ATV

Author: ATVLive

  • KQZ funksionalizon platformën online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje

    KQZ funksionalizon platformën online për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë:

    Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org .

    Hapi i dytë:

    Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

    Informacione shtesë:

    Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në Zyrë përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

    Afatet për aplikim:

    Subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve brenda afateve, si në vijim:

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike të certifikuara do të përfundojë më 15 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të organizatave qeveritare – ndërqeveritare do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt 2025;

    • Afati për dorëzimn e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të përfaqësive të vendeve të huaja do të përfundojë më 25 janar 2025;

    • Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare do të përfundojë më 25 janar 2025.

    Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025 dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

  • Haradinaj nis fushatën nga Prekazi: Nga këtu nisemi për “Kosovën Fituese” me numrin 137

    Haradinaj nis fushatën nga Prekazi: Nga këtu nisemi për “Kosovën Fituese” me numrin 137

    Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.

    Ai fushatën e hapi duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

    Haradinaj ka thënë se nga Prekazi niset për “Kosovën Fituese” me numrin 137.

    “Prekazi është vendi që na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, liri e demokraci.

    “Nga këtu nisemi për Kosovën Fituese me numrin 137. Rroftë Kosova!”, ka thënë Haradinaj.

    Nga sot më 11 janar ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

  • DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

    Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    “Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.

    DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

    “Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

    Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

    Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

    NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL/

  • Rama: Ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht, por reshjet pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën

    Rama: Ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht, por reshjet pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekipet përgjegjëse janë angazhuar që rrugët të jenë të kalueshme pas reshjeve të borës.

    Ai tha se situata po vështirësohet për shkak të borës që po bie pa ndërprerje.

    “Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”.

    Ai ka bërë thirrje te qytetarët për kujdes të shtuar në trafik dhe që të dalin me mjete të përshtatshme për këto kushte.

    “Lusim qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të përdorin mjetet e përshtatshme për kushtet atmosferike dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente”, tha Rama.

    Më herët, edhe Policia e Kosovës bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

  • Qeveria e miraton ndarjen e 100 mijë eurove për familjen e Enver Hadrit

    Qeveria e miraton ndarjen e 100 mijë eurove për familjen e Enver Hadrit

    Qeveria e Kosovës mbrëmë e ka mbajtur mbledhjen e 244-të, e cila u zhvillua në formë elektronike.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se janë ndarë 100 mijë euro mbështetje financiare familjes së veprimtarit të vrarë Enver Hadri, për mbulimin e shpenzimeve për procesin gjyqësor.

    Procesi në fjalë ka filluar në Gjykatën Penale në Bruksel, në çështjen penale kundër të akuzuarve për vrasjen e aktivistit të njohur të çështjes së Kosovës, Enver Hadri, i vrarë në Belgjikë në vitin 1990.

    Në mbledhjen e së premtes nga Qeveria, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka propozuar këtë pikë, dhe ka kërkuar mbështetjen e Minitrisë së Financave dhe Transfereve.

  • Hamza për transportin elektrik: Do t’i heqim tarifat doganore dhe do ta subvencionojmë instalimin e stacioneve private të mbushjes

    Hamza për transportin elektrik: Do t’i heqim tarifat doganore dhe do ta subvencionojmë instalimin e stacioneve private të mbushjes

    Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se do të hiqen tarifat doganore për importin e makinave elektrike dhe do të subvencionohen stacionet private të mbushjes, shkruan Ekonomia Online.

    Hamza gjithashtu paralajmëroi krijimin e vendeve të veçanta për parkimin e makinave elektrike në qytete dhe zëvendësimin gradual të flotës zyrtare me makina elektrike, duke kontribuar në një mjedis më të pastër.

    “Çdo makinë elektrike në rrugët e Kosovës është një hap përpara drejt një mjedisi më të pastër dhe më të mirë. Ne do t’i heqim tarifat doganore për importin e makinave elektrike dhe do ta subvencionojmë instalimin e stacioneve private të mbushjes, duke e bërë më të lehtë qasjen dhe qarkullimin e tyre në vendin tonë. Në qytete do të krijojmë vende të veçanta të parkimit për makinat elektrike. E ardhmja e transportit është elektrike dhe gradualisht do ta bëjmë edhe zëvendësimin e flotës zyrtare me makinat elektrike”, ka thënë Hamza.

  • Rrugët vështirë të kalueshme nga bora e papastruar, shkaktohen aksidente

    Rrugët vështirë të kalueshme nga bora e papastruar, shkaktohen aksidente

    Borë me intensitet të lartë është duke rënë sot në vendin tonë. Si pasojë edhe rrugët kanë nisur të jenë vështirë të qarkullueshme.

    Nga pamjet e publikuara deri tani rruga Prishtinë – Gjilan, Prishtinë – Ferizaj, Prishtinë-Pejë, por edhe rrugët në kryeqytet janë të papastruara dhe vështirë të qarkullueshme, duke mos harruar edhe rrugët që dërgojnë në vendet turistike si në Bogë.

    Ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka publikuar video ku ka thënë se rrugët janë të papastruara, ndërsa në video shihet edhe një veturë e rrokullisur.

    “Rrugë të papastruara gjithandej”, ka shkruar ai në Facebook.

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar pas orës 11:00 se ekipet po punojnë për t’i bërë rrugët të kalueshme.

    “Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të komunës.

    Ndërkaq, Policia e Kosovës ju ka bërë thirrje vozitëve të kenë kujdes.

    “Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.

  • Reshjet e dendura të borës bllokojnë rrugët në Bogë, qytetarët të bllokuar për orë të tëra

    Reshjet e dendura të borës bllokojnë rrugët në Bogë, qytetarët të bllokuar për orë të tëra

    Reshjet e dendura të borës gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar bllokimin e shumë rrugëve në Kosovë, duke bërë që ato të jenë të pakalueshme.

    Shoqata për promovimin e turizmit malor të Kosovës ka dërguar një video në redaksinë e Ekonomia Online, ku shihet se në fshatin Bogë të Komunës së Pejës, qytetarët janë bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

    Dëshmitarët kanë thënë se qytetarët janë të bllokuar në fshatin Haxhaj për më shumë se dy orë e gjysmë, duke theksuar se përgjegjësia për mirëmbajtjen e rrugëve është e nevojshme për të parandaluar situata të tilla.

  • Abdixhiku kujton Enver Malokun: Gazetar vetëmohues, intelektual i pashoq

    Abdixhiku kujton Enver Malokun: Gazetar vetëmohues, intelektual i pashoq

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar sot veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26-vjetorin e vrasjes së tij.

    Ai tha se bashkë me familjen e tij e bashkëpunëtorë të partisë u mblodhën përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së për të kujtuar trashëgiminë e tij.

    “26 vjet më parë, në mbrëmjen e 11 janarit të vitit të lirisë, Enver Maloku u qëllua pranë banesës së tij në Breg të Diellit në Prishtinë. Atë ditë u ndërpre rrugëtimi i një gazetari vetëmohues, i një ëndërrimtari të lirisë, i një intelektuali të rrallë e të pashoq, i një adhuruesi të shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë. Patrioti model i orëve më të rënda e bartësi i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, u vra në moshën 45 vjeçare”.

    “Me familjen Maloku – me Doruntinën dhe Drinin dhe me bashkëpunëtorë të Lidhjes, sot u mblodhëm përballë portretit të tij në Murin e Nderit në Selinë Qendrore të LDK-së, aty ku qëndrojnë emrat e atyre që ndërtuan themelet e Kosovës, për ta kujtuar dhe nderuar veprën dhe trashëgiminë e tij të pashlyeshme në lëvizjen kombëtare për liri, pavarësi dhe demokraci”.

    Abdixhiku tha se Maloku nuk ishte vetëm gazetar e veprimtar, por edhe frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes.

    “Sot kujtojmë jo vetëm njeriun që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten të gjalla për të na udhëzuar në ndërtimin e së ardhmes. Enver Maloku nuk ishte vetëm një gazetar dhe veprimtar i shquar i Lidhjes Demokratike dhe i lëvizjes kombëtare për liri; ai ishte një frymëzim për brezat që besojnë në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në detyrën e secilit prej nesh për t’i mbrojtur vlerat e kombit. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”.

  • Osmani kujton veprimtarin Maloku në 26- vjetorin e vrasjes: Ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm

    Osmani kujton veprimtarin Maloku në 26- vjetorin e vrasjes: Ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 26- vjetorin e vrasjes.

    Ajo tha se Enver Maloku ishte profesionist i fjalës së shkruar, luftëtar i mendimit të lirë dhe njeriu që me guxim dhe përkushtim mbrojti idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

    “Si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ai ishte shtyllë e informacionit të drejtë dhe të paanshëm në kohë të errëta, kur e vërteta rrezikohej nga dhuna dhe shtypja. Kujtimi për Enver Malokun është i përhershëm, teksa puna dhe sakrifica e tij janë pjesë e historisë sonë, ndaj e vërteta që ai mbrojti do të jetojë gjithmonë dhe do të mbrohet kur autorët të dalin para drejtësisë. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!”, ka thënë Osmani.

    Enver Maloku është vrarë në pasditen e 11 janarit 1999 pak metra prej banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë. Vrasësit e tij kurrë nuk janë arrestuar dhe vënë para drejtësisë.