ATV

Author: ATVLive

  • Specialja urdhëron Hajredin Kuçin të mos flasë me familjarë për rastin, e as në media

    Specialja urdhëron Hajredin Kuçin të mos flasë me familjarë për rastin, e as në media

    Përgatiti: Nora Luta

    Ndonëse e la të lirë, Gjykata Speciale ka vendosur një varg masash ndaj ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

    Gjykata e ka urdhëruar Kuçin ndër të tjera që të mos diskutojë përmbajtjen e akuzave dhe procedurës, as me familjen e tij, përveç avokatit mbrojtës.

    Ish ministrit, gjithashtu i është ndaluar të deklarohet në media dhe të bëjë deklarata publike.

    “(D) të përmbahen, në këtë fazë dhe deri në urdhër të mëtejshëm, nga çdo kontakt ose komunikimi, i drejtpërdrejtë ose i tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çdo lloji dhe përmes çdo mjeti, me ndonjë dëshmitar (të mundshëm) apo viktimë në rasti aktual ose ndonjë rast tjetër para Gjykatës; (f) t’i përmbahet çdo kufizimi për lëvizjet e tij në territorin e Shtetit Pritësit
    , që mund t’i imponohet atij nga shteti pritës, gjatë periudhës
    qëndrimi i tij në të; dhe të jetë në përputhje, në çdo rast, me të gjitha udhëzimet e Sekretarit për qëllimet e paraqitjes së tij para Gjykatës”, thuhet në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Një ndër arsyet pse Gjykata ka vlerësuar se në rrethanat aktuale nuk ka rrezik që Kuçi do t’i shmangej ballafaqimit me drejtësinë, është lartësia e dënimit për veprën që dyshohet, dhe karriera e tij politike.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se pavarësisht lidhjeve të z. Kuçi me Thaçi dhe Veseli, karriera e tij shumëvjeçare politike, dhe dënimi potencial i ulët lidhur me to, i jep z. Kuçi pak motiv dhe/ose nxitje për të ikur nga një dënim i tillë i mundshëm. z. Kuçi është penalisht përgjegjës për dy pika të aktakuzës: mospërfillja e gjykatës, ku dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet më tej në urdhrin i gjyqtarit të procedurës paraprake.

    Hajredin Kuçi më 9 dhjetor është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën, të cilën ZPS-ja e kishte dorëzuar të ndryshuar në qershor të këtij viti, ndërsa në nëntor u konfirmua nga Gjykata.

    Kuçi po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Isni Kilajn për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.

    Ndërkohë Thaçi, Smkaj dhe të tjerët janë në paraburgim.

    Një ndër arsyet sipas gjykatës është që Thaçi dhe Smakaj kanë kapacitetin dhe aftësinë për të marrë mbështetjen e zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve sikurse atyre inteligjent dhe policorë, që sipas Gjykatës mund të ju ndihmojnë për të ikur, duke përfshirë edhe kalimin e paligjshëm të kufijve.

  • Qeveria intensifikon veprimet, por akuzon të tjerët për fushatë

    Qeveria intensifikon veprimet, por akuzon të tjerët për fushatë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “A nuk ka pasur mundësi të bëhet më herët, nëse është dashur? Pra, pse pikërisht në kohen kur jemi në një proces zgjedhor, konsiderohet edhe pse nuk jemi ende zyrtarisht në fushatë? Është e qartë që Prokuroria ka tendencë të bllokojë punën tonë, të minojë punë tonë, të dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë, siç zakonshëm kanë bërë”.

    Kështu ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk kurseu akuzat ndaj Prokurorisë Speciale, të hënën, teksa foli për ftesën për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti, si dëshmitar, në rastin e rezervave shtetërore.

    Derisa ftesën në kuadër të hetimit, ajo vendosi në kontest parazgjedhor, Qeveria nuk i sheh veprimet e saj, si me ndihma financiare e prerje shiritash, në raste edhe për projekte të papërfunduara, si fushatë.

    Përkundër kritikave ndaj Prokurorisë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thanë se një vendim i nënshkruar nga kryeministri lidhur me rastin, e bën të domosdoshëm intervistimin e tij.

    “Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë të drejtë t’i thërrasin të gjithë zyrtarët, qytetarët e Kosovës, si dëshmitar në një fazë të procedurës kur ata e shohin të arsyeshme. Kështu që, padyshim që kjo nuk mund të konsiderohet si pjesë e fushatës sepse, në fund të fundit, ftesa që i është dërgua kryeministrit është bërë publike nga vetë Zyra e Kryeministrit, e jo nga ana e Prokurorisë. Nëse kryeministri do t’i përgjigjej ftesës si dëshmitar, do të kalonte në heshtje ky rast”, tha drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
    Në anën tjetër, intensifikimi i veprimeve të pushtetit ekzekutiv më pak se dy muaj nga zgjedhjet, nuk shihet si risi.

    “Nuk është diçka e re kur partitë politike e shfrytëzojnë Buxhetin e Kosovës për të shpërndarë ndihma sociale, grupeve të margjinalizuara, pensionerëve, fëmijëve etj”, tha Miftaraj.

    Megjithatë, në vlerësimin e opinionistit Bekim Kabashi, mesazhi nga Qeveria bie ndesh me premtimin e partisë në pushtet për luftimin e korrupsionit.

    “Secila Qeveri pak a shumë nuk është që nuk e shfrytëzon punën e saj për me promovua, sidomos në prag të zgjedhjeve, që të mund të arrihet një rezultat më i mirë zgjedhor. Por, kur manipulohet deri në ekstreme të tilla, atëherë kjo duhet të jetë një mesazh për qytetarët, që të ketë një efekt të kundër, jo atë që e pret Qeveria. Sepse sidomos te rasti i thirrjes që i është bërë kryeministrit Kurti nga Prokuroria, kjo do të duhej të ishte një mesazh tjetër, jo të tregohet një konflikt me Prokurorinë, por një gatishmëri e kryeministrit për të shkuar vetë”, tha Kabashi.

    Fushata për zgjedhjet parlamentare të rregullta, që do të mbahen më 9 Shkurt, zyrtarisht nis më 11 Janar dhe përfundon në ditën e zgjedhjeve, meqë me ligjin e ri nuk do të ketë heshtje një ditë para.

  • Përurohet procedura e fertilizmit të asistuar mjekësor në QKUK

    Përurohet procedura e fertilizmit të asistuar mjekësor në QKUK

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Ndonëse projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor që e mundëson procedurën e IVF-it nuk është votuar në Kuvend, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, të martën u përurua ky shërbim.

    Kjo procedurë mjekësore, e cila u jep shpresë atyre që duan të bëhen prindë do të mundësohet nën Udhëzimin Administrativ të vitit 2013.

    Ndërsa kostoja e aparaturës arrin në mbi 2 milionë euro.
    Sipas kryeministrit Albin Kurti, i cili qe i pranishëm në përurim, për dy herët e para të IVF-të, shërbimi do të ofrohet falas, ndërsa për herën e tretë kostoja do të jetë 670 euro.

    “Gjysma është prej Ministrisë së Shëndetësisë gjysma prej ShSKUK. Vetëm aparaturë e laboratorit embriologjisë është mbi 1 milion euro dhe përveç kësaj ishin edhe dy ultrazë të ri si dhe një pajisje e cila ishte version i kombinuar i histroskopisë dhe llaparaskopisë”, tha Kurti.

    Ndërsa, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Zef Ndrejaj, tha se tashmë ka filluar mbledhja identifikimi i pacientëve që kanë këso nevojash.
    “Jemi në fazën fillestare ku puna me pacientë vetëm ka filluar. Ka filluar mbledhja e pacientëve që kanë nevojë, klasifikimi i tyre, formimi i listave që shkohet në bazë të procedurave”, tha Ndrejaj.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ndau detaje më shumë, veçse falënderoi stafin për angazhimin.

    “Shfrytëzoj rastin vetëm t’i falënderoj për punën e shkëlqyer gjithë stafin e Klinikës Gjinekologjike për punën që po e bëjnë”, tha Vitia.

    Deri më tani Fertilizimi IN VITRO në Kosovë ofrohej vetëm në klinika private me çmim që fillon nga 4 mijë euro.

  • Lista Serbe ankohet në PZAP pas mosçertifikimit nga KQZ-ja

    Lista Serbe ankohet në PZAP pas mosçertifikimit nga KQZ-ja

    Përgatiti: Teuta Arifaj

    Partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve dhe sipas tij vendimi është marrë me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti.

    “Besojmë se vendimi është marrë me urdhër të Albin Kurtit për të parandaluar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi sesa shumë Kurti dëshiron t’i eliminojë serbët nga ky territori. Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik”, tha Ellek.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër.

    Duke e arsyetuar vendimin Kurteshi tha se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe përdor rregullisht termin “Kosova dhe Metohia” ose frazën “Rroftë Serbia.”

    “Fakti që në vend të ‘Rroftë Republika e Kosovës’ thashë ‘Rroftë Republika e Serbisë’… sot ua them qartë se, para së gjithash, jam krenar që jam serb dhe krenar që i thashë ato fjalë. Qëndroj fort pas çdo fjale të shqiptuar”, tha Ellek.

    Vendimi për moscertifikim të Listës Serbe u mor pavarësisht se Zyra për Regjistrimin dhe Verifikimin e Subjekteve Politike kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe. Ndërkaq nga pranimi i ankesës, PZAP ka kohë 48 orë për të vendosur për rastin.

    Pos Listës Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë regjistruar edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb.

  • I dënuari për sulm seksual në garë për deputet

    I dënuari për sulm seksual në garë për deputet

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në krah të zëvendëskryeministres Emilia Rexhepi, Numan Balic ka filluar fushatën duke kërkuar votat për t’u zgjedhur deputet.

    Por, vetëm pak vjet më parë, ish-ministri i Shëndetësisë, akuzohej për sulm seksual. Madje, përballë aktit akuzues të prokurorisë themelore të Pejës, për sulm ndaj një pacienteje, edhe u dënua me dy vjet burgim efektiv.

    Për faktin se kanë kaluar tri vjet që nga shpallja e vendimit, i njëjti u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por, njohës të procesit vlerësojnë se i njëjti në rast se zgjidhet deputet, dëmton kredibilitetin e Kuvendit.

    “Nuk ka kredibilitet. Personi që është I dënuar për sulm seksual, të votojë për miraitmin e ligjeve e projektligjeve, për viktimat e veprës së njëjtë penale”, tha Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Në këtë drejtim, vlerësohet se nevojiten ndryshime thelbësore, në mënyrë që kryerësve të krimeve seksuale t’u pamundësohet certifikimi.

    Numan Balic akuzohej se gjatë punës si kirurg në spitalin e Pejës, në gusht të vitit 2020, kishte sulmuar seksualisht pacienten duke shfrytëzuar gjendjen e saj të rënduar.

  • Oficerë të FSK-së trajnohen në SHBA për menaxhimin e mbrojtjes

    Oficerë të FSK-së trajnohen në SHBA për menaxhimin e mbrojtjes

    Tre oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agron Durmishi, Shpëtim Dragobuzhda dhe Gentrit Idrizi, kanë përfunduar trajnimin në fushën e Menaxhimit Ndërkombëtar të Mbrojtjes në Defense Resources Management Institute (DRMI), në Monterey të Kalifornisë.

    “Ky trajnim synon zhvillimin e aftësive analitike për planifikimin strategjik, programimin dhe buxhetimin e mbrojtjes”, thuhet në postimin e FSK-së në Facebook.

    Programi i sponsorizuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes përfshiu teknika për menaxhimin e rreziqeve, analizën e kostove dhe buxhetimin shumëvjeçar për mbrojtjen, duke krijuar një bazë për shkëmbimin e ideve në menaxhimin e sigurisë kombëtare.

  • Osmani për moscertifikimin e Srpska’s: Kanë individë që janë angazhuar në akte terroriste, çdo vendim i KQZ’së duhet të respektohet

    Osmani për moscertifikimin e Srpska’s: Kanë individë që janë angazhuar në akte terroriste, çdo vendim i KQZ’së duhet të respektohet

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth zhvillimeve të djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku Lista Srpska nuk u certifikua për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Osmani ka thënë se individë të Listës Serbe janë angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues të Kosovës

    “Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.”

    Përfaqësitë diplomatike të akredituara në Kosovë përfshirë SHBA’në, BE, Mbretërinë e Bashkuara kanë reaguar ndaj vendimit duke thënë se veprimi është politik e jo ligjor.

    Por Osmani thotë për Express se KQZ është institucion i pavarur kushtetues që vendos në mënyrë të pavarur.

    Sipas saj, cdo vendim i KQZ’së duhet të respektohet.

    “Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është një institucion i pavarur kushtetues, i cili vendosë në mënyrë të pavarur. Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional.”

    KQZ dje nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit pasi anëtarët e VV’së votuan kundër.

    Kjo është kritikuar nga ndërkombëtarët dhe nga njohësit e zhvillimeve politike.

    Tashmë Lista Serbe është ankuar në PZAP dhe ky institucion ka kohë 48 orë që të vendosë për ankesën.

  • Idrizi: Të gjitha rrugët po pastrohen dhe janë të kalueshme pas pastrimit nga reshjet e borës

    Idrizi: Të gjitha rrugët po pastrohen dhe janë të kalueshme pas pastrimit nga reshjet e borës

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka njoftuar se pas reshjeve të borës të gjitha rrugët po pastrohen dhe janë të kalueshme për qytetarët.

    Përmes një postimi në Facebook, Idrizi ka thënë se është bërë pastrimi i rrugëve në fshatrat, Gumnishtë, Pasomë, Storc dhe Beçuk.

  • ​Kurti: Sulmi në Varagë rrezikoi sigurinë nacionale dhe paralizimin e jetës ekonomike

    ​Kurti: Sulmi në Varagë rrezikoi sigurinë nacionale dhe paralizimin e jetës ekonomike

    Kryeministri i vendit Albin Kurti ka theksuar se sulmi terrorist në kanalin ujor në “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor ka pasur qëllim ta rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Kryeministri Kurti theksoi po ashtu se prapa këtij sulmi, qëndron terroristi Milan Radoiçiq.

    Ai në një konferencë për media sot, theksoi se m shpërthimin eksplozivë në kanalin “Ibër-Lepenc”, grupit terrorist, siç shprehet ai, i prin “Milan Radoiçiqi që kishte për qëllim ta paralizonte edhe jetën ekonomike dhe energjetike në Kosovë”.

    “Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist që po mbështete dhe po strehohet nga Serbia. Për planifikimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë. Sulmi është planifikuar paraprakisht nga Milan Radoiçiq. Për realizmin e tij bazuare në të dhënat e deritanishme janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës civile ‘Mbrojtja civile’ e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje. Grupi i parë ka ofruar mbështetje logjistike në terren. Ndërkaq, grupi i dytë disa persona profesionistë ku besohet se ka pasur persona edhe nga struktura të sigurisë së Serbisë të afërta me Milan Radoicic janë përfshirë në realizmin e sulmit… Sulmi me eksploziv në kanalin Ibër-Lepenc të datës 29 nëntor 2024 përmes dëmtimit të tërësishëm të kanalit ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave të cilat do të vinin si pasojë si dhe do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon”, theksoi Kurti.

    Sipas kryeministrit Kurti, sulmi terrorist i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve terroriste dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe.

    “Pas sulmit Milan Radojqiq tek rrethi i afërt i tij ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij kanë qenë që kanali të dëmtohet tërësisht dhe pakthyeshëm. Sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve terroriste dhe aktiviteteve të tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se aktet e këtilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale, diversion si dhe faktin se Milan Radoiçiq përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë vlerësohet se edhe shpërthimi i kanalit të Ibër Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë. Sulmi pothuajse ka qenë i pa mundur që të kryhet nga grupi terrorist i Radoiçiqit pa qenë në dijeni e nën mbështetje vetë shteti i Serbisë”, tha Kurti.

    Sipas tij, të dhënat që i posedojnë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës qojnë në një përfundimin se përmes kombinimit të sulmit terrorist me dezinformata dhe propagandë, Serbia po synon që publiku me këtë rast të humbasë besimin në institucionet e Kosovës. Ai shtoi se sulmet mund të synohet të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb.

    “Të ngritën hipoteza që synojnë përçarjen brenda vendit dhe krijimin e paqartësive për sulmuesit në opinionin ndërkombëtar…sulmet mund të synohet të realizohen varësisht nga interesat politike të kreut të shtetit serb, posaçërisht tensionet e brendshme në Serbi protestat e vazhdueshme opozitare atje”, theksoi Kurti.

    Më 29 nëntor të këtij viti në Varagë, një sulm me 15 kilogramë eksplozivë shkaktoi shpërthim të madh në kanalin e “Ibër-Lepenc”, që furnizon me ujë disa qytete të vendit, për të cilin institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe QUINT kanë dënuar sulmin, duke kërkuar që autorët të nxirren para drejtësisë. Për shpërthimin e 29 nëntorit deri tani janë dy serbë që po mbahen në paraburgim./kp

  • Kurti: Rajdoçiq ka caktuar Nemanja e Vladimir Radivojeviq për të realizuar sulmet në veri, ka për qëllim okupimin e asaj pjese

    Kurti: Rajdoçiq ka caktuar Nemanja e Vladimir Radivojeviq për të realizuar sulmet në veri, ka për qëllim okupimin e asaj pjese

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ka deklaruar se me informatat nga institucionet e sigurisë të Kosovës tregojnë se Rajodiciqi ka emëruar dy persona të afërt, Nemanja Rajdivoviqin (i njohur si Gandi) dhe Vladimir Rajdivoviqin (i njohur si Mami), për të realizuar sulme në veri, të cilët ishin gjithashtu pjesëmarrës në sulmin e Banjskës e në kanalin Ibër-Lepencë.

    Kurti ka theksuar se sulmi me eksploziv i kanalit Ibër-Lepencë më 29 nëntor kishte si qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike të Kosovës, duke shkaktuar trazira dhe kërcënuar sigurinë nacionale, raporton EO.

    “Sulmi me eksploziv të kanalit Ibër-Lepencit të datës 29 nëntor, përmes dëmtim e tërësishëm të kanalit ka pasur për qëllim paralizimit e jetës ekonomike dhe energjetike të Kosovës, si dhe shkaktimin e trazirave dhe si pasojë ku do të rrezikohet siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon. Refuzimi i Beogradit për të dorëzuar Rajdoçiq i cili ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetit tonë ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prinë Rajdoçiq për të vazhduar me akte të tjera ndaj integritetit dhe sovranitetit tonë. Strehimi i tij në serbi dhe përkrahje e tij, autorizimi që i ka dhënë kreu i shtetit serb për kontrollin faktik e politik nuk mund të quhet ndryshe vetëm koordinim për ta zhvilluar më tej luftën hibride”, ka deklaruar Kurti.

    “Strehimi i Radoiçiqit në Sebri, përkrahja që i ofron atij Beorgadi zyrtar me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që ia ka falur kreu i shtetit serb atij edhe për kontrollin faktik e politik të serbëve të Kosovës nuk mund të quhet ndryshe përveç se koordinim i Serbisë me Radoiçqin për të vazhduar më tej luftën hibride ndaj Kosovës”, shtoi Kurti.

    Ai gjithashtu ka theksuar se refuzimi i Beogradit për të dorëzuar Milan Rajodiciqin, i cili kishte për qëllim okupimin e pjesës veriore të Kosovës.

    Kurti ka shprehur shqetësimin për mbështetje dhe strehim të Rajodiciqit në Serbi, duke e konsideruar këtë si një koordinim për zhvillimin e luftës hibride kundër Kosovës.

    Republika jonë ka shtrirë sovraniteti përmes kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, politikat agresive të Serbisë ndaj vendit tonë nuk po ndalen me sulme me grupe me të vogla dhe më të fshehta. Bazuar në informacionet që posedojnë institucionet e sigurisë së Kosovës, Milan Rajdoçiq ka caktuar dy persona të afërt të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tij të cilët kanë marrë pjesë edhe në sulmin në Banjskë, e këta persona janë Nemanja Rajinoviq me nofkën Gandi dhe Vladimir Rajinoviq me noftën Mami”, ka theksuar ai.