ATV

Author: ATVLive

  • Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hamas

    Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hamas

    Armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në fuqi të dielën.

    Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar.

    Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës.

    Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

    Izraeli tha po ashtu para nisjes së armëpushimit se do të vazhdonte luftimet derisa nuk do të publikohej lista me emrat e pengjeve. Më vonë, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një sërë caqesh të Hamasit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

    Me lirimin e tri pengjeve të para pritet të lirohen edhe dhjetëra palestinezë të burgosur në Izrael.

    Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

    Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

    Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

    Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

    Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

    Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit. /REL

  • Kompania kineze refuzoi të shesë aplikacionin, TikTok del jashtë funksionimit në SHBA

    Kompania kineze refuzoi të shesë aplikacionin, TikTok del jashtë funksionimit në SHBA

    TikTok ka dalë jashtë funksionimit në SHBA, disa orë përpara se të hynte në fuqi një ligj i ri që ndalonte platformën.

    Një mesazh që shfaqej në aplikacion për përdoruesit amerikanë thoshte se ishte miratuar një ligj që ndalonte TikTok, që do të thotë “nuk mund të përdorni TikTok tani për tani”.

    “Ne jemi me fat që Presidenti Trump ka treguar se ai do të punojë me ne për një zgjidhje për të rivendosur TikTok sapo të marrë detyrën,” thuhej më tej në mesazhin drejtuar përdoruesve.

    Ky ndalim vjen pasi platforma e mediave sociale paralajmëroi se do të ndërpriste shërbimet ” të dielën nëse administrata në largim Biden nuk jep garanci se ndalimi nuk do të zbatohet.

    Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka thënë se ai “me shumë gjasa” do t’i japë TikTok një afat 90-ditor nga ndalimi pasi të marrë detyrën të hënën.

    Përdoruesit raportuan se aplikacioni ishte hequr gjithashtu nga dyqanet e aplikacioneve të Apple dhe Google në SHBA dhe TikTok.com nuk po shfaqte video.

    “Zgjatja 90-ditore është diçka që ka shumë të ngjarë të bëhet, sepse është e përshtatshme”, tha Trump për NBC News të shtunën.

    “Nëse vendos ta bëj këtë, ndoshta do ta shpall të hënën”, u shpreh ai.

    Shtëpia e Bardhë tha se i takon administratës së ardhshme të ndërmarrë veprime.

    “Ne nuk shohim asnjë arsye që TikTok ose kompanitë e tjera të ndërmarrin veprime në ditët e ardhshme përpara se administrata Trump të marrë detyrën të hënën,” tha në një deklaratë sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre.

  • Zjarri në ETC-në në Suharekë, Kelmendi: Dëmi mbi 3 milionë euro, u shfaq papërgjegjësi e monitorimit vizual qendror

    Zjarri në ETC-në në Suharekë, Kelmendi: Dëmi mbi 3 milionë euro, u shfaq papërgjegjësi e monitorimit vizual qendror

    Ramiz Kelmendi, themelues i ELKOS Group ka reaguar pasi zjarri dogji qendrën tregtare ETC në Suharekë.

    Kelmendi ka thënë se dëmi llogaritet të jetë mbi 3 milion euro, përderisa ka konfirmuar informacionin e dhënë nga policia, se nuk ka dëme në njerëz.

    Ai ka deklaruar se sikur edhe në të trija rastet e mëhershme të djegies së objekteve të ETC-së, “zjarri nisi në mëngjes dhe filloi nga depot”.

    Kelmendi tutje ka shtuar se mbetet me shpresë që Organet e rendit dhe sigurisë të merren me këto raste, sepse “duhet larguar dyshimet e qëllimta dhe ato të paqëllimta”.

    “Është për të ardhur keq papërgjegjësia, në tre rastet, e Monitorimit vizual qëndror me mbikqyrje 24 orë, 2 persona në vazhdimësi – (ku shifet qartë në Kamera, zanafilla dhe mundësia për intervenim)”, ka shkruar Kelmendi.

    Postimi i plotë:

    Të nderuar kolegë; sot, e Diel 19.01.2025 në orët e hershme të mëngjesit (sikurse edhe herave tjera), filloi zjarri në ETC Suharekë dhe atë duke filluar nga Depo (sikur në të tre rastet).

    Fatmirësisht, nga kjo e keqe e madhe, dëme në njerëz nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, (mbi 3 milion), ku siperfaqja e objektit është rreth 10 mijë metra katror.

    Kam një pikëpyetje se si të mbrohem nga keto dëme në vazhdimësi, si ti përballoi emocionalisht si personale ashtu edhe në familje.

    Si ti përballoi dëmet financiare (e mira nga kjo fatkeqësi është se nuk ka dëme në njerëz, në të punësuarit).

    Mbetem me shpresë që Organet e rendit dhe sigurisë të merren me këto raste, sepse duhet larguar dyshimet e qëllimta dhe ato të paqëllimta.

    Është për të ardhur keq papërgjegjësia, në tre rastet, e Monirorimit vizual qëndror me mbikqyrje 24 orë, 2 persona në vazhdimësi – (ku shifet qartë në Kamera, zanafilla dhe mundësia për intervenim).

    Jam në pozitë të vështirë, se si të mos ndodhin më këto raste!

    Ramiz Kelmendi

  • 18 vëzhgues të BE-së fillojnë angazhimin për zgjedhjet e 9 shkurtit

    18 vëzhgues të BE-së fillojnë angazhimin për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM) sot ka vendosur në teren 18 vëzhgues afatgjatë për procesin e zgjedhjeve të Kuvendit të Kosovës të 9 shkurtit.

    Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM) për Kosovën, Nathalie Loiseau, shefja e këtij misioni ishte bashkë më vëzhguesit, të cilëve u uroi mirëseardhje.

    “Mirëserdhët në Kosovë, u uroj fat të mbarë në misionin tuaj në Kosovë”, u tha Loiseau vëzhguesve.

    Vëzhguesit janë 18 shtetet anëtare të BE-së.

  • Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në raportin 24 orësh të Policisë.

    Në Ferizaj një burrë është arrestuar pasi e ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE – Ferizaj / 18.01.2025 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.”

    Ndërsa në Klinë është arrestuar një burrë pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babain e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE- Klinë / 18.01.2025 – 13:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se e kishte sulmuar fizikisht babain e tij viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.”

    Në Pejë është arrestuar një burrë pasi dyshohet se ka demoluar shtëpinë.

    “Pejë / 18.01.2025-14:45. Dyshohet se babai viktimës m/k, i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje i ka demoluar shtëpinë duke thyer edhe një TV dhe disa gota. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit, por pasi i është keqësuar gjendja shëndetësore i njëjti pas tretmanit mjekësor në Spitalin Rajonal është dërguar në QKUK në përkujdesje të policisë për trajtim të vazhdueshëm mjekësor.Rasti nën hetime.”

    Në Mitrovicë të Veriut një burrë i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike një gruaje.

    “DHUNË NË FAMILJE- Mitrovicë Veri / 18.01.2025-17:50. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar i cili dhe është përdorues i alkoolit është duke i shkaktuar dhunë fizike dhe psikike viktimës f/k. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime.”

  • Zjarri në Suharekë, Muharremaj: Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet që i kemi

    Zjarri në Suharekë, Muharremaj: Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet që i kemi

    Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka publikuar pamje të zjarrit që ka kapluar objektin e ETC-së në Suharekë.

    Ai ka thënë se disa biznese janë përfshirë në rrezik nga zjarri.

    “Po mundohemi ta lokalizojmë me kapacitetet që kemi”, ka shkruar ai.

  • Përfundon operacioni policor “Shpërndarësi” në Prishtinë

    Përfundon operacioni policor “Shpërndarësi” në Prishtinë

    Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN) në Prishtinë, në bashkëpunim të
    ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka përfunduar me sukses një operacion të
    koduar me emrin “Shpërndarësi,” i cili pasoi një hetim disa-mujor, raporton Ekonomia Online.

    Nga Policia njoftojnë se oOperacioni u zhvillua më 18 janar 2025, duke rezultuar në sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të narkotikëve, armëve dhe sendeve të tjera të kundërligjshme.

    “Zhvillimi i një plani taktik ka filluar në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj me që rast është ndaluar vetura
    Mercedes ngjyrë e bardhë me targa vendore me vozitës (Sh.S.), ku gjatë kontrollit në trup i është gjetur
    një qese me narkotik të llojit Kokainë me peshë 5.35 gramë. Plani ka vazhduar në rrugën ”Vicanum” ku
    është ndalur vetura Audi Q8 me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari (Xh.S.), ku gjatë kontrollit të
    tij dhe veturës në një vend të fshehte janë gjetur 21 paketime me substancë të dyshuar narkotike të
    dyshuar si kokainë me peshë 20.1 gramë. Në të njëjtin lokacion është ndaluar edhe vetura Volvo ngjyrë
    hiri me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari (F. S.), i cili është shoqëruar në stacion policor si i
    implikuar në rast”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i Policisë:

    Pas veprimeve fillestare në konsultim me prokurorinë e krimeve të rënda në Prishtinë është realizuar një
    bastisje në shtëpitë e të dyshuarve në rrugën “Dëshmoret e Marecit” në Prishtinë ku gjatë kontrollit ka
    rezultuar me gjetjen e provave si në vijim:

     Në njërën shtëpi në banjo janë gjetur 219 qese (doza) me narkotikë të dyshuar si Kokainë, me
    peshë 114.4 gramë, të cilat ishin të gatshme për shitje.

     Në veturën Phaeton ngjyrë e zezë pronë e te dyshuarit Xh.S., nën timon është gjetur një paketim
    me narkotikë të llojit Kokainë me peshë 171.5 gramë .

     Dy revole me numra serik, me dy karikator dhe 9 fishek.

     Një granatë dore model F1 dhe 29 fishek kalibrash të ndryshëm.

     Tri vetura të dyshuara Audi Q8, Phaeton dhe Mercedes, të cilat janë përdorur për fshehje dhe
    shpërndarje të narkotikëve.

     Para të gatshme në vlerë 7900 Euro dhe 100 Dollar amerikan.

     Katër (4) telefona celular.

     Dy DVR

    Profesionalizëm / Integritet / Llogaridhënie

    Në Bastisjen e lokacionit të tretë në fshatin Suhodoll të Lipjanit në një Garazh në pronësi të dyshuarit (Xh.
    S.) është gjetur një veturë e dyshuar Golf 7 ngjyrë e kaltër me targa vendore, si e dyshuar, e involvuar në
    një rast Vrasje në tentative, e cila ishte fshehur në atë lokacion.
    Sipas vlerësimeve të bëra, vlera e Kokainës së konfiskuar, nëse do të shpërndahej në treg, arrin rreth
    30,000 euro.
    Me udhëzim të Prokurorit Kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda Prishtinë, është hapur
    procedura penale për:

    “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe
    analoge” dhe “Mbajtja në kontroll, posedim i paautorizuar i armës”.

    Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga
    antidroga e Policisës në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë.
    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive kriminale, me fokus të veçantë në
    parandalimin e trafikimit të narkotikëve dhe ruajtjen e sigurisë publike.

  • Maqedonci pritet në Pentagon nga zv.sekretari i Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe NATO-n, Alton Buland

    Maqedonci pritet në Pentagon nga zv.sekretari i Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe NATO-n, Alton Buland

    Ushtruesi i detyrës së Zëvendëssekretarit të Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe NATO-n, Alton Buland, ka pritur në takim Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci në Pentagon.

    Në njoftim thuhet se takimi u zhvillua për të rikonfirmuar partniritetin midis SHBA -së dhe Kosovës, dhe rëndësinë e marrëdhënieve tona të mbrojtjes.

  • Rruga “Shani Pallaska” e vetmja e pa asfaltuar në Gjakovë, banorët fajësojnë autoritetet lokale për neglizhencë

    Rruga “Shani Pallaska” e vetmja e pa asfaltuar në Gjakovë, banorët fajësojnë autoritetet lokale për neglizhencë

    Banorët e 30 shtëpive në rrugën “Shani Pallaska”, e cila ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit të Gjakovës, pothuajse çdo ditë, për vite me radhë po përballen me vështirësitë të cilat po ua sjellë kjo rrugë, raporton EO.

    Fakti se ankesat e kërkesat e pandalshme për rregullimin e infrastrukturës së saj, e cila do t’ia lehtësonte jetesën qytetarëve të cilët jetojnë aty, nuk po merren parasysh, po i shqetëson shumë banorët.

    Haxhi Sallahaj, banor i kësaj lagje ka thënë për Ekonomia Online se rruga në këtë gjendje është që nga pas lufta dhe se e njëjta është duke u sjellë shumë vështirësi.

    Ai ka shtuar se kjo lagje ka mbetur e vetmja pa u asfaltuar në Komunën e Gjakovës, teksa shton se problemet me të cilat përballen janë pluhuri, si dhe vështirësimi i qarkullimit kur ka reshje shiu.

    “Shumë po na sjell vështirësi, por e shini vetë qysh është rruga me xhip edhe nuk mundesh me hy, e lëre më kerri i vogël. Gjithë na kanë premtuar se bëhet rruga, do të rregullohet. Një shtëpi është më lart, atje e kanë dërguar asfaltin. Kemi bërë kërkesë, na kanë thënë sivjet, sivjet, çdo vit sivjet do të bëhet. Kjo kështu është që nga pas lufta, kurrë nuk e kanë përmirësuar. Premtime ka, punë hiq, e vetmja lagje në Gjakovë që është me këtë pamje që jeni duke e parë. Kur ka reshje nga uji nuk mund të dalin fëmija, duhet me kerre që t’i dërgojmë fëmijët në shkollë se nuk mund të dalin nga uji. Me na thënë se nuk mund ta bëjmë, ne mobilizohemi e bëjmë vetë lagja”, tha Sallahaj për Ekonomia Online.

    Ndërsa, një banor tjetër, Halil Gashi ka thënë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për rregullimin e kësaj rruge, të njëjtit po neglizhohen nga Komuna.

    “Vështirë na, fëmija nuk po munden me dal më tepër, pa çizme nuk mund të dilet si të bie shi. Premtime kemi boll, unë vetë kam folur me Gjini (kryetarin e Gjakovës) në zgjedhjet e kaluara. Brenda dy jave do të fillojë na kanë thënë, nuk ka filluar a jeni duke parë po bëhen katër vite. Diçka është duke e penguar se çka nuk jemi duke e ditur. Ne kemi bërë protesta, kemi shkuar disa herë në komunë, na ka thënë do të vijmë, do të fillojmë, projekti është i përfunduar të gjitha. Punët nuk po bëjnë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ekonomia Online ka kontaktuar me drejtorin e Infrastrukturës në Gjakovë, Shkumbin Kastrati, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

  • Aksidentet në Kosovë: 96 viktima dhe 21 mijë aksidente në vitin 2024 – Ekspertët kërkojnë masa urgjente

    Aksidentet në Kosovë: 96 viktima dhe 21 mijë aksidente në vitin 2024 – Ekspertët kërkojnë masa urgjente

    Siguria rrugore mbetet një shqetësim në Kosovë, ku gjatë vitit 2024 janë regjistruar 21.838 aksidente, përfshirë 88 me fatalitet dhe 96 viktima, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, raporton Eknomia Online.

    Shifrat alarmante theksojnë nevojën për masa të menjëhershme për të përmirësuar situatën në trafik.

    Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini, ka thënë për Ekonomia Online se numri i këtyre aksidenteve është shqetësues, por që sipas tij, krahasuar me indeksin e vdekjeve në rajon, Kosova nuk është keq.

    Ai ka shtuar se duke marrë parasysh numrin e madh të vdekjeve në komunikacion, duhen masa konkrete për të ulur këto aksidente.

    “Çdo aksident i ndodhur është për t’u shqetësuar, sigurisht që çdo aksident me dëme materiale të mos flasim për vdekje, lë për tu shqetësuar e mundësi për të vepruar dhe për të ndikuar që të kemi numër sa më të vogël të aksidenteve. Në vitin 2024 i kemi pasur 96 viktima të shkaktuar në 88 aksidente që kanë ndodhur me fatalitet, për Kosovën është numër jashtëzakonisht i madh. Mirëpo, krahasuar me indeksin e vdekjeve në rajon nuk jemi më se keqi, do të thotë Mali i Zi e ka numrin më të madh të viktimave të aksidenteve në komunikacion në raport me një milionë banor, dhe Maqedonia e ka numrin më të ulët të aksidenteve në raport me një milionë banor. Numri i madh i vdekjeve në komunikacion që keni pasur lë për të dëshiruar dhe për të marr masa konkrete për të ulur këto aksidente”, tha ai për Ekonomia Online.

    Shahini theksoi se 85% e aksidenteve në Kosovë janë shkaktuar nga faktori njeri, duke përmendur përdorimin e telefonit, gjendjen jo të mirë shëndetësore të shoferëve dhe ndikimin e alkoolit si disa nga faktorët kryesorë.

    Si shumë shqetësuese, ai e ka konsideruar edhe numrin e lartë të vetë aksidenteve, të shkaktuara nga tejkalimi i shpejtësisë në masë të madhe dhe mos përshtatja e shpejtësisë në bazë të kushteve të rrugës.

    “Aksidente në vendin tonë kanë ndodhur si rezultat i faktorit njeri, pra rreth 85 për qind e aksidenteve i kemi pasur të shkaktuara nga faktori njeri në raport me faktorin, rrugë dhe faktorin automjet. Pra është numër shqetësues, apo numër i madh i aksidenteve që kanë ndodhur si rezultat i faktorit njeri. Në kuadër të faktorit njeri kemi pasur përdorimin e telefonit, gjendjen jo të mirë shëndetësore dhe ndikimin e alkoolit gjatë ngasje së së automjetit pra që kanë ndikuar në masë të madhe në aksidente. Vitin 2024 e ka karakterizuar edhe një faktor tjetër që duhet të merren masa konkretet pra vete aksidente, kemi pasur numër të madh të vetë aksidenteve, të shkaktuara nga tejkalimi i shpejtësisë në masë të madhe apo mos përshtatja e shpejtësisë në bazë të kushteve të rrugës. Pra, krejt këto elemente, krejt këto detaje, krejt këta faktor na bëjnë që ne duhet të marrim masa konkrete dhe të shpejta që të ulet numri i aksidenteve”, ka thënë Shahini.

    Ai theksoi rëndësinë e marrjes së masave konkrete për të ulur numrin e aksidenteve, duke përfshirë rritjen e kontrolleve policore dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit pa tolerancë.

    Shahini shtoi se duhet të bëhet edhe vendosja e radarëve statikë dhe të ndriçimit të rrugëve, veçanërisht në udhëkryqe dhe rreth rrotullime.

    “Masat konkrete që duhet të merren për parandalimi e aksidenteve është masa të rrepta nga ana e Policisë, mos falje të shklesave të ligjit, vendosja e radarëve statik është e domosdoshme, vendosja e ndriçimit sidomos nëpër udhëkryqe nëpër rreth rrotullime, në zona të urbanizuar dhe ku ka qarkullim të automjeteve është masë tjetër që ndikon në parandalimin e aksidenteve dhe kufizimi i shpejtësisë dhe përdorimi i sinjalizimit rrugor horizontal dhe vertikal është tjetër faktor që ndikon në masë të madhe”, tha Shahini për Ekonomia Online.

    Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për EO, përgjatë vitit të kaluar (2024) në vendin tonë janë regjistruar 21 mijë e 838 aksidente, duke përfshirë kështu aksidente me dëme nga 13.854, me lëndime 7.896 e me fatalitet 88.

    Në po të njëjtën periudhë, janë shqiptuar 711.953 gjoba trafiku, si dhe 96 persona kanë vdekur si pasojë e aksidenteve.