ATV

Author: ATVLive

  • 2 metër borë në Mashkullorë, izolohen banorët

    2 metër borë në Mashkullorë, izolohen banorët

    Reshjet e borës gjatë 24 orëve të fundit në zonat malore të juglindjes kanë sjellë probleme në aksin Vithkuq-Shtyllë-Panarit duke izoluar banorët e këtij fshati për 24 orë.

    A2 CNN mëson se në zonën e njohur si Mashkullorë dëbora ka arritur në 2 m lartësi në vende ku ka fryrë erë me dëborë, ndërsa në pjesën tjetër të aksit trashësia është mbi 50 cm.

    Ditën e sotme nga ana e Bashkisë së Korçës ka nisur puna për hapjen e rrugës dhe largimin e dëborës, punë e cila pritet të zgjatë disa ditë për shkak të trashësisë së madhe të saj.

  • KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    Shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit do të tërhiqet , nesër (e hënë).

    Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për EO se shorti për renditjen do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 11:00.

    “Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, tha ai.

    Sipas Elezit tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe transparencë të plotë.

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë aktiviteteve zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.

    Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

  • Jo vetëm SHBA dhe Britania, qindra fluturime të anuluara pas motit të keq në Gjermani

    Jo vetëm SHBA dhe Britania, qindra fluturime të anuluara pas motit të keq në Gjermani

    Për shkak të motit të keq, me reshje bore dhe shi, 120 nga 1 090 fluturimet e planifikuara sot në aeroportin më të ngarkuar të Gjermanisë, Frankfurt, janë anuluar, tha një zëdhënës i operatorit të aeroportit.

    ”Duke qenë se pistat duhet të pastrohen dhe dukshmëria është zvogëluar, kapaciteti i aeroportit është i kufizuar”, tha ai.

    ”Për më tepër, ngrirja e akullit te avionët po zgjat më shumë për shkak të kushteve të motit”, shtoi ai.

    Zëdhënësi këshilloi pasagjerët të kontrollojnë me kompaninë e tyre ajrore në lidhje me fluturimet e tyre dhe, nëse është e nevojshme, të lejojnë kohë shtesë për udhëtimin në aeroport.

    ”Edhe operacionet në aeroportin e Mynihut janë ndërprerë për shkak të borës dhe akullit”, tha një zëdhënës i aeroportit të dielën në mëngjes.

    Sipas faqes së internetit të aeroportit, disa fluturime që do të niseshin në mëngjes janë anuluar.

    ”Linjat ajrore tashmë kanë marrë vendimin për të anuluar fluturimet mbrëmë si masë paraprake”, tha zëdhënësi.

    ”Aktualisht, njëra pistë është mbajtur e hapur ndërsa tjetra po pastrohet”, shtoi ai.

    ”Ulja e dukshmërisë për shkak të reshjeve të borës ka çuar në intervale më të gjata midis ngritjeve dhe uljeve, ndërsa avionët gjithashtu duhet të ngrihen”, sipas zëdhënësit.

    Fillimisht ishte e paqartë se sa do të zgjasin kufizimet e lidhura me motin.

    Udhëtarëve u është kërkuar të kontaktojnë linjën e tyre ajrore për informacion në lidhje me fluturimet.

  • Përkujtohen 12 viktimat në Mal të Zi, vijon zemërimi qytetar për masakrën

    Përkujtohen 12 viktimat në Mal të Zi, vijon zemërimi qytetar për masakrën

    Një shërbesë përkujtimore është mbajtur në Malin e Zi për 12 viktimat e masakrës që ndodhi ditën e parë të vitit.

    Ceremonia në qytetin Çetinje u ndoq nga familjarë të viktimave si dhe përfaqësues të politikës dhe kishës.

    Masakra ndodhi të mërkurën, kur një person nisi të qëllonte në një bar, duke shkaktuar përveç 12 viktimave edhe 4 të plagosur.

    Autori, i identifikuar si 45-vjeçari Aco Martinović, vdiq pasi qëlloi veten në kokë. Episodi i rëndë, i dyti i këtij lloji në Çetinje, ka shkaktuar zemërim dhe dëshpërim në Malin e Zi.

    Autoritetet kanë nisur shqyrtimin e mënyrave të reja për të kufizuar armët ilegale, me Këshillin e Sigurisë Kombëtare që ka njoftuar marrjen e masave për konfiskimin e armëve të paregjistruara.

    Kryeministri Milojko Spajić deklaroi se edhe poseduesit e armëve të regjistruara do t’i nënshtrohen kontrolleve të reja psikologjike.

    Ai gjithashtu premtoi ndëshkime “drakoniane” për ata që mbajnë armë ilegalisht. Euronews.al

  • Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

    Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

    Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.

    Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.

    Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.

    Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.

    Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.

    Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do t’i mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.

    Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.

    Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.

    Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.

    Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.

    Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka. REL

  • Gjirokastër, zjarri rrezikon godinën e Mitropolisë Ortodokse, ndërhyjnë zjarrfikësit

    Gjirokastër, zjarri rrezikon godinën e Mitropolisë Ortodokse, ndërhyjnë zjarrfikësit

    Një vatër zjarri ka rrezikuar godinën e Mitropolisë Ortodokse në Gjirokastër. Rreth orës 11:05 të së dielës Shërbimi Zjarrfikës është njoftuar për një zjarr në godinën e Mitropolisë, në lagjen “11 Janari”.

    Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi zjarrfikës me disa efektivë dhe automjetin mbështetës. Zjarri ishte shkaktuar nga lënia ndezur e qirinjve tek vendi i posaçëm i lutjeve fetare.

    “Nga ndërhyrja e shpejtë dhe efikase u bë izolimi i zjarrit duke mos lejuar depërtimi e tij në pjesët e tjera, të cilat ishin me konstruksion dru dërrase dhe përfshirja në flakë mund të shkaktonte një zjarr masiv”, shprehet drejtuesi i zjarrfikësve Gramoz Llapi.

    Nga zjarri i rënë u dogj vendi i qirinjve, disa libra dhe vendi i lutjeve.

    Dëme të tjera në godinën e Mitropolisë Ortodokse fatmirësisht nuk pati. Euronews.al

  • Meloni vizitë në Florida te Trump, mediat: Kryeministrja italiane kërkon të jetë pikë referimi e SHBA-së në Evropë

    Meloni vizitë në Florida te Trump, mediat: Kryeministrja italiane kërkon të jetë pikë referimi e SHBA-së në Evropë

    Giorgia Meloni ka takuar Donald Trump, presidentin e zgjedhur të SHBA në rezidencën e tij në Mar a Lago, në Florida në orët e pasdites së 4 janarit. Mediat kanë publikuar edhe pamjet e para nga takimi i dy udhëheqësve.

    Qëndrimi i kryeministres në rezidencën e manjatit zgjati disa orë, raporton La Repubblica. Në diskutimet mes dy liderëve konservatorë ka zënë vend rasti Sala, gazetarja italiane e arrestuar në Teheran nga regjimi iranian, por edhe çështje me karakter gjeopolitik dhe me interes të SHBA-së e Evropës.

    Vizita kaq e shpejtë e Melonit për të takuar Donald Trump ka edhe një tjetër synim, për ta bërë kryeministren pikë referimi në Evropë, për administratën e re të republikanit.

  • Bajrami thotë se qeveria po përpiqet të mashtrojë me numra, “qytetarët po marrin borxh për të mbijetuar”

    Bajrami thotë se qeveria po përpiqet të mashtrojë me numra, “qytetarët po marrin borxh për të mbijetuar”

    Ministri Hekuran Murati ka bërë propagandë në Gjakovë kur ka thënë se rritja ekonomike në të kaluarën ka ardhur nga borxhet e marra nga shteti, thotë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, raporton Eo.

    “Dje, Hekuran Murati paska mbajtë një ligjëratë propaganduese në Gjakovë. Ai u mundua t’i bindë gjakovarët se rritja ekonomike në të kaluarën ka ardhur nga borxhet e marra nga shteti – sipas tij 1.5 miliardë euro. Madje po krenohet se qeveria e tij nuk po bën të njëjtën gjë.”, ka shkruar ajo.

    Bajrami thekson se Qeveria nuk ka ndërtuar asgjë me paratë e marra borxh, pasi sipas saj nuk ka pasur investime kapitale.

    “Politikat e qeverisë kanë futur qytetarët në borxh. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë në banka në fund të dhjetorit 2024 kanë arritur shumën pre 5.668 miliardë euro. Vetëm në vitin 2024 janë shtuar 768 milionë euro kredi të reja.”, ka thënë ajo duke shtuar se në të kaluarën shteti merrte borxh dhe ndërtonte infrastrukturë ndërsa sot qytetarët po marrin borxh për të mbijetuar.

    Bajrami thekson se qeveria po përpiqet të mashtrojë me numra.

    “Pra, në të kaluarën shteti merrte borxh dhe ndërtonte infrastrukturë për qytetarët. Sot, qytetarët janë ata që po marrin borxh për të mbijetuar, derisa qeveria merr me shumë tatime e taksa falë çmimeve të rrituara. Në katër vitet e fundit infacioni ka qënë 21.5%. Siç e ka thënë Ronald Reagan: “Nuk kemi inflacion sepse njerëzit po jetojnë shumë mirë, kemi inflacion sepse qeveria po jeton shumë mirë.” Qeveria ka bërë përpjekje të mashtroj me numra katër vite radhazi, por qytetarët e kanë të vërtetën e tyre, ata që e kanë jetuar atë. 9 shkurti është afër. Ndryshimi është afër”, ka shkruar Bajrami.

  • A është veriu peng i zgjidhjes politike?

    A është veriu peng i zgjidhjes politike?

    Qeveria e Kosovës e ka kundërshtuar idenë që për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit të diskutohet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel. Partia në pushtet Vetëvendosje thotë se çështja e veriut ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe shtirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërsa, opozita e ka kritikuar Qeverinë se po e dërgon Policinë në veri për të lënë të kuptohet se do të ketë luftë. Analistët vlerësojnë se nëse nuk ka rezultate në dialogun e Brukselit nuk mund të ketë as zgjidhje të problemeve në veri të Kosovës.

    Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga Kosova që për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë Serbi në Bruksel. KFOR-i ka paralajmëruar Qeverinë që të mos ndërmerr hapa të njëanshëm as për hapjen e urës mbi Lumin Ibër dhe që zgjidhjen ta gjejë në dialog. Por, Qeveria ka thënë se për veriun nuk pranojnë të diskutojnë me Serbinë duke e konsideruar si cështje të brendshme të Kosovës. Deputeti i LVV-së, Enver Gugolli, tha se Qeveria po ndërmerr veprime në veri të vendit për shtrirje të legjitimitetit.

    “Jo çështja e veriut ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe shtirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ne nuk mund të tolerojmë një situatë ku mbizotëronte gjithçka përveç rendit dhe ligjit. Ne nuk do ta tolerojmë asnjëherë një situatë të tillë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me çështjen e dialogut”, ka thënë Dugolli.

    Partitë në opozitë kanë kritikuar Qeverinë se me ideologji dhe veprime nacionaliste po fusin frikën tek qytetarët e Kosovës se mund të ketë luftë në veri të vendit. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se të dhënat nuk tregojnë se mund të ketë diçka të tillë. Sipas tij, Qeveria duhet t’i zbatojë obligimet e marrëveshjes së Brukselit duke dërguar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kushtetuese.

    “Po i dërgojnë Policinë në veri për të lënë të kuptohet se do të ketë luftë, por të dhënat nuk tregojnë se mund të ketë diçka të tillë. Zgjidhja politike për veriun ka ndodh. Marrëveshja e Brukselit duhet të filloj të zbatohet dhe të dërgohet draft-statusi për Asociacionin në kushtetuese”, ka thënë Haliti.

    Profesori universitar, Ibrahim Gashi, vlerëson se zgjidhja për veriun varet nga suksesi që ka dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    “Zgjidhja në veri do të ndodh me automatizëm nëse ka një zgjidhje apo sukses në dialog. Nëse palët fillojnë të lëvizin, që për Serbinë nuk jam optimist që do të lëvizë në dialog në përmbushjen e pikave të marrëveshjes së pikave të marrëveshjes”, ka vlerësuar Gashi.

    Por, profesori Gashi thotë se zgjidhja për veriun varet edhe nëse zbatohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Tendencat e Serbisë janë që me shndërruar veriun sa cështje po litike sa cështje të sigurisë për të mbajtur njëfarë lloj tensioni atje apo konflikti të ngirë atje dhe normalisht kjo nuk i konvenon Kosovës”, ka shtuar ai.

    Veriu i vendit është përballur disa herë me sulme e trazira nga sic janë quajtur bandat kriminale duke kulmuar me sulmit terrorist në Banjkë dhe atë në kanalit e ujit në Zubin Potok./RTV21

  • Nga “letra e murtajës” te pasaporta -si u krijua 100 vjet më parë dokumenti i domosdoshëm jo vetëm për udhëtime

    Nga “letra e murtajës” te pasaporta -si u krijua 100 vjet më parë dokumenti i domosdoshëm jo vetëm për udhëtime

    Fotografi biometrike, barkode, hologramë, mikroçipa: pasaporta e sotme është pa dyshim një pjesë e teknologjisë moderne. Për disa ajo hap portën e botës, e cila për të tjerët – pa pasaportën e duhur – mbetet e mbyllur. Por si kanë qenë fillimet, si lindi dokumenti kryesisht katror?

    Fillimet e pasaportës
    Që në shekullin e 14-të ka pasur diçka të ngjashme me një dokument udhëtimi. Në atë kohë murtaja bënte kërdinë në Evropë dhe qytete si Venecia kërkonin zgjidhje për të frenuar sëmundjen. Kështu lindi letra e murtajës – një vërtetim, që duhej ta tregonte secili, që hynte në vend. Nëse vinte nga një rajon i murtajës, nuk lejohej që të hynte në qytet në Lido. Në atë kohë dokumenti i udhëtimit nuk lidhej me shtetësinë, por me vendbanimin. Lidhja midis kombësisë dhe pasaportës erdhi më vonë – në shekullin e 20-të.

    Futja e pasaportave standarte
    Menjëherë pas Luftës së Parë Botërorelindi ideja e një standardi global për pasaportat. Kjo detyrë iu besua Lidhjes së Kombeve të sapothemeluar, organizatës paraardhëse eKombeve të Bashkuara.

    Sipas Hermine Diebolt, e cila punon në bibliotekën dhe arkivat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, (Zvicër), pasaportat, siç i njohim ne sot, ekzistojnë prej gati 100 vjetësh.

    Lidhja e Kombeve, e themeluar në vitin 1920, duhej të siguronte paqen pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë kësaj kohe ranë perandoritë e vjetra koloniale. Lindën shtete të reja kombëtare. Gjatë luftës shumë njerëz u dëbuan dhe shpesh ata kishin vetëm dokumente lokale, për të vërtetuar identitetin e tyre. Vende si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia kërkonin që gjatë luftës, që njerëzit nga vendet armike të paraqisnin dokumente zyrtare identifikimi, për t`u lejuar të hynin në vend.

    Pas vitit 1918, kur shumë njerëz ishin në arrati, policët në kufij kishin vështirësi të kontrollonin dokumentet e shumta të ndryshme të udhëtimit. Ishte e vështirë të kuptohej, nëse një pasaportë ishte e vërtetë apo jo. Prandaj edhe për këtë duhej gjetur një zgjidhje.

    Në vitin 1920 Lidhja e Kombeve mblodhi liderët botërorë në Paris, për të negociuar rregullore standarde për dokumentet e udhëtimit. U vendos që pasaportat të duken kudo njëlloj dhe të përmbajnë të njëjtin informacion. Që tani e tutje pasaportat duhet të kishin përmasat 15,5 me 10,5 centimetra, duhet të përmbanin 32 faqe dhe në pjesën e përparme të kishin emrin e vendit dhe stemën. Ky format përdoret edhe sot.

    Liri për disa, pengesë për të tjerë
    Që në atë kohë kishte kritikë të pasaportës. Argumenti i tyre: Dokumenti i shërben më pak lirisë së udhëtarëve dhe më shumë kontrollit të tyre. “Disa krerë shtetesh dhe qeverish preferuan më mirë, që gjithçka të mbetej si më parë, kur mund të lëvizje lirshëm, pa pasur dokumente me vete. Edhe në opinionin publik dhe në shtyp pasaporta ishte e padëshirueshme. Njerëzit mendonin se pasaportat kufizojnë lirinë e tyre dhe shkelin privatësinë. “Përvec kësaj pasaporta kishte të bënte me shumë burokraci dhe investim”, thotë Hermine Diebolt.

    Një artikull i New York Times në vitin 1926 i referohej pasaportës si “The passport Nuisance”. Gazeta shkruante: “A duhet të mbahen pasaportat si një element i përhershëm i udhëtimit? Sistemi, që është në modë që nga lufta, është i komplikuar, i bezdisshëm dhe pengon qarkullimin e lirë midis kombeve”.

    Por ishte tepër vonë për të ndaluar zhvillimin. Anëtarët e Lidhjes së Kombeve nuk mundën të binin dakord, se si duhet të duket një botë pa kontrolle kufitare dhe pasaporta. Kështu që pasaporta mbeti.

    Pasaporta moderne dhe pabarazia globale
    Deri më sot, një pasaportë udhëtimi, një copë letër e thjeshtë, mund të ketë një ndikim të madh në jetën e një njeriu. Shtetësia përcakton, se ku ai mund të udhëtojë dhe të qëndrojë. Në varësi të vendit të origjinës, një pasaportë mund t’i japë bartësit të saj privilegje ekstreme – ose edhe të shkaktojë dëshpërim.

    Klasifikimet e pasaportave tregojnë, se sa vende mund të vizitohen pa vizë me një pasaportë të caktuar. Sipas “Global Passport Power Rank 2024” shteti i pasur me naftë Emiratet e Bashkuara Arabe është në vendin e parë. Qytetarët e tyre mund të udhëtojnë në shumë vende, ndërsa njerëzit me pasaportë siriane kanë përvojën e kundërt. Një tjetër klasifikim, Indeksi i Pasaportave Henley, i jep vendin e parë Singaporit, i ndjekur menjëherë nga Franca dhe Gjermania.

    Po njerëzit që nuk kanë as shtetësi e as pasaportë? Rreth dhjetë milionë njerëz në botë janë pa shtetësi. Një arsye mund të jetë diskriminimi ndaj grupeve etnike. Sipas Institutit Amerikan për Diplomaci dhe të Drejtat e Njeriut, rreth 70 për qind e romëve dhe sinti në Gjermani janë pa shtetësi.

    Një disavantazh i pasaportave del në pah vazhdimisht. Pasaportat janë ndër artikujt më të kërkuar të tregtimit, jo vetëm në tregun e zi. Disa vende kanë hapur kufijtë e tyre edhe vullnetarisht për ofertuesit më të lartë, siç është ishulli mesdhetar i Qipros. Vendi filloi të lëshojë pasaporta dhe viza “të arta” pas krizës ekonomike në 2013. Shitja e pasaportave të tij ishte një biznes fitimprurës për Qipron – derisa raportet kritike televizive zbuluan se politikanë të rangut të lartë ishin të përfshirë në këto makinacione. Praktika e “pasaportave të arta” u ndërpre zyrtarisht.BalkanWeb