ATV

Author: ATVLive

  • Në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë u përurua rezervuari i ujit, pjesë e kanalit të Iber Lepencit

    Në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë u përurua rezervuari i ujit, pjesë e kanalit të Iber Lepencit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ndërmarrja Ibër-Lepenci përuroi rezervuarin në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë, që është një segment i projektit, në zhvillim, në vlerë të përgjithshme prej 15 milionë euro për sigurinë e ujit, mbrojtjen dhe rehabilitimin e kanalit.

    Pasi e cilësuan investim në sigurinë kombëtare, Ministrja e Ekonomisë dhe kryeshefit të ndërmarrjes, thanë se rëndësia e tij vërehet më shumë pas sulmit terrorist të 29 Nëntorit në Varagë të Zubin Potokut.

    “Ofron rezerva për 24 orë termocentralin e KEK-ut ose furnizim me ujë për KRU Prishtina, në rast të ndonjë aksidenti apo incidenti tjetër që shpresoj që mos e kemi kurrë. Sido që të jetë, falë punës suaj tani falë punës tuaj mund të qëndrojmë më të qetë me këtë rezervuar të ri”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Ky rezervuar ka kapacitet prej 30 mijë metra kub ujë, i njëjti shtrihet në gjatësi prej 800 metra, me gjerësi 12 dhe thellësi 4 metra”, tha Faruk Mujka, kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”.

    Megjithatë, një projekt shumë më i madh në një pjesë tjetër të fshatit Mihaliq ishte refuzuar vite më parë nga ndërmarrja.

    Projekti që përmendet në një studim fizibiliteti nga Banka Botërore, dhe që nuk u çua përpara, parashihte ndërtimin e një rezervuari të ujit me kapacitet prej 3.7 milionë metrash kub.

    Për mundësinë e jetësimit të këtij projekti s’pati përgjigje të prerë.

    “Rezervuari që e përmendet ju, nuk ka qenë në projektet që cilat i kam gjetë në sirtarë dhe është projekt që i tejkalon mundësitë e Ibër Lepencit. Vendimi për rezervuarin që e përmendët ju është i niveleve të tjera”, tha Mujka.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështetë çdo zgjidhje, e cila është fizibile, financiarisht dhe teknikisht, dhe që përkrahet nga ekspertët e fushës. Në kohën kur është marrë ai vendim ka pasur mendime të ndryshme edhe sa i përket fizibilitetit teknik edhe atij financiar”, tha Rizvanolli.

    Projekti i plotë për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, një segment i të cilit u përurua të mërkurën, planifikohet të përfundojë më vonë këtë vit.

  • SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    SHBA-ja ndalon ndihmat, preket edhe ekonomia kosovare

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Miliona euro investime në vit përfitonte Kosova nga Agjencia për zhvillim ndërkombëtar, USAID.

    Por projektet që qenë financuar nga kjo agjenci do të ndërpriten përkohësisht, pas vendimit të presidentit amerikan që t’i ndalojë të gjitha ndihmat për 90 ditë, deri në një rivlerësim të projekteve.

    Sipas ekonomistëve, vendimi të lë pasoja tek organizatat që financoheshin nga kjo agjenci, por edhe në ekonominë e vendit.

    “Ndihma e USAID-it në mënyrë direkt apo indirekte brenda një viti ka qenë nga 40-50 milionë euro dhe besoj që do të jetë dëm që do të ketë efekte negative në Kosovë. Çka është esenciale të zbërthehet është se orientimi kryesor i partneritetit përmes USAID-it ka qenë sundimi i rendit dhe ligjit, dhe mbështetja e administratës, dhe në këtë drejtim ka qenë edhe sektori privat, në veçanti dikasteret e prodhimit duke filluar nga mobilieria, ndërtimi e prodhimet e ndryshme”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Disa nga projektet që aktualisht financohen nga USAID-i janë, ndihma për mbështetjen e reformave legjislative, përmirësimi i gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, sfidat e korrupsionit, kapacitetet industriale për zhvillim të tregut të energjisë, e shumë të tjera.

    Megjithatë pavarësish dëmeve, një ri-planifikim i mjeteve thuhet se mund të ketë edhe dobi, pasi jo të gjitha mjetet janë destinuar aty ku duhet.

    “Është e rrugës të dihet ku shkojnë këto mjete, në çfarë forma po shfrytëzohen dhe ndoshta do të jetë një vetëdijesim i shteteve tjera që këto mjete të kanalizohen aty ku gjenerojnë efekte”, tha Gërxhaliu.

    “Më ndërrimin e administratës ndërrojnë edhe qëllimet dhe për këtë shkak besoj që do të dëshirojnë të riorientojnë ndaj qëllimeve që kanë, d.t.th të verifikohen për qëllimet të cilat janë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Në fakt ky qe edhe qëllimi i vetë administratës së Trumpit, pasi siç thuhet edhe në vendim, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që të sigurohen që çdo dollar që shpenzohet për ndihma të shkojë në projekte që përputhen me politiken e jashtme të SHBA-së.

    Lidhur me këtë vendim është deklaruar edhe Ambasada amerikane në Kosovë.

    “SHBA mbetet e përkushtuar për të mbështetur vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt zhvillimit dhe stabilitetit, por gjithashtu presim angazhim të qartë për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigjen nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

    Ndryshe, vlerësohet se USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.

  • Rrugë të ndryshme në Komunën e Fushë Kosovës janë në gjendje të dobët infrastrukturore

    Rrugë të ndryshme në Komunën e Fushë Kosovës janë në gjendje të dobët infrastrukturore

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Në rrugën ‘’Hajrullah Zajmi’’, në Komunën e Fushë Kosovës, e cila u asfaltua së fundi, kjo pesetë e ujërave të zeza po qëndron e hapur tash e dy javë.

    Kështu ajo po përbërë rrezik për banorët këndej pari.

    ‘’Katastrofë. Së pari për sigurinë e fëmijëve, këtu mundet me ardhë ndonjë fëmijë, s’e sheh, bie në gropë’’, thotë një qytetar.

    ‘’Fillimisht kur është shtru rruga janë vonu shumë, ka shumë rrezik, tepër ka rrezik, as minimalja nuk është prej sigurisë, këtu po e shihni edhe vetë se si e kanë shtru rrugën e kanë marrë shaktin, unë vajzat i kam në shkollë po nuk guxojnë me dal vet shkaku i rrugës’’, thotë një qytetare.

    Në anën tjetër, opozita konsideron se probleme të ngjashme në këtë komunë janë në numër të madh.

    “Është e vërtetë se problematika në rrugën ‘’Hajrullah Zajmi’’, nuk janë të kohës se fundit por që një kohë të gjatë, problemet që i kanë lënë pas këtij projekti asfaltimit janë të shumta një prej tyre është edhe çështja e pusetave ose e shakteve të kanalizimit që kanë mbetur të hapura, problematikë është edhe ngushtimi të hapësirave për qytetarët është normë edhe logjikë që me shumë të i jepet përparësi kalimtarëve se sa veturave e këtë rast ka ndodh e kundërta”, tha Durim Hajra, asamblist i Vetëvendosjes.

    As rrugët tjera në këtë komunë nuk janë në gjendje të mirë.

    Rruga ‘’Knjaz Milloshi’’, është mjaftë e dëmtuar dhe me gropa të shumta. Ngjashëm është edhe rruga e ‘’Pejës’’ dhe rruga ‘’Nënë Tereza’’.

    Nga Komuna e Fushë Kosovës, nuk treguan se kur pritet të bëhet riparimi i këtyre rrugëve, por thanë se do të përkujdesën që puseta të mbyllet sa më shpejt.

    ‘’Tash e thërras menagjeren e kontratës dhe Kompania do të dalë, deri nesër pritet të rregullohet’’, tha Bardhyl Koiqiqi nga Drejtoria e Infrastrukturës.

    Komuna e Fushë Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin e 2025 në vlerë prej 16,747,833.00 euro.

  • Sipas një hulumtimi të organizatës Sbunker në Kosovë ka narrativa të nacionalizmit e të populizmit

    Sipas një hulumtimi të organizatës Sbunker në Kosovë ka narrativa të nacionalizmit e të populizmit

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Sipas organizatës “Sbunker”, në rajonin tonë janë të kërcënuara liritë bazike dhe diversiteti i mendimeve. Të gjeturat nga hulumtimi për luftimin e ekstremizmit në Kosovë, tregojnë edhe për rritje të nacionalizmit dhe populizmit në Kosovë.

    “Mungesa e rezultateve që lënë boshllëqe që mund të përdoren nga grupet ekstreme që ushqejnë ndenjen e hakmarrjes dhe ndikojnë në ngritjen e ideologjive ekstreme”, tha Alban Bokshi, menaxher i Projektit “Sbunker”.

    Këto narrativa vërehen me të madhe, në rrjete sociale.

    “Ato ndikojnë në diskursin publik, formësojnë debatet tona publike dhe krijojnë mjedise në të cilat gjuha e urrejtjes dhe përjashtimi bëhen të normalizuara”, tha drejtor Ekzekutiv i “Sbunker”, Bardh Bakija.

    Gjithashtu, hulumtuesit shprehin shqetësim për rritjen e ekstremit të djahtë, në veri të Kosovës, për të cilin ndikon edhe dezinformimi rus.

    “Nacionalizmi në Kosovë shënohet kryesisht nga armiqësia e thellë ndërmjet grupeve etnike, veçanërisht shqiptarëve dhe serbëve”, tha Adelina Hasani, hulumtuese-autore e raportit.

    Në raport përmendet rëndësia e luftimit të ekstremizmit, përmes politikave të sigurisë, edukimit dhe fushatat kundër dezinformimit.

  • As në shkurt s’pritet të ketë takim të Komisionit për Personat e Pagjetur

    As në shkurt s’pritet të ketë takim të Komisionit për Personat e Pagjetur

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Edhe në muajin shkurt, zor se mund ketë takim në Bruksel, të Komisionit të Kosovës dhe Serbisë për Personat e Pagjetur.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, tha se pavarësisht kërkesës së tyre për takim, i cili sipas marrëveshjes duhet të zhvillohet çdo muaj gjatë gjashtë muajve të parë, ka gjasa që të mos realizohet.

    Sipas tij, arsye për këtë janë zgjedhjet në vend si dhe largimi i Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

    “Kryeses i komisionit Lajçaku e ka emëruar vetën ai prit të largohet në fund të javës, nuk dihet nëse do të emërohet pasuesi i Ljaçkut kryeses apo do ta emërojnë dikën tjetër, më pas ne kemi zgjedhje, kryenegociator është Besnik Bislimi nuk dihet kush i fiton zgjedhjet”, tha Hoti.

    As nga Bashkimi Evropian nuk ishin të gatshëm të japin një datë për caktimin e takimit.

    Ndërkohë, Hoti thotë se në takimet për të pagjeturit nuk duhet të përfshihet politika dhe se pala serbe duhet të vijë në takim e të tregoj për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

    Ndërkaq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thonë se Serbia do ta ketë gjithmonë këtë qasje, andaj zor se këto takime mund të sjellin rezultate.

    Më 15 janar ishe parapare të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur, por ky takim nuk u realizua, meqë pala serbe u tërhoq nga takimi për shkak të mbylljes së strukturave paralele në disa komuna, po atë ditë.

  • William Walker ftohet të dëshmojë pë Reçakun në Gjykatën Themelore

    William Walker ftohet të dëshmojë pë Reçakun në Gjykatën Themelore

    Përgatiti: Nora Luta

    Publiku e ka dëgjuar rrëfimin e tij për masakrën e Reçakut shpesh.

    Por, në institucionin që pritet të ndajë drejtësi për kryerësit e masakrës, ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë Willam Walker rrëfeu për atë çfarë kishte parë para 25 viteve, për herë të parë këtë të mërkurë.

    “Më është bërë kërkesë që të vij në Gjykatë dhe kur më kërkohet, unë vij. Supozoj se po ka të bëjë me Masakrën e Reçakut. Në këtë gjë jam i përfshirë tashmë qe 26 vjet. Kështu që mezi po pres të flas”, deklaroi Walker.

    Ish ambasadori i është përgjigjur ftesës së Gjykatës së Prishtinës, e cila aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale, e bazuar në nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

    “Prokurori i shtetit, pala e dëmtuar ose viktima, mbrojtësi i viktimave ose përfaqësuesi i viktimës, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake të merr dëshmi nga dëshmitari ose të kërkojë ekspertizë me qëllim të ruajtjes së provës kur ekziston një mundësi e veçantë për marrjen e provës së rëndësishme ose kur ka rrezik të konsiderueshëm se kjo provë nuk do të mund të merrej gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në Nenin 147 të Kodit të Procedurës Penale.

    Ndërkohë, për shkak se janë duke u zhvilluar ende hetime lidhur me masakrën e Reçakut, dëshmia e 89-vjeçarit nuk ishte e hapur për publikun.

    Nën llupën e hetuesisë për këtë rast janë më shumë se dhjetë persona, ndërsa deri tash për këtë masakër është dënuar në mungesë Çedomir Aksiq, dhe Zoran Stanojoviq, i cili ndodhet në arrati.

    Ndërkohë, Willaim Walker e kishte vizituar Reçakun, një ditë pas ofensivës ku ishin masakruar 45 civilë. Për rastin që e konsideroi krimi kundër njerëzimit, Walker kishte drejtuar akuza në drejtim të forcave serbe.

    Imazhet e dokumentuara të kësaj masakre i treguan botës për tmerrin që po kalonin kosovarët dhe i hapën rrugë intervenimit të NATO-s.

  • Edhe një aksident ndodhi në udhëkryq të Vushtrrisë, që lidh rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë

    Edhe një aksident ndodhi në udhëkryq të Vushtrrisë, që lidh rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë

    Përgatiti: Egzona Mema

    Pjesë të veturave dhe shenjat nga aksidenti që ndodhi mëngjesin e mërkurës mes disa veturave kanë mbetur ende në vendin e ngjarjes.

    Mirëpo, ky nuk është aksidenti i vetëm që ndodh në këtë udhëkryq të qytetit të Vushtrrisë.

    Nga Komuna e Vushtrrisë, thonë se sinjalizimi joadekuat bashkë me disa arsye tjera, janë shkaku i aksidenteve të shpeshta në vendin e njëjtë.

    “Është si pasojë e infrastrukturës mbitokësore, elektrikës, dhe një pjesë e madhe nga pakujdesia e vetë vozitësve. Është një frekuentim shumë i madh i veturave. Ajo lagje është e mbingarkuar krahasuar me nevojën për qasje në rrugë, përveç semaforëve shumë ma mirë kish qenë me u siguru një qasje tjetër në rrugë”, tha menaxheri për Projekte Kapitale, Nexhat Merovci.

    Lidhur më këtë problem, Merovci, thekson se Komuna i ka ofruar një zgjidhje Ministrisë së Infrastrukturës.

    “Të kalon në kompetencë të Komunës për mirëmbajtje komplet kjo rrugë duke filluar nga ndriçimi, sinjalizimi, deri tash nuk kemi përgjigje nga Ministria”, tha Merovci.

    Neglizhenca e rifunksionalizimit të semaforëve po shqetëson vushtrriasit.

    “Shumë rrezik është, qaty e kam edhe mbesën që shkon në shkollë, është katastrofë e madhe ajo, përpara kanë punu tash se di pse jo, pasi janë s’di pse s’pi lëshojnë”, tha Miran Vllahi, qytetar.

    “Nëse nuk punojnë semaforat po bohen tollovi, po hynë njerëzit duke menduar që kanë të drejtë”, tha Enver Maxhuni, qytetar.

    Vetëm pak metra tutje në Vushtrri janë edhe një palë semaforë, gjithashtu jo funksional.

  • ​Pezullimi i fondeve mbështetëse, urdhri i Trump prek edhe SPAK-un e GJKKO-në

    ​Pezullimi i fondeve mbështetëse, urdhri i Trump prek edhe SPAK-un e GJKKO-në

    Urdhri ekzekutiv i presidentit të SHBA-së Donald Trump për të pezulluar të gjitha fondet mbështetëse të qeverisë amerikane ka prekur edhe SPAK-un dhe GJKKO në Shqipëri.

    Top Channel ka parë letrën që ambasada amerikane në Tiranë i ka dërguar qeverisë shqiptare përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

    “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shpreh përshëndetjet e saj Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe dëshiron të informojë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të Qeverisë së SHBA-së për të pezulluar zbatimin, detyrimet e reja dhe shpërndarjen e fondeve në pritje të një rishikimi të të gjitha programeve të ndihmës së huaj”, thuhet në hyrje të letrës.

    Në katër faqet e saj renditen të gjitha institucionet të cilat deri më tani përfitonin fonde nga qeveria amerikane dhe që pas fitores së urdhrit nga Trump, ato pezullohen.

    Në faqen e tretë të letrës ku renditen institucionet e drejtësisë, fondet e të cilave janë pezulluar, përmendet edhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata Speciale për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (GJKKO).

    Në listën e institucioneve që nuk do të marrin më fonde të taksapaguesve amerikanë deri në rishikimin e të gjitha programeve, janë edhe disa ministri, institucione të të gjitha niveleve të drejtësisë si dhe disa drejtori të rëndësishme si OSHEE, AKSHI, AKSK, SASPAC si dhe qeverisja vendore.

    Pas këtij urdhri ajo që mbetet për t’u parë është fakti se si do të vijojë funksionimi i këtyre institucioneve të ngritura në zbatim të reformës në drejtësi, ku përveç buxhetit të akorduar nga shteti, ato merrnin edhe fonde nga qeveria amerikane.

  • ​Skandali i Dodikut, partitë shqiptare kritikojnë ashpër Stoilkoviq

    ​Skandali i Dodikut, partitë shqiptare kritikojnë ashpër Stoilkoviq

    Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Arben Fetai ka kritikuar ministrin për Marrëdhënie mes Bashkësive Ivan Stoilkoviq për lejimin e deklarimeve antiBE dhe antiNATO, njëherësh pro-ruse dhe pro-serbe të kreut të Republikës së Serbisë Milorad Dodik.

    Deklarimet nxitëse të Dodik ishin bërë para dy ditësh në një ceremoni të organizuar nga ministri Stoilkoviq në Shkup.

    Fetai duke mos e përmendur Stoilkoviq, shkruan se t’i japësh tribunë Dodik në Shkup është vendim i gabuar dhe i papranueshëm.

    “Dodik është një politikan që nxit konflikt, mohon gjenocidin në Srebrenicë, minon sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe mbështet politika që destabilizojnë rajonin. Për më tepër, ai është i sanksionuar nga SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar për korrupsion dhe veprime që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Një person i tillë nuk mund dhe nuk duhet të marrë hapësirë në vendin tonë. Shkupi është dhe duhet të mbetet qytet i dialogut, bashkëpunimit dhe paqes, jo platformë për promovimin e ideve antiBE, antiNATO dhe antidemokratike që kërcënojnë të ardhmen e rajonit”, tha Fetai.

    Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami thotë se nuk është hera e parë që persona të caktuar uzurpojnë institucione për të shprehur qëndrimet e tyre personale. Ai thotë se bartësit e funksioneve publike duhet të kenë ndjeshmërinë e institucionit që përfaqësojnë.

    “Uroj që këto të jenë komente të fundit të ministrit në fjalë sepse ai përveç që duhet të ketë përgjegjësinë e pozitës që e mban, duhet të ketë edhe ndjeshmërinë e konceptit multietnik që përfaqëson Maqedonia. Ai nuk është vetëm ministër i pakicës serbe, por është ministër i të gjitha komuniteteve, duke nisur nga maqedonasit, shqiptarët, turqit, etj. Uroj që të sillet kështu”, tha Kasami.

    Veprimin e Stoilkoviq, dhënien e dekoratës “Vojvoda Vuk” për zëvendsëskryeministrin dhe fjalimin e Dodik në Shkup, nga BDI-ja e cilësojnë provokim dhe të papranueshëm.

    “Kjo tregon hapur se për kë punon ky ministër dhe kush i drejton sot institucionet e shtetit, andaj në emër të rinisë së BDI-së por edhe si të rinj shqiptarë që jemi kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të këtij ministri dhe distancimin e qartë të qeverisë nga agjendat antishqiptare dhe antiperëndimore. Ky shtet nuk mund të jetë terren për glorifikimin e gjenocidit dhe rikthimin e projekteve të errëta që duan të përçajnë popujt e rajonit. Kërkojmë kthimin e harmonisë ndëretnike në vend duke mos lënë hapësirë për provokime të tilla nga askush dhe duke garantuar barabarësi dhe respekt të ndërsjellë nga të gjitha etnitë në vend”, tha Valon Sadiku, BDI.

    Stoilkoviq në të kaluarën e ka quajtur Kosovën “Kosova dhe M.” Ai nuk e ka fshehur asnjëherë afërsinë e tij me politikanët serb dhe qarqet ruse.

    Në maj 2023, Stoilkoviq mori pjesë në Samitin e 11 të Sigurisë në Moskë në shoqëri të drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe presidentit të Republikës Serbe. Në fotografinë kolektive duket edhe shefi i Shërbimit Sekret të Federatës Ruse, Sergej Naryshkin.

    Stoilkoviq njihet edhe mik i afërt i ish-agjentit serb Goran Zhivaljeviq i cili më 27 prill 2017 ishte futur gjatë dhunës në Kuvend, incident diplomatik pas të cilit u tërhoq nga BIA serbe.

    Gjenocidin e Srebrenicës, në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale e quajti “Diznilend nekrofil”, në periudhën kur ishte deputet në Kuvend.

    Ndaj tij, dy subjekte boshnjake të vendit, Bashkimi Demokratik Boshnjak dhe shoqata e Këshillit Nacional Boshnjak kanë ngritur kallëzim penal për mohimin dhe tallje me gjenocidin në Srebrenicë.

    Stoilkoviq kishte thurur lavde për terroristët e vrarë serbë në Banjskë të Zveçanit.

    Ai ishte i vetmi që refuzoi pjesëmarrjen në mbledhjen e përbashkët të qeverive Kosovë-Maqedoni.

    Milorad Dodik, i cili është listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve korruptive dhe destabilizuese në rajon, është i njohur edhe si mbështetës fanatik i politikave të Moskës zyrtare.

    Dodik në ceremoninë e organizuar në Shkup ka thurur elozhe Rusisë dhe është shprehur kundër NATO-s dhe BE-së. Nga fjalimi i Dodik u distancua kryeministri Hristijan Mickoski. “Nuk prisja që ai të keqpërdorte ngjarjen,” tha Mickoski, raporton Alsat.

    Në ngjarje, i pranishëm ishte edhe ambasadori rus Sergej Bazdnikin, si i ftuar i veçantë në akademinë e organizuar nga Stoilkoviq.

  • Tahiri: Në KiE kam folur gjithmonë për interesat kombëtare, duke dalë mbi dallimet tona

    Tahiri: Në KiE kam folur gjithmonë për interesat kombëtare, duke dalë mbi dallimet tona

    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një postimi të bërë në rrjetin social në Facebook, ka thënë se në përfaqësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjithherë ka folur për interesat shtetërore.

    Tahiri ka shtuar se këtë e ka bërë në frymë uniteti, duke u ngritur mbi dallimet politike të brendshme.

    ‘‘Për tri vite radhazi në përfaqësimin e Kuvendit, pra Republikës së Kosovës, në Këshillin e Evropës, në çdo rast, gjithmonë në frymë uniteti, kam folur për interesat tona kombëtare e shtetërore, duke dalë dhe duke u ngritur mbi dallimet tona politike të brendshme.

    Për shtet duhet dinjitet!’’, ka shtuar ai.