ATV

Author: ATVLive

  • Qeveritë e deritanishme kanë dështuar të ndjekin një qasje realiste përballë inflacionit

    Qeveritë e deritanishme kanë dështuar të ndjekin një qasje realiste përballë inflacionit

    Rritja e vazhdueshme e çmimeve në Kosovë po vazhdon të rëndojë mbi qytetarët dhe po ngjallë shqetësime për mungesën e strategjive afatgjata për zhvillimin ekonomik, raporton EO.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit u rritën në 1,1% vjetore dhe 0,7% mujore. E kjo ngritje çmimesh po konsiderohet shqetësuese nga qytetaret e ekspertet vendor.

    Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka ngritur alarmin për situatën, duke theksuar mungesën e vullnetit politik për të adresuar sfidat kryesore ekonomike.

    Ai gjithashtu bëri thirrje për një strategji të qartë zhvillimore dhe një treg të brendshëm të rregulluar, ku roli kryesor duhet t’u lihet qytetarëve si konsumatorë dhe taksapagues. Sipas tij, qeveritë e deritanishme kanë dështuar të ndjekin një qasje realiste përballë inflacionit.

    “E shoh si shumë shqetësuese sepse jo që nuk ka mënyrë për ta ndalur, por ka asnjë vullnet e as mirëkuptim. Neve na premtohet që nga 99-ta që do të ketë një zëvendësim të importeve me atë vendore, e atë nuk e kemi. Na është premtuar që do ta kemi një buxhet ekstensiv prodhues eksportues të vetë qëndrueshëm, e ne vazhdojmë ta kemi buxhetin konsumues. Që kjo do të thotë që shteti varet nga inflacioni, shteti nuk ka interes ta stabilizoj çmimet për arsye nga inflacioni rritet buxheti. Për të qenë realist rritja e buxhetit kurrë nuk ka qenë në nivel të rritjes së inflacionit, por gjithmonë ka qenë nën, pra nuk jemi në gjendje as ta përcjellim inflacionin”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Në prag të zgjedhjeve, Kaçaniku ftoi qytetarët të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e liderëve që premtojnë një buxhet të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik.

    “Jemi në vlugun e fushatës zgjedhore, për t’ua bërë të gjithë qytetarëve që janë konsumatorë që të jemi kujdes se kënd ta zgjedhim në mandatin e ardhshëm. Jo atë që premton buxhet ekstensiv dhe vazhdon me buxhetin konsumues, por ta zgjedhim ta bëjë këto dy gjëra, ne na duhet strategji e zhvillimit ekonomik. Na nevojitet tregu ynë vendor, i brendshëm që nuk e kemi akoma të rregullt, na nevojitet një mbikëqyrës i të gjitha këtyre, e që nuk ka tjetër përveç se qytetarët konsumator taksapagues. Ne e mbushim buxhetin, shteti varet prej nesh, varet edhe Kuvendi, Qeveria e politikanët. Problem tjetër i çmimit ai që nuk e ka në formulë ASK-ja, cila vepron sipas formulave dhe direktivave evropiane, por Evropa nuk i ka hallet tona, ne do ta matim çmimet në realitetin tonë”, tha Kaçaniku.

    Qytetarët, ndërkohë, shprehin shqetësimin e tyre për ndikimin e çmimeve të larta në jetesën e përditshme. Kadri Rugova, një qytetar, theksoi se kjo rritje është shumë problem për ta e sidomos në sezonin e dimrit.

    “Duhet me qenë rritje, është shumë problematike për familjet tepër sidomos për këtë sezon që jemi por nuk kemi çka të bëjmë. Po duhet me dalë e me jetu”, ka thënë ai.

    Një tjetër qytetar, Jahir Shala, e ka përjetuar në mënyrë direkte ndikimin e rritjes së çmimeve. Ai theksoi se me një pension prej 200 eurosh, është jashtë mundësive për të përballuar shpenzimet e përditshme për familjen.

    “Për çmimet lumi ai që ka para e mjerë ai që nuk ka, si për shembull unë që e kam një pension 200 euro, kënd me mbajt gruan, fëmijët. Për veti po them që nuk është reale dhe nuk mundem me përballuar. Po të mos ishte dikush jashtë me më ndihmuar ndoshta do të duhet të dilja të kërkoja lëmosh. Qeveria e ka në dorë tërë popullin, ajo është zgjedhur nga populli duhet me mbajt, nëse nuk interesohet për popullin ne do vdesim urie, qeveria është i zoti i shtëpisë”, ka thënë ai.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se çmimet e konsumit u rritën në 1,1% vjetore dhe 0,7% mujore.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,1% në muajin dhjetor 2024, krahasuar me muajin dhjetor 2023. Inflacioni mujor ishte 0,7% në muajin dhjetor 2024. Ndërsa norma mesatare vjetore e inflacionit për vitin 2024 është 1,6%”, ka njoftuar ASK.

  • Njohësit e sigurisë paralajmërojnë: Serbia dhe Rusia do të tentojnë ta prishin imazhin e zgjedhjeve

    Njohësit e sigurisë paralajmërojnë: Serbia dhe Rusia do të tentojnë ta prishin imazhin e zgjedhjeve

    Ndërsa zgjedhjet e 9 shkurtit afrohen, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se procesi zgjedhor në Kosovë do të zhvillohet në një ambient të qetë dhe të sigurt, duke përjashtuar ndonjë incident madhor, raporton EO.

    Po,r sipas tyre përpjekjet nga Serbia dhe Rusia për të ndikuar tek serbët lokalë në veri të Kosovës janë një realitet i vazhdueshëm.

    Ekspertet e sigurisë kanë mirëpritur edhe angazhimin e Sekretarit të përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.

    Eksperti i sigurisë, Avni Islami, theksoi përgatitjet e institucioneve përgjegjëse në Kosovë, duke përfshirë Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), EULEX-in dhe KFOR-in, që sipas tij gjithmonë kanë treguar vigjilencë të lartë.

    “Unë si e shoh gjendjen e sigurisë në zgjedhje, si çdo zgjedhje të tjera edhe këtë vit mbarëvajtja e zgjedhjeve në Kosovë më e 9 shkurt do të shkoj pa incidente duke pasur parasysh që institucionet e sigurisë së Kosovës, Policia dhe AKI në bashkërendim dhe në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in gjithmonë kanë qenë vigjilente dhe nuk kanë lejuar ndonjë befasi dhe unë prapë besoj që me kohë janë bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet me 9 shkurt, në gjithë territorin e Kosovës të shkojnë siç duhet dhe pa incidente”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Megjithatë, Islami vuri në dukje se përpjekjet nga Serbia dhe Rusia për të prishur imazhin e këtyre zgjedhjeve nuk do të mungojnë.

    Ai paralajmëroi për mundësinë e ndonjë incidenti sporadik të izoluar në katër komunat veriore, të shkaktuara nga lufta politike brenda subjekteve serbe. Sipas tij, presioni mbi votuesit serbë që të mbështesin Listën Serbe mbetet një element shqetësues.

    “Në fakt përpjekjet e Serbisë dhe të Rusisë nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë që ta prishin imazhin e këtyre zgjedhjeve te serbet lokal ku ata do të përpiqen që të bëjnë një presion psikologjik tekë qytetarët lokal serb që ta votojnë Listën Serbë. Krejt çka mund të them që ndonjë incident të vogël sporadik e të izoluar mund të ketë në katër komunat veriore nga vetë serbet lokal, sepse lufta brenda subjekteve politike nga vetë serbet do të jetë e madhe sepse Lista Serbe do të përpiqet që të fitoj numrin maksimal të ulëseve në Kuvend të Kosovës dhe në anën tjetër janë partitë e tjera. Mirëpo incidente mund të jenë brenda subjekteve politike serbe ato do të jenë të izoluara dhe nuk do ta prishin imazhin e këtyre zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt”, tha Islami.

    Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në rajon, duke veçuar tensionet e shkaktuara nga Serbia dhe aleanca e saj me Rusinë.

    Ai për Ekonomia Online paralajmëroi për rreziqet e një “lufte hibride” që Serbia mund të përdorë për të destabilizuar situatën, por gjithashtu beson në kapacitetet e institucioneve kosovare për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

    “Duhet respektuar vlerësimet e sekretarit të përgjithshëm Mark Rute, ngase situata përgjithësisht në Ballkanin perëndimor është në tension mu për shkak Serbisë, partnerit të Rusisë, e cila në vazhdimësi ka pretendime territoriale edhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës, por edhe ndaj Kosovës dhe në këtë drejtim ajo po përdor luftën hibride presidenti i vendit Vuciqit me sistemet paramilitare edhe militare edhe policore. Për këtë arsye duhet që të jemi të kujdesshëm në këtë fazë të votimeve nga ai aspekt që situate edhe pse e qetë edhe stabile në Kosovë por e brishtë nga një mundësi e tillë e rrezikimit. Mendoj që nuk ka shenja të dukshme që mund të ketë ndonjë acarim të situatës brenda por që në realitet është që vetëm ka indikacione që mund të ketë në pjesën veriore nga se reagimi i politikanëve serbe në këtë situatë të zgjedhjeve ka indikacione që mund të ketë eventualisht ndonjë, por ato mund të jenë sporadike. Por ne kemi kapacitet të bollshme që të pengojnë një mundësi qoftë eskalimi apo destabilizmi të situatës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje kyçe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Këto deklarata, ai i bëri më 13 janar gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel.

    Ai shtoi se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte.

  • Ekstradohet në Serbi i dyshuari për rastin e Faton Hajrizit

    Ekstradohet në Serbi i dyshuari për rastin e Faton Hajrizit

    Të premten, një person i dyshuar për organizimin e tranzitit nëpër Serbi të Faton Hajrizit, është ekstraduar në Serbi nga Bosnja dhe Hercegovina të premten, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

    Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq tha se ekstradimi i të dyshuarit Z.R. është kryer në pikën kufitare Sremska Raça, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Daçiq tha në një deklaratë se Hajrizi vrau inspektorin e policisë, Nikola Krsmanoviq, më 18 korrik 2024 në Loznicë.

    Siç thuhet, Z.R. kërkohet në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Suboticë për përfundimin e procedurës penale për prodhim të paautorizuar dhe vendosje në treg të narkotikëve dhe urdhër të Gjykatës Themelore në Loznicë për përfundimin e procedurës penale për veprën penale “kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror dhe kontrabandë me njerëz”.

    Faton Hajrizi u vra më 19 korrik 2024, pasi qëlloi me armë një polic serb gjatë arrestimit në fshatin Trbushnicë të Loznicës.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspora e Kosovës njoftoi më 22 korrik të vitit të kaluar se shtetasi Faton Hajrizi është vrarë në Serbi.

  • Hill: Nuk e përjashtoj një ndryshim në politikën e SHBA-së ndaj Serbisë nën Trumpin

    Hill: Nuk e përjashtoj një ndryshim në politikën e SHBA-së ndaj Serbisë nën Trumpin

    Christopher Hill e ka fajësuar sërish Qeverinë e Kosovës për trajtimin e komunitetit serb dhe mungesën e përparimit në dialogun e Brukselit.

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të premten se nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të politikës së SHBA-së ndaj Serbisë pas kthimit të Presidentit të sapozgjedhur Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    Para se të largohet nga Beogradi, me mandatin e tij që përfundon brenda ditësh, Hill tha për RTS se është “optimist për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Serbi”.

    “Është vërtet e vështirë të thuhet (nëse do të ketë një ndryshim politikash). Mendoj se administrata e ardhshme e Trump, pra një pjesë e stafit të saj, ka përvojë në punën me Serbinë, ndaj nuk do të përjashtoja një ndryshim”, tha Hill,

    Diplomati amerikan, i cili ishte ambasador në Maqedoninë e Veriut, Poloni dhe Kore të Jugut, tha se është shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë dhe se Qeveria e Kosovësështë përgjegjëse për një pjesë të madhe të mungesës së progresit në dialogun e Brukselit.

    “Kosova duhej të bënte disa gjëra, si mbrojtja e popujve të ndryshëm, përfshirë edhe atë serb. Më duhet të them se më duket shumë zhgënjyese sa larg kemi arritur në Kosovë. Është shumë e qartë se kjo është një situatë e pakënaqshme”, tha Hill.

    Ai shprehu shpresën se do të ketë “përpjekje më të madhe” në dialog, duke thënë se Bashkimi Evropian “po përpiqet shumë” dhe se ka “një sfidë të konsiderueshme” përpara.

    “Unë mendoj se shumë prej nesh janë shumë të zhgënjyer me mungesën e përparimit në dialogun e Brukselit. Dhe shumë arsye për atë dështim, për mendimin tim, janë në anën e Qeverisë së Kosovës. Varet nga ne që të mbështesim Evropën dhe të shohim nëse mund të bëhet ndonjë përparim. Por nuk jam i kënaqur me atë që është arritur”, tha ai.

  • Armëpushimi në Gaza hyn në fuqi të dielën

    Armëpushimi në Gaza hyn në fuqi të dielën

    Qeveria izraelite më në fund miratoi marrëveshjen e armëpushimit këtë të shtunë, më 18 janar, dhe publikoi një listë me 95 të burgosur palestinezë që do të shkëmbehen për tri pengjet e para gjatë fundjavës. Armëpushimi do të hyjë në fuqi të dielën në orën 8:30 të mëngjesit.

    Armëpushimi në Gaza do të hyjë në fuqi në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale të Gazës (6:30 të mëngjesit me kohën tonë) të dielën e 19 janarit, sapo tha në rrjetet sociale zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit.

    Majed Al Ansari tha se koha e armëpushimit është koordinuar nga palët në marrëveshje dhe ndërmjetësit.

    “I këshillojmë banorët që të kenë kujdes maksimal dhe të presin udhëzimet nga burime zyrtare. Koha ishte ‘siç u koordinua nga palët në marrëveshje dhe ndërmjetësit’”, tha ai.

    Gazeta izraelite Haaretz raportoi se marrëveshja e pengjeve dhe armëpushimit e miratuar nga qeveria përfshin detyrimet e marra përsipër nga Izraelii për të lejuar kthimin e të gjithë banorëve të Gazës veriore në shtëpitë e tyre.

  • ​Japonia regjistron mbi 5 mijë vdekje nga rraskapitja dhe stresi pas katastrofave

    ​Japonia regjistron mbi 5 mijë vdekje nga rraskapitja dhe stresi pas katastrofave

    Stresi dhe lodhja e rëndë e shkaktuar nga evakuimi pas tërmeteve dhe fatkeqësive të tjera natyrore kanë marrë mbi 5,400 jetë në të gjithë Japoninë gjatë 30 viteve të fundit.

    Të paktën 5,456 “vdekje të lidhura me fatkeqësitë” janë dokumentuar që kur qeveritë lokale filluan një emërtim të tillë pas Tërmetit të Madh Hanshin në Japoninë perëndimore më 17 janar 1995, sipas një raporti të fundit nga Kyodo News me bazë në Tokio të publikuar të shtunën.

    Ai përfshin vdekje të lidhura me tërmetin e Gadishullit Noto vitin e kaluar. Numri i vdekjeve të lidhura me katastrofat të lidhura me tërmetin e Gadishullit Noto, në ditën e Vitit të Ri në 2024 arriti në 276.

    Numri aktual i vdekjeve të lidhura me fatkeqësitë, megjithatë, besohet të jetë më i lartë se sa dokumentohet, pasi familjeve u kërkohet të aplikojnë për përcaktimin, shkruan AA.

    Numri i vdekjeve të lidhura me fatkeqësitë i tejkaloi ato të shkaktuara drejtpërdrejt, si p.sh. nga shembja e ndërtesave, në tërmetet masive në prefekturën Kumamoto në vitin 2016 dhe tërmeti i Gadishullit Noto.

    Rreth 921 vdekje u klasifikuan si të lidhura me fatkeqësitë pas një shpërthimi të sëmundjeve infektive duke përfshirë gripin në qendrat e evakuimit, pas Tërmetit të Madh Hanshin.

    Pas tërmetit të vitit 2004 që goditi prefekturën Niigata, disa njerëz që flinin në makinat e tyre u zbulua se kishin vdekur nga tromboza venoze, ku formohen mpiksje gjaku për shkak të palëvizshmërisë së zgjatur, transmeton KosovaPress.

    Rreth 3,802 vdekje të lidhura me fatkeqësitë u raportuan pasi shumë njerëz u detyruan të lëviznin nga një vend evakuimi në tjetrin, pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011 në Japoninë verilindore dhe shkrirjeve të mëvonshme në centralin bërthamor Fukushima Daiichi.

    Qëndrimet e zgjatura në strehimoret e evakuimit, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, si dhe përkeqësimi i kujdesit të ofruar nga objektet sociale dhe mjekësore, janë ndër faktorët e përmendur si shkaktarë të vdekjeve të tilla në rajon, i cili është shtëpia e shumë të moshuarve.

  • ​Banka Botërore pret rritjen ekonomike të Ukrainës prej 2% në vitin 2025

    ​Banka Botërore pret rritjen ekonomike të Ukrainës prej 2% në vitin 2025

    Banka Botërore pret që norma e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të Ukrainës të rritet në 2% në fund të vitit 2025.

    Deklarata përkatëse është bërë nga Grupi i Bankës Botërore në Perspektivat e tij Ekonomike Globale për janar 2025, raporton një korrespondent i Ukrinform.

    “Rritja ekonomike e Ukrainës parashikohet të jetë 2 për qind në vitin 2025, duke supozuar se armiqësitë aktive vazhdojnë gjatë gjithë vitit”, thuhet në raport.

    Sipas Bankës Botërore, një rikuperim i fuqishëm prej 7% parashikohet në vitin 2026, në varësi të ndërprerjes së armiqësive aktive, të mbështetura nga investimet e konsumit dhe rindërtimit.

    “Perspektiva mbetet e kushtëzuar nga supozimet në lidhje me kohën dhe sasinë e pranimeve të ndihmës së jashtme dhe kohëzgjatjen e pushtimit të Rusisë”, shtoi Banka Botërore.

    Ndërkohë, tensionet gjeopolitike vazhdojnë të përbëjnë një rrezik kritik.

    “Pushtimi i Ukrainës mbetet një faktor i rëndësishëm në formësimin e perspektivës rajonale. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në përçarje më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin”, përfundoi Banka Botërore.

    Përndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) përmirësoi parashikimin e tij për normën reale të rritjes së PBB-së së Ukrainës në 4% në 2024 , si dhe 2.5-3.5% në 2025.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se moti sot parashikohet i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, në mëngjes dhe gjatë natës do të ketë ngrica dhe kushte për mjegull.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7°C deri -4°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 3°C. Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s”, thuhet në njoftim.

  • ​7 vjet nga vdekja e veprimtarit Jonuz Musliu

    ​7 vjet nga vdekja e veprimtarit Jonuz Musliu

    Sot mbushen shtatë vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Jonuz Musliu.

    Ai ishte kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    I lindur në vitin 1959, Musliu ishte i burgosur politik, ndërsa ka drejtuar Këshillin Politik të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për liri në Luginë.

    Pas përfundimit të konfliktit, në pranverën e vitit 2001 me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës.

    Kontributi i Musliut në UÇK, TMK, UÇPMB, e më pas në politikë, ka qenë i pazëvendësueshëm. Ai ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare./KP/

  • Ismajli: Inflacioni i ka rënduar qytetarët, qeveria ka mundur ta frenojë

    Ismajli: Inflacioni i ka rënduar qytetarët, qeveria ka mundur ta frenojë

    Kandidati për deputet nga PDK, Naim Ismajli, në emisionin COMPASS në ATV, tha se inflacioni ka rënduar ndjeshëm shportën e qytetarëve, ndërsa qeveria nuk ka marrë masat e duhura për ta frenuar atë.

    Ismajli tha se fuqia blerëse e qytetarëve është ulur me 50%, për shkak të mosveprimit të qeverisë.

    “Para dy viteve, fuqia e parasë ishte më e madhe, ndërsa tani shporta e qytetarëve është rënduar për 50%. Qeveria nuk ka ndërmarrë masat e duhura që ka pasur mundësi t’i ndërmerr”, deklaroi Ismajli.

    Ai tha se ndryshimi i politikave fiskale dhe investimet në teknologji mund të ndihmojnë në uljen e inflacionit dhe rritjen e produktivitetit.

    “Investimet në teknologji të reja shkurtojnë kohën dhe shpenzimet operative, duke rritur produktivitetin dhe ulur kostot për produktet dhe shërbimet”, u shpreh Ismajli.

    Deklaratën e plotë të Naim Ismajlit në COMPASS e gjeni në videon më poshtë: