ATV

Author: ATVLive

  • APK-ja dërgoi në Prokurori disa raste që ndërlidhen me korrupsion

    APK-ja dërgoi në Prokurori disa raste që ndërlidhen me korrupsion

    Prokurorët në Kosovë kanë në duar mbi 20 raste në të cilat, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit beson se ka bazë për hetime që ndërlidhen me korrupsionin.

    “Këtë vit nuk janë dërguar shumë raste. Nëse nuk gaboj është rreth 20 ose 25 si total sepse jemi kujdesur ose të paktën kemi besuar që ato që dërgojmë janë më mirë të përgatitura dhe ka bazë të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë…Këto të gjitha janë në shqyrtim. Nuk e besoj që ndonjëra nga këto që janë dërguar këtë vit ka arritur fazën finale të hetimeve”, tha drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.

    Në prokurori, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar edhe mbi 15 raste për mosdeklarim të saktë të pasurisë.

    Drejtori i kësaj agjencie, Yll Buleshkaj tregon se kanë shqiptuar rreth 100 gjoba për vonesa në deklarimin e pasurisë.

    “Kemi rreth 12 mijë zyrtarë publik të cilët janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë. Nga këta 12 mijë kemi pasur më pak se 100 të cilët nuk e kanë deklaruar në kohë dhe nuk e kemi asnjë që nuk e ka deklaruar brenda afatit shtesë që jep ligji prej 15 ditëve. Kemi pasur rreth 100 gjoba, më saktë 98 gjoba të cilat i kemi shqiptuar për vonesa”, tha Buleshkaj.

    Ai thotë se rasti i ministres së Jashtme Donika Gërvalla, e cila u shpall e pafajshme në akuzat për mosdeklraim të pasurisë në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë më kompleks.

    “Ne kemi një trend të fundit që është jo shumë pozitiv për ne, ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori, nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë…Ky rast ka qenë pak më kompleks, sepse pasuria që është menduar që nuk është deklaruar plotësisht, nuk ka qenë në Kosovë dhe ka qenë verifikimi i saj jashtëzakonisht i vështirë, nëse jo i pamundur”, tha Buleshkaj.

    Dënimet më të larta që i ka shqiptuar Gjykata në rastet e korrupsionit janë rreth 1 mijë e 200 euro dhe dënim me burg me kusht. /atvlive.tv

  • Kosova ende nën masa të BE së, Kurti kërkon të hiqen

    Kosova ende nën masa të BE së, Kurti kërkon të hiqen

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në fund të mandatit si Kryeministër dhe pas përfudnimit të mandatit të ndërmjetësuesve nga BE-ja në dialogun Kosovë – Serbi, Albin Kurti u deklaruar rreth sanksioneve në fuqi ndaj Kosovës. Sipas tij, tash në potez është Brukseli.

    “Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell në mandatin e tij kur ishte i dërgoi një raport 27-ëshes së Bashkimit Evropian ku ju tha atyre hiqni masat për Kosovën, mirëpo janë disa dinamike të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj të hiqen sa më parë. Besoj që topi është te ndërmjetësi në këtë kuptim, sepse nuk mund të presim që Beogradi përnjëherë do të bëhet aktor konstruktiv dhe do të thotë po e nënshkruaj marrëveshjen edhe le ta zbatojmë me një plan sekuencimi”, ka thënë Kurti.

    Me Josep Borrelin në krye të diplomacisë së BE-së dhe Miroslav Lajckun si përfaqësues për dialog,. Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit në shkurt 2023, dhe Aneksit të Ohrit në mars të po atij vitit, por zbatim të tyre nuk pati.

    Pesë ditë para se të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore, Kurti përsëriti qëndrimin e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    “Nuk mund të flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke braktisur njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke defaco. Unë nuk e mohoj që pararendësit dy herë e kanë nënshkruar Asociacionin, më 2013 dhe 2015, nuk e mohoj një gjë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë nuk pranoj që të vendoset në qendër Asociacioni në raportet Kosovë-Serbi”, ka thënë Kurti.

    Kurti, po ashtu tha se marrveshja e arritura në Bruksel dhe shtojca e saj në Ohër, u shkelën nga Serbia megjithatë nuk pati reagime nga Brukseli.

  • Licenca e Avancuar, vetëm shtatë kandidatë e kaluan provimin

    Licenca e Avancuar, vetëm shtatë kandidatë e kaluan provimin

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vetëm 54 mësimdhënës i janë nënshtruar vullnetarisht provimit për pajisje me licencë të avancuar, muajin e kaluar.

    36 prej tyre ishin të ciklit klasor, 3 mësimdhënës të Gjuhës shqipe dhe 15 të Matematikës.

    Kjo pjesëmarrje e vogël, sipas njohësit të arsimit, Rinor Qehaja, reflekton pasiguri.

    “Vet frika se mos nuk po i arrijnë pikët e nevojshme i ka ngjallë mosbesim”, tha Qehaja.

    Kriterin e kalueshmërisë prej 80% e arritën vetëm shtatë mësimdhënës, pesë nga cikli fillor, një i matematikës dhe një i gjuhës shqipe. Kjo i bie vetëm 13% e gjithë kandidatëve.

    Në provim ishin gjithsej 38 pyetje, 20 të fushës profesionale dhe 18 të fushës pedagogjike. Më shumë se gjysma e tyre lidhej me kurrikulën.

    Sindikata e Arsimit, në bazë të këtyre rezultateve, tash kërkon më shumë angazhim nga Ministria.

    “Duhet me dalë ministria me i cek, këtu ka pas më pak pikë në këtë fushë dhe t’i spikatin ato duke krijuar rrethana në përmirësimin e tyre”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

    ATV-ja kupton se gjatë janarit, kandidatët që tashmë janë pajisur me licencë të avancuar, do të vlerësohen edhe nga inspektorati i Arsimit ku përfshihen, Vlerësimin e portfolios profesionale me 42 përqind të pyetjeve dhe Vëzhgimin në klasë – Vlerësimin e orës mësimore, 58%.

    Pasi ta kalojnë këtë fazë, kandidatëve do t’u rritet koeficienti i pagës për 1.2 njësi.

  • PSRK-ja e dorëzon aktakuzën e ndryshuar për masakrën e Mejës

    PSRK-ja e dorëzon aktakuzën e ndryshuar për masakrën e Mejës

    Përgatiti: Nora Luta

    Janë fjalët e para që dalin nga Cymë Avdullahi, kur përmendet biri i saj Imeri, i cili u vra në masakrën e Mejës 25 vjet më parë.

    78 vjeçares, shpresa për drejtësi nuk i është zbehur, derisa thotë se kryerësit e masakrës duhet të marrin dënimin e merituar.

    ATV-ja mëson se Prokuroria Speciale e ka dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës, aktakuzën e ndryshuar për masakrën e Mejës dhe rajonin e Rekës së Kuqe në fund të dhjetorit, disa muaj pasi kishte kërkuar afat shtesë për plotësim.

    53 persona akuzohen në mungesë, prej tyre 16 me pozita udhëheqëse.

    Derisa thanë se është hap i vonuar, familjarët theksuan se zhvillimi i një gjykimi, ndonëse në mungesë është domethënës për ta.

    Avdullahi thekson se dhimbja që e mbajnë mbi supe më shumë se dy dekada, do të lehtësohej me një aktgjykim dënues.

    Sipas aktakuzës së, që u ngrit në dhjetor të 2023-s, më 27-29 prill të 1999-s, gjatë një operacioni të përbashkët nga grupe paramilitare serbe, UJ-së dhe MPB-së, u vranë 370 civilë.

    Por, Gjykata e Prishtinës në prill të po të njëjtit vit ia ktheu aktakuzën në mungesë për përmirësim duke kërkuar ndër të tjera, që të identifikojë veprimet e të pandehurve, në raport me veprën penale për të cilën akuzohen.

    Gjykata nuk ka kthyer përgjigjeje gjatë ditës se kur mund të fillojë procesi gjyqësor.

  • Reduktime të rrymës në disa fshatra të Ferizajt, ankohen bizneset

    Reduktime të rrymës në disa fshatra të Ferizajt, ankohen bizneset

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Razim Ahmeti, ka disa orë që nuk po arrin ta kryej punën e tij në këtë punëtori që merret me metal në fshatin Doganaj të Ferizajt. Ai ankohet se reduktimet e energjisë elektrike po iu shkakton telashe edhe me klientët.

    ‘’Është fabrikë e metalit, tash rrymë s’kena po na shkakton edhe në punë, po e sheh edhe vet çka me tregu po shihet edhe vet tu ndejt jam duart në xhepa qysh s’po na shkakton telashe po cka me ba, tash na me ta s’mujna mu shty’’, tha Razim Ahmeti, banor i fshatit Doganaj.

    Hiq me mirë gjendja me energji elektrike nuk qëndron as në fshatin Greme.

    Këtu, ndonëse ka energji elektrike, Besim Ahmeti nuk po arrin t’i përdor pajisjet për prodhimin e dritareve, për shkak të tensionit të ulët të rrymës.

    ‘’Për momentin rrymë ka problemin e kena me tensionin është I ulët nën 200 Kilovat dikun 290 unë e kam një biznes të vogël makineritë nuk funksionojnë se prej tensionit ka pjesë të makinerive që nuk funksionojnë kështu që si biznes jemi duke pushuar. Momente momente ndalen me reduktime 1 ore ose 1 orë e gjysmë ndërsa me herët ka pas deri në 7 orë. Banorëve ju kanë paraqit dëme të ndryshme si dhe bizneseve ka pas biznese që janë detyru me ble gjeneratorë për me punu’’, tha Ahmeti.

    Ankesa të ngjashme ka edhe në fshatin Bibaj.

    ‘’Një lini ban dy lini nuk bajn, kemi reduktime 6 orë pa rrymë e 2 orë me rrymë, gjendja është kështu nja 3 javë ditë rregullisht është qishty. Kemi kërku edhe trafo me ndrru. Janë shumë kallabllak shpija edhe që janë shtu. Me shumë jena pa rrymë se me rrymë’’, tha Izahir Dernjani, banor i fshatit Bibaj.

    Në anën tjetër, problemin me energji elektrike në këtë komunë, KEDS-i vazhdon ta arsyetoj me rritjen e konsumit, duke mohuar se bëhet fjalë për reduktime.

    ‘’Një numër shumë i vogël të konsumatorëve tanë në Ferizaj, nuk kanë furnizim me energji elektrike për shkak të mbingarkesës të shfaqur tash e disa ditë. Pra me rënien e temperaturave në vendin tonë tash e dy javë, është rritur shumë edhe konsumi i energjisë elektrike. Zakonisht kjo ka ndodhur edhe në dimrat paraprak megjithatë kësaj radhe kemi pasur një rritje të konsumit të paparë ndonjëherë me parë në qoftë se para 10 vjete kemi pasur në kohën e pikut një konsum prej 1000 Megavat, se fundi para vitit të ri janë regjistruar shifra deri në 1500 Megavat të konsumit të energjisë elektrike’’, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

    Nga KEDS-i thonë se mbingarkesa ditë me parë ka pasur edhe në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe të Gjakovës, por që tashmë gjendja është përmirësuar.

  • S’ka Kadastër Pyjor, nuk dihet sa hektarë male i ka Kosova

    S’ka Kadastër Pyjor, nuk dihet sa hektarë male i ka Kosova

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Rreth 16 mijë hektarë tokë pyje, apo deri në 3.5 hektarë në ditë, i ka humbur Kosova mes viteve 2000 dhe 2022, sipas organizatës Sustainability Leadership Kosova. (sustejn-abilliti lidership)

    Por, një pasqyrë të qartë nuk e ka edhe Ministria e Bujqësisë, meqë edhe 25 vjet pas luftës nuk ka kadastër pyjor. Rrjedhimisht, institucionet përkatëse nuk kanë të dhëna të sakta se sa hektarë pyje i ka Kosova.

    Sipas, ministrit Faton Peci, ky është një problem i madh, që brenda tri vjetësh do të këtë zgjidhje, meqë mjetet financiare janë ndarë.

    “Buxhet për tri vite për kadastrin pyjor. Nuk ka kadastër dhe ky është një problem shumë i madh, jashtëzakonisht madje. Me kadastrin pyjor do të identifikohet pronat sepse nuk janë të identifikuara”, ka thënë Peci.

    Mungesa e kadastrit pyjor ndikon që institucionet relevante, të mos kenë të dhëna të sakta për shkatërrimin që po u bëhet maleve pothuajse çdo ditë.

    Megjithëse, sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vetëm rreth 10 deri në 15 për qind e tokës pyjore në vend pritet sipas legjislacionit në fuqi.

    Kurse, sipas studimeve të SLK-së, degradimi i pyjeve është në nivele më të larta, në zonat kufitare, ku monitorimi është më i vogël. Pikërisht, në fund të këtij viti, dy kosovarë nga Podujeva u arrestuan nga autoritetet serbe, pasi u kapen duke prerë dru në territorin e Serbisë.

    Shkatërrimi i pyjeve, rrjedhimisht ndikon negativisht në terë ekosistemin malor që strehon specie të ndryshme, kafshë të botës së egër dhe gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut.

    “Malet janë mushkëria e botes. Dëmtimi i tyre ka efekte zingjirore negative. Padyshim që institucionet duhet ta rregullojnë edhe çështjen kadastrale pyjore në mënyrë që të dihet saktë sipërfaqja malore. Pastaj krijohen mundësit që të intervenohet më saktë pastaj edhe të studiohen në aspekte tjera si p.sh. te kuptohet sa specie jetojnë sa kafshë etj”, tha Arian Mavriqi, promovues i florës dhe faunës.

    Sidoqoftë, sektori i pylltarisë, sipas ministrit Faton Peci, ka pësuar transformim përmes miratimit të Ligjit të ri për Pyjet dhe hartimit të dokumenteve strategjike si Strategjia për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030 dhe Planin Kombëtar për Pyllëzimin dhe Ripyllëzimin.

  • Shorti për zgjedhje, LV 118, PDK 13, LDK 124, AAK NISMA 137

    Shorti për zgjedhje, LV 118, PDK 13, LDK 124, AAK NISMA 137

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Subjektet politike që do i hyjnë garës për zgjedhjet parlamentare, tashmë kanë marrë edhe numrin që do e kenë në fletëvotim.

    Meqë në garë janë 28 subjekte përfshirë koalicionet e nismat qytetare, numrat qenë nga 111 në 138.

    Kësisoj të parin e mori Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës ndërkaq të fundit partia Fjala.

    Partia më e madhe në vend që aktualisht udhëheq qeverinë Lëvizja Vetëvendosje, në garë do të jetë me numrin 118.

    Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare, do të bartë numrin 131 në fletëvotim.

    124, do jetë numri që do të identifikojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës, në ditën kur qytetarët do të iu drejtohen kutive të votimit.

    Numrin e parafundit në listë 137 do ta bartë koalicioni AAK- Nisma.

    Koalicioni i shkrirë në listën për familjen, do të garoj me numrin 129.

    Prezent në sallë nuk qenë përfaqësuesit e partive serbe, megjithatë numrat i morën.

    Partia më e madhe e serbëve, lista serbe, në zgjedhjet parlamentare do ta bartë numrin 112, ndërkaq Srpska Demokratija 116.

    Fushata zgjedhore, nis nga e shtuna e 11 janarit, ndërkaq zgjedhjet parlamentare do të mbahet me 9 shkurt.

  • Shtohen rastet me grip sezonal, vazhdon vaksinimi

    Shtohen rastet me grip sezonal, vazhdon vaksinimi

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Me fillimin e stinës së dimrit, janë shtuar rastet e gripit sezonal. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës që nga muaji tetor e deri më tani janë konfirmuar gjithsej 52 raste më të rënda me grip.

    Si rrjedhojë edhe interesimi për tu vaksinuar kundër gripit sezonal është rritur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet.

    ‘’Gjithsesi dominon grupmosha e moshës se shtyer 65 e mbi ku prej totalit të vaksinimit i kemi dikun mbi 6 mijë doza të dhëna për këtë grupmoshë e këto tjerat me numër pak me të vogël, po në total është 10 mijë deri me tani”, tha doktoresha e Mjekësisë Familjare, Florina Ushaku.

    Ushaku thotë se edhe grupmoshtat tjera janë të rrezikuara nga gripi sezonal.

    ‘’Gjithmonë presim një përkeqësim prej sëmundjes se gripit mirëpo nuk përjashtohen edhe grup mosha tjera, s’do të thotë se mosha me qenë e shtyer mundet me qenë edhe person i ri i cili probleme shëndetësore duke përfshirë mushkëritë veshkët, ndonjë sëmundje kronike që duhet me marrë vaksinën, madje nuk përjashtohet mundësia për fëmijë të vegjël se kanë probleme shëndetësore’’, tha Ushaku.

    Ndryshe nga Prishtina, në Komunën e Fushë Kosovës, numri i të vaksinuare është dukshëm më i ulët.

    “2500 vaksina të cilat kanë qenë në dispozicion prej 1 tetorit të vitit 2024 për ofrim të pacientëve deri me tash me thanë numri I qytetarëve që kanë marrë vaksinën janë rreth 2100 qytetarë dhe janë në dispozicion edhe 400 vaksina’’, tha Mustafë Gashi, doktor i Mjekësisë Familjare.

    Me qëllim të parandalimit të rasteve të gripit sezonal, Instituti kombëtar i shëndetësisë Publike vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në qendrat e mjekësisë familjare në komunat ku jetojnë.

  • Siguria në veri nën kontroll, por nuk përjashtohen sulme tjera

    Siguria në veri nën kontroll, por nuk përjashtohen sulme tjera

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se siguria në këtë komunë veriore është nën kontroll, pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit. Megjithatë, nuk përjashton mundësinë që diçka e tillë mund të përsëritet sërish.

    Zeqiri i ka publikuar disa kërcënime gjatë vitit të kaluar, që i kanë shkuar në gjuhën serbe, por tregon se nuk ka të angazhuar mbrojtje të afërt.

    Si kryetar që vjen nga pakica shqiptare në këtë komunë, thotë se deri tash ka tentuar ta respektojë diversitetin etnik, edhe në çështjet e punësimit.

    ‘’40 janë të punësuar në komunë në detyra të ndryshme. Mundet të jetë përqindja e serbëve më e madhe, mos të them 50-50,mirëpo i shqyrtojmë hapësirat e punësimit, jemi në trend të hapjes të konkurseve”, tha Zeqiri.

    Ndërsa nuk ankohet ndaj pushtetit qendror, edhe pse thotë se nuk janë realizuar të gjitha premtimet.

    “Derën hapur e kemi tek secili agjenci të qeverisë të Kosovës, nuk kemi diçka që anashkalohet, premtime kemi shumë, ndoshta realizime më pak”, tha Zeqiri.

    Buxheti për komunën e Zubin Potokut për 2025 është rreth 3.4 milionë euro. /atvlive.tv

  • Gjermania vitin e kaluar 14 për qind të konsumit elektrik e plotësoi nga energjia diellore

    Gjermania vitin e kaluar 14 për qind të konsumit elektrik e plotësoi nga energjia diellore

    Në Gjermani, vendi me konsumin më të lartë të energjisë në Evropë, energjia diellore plotësoi afërsisht 14 për qind të konsumit të energjisë elektrike të vendit gjatë vitit të kaluar, tregon raporti i Shoqatës Gjermane të Energjisë Diellore (BSW).

    Sipas raportit, kapaciteti i instaluar i Gjermanisë i bazuar në energjinë diellore është rritur me 10 për qind në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, më shumë se 1 milion sisteme të energjisë diellore me një fuqi prej më shumë se 17 gigavatësh filluan të sigurojnë energji elektrike në rrjetin e vendit.

    Përderisa kapaciteti total i instaluar i vendit i bazuar në energjinë diellore tejkaloi kufirin historik prej 100 gigavatësh për herë të parë, afërsisht 14 për qind e konsumit të energjisë elektrike në Gjermani u plotësua nga energjia diellore vitin e kaluar.

    Pjesën më të madhe në rritjen e energjisë e ka pasur tregu i instalimeve për banim, i cili është rritur me 40 për qind krahasuar me një vit më parë dhe është vënë në përdorim 6,3 gigavat energji.

    Gjermania synon të arrijë një kapacitet të instaluar prej 215 gigavatësh në energjinë diellore deri në vitin 2030.

    Kreu i BSW-së, Carsten Körnig tha se nëse rritja në tregun e energjisë diellore vazhdon në të njëjtin nivel në dy vitet e ardhshme, Gjermania do t’i afrohet objektivit të saj prej 215 gigavatësh.

    “Ndërtimi i sistemeve të energjisë diellore dhe sistemeve të ruajtjes është shumë i rëndësishëm për sigurimin e energjisë elektrike të lirë në të ardhmen dhe uljen e kostove të ndryshimeve klimatike. Prandaj, qeveria e ardhshme federale duhet të heqë barrierat e tregut dhe të sigurojë një kornizë tërheqëse investimi”, tha ai. /AnadoluAgency