ATV

Author: ATVLive

  • Sherri qindra milionësh Vetëvendosje – LDK

    Sherri qindra milionësh Vetëvendosje – LDK

    Qe një temë e mirë – një sherr milionësh ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes u bë temë këtyre ditëve, e një sherr qindra milionësh është kah pret!

    Një përplasje online midis Përparim Ramës dhe Hajrullah Çekut, e shpërfaqë një problem shumë të madh që e ka Kosova.

    Kuptohet kur dy politikanë kundërshtohen, minimum një prej tyre është kah rrenë, kështu që hajde të merremi pak fillimisht me Kryetarin e Prishtinës dhe Ministrin e Sportit.

    Ministri i Sportit i postoi disa foto të një projekti për një palestër multisportive në Prishtinë dhe pohoi se për ndërtimin kanë ndarë buxhet 3.5 milionë euro dhe ka një vit që po presim ndarjen e lokacionit nga Komuna e Prishtinës.

    Ky është vetëm njëri nga projektet që jemi zotuar për të investuar në infrastrukturën sportive të kryeqytetit, por kemi hasur në neglizhencë totale të Komunës së Prishtinës.

    Përparim Rama u përgjigj duke pohuar se Komuna e ka paraparë që kjo palestër të ndërtohet si pjesë e projekti të quajtur Fshati Olimpik i Prishtinës dhe Vetëvendosja duke mos votuar për miratimin e Planit Rregullues të Zonës Ekonomike, e ka bllokuar këtë projekt.

    Fshati Olimpik i Prishtinës është paraparë të ndërtohet në Bërnicë, projekti për herë të parë është bërë publik kah fundi i 2023ës, kurse para një viti, në janar të 2024-ës ishte prezantuar nga Kryetari Rama para bizniseve që mund të jenë donatorë potencialë.

    Mirëpo, ministri Çeku po pohon se palestra multifunksionale është paraparë të ndërtohet në Hajvali, jo në Bërnicë dhe për këtë janë dakorduar me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe me Komunën, e më pas Komuna nuk e ka ndarë lokacionin.

    Pse Federata e Basketbollit hyn në ekuacion? Hyn sepse Federata e ka mbaru projektin. Pra, ka qenë një plan pak më strategjik i FBK-së që të bëhen 10 palestra në krejt Kosovën, 2 në Prishtinë, 8 në komuna tjera dhe në to të mund ushtrohen sportet me dorë, plus futsalli.

    Sipas FBK-së MKRS në janar të vitit 2024 ka ndarë mjetet e nevojshme për realizimin e projektit, ndërsa FBK ka koordinuar dizajnin final të palestrës dhe është pajtuar me Komunën e Prishtinës që lokacioni më i përshtatshëm për këtë qëllim është parcela përballë kampit zhvillimor dhe stadiumit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në Hajvali. Sipas FBK-së meqë aty veç ka infrastrukturë sportive dhe kapacitete hoteliere të Federatës së Futbollit, ka qenë më e logjikshme që edhe futsalli edhe sportet me dorë të kenë një palestër në afërsi.

    Pra, nga Federata po pohon që e ka finalizuar projektin dhe ka kërkuar Hajvalinë si lokacion, nga Ministria po pohojnë se e kane buxhetuar projektin për Hajvali, kurse Komuna po pohon që këtë palestër e ka pjesë të një projekti më të madh për fshatin olimpik në Bërnicë.

    Përndryshe në Bërnicë Përparim Rama ka premtuar ndërtimin e një qendra kombëtare të sportit dhe të stadiumit nacional dhe për një mandat, as tokën nuk e ka nda, se lëre më diçka më shumë.

    Fundja, Përparim Rama, përveç kompleksit në Bërnicë ka premtuar revitalizim të Pallatit të Rinisë, tri palestra, skilift për Gërmi, e pashë te GAP-i në listë të premtimeve, patinazh, salla të edukatës fizike për të gjitha shkollat me 100 nxënës e më tepër, etj etj. Edhe evidente është që nuk i ka përmbushë këto premtime.

    Po telashja shkon përtej tij!

    Krejt këta minuta që tregova kush çka po thotë, më besoni janë të parëndësishëm në raport me dënim e vërtetë që po ndodhë.

    Nëse Përparim Rama është kah rrenë, punë e madhe. Është kah rrenë, ose është kah flet palidhje moti. Nëse Ministria e ka ndarë buxheti, punë e madhe që e ka buxhetuar një project që nuk ka filluar. Zatën, mos mbajtja e fjalës nga komuna po iu shërben si alibi perfekte.

    Nëse Federata është kah e pret sallën, mirë shumë, por edhe reprezantacionin e seniorëve, edhe U20shat na i ka mundur Irlanda e situata është urgjente!

    Nëse Komuna dhe Ministria nuk merren vesh për 3 milionë e gjysmë projekt, llogariteni çka ka me ndodhë 100 herë më të madh.

    Op! 250 milionë Euro, janë të zotuara ME LIGJ për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. 250 000 000 ME LIGJ të zotuara edhe ky është minimum, kjo është veç infrastruktura sportive e përcjellëse. Shpenzimet do të jenë edhe më të larta.

    Vendimi për organizim të Lojërave Mesdhetare është I 2023-ës. Në 2025-ën, lëre që nuk është ngulë asnjë baski, e asnjë objekti të ri sportive, lëre që hala s’kanë lidhje kush do ta udhëheqë projektin, por, Ligji për Lojërat Mesdhetare është miratuar në mënyrë të ngutshme në fund të vitit dhe bashkë me më shumë se 10 ligje tjera është kontestuar në Gjykatë Kushtetuese.

    Pra, për 3 milionë e gjysmë projekt, paqt llafi s ka gjë as sivjet, sepse sivjet I kemi minimum dy palë zgjedhje dhe s’kam shumë shpresë që Komuna e Prishtinës do të ndërrojë në dinamikë dhe në mentalitet.

    Për gati 300 milionë shpenzime, as që kanë nisur të mendojnë. Qeveria dhe Komuna kanë pasë mosmarrëveshje më shumë se një vit, ligji në Kuvend ka kaluar më shpejt sesa që mundet Glauk Konjufca një fortë ujë me e pi, me ligj u zotuan 250 milionë, kurse më pas PDK-ja e kontestoi në Gjykatë Kushtetuese.

    Ndërkohë, 33 mijë fëmijë të grupmoshës 10 – 19 vjet në Prishtinë, nuk kanë palestra, nuk kanë salla të sportit, nuk kanë bazena, dhe infrastrukturë të rriten normal.

    Nëse i djegim edhe këto gjenerata, vijnë edhe 31 mijë fëmijë të grup moshës 0-9, që po ashtu nuk dihet a do të kenë salla, bazena, infrastrukturë.

    Kanë shisha bara, tiktok edhe ajrin e ndotur edhe rrugët ku këmbësoret shkelen nga veturat pa mëshirë!

    Nataliteti është kah bjen, njerëzit janë kah e braktisin vendin dhe ka rrezik që pas Lojërave Mesdhetare kemi me pasë salla e palestra e bazena, por s’kemi me pasë fëmijë që të ushtrojnë aty.

    Përjashto hendbollin që I ka rezultatet seriozisht të mira dhe duket që nuk është në krizë të ndërrimit të gjeneratave, sportet tjera të palestrës janë llom, pjesërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës.

    Kuptohet, trenerat e këqij, klubet e këqija, po ashtu janë faktor! Mirëpo, për trajnerë dhe fëmijë kam folë edhe më herët!

    Ky episod ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Sportit veç tregon që politika nuk e ka telashe ta mbajë peng zhvillimin normal të rinisë.

    Nëse sot nuk kemi sportistë, nesër do të kemi pacientë – e politikës më shumë i konvenojnë pacientët!

  • “Siguria” e vilës së sekuestruar së Milan Radojiçiqit

    “Siguria” e vilës së sekuestruar së Milan Radojiçiqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Vila e sekuestruar e Milan Radojicicit buzë liqenit të Ujmanit, vazhdon të ruhet nga Policia e Kosovës.

    Por, më shumë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit administrativ që i hapi rrugë Ministrisë së Punëve të Brendshme për përdorim, objekti milionësh nuk është duke u shfrytëzuar.

    Ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të shndërrohet në stacion policor.

    Megjithatë për sigurinë e vilës, po kujdeset një numër i vogël i zyrtarëve policorë, derisa burimet i thanë ATV-së se edhe kamerat e sigurisë kohët e fundit nuk kanë funksionuar.

    Por, në Drejtorinë e Policisë në veri, thonë se numri i pjesëtarëve të Policisë aty është i mjaftueshëm.

    Elshani nuk i përjashtoi telashet me kamerat e sigurisë, por theksoi se objekti është i sigurt.

    Numri i vogël i policëve në vilë, sipas profesorit Avni Islami nuk paraqet asnjë shqetësim.

    Kjo sepse sipas Islamit, Policia gjithnjë vepron në bazë të një plani operativ.

    Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të akuzuarit kryesor për sulmin në Banjskë Milan Radojicic, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.

    Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, dhënien me qira e kishte vlerësuar si një ndër format më të duhura për administrimin e tyre deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    Vila milionëshe e Milan Radojicic po ruhet nga një numër i vogël i pjesëtarëve të Policisë, derisa pati telashe edhe me kamera të sigurisë. Megjithatë për Zëvendës drejtorin e policisë për rajonin e veriut, objekti është i sigurt

  • BE nuk jep detaje, caktimi i emisarit të ri për dialog “proces në zhvillim”

    BE nuk jep detaje, caktimi i emisarit të ri për dialog “proces në zhvillim”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tre javë para fundit të mandatit zgjatur të Miroslav Lajcak si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian nuk dha detaje të bollshme lidhur me pasuesin eventual në këtë detyrë.

    Megjithatë, zëdhënësja për Punë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, la të kuptohet se mund të ketë lajme së shpejti.

    “Mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak, mbetet në fuqi deri në fund të Janarit, dhe procesi i zgjedhjes së pasuesit të tij është në zhvillim. Kështu që, do të ketë më shumë detaje për të përcjellë”, tha Hipper.

    Javën e kaluar, pati raportime se diplomatët Peter Sorensen nga Danimarka dhe Pekka Haavisto nga Finlanda, janë kandidatët e interesuar për t’u bërë pjesë e lehtësimit të dialogut Kosovë-Serbi.

    Krahas miratimit nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, kusht për emërimin eventual të Përfaqësuesit të ri të Posaçëm është pajtimi ndërmjet 27-shteteve anëtare.

    Një tjetër mundësi do të ishte emërimi i një këshilltari për dialog nga Kaja Kallas, për çka nuk do tw ishte i domosdoshëm konsensusi brenda BE-së.

    Por, me nisjen e procesit për zgjedhjen e emisarit të ri ky version mbetet më pak real.

    Edhe pse vlerësoi se më mirë do të ishte sikur Kallas të merrte personalisht në përsipër procesin, opinionisti Bekim Kabashi tha se megjithatë emisari nuk ka rol përcaktues.

    “Angazhimi dhe përgjegjësia do të ishte më e madhe. Pra, për bindjen time, do të kishte rol më të madh direkt BE-ja. Por, edhe në këtë formë, siç ka qenë me z. Lajcak, mendoj se z. Lajcak ka
    qenë më shumë një përfaqësues teknik sesa vendimmarrës, shto këtu faktin se kanë qenë të përfshira Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mendoj se kanë pasur rol më të madh sesa vet i BE-së”, tha Kabashi.

    Ndërlidhur me këtë ai mori shembull rolin që patën nga jashtë, veçmas këshilltarët e Kancelarit të Gjermanisë dhe Presidentit të Francës.

    “Në momente vendimtare ata kanë marrë vendime dhe kanë ardhë me vendime dhe kanë dalë propozime konkrete, siç ka qenë draft-statuti. Për bindjen time Lajcak ka qenë veç postier aty, jo ai që ka përcaktuar formën e atij dokumenti të rëndësishëm që është akoma në tavolinë”, tha Kabashi.

    Miroslav Lajcak, të cilit më 31 Janar i përfundon mandati i zgjatur, nisi punën si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi më 2 Prill 2020.

    Në të kaluarën, ish-zëvendës presidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini e kishte udhëhequr vetë procesin e dialogut, pa emisar.

  • Çeku dhe Rama “përplasen” për lokacionin e palestrës multisportive në Prishtinë

    Çeku dhe Rama “përplasen” për lokacionin e palestrës multisportive në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Formën e komunikimit e zgjodhën nëpërmjet rrjeteve sociale.

    Ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, fajësuan njëri-tjetrin për mosrealizimin e palestrës Multisportive.

    Reagimeve të njëpasnjëshme, fillimisht I priu ministri Çeku, I cili akuzoi Komunën e Prishtinës se ka një vit që ka neglizhuar ndarjen e lokacionit për projektin e Palestrës Multisportive, për ndërtimin e së cilës thotë se është ndarë një buxhet prej 3.5 milionë euro.

    Ndërsa, kryetari Rama i është kundërpërgjigjur ministrit Çeku duke thënë se kanë qenë asamblistët e LV-së që katër herë e kanë refuzuar lokacionin dhe planin për Palestër.

    Dy ditë më vonë, reagimet e Ramës, Çeku i quajti gënjeshtra.

    Atë çka tha ministri Ceku, po e thotë edhe Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Besart Krasniqi.

    Sipas tij, gjatë vitit 2024, në asnjërën seancë komunale, nuk është prezantuar lokacioni se ku pritet të ndërtohet palestra. Por, Krasniqi zotohet se do të votojnë PRO, kurdo që kjo çështje të jetë në rend dite.

    Lidhur me këtë, askush nga pushteti komunal e as nga përfaqësuesit e asamblesë komunale nga lidhja demokratike, nuk pranuan të deklarohen gjatë të martës.

    Sidoqoftë, nga kjo situatë po konsiderohet se pasojat do t’i bartin qytetarët.

    Lokacioni për realizimin e Palestrës Multisportive, për të cilin është dakorduar edhe Federata e Basketbollit gjendet në Hajvali, pranë Qendrës Nacionale të Futbollit.

    Mirëpo, nuk dihet se kur do të dërgohet kjo pikë në kuvendin komunal për miratim.

  • Dyfishohen rastet pozitive me HIV AIDS

    Dyfishohen rastet pozitive me HIV AIDS

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Qendrën Klinike Univeristare përkatësisht në Klinikën Infektive, nga muaji Janar deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar 31 raste kanë rezultuar pozitiv me HIV-AIDS.

    Mosha e prekur është ndërmjet 20 deri në 30 vjeç.

    Sipas Infektologut Murat Mehmeti, ka raste me shumë që I takojnë komunitetit MSM(burrat që bëjnë seks me burra).

    ‘’Saj përket rasteve të reja me hiv infeksion gjatë këtij viti kemi pas deri me tani që faktikisht po përfundon ky vit 31 raste të reja do me thanë që janë lajmëru në Klinikën tonë. Tani për tani nuk është që kemi asnjë rast që është I shtrirë në Klinikën Infektive por të gjithë do të thotë janë në gjendje stabile dhe nuk kanë ndonjë problem ose nevojë për tu shtruar në spital’’, tha Mehmeti.

    Vetëdijesim me të madh ndaj sëmundjes HIV-AIDS ai e sheh të nevojshëm të ketë sidomos ndaj moshës se re.

    ‘’Kryesisht I takojnë moshës se re, nga 20-30 vjeq shumica, pritet rritje e numrit të rasteve të reja. Duhet rritur vetëdijesimi sidomos moshës se re, ka reagensa mjaftueshëm’’, tha Mehmeti.

    Ndërsa nga Asociacioni Kosovar të personave me HIV-AIDS, thonë se nga ana e Klinikës Infektive dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të bëhet me shumë lidhur me testimin e popullatës në mënyrë që të zvogëlohet numri ose të mbahet me këtë normë.

    ‘’Është shqetësuese mirëpo unë do të thoja se këto tre vitet e fundit është rritja e personave të infketuar por sivjet ka tejkaluar normën është dyfishuar gati numri i personave. Është shqetësuese jo për klinikën por për krejt popullatën e Kosovës dhe Kosovën në veçanti. Se rritja e numrit tregon që duhet të ndërmarrum disa masa që të arrijmë që se pakti të mbajmë në këtë nivel ose që të zvogëlohet numri ose personave të infektuar me HIV. Vitin 2021, 2022 dhe 2023 ka qenë 15 deri 21 sivjet është në rritje pra kryesisht popullata e re dhe të komunitetit MSM mirëpo numri është ka rritet në përgjithësi sivjet’’, tha Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave me HIV.

    Po ashtu Gjonbalaj thekson se edhe numri i qendrave të testimit në Kosovë nuk është i mjaftueshëm.

  • Fatmir Bytyqi, i vetmi kandidat i pavarur për deputet

    Fatmir Bytyqi, i vetmi kandidat i pavarur për deputet

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Garës për ta fituar një ulëse në kuvend, i hyri i vetëm.

    Fatmir Bytyqi është i vetmi kandidat i pavarur, që në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, synon ta marr postin e deputetit.

    58-vjeçari nga Prizreni, i cili aktualisht jeton në Gjermani, në një intervistë për ATV-në, tregon arsyet pse nuk iu bashkua asnjë subjekti politik.

    “Përpjekjet e mija për të ndikuar në përmirësimin e shoqërisë tonë kanë qenë te hershme, por nuk e kamë gjetur vetën në asnjë subjekt politik, për atë arsye kam vendor me kandidu vetëm”, tha Bytyqi.

    Bytyqi, ishte një nga themeluesit e Partisë Parlamentare të Kosovës, e së fundmi ishte edhe pjesë e LDK-së, por që thotë se e humbi statusin e anëtarit të partisë.

    “Tash jam i vetëdijshëm që e kamë humbur statusin e anëtarit të partisë sepse sipas statusit të LDK-së, nëse një anëtarë i saj kandidon si i pavarur e humb statusin e kandidatit. Nuk kam pasur as ofertë as nuk kam bërë përpjekje të jem pjesë e tyre”, tha Bytyqi.

    E në rast se arrin të marr besimin e qytetarëve, përfaqësimi i tyre në vendin ku miratohen ligjet, do jetë në disa fusha specifike.

    “Unë në programin zgjedhor i kam paraqitur 3 pikat kryesore, ato janë reformimi i sistemit arsimor, lufta kundër dhunës dhe reformimi i strukturave të subjekteve politike. Por kjo nuk do të thotë që unë aktivitetin tim do ta kufizoj vetëm në këto pika sepse besoj që kam ide dhe kapacitet të ndikoj edhe në çështje tjera”, shtoi Bytyqi.

    Bytyqi pret që nga e shtuna ta fillojë fushatën e tij zgjedhore, derisa në garë do të jetë me numrin 128.

  • Miratimi i ligjit për lirinë fetare kthehet në pikën zero

    Miratimi i ligjit për lirinë fetare kthehet në pikën zero

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Përpjekjet për miratimin e Projektligji për Lirinë Fetare janë kthyer në pikën zero, pasi projektligji i miratuar në qeveri fiks para dy viteve, nuk arriti të miratohet nga legjislativi.

    Kjo nismë ligjore, e cila parasheh që 7 bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, duke përfshirë këtu edhe Kishën Ortodokse Serbe, nuk mund të miratohet në Kuvend pa votën e dy të tretave të deputetëve.

    “Lista serbe qëllimisht e ka bojkotuar… përkundër të metave sa I përket bashkësive fetare të reja themelimit me një numër shumë të ulët të anëtarëve, unë konsideroj që është një lloj politike për të parandaluar çdo lloj avancimi në republikën e Kosovës”, tha Asdren Bytyqi, jurist.

    Formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë theksohet edhe në nenin e 7 të marrëveshjes së Brukselit. Aty po ashtu kërkohet që palët të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

    Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se një gjë të tillë tashmë e kishin sponsorizuar në projektligjin për lirinë fetare, duke garantuar se nuk bëhet fjalë për ekstraterritorialitet apo kompetenca speciale për kishat ortodokse.

    Megjithatë, të martën Blloku 27 anëtaresh insistoi në miratim sa më parë të Ligjit për liritë fetare.

    “Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit që të mbështesin miratimin e ligjit”, tha Anita Hipper, zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Në Kosovë, bashkësitë fetare rregullohen me një ligj i cili ishte miratuar në vitin 2006. Edhe në legjislaturat e kaluara ishte tentuar të miratohej një ligj i ri, por që pa sukses për shkak i mungesës së votave.

  • PDK-ja hap fushatën zgjedhore me 11 janar në Prishtinë

    PDK-ja hap fushatën zgjedhore me 11 janar në Prishtinë

    Përgatiti: Tringa Ismajli

    Mbi 1700 tubime elektorale, Partia Demokratike e Kosovës, ka planifikuar t’i mbajë gjatë fushatës zgjedhore.

    Këtë e bëri të ditur, Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Citaku, e cila mes tjerash edhe njëherë potencoi vizionin e partisë për zgjedhjet e shkurtit.

    Derisa tha se zyrtarisht fushata për PDK-në, fillon më 11 janar, Citaku tha se Blerand Stavileci është caktuar si zëdhënës zyrtar i fushatës, i mbështetur nga nënkryetarja Besianë Musmurati.
    Me këtë rast, Stavileci premtoi korrektësi për mediat.

    “Angazhimi ynë për transparencë dhe bashkëpunim me mediat do të jetë prioritet. Vlerësojmë lart rolin e gazetarëve në demokracinë tonë dhe premtojmë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë fushatës”, tha zëdhënësi zyrtar i fushatës”, tha Stavileci.

    Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, garon me numrin 131, me kandidat për kryeministër, Bedri Hamza.

  • Qytetarët e painformuar për mënyrën e votimit me 9 shkurt

    Qytetarët e painformuar për mënyrën e votimit me 9 shkurt

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Data e zgjedhjeve po afrohet, por shumë qytetarë nuk e kanë ende të qartë mënyrën se si do të votojnë në këto zgjedhje.

    Madje edhe për mundësin e votimit të më shumë se 5 deputetëve, që është risi e këtyre zgjedhjeve thonë se nuk kanë njohuri.

    Megjithatë presin që informatat e tilla t’i marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Të paqartë mënyrën e votimit e kanë edhe qytetarët nga diaspora.

    Për shkak të ndryshimeve në ligjin për zgjedhje, kampanja informuese do të ishte dashur të niste që moti sipas ish-kryetari të KQZ-së, Mazllum Baraliu.

    Nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve nuk treguan se kur pritet të nisin kampanjat informuese për mënyrën e votimit për zgjedhjet e rregullta paralamentare dhe as se sa buxhet është ndarë për to.

    Në zgjedhjet lokale të vitit 2021 afër 70 mijë fletëvotimeve ishin të pavlefshme dhe të zbrazëta.

  • Vetëm edhe një ish-ushtar i UÇK-së i ndaluar në Serbi

    Vetëm edhe një ish-ushtar i UÇK-së i ndaluar në Serbi

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në mungesë të dëshmive, Gjykata e Lartë e Beogradit nuk arriti të ngre aktakuzë ndaj, Hasan Dakajt dhe Sadik Durakut, të cilët u liruan përfundimisht.

    Por, fatin e tyre, mund të mos e ketë edhe ish-ushtari tjetër i UÇK-së, Tefik Mustafa i cili është arrestuar në qershor të vitit 2024.

    Kjo pasi që, Gjykata e Lartë në Serbi, ka avancuar në procedurën ndaj tij.

    “Në portalin e Gjykatës, është dhënë njoftimi për ngritjen e aktakuzës ndaj Tefik mustafës. Është në fazën e konfirmimit. Mustafa akuzohet për krime lufte. Por, ndaj tij nuk ka filluar gjykimi”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Me ngritjen e kësaj aktakuzë, Tefik Mustafa, tani mbetet i vetmi ish-ushtar i-UÇK-së, i ndaluar në Serbi, përveç Nezir Mehmetajt ndaj të cilit ka vendim dënues.

    Për këto raste, njohës të çështjeve juridike, vlerësojnë se institucionet e vendit nuk po bëjnë mjaftueshëm.

    “Qeveria e Kosovës në rastin konkret të Hasan Dakajt u tregua neglizhente dhe passive”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.

    Në këtë drejtim, vlerësohet se të arrestuarit penalizohen nga një fakt.

    “Mungesa e bashkëpunimit juridik në mes Kosovës e Serbisë po vazhdon të krijojë probleme në trajtimin e këtyre rasteve”, tha Alija.

    Që nga viti 2019, Serbia i ka arrestuar 4 ish-ushtarë të UÇK-së.