ATV

Author: ATVLive

  • Sulmet terroriste, Sekuloviq: Serbia synon të destabilizojë Kosovën

    Sulmet terroriste, Sekuloviq: Serbia synon të destabilizojë Kosovën

    ashkëpunëtor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Aleksandër Sekuloviq, tha se reagimi i autoriteteve serbe dhe retorika e tyre politike në lidhje me incidentet në Kosovë janë banale, sa që pothuajse çdo fjalë mund të parashikohet paraprakisht Sekuloviq ka thënë se këto incidente janë përpjekje për të destabilizuar Kosovën.

    Bashkëpunëtor i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe nënkryetar i Aleancës së antifashistëve të Serbisë, Aleksandër Sekuloviq në një intervistë për The Geopost, ka theksuar se nëse merret parasysh pamja e përgjithshme e klero-nacionalizmit serb në rajon, jo vetëm në Kosovë, “si dhe pritshmëria e autoriteteve serbe që administrata Trump do ta mbështesë këtë politikë ‘muskujsh’, atëherë mendoj se periudha në vazhdim do të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe konflikteve”.

    Duke komentuar regaimet e Serbisë zyrtare, sulmin terrorist në Banjskë dhe sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc, Sekuloviq ka thënë se reagimi i autoriteteve serbe dhe retorika e tyre politike lidhur me incidentet në Kosovë është aq banale saqë pothuajse çdo fjalë mund të parashikohet paraprakisht.

    “Sipas tyre, pala serbe nuk ka lidhje me ato ngjarje dhe fajtor për gjithçka është kryeministri Kurti. Ata gjoja distancohen nga ato ngjarje dhe në thelb i perceptojnë si të tyret, gjë që më së miri shihet nga fakti se në Serbi u shpall zi kombëtare për shkak të rënies së disave në Banjskë, si dhe nga fakti se ata që vdiqën, në mediat qeveritare cilësohen si ‘heronjtë serbë’”, ka thënë ai.

    Sekuloviq ka thënë se incidentet janë përpjekje për të destabilizuar Kosovën.

    “Interesi jetik i asaj politike perverse dhe të paarsyeshme është të tregojë se Kosova është politikisht dhe kulturalisht “minore”, e paaftë për jetë të pavarur, se autoritetet e saj nuk mund të garantojnë paqen dhe stabilitetin, që do të thotë se duhet të kthehet nën kujdesin e Serbisë”, ka deklaruar ai për The Geopost.

  • Uashingtoni shton masat e sigurisë

    Uashingtoni shton masat e sigurisë

    Forcat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë në Uashington dhe në zonën përreth po mobilizojnë përforcime, ndërsa përgatiten për sigurimin e tre aktiviteteve të rëndësishme në kryeqytetin e vendit. Këto zhvillime vijnë pas sulmit në ditën e Vitit të Ri në Nju Orlins dhe shpërthimit në kamionin Cybertruck, të kompanisë Tesla, përpara Hotelit Ndërkombëtar Trump në Las Vegas.

    Aktiviteti i parë do të mbahet të hënën, kur Kongresi i ri mblidhet për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, katër vite pas trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol.

    Aktiviteti i dytë do të jetë funerali shtetëror për ish-Presidentin Jimmy Carter, duke filluar me ceremoni që fillojnë të martën dhe përfundojnë të enjten.

    Aktiviteti i fundit do të jetë më 20 janar, kur do të inaugurohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

    “Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë. Kemi tre aktivitete (të veçanta të sigurisë kombëtare) brenda një periudhe prej 15 ditësh”, u tha të premten gazetarëve Matt McCool, nga zyra në Uashington e Shërbimit Sekret.

    “Por, dua t’ju them se u përshtatemi nevojave. Kemi punuar prej vitesh për aktivitete të tilla. Kështu që do të jemi të përgatitur”, tha ai.

    Megjithë shqetësimet e krijuara pas sulmit në Nju Orlins dhe shpërthimin në Las Vegas, zyrtarët e sigurisë deri më tani kanë besim se aktivitetet në Uashington do të zhvillohen të sigurta.

    “Nuk kemi ndonjë kërcënim të besueshëm apo konkret në lidhje me këto aktivitete”, tha David Sundberg, ndihmës drejtor në zyrën e FBI-së në Uashington.

    Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kanë marrë masa të shtuara, duke patur parasysh se qyteti dhe rajoni po përballen me një mjedis me rrezikshmëri të shtuar.

    Shërbimi Sekret tha të premten se po sillte agjentë nga i gjithë vendi për të rritur praninë, e cila ishte sidoqoftë në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit.

    Departamenti Metropolitan i Policisë së Uashingtonit tha se ka shtuar rreth 4 mijë policë nga departamente të ndryshme nga mbarë vendi.

    Garda Kombëtare e kryeqytetit konfirmoi se ka miratuar kërkesa për mbështetje të mëtejshme, përfshirë vendosjen në dispozicion të 500 anëtarëve të tjerë të gardës, për certifikimin e zgjedhjeve në 6 janar dhe oficerët ndërlidhës për funeralin shtetëror.

    Po shqyrtohet edhe një kërkesë shtesë për 7,800 ushtarakë të tjerë nga garda për sigurimin e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.

    “Një mori masash sigurie, të dukshme dhe të padukshme, do të merren në koordinim, për t’u siguruar mirëfunksionimi i planit gjithëpërfshirës”, tha agjenti i Shërbimit Sekret, McCool.

    Policia e Uashingtonit njoftoi se masat e rritura të sigurisë hyjnë në fuqi të dielën. Oficerë të specializuar do të dislokohen në mbarë qytetin për të qenë në gatishmëri në rast të ndonjë emergjence.

    Policia e Kapitolit, e cila ka 2,400 oficerë dhe punonjës civilë që janë përgjegjës për mbrojtjen e Kapitolit dhe anëtarët e Kongresit, njoftoi se është tashmë më e përgatitur për emergjencat, krahasuar me katër vite më parë.VOA

  • Vdekja tragjike e Liam Payne-furnizoi me drogë ish-yllin e “One Direction”, arrestohet kamerieri në Argjentinë

    Vdekja tragjike e Liam Payne-furnizoi me drogë ish-yllin e “One Direction”, arrestohet kamerieri në Argjentinë

    Një kamerier i akuzuar për furnizim me drogë për Liam Payne para vdekjes së tij është arrestuar, sipas mediave argjentinase.

    Braian Paiz, 24 vjeç, ishte një nga pesë personat e akuzuar për vdekjen e yllit të popit.

    Ish ylli i One Direction vdiq pasi u rrëzua nga një ballkoni i katit të tretë në hotelin Casa Sur në Buenos Aires më 16 tetor të vitit të kaluar.

    Paiz dhe një punonjës hoteli, Ezequiel Pereyra, u akuzuan për furnizim me drogë në dy raste, një vepër që mbart një dënim deri në 15 vjet, tha të hënën Zyra e Prokurorit Publik argjentinas.

    Media të ndryshme argjentinase kanë raportuar se Paiz u arrestua në shtëpinë e tij në Ingeniero Budge të premten. Raportet gjithashtu pretendojnë se policia bastisi shtëpinë e Pereyras, por nuk e gjeti atë atje.

  • Tre persona arrestohen në Leposaviq, u zunë duke shkruar grafite në një objekt

    Tre persona arrestohen në Leposaviq, u zunë duke shkruar grafite në një objekt

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar tre persona në Leposaviq, të cilët u zunë duke shkruar grafite në një objekt, raporton Ekonomia Online.

    Të arrestuarit më pas, sipas njoftimit të policisë janë liruar në procedurë të rregullt.

    “PRISHJE E RENDIT DHE QETËSISË PUBLIKE- Rr. 24 Nëntori, Leposaviq / 04.01.2025 – 02:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar pasi që, janë hasur duke shkruar grafite të ndryshme në një objekt. Gjatë kontrollit në veturën e tyre janë gjetur dhe sekuestruar katër sprejë dhe një maskë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Ndahet nga jeta ish-kryeministri Kostas Simitis, Greqia shpall katër ditë zie kombëtare

    Ndahet nga jeta ish-kryeministri Kostas Simitis, Greqia shpall katër ditë zie kombëtare

    Me vendim të Qeverisë, varrimi i Kostas Simitis do të bëhet me shpenzime publike. Në të njëjtën kohë, vendi do të nderojë kujtimin e tij me katër ditë zie kombëtare.

    Ministri i Brendshëm, Thodoris Livanios, me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Kostas Simitis shpreh mirënjohjen e shtetit për kontributin e tij të rëndësishëm në Greqi.

    “Kostas Simitis ishte një politikan, i cili u nderua dy herë nga populli grek me detyrën e kryeministrit. Ai u përpoq, herë me shumë sukses, herë me më pak, të ndryshojë vendin, duke iu përgjigjur sfidave të kohës”, z. Livanios, duke nënvizuar përkushtimin e të ndjerit në detyrën e tij.

    Ministri vlerësoi personalitetin e Kostas Simitis, duke folur për një akademik me vepër të pasur dhe top-formë të luftës kundër diktaturës. Profesor universiteti me një punë të pasur akademike, personalitet drejtues i luftës antidiktaturë, u soll gjithë këto vite me dashamirësi dhe etikë”, theksoi ai.

    z. Livanios iu referua të dyja arritjeve historike që mbajnë vulën e Kostas Simitis, pra integrimit të Greqisë në Eurozonë dhe hyrjes së Qipros në Bashkimin Evropian. “Ne ruajmë mbi të gjitha dy arritjet historike, të cilat kanë vulën e tij personale: integrimin e vendit në Eurozonë dhe hyrjen e Qipros në Bashkimin Evropian”, theksoi ai. Thodoris Livanios i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes së Kostas Simitis: “Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes, vajzave dhe të afërmve të tij”.

    Njoftimi

    “Kostas Simitis ishte një politikan, i cili u nderua dy herë nga populli grek me detyrën e kryeministrit. Ai u përpoq, herë me shumë sukses, herë me më pak, të ndryshojë vendin, duke iu përgjigjur sfidave të kohës.

    Profesor universiteti me një punë të pasur akademike, figurë drejtuese në luftën kundër diktaturës, gjatë gjithë këtyre viteve është sjellë me dashamirësi dhe etikë.

    Mbajmë mend mbi të gjitha dy arritjet historike, të cilat kanë vulën e tij personale, integrimin e vendit në Eurozonë dhe hyrjen e Qipros në Bashkimin Evropian.

    Me vendim të Qeverisë, varrimi i tij do të jetë shpenzim publik, do t’i bëhen nderime kryeministrit në detyrë dhe do të shpallet katër ditë zie kombëtare.

    Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes, vajzave dhe të afërmve të tij”, thuhet në njoftim.Balkanweb

  • Vrasje në Shkodër, 33-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash

    Vrasje në Shkodër, 33-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash

    Policia e Shkodrës ka publikuar detajet e para mbi krimin e regjistruar mëngjesin e së dielës, ku një 33-vjeçar u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Dragoç.

    Sipas bluve të Shkodrës, autorët kanë qëlluar me armë drejt makinës me të cilën po qarkullonte i riu dhe për pasojë ka humbur jetën në vend.

    Njoftimi i policisë:

    Rreth orës 07:15, në fshatin Dragoç, në rrugë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Benz, me drejtues shtetasin Ramazan Mataj, 33 vjeç, banues në Dragoç, Shkodër, i cili ka humbur jetën.

    Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

    Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

  • Barcelona rrezikon, i merr në Arabinë Saudite Dani Olmon dhe Pau Victor

    Barcelona rrezikon, i merr në Arabinë Saudite Dani Olmon dhe Pau Victor

    Barcelona do të bëjë gjithçka që nga e marta për të tentuar regjistrimin e Dani Olmo dhe Pau Víctor, pasi kërkesa e tyre është refuzuar zyrtarisht nga Federata Spanjolle dhe La Liga së bashku.

    Aktualisht, të dy lojtarët nuk kanë licencë për të luajtur, por do të jenë pjesë e skuadrës që do të udhëtojë nesër drejt Arabisë Saudite për të marrë pjesë në Superkupë.

    Çështja duhet të zgjidhet, për mirë ose për keq, brenda pak ditësh, dhe klubi është optimist se të dy do të mund të luajnë, të paktën në finale, nëse Barça kualifikohet.

    Klubi katalanas do të shkojë deri në fund në këtë çështje, dhe përfshirja e të dy lojtarëve në skuadër është një vendim i prerë.

    Në dhomat e zhveshjes ka shumë pakënaqësi për mënyrën se si po zhvillohet situata, dhe kapiteni Ronald Araújo dha një mesazh të qartë pasi Olmo dhe Pau Víctor nuk mundën të udhëtonin në Barbastro për ndeshjen e Kupës.

    Skuadra dëshiron që të dy lojtarët të jenë me grupin dhe ka kërkuar nga klubi që të zgjidhë këtë problem sa më shpejt.

    Olmo dhe Pau Víctor do të shkojnë në Arabinë Saudite pa e ditur ende asgjë për statusin e tyre, duke marrë pjesë në një kompeticion të organizuar nga Federata, një nga organet që ka refuzuar regjistrimin e tyre.

    Barça do të paraqesë një kërkesë në CSD (Këshilli i Lartë i Sportit) të martën në mëngjes, duke kërkuar një masë të përkohshme për të dy lojtarët, por nuk është e sigurt nëse CSD do të marrë një vendim brenda ditës, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

    Ka shumë gjasa që lojtarët të mbeten në një situatë të paqartë dhe të mos mund të luajnë gjysmëfinalen. Nëse skuadra kualifikohet për finalen, e cila është planifikuar për të dielën e ardhshme, çështja mbetet e hapur.

    Si Dani Olmo ashtu edhe Pau Víctor kanë filluar të humbin disi besimin për shkak të lajmeve të fundit. Ata shpresojnë në menaxhimin e situatës nga CSD, dhe klubi u ka siguruar se do të shkojë në gjykatë nëse nuk ka një vendim të favorshëm.

    Megjithatë, koha po ecën dhe ekziston rreziku që ata të humbasin mundësinë për të luajtur gjatë një pjese të madhe të janarit.

    Për momentin, përfaqësuesit e të dy lojtarëve nuk po zhvillojnë lëvizje në tregun e transferimeve, por e kanë të qartë se ekzistojnë opsione për të luajtur gjashtë muajt e ardhshëm jashtë Barçës.

    Një mundësi do të ishte prishja e kontratës aktuale dhe nënshkrimi i një kontrate të përkohshme me një klub tjetër, për t’u rikthyer te Barça në verë. Megjithatë, kjo është një opsion i ndërlikuar që asnjëra palë nuk dëshiron ta shqyrtojë seriozisht për momentin.

  • Burri rrah gruan, djali sulmon babain për ta mbrojtur nënën

    Burri rrah gruan, djali sulmon babain për ta mbrojtur nënën

    Një burrë në Prishtinë e ka rrahur gruan e tij, ndërsa djali i saj ka ndërhyrë duke sulmuar babain e tij që ta mbrojë nënën, raporton Ekonomia Online.

    Policia njofton se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “DHUNË NË FAMILJE- Prishtinë / 04.01.2025 – 13:40. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar-bashkëshorti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare, ndërsa djali i saj e kishte sulmuar baban e tij për ta mbrojtur nënë e tij. Viktima f/k, ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Siguria dhe mbrojtja fokusi i presidencës së Polonisë në BE

    Siguria dhe mbrojtja fokusi i presidencës së Polonisë në BE

    Teksa Franca dhe Gjermania përballen me kriza të brendshme politike, Varshava është e vendosur të tregojë udhëheqje të fortë gjatë presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

    Në 1 janar, Hungaria ia kaloi Polonisë stafetën e drejtimit 6-mujor të BE-së, duke ulur kështu siparin e një 6-mujori pararendës të trazuar për Unionin.

    Në vend që të vepronte si ndërmjetës asnjëanës, kryeministri hungarez Viktor Orban, ndoqi një linjë përplasjesh me Brukselin dhe i acaroi partnerët e tij kur kreu vizita surprizë në Moskë, Kiev dhe Pekin – me pretendimin se ishin “misione paqeje” – por për të cilat nuk kishte rënë dakord më parë me shtetet e tjera anëtare.

    “Marrja e presidencës së Këshillit të BE-së nga Poloniapritet të jetë një barazpeshë e asaj që ndodhi në gjashtë muajt e fundit” – parashikon eksperti i Europës Lindore, Kai-Olaf Lang, nga Instituti Gjerman i Çështjeve të Sigurisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, në Berlin.

    Lang i tha DW-së, se presidenca e re do të përqendrohet veçanërisht tek politikat e sigurisë së BE-së dhe marrëdhënieve me Ukrainën dhe Rusinë.

    Kryeministri polak Donald Tusk është politikan europian me shumë përvojë. Ai ka mbajtur detyrën e presidentit të Këshillit të BE-së nga 2014-2019 dhe më pas u emërua president i Partisë Popullore Europiane, partisë më të madhe në Parlamentin Europian.

    Pas tetë vitesh qeverisjeje të partisë konservatore “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), aleanca politike që Tusk krijoi rreth një vit më parë, e shpalli atë fitues në zgjedhjet e përgjithshme në Poloni.

    Në daljen e parë publike pasi u ul në karrigen e kryeministrit të vendit në dhjetor 2023, ai deklaroi se “Askush nuk mund të ma kalojë në BE”.

    Presidenca e Këshillit të BE-së është mundësia ideale për Tusk që të tregojë se pretendimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me fjalë por edhe me vepra, dhe se pas 20 vitesh si anëtare me të drejta të plota në BE, Polonia nuk është më “nxënëse” por mund t’u tregojë madje edhe më të “moshuarve” se si drejtohet Unioni.

    “Ne jemi të besueshëm. Europa flet gjuhën tonë” – tha Adam Szlapka, ministri polak për BE-në, gjatë fjalës së mbajtur kohët e fundit, teksa po prezantonte përparësitë e vendit të tij gjatë marrjes së presidencës. Szlapka shtoi se vendi i tij është “ekspert i sfidave madhore” me të cilat po përballet Perëndimi.

    Prej muajsh, në fjalimet e Tusk kryefjalë kanë qenë thirrjet e tij për t’i shndërruar politikat e sigurisë së Polonisë dhe shteteve të tjera të kahut lindor të NATO-s, politikë të të gjithë BE-së.

    “Na duhet të nxisim akoma më shumë marrëdhënien tonë me Shtetet e Bashkuara, por Europa duhet të bëhet më e pavarur dhe ‘të qendrojë mbi këmbët e saj’. Ka ardhur koha që t’i japim fund pasigurisë dhe frikës nga Rusia” – tha ai para samitit NB8 të mbajtur në fund të muajit nëntor në Suedi, samit që mbledh 8 shtetet nordike dhe ato të Baltikut.

    Polonia po kryeson, edhe për sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen. Aktualisht ajo ia kushton 4.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sektorit të mbrojtjes dhe synon që në vitin 2025 ta rrisë atë në 4.7%.

    Ky nuk është vetëm një argument i fortë për shtetet e tjera anëtare të BE-së, por edhe temë kryesore në diskutimet e ardhshme me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili po kërkon angazhim më të madh nga partnerët e tij europianë.

    Tusk është i vendosur për të parandaluar çdo negociatë të mundshme paqeje për dhënien fund të luftës në Ukrainë në kurriz të popullit ukrainas dhe posaçërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ai kërkon gjithashtu që BE-ja të ketë një ulëse në tryezën e negociatave.

    “Presidenca jonë e Këshillit të BE-së do të jetë bashkërisht përgjegjëse për situatën e negociatave, të cilat mund të nisin këtë dimër” – tha ai në dhjetor. “Ukraina duhet të jetë e pranishme në secilin raund bisedimesh dhe çdo variant apo propozim duhet të pranohet nga miqtë tanë në Kiev” – tha Tusk pas një takimi që pati me presidentin francez Emmanuel Macron në Varshavë në 12 dhjetor 2024.

    Për të qenë e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, Polonia po ndërton një linjë mbrojtjeje të quajtur “Mburoja e Lindjes” përgjatë kufirit me Bjellorusinë, dhe kërkon që Europa ta ndihmojë në financimin e saj. Varshava bën gjithashtu pjesë në hapësirën ajrore europiane të mbrojtjes, e njohur gjithashtu si “Mburoja Ajrore Europiane”.

    Qeveria e Tusk mbështet eurobondet për mbrojtjen, por ideja e krijimit të një borxhi të ri në BE është ekstremisht e debatueshme brenda bllokut. Dy shtetet anëtare që e kundërshtojnë në veçanti këtë ide janë Gjermania dhe Holanda.

    Një vit pasi Këshilli i BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, Polonia kërkon që të fillojnë bisedimet. Ministri Szlapka sugjeroi që bisedimet mund të nisin nga çështje si: sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër korrupsionit.

    Por teksa Kievi kërkon që bisedimet të nisin në sa më shumë fusha që të jetë e mundur, Varshava nuk dëshiron të nxitohet. Kjo sepse Polonia është sërish në atmosferën e zgjedhjeve: në maj 2025 polakët do të zgjedhin presidentin e ri.

    Rëndësia e zgjedhjeve për qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë, nuk mund të nënvlerësohet. Prandaj Tusk nuk e ndërmerr rrezikun e nisjes së ndonjë projekti të ri europian, i cili nuk mund të pritet mirë në shtëpi, dhe mund të përdoret më pas kundër tij nga opozita.

    Marrja a mandatit si kryeministër gjatë dhjetorit të kaluar, përkoi me protestat masive të fermerëve kundër importit të grurit nga Ukraina. Bllokadat e tyre u ngritën në kufirin Poloni-Ukrainë dhe Poloni-Gjermani.

    Ukraina po shpreson në një marrëveshje tregtare që do të zgjidhte çështjen e importeve me Bashkimin Europian gjatë viteve të ardhshme. Gjithsesi, duket se nuk ka gjasa që Polonia t’i bëjë lëshime Ukrainës në këtë drejtim.

    Polonia është gjithashtu një kundërshtare e vendosur e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Amerikën Latine dhe me shumë mundësi do të bëjë gjithçka ka në dorë për të parandaluar marrëveshjen përpara se ajo të vihet në zbatim. Në këtë çështje, Varshava ka në krah aleatë të fuqishëm, përfshirë Francën.

    Një ndryshim i mundshëm i traktateve europiane për të lejuar më shumë vendime të shumicës brenda BE-së, është gjithashtu temë e debatueshme në Poloni, që do të thotë se nuk është përparësi e presidencës polake. Opozita vendase konservatore e sheh këtë plan si një shpërbërje të shtetit polak.

    “Jo, ne nuk do të punojmë në këtë drejtim, pra në ndryshimin e traktateve. Nuk mendoj se Këshillit i intereson kjo temë” – deklaroi për Agjencinë Polake të Lajmeve (PAP), ambasadorja polake në BE, Agnieszka Bartol.

    Tusk është gjithashtu shumë skeptik për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, e hartuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

    Marrëveshja kërkon pakësimin e emetimeve deri në 0 të gazit serë brenda BE-së, brenda vitit 2050.

    Tusk tha se “ambiciet naive për të shpëtuar të gjithë planetin” po pengojnë konkurrencën e Europës në botë. “Dekarbonizimi nuk mund të arrihet përmes deindustrializimit,” shtoi ministri Szlapka, duke paralajmëruar se toleranca e qytetarëve ndaj politikave klimatike po zvogëlohet.

    Presidenca polake në Këshillin e BE-së përkon me krizat e brendshme politike si në Gjermani, ashtu edhe në Francë. Tusk dëshiron të përdorë dobësinë e dy superfuqive europiane për të forcuar statusin e vendit të tij.

    “Polonia po tregohet jashtëzakonisht proaktive për sa i përket pozicionimit të saj. Megjithatë, koalicionet me shtetet nordike dhe baltike nuk do të jenë të mjaftueshme” – paralajmëron eksperti i Europës Lindore, Lang.

    “Polonia do të paraqitet si një vend pro-Europian që është i gatshëm për t’u dhënë formën e duhur gjërave” – shton Lang. ” Por Polonia do të shohë vazhdimisht se ngërçet ekonomike dhe politike në Gjermani dhe Francë do të jenë pengesë për Europën dhe zhvillimin e saj.” DW

  • Clinton, Soros dhe Bono në mesin e të nderuarve me Medalje të Lirisë

    Clinton, Soros dhe Bono në mesin e të nderuarve me Medalje të Lirisë

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, miliarderi, George Soros, pjesëtari i grupit U2, Bono, aktorët, Denzel Washington dhe Michael J Fox, futbollisti, Lionel Messi, dhe redaktorja e revistës Vogue, Anna Wintour, janë disa prej figurave që janë nderuar me medaljen më të lartë civile amerikane nga presidenti në shkuarje i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Përmes një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ata e kanë pranuar Medaljen Presidenciale të Lirisë.

    Këtë vit janë nderuar 19 persona nga bota e kulturës, politikës dhe aktivizmit.

    Shtëpia e Bardhë kanë thënë se personalitetet janë zgjedhur për “punën e mirë që kanë bërë dhe kontributin e jashtëzakonshëm për botën”.

    “Së bashku keni lënë gjurmë të pashlyeshme, e them këtë me sinqeritet, keni lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetin tonë”, ka thënë Biden.

    Hillary Clinton ka qenë edhe kandidate e demokratëve në garën presidenciale më 2016.

    Bono, emri i vërtetë i të cilit është Paul David Hewson, është nderuar me çmimin më të lartë kulturor edhe në Francë, Ai njihet për fushën që bën kundër varfërisë dhe mbështetjen e ofruar për të infektuarit me virusin HIV.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë se filantropi miliarder, dhe donatori i madh i demokratëve, George Soros, “ka mbështetur organizata dhe projekte nëpër botë që kanë forcuar demokracinë, të drejtat e njeriut, edukimin dhe drejtësinë sociale”.

    Nderimi me këtë medalje është traditë e krijuar prej ish-presidentit John F Kennedy.

    Çmimi jepet me diskrecion të presidentit, por edhe me këshillën që i japin panelet e jashtme.

    Në të kaluarën me këtë medalje janë nderuar sportistja Simone Biles, aktorja e shpërblyer me çmim Oscar, Michelle Yeoh dhe themeluesi i kompanisë Apple, Steve Jobs. REL