ATV

Author: ATVLive

  • KFOR-i e përfundon me sukses një maratonë vrapimi në Bondsteel

    KFOR-i e përfundon me sukses një maratonë vrapimi në Bondsteel

    KFOR bën me dije se ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje e kanë përfunduar një maratonë vrapimi.

    Në një postim në Facebook, KFOR thotë se ngjarja ndodhi në fundjavë në Kampin Bondsteel.

    “Ngjarja u drejtua nga Ekipi Ballkanik i Qëndrueshmërisë i Ushtrisë së SHBA-së”.

    “Qëndrimi fizikisht i aftë dhe i fortë mendërisht janë kritike për suksesin e përgjithshëm të trupave tona të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

  • Haradinaj për betejën e Rogovës së Hasit: Rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së gjithmonë në kujtesën tonë

    Haradinaj për betejën e Rogovës së Hasit: Rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së gjithmonë në kujtesën tonë

    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kujtuar heronjtë e betejës së Rogovës së Hasit në përvjetorin e saj.

    Daut Haradinaj ka thënë se ky rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së mbetet gjithmonë në kujtesën tonë.

    “Sot, me krenari kujtojmë heronjtë e betejës së Rogovës së Hasit. Ky rrugëtim i përgjakshëm i trimave të UÇK-së mbetet gjithmonë në kujtesën tonë. Burrat elitarë, të prirë nga vëllezërit Lleshi, Komandant Agim Zeneli, Agron dhe Sejdi Rama, Luan Smajli, Agush Gjocaj, Valon Gashi, Bahtijar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gëzim Ademaj, Haxhi Kleqka, Gaspër Karaqi, Ilir Merturi, Naim Gashi, Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala, Rifat Shala, gjithçka për lirinë”, ka kujtuar Haradinaj.

    Ai ka thënë se djemtë elitarë të Dugagjinit kishin marrë “një mision të pamundur: të shpëtonin bashkëluftëtarët e plagosur dhe t’u siguronin shokëve municion”.

    “Në këto përpjekje titanike, djemtë elitarë të Dugagjinit kishin marrë një mision të pamundur: të shpëtonin bashkëluftëtarët e plagosur dhe t’u siguronin shokëve municion. Shumë prej këtyre heronjve ishin të plagosur e të rraskapitur nga betejat e njëpasnjëshme, deri në ditën e rënies. Ne morëm goditjen më të madhe në historinë e luftës, por nuk u thyem. Përkundrazi, u zotuam ta jetësojmë amanetin e këtyre viganëve, të cilët sot prehen në paqe në Kosovën e lirë. Kushdo që dëshiron të shohë çmimin e sakrificës, duhet të vijë në Rogovë të Hasit”, është shprehur Haradinaj.

  • IPK pranon donacion një furgon nga EULEX

    IPK pranon donacion një furgon nga EULEX

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar donacion një furgon nga misioni i EULEX’it.

    Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Kryeshefi Hodaj dhe Shefi i Shtyllës së Monitorimit Galzignato, zhvilluan një bashkëbisedim të frytshëm duke theksuar bashkëpunimin e rëndësishëm në mes IPK-së dhe EULEX-it.

    “Inspektorati Policor i Kosovës sot pranoi si donacion një automjet (furgon) nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ceremonia e dorëzimit u mbajt në objektin e IPK-së në Hajvali, ku Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së z. Kushtrim Hodaj pranoi çelësat e automjetit nga z. Giovanni Galzignato – Shefi i Shtyllës së Monitorimit të Misionit EULEX. Inspektorati Policor i Kosovës shpreh mirënjohjen për këtë donacion dhe falënderon Misionin e EULEX-it për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e mandatit ligjor për një polici më të përgjegjshme dhe efikase.”

  • 17 mijë e 500 euro gjobë ndaj zyrtarit komunal të Ferizajt dhe një biznesmeni

    17 mijë e 500 euro gjobë ndaj zyrtarit komunal të Ferizajt dhe një biznesmeni

    Gjykata Themelore në Ferizaj, të mërkurën ka shpallur aktgjykim ndaj katër zyrtarëve komunalë të Ferizajt dhe një biznismeni, të cilët akuzoheshin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

    Ndaj të akuzuarave Fehmi Reka, Bahri Xhemajli, kjo gjykata ka shpallur aktgjykim dënuese, kurse të pandehurit Arbërie Bekteshi, Arbnora Sejdiu dhe Hajrush i ka liruar nga akuza.

    Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Reka për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të njëjtit është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro.

    Kurse, i akuzuari Xhemajli për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” është dënuar me gjobë në lartësi prej 12 mijë e 500 euro, ndërsa u lirua për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik në bashkëkryerje”.

    Ndërkaq, të akuzuarit Bekteshi, Sejdiu dhe Leka janë liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”, pasi që nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer këtë vepër penale.

  • ​Rëndohet shkalla e inflacionit në Mal të Zi

    ​Rëndohet shkalla e inflacionit në Mal të Zi

    Inflacioni i përgjithshëm në Mal të Zi 2021-2024 arriti në 30.5 për qind, ndërsa vetëm çmimet e ushqimeve u rritën me 41 për qind, sipas të dhënave të Entit Statistikor (Monstat).

    Zyra statistikore e BE-së, Eurostat, përdor Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për të krahasuar çmimet ndërmjet vendeve, i cili tregon se në katër vjetët e fundit çmimet në Mal të Zi janë rritur dukshëm më shumë se në eurozonë, dhe se vendi kishte norma inflacioni deri në katër herë më të larta se vendet më të pasura në Evropë.

    Sipas të dhënave nga deklaratat tatimore, zinxhirët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në Mal të Zi kishin rritje qarkullimi 40 deri në 50 për qind në vitin 2023 krahasuar me 2021 dhe një rritje të fitimit neto prej 120 deri në 196 për qind.

    Fitimi neto i zinxhirëve të shitjes me pakicë u rrit me një ritëm katër herë më të lartë se rritja e të ardhurave të tyre, sipas mediave të Malit të Zi.

  • Studimi tregon rritje të etnonacionalizmit dhe narrativit antigjinor në Kosovë

    Studimi tregon rritje të etnonacionalizmit dhe narrativit antigjinor në Kosovë

    Etnonacionalizmi, narrativi antigjinor, ekstremizmi fetar dhe narrativi antiserb në Kosovë ndërlidhen mes vete, janë në rritje dhe kontribuojnë në ndarjet në shoqëri, u tha në një konferencë rajonale që u mbajt në Prishtinë, më 29 janar.

    Konferenca u organizua në kuadër të projektit “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat”.

    Projekti, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, u zbatua nga organizata joqeveritare Sbunker në Prishtinë, me qëllim të ofrimit të një pasqyre të përgjithshme të ekstremizmit në Kosovë dhe të rekomandimeve për shtypjen e tij.

    Adelina Hasani, hulumtuese dhe autore e këtij raporti, tha se etnonacionalizmi në Kosovë është pasojë e çështjeve të pazgjidhura nga vitet 1990 dhe ndodhive në luftë.

    Nga mungesa e adresimit të drejtësisë tranzicionale, sipas saj, këtu dominon edhe diskursi politik.

    “Narrativët dhe ekstremizmi i djathtë janë duke u përhapur në Kosovë. Etnonacionalizmi është kryesisht i pranishëm mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe kjo është e kuptueshme marrë parasysh trashëgiminë e viteve 1990. Megjithatë, etnonacionalizmi e thellon ndarjen mes serbëve dhe shqiptarëve dhe e pengon procesin e pajtimit”, tha Hasani.

    Të dhënat për hulumtimin “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë” janë mbledhur kryesisht përmes diskutimeve publike në disa komuna të Kosovës, ndërsa janë përdorur edhe studime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me ekstremizmin.

    Diskutime të tilla publike, megjithatë, nuk ka pasur në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, për shkak të, siç u tha, situatës politike.

    Në këto komuna, tensionet kanë qenë të larta viteve të fundit, për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin edhe në atë zonë, përkundër refuzimeve të komunitetit serb për t’u integruar.

    Duke folur për trendin e etnonacionalizmit në mesin e komunitetit shqiptar në Kosovë, Hasani tha se ai vihet re kryesisht në narrativin në rrjetet sociale dhe në diskursin publik.

    Sipas saj, ka një “stigmatizim të komunitetit serb”.

    Hasani theksoi, gjithashtu, se Kosova është një vend multietnik, por se përballet me “pengesa” për t’u bërë një shoqëri gjithëpërfshirëse, sepse autoritetet tregojnë mospërputhje në përdorimin e simboleve të Kosovës, siç është flamuri.

    “Përdorimi i flamurit shqiptar në shumë institucione sjell pasiguri jo vetëm për komunitetin serb, por edhe për komunitetet tjera pakicë në Kosovë”, tha ajo.

    Hasani shtoi se etnonacionalizmi në mesin e komunitetit serb është kryesisht i pranishëm në komunat në veri të Kosovës.

    Sipas saj, ai është pjesërisht pasojë e dezinformatave që vijnë nga Rusia dhe përhapen përmes mediave në Serbi.

    “Ne kemi narrativë që thonë se duan t’i dëbojnë serbët nga veriu i Kosovës – gjë që rrit frikën në mesin e komunitetit serb”, tha ajo.

    Përndryshe, edhe zyrtarët e Serbisë, edhe ata të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i përshkruajnë shpeshherë veprimet e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit në veri si “persekutim i serbëve nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

    Studimi “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat” identifikon edhe një narrativ antigjinor, që është i drejtuar kryesisht kundër popullatës LGBT dhe abortit.

    “Grupi që përdor narrativ të tillë, përpiqet ta mbrojë familjen tradicionale. Ai e sheh komunitetin LGBT si kërcënim, sepse beson se ai i shkatërron vlerat e familjes, se familja përbëhet nga babai, nëna dhe fëmija”, tha studiuesja Adelina Hasani.

    Sipas saj, narrativë të tillë kanë mbrojtur edhe deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës.

    “Narrativi antigjinor është i pranishëm edhe në mediat sociale. Ai është i drejtuar kundër aktivisteve për të drejtat e grave”, shtoi ajo.

    Kur bëhet fjalë për ekstremizmin fetar, Hasani theksoi se ky fenomen në Kosovë ka arritur kulmin në vitin 2014, por se është ende i pranishëm në shoqëri.

    “Institucionet e sigurisë kanë qenë shumë të rrepta ndaj radikalizmit fetar dhe tani ai shprehet kryesisht në rrethe familjare. Ajo që unë shoh si kërcënim, është se ekstremizmi fetar mund të ndikojë në zhvillimin e vlerave demokratike dhe të të gjithë shoqërisë. Ata që promovojnë ekstremizmin fetar, duan ta portretizojnë demokracinë si një sistem të korruptuar, të dështuar dhe ta promovojnë veten si alternativë”, tha Hasani.

    Kuptimi i këtyre trendëve, sipas saj, do të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjate për luftimin e tyre.

    Studimi “Lufta kundër ekstremizmit në Kosovë: trendët, sfidat dhe kundërmasat” ofron një sërë rekomandimesh për institucionet në lidhje me rritjen e këtij fenomeni, duke përfshirë zhvillimin e programeve socio-kulturore për të rinjtë, gjetjen e mënyrave për të reduktuar ekstremizmin online dhe adresimin e çështjeve të drejtësisë tranzicionale dhe të narrativëve historikë.

    Si pjesë e këtij projekti u hap edhe një faqe interneti që do të përfshijë një paketë mjetesh praktike, të krijuara për mësimdhënësit, edukatorët, udhëheqësit lokalë dhe të komunitetit, për t’i ndihmuar ata në parandalimin e ekstremizmit në një fazë të hershme.

  • Humb jetën një person pasi u lëndua gjatë manovrimit me paragllajd

    Humb jetën një person pasi u lëndua gjatë manovrimit me paragllajd

    Një person ka humbur jetën pasi që u lëndua gjatë manovrimit – riparimit te një paragllajd. Policia për Rajonin e Pejës, njofton se sot rreth orës 10:48, ёshtё njoftuar se në fshatin Sine të Istogut, një person gjersa ishte duke manovruar-riparuar një paragllajd në oborrin e shtëpisë së tij, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

    Në vend ngjarje kanë dalë njësitet kompetente policore, Prokurori i shtetit dhe auto ambulanca e cila e ka transportuar të lënduarin për në Spitalin Rajonal në Pejë.

    “Për shkake të gjendjes së rëndë, viktima është dërguar për tretman në QKUK në Prishtinë, ku më pas është konfirmuar se ka ndërruar jetë”, njofton policia.

    Më tej thuhet se me urdhër të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë u kthehet familjarëve për ceremoninë e varrimit.

  • ​Gjykata e BeH-së refuzon kërkesën e Dodik për të rifilluar gjyqin ndaj tij

    ​Gjykata e BeH-së refuzon kërkesën e Dodik për të rifilluar gjyqin ndaj tij

    Një gjykatë e Bosnjë dhe Hercegovinës refuzoi kërkesën e mbrojtjes së kryetarit të Republikës Serbe Milorad Dodik dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të “Gazetës Zyrtare të Republikës Serbe” Millosh Lukiq, për të lexuar sërish aktakuzën dhe për të thirrur dëshmitarët.

    Gjyqtarja Sena Uzunoviq tha se kërkesa e Dodik është e pabazuar dhe do të çonte në zvarritje të procedurës para Gjykatës së BeH.

    Në shpjegimin e saj, Uzunoviq tha se mbrojtja ka marrë audio incizime të seancave ku janë paraqitur provat dhe janë dëgjuar dëshmitarët. Ajo tha se të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje direkt. Uzunoviq listoi gjithashtu se sa herë janë shtyrë seancat, duke përfshirë ato për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale të Dodik.

    “Për shkak të kësaj, gjykimi nuk mundi të vazhdonte me ritmin e planifikuar”, pohon ajo.

    Pasi Uzunoviq refuzoi kërkesën për kthimin e shqyrtimit kryesor në fillim, Dodik tha se “e gjithë procedura kundër tij dhe Millosh Lukiq është me pasaktësi”.

    “Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga pezullimi i gjykimit, procedimi rifillon nëse njëra nga palët e kërkon. Ne kërkojmë që të fillojë nga e para”, tha ai.

    Një incident ka ndodhur para Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës gjatë gjykimit të Dodik dhe Lukiq, të cilët akuzohen për moszbatim të vendimeve nga Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt.

    Një grup njerëzish të mbledhur, përfshirë bashkëpunëtorë të shquar politikë të Dodikut, erdhën për ta mbështetur. Në një moment është dëgjuar muzika e fortë, e cila ka sjellë reagimin e policisë, e cila është dashur të ndërhyjë për të vënë situatën nën kontroll.

    Ndër më të zëshmit ishte përfaqësuesja e SNSD-së në Dhomën e Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të BeH, Sanja Vuliq, e cila udhëhoqi këngën dhe bërtiti parulla në mbështetje të Dodik. Të mbledhurit brohoritën parulla, duke protestuar ndaj gjyqit që po zhvillohej kundër kreut të RS.

    Policia ka mbajtur prezencë para Gjykatës së BeH për të parandaluar incidente të reja të mundshme.

  • Arrestohen dy persona të dyshuar për grabitje

    Arrestohen dy persona të dyshuar për grabitje

    Sot, nga Njësiti i Hetimeve të Drejtorisë së Kryeqytetit, njësia e stacionit Veriu, janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje.

    Sipas policisë rasti ka ndodhur me datën 24 janar 2025 në fshatin Trudë të Prishtinës, saktësisht në një pompë derivatesh.

    “Puna e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar (meshkuj) V.I. 34 vjeç, dhe L.B 33 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se personat e dyshuar me vendimin e prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin.

  • ​Federata norvegjeze vendos për të ardhmen e teknologjisë VAR

    ​Federata norvegjeze vendos për të ardhmen e teknologjisë VAR

    Megjithëse shumica e klubeve kryesore norvegjeze duan të heqin dorë nga përdorimi i VAR-it, Federata Norvegjeze e Futbollit dëshiron të vazhdojë me sistemin.

    Federata Norvegjeze e Futbollit (NFF) ka vendosur të vazhdojë me sistemin e arbitrimit të videove VAR, edhe pse shumica e klubeve kryesore norvegjeze preferojnë të heqin dorë nga përdorimi i VAR.

    Presidentja e futbollit Lise Klaveness e bëri të ditur këtë vendim të mërkurën pasdite pas një takimi dyditor të bordit, përcjellë KosovaPress.

    “Ne nuk mund ta ndalojmë tashmë një projekt në të cilin kaq shumë njerëz kanë investuar burime dhe i cili është lejuar të funksionojë vetëm për dy sezone, dhe që është bërë një pjesë e rëndësishme e futbollit evropian të klubeve dhe kombëtareve”, thotë Lise Klaveness.

    Klubet në dy divizionet më të mira të Norvegjisë kanë votuar për të ndërprerë përdorimin e gjyqtarëve ndihmës video (VAR) në ligat e tyre.

    Javën e kaluar 32 skuadrat në Norsk Toppfotball (NTF), organizata që përfaqëson klubet në Eliteserien dhe Kategorinë e Parë të Norvegjisë, miratuan një mocion që “kërkon që bordi i Federatës së Futbollit të Norvegjisë (NFF) të rekomandojë dhe që Asambleja Federale të miratojë, ndërprerjen të arbitrit të asistuar me video (“VAR”) sa më shpejt të jetë e mundur.”

    VAR u fut në Eliteserien në vitin 2023, por shpesh ka qenë objekt i protestave mbështetëse në Norvegji.