ATV

Author: ATVLive

  • Dështon të fillojë gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve

    Dështon të fillojë gjykimi ndaj Nagip Krasniqit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi i shoqëruar nga i njëjti avokat, por për t’u ballafaquar me akuza të reja, erdhi sërish të martën në Gjykatën e Prishtinës.

    Krasniqi, bashkë me ish-ushtruesin e Drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe juristin Isuf Zejna akuzohen për keqpërdorime milionëshe në KEK.

    Në fakt, kjo është aktakuza e dytë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Krasniqit.

    Por, shqyrtimi fillestar në mungesë të Ymer Dragushës, i cili sipas aktakuzës ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, dështoi të mbahet.

    Megjithatë Dragusha, i cili edhe është dëshmitar bashkëpunues i PSRK-së në këtë rast, është pajtuar që Gjykatës t’i propozojnë dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh.

    “Në bazë të KPRK-së të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, nëse nuk kryen tjetër vepër penale gjatë periudhës dy vjeçare të kushtëzimit”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas aktakuzës si rezultat i veprimeve të Krasniqit e Dragushës nga korriku i 2022-s deri në maj të 2023-s i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës, dëm rreth 37 milionë euro”.

    Ndërsa, Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

    Ndërkohë, në prill të vitit 2023, Bordi i KEK-ut pezulloi Krasniqin nga detyra e kryeshefit ekzekutiv, ndërsa e shkarkoi atë një vit më vonë.

    Aktakuza e parë ndaj tij është ngritur në Gusht të 2024-s, dhe në shqyrtimin fillestar e ka mohuar fajësinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbyllen tri qendra votimi jashtë vendit

    Mbyllen tri qendra votimi jashtë vendit

    Pergatiti: Diellëza Krasniqi

    Për shkak të numrit të vogël të mërgimtarëve që janë regjistruar për votim fizik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën mbylli tri qendra votimi në Kanberra të Australisë, Ankara të Turqisë dhe Ioëa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Për votim fizik në përfaqësitë diplomatike atje ishin regjistruar 18, 25 dhe respektivisht 32 votues.

    Ata tashmë do të kenë mundësi tjetër për ta ushtruar të drejtën e tyre.

    “Votuesit të cilët kanë qenë të regjistruar për votim fizik në këto tre përfaqësi diplomatike do të udhëzohen që të votojnë me postë brenda kutisë në kuti postare në vendin përkatës”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së.

    Ndërsa për qendrat e votimit brenda territorit më 9 shkurt, në mbledhje u akredituan 1 mijë e 680 vëzhgues. Prej tyre, 81 u takojnë ambasadave ose misioneve tjera, dhe 393 të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
    Edhe pse u miratuan të gjithë, nga partia në pushtet u vu në pikëpyetje numri i madh i vëzhguesve nga disa organizata të brendshme.

    “Kemi pasë raste në të kaluarën, prej 2010, që kanë qenë vëzhgues por nuk e kanë luajtur rolin e vëzhguesve pastaj”, tha Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga LVV.

    KQZ-ja tashmë e ka edhe sloganin për fushatën e informimit, për këto zgjedhje të përgjithshme, që do të jetë “Vota jote për Kosovën 2025”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 287.700 euro u dënuan partitë politike në 18 ditë fushatë

    287.700 euro u dënuan partitë politike në 18 ditë fushatë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Gjuha e ashpër e denigruese e politikanëve në fushatë zgjedhore, u kushtoi goxha shtrenjtë.

    Shumica e subjekteve politike, morën dënime të majme për shkak të shkeljes së rregullave në fushatë, përfshirë edhe vendosjen e banerëve në hapësira të ndaluara sipas legjislacionit.

    Në total 10 subjekte politike u dënuan plot 287.700 euro. Lidhja Demokratike e Kosovës i prinë listës për nga shuma monetare e cila u dënua me 86.500 euro në 18 ditë fushatë.

    E dyta për nga shuma dhe e para për nga dënimet, është Partia Demokratike e Kosovë. Kjo parti u dënua plot 16 herë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shuma totale e të cilave, arrin në 74.000 euro.

    E treta për nga dënimet si nga numri por edhe nga shuma, radhitet Lëvizja Vetëvendosje. Nga 11 herë sa u dënua, shuma totale arrin vlerën e 49 mijë eurove.

    Dënime më pak mori koalicioni AAK- Nisma, megjithëse vlera totale, nuk është hiq e vogël. 45.700 euro, do t’i duhet të paguajw ky koalicion, pas dënimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Katër herë u dënua edhe Koalicioni për Familjen me gjithsej 18.000 euro.
    Shkelje të rregullave të fushatës patën edhe partitë serbe në Kosovë.

    Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe Demokracia Serbe u dënuan me nga 4000 euro nga PZAP-ja, derisa Partia e Serbëve të Kosovës, me 3500 euro.

    Pa dënime nuk shpëtuan as pakicat tjera.

    Iniciativa e Re demokratike e Kosovës, e partia Liberale Egjiptiane, u dënuan me nga 1500 euro.

    Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, dënimet e shqiptuara nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duhet që të paguhen në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e dënimet.

    E krejt këto para do të derdhen në buxhetin e shtetit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji

    Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që rrezikohen nga kanceri në gji

    Inteligjenca artificiale mund t’i identifikojë gratë që janë të rrezikuara nga kanceri në gji, disa vjet para se të diagnostikohen, ka thënë Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik të martën.

    Pesë hulumtuesve të këtij Instituti, Universitetit të Kalifornisë dhe Universitetit të Uashingtonit, u është dhënë qasje në programin komercial të inteligjencës artificiale, i cili në mënyrë retroaktive ka analizuar mamografitë e 116.495 grave që kanë marrë pjesë në programin norvegjez në periudhën 2004 – 2018.

    Në total, 1.607 e grave janë përballur më vonë kancer në gji.

    Algoritmi ka arritur të verifikojë se cilat gra kanë pasur rrezik më të madh të zhvillimit të kancerit në gji, madje edhe se cili prej gjinjve ka qenë më i rrezikuar, katër deri në gjashtë vjet para diagnostikimit.

    “Ne e kemi vërejtur se gjiri që ka zhvilluar kancer, ka pasur pikë në sistem dyfish më shumë, sesa gjiri tjetër”, ka thënë Solveig Hofvind, gruaja që udhëheq programin për detektim të kancerit në gji përmes programit me inteligjencë artificiale.

    “Studimi tregon se algoritmet që tashmë janë të qasshme në treg mund të përdoren për të zhvilluar programe detektimi edhe më të personalizuara”, ka thënë ajo.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 670.000 gra kanë vdekur nga kanceri në gji më 2022.

    Kjo, njëherësh, është forma më e shpeshtë e kancerit që zhvillohet te gratë.

    Ky studim është publikuar edhe në revistën e Rrjetit të Shoqatës Mjekësore Amerikane, ndër revistat më me nam në botë.

  • PZAP-ja gjobit përsëri Koalicionin për Familje për gjuhën kundër komunitetit LGBTI+

    PZAP-ja gjobit përsëri Koalicionin për Familje për gjuhën kundër komunitetit LGBTI+

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar sërish subjektin Koalicioni për Familje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. Ajo është gjobitur me 7,000 euro.

    Kundër saj u ankuan organizata joqeveritare Dulberizim dhe Qendra për Barazi Gjinore. Konkretisht kundër kandidatit për deputet, Eman Rrahmani, për shkak të postimit të tij publik: “Nuk ka martesa me burrë me burrë”. Por, në ankesë janë përmendur edhe kandidatë të tjerë të këtij subjekti.

    Këto organizata kanë thënë se përfaqësues të Koalicionit për Familje kanë nxitur urrejtje e përçarje ndaj komunitetit LGBT+, “duke përdorur terma denigruese që bien ndesh me respektin për tolerancën, mjedisin demokratik zgjedhor e sundimit të ligjit dhe legjislacionin zgjedhor në fuqi”.

    Më herët, Koalicioni për Familje është gjobitur dy herë në shumë të përbashkët prej 9,500 eurosh për gjuhë denigruese e të urrejtjes kundër komunitetit LGBT+.

    Vendimi i plotë

  • ​Zhvillimet “tektonike” në Serbi, a po i lëkundet pushteti Vuçiq?

    ​Zhvillimet “tektonike” në Serbi, a po i lëkundet pushteti Vuçiq?

    Dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, pas protestave masive atje po konsiderohet si hapi i parë i rënies së regjimit të presidentit, Aleksandër Vuçiq. Protestat antiqeveritare që po zgjasin tash e dy muaj, po kualifikohen si zhvillime “tektonike” që mund të përmbysin presidentin Vuçiq. Megjithatë, analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se Vuçiq përmes dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq dëshiron ta largojë përgjegjësinë nga vetja dhe të zgjasë pushtetin e tij.

    Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor.

    Politologu dhe njohësi i zhvillimeve rajonale, Milazim Koci, thotë për KosovaPress, se protestat në Serbi nuk mund të mposhten lehtë nga Vuçiq, pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit Vuçeviq.

    Sipas tij, tani është rasti i parë pas dhjetë viteve që po luhatet seriozisht pushteti i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    “Lëvizjet në Serbi kësaj radhe janë tektonike. Nuk janë lëvizje at-hoc të cilat mund të mposhten lehtë nga Vuçiqi. S’po them se atje shpejt studentët do të përmbysin Vuçiq, por as ai nuk do të ketë lehtë t’i mposhtë. Lëvizja studentore atje nuk është e lidhur me opozitën e cila shpesh atje ka ditur të bëjë lojëra me pushtetin. Ata po mbajnë në distancë opozitën dhe besoj se në tre apo gjashtë muajt e ardhshme do të shohim betejë të ashpër mes studentëve dhe pushtetin të Vuçiq. Është rasti i parë pas dhjetë viteve që do të luhatet pushteti seriozisht dhe nuk përjashtojë mundësinë që e gjitha të përfundojë me largimin e Vuçiq ashtu si Asadi në Siri”, thekson Koci.

    Në anën tjetër, analisti, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se regjimi i Vuçiq ka nisur të bie, mirëpo fuqia politike e tij është ende e madhe në Serbi.

    Ai shton se dorëheqja e Vuçeviq është një tentim i Vuçiqit për të hequr përgjegjësinë nga vetja për tragjedinë në Novi Sad si dhe zgjatjen e pushtetit të tij.

    “Dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq është tentim i Aleksandër Vuçiqit për të hequr përgjegjësinë nga vetja. Ky nuk është një faktor i rëndësishëm, pavarësisht se është kryetar partie, pasi prej fillimi ka qenë vegël e pastër e Vuçiqit. Ai provon që me tërheqjen e tij nga pozicioni i kryeministrit të mbajë një pozicion të vetin për të dhënë një lloj përgjegjësie për protestat. Tentimi për të ndryshuar regjimi autoritar në Serbi po vjen nga masa apo populli, jo që është organizuar nga opozita….Probaliteti i mundësisë për të ndodh një partneritet i ardhshëm për të kaluar në një proces zgjedhor apo formuar një qeveri teknike, kjo është një prej opsioneve. Nuk konsideroj se me largimin apo dorëheqjen e kryeministrit Vuçeviq kemi ardhur te situata ku mund të lëkundet fuqishëm pozicioni i Aleksandër Vuçiqit në fuqinë e vet politike në Serbi. Gjithsesi është në nisje mirëpo nuk mendoj se tani është mundësia për të parë një ndryshim të regjimit në Serbi”, thekson Maloku.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dha dorëheqje të martën pas protestave masive të studentëve dhe qytetarëve për tragjedinë në qytetin e Novi Sadit, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor./kp

  • Më shumë se katër milionë euro për energjinë e pastër ndahen nga ky shtet për Kosovën

    Më shumë se katër milionë euro për energjinë e pastër ndahen nga ky shtet për Kosovën

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se janë ndarë katër milionë euro për energjinë e pastër në Kosovë, mbështetur nga marrëveshja e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Danimarkës.

    Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kjo marrëveshje mundëson mbështetje për mbi 200 familje në nevojë me masa të efiçiencës së energjisë, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), gratë ndërmarrëse dhe inovacionin, si dhe mbështetje institucionale për një tranzicion të drejtë energjetik.

    Ministrja Rizvanolli, ka falënderuar Qeverinë daneze, United Nations Development Programme (UNDP) dhe të gjithë partnerët e përfshirë në këtë projekt të rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë dhe mjedisin e vendit në Kosovë.

    Programi do të fillojë implementimin nga data 1 shkurt 2025.

  • Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it diskutuan për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës

    Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it diskutuan për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka pritur sot në takim pune Shefin e Misionit të EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, si dhe bashkëpunëtorët e tij, raporton EO.

    Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Isufaj dhe Shefi i Misionit të EULEX-it kanë zhvilluar diskutime të frytshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

    Konkretisht në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në mes Prokurorisë Speciale dhe Misionit EULEX, si dhe për mbështetjen e këtij Misioni në ruajtën e pavarësisë institucionale.

    Nga ana tjetër Shefi i EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, duke e vlerësuar punën e Prokurorisë Speciale, theksoi se institucioni që ai drejton brenda mandatit të tij do të vazhdojë mbështetjen për Prokurorinë Speciale në promovimin dhe forcimin e sundimit të ligjit.

    Me këtë rast të dy bashkëbiseduesit nënshkruan edhe marrëveshje për pranimin e një donacioni, konkretisht një veture dhuruar nga Misioni EULEX, për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kryeprokurori Isufaj falënderoi Misionin ELUEX për dhurimin e kësaj veture, e cila do të përdoret për nevojat e Prokurorisë Speciale, duke vlerësuar rolin, përkushtimin dhe mbështetjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhënë në vazhdimësi për institucionin e Prokurorisë Speciale, si dhe duke shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së sukseseve të përbashkëta.

  • Bislimi e uron Sorensenin për pozitën e emisarit, i kërkon një qasje të balancuar ndaj palëve

    Bislimi e uron Sorensenin për pozitën e emisarit, i kërkon një qasje të balancuar ndaj palëve

    Kreu i Ekipit Negocaitor të Kosovës, Besnik Bislimi, e ka uruar diplomatin danez, Peter Sorensen, për marrjen e pozitës së emisarit për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Ekonomia Online.

    Në një postim në “X”, Bislimi ka thënë se i uron një mandat të suksesshëm si ndërmjetësues.

    Ai i ka kujtuar Sorensenit se duhet një qasje e balancuar mes palëve në dialog, meqë ky është parakusht për suksesin e procesit të normalizimit.

    “Urime Peter Sorensen për emërimin si Përfaqësues i Lartë i ri i BE-së për procesin e dialogut. I urojmë atij një mandat të suksesshëm si lehtësues, me një qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi.

    Peter Sorensen do ta pasojë sllovakun Miroslav Lajcak nga data 1 shkurt 2025.

  • ​Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të pijeve në Evropë, flasin edhe nga AUV

    ​Coca-Cola urdhëron tërheqje masive të pijeve në Evropë, flasin edhe nga AUV

    Nga njësia evropiane për mbushjen e pijeve të kompanisë Coca-Cola kanë thënë dje se ka urdhëruar një tërheqje masive të pijeve Coke, Sprite dhe të tjera, pasi ka vërejtur nivele të larta të kloratit të cilat mund të paraqesin rreziqe shëndetësore për përdoruesit e këtyre pijeve.

    Tërheqja, e shpallur të hënën nga Coca-Cola Europacific Partners Belgium, sipas The Economic Times, kanaçet dhe shishet e qelqit që kishin nivele të larta të kësaj substance prek Coke, Sprite dhe pije të tjera të shpërndara në Belgjikë, Holandë, Britani, Gjermani, Francë dhe Luksemburg që nga muaji nëntor.

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, Lamir Thaçi ka thënë për KosovaPress se deri më tani AUV nuk ka ndonjë lajmërim-notifikim për dyshime rreth sigurisë së produktit të Coca Cola e cila tregtohet në Kosovë.

    “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë deri me tani nuk ka ndonjë lajmërim-notifikim për dyshime rreth sigurisë se produktit Coca Cola e cila tregtohet ne Kosove. Jemi duke e monitorua situatën përmes mekanizmave te kontaktit me autoritete dhe organizata të sigurisë së ushqimit. Mbi çdo ndryshime do ta mbajmë konsumatorin te informuar. Deri me tani nuk ka asnjë dyshim”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Thaçi.

    Për më tepër, për sigurinë ushqimore, Republika e Kosovës merr njoftime nga Sistemi për Paralajmërim të Shpejt për Ushqim (RASFF) i Bashkimit Evropian.

    Në një opinion shkencor të publikuar më 2015, Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit patën theksuar se ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit përbën shqetësim të mundshëm shëndetësor për fëmijët, veçmas te ata që kanë mungesë të vogël apo të mesme të jodit.