërinë, që mbart implikime të thella politike, ekonomike dhe shkencore. Politikisht, ajo forcon institucionet demokratike të Shqipërisë, rrit stabilitetin rajonal dhe e vendos Shqipërinë brenda kuadrit më të gjerë të qeverisjes dhe përgjegjësisë së BE-së. Ekonomikisht, ajo përshpejton reformat strukturore, përmirëson klimën e investimeve dhe i ofron Shqipërisë qasje në tregun e përbashkët të BE-së dhe burimet financiare. Prandaj, Kapitulli 25 jo vetëm që i mundëson Shqipërisë të përfitojë nga programet kërkimore të BE-së, por gjithashtu e pozicionon vendin si një kontribuues aktiv në zgjidhjen e sfidave të brendshme dhe rajonale. Shqipëria do të ketë mundësinë të marrë pjesë në projekte kërkimore që trajtojnë çështje si ndryshimet klimatike, shëndeti publik dhe transformimi digjital, të cilat janë ndër përparësitë kryesore të Bashkimit Evropian.

    Duke u fokusuar në shkencën dhe kërkimin, përafrimi me kuadrin e Kapitullit 25, luan një rol vendimtar në integrimin e Shqipërisë në ekonominë e njohurive evropiane duke nxitur inovacionin, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe duke mundësuar pjesëmarrjen në përpjekjet ndërkombëtare kërkimore. Është kjo arsyeja, që edhe Shqipëria për t’iu afruar dhe përshtatur me mirë, në prag të hapjes së negociatave, për t’iu përshtatur më mirë dhe për t’u bërë pjesë e kërkimit shkencor europian, ka përgatitur projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në RSH”, i cili po debatohet gjerë, duke konsideruar dhe sugjerimet e shumë aktorëve dhe institucioneve arsimore e shkencore, e pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Një dokument tjetër i rëndësishëm në funksion të këtij qëllimi, është dhe Dokumenti i Strategjisë së Kërkimit Shkencor, Teknologjik dhe të Inovacionit”. Të dyja këto dokumente janë në një linje me filozofinë europiane të Kërkimit Shkencor, me principet e kërkimit shkencor në BE, me filozofinë” e “Open science”, të barazisë gjinore, të etikës në kërkimin shkencor dhe pjesëmarrje në programin europian të kërkimit etj.

  • Të paktën 205 të vdekur nga përmbytjet shkatërruese në Spanjë

    Të paktën 205 të vdekur nga përmbytjet shkatërruese në Spanjë

    Efektet shkatërruese të përmbytjeve të së martës po vazhdojnë në Valencia të Spanjës, ku katastrofa ka lënë të paktën 205 të vdekur, transmeton Anadolu.

    Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles tha se disa zona mbeten të paarritshme tri ditë pas stuhisë.

    Mijëra njerëz janë ende pa energji elektrike, ujë të pijshëm apo ushqim. Shumë të tjerë janë bllokuar në shtëpitë e tyre, me makina apo mbeturina të grumbulluara para dyerve të tyre.

    Robles njoftoi se 500 pjesëtarë shtesë të personelit ushtarak janë dërguar sot, me të tjerë që do të pasojnë të shtunën. “Ne do të vendosim në shërbim gjithë ushtrinë prej 120.000 anëtarësh nëse kjo është e nevojshme”, tha ajo në një intervistë për transmetuesin RTVE.

    “Nuk ka të bëjë vetëm me numrin e njerëzve. Kjo nuk është e lehtë. Mbetet kaq shumë për të bërë – nga shpresa për të shpëtuar më shumë njerëz të gjallë, rikuperimi i trupave, hapja e rrugëve, furnizimi i qyteteve të izoluara dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike, e cila është dëshpërimisht e nevojshme mes kaq shumë dhimbjesh”, tha ajo.

    Një numër i panjohur njerëzish mbeten të zhdukur.

    Kryetari i Bashkisë Sedavi, Jose Francisco Cabanes, bëri thirrje për ndihmë urgjente për qytetin e tij të izoluar prej 10.000 banorësh, duke paralajmëruar se nëse trupat nuk hiqen, sëmundje mund të shfaqen së shpejti.

    “Ushtria po përdor dronë në zona që nuk mund t’i arrijmë”, tha Robles. “Magnituda e dëmit është e paprecedentë. Ka ende pirgje makinash, me njerëz, me familje që mund të jenë brenda. Tragjedia është e tmerrshme… ne po bëjmë gjithçka që mundemi”, shtoi ai.

    Në atë që do të hyjë në histori si një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse të Spanjës, një stuhi intensive shkaktoi ​​shira të barasvlefshme me reshje të një viti në vetëm disa orë, duke bërë që lumenjtë të vërshojnë brigjet e tyre dhe të shkaktojnë përmbytje të rënda. Rrugët u kthyen shpejt në lumenj të fuqishëm.

    Banorët u kapën në befasi, ndërsa shumë ishin ende duke vozitur ose lanë shtëpitë e tyre për t’i zhvendosur makinat në tokë më të lartë, të pavetëdijshëm për shkallën e përmbytjeve, kur u kapën nga fatkeqësia. Të tjerë në katet përdhese të ndërtesave nuk kishin kohë të kërkonin vende më të sigurta.

    Në kohën kur qeveria e Valencias dërgoi alarm nëpërmjet telefonave, shumë nga dëmet ishin shkaktuar tashmë. Linjat e urgjencës ishin të mbingarkuara nga thirrjet dhe misionet e shpëtimit u bënë thuajse të pamundura të martën në mbrëmje për shkak të motit dhe shkallës së madhe të nevojës.

    Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka premtuar se Spanja do të përdorë të gjitha masat e mundshme për të ndihmuar viktimat dhe për të rivendosur normalitetin në rajon.

    Bashkimi Evropian ka premtuar gjithashtu mbështetje për përpjekjet e mëdha të nevojshme për të rindërtuar zonën e shkatërruar.

    Rreth 80 kilometra autostrada dhe rrugë janë shkatërruar, tha ministri spanjoll i Transportit Oscar Puente për transmetuesin RNE sot. Ai shtoi se autostrada kryesore që lidh Valencian me Madridin mund të marrë të paktën dhjetë ditë për t’u rihapur.

    Ndërkohë, linja e shpejtë që lidh Madridin dhe Valencian do të jetë jashtë shërbimit për rreth 15 ditë. Puente vuri në dukje se rreth 100.000 bileta për atë linjë u shitën vetëm për këtë fundjavë. Rrjeti lokal i trenave është në gjendje shumë më të keqe dhe do të duhen muaj për t’u riparuar.

    “Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Shumë zona janë të paarritshme nga çdo lloj automjeti”, tha ai, duke shtuar se prioriteti kryesor mbetet fokusimi tek personat e zhdukur dhe adresimi i tragjedisë njerëzore.

    Stuhia përgjegjëse për tragjedinë mbetet aktive në Spanjë dhe ka shkaktuar përmbytje më pak të rënda në zona të mëdha të vendit që nga e marta.

    Sot, agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET vendosi zonën Huelva në Andaluzi në alarm të kuq për reshje të forta shiu. Pjesa më e madhe e bregdetit mesdhetar të Spanjës mbetet gjithashtu nën alarm portokalli ose të verdhë për shira të dendur.

  • MPJ e Serbisë: Projektligjet për serbët në Kosovë s’i shkelin zotimet e dialogut

    MPJ e Serbisë: Projektligjet për serbët në Kosovë s’i shkelin zotimet e dialogut

    Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë tha se projektligjet e miratuara së voni për juridiksionin gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” nuk shkelin detyrimet nga dialogu për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Legjislacioni në fjalë synon të mbrojë të drejtat dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, në linjë me përkushtimin tonë më të gjera për stabilitet në rajon”, u tha në deklaratën e MJP-së serbe, të publikuar në X.

    “Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin si ndërmjetësuese e dialogut, thuhet se dialogu duhet të synojë përmirësimin e jetës së njerëzve. Me masat e propozuara, Beogradi synon të arrijë pikërisht këtë synim: të përmirësojë kushtet e jetesës dhe kualitetin e jetës së serbëve në Kosovë”, u shtua në deklaratë.

    Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi një projektligj për, siç e quajti ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

    Këto projektligje janë kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë javës, të cilat thanë se ato shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën për normalizimin e raporteve.

    MPJ e Serbisë tha se është e përkushtuar për dialog të hapur me të gjithë partnerë e tij ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në. Ministria e Jashtme serbe, që udhëhiqet nga Marko Gjuriq, u bëri thirrje të gjitha palëve për dialog konstruktiv për të adresuar të gjitha shqetësimet lidhur me legjislacionin e miratuar nga autoritetet serbe.

    “Serbia mbetet e angazhuar plotësisht në procesin e dialogut dhe është e zotuar në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se të gjitha palët, përfshirë partnerët ndërkombëtarë, duhet të mbështesin një qasje të hapur dhe bashkëpunuese për t’u siguruar që dialogu të mbetet efektiv dhe me respekt të ndërsjellë”, tha Ministria e Jashtme e Serbisë./rel/

  • Të dielën protestohet në Medvegjë me moton “Kthema adresën”

    Të dielën protestohet në Medvegjë me moton “Kthema adresën”

    Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se më 3 nëntor para stacionit të policisë në Medvegjë do të organizohet një protestë me moton “Kthema adresën”.

    Sipas Sinanit, protesta në Medvegjë do të organizohet për të kërkuar drejtësi dhe për rikthyer adresat e pasivizuara në mënyrë të padrejtë nga ana e qeverisë serbe.

    “Të mos lejojmë që qytetarët tanë të humbasin të drejtën për identitet dhe ekzistencë në vendin e tyre. Data: 3 Nëntor 2024. Ora: 13:00 Lokacioni: Para stacionit policor në Medvegjë”, thuhet në njoftimin e Sinanit.

    Tutje, ajo tha se kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të së drejtës së çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në vendlindje.

    “Mos hesht! Bashkohu për identitetin dhe të ardhmen tonë”, tha ajo.

  • ​Olenik: Vuçiq të deklarohet mbi takimet e Vulin me shërbimet ruse e bjelloruse

    ​Olenik: Vuçiq të deklarohet mbi takimet e Vulin me shërbimet ruse e bjelloruse

    Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës (LSV) vlerëson se Serbia nuk guxon të bëhet bashkëpunëtore e diktaturave, andaj kërkon nga presidenti Aleksandar Vuçiq të përgjigjet nëse është dakord me takimet e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vulin me përfaqësues të shërbimeve të sigurisë ruse dhe bjelloruse.

    “Pas ekskursionit rus, Vulin, këto ditë qëndroi në Bjellorusi dhe u takua me drejtorin e shërbimit të sigurisë bjelloruse. Në atë takim u ra dakord për bashkëpunim në fusha të ndryshme, ndër të cilat është edhe trajnimi i përbashkët i policisë së Serbisë dhe Bjellorusisë”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LSV-së, Aleksandar Olenik në një komunikatë për media.

    Sipas Olenik, bashkëpunimi me regjimin diktatorial të Aleksandar Lukashenko dhe aparatin e tij policor vetëm sa e dëmton imazhin e Serbisë.

    “Ne kërkojmë përgjigje urgjente nga Aleksandar Vuçiq, sepse veprime të tilla të autoriteteve janë jashtëzakonisht të dëmshme për vendin dhe shtrojmë pyetjen nëse policia bjelloruse do t’i trajnojë kolegët e saj në Serbi me metodat e ashpra që aplikojnë në Bjellorusi”, tha Olenik.

  • Kërkohet më shumë barazi gjinore, Rexhepi: Të brengosur me numrin e madh të vrasjeve të grave

    Kërkohet më shumë barazi gjinore, Rexhepi: Të brengosur me numrin e madh të vrasjeve të grave

    Vështirësitë në fushën e arritjes për barazi gjinore dhe zëri i grave në zgjedhjet e ardhshme, janë disa nga çështjet që u diskutuan në takimin e rregullt konsultativ, në prag të 30-të vjetorit të Platformës së Pekinit, 24-vjetorit të Rezolutës 1325, Gratë Paqja dhe Siguria

    Qëllimi i këtij takimi konsultativ ishte zhvillimi i një diskutimi të hapur dhe thelbësor mbi sfidat e avancimit të barazisë gjinore në vend.

    Gjatë diskutimit u theksua se është i domosdoshëm analizimi kritik i përpjekjeve të akterëve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, partive politike, mediave dhe komunitetit ndërkombëtar, në kuadër të proceseve dhe reformave të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.

    Në panelin me titull “Pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike”, zëvendëskryeministrja e tretë për çështje të pakicave dhe drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi ka theksuar se janë brengosëse statistikat e vrasjeve të grave.

    “Vet fakti që edhe më tutje, ballafaqohemi me gjuhën e urrejtjes ndaj grave, vet fakti që kemi një numër të madh të vrasjeve të grave tona, shpesh kemi përmendur këto, meqë zakonisht kryerësit e këtyre veprave janë bashkëshortit apo njerëzit me të cilët jetonin shumë vite… Tani kemi një pasqyrë krejt tjetër dhe këto statistika tregojnë një realitet tjetër që duhet të brengosemi. Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të punojmë, dhe janë të rëndësishme këto takime, tha Rexhepi.

    Këshilltarja politike në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlije Bala gjatë diskutimit për barazinë gjinore, ka thënë se ligjet në vend hasin sfidat e saja të përditshme, teksa ka kërkuar nga gjitha institucionet zbatimin e tyre.

    “Angazhimet tona nuk duhet të jenë të fokusuara vetëm në politikë, gjithandej e hasim pabarazinë, sepse kur të ndalemi dhe të analizojmë ligje të tëra, është një përshtypje se këto ligje janë bërë veç për burra, është një diskriminim aty për aty ndaj grave. Në momentin kur na thonë se gjuha ligjore nuk ka gjini, mendoj se duhet të fillojmë edhe gjenorizimin e dokumenteve tona të bëjmë. Ligjet në Kosovë hasin sfidat e saja të përditshme, nuk është e lehtë zbatimi i një ligji, dhe nuk varet zbatimi i ligjit vetëm prej një institucioni, prandaj, kërkohet angazhimi i përgjithshëm edhe institucional dhe shoqëror. Ka shumë për të bërë si gra”, tha Bala.

    Drejtoresha Ekzekutive e OJQ “Të drejtat e grave”, Ruzhica Simiq, ka folur për problemet që ballafaqohen gratë në Mitrovicën Veriore, për çfarë ka kërkuar nga institucionet të punojnë në ketë drejtim, për t’i ofruar sigurinë e nevojshme gjitha grave.

    “E kemi të qartë që kalojmë në një tranzicion, por të gjitha thuhen përmes grave. Siguria e grave në hapësira publike është e drejtë universale dhe është e rëndësishme që institucionet të punojnë në ketë drejtim. Pjesëmarrja e grave në jetën politike kanë kuptim vetëm kur janë të mbrojtura dhe tregojnë mendimin e vet pa frikë. Sot gratë në Mitrovicën Veriore ballafaqohen me problemin ngacmimi seksual nga disa individ dhe kjo sjellje degradon dhe krijoj mjedis armiqësor. Ngacmimi seksual është vepër penale dhe kërkon përgjigje, sepse shkel lëvizjen e lirë. Momentalisht gratë në veri e kanë këtë problem serioz”, tha ajo.

    Ndërsa, drejtoresha ekzekutive, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), Igo Rogova ka shprehur dëshirën e saj që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë përsëri të përfaqësuara me gra, me një numër më të madh të tyre.

    “Erdhi koha e dialogut që jemi tash, kuptoj se kemi gra në vendimmarrje, dhe jemi shumë krenare, por nuk është me rendësi veç të kemi gra në vendimmarrje, është me rendësi të dëgjohet zëri i popullatës edhe brenda dialogut. Këto mundemi duke pas bashkëpunim, duke u dëgjuar zëri ynë, dhe duke i përcjellë pastaj këto ekipet zyrtare, nuk kemi pas as nga ana e qeverisë tonë…Ne e kemi dëshirën që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë përsëri të përfaqësuara me gra, bile edhe më shumë. Por, mos harroni një gjë, më shumë se gjysma e popullatës që janë gratë votuese, kanë votuar këtë qeveri tash. Prandaj, ne presim edhe më shumë se sa kemi tash rezultate. Kemi shumë çështje për të përcjellë përpara”, tha ajo.

    Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e vendosë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike si një nga objektivat kryesore strategjike. /kp

  • MAPL kundërshton vendimin e Përparim Ramës për tregun veror – Komuna ende pa përgjigje

    MAPL kundërshton vendimin e Përparim Ramës për tregun veror – Komuna ende pa përgjigje

    Komuna e Prishtinës po përballet me një tjetër sfidë ligjore përballë Qeverisë së Kosovës, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e cilësoi të paligjshëm vendimin e komunës për ta kaluar organizimin e tregut “Verë n’Dimër” dhe “Akull n’Verë” nën menaxhimin e ndërmarrjes “Sport Marketing”, në vend të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, e cila kishte mbikëqyrur këto aktivitete më herët.

    Ky vendim, i nënshkruar nga kryetari Përparim Rama, është konsideruar nga MAPL si një përpjekje për të anashkaluar mbikëqyrjen e tyre.

    “MAPL konstaton se vendimi Nr. 14.020/04.129312/24 nuk përmban në preambulë Rregulloren nr. 01-463/01-227577/23 për përcaktimin e procedurave dhe formave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për më pak se një vit të datës 1.12.2023, akt me të cilin kryeqyteti i Republikës së Kosovës/Prishtinë ka përcaktuar ‘procedurë të brendshme për dhënien në shfrytëzim të pronës më pak se një vit’ si dhe neni 6 i vendimit që ka përcaktuar se ‘hyrja në fuqi realizohet në momentin e nënshkrimit të tij’ duke anashkaluar dërgimin e aktit të autoritetit mbikëqyrës për shqyrtimin e ligjshmërisë është në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nenin 80”, thuhet në arsyetim.

  • Teatri i ri kombëtar, Rama ndan pamje nga punimet

    Teatri i ri kombëtar, Rama ndan pamje nga punimet

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në Tiranë.

    Projekti i teatrit të ri është krijuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë.

    Objekti i ri pritet të ketë një arkitekturë me dizajn modern.

    Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët.

  • Spitali turk Medical Park tashmë me shërbime mjekësore edhe në Kosovë

    Spitali turk Medical Park tashmë me shërbime mjekësore edhe në Kosovë

    Medical Park, rrjeti prestigjioz i spitaleve turke, ka hapur një degë të re edhe në Kosovë. Me teknologji të avancuar dhe pajisje të fjalës së fundit, Medical Park sjell standarde ndërkombëtare të kujdesit shëndetësor në Prishtinë. Ky është spitali i tretë i Medical Park jashtë Turqisë, pas degëve në Baku të Azerbejxhanit dhe Budapest të Hungarisë.

    Për të zbuluar më shumë rreth shërbimeve që Medical Park sjell për pacientët kosovarë, gastroenterologu Dr. Genc Paçarizi ishte i ftuar në emisionin ‘N’Frekuencë me Robin’ në ATV.”

    Ai tregoi se Medical Park është një spital i përgjithshëm që ofron të gjitha shërbimet mjekësore.

    “Medical Park është një rrjet, një zinxhir i spitaleve në Turqi dhe jashtë Turqisë me disa pika, përmbi 30 pika dhe spitale, përfshirë edhe qendra universitare. E kemi fatin që një pikë e tillë është hapur edhe në Kosovë së fundmi, me gjithë atë bagazhin e teknologjisë dhe pajisjeve dhe inovacioneve në shëndetësi, tashmë e kemi edhe në Kosovë. Është spital i përgjithshëm që ofron të gjitha shërbimet duke përfshirë kirurgjinë, mjekësinë interne, kardiologjinë, kardiologjinë invazive dhe të gjithë sektorët të cilët janë të domosdoshëm që të funksionojë si i tillë qysh është mjekimi intensiv, gjysmë intensiv, departamentet e kështu me radhë”, tha Dr. Paçarizi.

    Spitali i Medical Park është i përbërë nga më shumë se 25 mjekë specialistë të fushave të ndryshme që ndjekin protokollet e fundit mjekësore.

    “Aktualisht jemi mbi 25 mjekë specialistë në Medical Park, të fushave të ndryshme, me qëllimin që të funksionalizohet i gjithë shërbimi i spitalit të përgjithshëm. Jemi të pajisur me aparaturë dhe teknologji të fundit, po ashtu ndjekmi edhe guidelinet dhe protokollet e fundit të trajtimit. Pacienti, po sa të lajmërohet në qendrën emergjente apo në emergjencën e Spitalit Medical Park, qysh aty organizohet puna për çfarëdo problematike që mund të ketë dhe duke u konsultuar specialitetet e ndryshme dhe duhura”, tha Dr. Paçarizi.

    Medical Park ofron një gamë të gjerë të shërbimeve, ku përfshihen kirurgjia, kardiologjia, mjekësia interne, dhe shërbimet emergjente.

    “Bazuar në infrastrukturën që e ka spitali, teknologjinë, ambientet dhe stafin e profesionalizuar, kishim me i cekë intervenimet më të rralla siç janë intervenimet në abdomen, të gjitha format e kancereve dhe urgjencave kirurgjike kryhen me shumë sukses te ne, isha ndalë edhe te shërbimi i gastroenterologjisë dhe hepatologjisë, po ashtu edhe endoskopisë, ku unë e përfaqësoj dhe punoj aty, dhe të gjitha format e intervenimeve endoskopike, të gjitha format jetë kërcënuese siç mund të jenë pankreatiti akut, dështimi akut i mëlçisë, trupat e huaj, gjakderdhja nga trakti tretës, që të gjitha këto e kemi mundësinë dhe potencialin që t’i kryejmë me shumë sukses”, tha Dr. Paçarizi.

    Ai tregoi se gjatë këtij muaji, spitali ka trajtuar me sukses disa raste madhore në abdomen, raste me kancer, gjakderdhjet nga zorrët e holla, etj.

    “Qysh në muajin e parë janë realizuar disa intervenime kirurgjike madhore në abdomen, për pasojë që rastet e tilla ishin me kancer dhe janë kryer me shumë sukses. Së fundmi, ditët e fundit kishim edhe një rast me gjakderdhje nga zorrët e holla që brenda pak orëve rasti është zgjidhur, hap pas hapi ka shkuar në mënyrë protokolare dhe për pak orë rasti është zgjidhur. Duke u nisë prej praktikës së më hershme, gjakderdhjet nga zorrët e holla dinë me qenë shumë të fshehta, shumë të rrezikshme, por fatmirësisht, e gjithë ekipa e Medical Park kemi qenë të kyçur në rastin dhe brenda pak orëve e kemi zgjidhur me sukses dhe pacienti ia ka dalë”, tregoi Dr. Paçarizi.

    Medical Park Kosova është në gatishmëri 24 orë në ditë, duke përfshirë shërbimet kirurgjikale, mjekimin intensive, shërbimin pediatrik, etj.

    Për më shumë informacione vizitoni uebfaqen www.medicalparkkosova.com ose kontaktoni në numrin e telefonit: 038 600 106. Medical Park Kosova gjendet në Magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kilometric i 4-të.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: