ATV

Author: ATVLive

  • Murati: Shtesat për fëmijë do të vazhdojnë të rriten

    Murati: Shtesat për fëmijë do të vazhdojnë të rriten

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria do të vazhdojë të rrisë shtesat për fëmijët, duke e cilësuar këtë masë si një prioritet të rëndësishëm.

    Murati kritikoi qeveritë e mëparshme, duke thënë se për 20 vite nuk kanë marrë asnjë masë për të mbështetur gratë, të rinjtë apo fëmijët, ndërsa shtoi se qeveria aktuale ka dëshmuar se këto politika janë të realizueshme.

    “Për 20 vite, asnjë qeveri tjetër nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të mbështetur gratë apo fëmijët. Kur kemi propozuar shtesat për fëmijë, kanë thënë se kjo do ta kollapsonte buxhetin. Tash, shtesat janë 150 milionë euro dhe do të vazhdojnë të rriten”, tha Murati.

    Sipas tij, këto shtesa janë dëshmi e përkushtimit të qeverisë për të mbështetur kategoritë shoqërore dhe për të realizuar premtimet e bëra.

    “Edhe kur kemi negociuar me LDK-në në vitin 2019, kundërshtimi i tyre për shtesat e fëmijëve ka qenë i madh, duke kërkuar që ato të jenë vetëm për rastet sociale. Por, ne kemi insistuar që kjo të bëhet për të gjithë fëmijët, dhe ja ku jemi sot”, theksoi Murati.

    Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Kemi kursyer 150 milionë euro”/ “Por, nuk keni ndërtuar autostradë”, përplasje mes ministrit Murati dhe Leart Hoxhës në CONTEXT

    “Kemi kursyer 150 milionë euro”/ “Por, nuk keni ndërtuar autostradë”, përplasje mes ministrit Murati dhe Leart Hoxhës në CONTEXT

    Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin CONTEXT në ATV, ku gazetari Leart Hoxha sfidoi ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për ndryshimet në projekte infrastrukturore dhe pretendimet për kursime në buxhet.

    Debati nisi kur Murati tha se rrugët e ndërtuara nga qeveria aktuale po kushtojnë më pak se ato të mëparshme, duke përmendur kursimin prej 150 milionë eurosh në projektin për rrugën Prishtinë – Pejë.

    “Rruga po kryhet, qëllimi po arrihet, qytetarët do të kenë këtë rrugë dhe po paguajmë 150 milionë euro më pak,” tha Murati, duke thënë se këto kursime janë arritur pavarësisht inflacionit mbi 20 për qind.

    Hoxha, megjithatë, sfidoi këto pretendime, duke ia bërë me dije ministrit Murati se kursimi ka ardhur nga ndryshimi i projektit, jo nga efektiviteti financiar.

    “E saktë! Pra, nuk keni kursyer para, por e keni ndërruar projektin,” tha Hoxha, duke thënë se rruga e zgjeruar dhe autostrada nuk janë e njëjta gjë.

    Ministri Murati mbrojti projektin duke thënë se rruga e zgjeruar arrin të përmbushë qëllimin, ndërsa shpenzimet për arritjen e këtij qëllimi janë ulur ndjeshëm.

    “Ti mbërrin më shpejt në Pejë se sa që ke mbërritur në rrugën e vjetër”, tha Murati, ndërsa Hoxha ia ktheu: “Po, edhe më ngadalë se me autostradë!”.

    Debatin e plotë mes gazetarit Leart Hoxha dhe ministrit Hekuran Murati e gjeni në videon më poshtë:

  • Murati: Financat publike i kemi vënë në binarë

    Murati: Financat publike i kemi vënë në binarë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qeveria aktuale i ka vënë në binarë financat publike.

    Sipas Muratit, dëshmia për këtë stabilitet qëndron në rritjen e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, duke e mbajtur borxhin publik nën kontroll.

    “Tash për tash e kemi qitë financat publike në binarë dhe shifrat domethënë janë dëshmia më e mirë për këtë. Ne kur e kemi marrë buxhetin e shtetit ka qenë me të hyra prej 1.9 miliardë euro, kurse tash kur po e përfundojmë mandatin, pra të hyrat e buxhetuara për vitin dy 2025 janë 3.3 miliardë euro, apo 74 për qind rritje, është një rritje enorme. Ngjashëm ka ndodhë edhe tek shpenzimet. Kur e kemi marrë buxhetin e vitit 2021 që ishte buxhetu nga qeverisja paraprake, ka qenë të buxhetuara 2.4 miliardë, kurse tash në fund të mandatit e kemi buxhetin 3.6 miliardë dhe e gjithë kjo pra është ba duke mbajte edhe borxhin publik nën kontroll, e madje në raport me bruto prodhimin vendor kemi rënie. Plani ka qenë prej qeverisë paraprake, që borxhi publik të shkojë në 35 për qind të bruto prodhimit vendor në fund të vitit 2023, kurse ne tash e kemi në 15”, tha Murati.

    Ministri shtoi se mbetet sfidë reformimi i Ligjit të Prokurimit Publik, për të kaluar fokusin nga procedurat drejt rezultateve konkrete.

    “Çka ka mbetë për t’u rregullu edhe më tutje, që e kemi pasë si sfidë gjatë këtij mandati, ka qenë Ligji i Prokurimit Publik. Reformimi sa i përket prokurimit publik, meqenëse në të kaluarën, në bazë të ligjit, në mënyrë ashtu është e rregullume, fokusi ka qenë më tepër në procedurë se sa në rezultat. Dmth. Sikur ajo thania që thuhet që ‘operacioni shkoi me sukses, por pacienti vdiq’. Edhe këtu ka qenë më tepër fokusi tek procedura, se a po ndiqen procedurat, por fare s’ka qenë problem se a po rezulton që ajo procedurë e prokurimit me rezultate konkrete”, theksoi Murati.

    Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Murati: Si duket, të gjitha krizat globale ishin ruajtur për mandatin tonë qeverisës

    Murati: Si duket, të gjitha krizat globale ishin ruajtur për mandatin tonë qeverisës

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se gjatë qeverisjes së tyre, kishin probleme të mëdha me krizat globale.

    Ai tha se, si duket të gjitha këto kriza ishin ruajtur për mandatin e tyre qeverisës.

    “Ideja është që për tërë mandatin e plotë si mund ta bëjmë Kosovën shtet më të mirë, si mund ta rrisim mirëqenien, e sidomos tash që këto krizat globale pra u tejkaluan, sepse një problem tjetër që e kemi pasë, e sidomos gjatë tërë mandatit tonë, është që pothuajse të gjitha krizat globale ishin pas ruajtur për mandatin tonë. Patëm pandeminë, e kemi pasë luftën në Ukrainë, krizën energjetike globale, krizën e inflacionit global”. tha Murati.

    Deklaratën e plotë të Hekuran Muratit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Qytetarët e Rrugës B dhe ‘’Muharrem Fejza’’, të rrezikuar nga numri i madh i qenve endacakë

    Qytetarët e Rrugës B dhe ‘’Muharrem Fejza’’, të rrezikuar nga numri i madh i qenve endacakë

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Rruga B dhe rruga “Muharrem Fejza”, banorët nuk po gjejnë qetësi nga numri i madh i qenve endacakë.

    Qytetarët thonë se ndjehen të shqetësuar dhe të rrezikuar pasi që nuk kalon ditë pa u sulmuar dikush prej tyre.

    Për t’i shmangur incidentet çdo mëngjes detyrohen t’i shoqërojnë fëmijët në shkollë, por edhe në parqe nuk kanë siguri.

    “Po është e vërtetë, jemi të rrezikuar sepse kanë ndodhur shumë raste që kanë kafshuar edhe qytetarët, zakonisht në mbrëmje kur bahet kjo lagje. Sa i përket kur t’i qesim fëmijët nëpër lodra, është problem sepse fëmija ka qejf me luajt dhe nuk e di që e kafshon. Ka ndodhur që i kanë kafshuar edhe qytetarët, është rrezik. Janë bile tre që janë pak më të rrezikshëm. Komuna duhet të marrë masa pasi që është problem”, tha një qytetare.

    “Komuna kurgjo vetëm për punët e veta, tu vjedh sa po munden dhe për qentë, do i kanë marrë, i kanë strehu, do i kanë paguar qenin. Hymjen në 32 qitash shkoni e gjeni. Sun po i qesim jashtë dhe unë kisha propozu që të marrë masa për t’i larguar sepse nuk është as dy javë ditë që e kanë hangër qentë një djalë ndërmjet postës dhe shkollës “Ismail Qemaili”, tjetër nuk di çka të them”, tha një qytetar.

    Ata vazhdojnë të kërkojnë ndihmë nga Komuna. Por Drejtoria për Shërbime Publike njoftoi se largimi i qenve nga rrugët vazhdon.

    ‘’Çdo qenë që trajtohet nuk kthehet me në rrugë por shkon në adoptim. Nga viti 2022 diku mbi 4000 qenë janë trajtuar vetëm prej komunës se Prishtinës dhe 700 janë trajtuar në qendrën ku e kemi këtu prej kur është funksionalizuar. Tani jemi në fund të projektit nga ana jem majtë e imja ku qentë do të strehoen dhe do të rrin me gjatë këtu derisa të kemi adoptime nga ana e qytetarëve’’, tha Habib Qorri nga Drejtoria për Shërbime Publike.

    Por Komuna kërkon ndihmë nga Qeveria.

    Komunës së Prishtinës i ka kushtuar 700 mijë euro ndërtimin e qendrës për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë, e hapur tre muaj më parë në Hajvali.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Shoku i klasës përdor dhunë”, klasa e 6/3 në shkollën Dardania s’mban mësim

    “Shoku i klasës përdor dhunë”, klasa e 6/3 në shkollën Dardania s’mban mësim

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kjo e martë, ishte dita e tretë që 25 nxënësit e paraleles 6/3 e shkollës fillore “Dardania”, në Prishtinë bojkotuan mësimin. Arsye sipas prindërve del të jetë një nxënës në këtë klasë i cili po ushtron dhunë mbi shokët dhe shoqet.

    Fëmijët nuk do t’i dërgojnë në shkollë deri sa të zgjidhet problemi.

    Derisa thonë se janë të shqetësuar për bojkot të mësimit, nga drejtoria e shkollës kërkojnë bashkëpunim mes prindërve.

    “Ne si shkollë kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rastin në fjalë, por kërkesa e tyre bie ndesh me rregullat dhe ligjet tona. Për më tepër, në raste të tilla duhet të tregojmë përkrahje dhe të mos lejojmë që të arrijë në këto nivele, ku pa dyshim mendojmë se dëmtohet më së shumti shëndeti mendor i fëmijëve tanë. Bojkoti nuk është zgjidhje; zgjidhja qëndron te bashkëpunimi dhe pranimi në rrethin tonë i të gjithëve pa dallime”, tha drejtori i Shkollës “Dardania”, Besim Gashi.

    Me rastin po merret edhe Drejtoria Komunale e Arsimit.

    “Një komision i DKA-së është duke u marrë me rastin, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtorinë e shkollës dhe Qendrën për Punë Sociale (QPS). Rasti po trajtohet me seriozitet të lartë, duke marrë parasysh sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Masat që do të ndërmerren do të jenë të bazuara në një vlerësim të plotë të situatës dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për të gjithë nxënësit”, thuhet në përgjigjën nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

    Shkolla fillore “Dardania” në Kryeqytet ka mbi 2000 nxënës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kuvendi Komunal në Gjilan sërish nuk e miraton buxhetin për vitin 2025

    Kuvendi Komunal në Gjilan sërish nuk e miraton buxhetin për vitin 2025

    Përgatiti: Ardiana Jashari

    As këtë të martë Kuvendi Komunal i Gjilanit nuk arriti të votojë buxhetin për vitin 2025 meqë seanca e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk pati kuorum.

    “Ne nuk kemi korum për të vazhduar tutje. Faleminderit, e shpalli të mbyllur këtë seancë”, tha kryesuesi i kuvendit nga LDK, Kushtrim Kadriu.

    Ani pse fjala nuk iu dha nga kryesuesi i Kuvendit meqë ky i fundit mbylli seancën, nënkryetarja e Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku shfrytëzoi rastin t’i bëj thirrje opozitës të votojnë buxhetin.

    “Ai nuk është një instrument politikë por një mekanizëm për mirëqenien të përbashkët. Ju ftoj të gjithëve që t’i lëm më një anë dallimet dhe të veprojnë për të mirën e komunitetit tonë”, tha Morina-Bunjaku.

    Në anën tjetër partia opozitare në këtë komunë LDK thotë se nuk e voton këtë buxhet pasi në të nuk janë përfshirë nevojat e qytetarëve por nevojat politike të Vetëvendosjes.

    “Pra shihet qarë se z.Hyseni së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë buxhet për nevojat politike mbajtjen gjallë të aktivistëve politike, të kontratave të paligjshme”, tha Kadriu.

    Edhe partia tjetër opozitare në Gjilan, PDK thotë se nuk do të votojë buxhetin duke renditur arsyet.

    “Janë tri arsye kryesore që ne nuk do ta votojmë këtë buxhet e para ka të bëjë me mosrespektimin e afateve ligjore, arsyeja e dytë është përmbajtja e buxhetit i cili është i destinuar për dy fushatat zgjedhore Arsyeja e tretë është mënyra se si kryetari i komunës nuk donë të hap diskutim në kuvendin komunal për këtë buxhet por kërkon vetëm votën tonë”, tha Riad Rashiti, asambleist nga PDK.

    Komuna e Gjilanit është komuna e vetme e cila nuk ka arritur ende të miratojë buxhetin për këtë vit. E nëse nuk votohet deri në mars Gjilani rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ndikimi i nivelit qendror në realizimin e projekteve kapitale të komunave

    Ndikimi i nivelit qendror në realizimin e projekteve kapitale të komunave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Buxhetin që e patën në vitin 2024 për projekte kapitale, disa nga komunat nuk arritën ta shfrytëzojnë. Kjo ngase siç thonë niveli qendror e pamundësoi realizimin.

    Në komunën e Prishtinës, sipas nënkryetarit Alban Zogaj, shkak i qeverisë ndër vite kanë mbetur shumë projekte pezull.

    “Ka ndikuar goxha shumë niveli qendror pasi shumë nga projektet madhore. Shembull një nga projektet është nënkalimi Agim Ramadani, platforma që e lidh lagjen Arbëria me Pallatin e rinisë”, tha Zogaj.

    Ndërkohë kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi e vlerëson bashkëpunimin me qeverinë. Megjithatë thotë se institucionet qendrore dëmtuan buxhetin e kësaj komune përmes kontratës kolektive.

    “Në kuptimin institucional të them të drejtën e kam pasur një bashkëpunim me të gjitha, kemi respektuar vijën institucionale, nuk kemi pasur problem. Por problemi më i madh ka qenë kontrata kolektive që na ka dëmtuar me mjete, llogarit 6 milion euro nëse i kishim shti në projekte do të kishte ndryshuar e gjithë pamja komunës. Kemi pas plan shumë çerdhe, kanalizime e rrugë”, tha Idrizi.

    E dëmtuar në këtë aspekt është edhe komuna e Vitisë, e cila e konsideron të papranueshme ndërhyrjen e nivelit qendror në punët e komunave.

    “Qëndrimi ynë është institucional. Ne i kemi dy pushtete. Niveli lokal funksionon mbi ligjin vetëqeverisjes lokale, por ndërhyrja është e papranueshme ndërsa e pranueshme është bashkëpunimi. Në përgjithësi ne i respektojmë hierarkinë mbi bazën e ligjeve dhe legjislacionit në fuqi”, tha kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

    Ndërkohë, komunat e Kosovës gjatë vitit të shkuar kanë pasur në dispozicion rreth 290 milionë euro për projekte kapitale, derisa nuk kanë shpenzuar mbi 50 milionë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Avokati i Popullit publikon raportin vjetor mbi zbatimin e Ligjit Kundër Diskriminimit

    Avokati i Popullit publikon raportin vjetor mbi zbatimin e Ligjit Kundër Diskriminimit

    Përgatiti: Sara Mulliqi

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar për herë të parë raportin vjetor “Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

    Avokati i popullit, Naim Qelaj gjithashtu ka kërkuar më shumë bashkëpunim institucional rreth të dhënave të sakta ndaj diskriminimit.

    “Ne i kemi ditur pak a shumë sfidat dhe problematikat që na përcjellë kjo fushë, e para që del si konstatim dhe si shqetësim i ngritur nga unë si avokat është mungesa e të dhënave që do të thotë institucionet e Kosovës, nuk arrijnë të mbledhin dhe të fusin në informata të sakta ndaj diskriminimit të cilat i pa mundësojnë Avokatit të Popullit ta përmbushë ligjin”, tha Qelaj.

    E për të parandaluar diskriminimin sipas zëvendës shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, duhet të mbështeten vlerat fundamentale.

    “Barazia, pavarësitë nga origjina, seksualiteti, etnia apo aftësitë e kufizuara duhet jetuar si shoqëri që i mbron këta njerëz dhe e mbështet diversitetin duke mbrojtur vlerat fundamentale. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë shumë veprime për të siguruar që mbrojtja kundër diskriminimit të funksionojë”, tha Palatova.

    Raporti në mes tjerash u vlerësua si hap i rëndësishëm drejt ndalimit të diskriminimit në vend.

    “Ky raport do të shtrojë themel të fortë dhe rekomandimin e masave për të përmirësuar ligjin dhe zbatimin e tij”, tha Mary Ann Hennesy, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës.

    Raporti është publikuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës si rezultat i projektit “Lufta kundër diskriminimit dhe urrejtjes”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vazhdon dëshminë Naser Krasniqi

    Vazhdon dëshminë Naser Krasniqi

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Dëshmitari, Naser Krasniqi, ka vazhduar dëshminë në Hagë. Në seancën e së martës u prezantua një dokument të cilin vet Krasniqi ia kishte dhënë Prokurorisë.

    “Ashtu qysh shihet edhe nga paragrafi i parë i shkresës kishte të bënte me inkasimin e të hyrave për luftën e UÇK-së për mërgimtarët që nuk i kishin financuar në botën e jashtme, përkatësisht nuk i kishin shlyer obligimet atje dhe na ishte dhënë detyrë që t’i verifikonin dhe këto obligime t’i shlyenin në vend do të thotë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.

    Krasniqi shtoi se shuma e kontributeve ishte sipas shteteve dhe të gjitha ishin të specifikuara në vendim dhe varionte nga 1 mijë deri në 2 mijë marka ose franga zvicerane. Derisa tregoi se çfarë ndodhte me ata që nuk e kryenin obligimin.

    “Do të duhej t’i merrej pasaporta deri sa t’i shlyente obligimet”, deklaroi Krasniqi.

    Derisa ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, gjatë dëshmisë së tij, Krasniqi i cili është dëshmitari i 118-të, konfirmoi se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK.

    “Ai tha se unë kam ardhur që unë të rri në vend të djalit dhe djali të lirohet. Atëherë unë i shpjegova që nuk është në kompetencat e mia një gjë e tillë dhe pasi pyeti unë i tregova që është në kompetencën e Gjykatës Ushtarake dhe ai kërkoi që të takohej me kryetarin e Gjykatës Ushtarake për ta diskutuar të njëjtën kërkesë të tij. Meqenëse Bajram Gashi administrator i togut të Policisë Ushtarake e njihte paraprakisht Habibin, atëherë ne së bashku vendosëm që të ia bëjmë një favor dhe vendosëm që së bashku të shkojmë në Divjakë për ta takuar zotin Sokol Dobruna”, deklaroi Krasniqi.

    Ndërkohë aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, derisa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: