ATV

Author: ATVLive

  • ​Qytetarët raportojnë për kolona të gjata në Muçibabë

    ​Qytetarët raportojnë për kolona të gjata në Muçibabë

    Fluksi i kolonave të gjata për të hyrë në Kosovë nga pikat kufitare po vazhdon.

    Qytetarët kanë raportuar se në pikën kufitare në Muçibabë për të hyrë në Kosovë kolona është e gjatë.

    Qytetarët poashtu kanë dërguar video nga kjo pikë kufitare duke thënë se ka disa minuta që janë duke pritur për të hyrë në Kosovë.

    Edhe në përditësimin e të dhënave në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, thuhet se në pikën kufitare në Muçibabë pritjet për të hyrë në Kosovë janë 40 minuta ndërsa për dalje 05 minuta.

    Sipas këtij përditësimi, në pikën kufitare te Dheu i bardhë pritjet janë edhe më të gjata. Për hyrje pritjet janë 60 minuta derisa për dalje 05 minuta.

  • Vetaksident në hyrje të Malishevës

    Vetaksident në hyrje të Malishevës

    Në hyrje të Malishevës ka ndodhur një vetaksident, ku një veturë e tipit Golf 4 ka goditur një shtyllë elektrike.

    Pamjet nga vendi i ngjarjes, të siguruara nga ATV, tregojnë dëme të konsiderueshme materiale në veturë, ndërsa ende nuk ka informacione për shkallën e lëndimit të shoferit.

  • KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe

    KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar koalicionin AAK – Nisma Socialdemokrate – Konservatorët – E30 dhe Ideal, por jo edhe Listën serbe, raporton Ekonomia Online.

    Shkak për këtë kundërshtim, ishin thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

    Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, përmendi thirrjet që kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, ka bërë gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

    “Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës serbe. Pra asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova por rrnoftë Serbia’. Përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte me pushtetin e Vuçiqit ku shihet edhe Radojiçiqi, ku kanë lidhje me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi edhe në Ibër Lepenc”, u shpreh ai, teksa lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet Allek me thirrje kundër Republikës së Kosovës.

    Kundër certifikimit të Listës serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.

    Ndonëse, tha se pajtohet me deklarimet e Kurteshit, Arianit Elshani nga PDK-ja përmendi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive, që sipas kësaj të fundit kjo parti i plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.

    “Ne të gjithë e dimë se kush është Lista serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani.

  • Haxhiu: Dokumentacioni për krimet e luftës, armë e fortë kundër mohimit dhe manipulimit të Serbisë

    Haxhiu: Dokumentacioni për krimet e luftës, armë e fortë kundër mohimit dhe manipulimit të Serbisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka thënë se institucionet e Kosovës kanë punuar intensivisht në drejtësinë tranzicionale dhe adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, raporton EO.
    Ajo ka theksuar se është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve, dhe ky dokumentacion, siç është shprehur ministrja, “është një armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të Serbisë”.

    “Siç jeni në dijeni, një nga prioritetet e qeverisë për drejtësinë ka qenë drejtësia tranzicionale, dhe adresimi i krimeve të kryera në Kosovë dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë veprime të shumta, dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardh të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, si dhe të ofroj drejtësi për viktimat”.

    “Në këtë drejtim për katër vjet me radhë ne kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për tu kujdesur se dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen dhe po ashtu të iu transmetohen brezave të ardhshëm. Dhe me bindje të plotë sot mund të ju them se kemi shënuar rezultate të rëndësishme, por po ashtu të prekshme. Fillimisht kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ky instituti është funksionalizuar më 10 nëntor të vitit 2023, dhe e konsiderojmë që është një arritje për të cilën jemi krenarë dhe kemi punuar shumë”, , u shpreh ajo tutje.

    “Instituti i funksionalizuar tashmë veç tjerash ka për qëllim dokumentimin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Para disa ditëve instituti ka publikuar raportin njëvjeçar të punës, ku ka treguar progres për një kohë tepër të shkurtër, dhe mes tjerash është mbledhur një sasi e konsiderueshme e materialeve që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Materialet e dokumentuara janë mbledhur nga 67 burime të ndryshme”.

    “Ky dokumentacion është armë e fuqishme kundër mohimit dhe manipulimit të historisë tonë apo tendencave për të manipuluar historinë”, ka theksuar Haxhiu.

    Ajo ka bërë të ditur se janë ngritur 67 aktakuza në gjykimin në mungesë.

    “Kemi 67 aktakuza të ngritur në gjykimin në mungesë. Jemi detyruar që të dallojmë nga e para. E gjithë kjo punë nuk është vetëm objektiv politik, por një detyrë morale dhe historike”, tha Haxhiu.

  • Çeku: Serbia ka grabitur qindra mijëra dosje të monumenteve dhe artefakte

    Çeku: Serbia ka grabitur qindra mijëra dosje të monumenteve dhe artefakte

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar 1800 monumente të të trashëgimisë kulturore.

    Në një konferencë për media ai tha se Serbia ka grabitur nga Kosova mbi 3700 artefakte.

    “Tash jemi në fazën e hartimit të projektit për Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz. Angazhimi ka filluar në vitin 2021, në gusht të këtij viti është nënshkruar edhe kontrata. Në kuadër të qeveris është themeluar edhe një grup punues, ky grup ka përfunduar raportin të cilin ia ka dorëzuar e Institutit për Krime të Luftës është konstatuar se gjatë luftës në mënyrë të qëllimshme Serbia ka shkatërruar 1800 monumente të të trashëgimisë kulturore, ka grabitur mbi 3700 artefakte, ka grabitur dokumentacioni zyrtar të monumenteve me qindra mijëra dosje. Ka shkatërruar 175 biblioteka publike dhe rreth 1.7 milion libra shqip”, tha Çeku.

    Ai theksoi se është në fazën e hartimit projekti i muzeut të burgut të Prishtinës.

    “Ne kemi votuar edhe krijimin e muzeut të gjenocidit dhe përpjekja për liri. Jemi në fazën e hartimit të projektit të muzeut të burgut të Prishtinës. Ndërtimit të memorialit për fëmijët e vrarë gjatë luftës”, tha Çeku.

  • Bie numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në Greqi

    Bie numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në Greqi

    Numri i emigrantëve shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Greqi shënoi rënie gjatë vitit 2024.

    Sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit, në fund të tetorit të këtij viti në Greqi regjistrohen 275 mijë e 630 qytetarë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi, të cilët përbënin 57,2% të të huajve të rregullt në vendin fqinj.

    Këtij numri i shtohet edhe një kategori shtetasish që kanë emigruar nga Shqipëria vite më parë, pjesëtarë të pakicës greke, që qëndrojnë në Greqi me një status të vecantë, atë të “homogjenit” dhe përbëjnë rreth 70% të kësaj kategorie emigrantësh që në total në Greqi në vitin 2024 ishte 20 mijë e 557 persona.

    Ndërkohë në dhjetor të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare greke, regjistroheshin 285 mijë e 842 shtetas shqiptarë në Greqi, që përbënin 60,5% të të huajve me qëndrim të rregullt.

    Ndryshe nga kombësitë e tjera të të huajve ku dominojnë në pjesën dërmuese të të huajve ( 70% -90% ) burra, tek emigrantët shqiptarë, sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit, 54% janë burradhe 46% janë gra.

    Edhe emigracioni i parregullt i shqiptarëve drejt Greqisë ka shënuar rënie sipas të dhënave të minstrisë greke të Emigracionit. Në dhjetë muajt e vitit 2024 shqiptarët përbënin rreth 5% të 11 mijë e 161 të të huajve që kishin hyrë si refugjatë në Greqi pa dokumente të rregullta dhe kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.

    Shtetasit nga Shqipëria kanë normën më të ulët të njohjes për azil mes të huajve për kërkesat në shkallë të parë, ku në dhjetë muajt e parë të këtij viti vetëm 1,03 % e kërkesave morën përgjigje pozitive nga autoritetet greke të azilit.

    Sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit numri i emigrantëve shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Greqi vit pas viti ka shënuar rënie.

    Në dhjetor të vitit 2021 në Greqi regjistroheshin 435 mijë e 642 shtetas shqiptarë me lejeqëndrimi të rregullta të cilët përbënin 62,8% të të huajve të parregullt.

    Një pjesë e emigrantëve shqiptarë në këtë periudhë nisën të zhvendoseshin masivisht nga Greqia drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe për shkak të krizës ekonomike greke.

    Faktorët e tjerë të rënies së numrit të shqiptarëve me lejeqëndrimi në Greqi, sipas studiuesve te emigracionit kanë të bëjnë me procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit, të cilat vijojnë të ecin me ngadalësi, ndërsa një kategori e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë, kanë përfituar nënshtetësinë greke, duke mos aplikuar më për leje qëndrimi./VOA

  • ​Shqipëria do ta organizojë njërën nga ngjarjet më të famshme sportive në botë

    ​Shqipëria do ta organizojë njërën nga ngjarjet më të famshme sportive në botë

    “Giro d’Italia” një nga aktivitetet më të famshme sportive në botë, zgjodhi Shqipërinë mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025” e cila do transmetohet drejtpërdrejtë në mbi 200 televizione të botës.

    I pranishëm në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza” që do të mbahet majin e ardhshëm në Shqipëri, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë një moment shumë të rëndësishëm për vendin.

    “Gara e famshme popullore, me një traditë 114-vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues”, u shpreh Rama.

    Kryeministri theksoi se ka shumë vende që konkurrojnë për të mikpritur nisjen e garës, ndaj dhe përzgjedhja e Shqipërisë është shumë e rëndësishme.

    “Është vërtetë kënaqësi të madhe të them që kemi marrë nga RCS Sport konfirmimin se Shqipëria është zgjedhur për “Giro d’Italia Grande Partenza” 2025. E di që zgjedhjet janë shumë e duhet vetëm të vënë gishtin e të zgjedhin duke qenë se ka shumë vende që konkurrojnë për të mirëpritur këtë nisje të garës. Për këtë jam edhe më i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj e më të pasur dhe për t’ju treguar vendin tonë të mrekullueshëm”, shtoi Rama.

    Kryeministri theksoi se për 3 ditë me radhë, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë do të ketë kaq shumë kampionë që do të jenë miq në vendin tonë dhe për të cilët do të flitet nga bota.

    “Por edhe për Shqipërinë, që ka një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit dhe më së fundi ka bërë hapin e madh në Ligën e Kampionëve. Duam të qëndrojmë aty, e dimë shumë mirë se në këtë ligë ka një konkurrencë të jashtëzakonshme, pasi konkurrojmë me vende të hapura prej shekujsh. Ne kemi vetëm 30 vite që jemi hapur”, vijoi Rama.

    Rama vlerësoi faktin se Shqipëria mikpret këtë ngjarje të madhe, jo vetëm sportive, ndërsa artikuloi ambicien që edhe “La Grande Partenza 2026” të bëhet nga Shqipëria.

    “E kam thënë gjithmonë se jemi një Itali e vogël, ndërsa tani jemi vërtetë një Itali në anën tjetër të detit që mikpret një ngjarje të madhe, jo vetëm sportive. Për ne është hera e parë fare, shpresoj jo e fundit por do të kërkojmë që të bëjmë edhe nisjen e madhe të vitit 2026”, u shpreh Rama.

  • Haxhiu: Kurti të intervistohet në zyrën e tij, nuk është e paligjshme

    Haxhiu: Kurti të intervistohet në zyrën e tij, nuk është e paligjshme

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka refuzuar ftesën e Prokurorisë Speciale, raporton EO.

    Sipas saj kërkesa e kabinetit të qeverisë që Kurti që të intervistohet në zyrën e tij, është e ligjshme dhe se kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën.

    Ajo tha se Kurti është ftuar për intervistim në ditën kur VV-ja ka paraqitur list

    Ajo tha se Kurti është ftuar për intervistim në ditën kur VV-ja ka paraqitur listën për deputet dhe se me këtë veprim Prokuroria Speciale po mundohen që me këto veprime të minojnë punën e qeverisë dhe VV-së.

    “Siç e keni parë kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim. Përkundrazi kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti ka propozuar dy data. Nuk ka as një arsye që prokuroret të refuzojnë që t’i përgjigjen kërkesë së kryeministri për ta intervistuar, kjo nuk është hera e parë që ka ndodhur. Por ata nuk duan të flasin, për këtij duhet të pyetet Prokuroria Speciale. Ka ndodhur edhe në të kaluarën. Nuk është diçka e pa ligjshme”, tha Haxhiu.

    Sipas Haxhiut Prokuroria Speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën e qeverisë, për ta dëmtuar VV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë.

  • Vitia nënshkruan listën për çmimet e unifikuara të barnave

    Vitia nënshkruan listën për çmimet e unifikuara të barnave

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar sot se e ka nënshkruar listën finale për çmimet e unifikuara të barnave.

    Përmes një postimi në rrjetin social, Vitia duke shkruar ka thënë se kjo listë i hap udhë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të barnave.

    “Sot nënshkrova listën finale që i hap udhë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të Barnave. Për herë të parë, barnat do të jenë me çmime të njëjta kudo dhe më të ulta sesa tani. Në disa nga barnat, çmimet janë ulur 5 deri në 10 herë. Ulje të ndjeshme ka në mbi 2,900 produkte medicinal”, ka shkruar Vitia.

  • Malishevasit bllokojnë rrugën, kërkojnë zgjidhje për reduktimet e energjisë

    Malishevasit bllokojnë rrugën, kërkojnë zgjidhje për reduktimet e energjisë

    Qytetarët e Malishevës kanë protestuar sot para zyrave të KEDS-it, duke bllokuar rrugën kryesore në shenjë pakënaqësie për ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike.

    Pamjet e siguruara nga ATV tregojnë situatën në vendin e ngjarjes, ku protestuesin mbajnë rrugën e bllokuar.

    Në vendngjarje janë të pranishme edhe njësitë e Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe sigurinë. /atvlive.tv