ATV

Author: ATVLive

  • Zgjedhjet, votimi me kusht do të bëhet vetëm në qendra të caktuara

    Zgjedhjet, votimi me kusht do të bëhet vetëm në qendra të caktuara

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Vetëm nga një qendër e votimit në secilin prej komunave, do të jetë në dispozicion për qytetarët që votojnë me kusht, në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku në secilin vendvotim u bë votimi i dyfishtë kësaj radhe me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme u ndryshua kjo procedurë.

    “Ky proces u mundësua në secilën qendër votimi në procese të kaluara zgjedhore, më çdo ka ekzistuar një vendvotim i dyfishtë ku qytetarët kanë votuar me kusht. Kështu nuk do të jetë më 9 shkurt ngase votimi do të jetë I mundur vetëm në qendra të caktuar të votimti. KQZ e ka miratuar nga një qendër enkas për votim me kusht”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Ndryshimi i kësaj procedure është mirëpritur nga shoqëria civile. Madje, sipas Eugen Cakollit nga KDI, ndryshimet e tilla duhet të shihen si tranzicion për ta larguar tërsisht votimin me kusht.

    “Votimi me kusht I ideuar si I tillë për shkak të zhvendosjes së qytetarëve, nuk ka qenë I nevojshëm tash e sa kohë, kemi vlerësuar pozitivisht ndryshimin, që të mos kemi afërsisht 1000 vendvotime sepse ka pasur vonesa në certifikimin e rezultateve por ka rritur edhe mundësinë e manipulimit nga komisioner të pa përgjegjshëm. Duhet të shihet si tranzicion drejt largimit të përgjithshëm të votimit me kusht”, tha Cakolli.

    Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të 2021-ës, ishin 18,571 vota me kusht.

    Ndërkaq, sipas KQZ-së janë mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mirëpo lista finale e votuesve megjithatë nuk është pastruar.

  • Ndryshime nga Facebook, “Meta” i jep fund programit për kontrollimin e fakteve

    Ndryshime nga Facebook, “Meta” i jep fund programit për kontrollimin e fakteve

    Mark Zuckerberg ka njoftuar se Facebook do të tërheqë një numër të politikave të tij të censurës për t’u bërë një platformë e lirë së fjalës.

    Drejtori i Përgjithshëm i Meta-s tha se do të largojë kontrolluesit e fakteve të platformës së mediave sociale dhe do t’i zëvendësonte ato me një sistem shënimesh në komunitet të ngjashëm me atë të përdorur nga X, dikur Twitter.

    Duke filluar nga SHBA, Meta do të përfundojë programin e saj të kontrollit të fakteve me palë të treta të pavarura, raporton Associated Press.

    “Pra, ne do të kthehemi në rrënjët tona dhe do të fokusohemi në reduktimin e gabimeve, thjeshtimin e politikave tona dhe rivendosjen e shprehjes së lirë në platformat tona” u tha në njoftim.

    Meta tha se qasja e saj për ndërtimin e sistemeve komplekse për të menaxhuar përmbajtjen në platformat e saj ka “shkuar shumë larg” dhe ka bërë “shumë gabime” dhe ka censuruar shumë përmbajtje.

    Zuckerberg pranoi se ndryshimet janë shkaktuar pjesërisht nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale të Donald Trump.

    Zuckerberg shtoi se kontrolluesit e fakteve “thjesht kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe kanë shkatërruar më shumë besim sesa kanë krijuar, veçanërisht në SHBA”.

  • Tre serbë dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri në Bruksel më 1990-ën

    Tre serbë dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e veprimtarit Enver Hadri në Bruksel më 1990-ën

    Gjykata e Assizes e Brukselit dënoi me burgim të përjetshëm të mërkurën në mbrëmje tre autorët e vrasjes së veprimtarit të shquar shqiptar, Enver Hadrit.

    Të martën, Veselin Vukotic dhe Andrija Draskovic u shpallën fajtorë për ekzekutimin e krimit dhe Bozhidar Spacic u shpall fajtor për urdhërimin e tij, raporton The Brussels Times, përcjell Insajderi.

    Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në veturën e tij ndërsa ishte ndalur në semaforin e kuq në Saint-Gilles më 25 shkurt 1990.

    Veprimtari Enver Hadri

    Gjyqtarët profesionistë dhe të dymbëdhjetë juristët nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal.

    Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, Enver Hadri ishte në veturën e tij, ndaloi në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër.

    Dritarja e pasagjerit të këtij automjeti ishte qëlluar, sipas disa dëshmitarëve. Enver Hadri, 49 vjeç atëbotë, u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.

    Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit.

  • Shiu ekstrem përmbyt Mekën

    Shiu ekstrem përmbyt Mekën

    Meka, qyteti më i shenjtë i Islamit, është goditur nga kushte ekstreme të motit.

    Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë lagje të tëra të përmbytura nga shiu i rëndë.

    Si pasojë raportohet se janë formuar zinxhirë njerëzorë për të shpëtuar fëmijët që ishin bllokuar nga përmbytjet në lagjen Al-Awali, në juglindje të Mekës.

    Në një tjetër video, një burrë është parë duke shkuar në ndihmë të një shoferi dorëzuesi, i cili ishte përmbysur nga uji i përmbytjeve dhe po luftonte të ngrihej.

  • Presidentja maqedonase përdorë veton ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

    Presidentja maqedonase përdorë veton ndaj Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

    Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, e ka ushtruar veton e saj të parë prej se u zgjodh në maj të vitit të kaluar, duke mos e dekretuar Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, i cili, ndër të tjera, parashikonte që licencat për kujdestarët e çerdheve të jenë edhe në gjuhën shqipe, përveç gjuhës maqedonase.

    Në një deklaratë për media të martën, ajo theksoi se vendimi për veton nuk synon “të fyejë asnjë gjuhë, apo të ndjekë këshilla partiake”, por, siç tha, të inkurajojë rishikimin e disa dispozitave të ligjit të lartpërmendur, veçanërisht të neneve 9 dhe 10.

    Me këto dy nene, ligji parashikon që përveç gjuhës maqedonase, në licenca të përfshihet edhe gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve.

    Silanovska në sqarimin e saj thotë se nenet e kontestuara 9 dhe 10 të këtij ligji duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit pesë të Kushtetutës dhe Ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve, i cili aktualisht është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

    “Vetëm bëra thirrje që nenet 9 dhe 10 të rishqyrtohen edhe një herë dhe të rishikohet nëse kjo mënyrë e marrjes dhe pajisjes me licencë nuk do të sjellë hapësirë për autorizim diskrecional. Unë nuk jam e njëanshme, por partitë që kërkojnë kualifikime janë”, tha Siljanovska-Davkova.

    Kryeministri, Hristijan Mickoski, në anën tjetër, siguroi se dispozitat e kontestuara nga presidentja do të korrigjohen, dhe të njëjtat do të rikthehen për procedurë në Kuvend.

    “Mendoj se është rutinë dhe formalitet. Do të korrigjohen dhe do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Gjuhët, do të kthehen përsëri në procedurë parlamentare dhe pres miratimin e suksesshëm të këtij ligji”, tha Mickoski të martën.

    Mickoski rikujtoi se gjuha zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase, duke shtuar se ata që dëshirojnë që formularët për provimin dhe licencën të lëshohen edhe në gjuhën shqipe, do të kenë këtë të drejtë.

    Çka është Ligji për mbrojtjen e fëmijëve?
    Me këtë ligj, i kaluar së voni në Kuvend, rregullohet sistemi dhe organizimi i mbrojtjes së fëmijëve, dhe realizohet përmes sigurimit të të drejtave të caktuara, mjeteve dhe formave për mbrojtjen e fëmijëve.

    Ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve u miratua më 24 dhjetor të vitit të kaluar, me shumicë të dyfishtë. Për votuan gjithsej 63 deputetë dhe kundër 14.

    Për veton e presidentes ndaj këtij ligji, opinioni e mësoi përmes reagimeve të opozitës, konkretisht LSDM-së dhe partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

    Të parët e mirëpritën vendimin, ndërsa të dytët e vlerësuan si sulm të hapur ndaj gjuhës shqipe.

    “E mirëpresim mosnënshkrimin e dekretit nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova. Kërkojmë nga Qeveria të tërhiqet nga synimet e saj për shkak të dispozitave kontradiktore. Neni 9 dhe neni 10 i Projektligjit për ndryshime të propozuara nga Qeveria nënkuptojnë futjen e licencave dygjuhëshe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Është e diskutueshme që ky segment rregullohet me një ligj tjetër që rregullon përdorimin e gjuhëve, si dhe me Kushtetutën e vendit”, thanë të dielën nëpërmjet një komunikate nga LSDM.

    Por, BDI-ja tha se dënon “ashpër veton skandaloze” të presidentes Gordana Silanovska-Davkova ndaj dygjuhësisë.

    “Ky nuk është një veprim i izoluar, por një strategji qartësisht e koordinuar. Fillimisht, lideri i VLEN-it, Afrim Gashi, doli me një deklaratë për të përgatitur opinionin kundër gjuhës shqipe dhe për të krijuar një alibi për këtë lëvizje, e menjëherë pas kësaj, nacionalizmi i tërbuar antishqiptar u aktivizuan për të mohuar dhe sulmuar gjithçka shqiptare”, thanë nga BDI.

    Presidentja Gordana Silanovska-Davkova më 31 dhjetor i kishte dërguar njoftim kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi se nuk do ta nënshkruajë dekretin për Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, pasi sipas saj, amendamentet e votuara përmbajnë disa dispozita kontroverse.

    Kjo i referohet amendamenteve për licencat në dy gjuhë.

    Davkova kishte thënë se nenet e parashikuara të ligjit duhet të rishqyrtohen në prizmin e amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjit ekzistues për përdorimin e gjuhëve.

    “Ju rikujtoj se mënyra e përdorimit të gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik, dhe gjuha që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimi i saj tashmë janë të rregulluara me ligj”, thuhet në sqarimin e Silanovskës.

    Nga koalicioni i partive shqiptare, VLEN, pjesë e Qeverisë, nuk kanë dalë ende me një qëndrim të përbashkët për çështjen e ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve.

    Megjithatë, zëvendëskryeministri Arben Fetai, përfaqësues i VLEN-it, në një deklaratë, të dhënë të hënën, siguroi se licencat “do të jenë edhe në gjuhën shqipe”.

    Sipas Ligjit, nëse presidentja vendos mos të nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, Kuvendi e rishqyrton ligjin në përputhje me Rregulloren e Punës, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të tij.

    Gjatë rishqyrtimit të ligjit, amendamentet mund të sillen vetëm në lidhje me nënshkrimin e presidentit të shtetit.

    Nëse gjatë rishqyrtimit Kuvendi e miraton ligjin me së paku 61 vota, kryetarja Silanovska-Davkova është e obliguar ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.

    Ligji për mbrojtjen e fëmijëve tani pritet të përpunohet dhe do t’i dorëzohet Kuvendit përsëri./REL

  • Shkon në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet

    Shkon në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet

    Ka shkuar në 126 numri i viktimave të tërmetit në Tibet, derisa sipas mediave kineze nga ky tërmet janë lënduar 188 persona.

    Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, pas këtij tërmeti nga i cili u dëmtuar më shumë se 1 mijë ndërtesa.

    Tërmetet janë të zakonshëm në këtë pjesë, por ky i sotmi ishte një nga më vdekjeprurësit në vitet e fundit, raporton BBC.

    Tërmeti me magnitudë 7.1 ballësh i cili goditi në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së, u ndje edhe në Nepal dhe në disa pjesë të Indisë.

    Fillimisht mediat kineze raportuan se tërmeti kishte një magnitudë pak më të vogël prej 6.8 ballësh dhe sipas këtyre raportimeve, lëkundjet kishin shkaktuar dëme në më shumë se 1 mijë shtëpi.

  • Kurti uron Krishtlindjen ortodokse: Është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë

    Kurti uron Krishtlindjen ortodokse: Është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë

    Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët ortodoksë për Krishtlindje në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

    Kurti në urim tha se kjo festë është kohë e shpresës dhe e mirësisë.

    Besimtarët ortodoksë më herët i ka uruar edhe Presidentja Vjosa Osmani.

    Postimi i plotë i Kurtit: Krishtlindja është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë. Në këtë ditë të veçantë i dërgoj urimet më të mira për të gjithë bashkëqytetarët tanë nga komuniteti serb të besimit ortodoks që festojnë sot.

    Gëzuar Krishtlindjen! Ju dëshiroj paqe dhe gëzim.

  • Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

    Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë në mes të dy kandidatëve për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Radio Evropa e Lirë mëson se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.

    Ndërkohë, në BE nuk japin ndonjë hollësi për këtë dhe vetëm konfirmojnë se “procesi i zgjedhjes është në vazhdim e sipër”.

    “Mandate i përfaqësuesit të lartë Miroslav Lajçak mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Zgjedhja e pasardhësit të tij është momentalisht në vazhdim e sipër dhe në do të japim njoftime të reja me kohë”, ka thënë Annita Hipper, zëdhënëse e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

    Fotografi në një nga takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

    Nëse BE-ja dëshiron të sigurojë që të mos ketë vakum, atëherë procedura e caktimit të dërguarit të ri të posaçëm për dialogun, do të duhej të përmbyllej para fundit të këtij muaji, kur Lajçakut do t’i përfundojë mandati zyrtarisht.

    Por, përveç vendimit të përfaqësueses së lartë Kallas për emërimin e pasardhësit të Lajçakut, duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Grupet punuese në Këshillin e BE-së janë duke u marr me këtë çështje tani.

    Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, që të dy kandidatët, do të konsideroheshin si një zgjedhje e duhur, por mes tyre ka disa dallime.

    Këto burime thonë se, nëse Kallas do të vendose të ketë në atë postë një person me një peshë më të madhe politike, atëherë përparësi do të kishte ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. Edhe në rastin kur Lajçak kur ishte zgjedhur në këtë postë para pesë vjetësh, si përparësi ishte përmendur fakti se ai kishte qenë ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të bllokut.

    Por, në anën tjetër, thonë këto burime, nëse Kallas dëshiron që vetë të merret më shumë më procesin e dialogut në aspektin politikë, atëherë Sorensen konsiderohet si kandidat më i përshtatshëm, sepse ka shumë vite që punon në strukturat e Shërbimit të Vlerësimi të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe mbi vete do të merrte më shumë ndërmjetësimin në çështjet teknike në dialog.

    Kaja Kallas gjatë takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Burimet diplomatike nga vendet anëtare të BE-së vlerësojnë se Sorensen ka pak më shumë gjasa sesa Haavisto.

    Kush janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto?
    Si Sorensen, ashtu edhe Haavisto kanë përvojë dhe njohuri rreth Ballkanit Perëndimor.

    Peter Sorensen nga Danimarka, ka më shumë përvojë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian sesa karrierë politike në vendin e tij.

    Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.

    Ai ka mbi 15 vjet përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në rajonin e Ballkanit ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.

    Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

    Ai aktualisht është këshilltar në EEAS për diplomaci digjitale.

    Në anën tjetër, Pekka Haavisto ka qenë ministër i jashtëm i Finlandës. Në atë cilësi ai e kishte vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë.

    Haavisto ka mbështetur fuqishëm procesin e dialogut dhe ka kritikuar Serbinë për lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën e ka kritikuar kur kishte vendosur tarifa ndaj importit të mallrave nga Serbia vite më parë.

    Si ministër i Jashtëm i Finlandës, Haavisto ka qenë mbështetës i madh i procesit të zgjerimit të BE-së dhe avancimit të raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Haavisto, në kohën e pas luftës në Kosovë, ka punuar edhe në strukturat a Administratës së UNMIKU-ut, që janë marrë me pasojat ekologjike pas luftës. Ai ka garuar tri herë në zgjedhjet për president të Finlandës. Gjithmonë ka përfunduar në pozitën e dytë. Haavisto në karrierën e tij politike ka qenë edhe ministër i Mjedisit i Finlandës.

    Roli i të dërguarit të posaçëm
    Burimet diplomatike të BE-së thonë se pritet që pasardhësi i Lajçakut të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos ketë detyrime tjera lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Lajçak në titullin e tij ka edhe detyrat për “çështje tjera rajonale” përveç angazhimit si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell (majtas), dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para takimit në Bruksel, më 26 qershor 2024.

    Pahor gjatë verës vet e kishte konfirmuar se ishte i interesuar për këtë postë dhe e kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së vendimit të tij. Por, ai njoftoi të premten se ai nuk do të garonte për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatikë sesa politikë.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian për më shumë se 13 vjet.

    BE-ja vazhdon të ngul këmbë se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani është detyrim për Kosovën dhe Serbinë, dhe se ky mbetet edhe kusht për avancimin e tyre në procesin e integrimeve evropian.

    Burimet diplomatike në BE thonë se ky qëndrim i BE-së nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush do të jetë lehtësues në dialog./rel

  • Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane publikon pamjet: ShBA-ja e zdrit qiellin mbi Bondsteel

    Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane publikon pamjet: ShBA-ja e zdrit qiellin mbi Bondsteel

    Komanda Evropiane e ushtrisë amerikane ka publikuar pamje nga një trajnim i realizuar në kampin Bondsteel në Kosovë.

    Në fotografinë e publikuar në llogarinë zyrtare të komandës në rrjetin social X, thuhet:

    “Drita të ndritshme dhe gjëra që bëjnë BOOM. Garda Kombëtare e Idahos mbi Kampin Bondsteel, Kosovë”.

    Ndryshe, misioni i NATO-s në Kosovë dha detaje para pak ditësh mbi këtë ushtrim.

    “Ushtarët e Ushtrisë Amerikane të caktuar në Komandën Rajonale të Task Forcës Lindore të Aviacionit të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO kryen trajnime për të marrë përvojë në gjuajtjet me flakë nga një avion në Kampin Bondsteel, Kosovë” – thuhej në një njoftim.

  • BE nuk sheh bazë ligjore për kthimin e “borxhit” 42 milionë euro ndaj Kosovës

    BE nuk sheh bazë ligjore për kthimin e “borxhit” 42 milionë euro ndaj Kosovës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Drejt venitjes është shpresa që shtetit t’i kthehen 42 milionë euro të shpenzuara për mbulimin e humbjeve, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në katër komunat më shumicë serbe në veri, në periudhën Tetor 2022-Dhjetor 2023.

    Edhe pse i kishte kërkuar Rregullatorit për Energji që të mos ia tërheqë licencën Elektroseverit – përkundër dështimit në përmbushjen e obligimeve dhe afateve të parapara në Udhërrëfyesin për Energji – Bashkimi Evropian konsideron se nuk ka asnjë detyrim ndaj Kosovës.

    “Nuk shohim asnjë bazë ligjore për këtë. Bashkimi Evropian qëndron gati të adresojë shqetësimet e ngritura nga palët në dialog gjatë takimeve të kryenegociatorëve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Të hënën, qeveria nuk dha asnjë koment për këtë qëndrim të BE-së.

    Në një intervistë për ATV-në vitin e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte treguar se fjalën për kompensim të dëmit, në këmbim të mos-tërheqjes së licencës, ia kishte dhënë Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak.

    “Që nga momenti kur Elektroseveri ka qenë i supozuar të grumbullojë tarifat, Janë 42 milionë euro, të cilat i konsiderojmë si borxh të Bashkimit Evropian, për arsye se në Tetor të vitit 2022, kur ka qenë afati për tërheqje të licencës për Elektroseverin, kërkesa për mos-tërheqje ka qenë nga Bashkimi Evropian me idenë që BE-ja, dikush nga BE-ja, të përpiqet të gjejë fonde. Kjo është bërë në zyrën e z. Lajcak”, kishte deklaruar Bislimi.

    Nga 1 Janari 2024, Elektroseveri mori përgjegjësinë e plotë për furnizim, respektivisht, faturimin e energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Megjithatë, niveli i pagesës deri tani lëvizë vetëm ndërmjet 15 dhe 20%. Ndërsa matësit e mençur të konsumit kanë filluar të vendosen tek në dy muajt e fundit.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.