ATV

Author: ATVLive

  • BQK-ja pozitive që norma e interesit mund të bie, aktualisht 6.02%

    BQK-ja pozitive që norma e interesit mund të bie, aktualisht 6.02%

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    168 milionë euro është shuma që bankat vendore e të huaja përfituan nga klientët kosovarë vitit 2024. Por sipas Bankës Qendrore të Kosovës norma e interesit të bankave në vitin 2024 u ul në 6.02 për qind nga 6.35 sa ishte në vitin 2023.

    Megjithatë Kosova vazhdon të ketë normën e interesit më të lartën ne rajon derisa të gjitha shtetet tjera në Ballkanin Perëndimor e kanë më të ulët se 6%.

    Madje edhe vet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, e pranon që nuk e di nëse në të ardhmen kosovarët do të paguajnë më pak për normat e interesit.

    Përgjigje për uljen eventuale të normave të interesit ATV nuk e mori as nga Shoqata e Bankave.

    Por ekonomistët vlerësojnë se pas uljes së inflacionit, nuk është aspak e drejtë që normat e interesit të jenë kaq të larta.

    Shuma e kredisë që qytetarët morën gjatë vitit 2024 u rrit për më shumë se 768 milionë euro, derisa në total shuma e kredive arriti në 5 miliardë e 668 milionë euro.

    Sipas guvernatorit Ismaili, vitin e ardhshëm planifikohen të bëhen disa ndryshime që kanë të bëjnë me llojin dhe qëllimin e kredimarrjes.

    Kosova e mbylli vitin me 4,3 për qind rritje ekonomike dhe mestare të inflacionit 1,7 përqind.

  • Pritjet në Merdare gjatë së shtunës më shumë se tre ore

    Pritjet në Merdare gjatë së shtunës më shumë se tre ore

    Kolonat në pikën kufitare në Merdare janë gati 2 kilometra të gjata. Pritjet për të dalë nga Kosova në këtë pikë kufitare të shtunën arrinin deri në 3 orë.

    ‘’Që 3 orë jemi tu pritë, s’di as vet çka me thonë, kijamet.Vjen ai shoqi, zgjohet në ora 12 ta nxen rendin ,të del përpara, nuk ka as polici e asgjë, vjen vetura hyn pa rend. Pritjet janë gjithmonë kaq të gjata si në verë, ashtu edhe në dimër’’, tha një qytetar.

    Ngarkesat në pikat kufitare janë bërë të zakonshme përgjatë festave të fundvitit për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve që vijnë në Kosovë e më pas largohen.

    ‘’Vështirësitë janë së pari I ftohti, pastaj kemi dhe fëmijë. Nëse bën një tejkalim, të kthejnë prapë mbrapsht. Policia kanë 3 deri 4 vetura pas, asnjë nuk e ndalin, se këtu shkon krejt me njoftësi. Zakonisht Merdarja është pika që presim më shumë’’, tha një qytetare.

    Një prej telasheve më të mëdha sipas atyre që duan të kalojnë kufirin është mosrespektimi i radhës. Andaj disa thonë se janë ankuar në Policinë e Podujevës për mosmenaxhimin e kolonës.

    ‘’Unë për vetë 2 herë e kam lajmëruar stacionin policor të Podujevës,ose I thashe ka problem këtu , ose duhet dikush që të mbajë rendin,se edhe ne jemi këtu me fëmije e duhet dikush që ti dërgojë patrolat policore’’, tha një qytetar.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, më pak pritje ka në pikat tjera kufitare. Tek Dheu i Bardhë, pritjet janë deri në 2 orë, kurse në pikat tjera kufitare pritjet më të gjata janë deri në 15 minuta. /atvlive.tv

  • As gjatë vitit 2024 nuk u arrit reforma në drejtësi

    As gjatë vitit 2024 nuk u arrit reforma në drejtësi

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Derisa qeveria aktuale po e përfundon mandatin ende nuk e ka miratuar Strategjinë kombëtare kundër korrupsionit.

    Dhe pavarësisht që gjatë 2024-ës u iniciuan disa nisma ligjore, konsiderohet se viti kaloi pa rezultate në reformën për drejtësi dhe luftimin e korrupsionit.
    Një tjetër problematik konsiderohet fakti që Kosova tash e dy vjet nuk ka kryeprokuror të shtetit.

    “Sa i përket të dy këshillave, përkundër problemeve që vazhdon të ketë, KGJK-ja nuk mund t’i mohohet fakti se ka një avancim në kuptim të transparencës, derisa kjo nuk qëndron për KPK-në që edhe atje vazhdon mendësia korporatiste siç e ka thënë Komisioni i Venecias dhe vazhdojnë probleme të shumta në sistemin prokurorial të Kosovës dhe mund të themi se ka ndërtuar një kulturë të mos ndëshkimit brenda sistemit prokurorial”, tha Gëzim Shala nga IKD.

    Njëkohësisht komentet negative të ekzekutivit karshi punës së prokurorive e gjykatave nuk munguan gjatë vitit që lamë pas.

    “Kjo është për keqardhje për shkak kryeministri dhe qeveritarët, ministrat janë marrë shumë me sistemin e drejtësisë. Edhe shumë rëndë edhe për qytetarin dhe imazhin e sistemit e drejtësisë. Për shkak se kur një kryeministër, deputet shumë shpesh thonë se është një sistem i kalbur, unë mendoj se shumë më i mirë është sistemi i drejtësisë sesa sistemi ekzekutiv apo legjislativ”, tha ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

    “Prej fillimit të mandatit të kësaj qeverisje kemi pasur përplasje prokurori, gjykatë dhe qeveri, gjë e cila nuk është aspak e hijshme në publik. Sidomos ndërhyrja e ekzekutivit në punët e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk është e pranueshme për shkak se të tria janë pushtete të pavarura”, tha Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.

    Por, fajin për mungesë të reformës e largon nga ekzekutivi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Mendoj që problemin më të madh e kemi te nivelet e larta të sistemeve të drejtësisë, të cilat nuk dëshirojnë ndryshim të gjendjes sepse humbin pushtetin dhe ndikimin në sistem. Pra, të njëjtit nuk e kanë dashur reformën në drejtësi dhe e kanë kundërshtuar në vazhdimësi. Mendoj se kjo qasje ka qenë e gabuar, ne asnjëherë nuk kemi ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht në lëndët
    që kanë pasur prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Haxhiu.

    Ndërkohë Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë gjatë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin. Në bazë të këtij raporti për institucionet e drejtësisë sfidë mbetet edhe produktivitet i seancave, ndërsa thuhet se paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.

  • “O shpirt i mamit, o dielli im”: Takimi përmallues i Parashqevi Simakut me të birin

    “O shpirt i mamit, o dielli im”: Takimi përmallues i Parashqevi Simakut me të birin

    Takimi i munguar prej vitesh dhe i shumëpritur i këngëtares Parashqevi Simaku dhe djalit të saj, Luke Nolfe ishte emocionues për vetë protagonistët e kësaj historie, por edhe për publikun që ndoqi disa momente nëpërmjet “Instagram”-it të biznesmenit Elton Ilirjani, që ndihmoi për këtë ribashkim.

    Ilirjani ndau disa çaste nga takimi i nënë e bir, ku i pranishëm ishte dhe ish-bashkëshorti i këngëtares dhe babai i djalit, Robert Nolfe.

    “Ai është nervoz. Faleminderit, Zoti të bekoftë ty Elton dhe Zoti bekoftë Robertin”, u shpreh në fillim këngëtarja, teksa dukej qartë emocioni që po përjetonte dhe mirënjohja për ata që e ndihmuan të bënte ëndrrën e saj realitet.

    “O shpirt i mamit, o dielli im”, i drejtohet ajo djalit, ndërsa e pyet nëse mban mend gjë nga Shqipëria, po ai përgjigjet: “Jo”.

    I pyetur nga Elton Ilirjani, Luke Nolfe pohoi se ndihet mirë që ritakoi pas shumë vitesh nënën e tij.

    Elton Ilirjani: Luke si ndihesh, ndihesh mirë?

    Luke Nolfe: Po!

    Elton Ilirjani: E do nënën tënde?

    Luke Nolfe: Po!

    Elton Ilirjani: Si e gjete… të pëlqen pamja këtu, është një pamje shumë e bukur?

    Luke Nolfe: Më pëlqen!

    “Luka e dëgjoi gjashtë herë këngën ‘E duam lumturinë’. U krenua me nënën e vetë! Nuk e prisja këtë reagim pozitiv pas kaq shumë vitesh. Dashuria triumfoi sërish dhe gjithmonë do të triumfojë. Dashuria nuk blihet me para. Kjo histori nuk kishte nevojë për para dhe këtë ma mësoi Parashqevi Simaku”, u shpreh Ilirjani që dëshmoi takimin e rrallë familjar.

    Ndërsa vetë këngëtarja, pas takimit përshkroi në një tjetër video ndjesitë e saj.

    “Një falenderim për këtë engjëllin që bëri një mrekulli për mua, nuk e harroj sa të vdes. Një përshëndetje shpirtërore nënës së tij, që u bë shkak që Eltoni të linte luksin e Majemit dhe të vinte këtu. Nuk e harroj sa të ves, e ka derën e zemrës të hapur, edhe djali, edhe Roberti kanë të njëjtën dashuri”.

    Për Eltonin, me realizimin e këtij takimi, u vu në vend amaneti i nënës së tij, që ndonëse është në gjendje të rënduar shëndetësore, i kërkoi të birit të bashkojë Parashqevinë me djalin.

    “Heroina e kësaj historie është Hanko Ilirjani, që më rriti me dashuri dhe këngët e Parashqevi Simakut. Ajo edhe pse e sëmurë në shtrat, më tha: Aspak nuk je i pasur nëse nuk gjen dhe bashkon Parashqevinë me djalin! Kot thua që jetoj në New York”, shprehet biznesmeni. /tch

  • SHBA i jep lamtumirën Jimmy Carter, ceremonitë do të zgjasin gjashtë ditë

    SHBA i jep lamtumirën Jimmy Carter, ceremonitë do të zgjasin gjashtë ditë

    Në vendlindjen e tij Xhorxhia filloi sot ceremonia e nderimeve të fundit për ish-presidentin Jimmy Carter, i cili vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.

    Presidenti demokrat nga viti 1977 deri në vitin 1981, Jimmy Carter ndërtoi një imazh botëror si një paqebërës, puna humanitare e të cilit u kurorëzua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002.

    Ceremonitë gjashtë ditore, të cilat do të kulmojnë më 9 janar në Uashington, filluan sot në orën 10:15 me kohë lokale, kur agjentët e shërbimit sekret, të ngarkuar me mbrojtjen e politikanëve, sollën arkivolin me ish-presidentin.
    Kolona fillimisht kaloi nëpër rrugët e Plains, vendlindja e tij me të cilën ai ishte shumë i lidhur. Ai u pasua nga një turmë njerëzish që valëvitnin flamuj amerikanë. Jashtë fermës së tij familjare ku ai u rrit, zilja ra 39 herë sepse ai ishte presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara.

    Më pas arkivoli do të dërgohet në Atlanta, kryeqyteti i Gjeorgjisë, ku Carter do të nderohet gjithashtu para Kapitolit të shtetit, ku ishte senator lokal dhe më pas guvernator.

    Të martën në mëngjes, arkivoli i Carter do të dërgohet në Uashington me fluturimin zyrtar “Special Air Mission 39” i shoqëruar nga familja e tij. Kolona do ta çojë atë në Qendrën Përkujtimore të Marinës Amerikane. Carter u diplomua në Akademinë Detare në 1946 dhe shërbeu në shkatërruesit dhe nëndetëset.

    Kortezhi i varrimit do të niset në Kapitol, selia e Kongresit Amerikan, në orën 14:00 me kohë lokale. Arkivoli do të tërhiqet nga një kalë në një karrocë. Aty ushtarët do ta çojnë në një sallë të rrumbullakët nën kupolën e Kapitolit, ku në orën 15:00 do të mbahet ceremonia solemne e respektit të fundit në prani të kongresistëve.

    Arkivoli me ish-presidentin do të jetë më pas në ekspozitë publike nga ora 19:00 deri në mesnatë të martën dhe nga ora 7 e mëngjesit të së mërkurës deri në orën 7 të mëngjesit të së enjtes. Carter do të jetë ish-presidenti i 13-të, arkivoli i të cilit do të ekspozohet në Kapitol. I pari ishte Abraham Lincoln, i cili u vra në 1865.

    Presidenti në largim Joe Biden (82) do të mbajë një fjalim lamtumire. Në lamtumirën e fundit do të marrë pjesë edhe presidenti i sapo zgjedhur Donald Trump (78), i cili do të bëjë betimin më 20 janar. Për nder të Carter, flamujt amerikanë janë valëvitur në gjysmë shtizë për 30 ditë që nga vdekja e tij, përfshirë ditën e inaugurimit të Trump, të cilën ai e ka kritikuar tashmë. Të pranishëm pritet të jenë edhe ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Më pas arkivoli do të kthehet në Xhorxhia me të njëjtin fluturim “Special Air Mission 39”. Një meshë private do të mbahet në Kishën Baptiste të Plains në orën 15:45. Publiku do të mund të ndjekë kalimin e autokolonës me arkivolin në qytetin, i cili ka rreth 600 banorë. Pas mbërritjes së arkivolit, aeroplanët e marinës amerikane do të fluturojnë mbi qytet. Jimmy Carter do të varroset në një ceremoni private në orën 17:20, pranë gruas së tij.

  • ​Joe Biden nderon Hillary Clinton me Medaljen e Lirisë

    ​Joe Biden nderon Hillary Clinton me Medaljen e Lirisë

    Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka ndarë Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil i vendit, për ish-sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton dhe 18 të tjerë “të cilët e kanë bërë Amerikën një vend më të mirë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë të shtunën.

    Clinton, e cila shërbeu si zonja e parë, senatorja, sekretare e Shtetit dhe ishte gruaja e parë e nominuar për presidente nga një parti e madhe politike, “bëri histori shumë herë gjatë dekadave në shërbimin publik”, thuhet në njoftim.

    Marrës të tjerë përfshijnë aktorët Michael J. Fox dhe Denzel Washington, Bono nga U2, ylli i futbollit të Inter Miami Lionel Messi dhe miliarderi George Soros.

    Ata që e marrin çmimin pas vdekjes janë ish-prokurori i përgjithshëm Robert F. Kennedy, udhëheqësja e të drejtave civile Fannie Lou Hamer, ish-sekretari i Mbrojtjes Ash Carter dhe ish-guvernatori i Miçiganit, George W. Romney.

    Biden nderoi gjithashtu konservatoren Jane Goodall, legjendën e pensionuar të Los Angeles Lakers Magic Johnson, themeluesin e World Central Kitchen Jose Andres, stilistin Ralph Lauren, kryeredaktoren e Vogue Anna Wintour, edukatorin shkencor Bill Nye “The Science Guy”, aktivistin Tim Gill, miliarderin David Rubenstein dhe themeluesin e Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Junior.

    Sipas Shtëpisë së Bardhë, Medalja Presidenciale e Lirisë “u ndahet individëve që kanë dhënë kontribute shembullore për prosperitetin, vlerat ose sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen botërore ose përpjekje të tjera të rëndësishme shoqërore, publike ose private”.

    Medalja Presidenciale e Lirisë, e krijuar nën presidentin John F. Kennedy në vitin 1963, jepet me rekomandimin e një komiteti të jashtëm këshillues. Fituesit e mëparshëm të këtij çmimi përfshijnë gjimnasten më të dekoruar të të gjitha kohërave Simone Biles, fituesen e Oscar Michelle Yeoh dhe themeluesin e Apple, Steve Jobs.

  • Zelensky kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte: Nuk e shkelim ligjin në emër të Putinit

    Zelensky kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte: Nuk e shkelim ligjin në emër të Putinit

    Ukraina nuk do të mbajë zgjedhje nën ligjin ushtarak edhe nëse Rusia e vendos atë si një nga parakushtet për negociata, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë në televizionin ukrainas të lëshuar më 2 janar.

    Bëhet e ditur se Ukraina kishte planifikuar të zhvillonte zgjedhjet presidenciale në mars ose prill 2024, duke përmbyllur mandatin e parë pesëvjeçar të Zelenskyt.

    Por, votimi u shty pasi kushtetuta e vendit nuk lejon zgjedhjet sipas ligjit ushtarak, i cili u shpall në 24 shkurt 2022, në fillimin e agresionit të Rusisë.

    Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të përdorte vonesën për të portretizuar Zelenskyn si “të paligjshëm”, duke thënë se autoriteti duhet t’i kalonte kryetarit të parlamentit Ruslan Stefanchuk, një pretendim i hedhur poshtë nga Kievi si një shtrembërim i kushtetutës, shkruajnë mediat e huaja.

    Ndërkohë, në intervistë Zelensky përsëriti se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nuk janë të mundshme sipas ligjit ushtarak dhe se zyrtarët e zgjedhur vazhdojnë të kryejnë ligjërisht detyrat e tyre deri në votimin e ardhshëm.

    “Pasi Ukraina arrin t’i japë fund fazës së nxehtë të luftës, ligji ushtarak mund të hiqet dhe parlamenti mund të caktojë një datë për zgjedhjet”, tha Zelensky.

    “Pas përfundimit të ligjit ushtarak, nuk ka nevojë të presim vite për zgjedhjet”, shtoi ai.

    Kur u pyet nëse Ukraina është e gatshme të bëjë kompromis nëse Rusia vendos zgjedhje të menjëhershme si kusht për bisedimet e paqes, Zelensky e hodhi poshtë idenë.

    “Ne do të shkelnim legjislacionin ukrainas në emër të Putinit, i cili ka shkelur të gjithë legjislacionin tonë, sovranitetin dhe integritetin territorial”, u përgjigj presidenti.

    Zelensky tha gjithashtu se Putini po kërkon çdo justifikim të mundshëm për të shmangur negociatat e drejtpërdrejta me të.

    Ndryshe, ka pritshmëri në rritje për bisedimet e mundshme të paqes në vitin 2025, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, u zotua të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve.

  • Abdixhiku në Strellc të Deçanit, kujton Kolonel Tahir Zemajn dhe takon familjarët e tij

    Abdixhiku në Strellc të Deçanit, kujton Kolonel Tahir Zemajn dhe takon familjarët e tij

    Sot, në Strellc të Deçanit, u kujtuan jeta dhe vepra e Kolonel Tahir Zemajt, në 22-vjetorin e vrasjes së tij bashkë me djalin e tij, Enisin, dhe kryetarin e Forumit të Rinisë në Deçan, Hasan Zemaj.

    Lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për këtë ka qëndruar sot atje.

    Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e e Kolonel Tahir Zemajt.

    “Kolonel Tahir Zemaj ishte një udhëheqës i palëkundur dhe një ushtarak i përkushtuar, që dha shembullin më të denjë të një çlirimtari, duke udhëhequr beteja të lavdishme në Dukagjin,” shkroi Abdixhiku.

    Në mesazhin e tij, Abdixhiku e theksoi se për të ndërtuar një të ardhme të ndritur, Kosova duhet të ruajë kujtimin e atyre që dhanë jetën për liri dhe të nderojë sakrificën e tyre.

  • The New York Times shkruan për të konvertuarit në të krishterë në Kosovë

    The New York Times shkruan për të konvertuarit në të krishterë në Kosovë

    Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” në një artikull të gjatë, ka shkruar për konvertimet në Kosovë, shumica nga feja myslimane në katolike. Të konvertuarit katolikë, sipas mediumit, po shpresojnë që ta ringjallin një të kaluar para-islamike që ata e shohin si një çelës për identitetin e tyre evropian.

    Fillimisht, përmendet se sipas regjistrimit të popullësisë, 93 për qind kanë deklaruar se janë myslimanë dhe vetëm 1.75 për qind si katolikë.

    “Një numër i vogël i aktivistëve të krishterë shqiptarë etnikë, të gjithë të konvertuar nga islami, po u bëjnë thirrje të afërmve të tyre etnikë që ta shohin kishën si shprehje të identitetit të tyre. Ata e quajnë atë “lëvizja e kthimit”, një shtysë për të ringjallur një të kaluar para-islamike që ata e shohin si një spirancë të vendit të Kosovës në Evropë dhe një pengesë për ekstremizmin fetar që përhapet nga Lindja e Mesme” – shkruan “NYT”, transmeton Nacionale.

    Derisa Perandoria Osmane pushtoi atë që është sot Kosova dhe zonat e tjera të Ballkanit në shekullin e 14-të, duke sjellë me vete Islamin, shqiptarët etnikë ishin kryesisht katolikë. Nën sundimin osman, i cili zgjati deri në vitin 1912, shumica e popullit të Kosovës ndryshuan besimin fetar.

    Duke e përmbysur atë proces, tha At Fran Kolaj, prifti që bën pagëzimet në fshatin Llapushnik, shqiptarët etnikë mund të rimarrin identitetin e tyre origjinal.

    Në kishën ku bëhet pagëzimi, emblemat nacionaliste përplasen me ikonografinë fetare.

    “Është koha që ne të kthehemi në vendin ku i përkasim – me Krishtin” – tha At Fran Kolaj në një intervistë.

    Në shuma toka myslimane, konvertimi nga Islami mund të sjellë dënim të rëndë, ndonjëherë edhe me vdekje. Deri më tani, ceremonitë e pagëzimit në Kosovë nuk kanë shkaktuar kundërshtime të dhunshme, edhe pse ka pasur disa deklarata të nervozuara online.

    Arkeologët në vitin 2022 zbuluan mbetjet e një kishe romake të shekullit të gjashtë pranë Prishtinës dhe në vitin 2023 gjetën një mozaik me një mbishkrim që tregonte se shqiptarët e hershëm, ose të paktën një popull ndoshta i lidhur me ta, ishin të krishterë.

    Megjithatë, Christophe Goddard, një arkeolog francez që punon në vendin e ngjarjes, tha se ishte e gabuar të imponoheshin konceptet moderne të kombit dhe etnisë mbi popujt e lashtë.

    “Kjo nuk është histori, por politikë moderne” – ka thënë ai.

    Arber Gashi, shqiptar që jeton në Zvicër, ka udhëtuar së fundi në Kosovë për të marrë pjesë në një ceremoni pagëzimi në kishën e Llapushnikut.

    Ai dhe aktivistët e tjerë shqetësohen se financimi për ndërtimin e xhamive dhe aktivitete të tjera nga Turqia dhe vende në Lindjen e Mesme si Katari dhe Arabia Saudite, me qasjet e tyre më konservatore, kërcënojnë formën tradicionalisht të qetë të Islamit të Kosovës. Shumica e këtyre parave kanë shkuar në projekte të zhvillimit ekonomik që nuk kanë lidhje me fenë.

    Gezim Gjin Hajrullahu, një mësimdhënës 57 vjeçar, ka qenë në mesin e atyre që janë pagëzuar së fundi në Llapushnik. Ai ka thënë se iu bashkua kishës Katolike “jo për hir të vetë religjionit”, por “për shkak të identitetit kombëtar” si shqiptarë. Po ashtu, është konvertuar edhe gruaja e tij.

    Ndërkohë, disa fjalë në lidhje me këtë çështje, i ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kryeministri në një intervistë në Prishtinë, hodhi poshtë rëndësinë e fesë për identitetin shqiptar.

    “Për ne, fetë erdhën dhe shkuan, por ne jemi ende këtu,” tha ai. “Për shqiptarët, përsa i përket identitetit, feja nuk ka qenë asnjëherë e rëndësisë së parë” – shtoi Kurti, transmeton Nacionale.

    Boik Breca, një ish-musliman aktiv, këmbëngul se kisha Katolike nuk është një ndërhyrje e huaj, por shprehje e vërtetë e identitetit shqiptar dhe dëshmi se Kosova i përket Evropës.

    Ai tha se interesimi i tij për krishterimin filloi kur Kosova, së bashku me Serbinë, ishin ende pjesë e Jugosllavisë. Ai u dërgua në burg në brigjet e Kroacisë si i burgosur politik. Shumë nga shokët e tij të burgosur ishin katolikë, kujtoi ai dhe ndihmoi në nxitjen e asaj që tani e sheh si besimin e tij të vërtetë dhe besimin se “paraardhësit tanë ishin të gjithë katolikë”.

    “Për të qenë një shqiptar i vërtetë,” tha ai, “duhet të jesh i krishterë”.

    Kjo pikëpamje është gjerësisht e diskutueshme, duke përfshirë edhe nga Kurti.

    “S’e blej këtë,” – tha ai.

  • ​Sanksionet amerikane: Vuçiq planifikon bisedë me Putin, përmend edhe Kosovën

    ​Sanksionet amerikane: Vuçiq planifikon bisedë me Putin, përmend edhe Kosovën

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione direkte ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se nuk e dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

    Në seancën e Qeverisë së Serbisë, Vuçiq tha se vendosja e sanksione amerikane do të vendosë Beogradin zyrtar në pozitë të vështirë.

    “Problemet me rafinerinë dhe gjigantët tanë të tjerë pasojnë, në thelb me mbijetesën e ekonomisë”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai do të fliste me ambasadorin amerikan Christopher Hill dhe se më parë kishte biseduar me sekretarin amerikan të Rritjes Ekonomike Jose Fernandez.

    Vuçiq ka bërë të ditur se do të kenë 30 ditë për të vlerësuar situatën, dhe se vendimin përfundimtar duhet ta marrin deri më 15 shkurt.

    Ai kërkoi nga qeveria serbe formimin e dy ekipeve, njëra për marrëveshjen e gazit dhe tjetra për NIS dhe u caktua një seancë e re për ditën e diel.

    Vuçiq paralajmëroi se do të kërkojë një bisedë me presidentin rus Vladimir Putin rreth datës 25 janar.

    Duke folur për Kosovën, Vuçiq vuri në dukje se kryeministri Albin Kurti nuk dëshiron pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje parlamentare të 9 shkurtit, “pasi është një faktor përçarës për të”. Ai kërkoi nga kreu i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Petar Petkoviq që “të ndërmerr masa shtesë.”

    Kujtojmë, qe nga 2008, NIS është në pronësi të shumicës së kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe kompanisë së saj ombrellë Gazprom. BE dhe SHBA vendosën Gazprom Neft në listën e zezë në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.