Përgatiti: Benita Zeneli
Punën e pushtetit që e bënë deri në orët e vona të mbrëmjes, deputetët e partisë më të madhe opozitare, do ta dërgojnë për vlerësim të kushtetutshmërisë.
Rreth 20 projektligjet që u miratuan në seancën e 5 dhjetorit vetëm me prezencën e deputetëve të Vetëvendosjes, Partia Demokratike pritet t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se të enjten Kuvendi nuk iu përmbajt rregullores.
Ndërkohë që për t’i dërguar këto ligje në Kushtetuese, deputetët kanë afat brenda tetë ditësh nga dita e miratimit.
Por, këto pretendime po kundërshtohen nga deputetët e Vetëvendosjes. Deputeti Halil Thaçi thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullores së Kuvendit, derisa vlerëson se nëse bëhet një veprim i tillë nga opozita, do t’u bëhet dëm qytetarëve.
“PDK-ja është e interesuar të mos ketë sigurime shëndetësore. Janë ligje të rëndësishme dhe jetike. Keni parasysh që kemi 25 vite pas çlirimit dhe tash kemi arritur ta votojmë një ligj që qytetari të bëhet me sigurime shëndetësore. Gjithë seanca ka qenë sipas rregullores dhe edhe në legjislatura të tjera ka pasur raste kur një projektligj është miratuar në mes dy leximeve në një seancë”, tha Thaçi.
Në mesin e projektligjeve që u miratuan në seancën e javës së kaluar janë ai për banim e përballueshëm dhe social, Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore e të tjerë.

Leave a Reply