ATV

Author: ATVLive

  • Vrasje në tentativë në një lokal të Malishevës, i plagosuri dërgohet në QKUK, i dyshuari arrestohet

    Vrasje në tentativë në një lokal të Malishevës, i plagosuri dërgohet në QKUK, i dyshuari arrestohet

    Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në një lokal në Malishevë, i cili më pas është dërguar për QKUK për tretman mjekësor. Sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetë.

    Ndërkaq, policia ka thënë se ka arrestuar të dyshuarin, i cili ka dorëzuar një armë me gaz me shtatë.

    “Malishevë 10.01.2025 – 03:25. Është raportuar se në një lokal, ka ndodhë një rast plagosje me armë zjarri. Viktima mashkull kosovar ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Sipas mjekëve viktima është jashtë rrezikut për jetë. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka dorëzuar një armë me gaz me shtatë (7) fishekë kal.9mm dhe një gëzhojë fisheku me gaz e cila armë dyshohet se është përdorur në rast. Lidhur me rastin është bastisur shtëpia e tij, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit, i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. Rasti është duke u hetuar”, tha policia në raport.

  • Borë dhe acar përgjatë kësaj fundjave

    Borë dhe acar përgjatë kësaj fundjave

    Pas temperaturave pranverore që patëm ditëve të fundit, në fundjavë pritet të kemi një mot tipik dimëror për këtë periudhë kohore.

    Reshjet e dëborës që fillojnë gjatë mbrëmjes dhe natës, parashihet të vazhdojnë përgjatë ditës së shtunë kohë pas kohe.

    Në vise më të ulëta ditën mund të përzien me shi, apo të bien në formë sqote.

    Fryjnë erëra veriore të lehta dhe mesatare 3-7m/s. Temperaturat minimale zbresin në 0C e -1C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë deri në 1C e 3C.

    Mot më i acartë me reshje dëbore po pritet ditën e diel dhe të hënë. Do të fryjë dhe erë më e ftohtë veriore me hove deri në 13m/s.

    Në pjesë të vendit do të regjistrohen ditë të akullta, me maksimale prej vetëm -2C e -3C, e ato minimale zbresin deri në -6C. Të reshurat pritet të pushojnë gjatë ditës së martë, por mbeten ende më shumë vranësira mbi vend dhe përgjatë ditës së mërkurë. Maksimalet shënojnë një rritje të lehtë në 1C e 3C./MendimipërMotin/

  • Siguria gjatë zgjedhjeve, policia tregon planin operativ

    Siguria gjatë zgjedhjeve, policia tregon planin operativ

    Policia e Kosovës tha se duke u bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve si agjencion kyç për sigurinë publike në tërë territorin e vendit, ka hartuar urdhrin operativ policor me kohë dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saj policore lidhur me zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, policia tha se është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

    Ky plan operativ ka paraparë katër faza:

    1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

    2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

    3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z),

    4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    Faza e parë tani veçse është realizuar, përderisa tani jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:

    • Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    • Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.

    • Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    • Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu, policia tha se janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

    :Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”.

    Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.

  • Kosova pa rezultate të dukshme në fuqizimin e pozitës së saj ndërkombëtare

    Kosova pa rezultate të dukshme në fuqizimin e pozitës së saj ndërkombëtare

    Diplomacia e Kosovës ka pësuar regres dhe stagnim gjatë mandatit të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke mos arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve dhe nevojat strategjike të vendit, kanë vlerësuar analistët politikë në vend, raporton EO.

    Sipas tyre, për katër vite nën udhëheqjen e qeverisë aktuale, vendi nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje të re dhe ka pasur shumë sfida në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    Sipas politologut Albinot Maloku, një nga arsyet kryesore të dështimeve diplomatike është mungesa e një vizioni strategjik nga Ministrja Gërvalla dhe ndikimi i çështjeve të brendshme, veçanërisht dialogu me Serbinë, siç u shpreh për Ekonomia Online.

    “Diplomacia e Kosovës gjatë mandatit të Gërvallës, si ministre e Jashtme dhe shefe e diplomacisë, ka pësuar regres dhe stagnim, të cilin Kosova nuk e ka merituar. Kjo ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, fillimisht nga mungesa e një vizioni strategjik të mirëfilltë nga ana e ministres dhe pastaj nga ndikimi i çështjeve të brendshme, si pasojë e dialogut që ka imponuar këtë rrjedhë ngjarjesh në Kosovë”, ka thënë ai.

    Ai theksoi se gjatë këtij mandati, Kosova nuk ka arritur të ketë rezultate të dukshme në fuqizimin e pozitës së saj ndërkombëtare.

    “Në rrafshin diplomatik, Kosova nuk ka për çfarë të krenohet gjatë këtij mandati. Shpresoj që në qeverinë e ardhshme të ketë një vizion tjetër, pa marrë parasysh kush do të jetë në qeveri, pasi i gjithë ky stagnim dhe regres është i padurueshëm për nevojat e Kosovës, sidomos në sektorët e njohjes së shtetit dhe fuqizimin e faktorizimit të saj ndërkombëtar. Çdo shtet duhet të ketë një tregues të tillë themelor: faktorizimin e tij në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

    Analisti politik, Afrim Kasolli, potencoi se mungesa e njohjeve të reja ndërkombëtare dhe dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës janë dëshmi e dështimit diplomatik të këtij mandati.

    Ai vuri në dukje se Kosova ka dështuar të kapitalizojë edhe rastet kur mund të kishte përfitime diplomatike, si në rastet e sulmeve në veri, në Banjskë dhe Ibër-Lepenc.

    “Kanë munguar sukseset diplomatike, dhe kjo është evidente. Kosova nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, ka dështuar, edhe pse ishte shumë afër, të realizojë me sukses anëtarësimin në Këshillin e Evropës, organizatën më të vjetër evropiane. Vendi vazhdon të ndodhet nën masa sanksionuese, që janë si pasojë e veprimeve të brendshme, por që gjithashtu janë reflektim i dështimit diplomatik të qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kohë pas kohe, deklarata të skandaloze të ministres së Punëve të Jashtme kanë shoqëruar raportet me vendet partnere ndërkombëtare. Deri më tani, Kosova nuk ka arritur të shndërrojë asnjë prej dy rasteve të mundshme përfitimi diplomatik, siç kanë qenë sulmi në fshatin Banjsk dhe sulmi në Ibër-Lepenc. Përkundër kësaj, Kosova nuk ka arritur ta përkthejë këtë agresion në një avantazh diplomatik, që reflekton një dështim të shtetit”, ka thënë ai.

    Kasolli për Ekonomia Online gjithashtu theksoi shqetësimet për marrëdhëniet e tensionuara me aleatët perëndimorë, duke përfshirë edhe kritikat nga zyrtarët e lartë të administratës amerikane.

    Ai tha se qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me sfida të mëdha në fushën diplomatike.

    “Duhet të përmendim marrëdhëniet e tensionuara me aleatët perëndimorë, veçanërisht deklaratat shqetësuese të zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, se Kosova, me sjelljet dhe veprimet e saj, po ia pamundëson ShBA-së të lobojë në arenën ndërkombëtare. Ky mandat në këtë sferë ka qenë i pasuksesshëm dhe ka qenë karakterizuar nga dështime të theksuara diplomatike. Çdo qeveri që do të krijohet duhet të ketë parasysh se do të përballet me një sfidë të madhe në këtë drejtim, për shkak se Kosova, edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të ketë detyrime të paplotësuara në raport me obligimet që ka marrë në procesin e dialogut në Bruksel. Pavarësisht se kush e krijon qeverinë dhe kush bëhet kryeministër, Kosova ka obligim që të gjejë një rrugëzgjidhje nga kjo bllokadë, e cila ka penguar përmirësimin e pozicionit të saj ndërkombëtar”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

  • Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

    Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

    Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga ora 12:00.

    Dje ishte edhe dita e fundit e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës meqë sipas ligjit zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.

    Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

    Partitë politike sot hapin zyrtarisht fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.

    Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.

    Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.

    Ndërkaq, koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45.

    Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30m në Klan Arena.

    Më 9 janar ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes.

  • Moti për sot i vranët dhe me reshje bore

    Moti për sot i vranët dhe me reshje bore

    Moti për sot parashikohet të jetë i vranët, me reshje bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3°C deri -1°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 2°C.

    Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-11 m/s.

  • Kosova nis projektin inovativ për ruajtjen e energjisë me bateri

    Kosova nis projektin inovativ për ruajtjen e energjisë me bateri

    Burim Hashani, zëvendësdrejtor për programet në MCA Kosova, në emisionin COMPASS në ATV, tregoi detaje mbi projektin inovativ për ruajtjen e energjisë në bateri, i cili synon të adresojë sfidat e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

    Hashani tha se ky projekt është pjesë e Programit të Kompaktit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, që përfshin një investim fillestar prej 232 milionë eurosh.

    “Është ndër projektet më të mëdha në sektorin e energjisë në tri-katër dekadat e fundit, me synim ruajtjen e energjisë elektrike dhe uljen e kostove”, tha Hashani.

    Ai shtoi se bateritë do të instalohen në Istog dhe Ferizaj dhe do të përdoren për optimizimin e energjisë, veçanërisht gjatë periudhave të pikut.

    “Bateria mundëson ruajtjen e energjisë kur kërkesa është e ulët dhe lëshimin e saj gjatë orëve të pikut, duke ulur ndjeshëm kostot”, theksoi Hashani.

    Sipas tij, projekti është në fazën e përgatitjes së tenderit dhe pritet të përfundojë pas dy vitesh.

    “Tenderi pritet të lansohet në qershor ose korrik, dhe pas përgatitjeve, bateritë mund të instalohen deri në dy vitet e ardhshme,” shtoi ai.

    Intervistën e plotë me Burim Hashanin në emisionin COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtari thotë se nuk do të votojë në zgjedhjet në Kosovë: S’më takon të vendos për jetën e të tjerëve

    Mërgimtari thotë se nuk do të votojë në zgjedhjet në Kosovë: S’më takon të vendos për jetën e të tjerëve

    Profesori i medias dhe konfliktit, Abit Hoxha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, pasi mendon se nuk i takon të ndikojë në vendime për një vend ku nuk jeton.

    Hoxha shpjegoi se jeton jashtë Kosovës dhe kalon vetëm një ose dy muaj në vend, prandaj nuk ndien se duhet të marrë vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve vendas.

    “Unë personalisht me lejo ta them një mendim se unë nuk votoj. Demonstrativisht nuk votoj, për shkak se mendoj se nuk më takon t’ia ‘rregulloj’ jetën e askujt në Kosovë. Unë jam prej një vendi, i cili ka një shëndetësi të mirë e ka një arsim të mirë, sistem fantastik të arsimimit edhe ka një infrastrukturë më të avancume se Kosova. Unë qëndroj në Kosovë ndoshta një ose dy muaj gjatë vitit dhe mendoj se nuk më takon, por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk kanë të drejtë, nuk do të thotë se nuk e përkrahi dikënd të votojë në Kosovë. Njerëzit që mendojnë se kanë të drejtë, rrjedhimisht kanë të drejtë votojnë përderisa ligjërisht kanë të drejtë”, tha Hoxha.

    Ai theksoi rëndësinë e diasporës në zgjedhje, duke përmendur se pjesëmarrja e tyre mund të jetë vendimtare për kursin politik të vendit.

    “Nëse i përket kësaj, sa janë vendimmarrëse këto votat të diasporës, mendoj se numrat tregojnë vet. Na e kemi një trup elektoral 0.9 milion votues nëse nuk gaboj edhe mund të ketë 10-15 për qind të këtij trupi votues, pa marrë parasysh sa njerëz marrin pjesë në zgjedhje, atëherë kjo mund të jetë vendimtare për këto zgjedhje”, u shpreh Hoxha.

    Intervistën e plotë me Abit Hoxhën në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj tregon për herë të parë se a është intervistuar nga Prokuroria e Kosovës në zyrën e tij

    Haradinaj tregon për herë të parë se a është intervistuar nga Prokuroria e Kosovës në zyrën e tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk është intervistuar asnjëherë në zyrën e tij nga Prokuroria, duke thënë se, ndryshe nga Albin Kurti, ai gjithmonë i është përgjigjur thirrjeve dhe ka respektuar institucionet e drejtësisë.

    Haradinaj tha se kurrë nuk është thirrur për korrupsion dhe ka respektuar gjithmonë institucionet e drejtësisë.

    “Unë kam shkuar në Polici, Prokurori, dhe Gjykatë për çdo rast ku jam ftuar, por nuk kam pasur asnjëherë rastin ose nderin të thirrem për hajni,” tha Haradinaj.

    Ndërsa thirrjen e Kurtit, Haradinaj e quan si thirrje për ‘hajni’, madje e akuzon kryeministrin për krijimin e një rrjeti të organizuar korrupsioni në Kosovë.

    “Ky është shefi i organizatës kriminale. Me autoritetin e tij ka krijuar lidhje të shkurtra që u mundësojnë njerëzve të vjedhin dhe të mbrohen”, deklaroi Haradinaj.

    Haradinaj kritikoi Kurtin për refuzimin e tij për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke e cilësuar si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.

    “Kurti nuk shkon në gjykatë sepse e di që është i involvuar në hajni, me energji dhe tema tjera”, shtoi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kandidatët e AAK-së me histori “problematike”, Haradinaj: Po e respektojmë ligjin, s’kemi bërë asnjë dalje nga rregullat në përzgjedhjen e kandidatëve

    Kandidatët e AAK-së me histori “problematike”, Haradinaj: Po e respektojmë ligjin, s’kemi bërë asnjë dalje nga rregullat në përzgjedhjen e kandidatëve

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, u përgjigj ndaj akuzave për përfshirjen e disa kandidatëve me histori të diskutueshme në listën e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme.

    Haradinaj tha se partia e tij respekton ligjet e Kosovës dhe se asnjë kandidat nuk është përjashtuar pa një vendim të formës së prerë.

    “Ne po e respektojmë ligjin e Kosovës, asnjë ligj nuk po shkelim. Derisa s’është një vendim i shkallës së prerë, ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë”, tha Haradinaj.

    Ai tha rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës për kandidim, duke theksuar se ligji garanton këto të drejta.

    “Atë që ia lejon ligji dikujt është keq me ia ndalu dikush tjetër, sepse po e zëmë shpallen pafajshëm. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe ligjit është i tepër i rëndësishëm”, shtoi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: