ATV

Author: ATVLive

  • Familjet e pengjeve izraelite i bëjnë thirrje Netanyahut të fillojë menjëherë fazën e dytë të negociatave

    Familjet e pengjeve izraelite i bëjnë thirrje Netanyahut të fillojë menjëherë fazën e dytë të negociatave

    Familjet e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza i kanë bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të veprojë menjëherë për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve, transmeton Anadolu.

    Komiteti i familjeve të pengjeve gjithashtu kërkoi nga Netanyahu të mos presë 16 ditë për zbatimin e fazës së parë të marrëveshjes për të filluar negociatat për pengjet e mbetura.

    “Ne bëjmë thirrje urgjente për masa të shpejta për të siguruar zbatimin e të gjitha fazave të marrëveshjes dhe theksojmë se negociatat për fazat e ardhshme duhet të fillojnë para ditës së 16-të”, theksoi komiteti i familjeve.

    Nga atje theksuan se “ky është hapi i parë” dhe se ata nuk do të ndalen derisa të kthehet pengu i fundit.

    Komiteti shprehu mbështetjen për marrëveshjen, duke e quajtur atë “avancim të rëndësishëm dhe vendimtar që na afron me momentin kur do të shohim të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi”.

    Gjithashtu u apelua deri tek publiku izraelit që “të marrë pjesë në tubimin kryesor sonte në Sheshin e Pengjeve” për të kërkuar “garanci për kthimin e pengut të fundit”.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit dhe ushtrisë izraelite, faza e parë e marrëveshjes do të fillojë nesër në orën 08:30 të mëngjesit me kohën lokale (0630 GMT).

    Të mërkurën, Katari njoftoi një marrëveshje armëpushimi prej tre fazash për t’i dhënë fund më shumë se 15 muajve të sulmeve vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.

    Të paktën 46.900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, u vranë dhe rreth 110.600 të tjerë u plagosën në luftën gjenocidale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023.

    Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit Netanyahun dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

    Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

  • Vriten dy gjyqtarë të njohur të Iranit

    Vriten dy gjyqtarë të njohur të Iranit

    Dy gjyqtarë të shquar të Gjykatës së Lartë të Iranit janë vrarë në një sulm në selinë e gjykatës, sipas burimeve zyrtare të gjyqësorit.

    Viktimat u identifikuan si Ali Razini dhe Mohammad Moghiseh. Një gjyqtar i tretë gjithashtu u plagos gjatë sulmit, i cili ndodhi në Pallatin e Drejtësisë në Teheran.

    Shërbimi për shtyp i gjyqësorit iranian raportoi se një person i armatosur kishte “infiltruar Gjykatën e Lartë në një akt të planifikuar për të vrarë dy gjyqtarë”.

    Motivi i sulmit mbetet i paqartë, shkruan reuters.

    Hetimet fillestare zbuluan se sulmuesi nuk kishte ndonjë çështje të hapur në gjykatë dhe as ndonjë lidhje tjetër, sipas raportimit të shërbimit për shtyp të gjyqësorit.

    Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor në Iran, me kryetarin e saj të emëruar nga lideri suprem. Me seli në Teheran, ajo ka degë në të gjithë vendin.

    Shërbimi për shtyp i gjyqësorit raportoi se sulmuesi “shpejt kreu vetëvrasje” pas të shtënave, megjithëse kjo nuk është konfirmuar.

    Raporte të tjera nga mediat iraniane treguan se autori i krimit ishte një pjesëtar i një “forcë sigurie të infiltruar,” i cili fillimisht plagosi një truprojë me thikë, i rrëmbeu armën dhe më pas kreu vrasjet.

    Të dy viktimat mbanin pozita të rëndësishme në sistemin e fuqishëm gjyqësor të Iranit. Gjyqtari Mohammad Moghiseh kishte gjykuar shumë çështje politike, përfshirë ato të mbështetësve të Lëvizjes së Gjelbër të opozitës në vitin 2009. Ai ishte subjekt i sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Gjyqtari Ali Razini kishte shërbyer në shumë pozita të larta dhe ishte akuzuar nga opozita iraniane për përfshirje në një seri vrasjesh jashtëgjyqësore të të burgosurve politikë në vitin 1988.

  • ShBA-ja vendos sanksione ndaj bashkëpunëtorëve e familjes së Dodikut

    ShBA-ja vendos sanksione ndaj bashkëpunëtorëve e familjes së Dodikut

    Ministria Amerikane e Financave ka publikuar të premten listën e re të politikanëve të sanksionuar nga Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Sanskionet ndaj politikanëve të lidhur me Millorad Dodikun, udhëheqësin e Republikës Serbe, kanë zbuluar se ata po punojnë për shkëputjen e RS-së nga Bosnje dhe Hercegovina.

    Siç thuhet në deklaratën e Departamentit të Thesarit në lidhje me sanksionet, Ministri i Punëve të Brendshme të RS, Sinisha Karan dhe Sekretari i Përgjithshëm i RS, Dalibor Paniq, u caktuan nga Milorad Dodik për të punuar në shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnje dhe Hercegovina.

    Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha në një komunikatë se i ka futur në listën e zezë edhe Pavlo Çoroviqin, (bashkëshortin e vajzës së Dodikut, Goricës), Radmila Bojaniqin, Nemanja Reljinin, Sinisha Dodikun dhe Marko Gujançiqin, për shkak se i kanë ndihmuar Dodikut dhe familjes së tij të pasurohen.

    Për organizimin e festimit të ditës antikushtetuese të RS-së, sipas udhëzimeve të Dodikut, u vendosën sanksione ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të këtij entiteti, Sinisha Karan, shefit të kabinetit të Dodikut, Danijelo Dragiçeviq, shefit të Protokollit të RS-së, Goran Rakoviq, sekretarit të Përgjithshëm të RS-së Dalibor Paniq, drejtoreshës së Radios dhe Televizionit të RS-së, Dijana Milankoviq, presidentit të Gjykatës Kushtetuese RS-së, Gerard Selman, presidentit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të RS-së, Rajko Kuzmanoviq, dhe shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të RS-së, Goran Filipoviq.

    Në një reagim në X, Dodik i cilësoi sanksionet si të “motivuara politikisht” nga administrata amerikane në largim.

    Republika Sërpska, e shënoi më 9 janar me një paradë në rrugët e Banjallukës ditën e saj, të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka shpallur tri herë jokushtetuese.

    Paraprakisht, Ambasada amerikane në Sarajevë kishte bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit lidhur me shënimin e ditës jokushtetuese.

    OFAC tha se vendimin për sanksionet e së premtes e mori pas urdhrit ekzekutiv të 8 janarit të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili zgjeroi fushëveprimin e autoriteteve amerikane për t’i luftuar aktivitetet që minojnë ose tentojnë të minojnë kornizat rajonale të paqes dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.

    “Veprimet e sotme vunë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për ta minuar kuadrin demokratik dhe shumetnik që definon Bosnje e Hercegovinën moderne”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Bradley T. Smith.

    Ai shtoi se SHBA-ja, duke përdorur fuqitë e saj të zgjeruara, “mbetet e përkushtuar për të penguar çdo përpjekje të Dodikut dhe miqve të tij për t’u pasuruar dhe për ta destabilizuar rajonin”.

  • Deri më 5 shkurt afati për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile

    Deri më 5 shkurt afati për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhdur periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

    Për të mundësuar votimin e personave të regjistruar si votues me nevoja të veçanta, KQZ do të angazhojë ekipet mobile në çdo komunë të Republikës së Kosovës, më 9 shkurt 2025.

    Procesi i regjistrimit të këtyre votuesve ka filluar më 4 janar dhe do të përfundojë më 5 shkurt 2025.

    Me qëllim të lehtësimit të regjistrimit të këtyre votuesve, KQZ ka funksionalizuar platformën online: https://vpnv.kqz-ks.org/

    Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë këto kategori:

    1. Personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia;
    1. Personat me lëvizje të kufizuar në institucione, si: spitale, shtëpi për të moshuarit dhe strehimore; dhe
    1. Personat në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie apo janë në arrest shtëpiak.
  • Kandidatja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ftohet në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump

    Kandidatja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ftohet në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump

    Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka njoftuar se është ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

    Ajo e ka cilësuar këtë ftesë si një nder të jashtëzakonshëm dhe privilegj të madh.

    Krasniqi u shpreh se ky moment është një vlerësim për angazhimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, aleatin dhe partnerin më të rëndësishëm të Kosovës.

    “Ky moment përfaqëson jo vetëm një arritje personale, por mbi të gjitha, një vlerësim të lartë për angazhimin e përhershëm dhe vizionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikun tonë të përhershëm dhe partnerin më të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare“, shkroi ajo në Facebook duke shtuar se SHBA-ja ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i madh, një partner i pazëvendësueshëm.

  • DnV: Fushata zgjedhore ka qenë e karakterizuar nga përdorimi i gjuhës nxitëse, fyese dhe të urrejtjesë

    DnV: Fushata zgjedhore ka qenë e karakterizuar nga përdorimi i gjuhës nxitëse, fyese dhe të urrejtjesë

    Koalicioni i organizatave jo-qeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka paraqitur raportin e saj mbi përdorimin e gjuhës në fushatën zgjedhore të javës që lam pas, raporton Ekonomia Online.

    Eugen Cakolli, nga DnV, theksoi se përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese është një nga parimet themelore të fushatës, por sipas tij, kjo javë ka qenë e karakterizuar nga përdorimi i gjuhës nxitëse dhe fyese.

    Cakolli theksoi se gjatë monitorimit të 25 aktiviteteve, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes së urrejtjes në baza politike.

    “Sa i përket përdorimit të gjuhës së drejt dhe jo diskriminuese, që është një prej parimeve edhe vlerave të një fushate fer, kjo javë është karakterizuar nga e kundërta. Këtë javë kemi pasur ashpërsim të gjuhës së përdorur në fushatë me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes ose urrejtjes në baza politike. Sipas intensitetit është e qartë që një gjuhë e tillë e shprehur sidomos nga aktivitet e partisë në pushtet, pra Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse edhe në aktivitete e partive të tjera, përfshirë këtu LDK më 10 raste, PDK me 6 raste dhe AAK me dy raste ku është raportuar një gjuhë e tillë nxitës, fyese dhe e urrejtjes”, ka thënë ai, raporton EO.

  • Dy ndeshje interesante në Superligë, vëmendja në Mitrovicë

    Dy ndeshje interesante në Superligë, vëmendja në Mitrovicë

    Fundjava sjell sfida interesante në Superligën e Kosovës në basketboll, që sa vjen e bëhet më interesante.

    Takimi i parë i sontëm do të zhvillohet ndërmjet Borës dhe Pejës.

    Skuadra prishtinase është në vendin e shtatë me pesë fitore e 11 humbje, derisa pejanët në pozitën e tretë me nëntë fitore e shtatë humbje.

    Vëllaznimi-Trepça takohen në një tjetër takim interesant të shtunën.

    Kuqezinjtë janë në formë shumë të mirë, ku kanë katër fitore në pesë ndeshjet e fundit në elitë, derisa kampionët janë në vendin e parë me 12 fitore e katër humbje, ndërsa skuadra nga Gjakova ka tetë fitore e tetë humbje.

    Ndeshja do të zhvillohet në Mitrovicë.

  • Dyshohet se dhunoi të miturën, arrestohet i riu në Pejë

    Dyshohet se dhunoi të miturën, arrestohet i riu në Pejë

    Një i mitur është arrestuar në Pejë, nën dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur, pa dëshirën e saj.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur më 13 janar të këtij viti.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë me viktimën e mitur femër kosovare. Palët janë intervistuar, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Tentoi t’i jap ryshfet policit për të hyrë në Kosovë pa vizë, arrestohet rusja

    Tentoi t’i jap ryshfet policit për të hyrë në Kosovë pa vizë, arrestohet rusja

    Në pikëkalimin kufitar në Merdarë, një shtetase ruse është arrestuar nga policia.

    Sipas policisë, e dyshuara u mundua t’ia jap 50 euro ryshfet zyrtarit policor që t’ia mundësojë hyrjen në Kosovë pa vizë.

    “Është arrestuar e dyshuara femër ruse shtetas e Rusisë, pasi që u kishte ofruar 50€ ryshfet zyrtarit policor që t’ia mundëson hyrjen në Republikën Kosovës pa vizë. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • 30 për qind e buxhetit të Kosovës mbushet nga sektori i naftës

    30 për qind e buxhetit të Kosovës mbushet nga sektori i naftës

    Në Kosovë, sektori i naftës po luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke kontribuar me rreth 30 për qind në buxhetin e përgjithshëm shtetëror. Brenda 24 orëve, në vend hyjnë rreth 100 autobota, që përkthehet në 3 milionë litra karburant, këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

    Sipas një publikim, importi i naftës në Kosovë ka qenë në top 10 kategoritë me më së shumti import gjatë vitit 2024, me një vlerë prej 587 milion euro.

    Berjani ka shtuar se duke u bazuar në monitorimet e Ministrisë së Tregtisë, cilësia e derivateve të naftës është në nivel të kënaqshëm dhe përputhet me standardet e vendeve të rajonit.

    “Sa i përket importit, ne import brenda 24 orëve kemi që hyjnë rreth 100 autobota, çka do të thotë 3 milion litra. Kështu që 30 për qind buxhetin e Kosovës mbushet nga sektori i naftës. Sipas monitorimit të Ministrisë së Tregtisë sektori i naftës është në nivelin e duhur, cilësia është në nivelin e duhur, siç e kanë shtet në regjion derivatet e naftës janë të njëjta edhe të ne në Kosovë”, ka thënë ai.

    Ai ka deklaruar se çmimet e karburanteve në Kosovë janë ndër më të ulëtat në rajon, përveç Maqedonisë së Veriut. Aktualisht, çmimi i naftës varion nga 1.25 deri në 1.31 euro për litër, ndërsa benzina shitet me çmime nga 1.27 deri në 1.32 euro për litër.

    Berjani ka theksuar se trazirat në rajon dhe në botë nuk mund të kenë ndikim në ngritjen e çmimit të naftës.

    “Mund ta them lirisht që mbi tre muaj çmimet kanë qenë shumë stabile. Në Kosovë derivatet e naftës sillet, dizeli 1 euro e 25 cent deri në 1 euro e 31 cent, benzina 1 euro e 27 cent deri në 1 euro e 32 cent. Mund të them lirisht se jemi më të lirët në regjion përveç Maqedonisë Veriore e cila gjithherë ka qenë më e lirë dizeli se te në, jemi të barabarte me çmime me Maqedoninë Veriore. Qytetarët tanë furnizohen me çmimet më të lira në regjion. Ne nuk mund të prekim asgjë nga këto trazirat të cilat janë duke u bërë, qytetarët tanë nuk kanë nevojë për panik, e kemi rastin edhe në Serbi që është embargo, rast konkret ne nga Serbia zero import kemi që disa vite. Prandaj, nuk ka nevojë për panik, çmimet janë stabile është një rritje e lehët e çmimeve por sado kudo qytetarët duhet të jenë të kënaqur se furnizohen me çmime më të lira në regjion”, ka thënë ai.

    Berjani tha se një nga zhvillimet më të rëndësishme në sektor është miratimi i Ligjit për Naftën nga qeveria aktuale, pas një dekade pritjeje, duke theksuar se kërkesat e tyre kryesore janë përfshirë në ligj.

    Reduktimi i kostove për licencat dhe pajisjet është një tjetër arritje që ai ka përmendur, me licencat që nga 3-4 mijë euro kanë rënë në vetëm 50 euro, ndërsa çmimi i kalibrimit të pistoletave është ulur nga 36 euro në 10 euro.

    “Sa i përket kësaj unë nuk kisha dashur që të flas politikisht por mund të them lirisht se me qeverinë e Albin Kurtit ligji i naftës ka kaluar pas një dekade. Të gjitha kërkesat e shoqatës së naftëtarëve janë inkorporuar në ligjin të cilin ka kaluar pas një dekade. Bizneset janë shumë të kënaqura, rast konkret më herët një licenca e importi ka qenë tre deri në katër mijë euro, sot një licenca është 50 euro, kalibrimi i një pistoletave ka kushtuar 36 euro tash kushton 10 euro. Sektorin i naftës është në nivelin e duhur është i rregulluar, të gjitha kërkesat tona janë inkorporuar në ligjin e naftës. Tash është duke u bërë udhëzimi administrativ ku ne si shoqatë kemi kërkuar të Ministrja Rozeta Hajdari që kur të monitorohet cilësi e naftës mos të paguan biznesi por të paguaj shteti edhe kjo është marr parasysh”, ka thënë ai.