ATV

Author: ATVLive

  • Shkojnë mërgimtarët, s’ka më pritje në pikat kufitare

    Shkojnë mërgimtarët, s’ka më pritje në pikat kufitare

    Mëngjesin e sotëm nuk ka pritje në pikëkalimet kufitare.

    Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për dalje nga Kosova nuk janë më shumë se 5 minuta.

    Gjatë ditëve të fundit udhëtarët u përballën me pritje deri në gjashtë orë në Merdar, e pritje të gjata kishte edhe në pikat e tjera kufitare, si Dheu i Bardhë e Jarinjë.

    Sa i përket gjendjes së rrugëve në pikëkalimet kufitare, nga QKMK-ja bëhet e ditur se të gjitha janë të kalueshme, nuk ka akull e as dëborë, por që rekomandohet bartja e pajisjeve dimërore për automjetet e rënda.

  • Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

    Lista Srpska: Kurti hodhi 80 punëtorë në rrugë për fushatë zgjedhore

    Policia e Kosovës sot mbylli një objekt të strukturave paralele serbe në veri të vendit, i cili shërbente si zyrë tatimore, degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.

    Në një përgjigje për Gazetën Express, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, më herët tha se njerëzit që kanë qenë aty janë larguar, por se nuk ka pasë arrestime.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona, ka funksionuar si zyre tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokuror, njerëzit që janë has aty janë largu nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllë deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë ai.

    Për mbylljen e këtij objekti ka reaguar partia Lista Srpska, e cila pretendoi se Administrata Tatimore, siç iu referua, u mbyll “dhunshëm dhe ilegalisht”.

    Kjo parti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e bën për fushatë zgjedhore.

    “Duke mbyllur ilegalisht dhe dhunshëm Administratën Tatimore në Mitrovicën e Kosovës dhe duke hedhur në rrugë 80 punëtorë serbë, Albin Kurti vazhdoi fushatën e tij zgjedhore, të cilën e zhvillon ekskluzivisht pas shpinës së popullit serb, sepse nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij”.

    Gjithashtu, Lista Srpska pretendoi se “ka keqtrajtim të njerëzve që kanë kaluar gjithë jetën e tyre të punës në këtë godinë dhe i kanë shërbyer të gjitha komuniteteve pa përjashtim”.

    “Tashmë sot do të takohemi me punonjësit e prekur të Administratës Tatimore dhe do të diskutojmë me ta të gjitha llojet e ndihmës dhe mbështetjes dhe do t’u përcjellim mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhurat dhe se ekzistenca e tyre do të jetë e sigurt. Kurti, me njësitë e tij policore dhe ministrat e bindur si Nenad Rashiq, pushton dhe grabit ndërtesat dhe objektet serbe me dhunë, ai nuk mund ta detyrojë popullin serb të largohet nga vatrat e tij shekullore dhe as të pengojë ne dhe shtetin e Serbisë që të ndihmojmë popullin tonë”.

    Policia po e heton këtë rast si falsifikim i dokumenteve.

  • ​IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli dhe një majori

    ​IPK-ja rekomandon masa ndaj një koloneli dhe një majori

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka rekomanduar suspendimin e një koloneli policor si dhe ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një majori, nën dyshimin për pjesëmarrje në tubime të natyrës politike.

    Sipas njoftimit, veprimi është ndërmarrë pas publikimit të shkrimeve në media për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike.

    “Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore”, thuhet në njoftim.

    IPK-ja thotë se çdo përfshirje “apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik”./kp

  • ​“Platformë e re në dialog”, Hoxhaj: Në vitin 2026 mund të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke

    ​“Platformë e re në dialog”, Hoxhaj: Në vitin 2026 mund të arrihet marrëveshja me njohjen reciproke

    Partia Demokratike e Kosovës do të ketë një platformë të re në dialog me Serbinë, thotë nënkryetari Enver Hoxhaj. Sipas tij, nëse PDK vjen në qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të rikthejë nevojën për marrëveshje finale Kosovë-Serbi me njohjen reciproke në qendër. Madje, ai thekson se një gjë e tillë mund të arrihet në vitin 2026.

    Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress, thotë PDK do të hartojë platformën e re në dialog me një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike dhe shoqërinë civile.

    “Me marrjen e pushtetit nga ana e PDK-së ne do të bëjmë disa hapa konkret në dialog. Hapi i parë do të jetë që pas tre muajve pasi të merr PDK-ja pushtetin, ne do të kemi një platformë të re në dialog e cila përfshinë një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike. Kjo përfshinë edhe shoqërinë civile dhe ky dialog do të ndjek një qëllim dhe ide të vetme që është njohja e ndërsjellë. Ne mendojmë se gjatë vitit 2026 mund të krijohet një situatë e favorshme për të arritur një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk shohim që të zbatojmë diçka pa e pasur njohjen e ndërsjellë në tavolinë. Presim nga partnerët tanë që të ndëshkojnë Serbinë, pasi politika e mosndëshkimit të Perëndimit ka sjell sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc. Sikurse edhe që një qeveri jokredibile në Kosovë që t’i bind partnerët tanë se burim i së keqes është Serbia, duke mosditur të sillet ndërkombëtarisht”, thekson ai.

    Hoxhaj thotë se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i ka sjell “dëme kolosale vendit, duke hequr njohjen e ndërsjellët nga tavolina”.

    “Kjo marrëveshje e Brukselit i ka ofruar një fitore diplomatike kolosale Serbisë dhe një dëm po aq të madh kolosal Kosovës duke hequr njohjen e ndërsjellë nga tavolina. E ka bërë marrëveshjen finale si një marrëveshje të ndërmjetme, të përkohshme. Në fakt është ngrirë e ardhmja e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, shton Hoxhaj.

    Përkitazi me këtë, ish-ministri i Jashtëm kritikon qeverinë Kurti e cila sipas tij e ka dështuar në politikën e jashtme.

    Ai thotë se Kosova është e izoluar në raport me aleatët.

    “S’ka asnjë njohje ndërkombëtare dhe s’ka asnjë anëtarësim në asnjë organizatë të mundshme ndërkombëtare. Se kemi marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ka dy vjet që kur kemi aplikuar. Dështimi në Këshill të Evropës dhe një shoqëri brenda e përçarë dhe polarizuar…Zero marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me BE-në nën sanksione dhe të izoluar. Jemi në një situatë që do të ishte jashtë çdo imagjinate”, deklaron Hoxhaj.

    Krahas kësaj, ai rendit edhe dështimet që sipas tij kanë ndodhur nën qeverinë Kurti.

    Sipas Hoxhajt, Kurti s’ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme, por vetëm ka administruar me vendin.

    “Nuk ka qenë në gjendje të përfundojë asnjë punë të vetme. S’ka asnjë projekt ku është vendosur gurthemeli dhe është prerë shiriti dhe është përuruar. S’ka ndonjë reformë që ka nisur me ndonjë koncept-dokument dhe është përmbyllur gjatë këtij katër viteve…Gjatë këtyre katër viteve nuk ka pasur qeverisje por administrim. Administrim i bie vendime që duhet të merr qeveria, shpërndarje dhe rishpërndarje të buxhetit por qeverisja nënkupton prioritet të qarta, reforma dhe vendosmëri”, thotë ai.

    Hoxhaj: I takon opozitës të udhëheq rotacionin politik, pa LVV-në

    Hoxhaj thotë se PDK-ja “do të fitojë në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ndërkaq, e përjashton mundësinë e koalicionit me partinë aktuale në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

    “Njerëzit janë të gatshëm dhe të vendosur që të ndryshojnë qëndrimin që kanë pasur në shkurtin e vitit 2021 dhe vitit 2019, meqë deri në atë kohë ka qenë e pamatshme të krahasohet një qeverisje e Kurtit me qeverisjen e PDK-së apo partive të tjera politike. Duke parë që puna më e mirë që mundet të bëjë LVV-ja është propaganda, ndërsa ne bëjmë punë konkrete. Po shihet çdo ditë se ka mbështetje të madhe PDK-ja dhe zotëri Hamza [kandidati për kryeministër] dhe një listë e cila përfaqëson shoqërinë sesi e sheh Kosova… S’ka dyshim se do të ndodh ndryshimi politik dhe ndryshimit politik do t’i prijë PDK-ja. Temat që i kemi në tavolinë nuk mund t’i mbyllë vetëm një subjekt politik prandaj mendojmë se i takon opozitës të udhëheqë rotacionin politik, pa LVV-në. Nëse ne kemi kritikë për LVV-në do të ishte e pakuptimtë që ne të jemi të hapur për një bashkëpunim të tillë”, përfundon Hoxhaj./kp

  • Djali i Trumpit trazoi rrjetin duke e vizituar territorin të cilin mund ta aneksojë Amerika

    Djali i Trumpit trazoi rrjetin duke e vizituar territorin të cilin mund ta aneksojë Amerika

    Djali i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, përfundoi vizitën e tij njëditore në Grenlandë mes marrëdhënieve të trazuara dhe tensioneve mbi synimet e Trump për të aneksuar territorin, i cili i përket Danimarkës.

    Një avion në pronësi të familjes Trump aderoi në Grenlandë mëngjesin e së martës dhe postoi një seri videosh nga ishulli.

    Gjithashtu, Trump Jr. së bashku me kolegët e tij, drekuan në një nga restorantet e kryeqytetit të Grenlandës, Nuuk, së bashku me anëtarë të komunitetit lokal.

    “Grenlanda e do Amerikën dhe Trumpin! Njerëz të mahnitshëm me një mikpritje po aq të madhe. Ata thjesht duan të kenë rastin të përdorin disa nga burimet e mahnitshme që kanë dhe t’ia lejojnë vetes, vendit dhe fëmijëve të tyre të lulëzojnë”, tha Trump Jr.

    Në fund të vizitës, Trump Jr. ai publikoi gjithashtu një video të ngritjes nga Grenlandës dhe tha se kjo ishte një ditë e mrekullueshme.

    Vizita e tij u komentua edhe nga Elon Musk, i cili foli edhe për aneksimin e Grenlandës.

    “Nëse populli i Grenlandës dëshiron të bëhet pjesë e Amerikës, gjë që shpresoj të jetë kështu, ata do të mirëpriteshin ngrohtësisht”, tha Musk.

  • ​Naftëtarët dhe ndërtimtaria nën llupën e MINT-it, Hajdari flet për eksportet dhe investimet e huaja

    ​Naftëtarët dhe ndërtimtaria nën llupën e MINT-it, Hajdari flet për eksportet dhe investimet e huaja

    Nën llupën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë naftëtarët, prodhuesit e produkteve të ndërtimit dhe disa sektorë të tjerë në vend.

    Rozeta Hajdari, ministre e MINT-it, thotë se një nga detyrat kryesore të kësaj ministrie është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet dhe cilësinë e produkteve, duke siguruar një mbikëqyrje strikte, si dhe duke ndërmarrë masa për të parandaluar manipulimin e çmimeve që mund të shkaktojnë dëm për qytetarët.

    Në një intervistë për KosovaPress, Rozeta Hajdari flet edhe për raportet tregtare në vendin tonë, si dhe për investimet e huaja direkte gjatë vitit 2024.

    Ajo madje thotë se ka përmirësim të bilancit tregtar eksport-import.

    “Kemi dyfshim të eksportit dhe përmirësim të bilancit tregtar nga raporti eksport-import nga një me nëntë – një me gjashtë. Kemi dyfishim të investimeve të huaja direkte gjatë këtij mandati”, thotë Hajdari.

    Sa i përket monitorimit të tregut, ministrja Hajdari thotë se ndërhyrjet më të mëdha kanë qenë në tregun e naftës, për çka shton se afër 50 për qind e operatoreve ekonomik kanë qenë të palicencuar në tregun e naftës.

    “Për herë të parë në Republikën e Kosovës kemi filluar me mbikëqyrjen efektive të produkteve të ndërtimit me qëllim që të sigurojmë cilësinë e ndërtimeve të larta banesore, rregullimin, mbikëqyrjen e tregut, të produkteve të naftës, formalizmin e bizneseve në fushën e tregtisë në naftë, rritjen e kontrollimit të cilësisë së naftës dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet me çmimet me inflacion. Janë afër 12 mijë inspektime gjatë mandatit tonë qeverisës nga periudha mars 2021 – shtator 2024 në krahasim me periudhën paraprake që ishte në vitin 2017-2020. Kryesisht ndërhyrjet më të larta kanë qenë në tregun e naftës, ku kemi gjetur shumë operator ekonomik të pa licensuar, afër 50 për qind të operatoreve ekonomik kanë qenë të palicensuar në tregun e naftës”, shton Hajdari.

    Derisa përmend sektorët për të ndaluar keqpërdorimet në treg, ajo thotë se me politiken e re për investime synojnë që të sjellin një inkurajim të prodhueseve serioz.

    “Kemi ndaluar keqpërdorimet në sektorin e naftës, duhanit, pastaj trupat vlerësues të komfirmitetit që kanë qenë të jashtëligjshëm, tenderët e jashtëligjshëm, skemat e granteve të jashtëligjshme. Menjëherë filluam në plotësimin e zbrazëtirave, përmirësimin e ambientit për të bërit biznes të drejtë, të adaptueshëm dhe konkurrues, duke hartuar dhe miratuar në Qeveri dhe Kuvend 22 ligje që janë për mbrojtjen e investimeve për reformë në parqet industriale teknologjike…Me politikën e re për investime ne po synojmë që të sjellim një inkurajim të prodhueseve vendor, të qytetarëve që kanë kursime për të investuar në industrinë prodhuese, përpunuese, por edhe në sektorë tjerë strategjikë”, nënvizon Hajdari.

    Ministrja Hajdari thotë se do t’i zgjerojë skemat mbështetëse për bizneset gjatë vitit 2025.

    Derisa tregon për masat mbështetëse për bizneset, thotë se vetëm skema e granteve për këtë vit përfshin rreth 8 milionë euro.

    “Sa i përket masave mbështetëse për bizneset tona për vitin 2025, ne synim kemi që të zgjerojmë skemat mbështetëse…Presim me këto masat e reja që janë të planifikuara të përkrahim sa më shumë bizneset në zgjerim të kapaciteteve prodhuese, në lehtësim të eksportit qoftë edhe përmes masave, granteve, por edhe përmes marrëveshjeve të tregtisë. Pastaj, përmes lidhjes sa më shumë të ofrueseve të shërbimeve me prodhuesit vendor që të rrisin dhe përmirësojnë inovacionin në produktin me vlerë të lartë të shtuar për tregun vendor dhe ndërkombëtar, por edhe në lehtësimin e tregtisë…Vetëm skema e granteve për vitin 2025 përfshin rreth 8 milionë euro nga Agjencia KIESA, por janë edhe masat tjera qeveritare”, deklaron Hajdari.

    Përgjatë vitit 2024, KIESA ka mbështetur rreth 500 biznese në vlerë prej 7.3 milionë euro./kp

  • Gjysmëfinalja e Kupës së Spanjës, sonte Bilbao ballafaqohet me Barcelonën

    Gjysmëfinalja e Kupës së Spanjës, sonte Bilbao ballafaqohet me Barcelonën

    Sonte zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Kupës së Spanjës.

    Përballë do të jenë Athletic Bilbao dhe Barcelona.

    Ndeshja nis nga ora 20:00.

    Mbetet të shihet se cila nga këto dy skuadra do të kalojnë në fazën tjetër.

    Ndërkaq nesër Mallorca e Vedat Muriqit, do ta kërkojë finalen përballë Real Madridit.

    Gjasat janë të mëdha që në finalen e Superkupës të ketë një “El Clasico”.

  • Ligji parasheh që puna e Kuvendit të mbyllet një ditë para fushatës

    Ligji parasheh që puna e Kuvendit të mbyllet një ditë para fushatës

    Kuvendi, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, thuajse e ka përfunduar punën e tij, pasi sipas ligjit aktual, parashihet që puna e Kuvendit duhet të mbyllet një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

    Kuvendi i Kosovës, gjatë legjislaturës së tetë, ka miratuar 282 ligje, por ka hasur gjithashtu në shumë sfida që kanë penguar efikasitetin e tij. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo periudhë është shoqëruar me mundësi të humbura dhe një mungesë të përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve.

    Për më tepër, në prag të zgjedhjeve, ku mbeten vetëm një muaj deri në mbajtjen e tyre, mbledhjet për të mbajtur seanca janë pothuajse të pamundura.

    Eugen Cakolli nga KDI, duke komentuar këtë situatë, shpjegon se ligji aktual parashikon që puna e Kuvendit duhet të mbyllet një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore.

    “Meqenëse kuvendi e ka përmbyllur sesionin e punës në fund të dhjetorit dhe që sesion i ri do duhej të fillonte nga mesi i muajit janar, atëherë proceduralisht kuvendi nuk mund të mblidhet më dhe si i tillë e ka përfunduar mandatin e tij dhe seanca e fundit e dhjetorit ka qenë seanca e fundit e kësaj legjislature, përveç nëse thirret ndonjë seancë e jashtëzakonshme me dakordim për t’i miratuar disa prej marrëveshjeve apo ligjeve që janë në pritje në kuvend”, tha Cakolli.

    Por çfarë do të ndodhë me projektligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që kanë mbetur pa u votuar?

    “Të gjitha projektligjet që kanë mbetur në Kuvend do të kthehen tashmë në pikën zero, ndërsa marrëveshjet ndërkombëtare do të duhej që të risillen nga qeveria e ardhshme kurdo që ajo do të krijohet”, shtoi ai.

    Duke e parë punën jo edhe aq efikase të kësaj legjislature, ai ka thënë se legjislatura e ardhshme duhet doemos të jetë më e përgjegjshme ndaj qytetarëve që i ka zgjedhur.

    “Është e domosdoshme që Kuvendi të ketë një kalendar më të shpërndarë të punës, duhet të ketë masa të sanksionuara”, tha Cakolli.

    Sidoqoftë, mbetet të shihet se cila do të jetë legjislatura e re e Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /rtk

  • Ushtari që shpërtheu Cybertruck në Las Vegas përdori ChatGPT për të planifikuar sulmin

    Ushtari që shpërtheu Cybertruck në Las Vegas përdori ChatGPT për të planifikuar sulmin

    Ushtari që shpërtheu një Tesla Cybertruck jashtë hotelit Trump në Las Vegas përdori AI gjeneruese duke përfshirë ChatGPT për të ndihmuar në planifikimin e sulmit.

    Sipas policisë atje, një laptop, telefon dhe një orë janë ende nën shqyrtim gati një javë pasi 37-vjeçari Matthew Livelsberger qëlloi veten për vdekje pak para se kamioni të shpërthente.

    Ai përmes ChatGPT ka kërkuar informacione mbi objektivat shpërthyes, shpejtësinë me të cilën do të udhëtonin disa raunde municionesh dhe nëse fishekzjarrët ishin të ligjshme në Arizona.

    Livelsberger, një Beretë Gjelbër e ushtrisë që u dislokua dy herë në Afganistan dhe jetonte në Kolorado Springs, Kolorado, la shënime duke thënë se shpërthimi ishte një marifet që synohej të ishte një “thirrje zgjimi” për problemet e vendit, thanë zyrtarët javën e kaluar.

    Shpërthimi shkaktoi lëndime të lehta në shtatë persona, por praktikisht asnjë dëmtim në hotelin Trump International. Autoritetet thanë se Livelsberger veproi vetëm.

  • Luftëtarët e huaj marrin grada të larta në Siri, në mesin e tyre edhe një shqiptar

    Luftëtarët e huaj marrin grada të larta në Siri, në mesin e tyre edhe një shqiptar

    Sundimtarët e rinj të Sirisë raportohet se u kanë dhënë poste të larta ushtarake disa luftëtarëve të huaj islamikë, përfshirë një shqiptari nga Maqedonia e Veriut. Kjo ka rritur frikën në vendet e origjinës të luftëtarëve për një eksport të mundshëm të revolucionit në tokën e tyre.

    Përveç shqiptarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Reuters dhe AFP, duke u thirrur në burime brenda Sirisë, kanë raportuar se edhe një shtetas i Taxhikistanit dhe tre ujgurë kinezë janë në mesin e të huajve që janë promovuar në poste zyrtare.

    Atyre u është dhënë grada e gjeneral-brigadier dhe të paktën një prej tyre ka marrë postin e kolonelit sipas raportimeve që Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

    Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut – i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani – në një profil në Facebook, që besohet se ai qëndron pas tij, ka shkruar se ka marrë gradën e kolonelit, shkruan REL.

    Jashari, 48 vjeç, është udhëheqës i “Xhemati Albani”, i cili është një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarët etnikë.

    Ky grup ka aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grupin islamist të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024.

    Abdul Jashari që nga viti 2016 është i sanksionuar nga SHBA-ja. Sipas vendimit të Thesarit, ky këshilltar ushtarak është sanksionuar si njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri, dhe ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.

    Një tjetër luftëtar i huaj i emëruar kolonel u identifikua nga blogerët taxhikë, të afërt me forcat e HTS-së, si Saifiddin Tojiboev, luftëtar nga Taxhikistani.

    REL-i nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e raportimeve lidhur me emërimin e supozuar të Tojiboevit si komandant i operacioneve dhe promovimin e tij nga major në kolonel.

    Një burim nga sektori i sigurisë në Taxhikistan, i tha REL-it se Qeveria e këtij shteti është në dijeni për lajmin lidhur me emërimin e ri të Tojiboevit.

    Tojiboev, 41 vjeç, është person i kërkuar në Taxhikistan dhe akuzohet se ka marrë pjesë në një konflikt të huaj, se është anëtar i një organizate terroriste dhe se ka rekrutuar luftëtarë për grupe terroriste. Ai po ashtu është në listën e sanksioneve të Bankës Qendrore taxhike, ku i ndalohet që të kryejë aktivitete financiare.

    “Tojiboev dhe i vëllai kanë shkuar në Siri më 2013 dhe që atëherë kanë marrë pjesë në konflikte ushtarake atje”, tha në burim në Dushanbe për REL-in. “Tojiboev po ashtu ka rekrutuar disa shtetas taxhikë që t’iu bashkohen organizatave terroriste”.

    Tojiboev ishte anëtar i Partisë së Rilindjes Islame të Taxhikistanit (IRPT), një lëvizje dikur popullore në Dushanbe, e cila më 2015 u ndalua dhe u shpall terroriste. Kjo parti ka mohuar akuzat për terrorizëm.

    HTS-ja ende zyrtarisht nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me emërimin në poste të luftëtarëve të huaj.

    Ky grup islamik është zotuar se do të aplikojë politika të moderuara sa u përket të drejtave të grave, është zotuar për pajtim kombëtar dhe raporte me komunitetin ndërkombëtar. Po ashtu, HTS-ja po tenton të krijojë një ushtri profesionale duke përfshirë persona nga fraksione të ndryshme militante që janë aleatë me të.

    Në HTS bëjnë pjesë një numër i madh i luftëtarëve nga Rusia, Azia Qendrore dhe Ballkani. Shumica e tyre shkuan në Siri pasi grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS) ishte njoftuar për krijimin e kalifatit në pjesë të Sirisë dhe Irakut më 2014.

    Shqetësime në vendet e origjinës

    Në shtetet e tyre të origjinës, shumë nga këta luftëtarë shihen si kërcënime potenciale për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.

    Adrian Shtuni nga Qendra Ndërkombëtare Kundër Terrorizmit në fund të vitit 2024 i tha Radios Evropa e Lirë se nuk beson se tani mund të rriten interesat e luftëtarëve shqiptarë për t’u kthyer në vendet e tyre, edhe pas rënies së regjimit të Assadit.

    “Nuk jam i sigurt që ata do të donin të ktheheshin, pasi këta persona janë të fokusuar, kanë një prapavijë xhihadiste, kanë rrezikuar jetën për synimet e tyre ideologjike, të cilat nuk i kanë fshehur”, deklaroi, duke shtuar se disa prej tyre mund të kenë ambicie për pozita në qeverisjen e re në Siri.