ATV

Author: ATVLive

  • Haradinaj: Vetëvendosja ka humbur mbështetjen, tani nuk do të ketë më shumë se 25% të votave

    Haradinaj: Vetëvendosja ka humbur mbështetjen, tani nuk do të ketë më shumë se 25% të votave

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje ka rënë ndjeshëm, duke pretenduar se kjo parti nuk i kalon më 25 për qind të votave.

    Haradinaj akuzoi qeverinë Kurti për mashtrime dhe manipulime në përpjekje për të ruajtur mbështetjen.

    “Tani unë besoj që ka rreth 25 për qind votë ose mbështetje. Nuk i beson më kush këtij, i kanë pa që i la pa rrymë edhe kurbetqarët kur erdhën tash. Nuk i beson më mashtruesit askush”, tha Haradinaj.

    Ai tha se Vetëvendosje po organizon tubime me pjesëmarrje të dobët.

    “Ky po shkon nëpër tubime e po i çon nga 40 automjete të Qeverisë e të Parlamentit për me mbush gjysmën e sallës, e as gjysmën nuk po ia mbushin njerëzit e vendit,” deklaroi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Kurti ka lënë Kosovën pa rrymë, bllokoi projekte të rëndësishme energjetike

    Haradinaj: Kurti ka lënë Kosovën pa rrymë, bllokoi projekte të rëndësishme energjetike

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, akuzoi Kryeministrin Albin Kurti për dështime në sektorin e energjisë, duke e lënë Kosovën pa furnizim të qëndrueshëm dhe duke bllokuar projekte të rëndësishme.

    Haradinaj tha se mungesa e energjisë është pasojë e vendimeve të Kurtit për të penguar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

    “Kurti i ka blloku dy projekte të mëdha energjetike, duke e lënë Kosovën pa kapacitete të qëndrueshme. Për më tepër, ai po kalon në energji të ripërtëritshme që nuk janë të qëndrueshme”, tha Haradinaj.

    Ai shtoi se qeveria Kurti ka penguar investimet në teknologji moderne dhe ka dështuar të sigurojë energji të mjaftueshme për vendin.

    “Nëse do të kishim investuar në një termocentral modern, do të kishim zgjidhur problemin e energjisë dhe do të kishim përmirësuar emetimet e CO2. Por Kurti anuloi projektet, duke marrë në qafë Kosovën”, deklaroi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Osmani takoi të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë

    ​Osmani takoi të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe pritshmëritë për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së gjatë vitit 2025, njoftoi Presidenca.

    Takimi vjen në prag të vizitës së zëvendës Sekretarit amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

    Në takim, sipas njoftimit, u diskutua për qëllimin e kësaj vizite, si dhe për disa nga temat kryesore që do të trajtohen.

    “Gjatë bisedës, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati theksuan rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e vazhdimit të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në adresimin e çështjeve të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim./KP

  • ​I jepet lamtumira e fundit presidentit Carter

    ​I jepet lamtumira e fundit presidentit Carter

    Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter është nderuar të enjten me një ceremoni madhështore funerale në Katedralën Kombëtare të Uashingtonit.

    Në ceremoninë e cila u mbajt para se ai të varroset në qytetin e tij në Xhorxhia, morën pjesë të gjithë ish-presidentët amerikanë.

    Aty ishin edhe presidenti Joe Biden dhe i zgjedhuri Donald Trump, i cili së shpejti pritet të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti Biden vlerësoi “karakterin” e Carter dhe në një eulogji prekëse tha se atij “i mungon” shoku i tij.

    Disa nga nipërit dhe mbesat e Carterit i bënë homazhe ish-presidentit, me njërin që tha se gjyshi i tij “bëri paqen me dashuri dhe respekt”.

    Ish-ambasadori i OKB-së, Andrew Young mbajti një predikim, duke lavdëruar aftësinë e Carterit për të “arritur madhështinë nga diversiteti i personalitetit të tij dhe edukimit të tij”.

    Carter vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjecare dhe ishte presidenti më jetëgjatë në historinë e SHBA.

    Ai shërbeu si presidenti i 39-të, nga viti 1977 deri në 1981.

    Carter kishte probleme shëndetësore, duke përfshirë një melanoma që u përhap në mëlçi dhe trurin e tij.

  • Haradinaj thotë se Serbia e do Albin Kurtin në pushtet, madje ka një teori se si po ë bën këtë

    Haradinaj thotë se Serbia e do Albin Kurtin në pushtet, madje ka një teori se si po ë bën këtë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia po bën gjithçka për ta mbajtur Albin Kurtin në pushtet, duke e konsideruar atë kundërvlerën më të mirë për të fshehur politikat e saj.

    Haradinaj tha se Serbia përdor incidente në veri për të faktorizuar Kurtin dhe për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Serbia e bën çmos me mbetë Albin Kurti në pushtet, se është kundërvlera më e mirë e tyre që ata mos mu dukë të këqij, e që Kosova m’u duk keq me dalë fajtore”, tha Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajn në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj flet për takimin me Radojiçiqin: Asnjë komunikim s’e kam pasur me të që nga koha kur Policia bastisi banesën e tij

    Haradinaj flet për takimin me Radojiçiqin: Asnjë komunikim s’e kam pasur me të që nga koha kur Policia bastisi banesën e tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, u përgjigj ndaj kritikave lidhur me një foto të tij me Milan Radojiçiqin, duke sqaruar se nuk ka pasur komunikim me të që nga koha kur Policia e Kosovës bastisi banesën e tij.

    Haradinaj tha se gjatë qeverisjes së tij, Radojiçiqi u largua nga Kosova, dhe koalicioni me Listën Serbe u ndërpre.

    “Në kohën e qeverisjes time, Policia e Kosovës i ka hyrë në banesë dhe që atëherë ai nuk është kthyer në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, koalicioni me Listën Serbe është prishur”, tha Haradinaj.

    Në anën tjetër, ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëpunim me Radojiçiqin edhe pasi ky i fundit ishte përfshirë në listën e zezë të SHBA-së.

    “Po doli në dritë që Vetëvendosje, përkundër që i ka akuzu tjerët e i ka etiketu, doli që edhe pas kësaj kohe, edhe pasi që ka hy në ligj zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Vetëvendosja e ka bashkëpunu me të, e çka është më e keqja, ka bashkëpunu në diçka që është e dhimbshme, pra e kanë bashku votën, e vetmja herë që Vetëvendosje e Lista serbe, kanë votu bashkë mos me i përfshijë veteranët në pagën minimale. A nuk mjafton kjo me tregu që është argati Serbisë?”, deklaroi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj përjashton çdo mundësi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen

    Haradinaj përjashton çdo mundësi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, përjashtoi çdo mundësi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, për shkak se siç thotë ai, dëmet që kjo parti i ka shkaktuar Kosovës.

    Haradinaj tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë dëmtuar rëndë vendin dhe nuk duhet të kenë më rol në qeverisje.

    “Sa dame i ka bo Vetëvendosje edhe Kurti i Kosovës, e sa i dëmshëm është, nëse mbetet në çfarëdo përgjegjësie në qeverisje Kurti”, tha Haradinaj.

    Ai shtoi se është interes kombëtar që Kosova të udhëhiqet nga një qeveri pro-perëndimore dhe pro-NATO-s.

    “Besoj që është misioni ynë dhe interes nacional me siguru që Kosova do të udhëhiqet nga një qeveri properëndimore, nga një qeveri pro NATO-s”, tha Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Tri tema jashtë fushatës

    Tri tema jashtë fushatës

    Sot kanë nisë votimet për zgjedhjet 2025. Po!!! Zgjedhjet janë më 09 shkurt, por votimet kanë nisë sot!

    Nga sot e deri më 8 shkurt, mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt. Ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.

    Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Gjermani 44.774, Zvicër 27.248 Francë 4.629 Suedi 3.958 Austri 3.932 Itali 3.810 SHBA 2500 etj etj. Dizajni i fletëvotimeve është miratuar, procedura dihet de në rregull jemi. Diqysh, edhe pse fushata nisë të shtunën, nëse sot kanë nisë votimet, e ddi shembuj të njerëzve që sot menjëherë i kanë nisë votat e me postë, kam vendosur që këto të jenë minuta te fundit të Hoxhës derisa të kryhen zgjedhjet. Edhe pse qoftë si autor emisioni, qoftë si shef redaksie më lejohet që të marrë anë me qëndrime editoriale, nuk e kam ndër mend që gjatë fushatës, as të marrë anë, e qe besa as të janë qëndrime personale shumë.

    Për qëndrimet personale ka me pasë kohë e rast pas 09 shkurtit, kurse banorëve të Kosovës, këtë muaj paritë do të tentojnë sërish t’ua mbushin mendjen të votojnë për to dhe mendoj që s kanë nevojë edhe për ndërhyrje të miat.

    Mirëpo, për 35 episode, në këta minutat hyrës kam tentuar që faktet, satirën dhe figurat letrare ti përdori për kritikë, sot e kam ndërmend ti përdori për një lavdatë të madhe që Kosova e meriton.

    Pavarësisht krejt asaj që partitë deklarojnë, pavarësisht krejt punës dhe zullumit që e bajnë, pavarësisht krejt pakënaqësive e frustrimeve që secili nga ne i ka me këtë shtet, e me këtë shqoëri një gjë është e sigurt dhe për këtë gjë secili kosovar duhet të jetë krenar, e ajo është – Kosova është demokracia më e mirë në rajon!!!

    Gati të pakrahasueshëm e shumë zor të arritshëm jemi si shoqëri në raport me të gjitha vendet e rajonit. Demokracia në Kosovë është vlerë themelore e shoqërisë, ndonëse i kemi veç 35 vjet që jemi dalë nga komunizmi, prej tyre 9 në okupim dhe nuk i kemi as 20 vjet si shtet.

    Kjo është mëritë e madhe e popullit, edhe e partive edhe e institucioneve dhe bazohet në tri shtylla:

    E para – në Kosovë në pushtet vjen kur i fiton zgjedhjet. Ka pasë momente kur parti të caktuara kanë pasur shumë më shumë muskuj, shumë më shumë potencial fizik dhe kontroll të terrenit, por jo edhe kontroll të votës.

    Nuk kanë ardhë në pushtet, sepse nuk kanë fitu në zgjedhje – pikë! Ka pasë momente kur parti të caktuara kanë qenë në gjendje të mobilizojnë qindra mijëra njerëz për një peticion, opse për një valë të protestave, ose për një hallakamë, por nuk i kanë pasë votat në kuti për të fituar dhe nuk kanë ardhe në pushtet. Ka pasë sulme ndaj të dhunshme ndaj organeve të rendit dhe ndaj shtetit, por ato në pushtet nuk e kanë sjellë askënd – i ka sjellë vota!

    Në këtë vend nuk ka qeverisë kush, nëse nuk ka qenë i përkrahur nga shumica dhe ky standard është vlerë e duhet të jetë burim krenarie!

    Shtylla e dytë e kësaj demokracie është Gjykata Kushtetuese. Kosova ka kushtetutë shumë përparimtare, por edhe një klasë politike dhe një gjykatë kushtetuese që deri sot i ka qëndruar prapa.

    Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka rrëzuar Presidentë, ka rrëzu kryeministër, ka interpretuat lijin e zgjedhjeve duke ndikuar direkt në hartën politike të Kosovës dhe në fatin e disa partive politike, ka ndërhyrë në raste kur është rrezikuar funksionimi i shtetit, ka kornizuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka kornizuar reformën në drejtësi dhe ka shërbyer si burim i standardeve të politikës së sotme.

    Politika, me disa përjashtime palidhje, por jo të papërfillshme ka zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka treguar se në këtë shtet krahas vullnetit të popullit ka edhe një akt juridik e politik suprem dhe ka interpretime të atij akti që respektohen!

    E treta – e për këtë kam folë edhe më herët është transferi i rregullt dhe paqësor i pushtetit. Njerëz me shumë fuqi, ego, krenari, pare e potencial konstruktiv e destruktiv kanë pasë pushtet në Kosovë, por kur kanë humbë në zgjedhje, atë pushtet e kanë dorëzu në mënyrë të rregullt e paqësore dhe të tjerët e kanë marrë atë pushtët në po këtë mënyrë.

    Këto tri vlera – ZGJEDHJET FER DHE VOTËN E LIRË, vendimet e GJYKATËS KUSHTETUESE dhe TRANSFERIN E RREGULLT E PAQËSOR të pushtetit nuk bën ti harroni gjatë ditëve në vazhdim.

    Për 30 ditë, keni me u lodhë nga premtimet e mëdha, fjalimet palidhje, shifrat e paarritshme, budallakitë në rrjete sociale, lajme e postime të rrejshme, e shumë e shumë gjëra të shëmtuara.

    Por, më 09 shkurt duhet të jeni krenar dhe mirënjohës që votoni të lirë, në një sistem zgjedhor ku vota vjedhet pak, ose më së paku në Ballkan, në një shtet që respekton një kushtetute moderne dhe ku në pushtet janë partitë që e kanë shmumicën!

    Ruajeni veten, ruajeni shneten gjatë fushatës, e ruajni vlerat dhe demokracinë pas zgjedhjeve!

  • ​”Historia për sanksionet kundër NIS-it është spekulim nga udhëheqja shtetërore”: A po mbledh shteti para për të blerë pjesën ruse?

    ​”Historia për sanksionet kundër NIS-it është spekulim nga udhëheqja shtetërore”: A po mbledh shteti para për të blerë pjesën ruse?

    Zyrtarët shtetërorë serbë janë përpjekur ditët e fundit të bindin publikun se Serbia ka para për të blerë pjesën ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS). Mirëpo, ekspertët mendojnë se kjo nuk është e mundur pa huamarrje shtesë dhe kjo histori është nxitur më tej nga emetimi i planifikuar i bonove shtetërore me dinarë në vlerë prej mbi një miliard euro.

    Ka pothuajse një muaj që kur presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi se Shtetet e Bashkuara (SHBA) kishin vendosur të vendosin sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).

    Mirëpo, që atëherë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga zyrtarët amerikanë, ndërsa ambasadori amerikan Christopher Hill ka dërguar sinjale të përziera dhe autoritetet në Serbi kanë shkaktuar panik.

    Vuçiq, megjithatë, kohët e fundit ka treguar se ai beson se do ta marrë atë letër rreth 15 janarit, ndoshta të hënën ose të premten.

    Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj NIS-it, nëse ato do të ndodhin, sepse shumica është në pronësi kapitalit rus, përkatësisht Gazpromit. Kjo është arsyeja pse, muajt e fundit, ka pasur spekulime publike për blerjen e pjesës ruse dhe shtetëzimin e mundshëm të NIS-it, ndërsa ministri i Financave Sinisha Mali, si dhe Vuçiq, pretendojnë se Serbia i ka paratë gati për këtë.

    Mirëpo Mali është distancuar duke thënë se ka ende problem me strukturën buxhetore, por se do të gjendet një zgjidhje.

    Një zgjidhje e mundshme mund të jetë gjetur në huamarrjen shtesë nëpërmjet emetimit të bonove.

    Siç njofton Administrata e Borxhit Publik, Qeveria e Serbisë në seancën e mbajtur më 26 dhjetor ka miratuar Vendim për emetimin e bonove shtetërore për dhjetë e gjysmë në vlerë prej 120 miliardë dinarë ose pak më shumë se një miliard euro. Norma e kuponit do të jetë 5.25 për qind në vit.

    Ankandi i parë do të mbahet më 23 janar të këtij viti, ndërsa data e maturimit është 27 korrik 2035. Siç shtohet, vlera nominale e çdo bonit është 10.000 dinarë.

    Ekonomisti Dragovan Milicević pohon se Serbia ka para për këtë, nëse merr borxhe shtesë.

    “Mendoj se tani është e qartë për të gjithë”, thekson ai, duke shtuar se këtë herë e miraton.

    “Për dallim nga situatat e tjera, unë e mbështes këtë, sepse është një kompani strategjike që për nga natyra sjell fitime të mëdha, prandaj periudha e kthimit do të ishte e favorshme”, shpjegon Milicević.

    Megjithatë, ai paralajmëron se kjo pastaj ngre çështjen e cilësisë së menaxhimit.

    “Nëse situata me NIS para 15 vitesh përsëritet, skenari është i njohur”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

    Ai beson gjithashtu se kjo është aktualisht më shumë një çështje e politikës sesa e profesionit dhe se ka disa dyshime se çfarë do të thotë të blesh një shumicë aksionesh.

    “Pyetja është nëse Serbia dëshiron të ketë një shumicë, dominuese apo 100 për qind. “Sipas mendimit tim, ka informacione të pakta nëse do të vazhdonin me sanksionet nëse Gazprom do të ndërmerrte qoftë edhe një veprim”, përfundon Milicević.

    A duhet të blejë shteti pjesën në NIS dhe a do të heqin dorë rusët prej tij?

    Kryebrokeri i Momentum Securities, Nenad Gujaničić, pohon se e gjithë çështja rreth NIS-it bazohet në spekulimet e paraqitura nga udhëheqja shtetërore.

    “Është e qartë se qëllimi i Perëndimit është të zvogëlojë ndikimin rus në Ballkan, por është e vështirë të besohet se ata do ta bëjnë këtë në një mënyrë që të sanksionojë një vend të tërë”. Sepse asnjë sanksion ndaj NIS nuk mund ta pengojë funksionimin e kompanisë, përveç ndalimit të importit të naftës bruto në vendin tonë, dhe këto nuk janë sanksione ndaj kompanisë por ndaj gjithë vendit”, shpjegon ai.

    Nëse nuk ka sanksione ekstreme, beson Gujaničić, nuk ka asnjë arsye që pala ruse të heqë dorë nga zotërimi i shumicës në NIS.

    Ai është i mendimit se emetimi i bonove të qeverisë nuk ka të bëjë fare me historinë rreth NIS-it.

    “Kjo është pasojë e faktit që duhet të marrim hua për të financuar deficitin buxhetor dhe pagesën e bonove të maturuara”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

    Gujaniçiq beson se është gjë e mirë që shteti nuk është pronari më madhë i NIS-it.

    “Një numër i madh shembujsh kanë treguar tashmë se nuk ka qeverisje efektive korporative të kompanive shtetërore, pra veprimtaria e kompanive shtetërore është ekskluzivisht nën kontrollin partiak, gjë që herët a vonë çon në humbje”, kujton ai.

    NIS, thekson ai, ishte në një “gjendje të dëshpëruar” përpara se rusët ta merrnin atë.

    “Përveç metodës jotransparente të shitjes, gjithçka tjetër që ka ndodhur me atë kompani ka qenë në të mirë të qytetarëve”. Nëse kompania do të kishte mbetur nën kontrollin e shtetit, do të ishim dëshmitarë të skenarit EPS ose Telekom, ku kompanitë u sollën në prag të ekzistencës për shkak të menaxhimit joadekuat. “NIS aktualisht është një nga kompanitë më të mira vendase, kryesisht falë pronarit më të madh, dhe do të ishte edhe më mirë nëse do të kishte kontroll të duhur të operacioneve nga shteti, i cili zotëron pothuajse 30 për qind të aksioneve”, thotë Gujaniçiq.

    NIS aktualisht vlen rreth një miliardë euro në bursë, për të kujtuar. tha ai.

    “Megjithatë, të gjithë e dinë që ky vlerësim është mjaft joreal, sepse qarkullimi në tregun vendas është më se i dobët”. “NIS si kompani është në gjendje mjaft të mirë edhe pse ky vit afarist do të jetë dukshëm më i keq se dy të mëparshmit”, paralajmëron bashkëbiseduesi ynë.

    Nëse pronari i shumicës donte vërtet ta shiste kompaninë në mënyrë të drejtë dhe transparente në një tender ndërkombëtar, Gujaničić beson se mund të arrihet një çmim që është sa dy ose tre herë më i lartë se çmimi aktual në bursë.

  • ​Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin e Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës

    ​Komandanti i FSK-së mori pjesë në takimin e Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin e radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që u zhvillua të enjten në Bazën e Forcave Ajrore Amerikane në Ramstein Gjermanisë. Aty mori pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

    Jashari po qëndron atje me ftesë të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin, njoftoi Forca e Sigurisë së Kosovës.

    “Takimi u bashkëdrejtua nga Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Lloyd Austin si dhe ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Rustem Umerov. Për të treguar rëndësinë e këtij koalicioni dhe për të adresuar kërkesat e Ukrainës për vitin 2025 në takim mori pjesë edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Në adresimin e tij ai falënderoi shtetet e koalicionit për ndihmat e dhëna përmes Kontakt Grupit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

    Kosova, siç thuhet në njoftim, vazhdon të mbështesë Ukrainën përmes trajnimit të forcave luftarake ukrainase, në fushën e deminimit si dhe ka dhuruar shumë herë pajisje, automjete dhe municion të kalibrave të mëdhenj

    Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është formati i takimeve të ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve të botës, që përbëjnë koalicionin e madh të mbështetësve të Ukrainës, që prej fillimit të agresionit rus./KP