Përgatiti: Teuta Arifaj
Partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve dhe sipas tij vendimi është marrë me urdhër të kryeministrit, Albin Kurti.
“Besojmë se vendimi është marrë me urdhër të Albin Kurtit për të parandaluar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi sesa shumë Kurti dëshiron t’i eliminojë serbët nga ky territori. Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik”, tha Ellek.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi dy anëtarë të KQZ-së nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje – Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, votuan kundër.
Duke e arsyetuar vendimin Kurteshi tha se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe përdor rregullisht termin “Kosova dhe Metohia” ose frazën “Rroftë Serbia.”
“Fakti që në vend të ‘Rroftë Republika e Kosovës’ thashë ‘Rroftë Republika e Serbisë’… sot ua them qartë se, para së gjithash, jam krenar që jam serb dhe krenar që i thashë ato fjalë. Qëndroj fort pas çdo fjale të shqiptuar”, tha Ellek.
Vendimi për moscertifikim të Listës Serbe u mor pavarësisht se Zyra për Regjistrimin dhe Verifikimin e Subjekteve Politike kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe. Ndërkaq nga pranimi i ankesës, PZAP ka kohë 48 orë për të vendosur për rastin.
Pos Listës Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë regjistruar edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb.

Leave a Reply