ATV

Author: ATVLive

  • ​Izraeli merr listën e pengjeve që do të lirohen nesër

    ​Izraeli merr listën e pengjeve që do të lirohen nesër

    Qeveria izraelite ka marrë një listë të pengjeve izraelite të planifikuar për t’u liruar nga Gaza nesër, sipas një deklarate nga Zyra e Kryeministrit izraelit, të raportuar nga mediat izraelite.

    Ky është shkëmbimi i tretë i pengjeve dhe të burgosurve sipas armëpushimit aktual në Gaza.

    Zyra e Benjamin Netanyahu njoftoi se gjithsej tetë pengje – tre izraelitë dhe pesë shtetas tajlandezë – do të lirohen nesër nga Gaza.

    U publikuan edhe emrat e pengjeve izraelitë: Arbel Yehud, Agam Berger dhe Gadi Moses.

    Marrëveshja e armëpushimit filloi para më shumë se një jave dhe faza fillestare pritet të përfshijë lirimin javor të pengjeve, me gjithsej 33 pengje që do të dorëzohen gjatë 42 ditëve deri në fillim të marsit në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.

    Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, vendet që negociuan armëpushimin, po monitorojnë zbatimin e tij.

    Si pjesë e marrëveshjes, Izraeli gjithashtu do të lirojë të burgosurit palestinezë çdo javë.

    Kohë më parë autoritetet izraelite liruan 200 të burgosur, duke përfshirë disa të burgosur të përjetshëm, nga të cilët 70 iu dorëzuan Egjiptit dhe ata do të kenë zgjedhjen të qëndrojnë ose të lëvizin në një vend tjetër. Ndërsa Hamas liroi katër pengje.

  • ​Ndryshimi i qasjes së Kurtit ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet përshtatje me presidentin Trump

    ​Ndryshimi i qasjes së Kurtit ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet përshtatje me presidentin Trump

    Ndryshimi i qasjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti sa i përket Marrëveshjes së Uashingtonit po konsiderohet si përshtatje me presidentin e ri amerikan, Donald Trump. Përkundër që këtë ujdi – kur ishte arritur në vitin 2020, Kurti e kishte quajtur të dëmshme, së fundmi ai tha se e njëjta promovon stabilitet. Ndryshimi i pozicionit të Kurtit vlerësohet se po bëhet me qëllim të përafrimit me administratën e re amerikane dhe tejkalimin e qëndrimeve të kaluara.

    Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet ish kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, i cili tani është zgjedhur edhe për një mandat në krye të SHBA-se.

    Kurti ka folur në gazetën spanjolle “El Mundo” – publikuar të hënën – për raportet me administratën Trump. Ai ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e arritur në vitin 2020 ka promovuar stabilitet.

    Analisti politik, Seb Bytyqi thotë për KosovaPress se nën administratën aktuale të Trumpit mund ketë sërish përpjekje për ndonjë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që fokus e ka bashkëpunimin ekonomik.

    Sipas tij, secili shtet tani është duke u përshtatur me presidencën e re të Trumpit dhe se njësoj po vepron tani edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Fokusi i asaj marrëveshje ka qenë kryesisht ekonomik, me qëllim që të bëhet një progres në dialogun që kishte stagnuar në atë kohë. Ngjashëm edhe gjatë këtij mandati të presidentit Trump mund të presim përpjekje për eventualisht ndonjë marrëveshje tjetër që prap e ka fokus bashkëpunimin ekonomik. Sido që të jetë të gjitha shtetet janë duke u përshtatur me presidencën e re të zotëri Trump, dhe ngjashëm edhe Kosova duhet që patjetër të përshtatet me situatën e re. Për Kosovën është me prioritet që t’i ruaj ato përparimet që i ka bërë në shtrirjen e autoritetit në veri. Mos t’i rrezikojë ato përmes nxitjes së krizave dhe të jetë syhapur që të parandalojë ndonjë krizë të mundshme që mund të nxitet nga Beogradi”, thekson ai.

    Mirëpo, ish-diplomati, Blerim Canaj, deklaron për KosovaPress se përkundër përpjekjeve të kryeministrit Kurti për të krijuar një diskurs të ri me republikanët, në krye me presidentin Trump, një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, duke ditur diferencat e mëdha që i kanë pasur gjatë administratës së parë të presidentit Trump.

    Kurti në vitin 2020 ka akuzuar ish-emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë Kurti I. Grenell tani është i zgjedhuri i Trumpit si përfaqësues për misione speciale.

    “Kurti veçse është duke parë se Administrata Trump do të ketë një qasje tjetër. Një Trump dhe një Grenell në Amerikë, dhe një Albin Kurti në Kosovë, nuk është një shenjë e mirë. Si duket do të tentojë Kurti të ndryshojë diskurs, mirëpo kjo më duket se është tepër vonë pasi hiqe Marrëveshjen e Uashingtonit, ne e dimë edhe sjelljen e Kurtit dhe militantëve të tij në raport me këto dy figura, Trump dhe Grenell. Tani me siguri duke pasur parasysh edhe fushatën zgjedhore, po ashtu edhe faktin se në një fushatë zgjedhore ftohja e marrëdhënieve me SHBA-të ka kosto…Kjo është një situatë që Kurti dëshiron të përfitojë, por kjo nuk do të thotë se do të ndryshohet mendimi dhe qasja e kabinetit qeverisës në raport me qeverinë e Kosovës”, thekson Canaj.

    Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit ka reaguar edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se “ky është një rast i pastër i mashtrimit politik, i një lideri që për vite ka manipuluar qytetarët e Kosovës për përfitime të ngushta politike”.

    Disa prej pikave të marrëveshjes nuk janë zbatuar nga palët, derisa Hoti ka thënë se moszbatimi i saj ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm për vendin tonë – nga humbja e mundësive ekonomike, deri te dëmtimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

    Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje tjetër për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, mirëpo e njëjta nuk ka gjetur zbatim në praktikë./KP

  • Anketa: 85% e grenlandezëve nuk duan që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së

    Anketa: 85% e grenlandezëve nuk duan që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së

    Një sondazh zbuloi se 85% e grenlandezëve nuk duan që ishulli i tyre, një territor gjysmë autonom danez, të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, me pothuajse gjysma që e shohin interesin e presidentit Donald Trump si një kërcënim.

    Trump tha në fillim të këtij muaji se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe se Danimarka duhet të heqë dorë nga kontrolli i ishullit.

    Një sondazh nga agjencia Verian, me kërkesë të gazetës daneze Berlingske dhe gazetës grenlandeze Sermitsiaq, tregoi se vetëm 6% e grenlandezëve mbështesin idenë që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së, ndërsa 9% ishin të pavendosur.

    Sondazhi zbuloi se 45% e konsideronin interesin e Trump në Grenlandë një kërcënim, ndërsa 43% e panë atë si një mundësi dhe 13% ishin të pavendosur.

    Grenlanda gëzon shumë nga të njëjtat përfitime sociale si Danimarka, të tilla si kujdesi shëndetësor universal dhe arsimi falas. Vetëm 8% e të anketuarve thanë se do të ishin të gatshëm të ndryshonin shtetësinë e tyre daneze në amerikane, 55% thanë se do të preferonin të mbeten shtetas danezë dhe 37% ishin të pavendosur.

    Grenlanda, e cila ka sipërfaqe më të madhe se Meksika dhe një popullsi prej 57 mijë banorësh, ka autonomi të gjerë, duke përfshirë të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes një referendumi.

    Kryeministri i Grenlandës Mute Egede, ka përsëritur disa herë se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e tij.

  • ​Parisi do të bëhet me statujën e Skënderbeut

    ​Parisi do të bëhet me statujën e Skënderbeut

    Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e nismës për vendosjen e statujës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sheshin që mban të njëjtin emër në lagjen 19 në Paris.

    Ky projekt, falë bashkëpunimit të frytshëm me kryetaren e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka për qëllim forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet dy vendeve dhe promovimin e vlerave historike të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

    Statuja do të jetë një riprodhim i veprës ikonike të skulptorit të njohur shqiptar, Odhise Paskali, e cila u përurua për herë të parë në janar të vitit 1968, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, raporton Tch.

    Bashkia Tiranë nëpërmjet ekipit të Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit është duke punuar për ta sjellë këtë kryevepër në formën më të përsosur, duke ruajtur autenticitetin dhe fuqinë artistike që ajo përfaqëson.

    Ky projekt është pjesë e një strategjie afatgjatë për të promovuar artin dhe historinë shqiptare në botë.

    Në vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka realizuar projekte të ngjashme, si vendosja e statujës së Skënderbeut në Budapest, Hungari, ku ajo qëndron përballë statujës së heroit hungarez, Janosh Huniadi.

    Ceremonia e përurimit të statujës pritet të zhvillohet së shpejti, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura nga Shqipëria dhe Franca, si dhe përfaqësuesve të diasporës shqiptare në Evropë.

  • Presion politik në rrjetet sociale, një qytetar thotë se i është targetuar prindi për shkak të shkrimeve të tij kundër LDK-së

    Presion politik në rrjetet sociale, një qytetar thotë se i është targetuar prindi për shkak të shkrimeve të tij kundër LDK-së

    Një qytetar, i cili është mjaft aktiv në rrjetet sociale për kritika ndaj opozitës, Dimal Stublla, përmes një postimi në facebook, ka thënë se po përballet me presione ndaj familjes së tij, për shkak të qëndrimeve të tij në rrjetet sociale.

    Ai tha se individë të caktuar nga LDK e kanë targetuar prindin e tij dhe po i bëjnë presion në lidhje me shkrimet e tij ën facebook.

    “Individa nga LDK-ja e kane targetu prindin tim dhe po i bejne presion ne lidhje me shkrimet e mija, dhe une i lus keta persona qe te ndalen sepse keto presione te ulta nuk kane me pi uje. Heren tjeter do ti publkoj emrat e tyre”, ka shruar Stublla.

  • Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Presidenti rus, Vladimir Putin, edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “jolegjitim”. Kjo deklaratë nxiti udhëheqësin ukrainas që ta akuzjë Putinin se ka “frikë” që të negociojë një zgjidhje për luftën pothuajse 3-vjeçare.

    “Mund të negocioni me këdo, por për shkak të jolegjitimitetit të tij, ai [Zelensky] nuk ka të drejtë që të nënshkruajë asgjë”, tha Putin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 1TV, mbrëmjen e 28 janarit.

    Ai shtoi se do të “caktojë njerëz që të marrin pjesë” në negociata nëse Zelensky do të ishte prezent, në vend të mbajtjes së bisedimeve kokë më kokë.

    Putin disa herë ka deklaruar se ai nuk e konsideron Zelenskyn si udhëheqës legjitim, pasi që mandati pesëvjeçar presidencial i tij është dashur të përfundojë më 20 maj të vitit 2024.

    Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 31 mars të vitit të kaluar, por u shtynë pasi shteti ende ka në fuqi gjendjen e luftës, për shkak të pushtimit të nisur nga Moska.

    Zelensky, i cili sipas Kushtetutës duhet të vazhdojë të shërbejë derisa të zgjidhet një president i ri, iu përgjigj pretendimit të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus është pengesa për bisedimet për dhënien fund të luftimeve.

    “Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

    “Tani, ne shohim se ka mundësi për arritjen e një paqeje të vërtetë, por Putini po bën gjithçka që të vazhdojë vrasjen në shkallë të plotë në vend të paqes, apo për një pauzë që të përgatitet për një pushtim të ri në shkallë të gjerë, duke kryer sulme hibride”.

    Ukraina ka shpallur gjendje lufte që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe i duhet që të ndryshojë ligjin në mënyrë që t’i mbajë zgjedhje në kohën kur gjendja e luftës është në fuqi.

    Zelensky po kërkon nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Moskës për t’i dhënë fund luftës, në mes të intensifikimit të raportimeve për negociata në prapaskenë për zgjidhjen e konfliktit, pasi Donald Trump mori detyrën e presidentit.

    Që kur u inaugurua më 20 janar, Trump ka kërcënuar me vendosjen e taksave dhe sanksioneve ndaj mallrave që shkojnë nga Rusia në SHBA dhe në shtete të tjera, nëse Moska nuk ulet në tavolinën e negociatave.

    “Nëse nuk arrini marrëveshje shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër përpos që të vendos tarifa të larta dhe sanksione ndaj çdo gjëje që Rusia shet në SHBA dhe në disa shtete të tjera”, shkroi Trump më 22 janar në Truth Social.

    Këto kërcënime si duket bien ndesh me lëvdatat që Trumpi i ka bërë në të kaluarën Putinit, me kritikat e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe dëshirës së tij për një përfundim të shpejtë të luftimeve, që nxiti shqetësime në mesin e mbështetësve të Ukrainës se ai do të mund të sakrifikonte interesat e Kievit në emër të një marrëveshjeje dhe kështu të forconte Rusinë.

    Kremlini u është përgjigjur deklaratave të ashpra të Trumpit, duke thënë se në to “nuk ka ndonjë element të ri”.

    Ukraina është duke humbur terren në fushëbetejë tash e pothuajse një vit, teksa ushtria më e madhe dhe e armatosur më mirë e Rusisë po vazhdon të thyejë mbrojtjet ukrainase dhe të shkaktojë viktima.

    Një nga problemet më të mëdha të Kievit është sfida për të rekrutuar ushtarë të mjaftueshëm për t’i mbushur radhët. Zelensky i ka rezistuar thirrjes për uljen e moshës së rekrutimit, në 18 vjeç, duke thënë se një gjë e tillë do ta shkatërronte demografinë e shtetit./rel

  • Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore

    Walker jep dëshmi në Gjykatën Themelore

    Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Lajmin për KosovaPress e konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinës, Mirlinda Gashi e cila bëri të ditur se dëshmia e Walker bëhet pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së tij.

    “Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special është duke mbajtur seancën për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmtarit W.W, i cili ka të bëjë me krime lufte. Rasti është i mbyllur për publikun”, thotë Gashi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

  • ​Akullthyesja bërthamore ruse dhe një anije mallrash përplasen në Arktik

    ​Akullthyesja bërthamore ruse dhe një anije mallrash përplasen në Arktik

    Një akullthyese bërthamore ruse është dëmtuar në një përplasje me një anije mallrash në Arktik, sipas mediave ruse.

    Akullthyesja 50 Let Pobedy (50 vjet fitore) po përpiqej të çlironte anijen e mallrave Yamal Krechet nga akulli i cili po e pengonte atë të arrinte në portin e Sabetta në Detin Kara, raporton Newsweek.

    50 Let Pobedy është një nga vetëm dy anijet e mbetura në gjeneratën e parë të klasës Arktik ende në shërbim, sipas Ekzekutivit Detar. Dëmi i pësuar mund të pengojë shërbimin e saj të vazhdueshëm dhe të prishë punën e Rusisë në Arktik.

    Kompania mëmë e akullthyesit bërthamor, Atomflot tha se 50 Let Pobedy po vazhdon operacionet e saj në rrugën e Detit të Veriut. Atomflot, pjesë e grupit Rosatom, mban flotën e vetme në botë të akullthyesve me energji bërthamore.

    Një video e përplasjes së anijeve është bërë virale në mediat sociale dhe tregon se akullthyesi bërthamor i afrohet harkut të anijes së mallrave përpara se të godasë anën e portit të Yamal Krechet. Akullthyesi bërthamor u dëmtua në harkun e portit mbi vijën ujore.

    Anija Yamal Krechet po lundron nën flamurin rus dhe kishte si destinacion Sabetta, një nga portet më të mëdha të Arktikut të Rusisë, kur ndodhi përplasja.

    Në një postim në X, i njohur më parë si Twitter, Anton Gerashchenko, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, shkroi: “akullthyesja ruse është përplasur me një anije mallrash më 26 janar. “Akullthyesja pësoi dëmtime në pjesën e majtë të trupit”.

    Deti Kara është një det margjinal, i ndarë nga deti Barents në perëndim nga ngushtica Kara dhe Novaya Zemlya, dhe nga deti Laptev në lindje nga arkipelagu Severnaya Zemlya. Në fund të fundit, detet Kara, Barents dhe Laptev janë të gjitha shtrirje të Oqeanit Arktik në veri të Siberisë.

  • Caktohet data e gjyqit mes Blake Lively e Justin Baldoni

    Caktohet data e gjyqit mes Blake Lively e Justin Baldoni

    Një gjykatës në Nju-Jork ka vendosur një datë gjyqi për çështjen e Blake Lively dhe Justin Baldoni, protagonistit dhe regjisorit të filmit “It Ends With Us”.

    Çështja e tyre ka pasur dinamika të reja. Blake ka paraqitur një kërkesë në një gjykatë të Teksasit për një burrë që ajo e cilëson se kishte rol kryesor në nxitjen e reagimeve online kundër saj gjatë prezantimit dhe promovimit të filmit.

    Gjykatësi Lewis J. Liman u komunikoi palëve që të përgatiten për gjyq më 9 mars 2026. Gjithashtu ai ka zhvendosur një konferencë të planifikuar për në mes të shkurtit në javën tjetër dhe këshilloi avokatët të përgatiten për t’iu adresuar ankesave për publicitet para gjyqit dhe ligjërimin juridik.

    Këto vendime të gjykatësit vijnë pasi avokatët e Lively paraqitën një kërkesë të hënën se avokati i Baldoni po përpiqej të ndikonte jurinë për paditë që aktorët kanë ngritur ndaj njëri-tjetrit.

    Avokatët e saj thanë se ai po përpiqet të shkatërrojë karrierën e aktores dhe të kthejë jurinë e Nju-Jorkut kundër saj duke krijuar një faqe interneti për të publikuar dokumente të përzgjedhura dhe komunikimet mes Lively e Baldoni.

    Sipas tyre, avokati Bryan Freedman që përfaqëson Baldoni, po “përfshihet në një fushatë jashtë gjyqësore për të ndikuar procedurat dhe perceptimin publik të dokumenteve ligjore në këtë gjykatë dhe ka një rrezik serioz se ligjërimi i tij i gabuar po ndiko jurinë”. Ata kërkuan që e gjithë kjo të marrë fund.

    Freedman u përgjigj në një deklaratë se “Lively është kaq e tmerruar nga e vërteta sa po përpiqet ta mbysë”.

  • FMN i sugjeron qeverisë shqiptare reformë pensionesh: Popullsia po plaket

    FMN i sugjeron qeverisë shqiptare reformë pensionesh: Popullsia po plaket

    Fondi Monetar Ndërkombëtar sugjeron qeverisë shqiptare që të ndërmarrë një reformë të mirëfilltë në skemën e pensioneve.

    Në raportin e fundit thuhet se rishikimi mbetet prioritet kryesor, edhe pse deficiti i skemës së pensioneve është aktualisht në një nivel historikisht të ulët.

    FMN vlerëson se, me detyrimet e pensioneve që tejkalojnë kontributet, sistemi i pensioneve në Shqipëri tashmë po përballet me një deficit, dhe presionet mbi shpenzimet pritet të rriten me shtimin e të moshuarve në vend.

    “Raporti i varësisë së moshës së të moshuarve në Shqipëri sot është 26 për qind, por pritet të trefishohet deri në vitin 2070, duke arritur në nivelin 83 për qind, një nivel shumë më i lartë se në vendet fqinje. Rritja e kostove të pensioneve mbështetet nga projeksionet e Kombeve të Bashkuara mbi ecurinë demografike që pritet të ketë vendi në afatgjatë dhe peshën që zë popullsia e moshuar”, thuhet në raport, raporton euronews.al

    Megjithatë, FMN projekton edhe rritje të kontributeve shoqërore, së bashku me Prodhimin e Brendshëm Bruto për punëtor.