ATV

Author: ATVLive

  • Fushata, DnV: VV-ja më së shumti përdori gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes

    Fushata, DnV: VV-ja më së shumti përdori gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes

    Violeta Haxholli nga Demokracia në Veprim ka folur për dy javët e fushatës zgjedhore që janë zhvilluar për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton EO.

    Në një konferencë për media, ajo ka thënë se shqetësuese vazhdon të mbetet përdorimi i gjuhës së urrejtjes, sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje është e para prej partive që përdorë më së shumti gjuhës të urrejtjes dhe nxitjes në aktivitete.

    “Vazhdon përdorimi i gjuhës nxitëse dhe urrejtjes nga subjektet politike, në total në këto dy javë e kemi hasur në 62 aktivitete apo në rreth të 20% të aktiviteteve. Në raport me numrin e aktiviteteve të mbajtura më së shumti raste kemi hasur në aktivitetet e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, apo në 25% të aktiviteteve të organizuara nga kjo parti. Tutje, tek LDK në 20 për qind, tek AAK 18% dhe tek PDK-ja 11% të aktiviteteve është përdorur gjuha nxitëse dhe e urrejtjes”, ka thënë Haxholli.

  • DASH-i ngrin fondet për ndihmat amerikane në të gjithë botën

    DASH-i ngrin fondet për ndihmat amerikane në të gjithë botën

    Departamenti amerikan i Shtetit të premten ka urdhëruar ngrirje gjithëpërfshirëse të fondeve të reja për pothuajse gjithë ndihmën e huaj të SHBA-së, duke bërë përjashtime për programet e ushqimit dhe ndihmën ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.

    Urdhri kërcënon për një ndalim të shpejtë të miliarda dollarëve në projektet e financuara nga SHBA-ja në nivel global për të mbështetur shëndetësinë, arsimin, zhvillimin, anti-korrupsionin, sigurinë dhe sektorë të tjerë, raportoi AP.

    SHBA-ja ofron ndihmë për botën më shumë se çdo vend tjetër, duke dhënë rreth 60 miliardë në vitin 2023, ose 1% të buxhetit të SHBA-së.

    Urdhri i Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, iu dërgua ambasadave amerikane nëpër botë, përveç aty ku ka programe urgjente për ushqim, si në Sudan.

    Disa prej projekteve të ndihmës nisën të ndalonin menjëherë pasi urdhri u dha të premten.

  • Walker: Procesi i gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, padrejtësi dhe turp

    Walker: Procesi i gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, padrejtësi dhe turp

    Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka shprehur kritika të ashpra ndaj procesit gjyqësor, i cili po zhvillohet ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

    Ai ka deklaruar se mënyra se si po trajtohen të akuzuarit nuk përfaqëson drejtësi dhe se një gjykim i tillë është një turp për drejtësinë ndërkombëtare.

    Walker ka kritikuar kohëzgjatjen e hetimeve, procesin penal, si dhe mbajtjen e të akuzuarve në paraburgim, sipas tij duke u dhënë shumë pak qasje në botë. Prandaj, edhe e quan një krim që po u bëhet atyre.

    “Gjithmonë kam qenë një admirues i madh i gjykatës në Hagë. Kam shkuar atje për të dëshmuar kundër Millosheviçit. Ndjej shumë fort që ajo që ka ndodhur këtu duhet të zbulohet përsëri para botës, dhe një proces gjyqësor është mënyra më e mirë për ta bërë këtë. Megjithatë, procesi që i është imponuar Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit nuk është drejtësi. Sipas mendimit tim, është një padrejtësi. Të kesh një hetim që zgjat pothuajse dhjetë vjet, pastaj një ndjekje penale që zgjat mbi tre vjet, dhe të mbash të akuzuarit në paraburgim duke u dhënë shumë pak qasje në botë, për mua është një krim”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.

    Ai deklaroi se Dhomat e Specializuar në Hagë janë duke demonstruar padrejtësinë, kjo pasi sipas tij, parimi i pafajësisë deri në dëshmimin e fajësisë po shkelet në mënyrë flagrante.

    “Vërtet ndjej se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk po demonstron drejtësi. Po demonstron të kundërtën. Sipas mendimit tim, dhe mendoja edhe sipas sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën ku ka drejtësi, i akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa të dënohet. Dhe ti nuk e fut dikë në burg për tre vjet ndërkohë që po zhvillon një gjyq me 400 dëshmitarë”, ka thënë ai.

    Walker gjithashtu ka kritikuar qasjen kufizuese të Gjykatës Speciale ndaj vizitorëve, përfshirë vështirësitë e tij për të takuar ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Veseli.

    Ai ka konsideruar absurde pretendimin e gjykatës se të akuzuarit mund të arratisen apo të intimidojnë dëshmitarët, duke e përshkruar gjithë procesin si një turp për drejtësinë ndërkombëtare.

    “Thjesht mendoj se ajo që po ndodh në Hagë është një turp. Dhe e them këtë, por për shembull, kam kërkuar të shoh nëse mund të vizitoja dhe të përshëndesja ish-presidentin, ish-kryetarin e Kuvendit. Dhe më është thënë, është shumë e komplikuar. Nuk i lejojnë vizitorët pa lloj-lloj kufizimesh. Të mendosh se duhet të mbash në paraburgim një ish-president, një ish-kryetar Kuvendi, sepse mund të arratisen apo të intimidojnë dëshmitarët, është absurde. Prandaj, komentet e mia për procesin në Hagë janë shumë negative”, ka përfunduar ai.

  • SHBA ngrin të gjitha ndihmat e huaja në mbarë botën, përjashtim bëjnë vetëm këto dy vende

    SHBA ngrin të gjitha ndihmat e huaja në mbarë botën, përjashtim bëjnë vetëm këto dy vende

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngrirë pothuajse të gjitha ndihmat e huaja në mbarë botën, me efekt të menjëhershëm, disa ditë pasi Presidenti Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv gjithëpërfshirës të hënën për të pezulluar këto ndihma për 90 ditë.

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dërgoi një telegram, të cilin CNN e ka parë, në të gjitha postet diplomatike të SHBA-së të premten, duke përshkruar këtë lëvizje, e cila kërcënon miliarda dollarë fonde nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për programe në mbarë botën.

    Ndihmat e huaja kanë qenë në shënjestër të kritikave nga Republikanët në Kongres dhe zyrtarët e administratës Trump, megjithatë, këto fonde përbëjnë një përqindje shumë të vogël të buxhetit të përgjithshëm të SHBA-së. Përmasat e urdhrit ekzekutiv dhe telegramit që pasoi kanë lënë të tronditur zyrtarët humanitarë.

    Telegrami kërkon ndalimin e menjëhershëm të punës për ndihmat ekzistuese të huaja dhe pezullon ndihmat e reja. Gjatë muajit të ardhshëm, thuhet në telegram, administrata do të zhvillojë standarde për një rishikim të ndihmave për të parë nëse ato janë “në përputhje me agjendën e politikës së jashtme të Presidentit Trump”.

    “Vendimet për të vazhduar, modifikuar ose ndërprerë programet do të merren pas këtij rishikimi,” thuhet në telegram, duke theksuar se ky rishikim duhet të përfundojë brenda 85 ditëve.

    Urdhri i Departamentit të Shtetit përjashton ndihmat emergjente ushqimore si dhe financimet ushtarake të huaja për Izraelin dhe Egjiptin. Telegrami nuk përmend specifikisht vende të tjera që marrin financime ushtarake si Ukraina apo Tajvani.

    Një zyrtar humanitar tha se pezullimi është jashtëzakonisht shkatërrues dhe theksoi se specifikat e telegramit janë “sa më të këqija që mund të jenë”.

    Një zyrtar tjetër i tha CNN-it se, megjithëse prisnin që të kishte shkurtime ose ndryshime në ndihmat për zona specifike, nuk prisnin një pezullim kaq të gjerë dhe të menjëhershëm. Ata thanë se nevojat humanitare në mbarë botën janë akute dhe ngrirja e ndihmave nga SHBA-ja – dhuruesi më i madh humanitar në botë – mund të jetë shkatërruese.

    Në urdhrin e tij ekzekutiv, Trump pretendoi se “industria dhe burokracia e ndihmave të huaja të SHBA-së nuk janë në përputhje me interesat”.

    Megjithatë, një nga zyrtarët vuri në dukje se programet e ndihmave, të tilla si ato që lidhen me shëndetin global, të cilat janë prekur nga ngrirja, janë në interesin e SHBA-së dhe kanë pasur mbështetje dypartiake. “Të sigurohemi që të mos ketë pandemi është në interesin tonë. Stabiliteti global është në interesin tonë”, thanë ata. (A2 Televizion)

  • Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit – nuk ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

    Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit – nuk ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

    Propozimi që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të emërohet përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nga njohësit e çështjeve integruese është duke u vlerësuar si hap pozitiv, raporton EO.

    Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka vendosur që Sorenseni, të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në këtë post të rëndësishëm.

    Profesori universitar, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online e ka vlerësuar pozitivisht ndryshimin e përfaqësuesit të BE-së, duke e cilësuar Sorensenin si një diplomat me përvojë të gjatë dhe njohuri të thella për Ballkanin Perëndimor.

    Megjithatë, ai paralajmëron se pritshmërit ndaj tij duhet të jenë realiste, pasi sipas tij, mungesa e një njohjeje të detyrueshme ligjore nga Serbia dhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën e bën të pamundur arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

    “E para është pozitive që po ndërrohet i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është një gjë pozitive. Sorensen ka një provojë shumë të mirë në Ballkanin Perëndimor, ka qenë këshilltar në kohën e UNMIK-ut që ka qenë në administrimin ndërkombëtar, ka qenë përfaqësues i BE-së në Sarajevë, në Shkup, pra e njeh jashtëzakonisht shumë mirë rajonin dhe specifikisht raportet Kosovë-Serbi. Por, kjo e bëri diplomat të mirë, vjen nga një shtet që e njeh Kosovën, por kjo nuk do të thotë që do të bëjë mrekullira, sepse edhe nëse e bënë ai një raport pozitiv sepse marrëveshja ka përfunduar, konkluzionet e marrëveshjes franko-gjermane janë brenda kornizave të dokumenteve të BE-së, që për ta është zyrtarë. Krejt çka i mbetet të dërguarit të ri është që t’i bind palët që ta zbatojnë. Kjo më shumë varet nga 27 vendet e BE-së sesa nga vetë Peter Sorensen, ai krejt çka mund të bëjë është të ketë një qasje pozitive, por aty përfundon gjithçka që ka në dorën e tij si diplomat me përvojë. Mendoj që BE-ja nëse nuk e qartëson rrugën e Kosovës drejt BE-së që i bie pa njohjen nga pesë vendet e BE-së, çdo gjë tjetër do të jetë një farë lloj menaxhimi i diplomacisë me standarde të dyfishta”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Arifi gjithashtu kritikoi rezultatet e deritanishme të dialogut, duke i quajtur ato “gjysmake” dhe të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemeve afatgjata mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Lajçak e ka përfunduar atë që e kanë autorizuar 27 vendet e BE-së që të bëjnë një marrëveshje gjysmake, për fat të keq, pas 11 vitesh negociata ne vije prapë në një marrëveshje gjysmake e cila nuk e zgjidh problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, pa njohje ligjërisht të obligueshëm në vetëm po e bëjmë një status kohë marrëveshje që për të fituar kohë dhe për të ecur tutje, që është problemit sepse më shumë po krijohen trazira pasi që kemi bërë marrëveshje se sa para marrëveshjes”, ka thënë ai.

    Analisti politik, Arbnor Sadiku, për Ekonomia Online thotë se Sorensen do të sjell një frymë të re dhe një mundësi për një angazhim më aktiv në dialog.

    “Është e vërtet që së fundi kemi një përfaqësuese që vjen nga Danimarka, ai ka më shumë karriere pulitke në vende e ish-Jugosllavisë, veçanërisht është konsull nderi i Kroacisë në Danimarka dhe e njeh gogja mirë rajonin. Është përfaqësues i Danimarkës në Unionin Evropian, është një diplomat i karrierës synoj që të paktën të jetë pak më aktiv se Lajçak, duke marr parasysh që kemi një ndryshim të lidershipit. Edhe me ndryshimet e fundit që janë bërë në SHBA më ardhjen e presidentit Trump konsideroj që do të kalojnë më tepër në veprime konkrete ku do të kërkohet nga palët që janë në dialog. Këtë rast Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet dhe të mos merren me gjera që e pengojnë realizmin e këtyre marrëveshje dhe i dërgojnë këto dy vende prapa dhe jo drejt integrimit në Unionin Evropian”, ka thënë ai.

    Sadiku theksoi se një nga pengesat kryesore gjatë mandatit të Lajçakut ka qenë paragjykimi ndaj tij nga ana e Kosovës, për shkak të faktit që vjen nga Sllovakia, një shtet që nuk e ka njohur Kosovën.

    Sadiku gjithashtu kritikoi mungesën e rezultateve konkrete gjatë mandatit të Lajçakut.

    “Konsideroj që ai është munduar ndonëse që të bëjë një punë. Ka qenë problem i tij së pari se ka qenë i paragjykuar nga Kosova për shkak se ka ardhur nga një shtet si Sllovakia që nuk e ka njohur Kosovën e pastaj edhe shefi i tij Borell ka ardhur nga një shtet si Spanja që nuk ka njohur Kosovën dhe kjo ja ka ulur besimin veçanërisht në Kosovë. Ndërsa në Serbi ka pasur një besim më të madh. Shtoja kësaj edhe një lloj jo potence të Unionit Evropian në gjetjen e një modusi që e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit ka bërë që për një mend mos të ketë as një rol e veçanërisht vitin e fundit të mandatit të tij ku më shumë ka mbajtur takime në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa për ti ecur paga sa që ka pasur ndonjë rezultate konkret”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij, pasi të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

  • Burri në Drenas raporton në polici se është rrahur nga gruaja e tij

    Burri në Drenas raporton në polici se është rrahur nga gruaja e tij

    Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Drenas.

    Në njoftimin e bërë nga policia thuhet se një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga gruaja e tij.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij e dyshuara femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton policia në raporton 24-orësh.

  • FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë

    FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë

    Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë.

    Në njoftimin e bërë për media nga FSK thuhet se “Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë”.

    “Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Tutje, theksohet se duke u bazuar në objektivat e Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzimeve të Komandantit të FSK-së në lokacionin e FSK-së, respektivisht në Babaj Bokës nga Rexhimenti i Xhenios Ushtarake të FSK-së është bërë dhe vazhdon të bëhet hapja e rrugëve që është pjesë e tërësisë së investimeve për poligonet të cilat do të ndërtohen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen.

    Poashtu, janë kryer edhe investime tjera nga buxheti i MM/FSK-së në ndërtimin e urave dhe infrastrukturës përcjellëse.

    Këto investime janë të planifikuara të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe viteve tjera. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre poligoneve jemi mbështetur nga partnerët strategjik, konkretisht SHBA-të përmes EUCOMIT dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë të cilat koordinohen nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) së Ambasadës Amerikane për Evropë.

    Poligoni do të përdoret nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat amerikane për zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera të qitjes, duke siguruar që personeli i FSK-së dhe partnerët e saj janë të përgatitur dhe të trajnuar për t`u përballur me sfidat e sigurisë.

  • Gjini: Asnjë qeveri në Kosovë nuk ka pasur më shumë nepotizëm se kjo e sotmja

    Gjini: Asnjë qeveri në Kosovë nuk ka pasur më shumë nepotizëm se kjo e sotmja

    Kandidati për deputet nga AAK-NISMA, Labinot Gjini, në emisionin COMPASS në ATV, ka akuzuar qeverinë për nepotizëm të paparë ndonjëherë në Kosovë dhe kapje të institucioneve shtetërore.

    Gjini tha se qeveria aktuale ka punësuar familjarë dhe militantë partiakë në të gjitha nivelet, duke e bërë nepotizmin dhe kapjen e shtetit një problem më të madh se kurrë më parë.

    “Asnjë Qeveri në Kosovë nuk ka pasë ndonjëherë më shumë nepotizëm se kjo e sotshme, ku kemi pa motra, Vllazni, Baxhanakë, gra dhe të gjitha”, tha Gjini.

    Deklaratën e plotë të Labinot Gjinit në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Cana: Kosova është e sanksionuar, arsyet që i përdor pushteti janë subjektive

    Cana: Kosova është e sanksionuar, arsyet që i përdor pushteti janë subjektive

    Kandidati për deputet nga PDK, Edon Cana, në emisionin COMPASS në ATV, ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke thënë se Kosova është e sanksionuar dhe arsyet që përdor pushteti për këtë gjendje janë më shumë subjektive sesa objektive.

    Cana tha se marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe faktorin shqiptar kanë arritur pikën më të ulët, ndërsa raportet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në, janë dëmtuar rëndë.

    “Kosova është sot nën sanksione, edhe e sanksionuar. Kosova sot, nuk është i mirëpritur në Tiranë, nuk është i mirëpritur në Shkup, te faktori shqiptar. Kosova kurrë raportet më të këqija me Shqipërinë nuk i ka pasë. Kosova, në fakt t’ju tregoj që është e turpshme, po ky niveli, domethënë i cili populizmi i shërbehet popullit, është se një kryeministër një mandat të tërë nuk ka qenë i mirëseardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një simptomatikë, një indikacion i qartë sikur ndodhet Kosova. Kjo Qeveri e ka dështu aplikimin në Këshill të Evropës, kjo është faktuale, kjo Qeveri ka dështu në proces të integrimit, sepse nuk ka proces të integrimit”, tha Cana.

    Deklaratën e plotë të Edon Canës në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeziu-Hyseni: Kosova është nën sanksione për përpjekjet e saj për të shtrirë ligjshmërinë dhe sigurinë në çdo cep të Kosovës

    Kryeziu-Hyseni: Kosova është nën sanksione për përpjekjet e saj për të shtrirë ligjshmërinë dhe sigurinë në çdo cep të Kosovës

    Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, në emisionin COMPASS në ATV, tha se sanksionet ndaj Kosovës janë rezultat i përpjekjeve për të shtrirë ligjshmërinë dhe për të ofruar siguri në çdo cep të vendit.

    Kryeziu-Hyseni tha këtë çmim Kosova po e paguan paguan për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

    “Kosova është nën sanksione, është në sanksione për shkak të problemeve që kanë ekzistu në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe këtu nuk besoj që ndonjëri prej qytetarëve ndihet i turpshëm, se është Kosova nën sanksione, sepse është në sanksione kur ka qenë në përpjekje për shtri ligjshmërinë, kushtetutshmërinë dhe për të ofru siguri për secilindo cep të Republikës së Kosovës, në kuptimin e asaj për të tregu që jemi tu e mbrojtë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Deklaratën e plotë të Arbëreshë Kryeziu-Hysenit në COMPASS e gjeni në videon më poshtë: