ATV

Author: ATVLive

  • Kështu do te duket fletëvotimi për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Kështu do te duket fletëvotimi për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025, raporton Ekonomia Online.

    Megjithatë, në këtë mbledhje nuk ka kaluar rekomandimi për ndarjen e mjeteve për subjektet politike.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka thënë se zyra ka analizuar këtë rekomandim, ku prej datës 1 deri më 9 janar do të ndahen mjetet për subjektet politike.

    “Gjithsej 14 subjekte politike përfitojnë; zyra rekomandon KQZ-në që të bëjë ndarjen e buxhetit për dy muaj. Zyra ka analizuar edhe aktet tjera ligjore, ku shuma prej 10 përqind për grupet parlamentare rekomandohet të ndahet prej datës 1 janar deri më 9 janar. Lidhur me këtë, zyra rekomandon që mjetet të ndahen nga fondi. Sipas rekomandimit, subjektet politike që do të përfitonin janë: Lëvizja Vetëvendosje – 353,898.31 euro, PDK – 115,932.20 euro, LDK – 91,525.42 euro, SRPSKA LISTA – 54,915.25 euro, AAK – 48,813.56 euro, KOSOVA DEMOKRATİK TÜRK PARTİSİ – 12,203.39 euro, etj.”, ka thënë Buzhala.

    Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, ka rekomanduar që shuma e cila ndahet për secilin subjekt politik të jetë e ndarë dhe jo si një shumë totale.

    “Edhe pse mund të rekomandohet që Kuvendi nuk është aktiv në punën e tij, shuma e secilit subjekt duhet të jetë në përputhje me ligjin. Si shumë, nuk mendoj që zyra ka të drejtën të ndalë shumën për një subjekt. Totali i asaj shume i takon subjekteve politike; ky rekomandim apo miratimi duhet të jetë i veçantë për secilin subjekt politik dhe jo në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.

    Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka theksuar se është kundër kësaj pike, për shkak se nuk e pranon ndarjen e mjeteve buxhetore për Listën Serbe.

    “Jam kundër ndarjes së mjeteve të Listës Serbe, i kam dhënë argumentet e mia dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për këtë subjekt”, ka thënë Kurteshi.

  • Blindohet Rinasi, mbërrin nën masa të rrepta sigurie Dritan Rexhepi

    Blindohet Rinasi, mbërrin nën masa të rrepta sigurie Dritan Rexhepi

    Dritan Rexhepi, një nga emrat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, është ekstraduar këtë të mërkurë nga Turqia.

    Ai ka mbërritur në aeroportin e Rinasit me avion, ku më pas, nën masa të rrepta sigurie, është transportuar drejt burgut 313. Euronews Albania ka siguruar pamjet kur trafikanti i njohur si “mbreti i kokainës” është shoqëruar nga Drejtoria e Burgjeve, i shoqëruar me makina të shumta policie.

    Rexhepi është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020. Dritan Rexhepi, dikur student për drejtësi, njihet tani si një nga narkotrafikantët më të fuqishëm të drogës nga Amerika e Jugut në Evropë.

    Ai është me 25 vite burgim për vrasjen e dy policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në Fushë-Krujë në vitin 1998.

    Po ashtu, Rexhepi ka qenë i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet.

    Në vitin 2007, ai iu arratis policisë së Durrësit. Një vit më vonë, ai realizoi një arratisje tjetër nga burgu i Pavias në Itali dhe më pas një arratisje tjetër në Belgjikë. Rexhepi përdori pasaportë të falsifikuar me emrin Lulzim Murataj për të kaluar në Kakavijë, dhe nuk është kthyer më në Shqipëri pas datës 16 nëntor 2013.

  • Ishte arrestuar që në 19 dhjetor, Irani liron gazetaren italiane. Zyra e Melonit: U bë punë intensive në kanalet diplomatike

    Ishte arrestuar që në 19 dhjetor, Irani liron gazetaren italiane. Zyra e Melonit: U bë punë intensive në kanalet diplomatike

    Një gazetare italiane e ndaluar në Iran që nga 19 dhjetori është liruar dhe po kthehet në Itali, ka njoftuar zyra e kryeministres, Giorgia Meloni.

    Një avion që transportonte Cecilia Sala u ngrit nga Teherani pas “pune intensive në kanalet diplomatike dhe të inteligjencës”, thuhej në një deklaratë.

    Sala, një reportere për Il Foglio, u ndalua në Teheran tre ditë pasi mbërriti me një vizë pune. Situata e saj ishte ndërlidhur me atë të një inxhinieri iranian të arrestuar në Itali me një urdhër të Shteteve të Bashkuara.TCH

  • ​Analizë nga Gjermania: Serbia, aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë

    ​Analizë nga Gjermania: Serbia, aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë

    Serbia është aleati më i afërt evropian i Rusisë dhe korrupsioni është i kudondodhur në atë vend ballkanik, sipas një analize të publikuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Naumann (Friedrich Naumann).

    “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar tashmë 17 herë me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin. Në vitin 2019, Vuçiq mori Urdhrin e Aleksandër Nevskit në Moskë, i cili zakonisht u jepet figurave të mëdha ruse. Ky ishte një nga momentet më të lumtura në karrierën e tij politike”, thuhet në analizën “Rusia dhe pionierët e autokracisë: Si Kremlini destabilizon Evropën”, me autor gazetarin dhe profesorin e universitetit Thomas Brey.

    Shtohet se regjimi në Serbi po përpiqet të zbatojë politikën e “botës serbe” bazuar në një projekt të ngjashëm të “botës ruse”.

    “Ky program serbomadh ishte një nga shkaktarët e luftërave të përgjakshme gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”, thuhet në analizë.

    Kujtohet se Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj me BE-në dhe nuk vendosi sanksione kundër Rusisë.

    “Kompania ajrore kombëtare Air Serbia ende fluturon disa herë në javë drejt Moskës dhe qyteteve të tjera ruse. “Ka një qendër humanitare ruso-serbe në afërsi qytetit të Nishit në jug të Serbisë, të cilën kritikët në Perëndim e konsiderojnë qendër për shërbimet e inteligjencës ruse”, thuhet në analizë.

    Shtohet se mediat proqeveritare në Serbi janë bartësit kryesorë të propagandës ruse.

    “Është edhe më e rëndësishme që janë zyrtarët serbë, veçanërisht ata në poste të larta qeveritare, të cilët kryesisht përhapin narrativa pro-ruse dhe antiperëndimore”, thuhet në analizë.

    Shtohet se në ato media “Rusia ngritët deri në qiell, ndërsa Perëndimi demonizohet”.

    Thuhet se Vuçiq në fakt po përhap propagandë ruse në intervistat e tij për mediat perëndimore.

    Theksohet se edhe pse Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Serbisë, ajo shpesh paraqitet në pasqyrë shumë negative në Serbi.

    Në analizë thuhet se ” qoftë Putini nga Rusia, Orbani nga Hungaria, Vuçiqi nga Serbia apo Fitzi nga Sllovakia – sistemet e tyre të kontrollit politik dhe të ruajtjes së pushtetit janë të njëjta kudo”.

    “Në radhë të parë është nacionalizmi i ri, i cili inkurajohet nga pretendimi se vendet fqinje, NATO, SHBA apo BE kërcënojnë kombin e tyre”, thuhet në analizë.

    Përveç mediave të centralizuara dhe të censuruara, thuhet në analizë, mjeti kyç për ruajtjen e pushtetit është minimi sistematik i të gjitha institucioneve shtetërore si parlamenti, qeveria dhe ministritë, gjyqësori, autoritetet vendore dhe organet e pavarura mbikëqyrëse.

    “Gjithashtu, tregu i punës është i instrumentalizuar politikisht”. Shumë poste në administratë dhe ekonomi mund të merren vetëm përmes partisë SNS në pushtet. Nuk është çudi që një dhjetë përqind e popullsisë së përgjithshme përbëhet nga anëtarë të SNS. Këta anëtarë luajnë një rol kyç në manipulimin e zgjedhjeve, sepse janë të detyruar të mbledhin vota të sigurta nga familjarët dhe kolegët e tyre”, thuhet në analizë.

    Shtohet se Vuçiq, “si në një reality TV, si president i kudondodhur e mban publikun në emocione të vazhdueshme”.

    “Pothuajse çdo ditë ai shfaqet në ekranet televizive, duke folur shpesh me orë të tëra për t’u prezantuar qytetarëve histori të rëndësishme, të mëdha, të pabesueshme apo dramatike, siç njoftojnë mediat qeveritare. Këto janë histori për komplote, krim të organizuar, skenarë frike për të ardhmen, investitorë të huaj spektakolar, vendosjen e themeleve apo hapjen e spitaleve moderne, rrugëve, fabrikave, hekurudhave dhe termocentraleve”, thuhet në analizë.

    Shtohet se në të njëjtën kohë “fshin plotësisht kufirin mes kreut të shtetit dhe vetë shtetit”, sepse Vuçiq “pohon vazhdimisht se e ka bërë të mundur këtë apo atë, sikur të kishte investuar paratë e tij”.

    Analiza gjithashtu thekson se, megjithëse opozita e margjinalizuar në Serbi është kryesisht e përjashtuar nga jeta politike, disa media kritike, gazetarë dhe politikanë janë çdo ditë subjekt i sulmeve dhe turpërimeve nga mediat qeveritare.

    Ata akuzohen vazhdimisht se duan të vrasin presidentin, se shpifin për atdheun e tyre jashtë vendit, se janë të korruptuar dhe imoralë dhe se janë të kontrolluar nga inteligjenca e huaj. Si mund të kërcënojë një opozitë e dobët presidentin apo siç pretendohet shpesh – familjen e tij, kur ai mund të përdorë policinë, shërbimet e inteligjencës, madje edhe ushtrinë sipas gjykimit të tij?”, thuhet në analizë.

  • Fluturime direkte Shqipëri-Izrael, Rama: Do t’i shërbejnë turizmit, por edhe bizneseve

    Fluturime direkte Shqipëri-Izrael, Rama: Do t’i shërbejnë turizmit, por edhe bizneseve

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social “X” lajmin për nisjen e një linje direkte fluturimi Shqipëri-Izrael.

    Rama thotë se ky është një lajm fantastik për vendin tonë, ndërsa thekson se një e ardhme e përbashkët bashkëpunimi dhe respekti reciprok mund të çojë në mundësi të jashtëzakonshme për të dy vendet.

    “Ky është një lajm fantastik për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Izraelit dhe Shqipërisë”, shkruan kryeministri Rama.

    “Mirënjohës ndaj një njeriu të jashtëzakonshëm, një udhëheqësi frymëzues dhe mikut tim të dashur, Isaac Herzog, i cili solli me vete në Shqipëri një grup sipërmarrësish të shquar izraelitë dhe për fjalët e tij inkurajuese drejtuar komunitetit hebre të biznesit duke i nxitur ata ta shohin Shqipërinë si një vend vëllazëror të mundësive”, shkruan Rama ndër të tjera.

    Postimi i plotë:

    “Ky është një lajm fantastik për forcimin e lidhjeve mes Izraelit dhe Shqipërisë! Fluturimet direkte jo vetëm që bëjnë udhëtimin më të thjeshtë, por hapin mundësi për shkëmbime kulturore, turizëm dhe mundësi biznesi. Lidhja historike mes dy shteteve, përfshirë rolin heroik të Shqipërisë në strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një bazë e fortë për një lidhje më të qëndrueshme.

    Inkurajimi i izraelitëve për të zbuluar bukuritë natyrore të Shqipërisë, traditat e saj të pasura dhe ekonominë në zhvillim do të kontribuojë në forcimin e miqësive dhe partneriteteve të forta. Një e ardhme e përbashkët e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë mund të sjellë mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Për shumë momente të paharrueshme dhe një miqësie që po lulëzon.

    Faleminderit, një njeriu të jashtëzakonshëm, një lideri frymëzues dhe mikut tim të dashur Isaac Herzog për sjelljen e një grupi të shkëlqyer sipërmarrësish izraelitë në Shqipëri dhe për fjalët e tij inkurajuese për komunitetin hebre të biznesit, duke i nxitur ata ta shohin Shqipërinë si një vend vëllazëror mundësish.”

  • Ulet çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë në Shqipëri, Rama: Ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve

    Ulet çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë në Shqipëri, Rama: Ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve

    Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE për uljen e çmimit të energjisë për familjarët.

    Drejtori i Tarifave pranë OSHEE, Romir Pajenga tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, çmimi do të jetë 8,5 lekë për kilovat. Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat.

    Ku vendim hyn në fuqi më 1 shkurt 2025 deri në 31 dhjetor 2025.

    Kryeministri Edi Rama tha se kjo është ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike.

    “Ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë”, tha Rama në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    “Po të marrim parasysh se ulja e çmimit të energjisë elektrike në kohën e sotme është në kundërtendencë të plotë me rajonin dhe me kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë elektrike jo vetëm janë rritur në përgjithësi, por janë të kërcënuar nga rritje të tjera”, shtoi Rama.

    “Kjo masë, është një masë më shumë sesa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. E bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportuese neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, frytet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritjeje ekonomike, që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4%, që është një shifër shumë domethënëse”, tha Rama.

  • ​Dritan Rexhepi ekstradohet sot në Shqipëri

    ​Dritan Rexhepi ekstradohet sot në Shqipëri

    Shqiptari shumë i kërkuar, Dritan Rexhepi pritet të ekstradohet sot nga Turqia në Shqipëri.

    Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit në shkurt të vitit 2024, i cili u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023.

    Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës më 17 janar të vitit 2020.

    I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars të 2006-ës, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keçi e Durim Kasmi në vitin 1998.

    Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri.

    Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve.

    Rexhepi është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë./Tch

  • ​Suksesi i sportistëve po ngufatet nga mungesa e infrastrukturës

    ​Suksesi i sportistëve po ngufatet nga mungesa e infrastrukturës

    Sportistët e Kosovës kanë arritur suksese të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare, por mungesa e infrastrukturës adekuate sportive konsiderohet se po e ngufatë shpërthimin edhe më të madh të sportit në Kosovë.

    Infrastruktura është një prej elementeve thelbësore që i nevojiten një sportisti për të arritur rezultate kulminante.

    Drejtues të federatave e përfaqësues të institucioneve sportive, ngrenë alarmin për intervenim të shpejtë dhe investim të madh në infrastrukturë.

    Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi tregon se si karateistët e Kosovës nuk kanë asnjë sallë të stërvitjeve dhe se ata, aktivitetin e tyre e kryejnë nëpër shkollat fillore e të mesme.

    “Nëntëdhjetë për qind e klubeve në sportin e karatesë e zhvillojnë sportin në shkolla fillore ose të mesme në regjionin ku ata jetojnë. Kjo është një mungesë e madhe e infrastrukturës për shkak se për të arritur një nivel të lartë, dhe një performancë të lartë të garuesve, duhet të kesh një sallë të cilën e ke nën kontroll 24 orë, dhe sportistëve do t’ua përshtatësh programin e stërvitjeve. Me këtë rast, me tri stërvitje që i mbajmë në shkolla e ke vetëm shtrirjen në regjion, nuk e ke suksesin. Prandaj, unë pajtohem plotësisht që infrastruktura sportive e dëmton shumë rezultatin kulminant”, thotë Gashi.

    E sipas kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, suksesi i një sportisti dëmtohet për 80% nga mungesa e infrastrukturës adekuate sportive.

    “Për shumë sporte kur nuk i ke mjetet e punës, stadiumin apo shtigjet, pengon në 80%. Një atlet, nëse ushtron apo bën trajnim në një shteg të atletikës ku vërtet i plotëson konditat ndërkombëtare ku ka edhe gjërat tjera përcjellëse si zhveshtoret e çështje të tjera, atëherë besoj se rezultati, nëse ka qenë këtu 30%, do të jetë 100% sepse aty e sheh veten”, thotë Sylejmani.

    Nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) thonë se një numër i madh i talentëve e braktisin sportin pikërisht për shkak se nuk kanë ku ta zhvillojnë aktivitetin e tyre.

    Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi thekson se ka disa sporte në Kosovë që nuk kanë fare infrastrukturë sportive.

    “Suksesi që është arritur në këto 10 vjet i ka tejkaluar pritshmëritë edhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, por edhe pritshmëritë tona bazuar në infrastrukturën që e kemi momentalisht në Kosovë. Por, sikur të ishte e kundërta, sikur të kishim një infrastrukturë shumë më të mirë, sidomos te disa sporte që janë prioritet edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si atletika dhe noti që njihen si ‘mbretëresha të sportit’, e pikërisht te këto çalojmë sa i përket infrastrukturës, por edhe në sporte të tjera si gjimnastika apo tenisi dhe sporte të tjera, padyshim se do të kishim edhe më shumë përfshirje të fëmijëve dhe të rinjve në sport, dhe me këtë kur ke masivitet patjetër që do të kesh edhe talentë më shumë. E shohim sot që pikërisht në këto sporte kemi mangësi, sidomos te seniorët, sepse kryesisht fëmijët merren me këto sporte dhe në moshën madhore tërhiqen për shkak të mungesës së infrastrukturës”, thekson Krasniqi.

    Rëndësinë e madhe që ka infrastruktura sportive e thekson edhe ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani.

    “Mungesa e infrastrukturës, ose infrastruktura e mirë, është njëra ndër pesë kushtet që i numërojnë sportistët dhe trajnerët e tyre që duhet të plotësohen që të krijohen kushtet optimale për sukses…Pa infrastrukturë të mirë, pa infrastrukturë moderne dhe adekuate, nuk mund të kemi suksese të pritura. Ne kemi dëshmuar që edhe në këto rrethana ia kemi dalë me menaxhimin fantastik të krerëve të xhudos, ata ia kanë dalë që të mos vonohen me ndërtimin e infrastrukturës”, ka thënë Hasani.

    Gjithsesi, shpresa për ndryshim të kësaj gjendjeje është te zotimi që shteti i Kosovës ka marrë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi pritet ndërtimi i disa stadiumeve dhe palestrave të reja sportive./kp

  • Franca paralajmëron Trumpin kundër kërcënimit të kufijve sovranë të BE-së

    Franca paralajmëron Trumpin kundër kërcënimit të kufijve sovranë të BE-së

    Franca ka paralajmëruar Donald Trumpin që të mos kërcënojë “kufijtë sovranë” të Bashkimit Evropian pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së refuzoi të përjashtonte veprimet ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës anëtare të BE-së.

    Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i tha radios France Inter: “Nuk ka dyshim që BE-ja të lejojë vendet e tjera në botë, kushdo qofshin ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë”.

    Ai shtoi se megjithëse nuk besonte se SHBA “do të pushtonte” Grenlandën “ne kemi hyrë në një epokë që po sheh kthimin e ligjit të më të fortëve”.

  • LDK hap të shtunën fushatën zgjedhore, Abdixhiku bën ftesë publike

    LDK hap të shtunën fushatën zgjedhore, Abdixhiku bën ftesë publike

    Lidhja Demokratike e Kosovës të shtunën do të hap fushatën zgjedhore, raporton Ekonomia Online.

    Tubimi do të mbahet në Pallatin e Rinisë duke filluar nga ora 17:00.

    “Ejani! Këtë të shtunë, në hapjen e madhe të fushatës sonë zgjedhore! Pallati i Rinisë, nga 17:00 të gjithë në Prishtinë!”, shkruan Abdixhiku në ftesën e publikuar në Facebook.