ATV

Author: ATVLive

  • ​Regjistrimi i diasporës, KQZ ende pa vendim për shtyrjen e afatit

    ​Regjistrimi i diasporës, KQZ ende pa vendim për shtyrjen e afatit

    Ka dështuar mbledhja e sotme e KQZ-së për shkak të mungesës së kuorumit. Në mbledhje munguan anëtarët nga radhët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Në rend të ditës për shqyrtim mes tjerash ishte njoftimi për afatin e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

    Kjo pikë sipas anëtarit të KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi ishte arsyeja e mungesës së këtyre anëtarëve në mbledhjen e sotme.

    Sipas tij, opozitarët janë kundër shtyrjes deri më 29 dhjetor të afatit për regjistrim të mërgatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Duke argumentuar nevojën e shtyrjes së afatit, ai tha se deri tani mbi 92 mijë qytetarë nga mërgata mund të konsiderohen votues jashtë vendit, ndërsa trendi është në rritje, andaj kërkoi të gjenden forma të tjera për shtyrjen e afatit.

    “Sot është çështja krejt tjetër, ka të bëjë me një rekomandim që sekretariati ka sjell mbi mundësitë e shtyrjes së afatit për aplikim për regjistrim të mërgatës, i cili përfundon sot në ora 00:00. Duke parë trendin, i cili është në rritje i aplikimeve dhe me qëllim të mundësimit të qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit që të aplikojnë është shqyrtuar mundësia e shtyrjes së këtij afati. Sekretariati ka ardhur me një raport dhe ai në tërësi e jep rekomandimin që ky afat mund të shtyhet edhe pse prek disa aspekte organizative. Mendoj se mungesa e kolegëve këtu, PDK, LDK dhe AAK lidhet me këtë çështje. Ata edhe më herët e kanë shfaqur kundërshtimin e tyre për çfarëdo lloj shtyrje të afateve apo veprimeve që KQZ-ja do t’i merrte për përfshirjen e mërgatës në zgjedhje…Ata nuk janë të gatshëm që të vijnë dhe KQZ-ja të merr vendim. Mungesa e tyre është përpjekje për të pamundësuar shtyrjen e afatit”, tha ai.

    Por kjo u refuzua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili në mungesë të kuorumit u largua nga salla e mbledhjeve.

    Paraprakisht, ai tha se mungesa e anëtarëve nga opozita nuk lidhet me vendimin e PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe. Sipas tij, pasi ai vendim të bëhet i plotfuqishëm dhe të kalojnë afatet kohore të ankesave KQZ-ja do të ketë vendimmarrje.

    “Mund të konstatoj se nuk kemi kuorum për të mbajtur këtë mbledhje. Tre nga anëtarët e KQZ-së kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje për shkak të disa obligimeve të tjera, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë dhënë ndonjë njoftim… Lidhur me vendimin e PZAP-it, duhet të kalojë afati për ankesë dhe prapë do ta trajtojmë në KQZ sapo të bëhet i plotfuqishëm ai vendim…10:36 Në mungesë të kuorumit, takimi nuk mbahet dhe unë me kaq po e përfundoj”, theksoi ai.

    Anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa, (PZAP) për certifikimin e Listës Serbe, duke thënë se një gjë e tillë është gabim, pasi dëshmitë tregojnë se kjo parti është strofull e terrorizmit shovinist serb në Kosovë.

    “Janë disa aspekte formale që i ka trajtuar PZAP sipas parimit në letër gjithçka në rregull. Ne e kemi shumë dëshmi dhe fakte për involvimin e Listës Serbe dhe të anëtarëve të saj në veprimet të dhunshme terroriste kundër Republikës së Kosovës, policisë, institucioneve, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe vetë kundër KQZ-së. Zyrat e KQZ-së, ne i kemi pasur katër bashkëpunëtorë, ata kanë dhënë dorëheqje me kërkesë dhe urdhër të Listës Serbe, i kanë mbyllur zyrat dhe kanë shkatërruar dokumentet dhe kanë vendosur eksploziv në zyre. Këtë e kanë bërë me urdhër të Listës Serbe. Nënkryetari i atëhershëm të Listës Serbe, Radoiçiq e ka udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë vitin e kaluar. Ai sot është i lirë. Ne nuk kemi deri sot asnjë rast të vetëm kur ky subjekt politik ka dënuar sulmet e dhunshme terroriste në Kosovë. Atë trashëgimi e bart pa e prekur edhe sot. Prandaj ne konsiderojmë se Lista Serbe është strofull i terrorizmit shovinist serb në Kosovë”, deklaroi Kurteshi.

    PZAP dje ka aprovuar ankesën e Listës Serbe dhe ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, e cila kishte vendosur që këtë parti të mos e certifikonte për zgjedhjet e 9 shkurtit./KP

  • “Në shtëpi janë të krishterë, jashtë lajmërohen si myslimanë” – Prifti thotë se ka pasur shumë keqkuptime në lidhje me Lëvizjen e Deçanit

    “Në shtëpi janë të krishterë, jashtë lajmërohen si myslimanë” – Prifti thotë se ka pasur shumë keqkuptime në lidhje me Lëvizjen e Deçanit

    Famullitari i Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës”, Dom Mikel Sopi, në një intervistë për emisionin COMPASS në ATV, foli për keqkuptimet e krijuara në lidhje me Lëvizjen e Deçanit dhe trajtimin e çështjeve të lirisë fetare në Kosovë.

    Ai tha se këto debate shpesh përçojnë mesazhe të gabuara dhe mund të prekin ndjenjat e komuniteteve të ndryshme.

    “Ka ende qytetarë në Kosovë që jashtë deklarohen si myslimanë, ndërsa brenda familjes janë të krishterë të mbajtur si myslimanë. Kam takuar dhe vazhdoj të takoj persona që janë në këtë situatë të dhimbshme, sepse ndihen të ngujuar mes dy realiteteve”, tha Dom Sopi.

    Duke komentuar debatin mbi Lëvizjen e Deçanit, ai shtoi se nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë nismë dhe theksoi se respektimi i vullnetit të lirë është parim i patjetërsueshëm.

    “Personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë lëvizje dhe nuk kam bashkëpunuar me ta. Janë dy gjëra bazë që duhet të respektohen: liria e secilit për ta jetuar fenë e tij dhe mosndërhyrja në bindjet fetare të të tjerëve”, deklaroi ai.

    Dom Sopi kërkoi që të ruhet mirëkuptimi ndërfetar që e ka karakterizuar Kosovën për shekuj dhe të shmangen konfrontimet apo përçarjet mbi bazën e fesë.

    Intervistën e plotë të tij në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, komentoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

    Ai vlerësoi se një qasje e tillë përjashtuese dëmton kohezionin social dhe parametrat e shtetësisë së Kosovës.

    “Janë politizuar deri në absurd dhe deri në përmasa që janë përjashtuese, duke e prishur kohezivitetin social dhe për pasojë edhe parametrat themelorë të shtetësisë së Kosovës”, tha Hasani, duke shtuar se këto vendime duhet të bazohen në standarde profesionale dhe jo në kalkulime politike.

    Ai tha se imponimi i përfaqësimit politik për komunitete të caktuara ka një çmim të lartë për shtetin.

    “Nuk mundesh një popull kushtetues, siç është populli serb dhe komunitetet tjera, me ia imponu përfaqësimin politik”, u shpreh ai, duke e quajtur këtë praktikë të papranueshme.

    Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë kritikën e ambasadës amerikane, e cila e cilësoi vendimin si të motivuar politikisht.

    Intervistën e tij të plotë në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj tregon çka do të ndodhë me dialogun, nëse i fiton zgjedhjet PDK-ja

    Hoxhaj tregon çka do të ndodhë me dialogun, nëse i fiton zgjedhjet PDK-ja

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për sfidat e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe nevojën për ristrukturim të tij.

    Hoxhaj tha se pas 18 viteve nga shpallja e pavarësisë, Kosova ende përballet me pesë shtete të BE-së që nuk e njohin dhe mungesën e anëtarësimit në NATO, e që sipas tij, është bërë e domosdoshme një qasje të re rreth dialogut.

    “Dialogu duhet të ristrukturohet. Duhet të bisedojmë me partnerët tanë cila është rruga e avancimit të interesit të Kosovës. Dhe unë e shoh si rrugë vendimtare anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Hoxhaj.

    Ai kritikoi mënyrën se si është menaxhuar dialogu deri tani, duke thënë se marrëveshja e Brukselit, aneksi i Ohrit dhe statuti i Asociacionit nuk përfshijnë fare kontributin e Qeverisë së Kosovës.

    “Në këto tri dokumente s’i ke asnjë fjalë të Qeverisë së Republikës së Kosovës” tha Hoxhaj, duke shtuar se nëse PDK-ja fiton zgjedhjet, do të ndërtojë një qasje të re dhe më të fuqishme në dialogun me Serbinë.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, mund ta ndiqni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj: Mosndëshkimi i Serbisë nga Perëndimi po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin

    Hoxhaj: Mosndëshkimi i Serbisë nga Perëndimi po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se dështimi i Perëndimit për ta ndëshkuar Serbinë po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin.

    Ai tha se përballja me një Serbi të pandëshkuar dhe një dialog të zbehur politik ka nxjerrë në sipërfaqe diskutime për opsione të tjera.

    “Ti e ke një situatë, që dikush në tavolinë thotë: Opsioni i dialogues i zgjidhjeve politike nuk vlen, tash po flas si ish-ministri i Jashtëm. Ka zgjidhje ushtarake në tavolinë dhe Perëndimi nuk e ndëshkon Serbinë dhe nuk i beson Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës për ta ndëshkuar Serbinë. Mendoj që është situatë më serioze sesa ne mund ta mendojmë”, tha Hoxhaj.

    Ai tha se qasja aktuale e perëndimit ndaj Serbisë përbën një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Pritje për Krishtlindje, imzot Dodë Gjergji përçon mesazh për paqe e dashuri

    ​Pritje për Krishtlindje, imzot Dodë Gjergji përçon mesazh për paqe e dashuri

    Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji përçoi mesazhe paqeje e dashurie në pritjen solemne për festën e Krishtlindjes.

    Ai ka ftuar të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie, të këtij vullneti për paqe për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve.

    “Ne të gjithë së bashku duhet të jemi “tharmi” i cili do të ruaj paqen dhe dashurinë në ditët tona. Po ashtu sikur lutej Shën Franqesku e më vonë Shën Nënë Tereza… Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie të këtij vullneti për paqe dhe kësaj urtësie për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve. Duhet të duam njëri tjetrin dhe çdo krijesë, ashtu siç na ka dashur Krishti ne. Të sjellim dashuri në kohën tonë e cila është plot urrejtje”, tha Imzot Dodë Gjergji.

    Urimin për festa të Krishtlindjes e bëri edhe e para e vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përball sfidave duhet të triumfoj shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë, familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pran dhe bashkë-kombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”, tha Osmani.

    Në këtë pritje solemne nuk mungoi as kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti.

    Ai tha se bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pashpresa.

    “Premtimi i Jezusit, mbush me shpresë, veçanërisht në kohë të vështira. Bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pa shpresa e që me veprat e saj na ftoi në dashuri, përgjegjësi e përkujdes ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë, është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore, është Krishtlindje çdo herë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson me ata që nuk kanë shpresë në varfërinë fizike e shoqërore”, tha ai.

    Krishtlindjen, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxha po e sheh si festë që bashkon të gjithë shqiptarët.

    “Është një ditë e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, përtej asaj që kemi fe të ndryshme dhe secili prej nesh e ndjen veten komod, të qoftë a jemi mysliman, të qoftë a jemi të krishter apo besime tjera, Krishtlindjet janë një festë e cila i bashkon shqiptarët që ju takojnë feve dhe besimeve të ndryshme, prandaj edhe unë erdha si nënkryetar i Kuvendit dhe deputet që të jem së bashku me vëllezërit tanë të komunitetit katolik, t’ju dëshirojmë çdo të mirë, njëjtë sikur ata që janë me në për Bajram e për çdo festë”, tha ai.

    Në pritjen solemne të kremtimit të Krishtlindjes, në mesin e të ftuarve u pa edhe Mytfiu i Kosovës, Naim Tërnava.

    Sonte në mesnatë mbahet mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. /kp

  • Viti 2023 me rënie të përgjigjeve nga autoritetet

    Viti 2023 me rënie të përgjigjeve nga autoritetet

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edhe e 2024-ta ishte vit përplot me sfida për Institucionin e Avokatit të Popullit.

    Por një gjë me të cilën, Naim Qelaj u lavdërua ishte fakti se përgjatë këtij viti është trajtuar numri më i lartë i ankesave të qytetarëve për pretendimet e tyre për shkelje të drejtave të njeriut.

    “Suksesin e mati me trajtimin e rasteve, sidomos me ankesat individuale të qytetarëve, të cilat kemi tentuar t’i trajtojmë në kohë sa më të shpejtë”, tha Qelaj.

    Nga 1.349 ankesa, me gjithsejtë 4.469 qytetarë të përfshirë 532 raste janë hapur për hetime.

    E mbi 400 ankesa të qytetarëve janë bërë në drejtim të institucioneve publike.

    “419 raste ndaj gjykatave, 210 ankesa ndaj komunave, 89 ndaj policisë, 60 ankesa ndaj prokurorive, 42 ndaj ndërmarrjeve publike, natyrisht një ankesë mund të jetë për më shumë se një palë. Përkatësia etnike, kemi 149 ankesa nga shqiptarët, 101 nga komuniteti serb, 22 nga komuniteti ashkali, 20, nga komuniteti boshnjak , 17 nga komuniteti rom, 10 nga komuniteti egjiptian, 7 nga komuniteti goran dhe 13 nga të tjera”, tha zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

    Por në nivel të pakënaqshëm mbetet kthimi i përgjigjeve nga autoritetet publike në pyetjet e Avokatit të Popullit. Po ashtu, ai theksoi se votimi kundër i raportit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës është cilësuar si cenim i pavarësisë së punës së Institucionit të Avokatit të Popullit. Por edhe mungesa e mbikëqyrjes parlamentare.

    “Mbetet shqetësuese niveli i zbatimit të ligjit dhe mungesa e përgjegjësisë kur ligjet nuk zbatohen. Zbatimi i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, ne këtë vit kemi dal me një raport të veçantë për zbatimin e këtij ligji dhe aty na del se ligji nuk është duke u zbatuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, është në proces të plotësim ndryshimit si ligj. Neni 6 i ligjit që flet për barazi mes gjinive nuk ka një zbatim të duhur”, tha Qelaj.

    Për vitin 2024, Avokati i Popullit ka nxjerrë 172 rekomandime, prej të cilave vetëm 17 për qind janë zbatuar nga ana e institucioneve publike; rekomandime të pazbatuara janë 8%.

  • Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia po kryen akte agresioni ndaj Kosovës, ndërsa Qeveria aktuale nuk gëzon besim ndërkombëtar për t’i adresuar këto sfida.

    Hoxhaj tha se Serbia ka ndërmarrë hapa agresivë, duke përfshirë sulme ndaj infrastrukturës kritike si nw Banjskë dhe së fundmi në Ibër Lepenc.

    “Përderisa Kosova ka negociuar me Serbinë në dialog gjatë ditës, Serbia ka bërë një akt agresioni në Banjskë dhe ka pasur një vendim politik për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo është një temë shumë serioze”, tha Hoxhaj.

    Ai kritikoi Qeverinë për mungesë kredibiliteti, duke thënë se kjo po ndikon negativisht në bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

    “Ne e kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve. Nuk ka kredibilitet, nuk i beson kush kësaj Qeverie”, deklaroi Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, mund ta ndiqni në videon më poshtë:

  • Studentët e kolegjit AAB, gëzojnë fëmijët për festat e fundvitit

    Studentët e kolegjit AAB, gëzojnë fëmijët për festat e fundvitit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Dhimbjet i harruan për disa momente kur ata morën nga një dhuratë.

    Unioni i Studentëve të Kolegjit AAB, gjatë të martës, përveç fëmijëve të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë, me dhurata i gëzuan edhe ata në Logopedi e gjithashtu edhe fëmijët në Qendrën e Autizmit dhe në Down Syndrom Kosova.

    “Për një periudhë 1 javore, Studentët apo staf I kolegjit AAB ka pas mundësi të kontribuoj në një shumë prej 4 eurosh. Kjo shumë është shndërruar në dhurata. Jemi munduar sa do pak me i sigurua këto dhurata që me sjell pak gëzim e një buzëqeshje te ta”, tha Resul Maxhuni nga Unioni Studentor i Kolegjit AAB.

    Numri i dhurata që u shpërndan ishin mbi 1 mijë. E kjo u bë e mundur edhe në bashkëpunim me organizatën “Replay Peace”.

    “Jemi duke e pa gëzimin e fëmijëve, emocionet e tyre neve po na bëjnë të ndihemi pak më ndryshe. Ne këtë praktik e bëjmë për shkak që fëmijët që nuk mund ta presin festat në shtëpi atëherë ne i dërgojmë dhurata e lodra, dhe krejt kjo Nuk ish bë pa ndihmën e donatorëve”, tha Burim Krasniqi nga Replay Peace.

    Mirënjohjen për këtë nismë e shprehu edhe Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit të Logopedisë, Zahide Uka- Rraci.

    “Dhuratat e ditës së sotme janë më se të domosdoshme për me kriju një atmosferë festive për fëmijët tonë. Realisht janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë, dhuratat janë më se të mirëseardhura pasi që ngjallin shpresë emocione”, tha Uka- Rraci.

    Dhurata përveç në komunën e Prishtinës gjithashtu janë shpërndarë edhe në qendrën e Autizimit në Podujeve, Suharekë e Ferizaj.

  • Trollat zbythen kur përballen me njerëz

    Trollat zbythen kur përballen me njerëz

    Tash që po dihet që jemi pak mbi 1 milionë e gjysmë në këtë vend, dhe atë të shpërndarë në 366 mijë ekonomi familjare, qe një temë e mirë.

    Prej 366 mijë ekonomive familjare, 360 mijë kanë së paku një telefon mobil dhe rreth 200 mijë nga to kanë një PC ose Laptop.

    Kuptohet, kur themi ekonomi familjare, ne mendojmë që ato përbëhen nga njerëz që e përdorin telefonin ose laptopin për punë, kontakte, lexim, herë pas herë edhe për zbavitje. Por, në regjistrim të popullsisë nuk figurojnë trollat, as botat, as profilet fake, e as do kategori tjera që ka rrezik ti llogaritim për njerëz.

    Çka janë trollat? Janë krijesa që për qëllim kanë armiqësimin ose polarizimin e njerëzve, duke postuar përmbajtje të rrejshme, kundërthënëse, kërcënuese ose ofenduese online!

    OK! Çka ndodhë kur trollat ballafaqohen me njerëz? Qe njeri:

    Pra, trolli kur ballafaqohet me njerëz, prapë kthehet në njeri. Ky Reshat Sadiku u bë i famshëm sepse kishte media të pranishme në seancë, ku u gjunjëzua. Njëjtë nga gjykata ishte dënuar edhe Drtion Maloku, për kërcënime ndaj Ganimete Musliut.

    Pra shumica e trollave si krijesa, në ballafaqim me njerëzit, e përjetojnë atë që në trajnerët i thonë tërheqje taktike, fjalor definohet si zmbrapsje, apo edhe zbythje!

    Pra, po e dimë që trollat kalojnë për në regjistrim të popullsisë, duken si njerëz në botën reale, ama lehtë vërehen në botën virtuale.

    Tek ky konstatim duket se kanë arritur hulumtuesit e AAK-së, të cilët knë raportuar për disa trolla që pasi kanë kërcënuar Ramush Haradinajn me plumb në ballë ose ngjashëm, më pas i kanë fshirë postimet, i kanë heqë fotot familjare nga facebooku dhe janë tërhequr taktikisht.

    Kuptohet, me e kërcënu Ramush Haradinajn, mjafton me qenë veç troll. Ama mannej i fshin fjalët edhe shndërrohesh në ndonjë krijesë tjetër. Ndërkohë vazhdimisht në regjistrim të popullsisë figuron për njeri.

    Kuptohet, trollat nuk janë fenomen i muajve të fundit. Ky shtet ka arrestuar njerëz pse kanë kërcënuar online Isa Mustafën ose Albin Kurtin, derisa kanë qenë kryeministra, sa për të vërtetuar se jo bash gjithçka kalon.

    Sortë e veçantë më pas, janë këta që i kërcënojnë gazetarët dhe figurat mediale. Dis anga ta arrestohen, disa nuk merren seriozisht, disa tërhiqen taktikisht, ama nuk nnalen!

    Vazhdimisht ke kërcënime ndaj njerëzve që paraqiten në media, nga trollët që përcjellin mediat.

    Kuptohet, ka edhe të tillë që pozojnë si gazetarë, e janë trolla edhe këta identifikohen lehtë. Nëse i trajtojmë për gazetarë është mirë veç të shohim për çka kanë shkruar dhe raportuar në cilësinë e gazetarëve dhe në rregull jemi!

    Tash, para zgjedhjeve situata ka shkuar një hap tutje. Trolla ka edhe një lista për deputetë, krah për krah me njerëz të dënuar, për vepra të ndryshme, me njerëz që janë nën hetime ose kanë aktakuza të ngritura, dhe kategori tjera që politika e Kosovës i qet në sipërfaqe.

    Përveç trollave në lista të deputetëve, para zgjedhjeve shtohen edhe do fenomene tjera, qe nje nga to!

    Me fjalë tjera, në rrjete sociale, në botën virtuale ka krijesa që duken si njerëz dhe për qëllim e kanë t’ua mbushin mendjen. Ata janë trolla, kur ballafaqohen me njerëz, ata ndryshojnë formë ose ndryshojnë qasje.

    Është e domosdoshme që ti njihni trollat në ambientin tuaj. Ti njihni trimat e facebookut dhe njerëzit e guximshëm, ti njihni filozofët e rrjeteve sociale dhe njerëzit e dishëm, ti njihni ushtarët e tiktokut dhe ushtarët e FSK-së ose pjesëtarët e UCK-së.

    Nëse në rrjete sociale të mbushet mendja për nje temë, e nuk din ose nuk don përatë temë me lexu për atë temë me fole me njerëz, po ke qejf me komuniku me trolla, ke me figuru si njeri në regjistrim të popullsisë, ama ‘thats it’, s mund të llogaritet në ty për tjetër çka!