ATV

Author: ATVLive

  • PZAP hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës Serbe

    PZAP hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës Serbe

    Paneli Zgjedhori për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për certifikimin e Listës Serbe, duke e vlerësuar atë si të palejueshme.

    Në vendimin e PZAP-it, thuhet se “HUDHET poshtë e palejuar ankesa Nr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kërkohej anulimi i Vendimit të KQZ-së Nr. 01/2328-2024, të datës 31.12.2024, dhe urdhërohej KQZ-ja të nxirrte vendim tjetër.“

    Lista Serbe fillimisht nuk ishte certifikuar në mbledhjen e KQZ-së, por pas një ankese të saj, PZAP-i vendosi të japë të drejtë kësaj partie.

    VV, e cila ka kundërshtuar vazhdimisht këtë vendim, ka paraqitur një ankesë të dytë në PZAP më 2 janar, duke e konsideruar certifikimin e Listës Serbe si të paligjshëm dhe duke kërkuar anulimin e tij për pjesëmarrje në zgjedhje.

  • Muriqi flet për të ardhmen para ndeshjes me Real Madridin

    Muriqi flet për të ardhmen para ndeshjes me Real Madridin

    Vedat Muriqi është figura kryesore aktualisht te Mallorca brenda dhe jashtë fushës.

    30-vjeçari që ka fituar edhe dashurinë e madhe nga tifozët e skuadrës së La Ligas së Spanjës, ka dhënë sinjale se dëshiron ta përfundojë këtë edicion në Spanjë.

    Së fundmi është raportuar se Muriqi po kërkohet nga Fenerbahçe e drejtuar nga trajneri portugez, Jose Mourinho.

    Mourinho synon zëvendësimin e sulmuesit Youssef En-Nesyri, i cili mund të transferohet tek Al-Nassr për 30 milionë euro.

    Por, Muriqi dhe Fenerbahçe kanë konfirmuar për mediumin spanjoll “AS” të enjten, se nuk do të ketë negociata për sulmuesin shtatlartë të Kosovës, në afatin kalimtar të janarit.

    “Në Turqi më njohin, më njohin edhe drejtorët e klubit dhe trajnerët se çfarë mund t’i sjellë ekipit. Për këtë unë them se ka diçka të çuditshme për transferimet në dimër e në verë, jo vetëm në Turqi por në përgjithësi. Mallorca është e afërt me secilën prej ofertave në lidhje me këtë çështje. Skuadra nuk dëshiron t’i dëgjojë ato, as të shkruara e as të dëgjuara. Kjo po ndodh edhe tani. Për këtë nuk e shoh të mundshme largimin deri në afatin kalimtar të verës. Jam i lumtur”, ka thënë Muriqi të enjten.

    Muriqi ka kontribuuar me tri gola e dy asistime në 15 paraqitje me Mallorcan në edicionin aktual aktual.

    Mallorca sonte nga ora 20:00 luan kundër Real Madridit në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës.

    Ndeshja zhvillohet në stadiumin “King Abdullah Sports City” në Jeddah të Arabisë Saudite.

    Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë në finale të Superkupës me Barcelonën, që të enjten fitoi ndaj Athletic Bilbaos, 2:0.

  • Pranohen me shkrim deklaratat e dy dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, do merren në pyetje nga mbrojtja

    Pranohen me shkrim deklaratat e dy dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, do merren në pyetje nga mbrojtja

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është marrë vendim që deklaratat e dy dëshmitarëve të pranohen me shkrim, ndërsa mbrojtja do ta ketë mundësinë që t’i marrë në pyetje.

    Kështu bëri të ditur Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten gjatë konferencës javore, ku ndër tjerash tregoi edhe për zhvillimet që e kanë karakterizuar Gjykatën gjatë pushimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 20 dhjetor dhe më 6 janar, trupi gjykues vendosi mbi një kërkesë të Prokurorisë për të pranuar si prova dëshmitë me shkrim të dy dëshmitarëve dhe provat materiale shoqëruese, ndërsa dëshmitarët duhet të jenë në dispozicion për t’u marrë në pyetje nga pala kundërshtare. Krahas kësaj, trupi gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës”, tha Griep.

    Për të njëjtin rast, Griep ripërsëriti që më 18 dhjetor 2024 është miratuar një kërkesë e mbrojtësit të viktimave që një person i afërm i një viktime që tashmë ka ndërruar jetë, të marrë pjesë në emër të saj në procesin gjyqësor.

    Ndërsa në rastin Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, që ka të bëjë me pretendimet për ndikim në dëshmitarë, Griep tha se Thaçi është deklaruar i pafajshëm.

    “Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 20 dhjetor, gjykatësja e procedurës paraprake lëshoi vendimin kornizë mbi nxjerrjen e provave dhe çështje të lidhura me të. Ky vendim përcakton kalendarin për procesin e nxjerrjes së provave, gjatë të cilit Prokuroria duhet t’i japë mbrojtjes provat që synon të përdorë gjatë gjykimit, si dhe vendos mbi aspekte të tjera lidhur me përgatitjen e shpejtë të çështjes gjyqësore për gjykim”, tha tutje Griep.

    Zëdhënësja tregoi se është bërë publik më 24 dhjetor vendimi i Kushtetueses mbi kërkesën e Thaçit me pretendime për shkelje të të drejtave të tij themelore, për shkak të masave hetimore të posaçme të urdhëruara nga gjykatësi i procedurës paraprake për atë gjatë paraburgimit të tij në 2023-ën.

    Zëdhënësja e DhSK-së, tha se në çështjen gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Haxhi Shalës dhe Ismet Bahtijarit, më 20 dhjetor 2024, trupi gjykues lëshoi vendimin mbi klasifikimin e disa parashtrimeve dhe urdhëroi ekipet e mbrojtjes të përgatitnin versionet e redaktuara publike të disa parashtrimeve.

    “Ndërsa ajo tregoi se më 23 dhjetor 2024, u bë publik versioni i redaktuar i urdhrit për zhdëmtim kundër Pjetër Shalës, me anë të cilit ai u obligua që të paguajë shumën prej 208 mijë eurove.

    “Trupi gjykues ftoi kryetaren e DHSK-së të caktojë një gjykatës të vetëm përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e vënies në jetë dhe zbatimit të urdhrit për zhdëmtim. Megjithëse, trupi gjykues rikujtoi se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban ekskluzivisht zoti Shala, ai theksoi se aktualisht zoti Shala nuk duket se zotëron mjetet financiare për përmbushjen e urdhrit. Rrjedhimisht, trupi gjykues diskutoi mundësinë e përfshirjes së aktorëve të tjerë në zbatimin e urdhrit për zhdëmtim. Ndër to, ishin programi aktual për kompensimin e viktimave të krimeve në Kosovë si dhe mundësia që donatorë të kontribuojnë me donacione të paspecifikuara për Dhomat e Specializuara”, tha ajo.

    Ajo shtoi se yrupi gjykues ka ftuar Kosovën që të miratojë ligjet e nevojshme dhe të krijojë mekanizëm zhdëmtues për kompensimin e viktimave të krimeve që përfshihen në juridiksionin e DhSK-së. Tha se të hënën rifillojnë seancat në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Parlamenti i Libanit e emëron president shefin e ushtrisë

    Parlamenti i Libanit e emëron president shefin e ushtrisë

    Parlamenti i Libanit e ka emëruar të enjten shefin e ushtrisë së vendit, Joseph Aoun, si president. Libani kishte dy vjet pa president për shkak të ngërçit politik.

    Votimi u zhvillua disa javë pas nisjes së një armëpushimi që i dha fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe grupit militant libanez, Hezbollah, dhe në një kohë kur liderët e Libanit po kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për ta rindërtuar vendin.

    Aoun shihej si kandidati i parapëlqyer i Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, mbështetjen e të cilave do t’i nevojitet Libanit për t’u rindërtuar.

    Seanca e së enjtes ishte përpjekja e 13-të për ta zgjedhur pasuesin e Michel Aoun, mandati i të cilit mbaroi në tetor 2022.

    Hezbollahu e mbështeti fillimisht një kandidat tjetër, Suleiman Frangiegh, liderin e një partie të vogël të krishtere në veri të Libanit, e cila ka lidhje të ngushta me ish-presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. Megjithatë, të mërkurën, Frangieh njoftoi se ishte tërhequr nga gara dhe e mbështeti Aounin, duke i hapur rrugën shefit të ushtrisë të zgjidhet president.

    Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Randa Slim, hulumtuese nga Instituti për Lindjen e Mesme me bazë në Uashington, tha se dobësimi i Hezbollahut politikisht dhe ushtarakisht në luftën e tij me Izraelin dhe rënie e aleatit të tij, Assad, në Siri, së bashku me trysninë ndërkombëtare për të emëruar një president, kanë hapur rrugën për rezultatin e së enjtes.

    Sistemi i ndarjes së pushtetit në bazë sektare në Liban bën që të ketë shumë ngërçe për arsye politike dhe procedurale.

    Roli i presidentit në Liban është i kufizuar për shkak të sistemit të ndarjes së pushtetit, sipas të cilit, presidenti është gjithmonë një i krishterë maronit, kryeministri mysliman suni dhe kryetari i Parlamentit shiit.

    Megjithatë, vetëm presidenti e ka pushtetin për të emëruar ose shkarkuar kryeministrin dhe kabinetin. Qeveria kujdestare që ka udhëhequr Libanin gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur kompetenca të kufizuara, pasi nuk ishte emëruar nga një president në detyrë. /REL/

  • Murati – Ramës: Prishtina ka 33 milionë suficit, puno në vend se të akuzosh Qeverinë

    Murati – Ramës: Prishtina ka 33 milionë suficit, puno në vend se të akuzosh Qeverinë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar një grafik që tregon se ka pasur një rritje të mbështetjes financiare të Qeverisë për Komunën e Prishtinës gjatë tre viteve të fundit.

    Megjithatë, ai ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, se Komuna e udhëhequr nga ai mbyll vitin me suficit (buxhet të pashpenzuar).

    Ky reagim i Muratit ka ardhur pas një konferencë për media të mbajtur nga Rama të enjten, ku ai akuzoi Qeverinë se nuk po e mbështet për realizimin e projekteve madhore në kryeqytet.

    “Por ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro”, ka shkruar Murati.

    Në një postim në Facebook, Murati ka theksuar se Komuna e Prishtinës ka mbyllur vitin me suficit, pasi buxheti nuk është shpenzuar siç ishte planifikuar.

    Ai ka shpjeguar se grafiku tregon se mbështetja buxhetore nga Qeveria është rritur ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit.

    Por, ai ka shtuar se kjo rritje është e padobishme kur Komuna e Prishtinës nuk është në gjendje ta realizojë buxhetin që vetë e harton.

    “Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte për shkak të mos-realizimit. Andaj, Kryetari i Komunës Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, bën mirë që të përqëndrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve”, ka shkruar tutje ai në Facebook.

  • Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” përfaqëson Kosovën në Berlinale

    Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” përfaqëson Kosovën në Berlinale

    Një film i cili rrëfen tregimin e piktorit Skender Muja, i cili bashkë me qytetarët e tjerë të Mitrovicës, u ngujuan nga forcat serbe në një shkollë të Skenderajt në vitin 1999, do ta ketë premierën botërore në Berlinalen e këtij viti, në muajin shkurt.

    Historia e tyre në kampin e ndalimit vjen në filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti” me regji nga Alban Muja.

    Filmi është pjesë e programit “Forum Expanded” dhe prodhimi i tij është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

    “Kinematografia jonë, kohëve të fundit me filma të metrazhit të shkurtë, po vazhdon të shkëlqejë në ngjarjet më prestigjioze të industrisë botërore të filmit”, shkroi kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    “Një reflektim i mbijetesës dhe qëndresës në relacion me fuqinë e artit për t’i arritur dy të parat. Urime Albanit dhe gjithë ekipit të filmit për këtë përzgjedhje dhe përfaqësim shumë të vlefshëm”, shtoi Kurti në Facebook.

  • Votimi në diasporë, ambasada e Kosovës në Gjermani tregon procedurat e plotësmit dhe dërgimit të fletëvotimit

    Votimi në diasporë, ambasada e Kosovës në Gjermani tregon procedurat e plotësmit dhe dërgimit të fletëvotimit

    Ambasada e Kosovës në Gjermani ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar me postë për zgjedhjet parlamentare.

    Sipas njoftimit, të gjithë ata që janë të regjistruar për votim jashtë Kosovës, duhet të dërgojnë fletëvotimet në kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ose jashtë saj, duke ndjekur disa hapa të thjeshtë.

    Ambasada ka shpjeguar edhe procedurën e votimit dhe dërgimit të fletëvotimit me postë.

  • Shefi i diplomacisë austriake Schallenberg emërohet kancelar federal i përkohshëm

    Shefi i diplomacisë austriake Schallenberg emërohet kancelar federal i përkohshëm

    Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen, ka njoftuar se ministri i jashtëm Alexander Schallenberg nga radhët e Partisë Popullore Austriake (OVP) do të marrë përkohësisht udhëheqjen e qeverisë duke filluar nga e premtja, transmeton Anadolu.

    “Të premten, 10 janar 2025, në orën 11:00, presidenti federal Van der Bellen do t’i besojë ministrit federal Alexander Schallenberg vazhdimin e administrimit të Kancelarisë Federale dhe kryesimin e qeverisë së përkohshme federale në Kancelarinë e Presidentit”, thuhet në një njoftim nga zyra e presidentit.

    Kjo shënon mandatin e dytë të Schallenberg si kancelar federal i përkohshëm, pasi mandati i tij i parë, nga 11 tetori deri më 6 dhjetor të vitit 2021, pasoi dorëheqjen e kancelarit të atëhershëm, Sebastian Kurz.

    Emërimi i tij vjen pasi kancelari federal në largim, Karl Nehammer, të shtunën e kaluar njoftoi dorëheqjen e tij si kancelar dhe udhëheqës i partisë OVP. Vendimi për dorëheqjen e tij pasoi negociatat e pasuksesshme të koalicionit midis OVP-së, Partisë Social Demokrate (SPO) dhe Partisë Liberale (NEOS).

    “Kemi provuar gjithçka deri më tani. Një marrëveshje për çështjet kyçe nuk është e mundur, kështu që një e ardhme pozitive për Austrinë nuk mund të diskutohet”, tha Nehammer në një deklaratë me shkrim.

    Bisedimet e koalicionit kishin për qëllim parandalimin e një qeverie të udhëhequr nga Partia e Lirisë së Austrisë (FPO) e ekstremit të djathtë, e cila grumbulloi 28,85 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit, përqindja më e lartë midis të gjitha partive.

    Pavarësisht kësaj, presidenti Van der Bellen për të formuar qeverinë fillimisht zgjodhi Nehammer-in kundrejt udhëheqësit të FPO-së, Herbert Kickl.

    Të hënën, presidenti Van der Bellen ndryshoi kursin, duke e ngarkuar zyrtarisht Kickl-in për formimin e një qeverie.

    “Kam disa dëshira, por respekti për votuesit dikton që ta pranoj këtë shumicë. Unë do të vazhdoj të siguroj që parimet dhe rregullat e kushtetutës sonë të respektohen në mënyrë korrekte”, tha presidenti austriak.

    Kjo është hera e parë që nga viti 1945 që një përfaqësuesi të FPO-së i jepet mandati për të formuar një qeveri në Austri. Më herët, detyra u jepej ekskluzivisht anëtarëve të SPO-së ose OVP-së.

  • Murati fajëson opozitën që s’i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, miliona euro mbeten të bllokuara

    Murati fajëson opozitën që s’i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, miliona euro mbeten të bllokuara

    Shumë marrëveshje ndërkombëtare, shumica prej tyre financiare kanë mbetur të bllokuara pasi nuk kanë arritur të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës dhe për to duhen 80 vota të deputetëve.

    Si rrjedhojë vetëm nga një marrëveshje që Kosova kishte arritur me Bankën Botërore, do të humbin 90 milionë euro, ka thënë ministri i Financave Hekuran Murati.

    “Për kalim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota, që nënkupton se përveç votave të pozitës, nevojiten edhe votat e opozitës në mënyrë që të mundësohet kalimi i tyre.

    Kësaj radhe, megjithëse mandati ishte i plotë, kjo legjislaturë e Kuvendit po e përmbyll mandatin pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare të mbetura.

    Njëra ndër marrëveshjet e mbetura pa votuar është edhe ajo me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që e veçanta e saj është kamata 0% për 12 vite, të cilën do ta lakmonte secili shtet i botës”, ka shkruar Murati.

    Ai tha se opozita i ka bërë opozitë shtetit, duke provuar të dëmtojë Qeverinë, transmeton Zeri.info.

    “Mirëpo opozita jonë ka vendosur të mos e votojë, e kësisoj t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar që po e dëmton qeverinë. Por qytetarët nuk do ta harrojnë këtë sjellje të opozitës dhe do t’a thonë fjalën e tyre më 9 shkurt”, ka shkruar Murati.

  • Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi mësojnë kundërshtarët në Kupën e Mbretit

    Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi mësojnë kundërshtarët në Kupën e Mbretit

    Real Madridi dhe Barcelona kanë mësuar sot (e mërkurë) kundërshtarët e tyre për fazën e 1/8-tës në Copa del Rey apo Kupën e Mbretit.

    Kupa e Mbretit ka parë tashmë disa tronditje këtë sezon, me Pontevedra të nivelit të katërt që eliminoi fillimisht Villarrealin dhe më pas finalistët e vitit të kaluar RCD Mallorca në raunde të njëpasnjëshme.

    Ata tashmë kanë mësuar edhe kundërshtarin e ardhshëm në Copa del Rey, pasi janë shortuar të ndeshen me Getafen.

    Ndeshjet më interesante padyshim se do të jenë ato në mes të skuadrave të La Ligas, ku sytë janë të gjigantët Real Madridi dhe Barcelona.

    Real Madridi në këtë fazë do të ndeshet në shtëpi me Celta Vigon, teksa Barcelona do ta pres Real Betisin.

    Në ndeshjet tjera, Valencia është mysafire e Ourenses, Almeria pret Leganes, Atletico Madrid luan në udhëtim te Elche, Real Sociedadi është nikoqir i Rayo Vallecanos, teksa Athletic Bilbao e pret Osasunan.

    Ndeshjet do të zhvillohen javën e ardhshme, në datat 14, 15 dhe 16 janar.

    Ndërkohë, çerekfinalet do të fillojnë më 5 shkurt, me ndeshjet e para gjysmëfinale në javën e fundit të shkurtit dhe kthimet në javën e parë të prillit.

    Finalja këtë vit në Copa del Rey do të jetë në La Cartuja më 26 prill.