ATV

Author: ATVLive

  • Për shkak të mjegullës, u anuluan disa fluturime në Aeroportin e Shkupit

    Për shkak të mjegullës, u anuluan disa fluturime në Aeroportin e Shkupit

    Për shkak të mjegullës, mbrëmë janë anuluar një pjesë e fluturimeve në Aeroportin e Shkupit.

    Sipas informatave në uebfaqen e Aeroportit të Shkupit, një pjesë e fluturimeve janë anuluar ose riorientuar.

    Dukshmëria është 200 metra, dhe për këtë arsye trafiku ajror është i pezulluar.

    Kujtojmë se këtë muaj ka pasur anulime të shpeshta të fluturimeve për shkak të mjegullës së dendur.

    Raste të tilla kanë ndodhur dhe në aeroportet në vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën.

  • AUV me kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat Turistike

    AUV me kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat Turistike

    Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në një komunikatë për media kanë njoftuar se kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në Qendrat turistike.

    Nga AUV bëjnë të ditur se janë kontrolluar 18 operatorë ushqimorë në Qendrat e Skijimit edhe atë në Kodër të Diellit, Mavrovë, Ponikva, Krushevë, Pelister dhe në Mihajlovo.

    AUV njofton se inspektorët e Agjencisë kanë vërejtur parregullsi vetëm të një operator, i cili siç thonë, nuk ka qenë i regjistruar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari si operator ushqimor, me të cilën i është shqiptuar gjobë dhe i është dhënë urdhër për regjistrim të menjëhershëm.

  • Grenell protestuesve në Serbi: Nëse s’ju pëlqen një ligj apo lider punoni ta ndërroni, por mos e përdorni dhunën

    Grenell protestuesve në Serbi: Nëse s’ju pëlqen një ligj apo lider punoni ta ndërroni, por mos e përdorni dhunën

    I dërguari presidencial amerikan për misione speciale, Richard Grenell i ka komentuar protestat në Serbi që u nxitën nga revolta e studentëve, një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit.

    Ai kërkoi që dhuna të dënohet dhe demonstratat të jenë paqësore.

    “Është gjithmonë e rëndësishme të ngrini zërin dhe të dëgjoni. Por të gjithë duhet ta dënojnë dhunën dhe t’i përmbahen demonstratave paqësore. Procesi demokratik duhet të respektohet”, shkroi Grenell të shtunën në një postim në X.

    Protestuesve u kërkoi që “të mos përdorin dhunë” nëse duan ndryshimin e një ligji apo lideri.

    “Ne nuk i mbështesim ata që minojnë sundimin e ligjit ose që i marrin me forcë ndërtesat qeveritare.
    Nëse nuk ju pëlqen një ligj apo një lider, atëherë punoni për ta ndryshuar atë – por mos e përdorni dhunën”, shtoi i dërguari amerikan.

  • Prishtina renditet e 24-ta në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina renditet e 24-ta në botë për ndotje të ajrit

    Prishtina këtë të diel po renditet e 24-ta në botë sa i përket ndotjes së ajrit.

    Kjo sipas të dhënave të “IQ Air”.

    Sipas kësaj platforme, vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 103.

    Ky nivel i grimcave është i dëmshëm për grupet sensitive të njerëzve.

  • “Dëbimi masiv më i madh në histori”, qindra emigrantë largohen nga Shtetet e Bashkuara

    “Dëbimi masiv më i madh në histori”, qindra emigrantë largohen nga Shtetet e Bashkuara

    Disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump mori detyrën, autoritetet amerikane arrestuan më shumë se 530 emigrantë të paligjshëm dhe “deportuan qindra prej tyre”.

    Kjo u njoftua nga zëdhënësja e Trumpit, Caroline Leavitt për shërbimin online X. Administrata Trump ka arrestuar “538 emigrantë të paligjshëm” dhe “qindra” prej tyre janë dëbuar me avionët e ushtrisë. “Dëbimi masiv më i madh në histori është duke u zhvilluar”, vazhdoi Leavitt.

    Megjithatë, shifrat nuk janë domosdoshmërisht më të larta se ato të së kaluarës së afërt. Shërbimi i imigracionit ICE ka njoftuar më shumë se 170.000 arrestime për vitin 2023, mesatarisht 467 në ditë.

    Qëllimi i Trumpit, i shpallur tashmë gjatë fushatës zgjedhore, është të zvogëlojë në mënyrë drastike numrin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, të vlerësuar në rreth njëmbëdhjetë milionë vetë. Në marrjen e detyrës të hënën, Trumpi njoftoi se donte të dëbonte “miliona e miliona” emigrantë të paligjshëm. Ai gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën dhe njoftoi dërgimin e trupave shtesë amerikane në zonë. Kongresi amerikan i udhëhequr nga republikanët miratoi gjithashtu një projektligj këtë javë për të zgjeruar paraburgimin për të dyshuarit e huaj pa dokumente të vlefshme qëndrimi.

    Ndërkohë, Meksika po përgatitet për dëbime masive nga fqinji i saj verior. Qeveria meksikane kishte njoftuar ngritjen e dymbëdhjetë kampeve të pritjes për migrantët e dëbuar nga SHBA: nëntë për qytetarët meksikanë dhe tre për njerëzit e kombësive të tjera. Programi i mirëseardhjes quhet “Meksika të përqafon”.

    Heqja e parimit të vendit të lindjes?

    Ndërkohë, Trumpi pësoi humbjen e tij të parë gjyqësore për planin e tij për të hequr shtetësinë amerikane të dhënë për emigrantët e paligjshëm të lindur në SHBA. Një gjykatës federal në shtetin e bregut perëndimor të Uashingtonit të enjten bllokoi urdhrin ekzekutiv në fjalë, duke e konsideruar atë “në mënyrë flagrante jokushtetuese”. Gjykatësi iu referua faktit se e drejta e shtetësisë amerikane kur lind në territorin e SHBA është parashikuar në një amendament të Kushtetutës. Trumpi njoftoi menjëherë se do të apelonte vendimin e gjyqtarit.

    Urdhri i nënshkruar nga republikani disa orë pasi ai u betua të hënën do t’i ndalonte autoritetet të lëshojnë pasaporta dhe çertifikata nënshtetësie për fëmijët, nënat e të cilëve banojnë ilegalisht ose përkohësisht në SHBA dhe baballarët e të cilëve nuk kanë pasaporta amerikane dhe as një kartë të gjelbër (Green Card).

    Shumë ekspertë ligjorë pajtohen se parimi i shtetësisë së të drejtës së lindjes i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së vitit 1868 nuk mund të shfuqizohet me një dekret të thjeshtë, për këtë do të ishte i nevojshëm një ndryshim i kushtetutës. Por pengesat për ndryshimin e Kushtetutës janë të mëdha: kërkohet një shumicë prej dy të tretash në të dy dhomat e Kongresit dhe ratifikimi nga tre të katërtat e të 50 shteteve.

    Tani, 22 shtete amerikane kanë paraqitur tashmë një ankesë kundër dekretit, duke përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, të cilat qeverisen nga demokratët dhe kanë një popullsi veçanërisht të madhe. Dy qytete dhe organizata të shumta të të drejtave civile ngritën gjithashtu padi.

  • Arrestohet një burrë në Komoran, rrahu një person për shkak të borxhit

    Arrestohet një burrë në Komoran, rrahu një person për shkak të borxhit

    Ai dyshohet se të enjten më 23 janar e kishte rrahur një person për shkak të borxhit.

    Sipas policisë i njëjti dyshohet se gjatë sulmit kishte nxjerr një pistoletë dhe e kishte drejtuar nga viktima.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po hetohet nga organet e rendit.

  • Ekonomistët: Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik, pengesë për investime të huaja

    Ekonomistët: Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik, pengesë për investime të huaja

    Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha për të tërhequr investime të huaja direkte, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, si dhe mungesës së reformave në sektorët strategjikë, thonë ekspertët ekonomikë, raporton EO.

    Sipas ekspertëve, qëndrueshmëria energjetike dhe reformat e thella në këtë sektor janë të domosdoshme për të siguruar një mjedis tërheqës për investitorët.

    Ekonomisti, Besnik Avdija për Ekonomia Online ka thënë se mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik paraqet pengesa serioze për investitorët e huaj, duke shtuar se pa garanci për kthimin dhe sigurinë e investimeve, shumë kompani hezitojnë të vendosin kapitalin e tyre në Kosovë.

    “Kosova përgjegjësisht paraqet një treg jo stabil edhe në aspektin politik edhe në aspektin ekonomikë. Prandaj kur e shohim një situatë të tillë veçanërisht në vitet e fundit për investitorët e huaj do të ishte shumë problematike që kur faktorizojnë këto aspektet në ato formulat edhe planifikimet e tyre të investimeve dhe kthimi te investimeve, sigurisë së investimeve, qëndrueshmërisë afatgjate të investimeve të tyre. Është shumë e vështirë që të bëjnë një planifikim të mirëfillte edhe të sigurt për të vendosur me një po solide në drejtim të një vendimi të madh për investime që kur të themi të huaja ato nuk janë me dhjetëra-mijëra por janë qindra mira madje edhe në me miliona euro brenda një viti”, ka thënë ai.

    Ai pranoi se është bërë progres në krijimin e një kornize legjislative për mbështetjen e investimeve, por theksoi nevojën për përmirësime të vazhdueshme të infrastrukturës dhe shtetit ligjor.

    “Në disa drejtime kemi bërë progres si vend në aspektin e kornizës legjislative për përkrahjen e investimeve të huaja direket dhe jo vetëm. Edhe për hapjen e degëve edhe për sektor të ndryshëm për ti fuqizuar ato me qëllim që ti sigurojmë investimet e vazhdueshëm që na vijën nga jashtë. Pavarësisht një bazë solide ka nevojë për përmirësime të vazhdueshëm për shkak se teknologjia, industria, trendët e tregut të ekonomisë nuk duhet që të varen vetëm nga një udhëzim administrativë nga një rregullore ose nga një ligj i cili është miratuar vite më herët, kur e shohim se si po ndërrojnë gjërat brenda ditës me vendime madhore edhe nga shtet e tjera që i kanalizojnë politikat zhvillimore ekonomike ne drejtime të caktuar. Duhet të përmirësojmë shtetin ligjor në kuptimin e sigurisë së këtyre investimeve më shumë se gjithçka tjetër”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Avdija theksoi faktorët që ndikojnë në vendimin e investitorëve për të ardhur në Kosovë, përfshirë faktorët demografikë, tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe kapacitetin energjetik të vendit.

    Për këtë të fundit ai theksoj se është një problem që mund të krijojë një mesazh të gabuar për investitorët e mundshëm, të cilët mund të hezitojnë të investojnë në Kosovë për shkak të pasigurisë në furnizimin me energji.

    ‘Kjo hynë të ajo pjesa ekonomikë për shkak se kur një biznes vendos që të bëjë një investim në vendin tonë merr parasysh shumë faktor, qoftë faktorin demografik, faktorin e potencialit të tregut, faktorin e potencialit të eksporteve, pra sa është mirë e integruara Kosova në tregje rajonale dhe evropiane. Megjithatë këto futen detyrimisht edhe kostot e punës, fuqia punëtore, qëndrueshmëria energjetike, kapacitetet energjetik për furnizim për shkak se ka biznese që kanë konsum shumë të lartë energjetik. Nëse i shohim linjat e prodhimit të fabrikave të veturave, është shumë e vështirë që të ju sigurohet në mënyrë të qëndrueshëm një lloj sigurie e atij investimi. Për shkak se nëse një investitor vjen në Kosovë edhe veç pse vendi jonë ka vendosur që të mos investoj mjaftueshëm në qëndrueshmëri energjetike ti ndalet rryma atje te trafoja kryesore, çka mund të pritet kur humbjet e tij mund të jenë në ditë në qindra mijëra euro. Kjo përqon edhe një mesazh shumë të gabuar edhe të investitorët e tjerë potencial”, ka thënë ai.

    Ekonomisti, Jakup Bellaqa vlerëson se mungesa e investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht energjinë, është një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.

    Ai shtoi se ambienti politik dhe mungesa e sigurisë në veri të Kosovës vazhdojnë të ndikojnë negativisht te investitorët potencialë.

    “Është e vërtet që nuk ka pasur investime aq në nivelin e duhur dhe në sektorët strategjikë. Jo vetëm në këtë mandat por edhe në të kaluarën nuk ka pasur investime direket në nivelin e dukur edhe në sektorët strategjikë. Vlen të theksohet se të mungesa e këtyre investimeve, pika kryesore është reformat e thella energjetike që duhet të bëhen. Po ta marrim në mënyrë kalendarike, që nga dhjetori i viti 1999 deri në dhjetor 2024, me ato qindra miliona apo miliarda të cilat janë investuar në energjinë elektrike, po të ishin ndërtuar tre termocentrale energjetik Kosova do të kishte rrymë edhe për të eksportonte jashtë Kosovës. Pastaj ka ndikuar edhe ambienti politik e veriu i Kosovës që ka qenë një pikë e ndjeshme që ende është një pik e pa sigurt për shkak të pasigurisë pulitke”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Bellaqa theksoi se Kosova ka nevojë për reforma të thella energjetike dhe përmirësime të infrastrukturës për të tërhequr investime në sektorët strategjikë.

    “Duhet të përmirësohet më shumë ambienti i të bërit biznes, duhet që të ketë më shumë lehtësira tatimore, fiskale, të krijohet ambient i përshtatshëm dhe tërheqës që të investojnë në sektor strategjikë, Kosova ka burime natyrore që mund të shfrytëzohen”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

  • Mbi 200 mijë armë pa leje, njohësit e sigurisë kërkojnë strategji afatgjate për sekuestrimin e tyre

    Mbi 200 mijë armë pa leje, njohësit e sigurisë kërkojnë strategji afatgjate për sekuestrimin e tyre

    Viti 2024 ka shënuar një rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme në Kosovë, sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës, raporton EO.

    Krimet, si vrasjet, vjedhjet dhe grabitjet kanë regjistruar ulje të konsiderueshme, duke pasqyruar një përmirësim të dukshëm në situatën e sigurisë. Megjithatë, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ende mbeten sfida dhe nevoja për një strategji më të qartë për të adresuar shqetësimet e sigurisë në të ardhmen.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Ekonomia Online ka thënë se ulja e numrit të vrasjeve lidhet me disa faktorë, përfshirë përmbylljen e disa proceseve në sistemin gjyqësor dhe arritjen e marrëveshjeve mes palëve në konflikt.

    Sipas tij, mungesa e efikasitetit të sistemit prokurorial dhe gjyqësor shpesh ka shtyrë qytetarët të marrin drejtësinë në duart e tyre.

    “Sa i përket çështjes së numrit të vrasjeve, një ulje të tillë mund të jetë një nga shumë faktorët çështja e përmbylljes së disa proceseve në pjesët e sistemit gjyqësor, sepse kryesisht mos efikasiteti i sistemit prokurorial e gjyqësor ka ndikuar që qytetarët të marrin drejtuesin në duart e tyre. Një element tjetër mbetet edhe çështja e marrëveshjeve që mund të arrijnë palët të cilat janë në konflikt e sipër dhe kjo ka ndikuar që të reflektoj në kontekstin e asaj që mos të ketë rritje të aktivitete të veprave penale vrasje, por të ketë një ulje të tillë. Por ne duhet që të reflektojmë dhe do të duhet të shikojmë që mundësi ekuivalente me vepra penale që mund të jenë vrasje të jetë minimale dhe për këtë gjë ne do të duhet që të bashkëpunojmë që sistemi policor, prokurorial dhe gjyqësor të kenë një harmoni dhe të ketë një funksionalitet të duhur për të minimizuar një aktivitete të tillë”, ka thënë ai.

    Lidhur me konfiskimin e armëve, Shala vlerësoi punën e Policisë së Kosovës për reduktimin e armëve ilegale, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një plani strategjik afatgjatë.

    “Për konfiskimin e armeve, Kosova ngadalë është duke u pastruar nga armët të cilat kanë qenë si relikt i luftërave të viteve të 90-ta dhe kjo është një tregues i mirë që policia e Kosovës ka ndikuar që të ketë një aktivitet të shtuar në rastet e konfiskimeve të armëve dhe municioneve, por ne do të duhet që të mendojmë një plan strategjikë afatgjatë i cili plan pa dyshim do të duhet që të jetë një kampanjë e re, që i nxit qytetarët e Kosovë që kanë armë të tyre ilegale në shtëpitë e tyre t’i dorëzojnë pa u ndjekur penalisht. Kjo ngritje është tregues që policia kryen punët operacionale, ndërsa ne duhet që të mendojmë një hap tutje që 250 mijë armë që konsiderohen që janë në duart e qytetarëve të Kosovës, t’i dorëzojnë përmes formave dhe kampanjave të caktuara që minimizohet rreziku i përgjithshëm nga armët të cilat janë në duart e qytetareve”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami tha se Kosova, si vend i dal nga lufta, përballet ende me një numër të madh armësh ilegale, përfshirë armë luftarake dhe sportive.

    Islami thekson nevojën që institucionet e Kosovës të gjejnë formë dhe mënyrë që t’i joshin ata që posedojnë armë ilegale që t’i dorëzojnë ato.

    “Kosova është një vend i dal nga lufta dhe kur merret parasysh që konsiderohet që është një numër i madh i armeve, qoftë armë luftarake por edhe armë rekreative, sportive të cilat mund të legalizohen dhe të pajisen me leje, numri është shumë i lartë i këtyre armëve. Krahasuar me vendet e rajonit Kosova nuk qëndron me armëmbajtje pa leje në raport me vendet e tjera siç është Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e të tjera. Mirëpo, pa marrë parasysh, edhe duke mos u bërë krahasime me vendet e tjera, ky numër aq i madh i armeve pavarësisht që janë dorëzuar disa, e disa janë pajisur me leje, prapë është numri i madh dhe institucionet e Kosovës duhet të gjejnë formë dhe mënyrë që të joshen të gjithë ata të cilët kanë armë luftarake, të dorëzohen, apo të subvencionohen individ që kanë këto armë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ai thekson se faktorët socio-ekonomikë luajnë një rol të rëndësishëm në rastet e dhunës.

    “Një ndër faktorët është kjo, por ka edhe faktorë të tjerë e ndër faktorët kryesor janë faktorët socio-ekonomik sepse në rastin më së shumti që kemi plagosje ose vrasje janë për mos marrëveshje pronësore për motive të ulëta, madje edhe për plaçkitje. E kur të jetë parasysh gjithë këta faktor atëherë një mirëqenie socio ekonomike më e mirë e qytetareve do të jetë më pak e interesuar që të ketë probleme”, ka thënë ai.

    Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës numri i vrasjeve ka pësuar një ulje prej 41.38%, duke kaluar nga 29 raste në vitin 2023 në 17 raste për vitin 2024 që e lamë pas.

    Përveç vrasjeve, edhe disa vepra të tjera penale kanë pësuar ulje të konsiderueshme.

    Vjedhjet kanë rënë me 11.03%, nga 3844 raste në 3420.

    Vjedhjet e rënda kanë pësuar një ulje prej 23.37%, nga 2555 raste në 1958.

    Grabitjet janë ulur me 13.58%, nga 81 raste në 70.

    Po ashtu gjatë vitit 2024 është rritur me 23.3 për qind numri i armëve të konfiskuara, ku janë konfiskuar 1586 armë, ndërsa municione të konfiskuara ishin 28,859.

  • Betohet sekretari i ri i Mbrojtjes së ShBA-së

    Betohet sekretari i ri i Mbrojtjes së ShBA-së

    ekretari i ri i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pete Hegseth, është betuar zyrtarisht të shtunën.

    Ai betimin e bëri para zëvendëspresidentit JD Vance.

    Konfirmimi i tij si sekretar i 29-të i ShBA-së erdhi pak orë pasi Vance, votoi pro Hegseth për ta thyer barazimin në senat që ishte 50 me 50, transmeton Klankosova.tv

    Sekretari i ri mbajti edhe një fjalim të shkurtër para senatit.

    Në fjalën e tij, ai paraqiti parimet e tij që do ta udhëheqin në punë.

    “Rikthimin e frymës luftarake në gjithçka që bëjmë, rindërtimin e ushtrisë dhe rivendosjen e fuqisë parandaluese. Ne nuk dëshirojmë luftëra, ne duam t’i parandalojmë ato… dhe duam t’u japim fund me përgjegjshmëri. Por nëse do na duhet të luftojmë, do ta bëjmë me forcë të jashtëzakonshme dhe të vendosur do ta shkatërrojmë armikun dhe do t’i rikthejmë djemtë tanë në atdhe”, tha Hegseth.

    Pete Hegseth, e falënderoi presidentin Donald Trump, për mbështetjen dhe u zotua se do të përqendrohej në “vendosjen e Amerikës të parën” si dhe rindërtimin e ushtrisë amerikane.

    Në një mesazh dërguar ushtarakëve amerikanë nëpërmjet postës elektronike, zoti Hegseth shkruante se “do të vazhdojmë të jemi forca më e fuqishme dhe më vdekjeprurëse në botë” duke përmendur në veçanti nevojën “për të parandaluar agresionin nga Kina komuniste në rajonin e Indo-Paqësorit… si dhe për t’u riorientuar drejt rreziqeve kryesore. Do t’u gjendemi krah aleatëve dhe armiqtë tanë e kanë marrë mesazhin”, tha ai, shkruan Zëri i Amerikës.

  • KQZ-ja emëron 414 anëtarë të Këshillave të Vendvotimit për përfaqësitë diplomatike në 19 shtete

    KQZ-ja emëron 414 anëtarë të Këshillave të Vendvotimit për përfaqësitë diplomatike në 19 shtete

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar 414 persona që do të angazhohen drejtpërdrejt në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Ky votim, që organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por vendvotimet me stemën e Republikës së Kosovës dhe logon e KQZ-së, do të hapen edhe në Amerikë, Kanada dhe Australi.

    Ky lajm është bërë i ditur për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të emëruar përfshihen edhe 184 anëtarët rezervë.

    Sipas KQZ-së, përbërja e Këshillave të Vendvotimit në përfaqësi diplomatike është një çështje e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra që duhet të reflektojë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, që iu kanë nënshtruar pragut zgjedhor, që janë certifikuar për të garuar në zgjedhje dhe një zyrtar nga përfaqësia diplomatike.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike. Ndërkaq, numri i anëtarëve rezervë është 184”, tha Elezi për Ekonomia Online.

    Elezi ka treguar se për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në ShBA, Kanada dhe Australinë e largët.

    “Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike, të cilat janë kryesisht të vendosura në shtete evropiane. Votimi do të organizohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ambasadën e Kosovës në Uashington, në konsullatën e Nju Jorukut dhe Iowas, në ambasadën dhe konsullatën e Kosovës në Kanada dhe në ambasadën e Kosovës në Australi. Pra, sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në gjithsej 46 vendvotime në kuadër të 17 ambasadave dhe 15 konsullatave të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, tha Elezi për Ekonomia Online.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi në përfaqësitë diplomatike do të organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra në këtë rast më 8 shkurt 2025.

    Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës prej 104,924, për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike janë regjistruar 20,399 shtetas të Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër janë regjistruar për të votuar përmes postës.

    Aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit për rreth 85 mijë shtetas të Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës.

    Përfaqësitë diplomatike në të clat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë; Iowa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).