ATV

Author: ATVLive

  • Zyrtar i lartë amerikan këtë javë viziton Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë

    Zyrtar i lartë amerikan këtë javë viziton Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë

    Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, do të udhëtojë në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi nga 7-11 janar.

    Siç njoftoi Departamenti i Shtetit, në Kosovë, Verma do të diskutojë “për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”.

    “Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, u tha në njoftim.

    Në Tiranë, sipas njoftimit, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë.

    Edhe në Serbi, Zëvendës Sekretari i Shtetit amerikan për Menaxhimin dhe Resurset thuhet se do të ofrojë mbështetje për normalizimin e marrëdhënieve të këtij vendi me Kosovën.

    “Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, u tha në njoftimin e DASh-it.

  • Elon Musk dëshiron ta blejë gjigantin anglez

    Elon Musk dëshiron ta blejë gjigantin anglez

    Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk thuhet se ka treguar interes për të blerë aksione të Liverpool-it, duke përmendur një lidhje personale me qytetin, sipas babait të tij, Errol Musk.

    Gjatë një paraqitje në Times Radio, i ati i miliarderit adresoi thashethemet për interesimin e djalit të tij për klubin e njohur anglez, të nxitura nga raportet që sugjeronin se njeriu më i pasur në botë po planifikonte të investonte në skuadrën e Premier League.

    Kur u pyet nga prezantuesja Kait Borsay nëse Elon Musk kishte ndërmend të blinte Liverpool FC, Errol u përgjigj me kujdes: “Nuk mund të komentoj për këtë, ata do ta rrisin çmimin. Ai e ka shprehur dëshirën, por kjo nuk do të thotë se po e blen atë”.

    I shtypur nëse blerja e klubit ishte një mundësi serioze, ai shtoi: “Ai do të donte, padyshim. Çdokush do të dëshironte. Gjithashtu edhe unë”.

    Errol Musk shtjelloi lidhjen emocionale të familjes me Liverpool-in, duke zbuluar një arsye më të thellë për interesimin e djalit të tij. “Gjyshja e tij ka lindur në Liverpul dhe ne kemi të afërm në këtë qytet. Ne ishim me fat që njihnim shumë nga Beatles sepse ata u rritën me disa nga familja ime. Pra, ne jemi të lidhur me Liverpulin”.

    Liverpool FC aktualisht është në pronësi të Fenway Sports Group (FSG), i cili e bleu klubin në vitin 2010 për 300 milionë paund. Vlera e klubit që atëherë është rritur në 4.3 miliardë paund, sipas Forbes.

  • KQZ nesër miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet

    KQZ nesër miraton dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë një mbledhje të mërkurën, ku do të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletës së votimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, të planifikuara për datën 9 shkurt 2025. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Pas hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletëvotim, ky hap do të formalizojë dokumentin kyç që do të përdoret gjatë procesit zgjedhor.

    “Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.

    Kjo do të pasohet nga fillimi i procesit të votimit për qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit, i cili është parashikuar të nisë të enjten, më 9 janar.

    Shorti i hedhur të hënën përcaktoi renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, ku ndër të tjera, Lëvizja Vetëvendosje u rendit me numrin 118, PDK-ja me numrin 131, LDK-ja me numrin 124 dhe koalicioni AAK-NISMA me numrin 137.

    Fushata zgjedhore do të hapet zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë për një periudhë prej gati katër javësh, duke u mbyllur më 7 shkurt, vetëm dy ditë përpara datës së zgjedhjeve.

  • Muharremaj thotë se në Suharekë ka ari të tokës që kushton 22 mijë euro

    Muharremaj thotë se në Suharekë ka ari të tokës që kushton 22 mijë euro

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vlera e tokave në komunë ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, me disa zona ku një ari tokë kushton deri në 22 mijë euro.

    Ai tha se rritja e vlerës së tokës ka ardhur si rezultat i projekteve zhvillimore dhe investimeve në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e dy unazave të reja.

    “Në Suharekë, ka toka ku një ari shkon deri në 22 mijë euro. Në zona të tjera, vlera mund të arrijë edhe në 200 mijë euro për ari, varësisht nga plani zhvillimor”, tha Muharremaj.

    Kryetari shtoi se për katër vitet e ardhshme, në Suharekë priten investime prej 1 miliard eurosh.

    “Tri vitet e fundit janë investuar 350 milionë euro. Presim që në katër vitet e ardhshme, vlera e investimeve të arrijë në 1 miliard euro”, theksoi ai.

    Intervistën e plotë me Bali Muharremajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Muharremaj: Kandidimi i im në zgjedhje për rritje të votës së AAK-së, jo për mashtrim të qytetarëve

    Muharremaj: Kandidimi i im në zgjedhje për rritje të votës së AAK-së, jo për mashtrim të qytetarëve

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se kandidimi i tij në zgjedhjet parlamentare është një përpjekje për të rritur votën e AAK-së dhe nuk synon të mashtrojë qytetarët, pasi ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të komunës.

    Muharremaj ththa se angazhimi i tij në fushatë është për të mbështetur partinë dhe bashkëpunëtorët, ndërsa qytetarët janë të informuar për qëllimin e tij.

    “Unë veç e kam njoftuar qytetarët se kam hyrë për të rritur votën. Nuk jam duke i gënjyer. Do të vazhdoj me punën si kryetar i komunës”, tha Muharremaj.

    Ai shtoi se gara politike është një mundësi për të vlerësuar punën e tij dhe angazhimin në mandatin e dytë si kryetar komune.

    “Nëse shpërblehet puna që kam bërë, do të kemi rezultate të mira. Kjo varet nga qytetarët që vendosin për këto zgjedhje”, u shpreh ai.

    Intervistën e plotë me Bali Muharremajn në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Zjarri në lokalin në Suharekë, flet kryetari Bali Muharremaj

    Zjarri në lokalin në Suharekë, flet kryetari Bali Muharremaj

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se zjarri që përfshiu një lokal në qendër të qytetit është lokalizuar dhe situata është nën kontroll.

    Ai konfirmoi se zjarri është shkaktuar nga një problem me gazin, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.

    “Problemi ka ardhur prej gazit, që ka shkaktuar shpërthimin e zjarrit, por për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar. Dëmet janë vetëm materiale”, tha Muharremaj.

    Kryetari shtoi se pronari i lokalit është duke bërë përgatitje për të nisur renovimin e objektit.

    “Besoj që nesër fillon renovimi i lokalit dhe gjithçka do të rikthehet në funksion,” u shpreh ai.

    Intervistën e plotë me Bali Muharremajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hodaj: Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, brenda ligjit, por jo e domosdoshme gjatë parafushatës

    Hodaj: Ftesa e Prokurorisë për Kurtin, brenda ligjit, por jo e domosdoshme gjatë parafushatës

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ftesa e Prokurorisë për intervistimin e kryeministrit Albin Kurti është brenda kuadrit ligjor, por ngriti dyshime mbi kohën e përshtatshme të këtij veprimi gjatë parafushatës.

    Hodaj tha se intervistimi për një rast të ndodhur një vit më parë nuk ka urgjencë.

    “Proceduralisht, Prokuroria ka vepruar në kuadër të rregullave dhe Kodit Penal të Kosovës, por nuk e shoh si të domosdoshme që kryeministri të ftohet gjatë parafushatës politike për një rast kaq të vjetër”, tha Hodaj.

    Ai shtoi se një veprim i tillë i jep mundësi partive politike për të shfrytëzuar situatën në favor të tyre.

    “Në këtë mënyrë, hapet hapësirë për kryeministrin dhe aktorët tjerë politikë që ta maksimizojnë këtë situatë për qëllime politike”, shtoi ai.

    Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Çollaku: Situata në veri është më stabile, por ende nuk mund të flitet për siguri absolute

    Çollaku: Situata në veri është më stabile, por ende nuk mund të flitet për siguri absolute

    Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se situata në veri të Kosovës është më stabile krahasuar me frikësimet e ngritura, por ende nuk mund të flitet për siguri absolute.

    Ai vlerësoi se pavarësisht stabilitetit aktual, strukturat kriminale dhe aktivitetet ilegale vazhdojnë të jenë kërcënim për sigurinë në veri.

    “Situata është shumë më stabile sesa frikësimet e stërfryra, por nuk mund të konsiderohet e sigurt në mënyrë absolute, për shkak të historisë së pasigurisë në këtë rajon”, tha Çollaku.

    Ai përmendi angazhimin e institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar si faktorë kyç për përmirësimin e gjendjes.

    “Policia e Kosovës dhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe EULEX-in kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë dhe kanë përmirësuar situatën në veri”, shtoi ai.

    Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Jashari: Sulmet dhe ashpërsimi i gjuhës së politikanëve ndaj gazetarëve janë rritur gjatë parafushatës

    Jashari: Sulmet dhe ashpërsimi i gjuhës së politikanëve ndaj gazetarëve janë rritur gjatë parafushatës

    Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në emisionin CONTEXT, tha se sulmet dhe ashpërsimi i gjuhës së politikanëve ndaj gazetarëve janë rritur, duke i cilësuar si sfida kryesore me të cilat po përballen mediat gjatë parafushatës zgjedhore.

    Jashari tha se shpallja e hershme e datës së zgjedhjeve ka ndikuar në nisjen e hershme të parafushatës dhe në intensifikimin e sulmeve ndaj gazetarëve.

    “Që para se të shpallej zyrtarisht data e zgjedhjeve, kemi parë sulme të kohëpaskohshme ndaj mediave dhe gazetarëve dhe një ashpërsim të gjuhës së politikanëve ndaj tyre”, tha Jashari.

    Ai shtoi se gazetarët shpesh cilësohen si pengesë për agjendat politike, sepse detyra e tyre është të tregojnë të vërtetën.

    “Shumëkush ka cilësuar se gazetarët, me raportimet e tyre, i kanë penguar agjendat politike. Normalisht që kjo është detyra jonë, të pengojmë agjendat duke treguar të vërtetën”, u shpreh ai.

    Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi i quan ‘dështakë’ Çekun dhe Ramën sa i përket realizimit të projekteve kapitale

    Hamidi i quan ‘dështakë’ Çekun dhe Ramën sa i përket realizimit të projekteve kapitale

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, për performancën e dobët në realizimin e projekteve kapitale, duke i quajtur “dështakë”.

    Hamidi tha se raporti nëntëmujor i Ministrisë së Financave tregon përqindje të ulët të shpenzimeve për investime kapitale nga MKRS dhe komuna e Prishtinës.

    “Raporti nëntëmujor i Ministrisë së Financave tregon se Hajrulla Çeku e ka shpenzuar vetëm 23 për qind të buxhetit për investime kapitale, ndërsa Përparim Ramën, pavarësisht buxhetit më të
    madh, ka shpenzuar vetëm 25 për qind”, tha Hamidi.

    Ai tha se, në vend që të realizojnë projektet, ata janë përfshirë në debate të panevojshme për lokacione.

    “Në vend se të realizojnë këto projekte, këta shtyhen për çdo projekt, ndonëse paratë janë të gatshme, por nuk kanë mundur t’i realizojnë”, tha ai.

    Deklaratën e tij të plotë në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: