ATV

Author: ATVLive

  • Shtetet e Bashkuara i japin 500 milionë dollarë ndihmë Ukrainës

    Shtetet e Bashkuara i japin 500 milionë dollarë ndihmë Ukrainës

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mblodhi sot homologët e tij botërorë, pjesë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, për një takim të fundit të këtij grupi nën patronazhin e tij. Në takimin e Grupit të Kontaktit po merr pjesë edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili i bëri thirrje administratës së ardhshme amerikane që të mos e braktisë Ukrainën.

    Gjatë kësaj vizite në bazën ushtarake amerikane Ramstein në Gjermani, administrata e Presidentit Biden njoftoi për paketën e fundit të ndihmës ushtarake për Kievin në vlerë prej 500 milionë dollarësh.

    Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ndodhet në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani për një takim të fundit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, një grup që ai e filloi në këtë bazë ushtarake për të bashkërenduar ndihmën ndërkombëtare ushtarake për ukrainasit vetëm disa javë pas sulmit të Rusisë.

    “Nëse Putini gllabëron Ukrainën, oreksi i tij vetëm sa do të shtohet”, deklaroi Sekretari Austin. “Nëse autokratët arrijnë në përfundimin se demokracitë do ta humbasin durimin, që do të heqin dorë nga interesat e tyre dhe t’i harrojnë parimet, do të shohim uzurpim më të shpeshtë të territoreve. Nëse tiranët e kuptojnë që agresioni shpërblehet, kjo do të sjellë më shumë agresion, kaos dhe luftë”.

    Presidenti ukrainas Zelensky i bën thirrje administratës së re amerikane të mos ndalë ndihmën për Ukrainën.

    “Kemi bërë aq shumë dhe sinqerisht do të ishte çmenduri të dorëzohemi tani dhe të mos vazhdojmë t’i ndërtojmë koalicionet e mbrojtjes që kemi krijuar,” deklaroi zoti Zelensky. “Pavarësisht se çfarë po ndodh në botë, të gjithë duan të ndihen të sigurt që shteti i tyre thjesht do të shuhet nga harta”.

    Gjatë takimit, sekretari Austin njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Kievit pajisje ushtarake nga rezervat amerikane në vlerë prej 500 milionë dollarësh, që njëkohësisht është edhe paketa e fundit e ndihmës nga Presidenti Biden, i cili e përfundon mandatin e tij në fund të këtij muaji. Ndihma përfshin raketa për aeroplanët ushtarakë, pajisje për mirëmbajtjen e aeroplanëve F-16 si dhe municion dhe armë të vogla.

    Aktualisht kanë mbetur edhe 3.8 miliardë ndihmë për Ukrainën, që është miratuar nga Kongresi në prill të vitit të kaluar, por në Pentagon thonë se kjo ndihmë nuk mund t’i dërgohet ende Ukrainës ngaqë nevojiten fonde shtesë nga Kongresi për të plotësuar rezervat amerikane paraprakisht.

    Ndërkohë që ukrainasit po luftojnë për mbijetesë, kauza e përkrahjes së tyre është e rrethuar me pasiguri.

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, nuk ka bërë të qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta udhëheqin këtë grup.

    Zyrtarët aktualë të administratës dhe analistët ushtarakë thonë se një vendim për të mos vazhduar këtë përpjekje do të ketë pasoja katastrofike për Kievin.

    “Po që se Shtetet e Bashkuara kufizojnë dukshëm apo i japin fund përkrahjes për Ukrainën, Ukraina do të përballet me një fatkeqësi të madhe dhe Presidenti i zgjedhur Trump do të ishte përgjegjës për këtë. Pikë. Prandaj jam i sigurt që Presidenti i zgjedhur Trump nuk do ta dëshironte këtë gjë si pjesë të trashëgimisë së tij”, thotë analisti Bradley Bowman nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, raporton VOA.

    Ndërkohë që analistët e vlerësojnë Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës si pikën më të lartë të trashëgimisë së Sekretarit Austin, vonesat e shkaktuara nga Kongresi dhe debatet përbrenda administratës së Presidentit Biden se me çfarë armësh duhet dhënë Kievit, kanë penguar betejën e Ukrainës.

    “Fatkeqësisht shumë shpesh e kemi parë një dinamikë ku kishte hamendje, kur Ukraina ka kërkuar diçka dhe administrata ka thënë jo, pastaj ndoshta dhe në fund po. Dhe pastaj gjatë kësaj periudhe kohore, kemi parë Rusinë që ka avancuar, ukrainasit që po vdesin dhe vonesat që kushtojnë”, deklaroi analisti Bowman.

    Që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022, Grupi i Kontaktit, i përbërë nga 50 shtete, i ka ofruar Kievit mbi 126 miliardë dollarë ndihmë në formë armësh, stërvitjesh dhe pajisjesh.

  • Obamës e Trump shihen të buzëqeshur në funeralin e Jimmy Carter

    Obamës e Trump shihen të buzëqeshur në funeralin e Jimmy Carter

    Ndryshe nga çfarë ndodhi në fushatën presidenciale, Donald Trump dhe Barack Obama duket se kanë shënuar mosmarrëveshjet mes tyre dhe akujt janë shkrirë, pasi të dy u panë tepër të buzëqeshur teksa shkëmbenin biseda në funeralin e ish-Presidentit të ndjerë, Jimmy Carter.

    Presidenti i sapozgjedhur dhe Obama u panë duke shkëmbyer disa shaka në funeralin e Carter përpara se të niste ceremonia. Presidenti i 44-të dhe i 45-të u panë duke qeshur në rreshtin e dytë në Katedralen Kombëtare në Uashington DC pas një Jill Biden të akullt dhe Kamala Harris.

    Trump, me gruan Melania të ulur në të majtë, u pa duke kthyer kokën për t’i thënë diçka paraardhësit të tij. Obama u pa duke qeshur disa herë teksa uli kokën për të dëgjuar se çfarë po thoshte Trump.

    Megjithëse, Obama nuk i dha dorën Trumpit apo Melanisë, pavarësisht se u shtrëngoi duart presidentëve të tjerë, marrëdhënia e përzemërt e tij me Presidentin e ri amerikan lanë të tronditur shumë ndjekës.

    Marrëdhëniet mes dy ish-presidentëve kanë qenë të tensionuara vitet e fundit, me Obamën që së fundi ka bërë një shaka për “fiksimin e Trump me madhësinë e turmës” në Konventën Kombëtare Demokratike.

    Trump ishte gjithmonë një kritik i madh i Obamës, duke ngritur vazhdimisht argumentin e vendlindjes për të pretenduar se ai nuk mund të ishte presidenti i SHBA-së, sepse kishte lindur në Kenia.

  • Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon të nisë gjykimi ndaj pesë të akuzuarve për krime lufte

    Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon të nisë gjykimi ndaj pesë të akuzuarve për krime lufte

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të enjte ka dështuar të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve Dragan Çvetkoviç, Dragan Niciç, Milos Sosiq, Nenad Stojanoviç dhe Slobodan Jetivç, të cilët ngarkohen për krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës së fundit në Kosovë.

    Në këtë seancë, mbrojtësja e të akuzuarit Çvetkoviç, avokatja Jovana Filipoviç ka thënë se prokuroria ka qenë e obliguar që në momentin e ngritjes së aktakuzës të gjitha provat e aktakuzës të ua dorëzojë, mirëpo kjo gjë nuk është bërë, andaj e njëjta konsiderojë se kjo seancë nuk mund të mbahet.

    Lidhur me këtë, prokurori special Atdhe Dema tha se aktakuza është dorëzuar më 7 dhjetor 2024, dhe sipas tij, duke marrë parasysh se një pjesë e madhe stafit kanë qenë në pushim për shkak të festave, një pjesë e provave nuk kanë mundur të dorëzohen së bashku me aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mirëpo, i njëjti tha se në afat prej 2 javësh, mbrojtja do të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës.

    Andaj, gjykatësi Rrahman Beqiri konstatoi se nuk ka kushte që të mbahet seanca e sotme.

    Dosja e Prokurorisë ndaj pesë të akuzuarve

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27.12.2024, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Çvetkoviç, Nicić, Sosiç, Stojanovç dhe Jetviç të cilët akuzohen se si pjesë e grupit kriminal në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 5 maj të 1999-ës në orët e para të mëngjesit kishin ndërmarrë një aksion në disa fshatra të regjionit të Gjilanit, ku ishin vrarë tetë civilëve shqiptarë.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kukaj) dhe Llovcë të vendi i quajtur “Kisha e Epërme”, fillimisht të akuzuarit i kishin ndalur viktimat Rr.I dhe Xh.Z, dhe kishin filluar ta maltretonin Rr.I, duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit, ku më pas kishin shtënë me armë në drejtim të Xh.Z, e cila ishte duke ecur në drejtim të Rr.I, ku si pasojë Xh.Z kishte mbetur e vrarë.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit kishin vazhduar ta godasin me thika tani të ndjerin Rr.I. në pjesë të ndryshme te trupit dhe më pas në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur të dy viktimat, ku Rr.I ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre, ngjarje kjo e cila ishte parë nga dëshmitari okular R.R.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur, në drejtim të fshatit Llovë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës”, i kishin ndaluar tani viktimat R.D, S.Xh, Xh.H, A.R, të dëmtuarin N.H dhe N.H, të cilët në kërcënim të armëve i kishin detyruar të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar dhe më pas e kishin liruar N.H, ndërsa kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave, ku si pasojë kishin mbetur të vrarë R.D, S.Xh, Xh.H, A.R. Ndërsa N.H e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave e t’i vendostë mbi një grumbull të drunjëve pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vet mbi viktimat dhe kishin shtënë me automatik mbi të dëmtuarin N.H, i cili kishte marrë dy plagë, një në qafë dhe në shpatullën e majtë por që iu kishte mbijetuar plagëve të marra.

    Më tej në aktakuzë thuhet se në fshatin Llovcë përderisa popullata civile ishin duke u larguar me traktora me rimorkio, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar të gjuanin në drejtim të tyre ku si pasojë ishte plagosur viktima N.A e cila si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë, dhe po ashtu ishte plagosur edhe M.A e cila në atë kohë ishte 2-vjeçe. Gjithashtu, edhe në dalje të fshatit Pogragjë, ky grup kriminal kishin shtënë në drejtim të viktimës N.R, i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

    Në aktakuzë thuhet se po ashtu, ky grup kriminal kishin maltretuar edhe të dëmtuarit F.H, B.M dhe M.R, ku këta dy të fundit i kishin dërguar në një kooperativë bujqësore në fshatin Pasjan ku i kishin maltretuar në forma ç’njerëzore.

    Me këtë, në bashkëkryerje të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ -së.

    Ndërkaq, sipas aktakuzës të pandehurit Milos Sosiç dhe Nenad Stojanoviç akuzohen edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 i KPRK-së.

  • Hamza promovon potencialet e energjisë së rinovueshme, premton agjenci one-stop-shop për dhëniet e lejeve për investitorët

    Hamza promovon potencialet e energjisë së rinovueshme, premton agjenci one-stop-shop për dhëniet e lejeve për investitorët

    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar kompaninë “Muqa Solar Group” në Suharekë, e cila ka thënë se është dëshmi se energjia solare është edhe një mundësi e mirë ekonomike.

    Hamza ka thënë se do ta krijojë një agjenci One-Stop-Shop për t’i përshpejtuar dhe lehtësuar dhëniet e lejeve për investitorët privatë në energjinë e rinovueshme. Kjo agjenci, Hamza ka thënë se do t’u shërbejë edhe qytetarëve që duan të instalojnë panele diellore për shtëpitë, bizneset apo fermat e tyre, duke u ofruar zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë.

    “Energjia e ripërtërishme është perspektiva, është e ardhmja dhe potencialet ekzistojnë. Ajo që duhet të bëjmë është t’i thjeshtojmë procedurat. Duhet të krijojmë një agjenci one-stop-shop. Sot, për të pasur kapacitete të reja gjeneruese në fushën e energjisë së ripërtërishme, nevojiten 26, 27 apo edhe 28 dokumente. Pse të mos i thjeshtojmë këto? Pse të mos i bëjmë në një vend? Gjithashtu, duhet t’i japim mundësi sektorit privat që të investojë, në mënyrë që të kemi kapacitete të mjaftueshme të energjisë elektrike, sidomos të energjisë së ripërtërishme dhe të rrisim potencialin e investimeve në sektorin privat”, ka thënë Hamza.

  • Gërvalla uron Kapetanoviqin për detyrën e re

    Gërvalla uron Kapetanoviqin për detyrën e re

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka uruar Amer Kapetanoviqin për postin në krye të RCC-së në Sarajevë.

    Në një postim në Twitter, ajo shprehet se “Kosova do të vazhdojë kontributin e saj të fuqishëm në bashkëpunimin rajonal dhe angazhimin tonë për t’u bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s, pasi rajoni ynë është pjesë e Evropës dhe Perëndimit”.

    Kapetanoviq, diplomat me përvojë me më shumë se 25 vjet, zyrtarisht mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që nga 1 janari 2025.

  • Aksident në Shushicë të Istogut, shtatë persona të lënduar

    Aksident në Shushicë të Istogut, shtatë persona të lënduar

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Shushicë të Istogut, ku janë përfshirë katër vetura, si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë mbetur të lënduar.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, për EO e ka konfirmuar ngjarjen dhe ka njoftuar se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

    Rreth orës 15:00 policia është njoftuar për një aksident në rrugën Istog-Rakosh në fshatin Shushicë. Në aksident të involvuara janë katër vetura. Shtatë persona janë lënduar dhe kanë kërkuar tretman mjekësor, ku sipas mjekut kujdestar janë jashtë rrezikut për ketë”, tha Gashi.

  • Kurti uron republikanin Self për emërimin, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën

    Kurti uron republikanin Self për emërimin, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën

    Kryeministri Albin Kurti, ka uruar kongresmenin republikan amerikan Keith Self për emërimin e tij si Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    “Urime për @RepKeithSelf për emërimin tuaj si Kryetar i Nënkomisionit të Komisionit të Punëve të Jashtme për Evropën. Mbështetja juaj për demokracinë dhe sigurinë rajonale është shumë e çmuar”, shkruan kryeministri.

    Tutje Kurti ndan pritjet e tij që të forcohet partneriteti Kosovë-SHBA.

  • Meloni: Musk nuk është kërcënim për demokracinë, Soros ndërhyn

    Meloni: Musk nuk është kërcënim për demokracinë, Soros ndërhyn

    Elon Musk me deklaratat e tij në X lidhur me çështje të vendeve të huaja nuk është një kërcënim për demokracinë, ndërsa financieri dhe filantropisti amerikan me origjinë hungareze, George Soros, është ai që ndërhyn në politikën e shteteve të tjera, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni të enjten në një konferencë përmbyllëse në Romë.

    “A është problemi [me Musk] që ai është i pasur dhe me ndikim, apo që ai nuk është majtist?” i pyeti ajo gazetarët.

    “Ndërhyrja ekziston në raste të tjera kur njerëzit e pasur përdorin resurset për të financuar parti dhe shoqata në mbarë botën për të ndikuar në politikat, siç është rasti i Sorosit”.

    “Unë nuk marr para nga Musk, përkundrazi, të tjerët i morën nga Sorosi. Nuk shoh ndonjë kërcënim për demokracinë”, tha ajo.

    Kur u pyet për komentet e saj mbi mbështetjen e Musk për Alternativën për Gjermaninë dhe kritikat ndaj kancelarit Olaf Scholz dhe socialdemokratëve të tij, Meloni u përgjigj: “Dua të rikujtoj ndërhyrjen nga ana gjermane në fushatën italiane”.

    “Duhet ta kthejmë çdo gjë në vendin e saj”, tha ajo.

    “Musk shpreh pozicionin e tij dhe ky është diskutimi që po bëjmë”, shtoi ajo.

    “Mund t’ju pëlqejë apo jo, por kur më thonë se ka një kërcënim të ndërhyrjes, unë theksoj që nuk është rasti i parë i njerëzve të njohur dhe të pasur që shprehin mendimet e tyre”, tha Meloni.

    “Kam parë disa raste dhe shpesh kundër meje, por askush nuk është shqetësuar. Problemi është kur këta njerëz përdorin resurset për të financuar parti dhe shoqata në mbarë botën për të ndikuar në politikat, diçka që unë nuk e shoh që Musk po e bënë, ndryshe nga Soros”, tha jo.

    “Unë e konsideroj këtë një ndërhyrje të rrezikshme. Por kur ka ndodhur, njerëzit kanë folur për filantropët: a është problemi që [Musk] është i pasur dhe me ndikim, apo që ai nuk është majtist?”, tha ajo.

    Meloni dhe Musk – pronar i Tesla, SpaceX dhe X, janë miq./ANSA

  • Rekord, mbi 52 milionë kilogramë mish importoi Kosova më 2024

    Rekord, mbi 52 milionë kilogramë mish importoi Kosova më 2024

    Qyetatarët e Kosovës duket të jenë konsumues të mëdhenj të produkteve të mishit.Nëse shikohen shifrat zyrtare të Doganës së Kosovës, mund të krijohet përshtypja se qyetarët hanë vetëm mish.

    Vetëm brenda vitit që lamë pas, Kosova ka importuar 52 milionë e 916 mijë kilogramë mish nga vende të ndryshme të botës, raporton KosovaPress.Ndërsa, edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës tregojnë për sasinë e asgjësimit të mishit më 2024 dhe sa janë të angazhuar për të siguruar cilësinë e këtij produkti për qytetarët.

    Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, vlera e importit të mishit për vitin 2024 ishte mbi 117 milionë euro.

    Dogana liston mishin në vendin e 12-të sa i përket produkeve më të importuara përgjatë vitit.

    Krahasuar me vitin 2023, sasia e importit të produkteve të mishit nuk ka ndryshuar shumë, mirëpo vlera e tij po. Për më shumë se 10 milionë euro është më e lartë vlera e importit të mishit në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023. Kjo ngritje duket të jetë si rrjedhojë e inflacionit nga vendet e origjinës.

    Në një përgjigje për KosovaPress, Dogana e Kosovës thotë se në vitin 2023 janë importuar 52 milionë e 688 mijë kilogramë mish në vlerë 106 miliinë euro.

    “Më 2024, Kosova ka importuar mish 52 milionë e 916 mijë e 754 kilogram mish, në vlerë 117 milionë e 572 mijë e 20 euro”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Dogana e Kosovës për KosovaPress

    Ndërsa, në vitin 2017 sasia e importit të mishit ishte rreth 40 milionë kilogram.

    Por, sa ka siguri për ushqimin e mishit?

    Sipas zëdhënësit të AUV, Lamir Thaçi, në secilin rast, kur inspektori, apo ekipi inspektues ka vlerësuar se një produkt nuk i plotëson kriteret ligjore për tregtim dhe konsum ka vendosur që produkti të asgjësohet.

    Thaçi thotë se nga janari deri më 1 dhjetor 2024, AUV ka asgjësuar mish dhe produkte mishi në sasi 460,669 kilogram. Përveç kësaj, AUV ka asgjësuar në këtë periudhë peshk në sasi 40,505 kg.

    Sipas tij, lloji mishit që është asgjësuar më së shumti është mish gjedhi.

    “Me qellim qe të pamundësohet çfarëdo keqpërdorimi i mundshëm. Të gjitha vendimet për asgjësime të produkteve janë nxjerrë duke respektuar procedurat ligjore. Produktet e asgjësuar për ketë vite janë me sa vijon: Mish dhe produkte mishi ne sasi 460,669 kg, si dhe peshk në sasi 40,505.86 kg”, thotë ai për KosovaPress.

    Sipas Thaçit, në secilin rast kur janë gjetur produkte jo të rregullta, janë iniciuar procedura ndëshkimore. Nga inspektorati veterinar janë 8 procedura per kundërvajtje. Ndërsa në total, nga inspektorati fitosanitar bazuar ne gjetjet janë shqiptuar 60 fletëparaqitje. Kurse, nga inspektorati veterinar si inicime në gjykatat kompetente janë dorëzuar 103 raste.

    Përveç kësaj, çmimi mestar i mishit të gjedhit më 2024 ka arritur rekordin e ri të ngritjes në 10 vitet e fundit në Kosovë. Çmimi mesatar për një kilogram mish gjedhi në vend ka arritur në 8.98 euro – cent në nëntor të këtij viti, një rritje prej 2 euro e 50 centë për kilogram ose 38.46 për qind më shtrenjtë krahasuar me vitin 2014, kur ky çmim ishte 6.48 euro – centë.

    Çmimi i mishit nëpër disa mishtore në vend ka arrit këtë vit edhe deri në 10 euro për kilogram.

  • ​Nënkryetari i Prishtinës prezanton projektin e njohur si “Prishtina Smart City”

    ​Nënkryetari i Prishtinës prezanton projektin e njohur si “Prishtina Smart City”

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka prezantuar projektin “Prishtina Smart City”, që ka për qëllim zhvillimin e një infrastrukture digjitale të avancuar për kryeqytetin.

    Projekti “Prishtina Smart City” do të përfshijë sisteme që monitorojnë qarkullimin e veturave, menaxhojnë trafikun, masin cilësinë e ajrit, implementimin e teknologjive të reja dhe sistemeve të menaxhimit që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe cilësisë së jetesës, duke e bërë Prishtinën më moderne dhe të qëndrueshme.

    Zogaj theksoi se “Prishtina Smart City” është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e kryeqytetit dhe do të shërbejë si model për qytetet e tjera.