ATV

Author: ATVLive

  • Izraeli liron 183 palestinezë, qindra qytetarë pranë Pallatit Kulturor në Ramallah për të mirëpritur të burgosurit

    Izraeli liron 183 palestinezë, qindra qytetarë pranë Pallatit Kulturor në Ramallah për të mirëpritur të burgosurit

    Izraeli liroi sot 183 palestinezë nga burgjet e tij në kuadër të raundit të katërt të shkëmbimit të të burgosurve sipas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.

    Fillimisht, 32 nga të burgosurit e liruar nga Bregu Perëndimor i pushtuar iu dorëzuan Kryqit të Kuq Ndërkombëtar nga objekti i Burgut Ofer pranë Ramallahut, në përputhje me kushtet e armëpushimit të 19 janarit.

    Qindra palestinezë u mblodhën pranë Pallatit Kulturor në Ramallah për të mirëpritur të burgosurit e liruar, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur në mbështetje të rezistencës dhe Gazës.

    Pavarësisht paralajmërimeve, turma u mblodh për të pritur të burgosurit, të cilët ngritën simbole fitoreje në kundërshtim me urdhrat izraelitë.

    Shumë nga të burgosurit e liruar dukeshin me shëndet të dobët dhe trupa të dobët, me disa mezi në gjendje të ecnin. Ata u dërguan në spitalet në Ramallah për kontrolle mjekësore dhe trajtim, shtoi korrespondenti i Anadolus.

    Duke komentuar shëndetin e dobët të të burgosurve të liruar, Hamasi tha se konfirmoi “brutalitetin” e asaj që palestinezët durojnë në burgjet izraelite.

    Hamasi i përshkroi këto shkelje si “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar, OKB-ja dhe grupet e të drejtave”.

    Ndërkohë, stafi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar është shprehur “i zemëruar” për mënyrën sesi Izraeli liroi të burgosurit palestinezë sot, ndërsa ata u nxorrën jashtë në pranga me duart e tyre pas kokës, sipas të përditshmes izraelite Haaretz.

    Më vonë, 143 të burgosur palestinezë të liruar mbërritën në Rripin e Gazës të shoqëruar nga Kryqi i Kuq. Shumë u dërguan në Spitalin Evropian në Khan Younis.

    Midis tyre, 111 ishin arrestuar nga ushtria izraelite në Gaza gjatë luftës së saj që filloi më 7 tetor 2023.

    Qindra palestinezë, përfshirë familjet e të burgosurve, u mblodhën jashtë në Khan Younis për të mirëpritur ish-të burgosurit.

    Gjithsej, 183 palestinezë u liruan sot nga burgjet izraelite.

  • Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë, trupat e pajetë dërgohen për obduksion në IML

    Prokuroria hap rast për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë, trupat e pajetë dërgohen për obduksion në IML

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të fëmijëve që vdiqën tragjikisht në Jabllanicë, janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rasti “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, raporton Ekonomia Online.

    “Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët
    fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes”, thuhet në njoftim.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”.

    Po ashtu bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.

  • Trump dhe Netanyahu më 4 shkurt përballë njëri-tjetrit, çfarë pritet nga ky takim?

    Trump dhe Netanyahu më 4 shkurt përballë njëri-tjetrit, çfarë pritet nga ky takim?

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është planifikuar të niset të dielën për në Uashington, për të marrë pjesë në një seri takimesh me zyrtarë të lartë amerikanë, duke përfshirë një takim me presidentin amerikan Donald Trump.

    Edhe pse zyrtarisht Netanyahu është planifikuar të qëndrojë në Uashington deri të enjten, vizita pritet të zgjatet.

    Ndërsa takimi me Trumpin do të zhvillohet të martën, me diskutimet që pritet të fokusohen në negociatat e vazhdueshme, lirimin e pengjeve, kërcënimin iranian, normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe situatën në Siri dhe Liban.

    Bëhet e ditur se zyrtarët izraelitë që u takuan këtë javë me Steve Witkoff, të dërguarin special të Trumpit në Lindjen e Mesme, morën përshtypjen se presidenti i SHBA-së po shtynte për një fazë të dytë në marrëveshjen e pengjeve.

    Sipas kësaj faze, më shumë pengje do të liroheshin në këmbim të zgjatjes së armëpushimit dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.

    Hamasi, megjithatë, po kërkon një ndalim të plotë të luftës si kusht për avancimin e marrëveshjes.

    Netanyahu e ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë një kërkesë të tillë, shkruajnë mediat e huaja.

    Për shkak të boshllëqeve të konsiderueshme mes palëve, një nga opsionet në diskutim është një zgjatje e fazës aktuale, e cila aktualisht shtrihet në 42 ditë.

    Negociatat e marrëveshjes së pengjeve

    “Ideja është që mund të ketë raunde shtesë lirimesh pengjesh në këmbim të një armëpushimi të zgjatur”, tha një zyrtar izraelit i njohur me negociatat.

    “Por supozimi është se në një moment, edhe nëse bisedimet për një fazë ndërmjetëse – nganjëherë e quajtur – janë të suksesshme, Hamasi përfundimisht do të ndalojë negociatat sepse lufta nuk do të ndalet dhe Izraeli do të rifillojë luftimet”, shtoi ai.

    “Vendimet në lidhje me negociatat do të merren vetëm pasi të kthehem nga Uashingtoni”, tha Netanyahu.

    Irani dhe bashkëpunimi ushtarak

    Irani pritet të jetë një tjetër temë qendrore e diskutimit mes Netanyahut dhe Trumpit.

    Kryeministri po kërkon mbështetjen e Trumpit për veprime të mundshme ushtarake kundër objekteve bërthamore të Iranit, duke përfshirë sigurimin e bombave bunker-buster të furnizuara nga SHBA, të cilat janë kritike për goditjen e vendeve të fortifikuara nëntokësore.

    Trump, megjithatë, kohët e fundit ka folur për ndjekjen e përpjekjeve diplomatike për të zgjidhur tensionet me Teheranin.

    Por, ka një skepticizëm të thellë nëse diplomacia mund ta zgjidhë vërtet çështjen.

    Normalizimi me Arabinë Saudite

    Një tjetër pikë kyçe e rendit të ditës është shtytja për normalizim midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, një qëllim diplomatik që Trump ndoqi gjatë mandatit të tij të parë, por nuk e arriti plotësisht.

    Të martën, Witkoff zhvilloi bisedime në Arabinë Saudite, ku u informua se Riadi po kërkon ende një armëpushim në Gaza dhe një vizion të qartë diplomatik nga Netanyahu si parakusht për përparimin në bisedimet e normalizimit.

    Të dyja këto kërkesa janë aktualisht politikisht të parealizueshme për Netanyahun, kanë treguar zyrtarët izraelitë.

    Gjatë vizitës së tij, kryeministri izraelit është planifikuar të takohet edhe me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, si dhe me anëtarë të lartë të Senatit dhe Dhomës.

    Takimet do të fokusohen në bashkëpunimin strategjik midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, sfidat e vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe politikën e administratës amerikane ndaj Izraelit dhe Lindjes së Mesme.abcnews.al

  • Artan Nimani: I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë, ngushëllimet më të sinqerta familjarëve

    Artan Nimani: I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë, ngushëllimet më të sinqerta familjarëve

    Profesori universitar, Artan Nimani është shprehur i tronditur nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, ku vdiqën tre të rinj në një objekt të pabanuar në këtë fshat, raporton Ekonomia Online.

    Nimani në Facebook ka shkruar se kjo është një dhimbje e madhe për familjet, shkollën dhe gjithë komunitetin.

    “Ramë Mehmeti, Ideal Rama, Veton Morina, do të mbeteni gjithmonë në zemrat tona”, ka shkruar Nimani.

  • Abdixhiku ngushëllon familjet e tre fëmijëve, kërkon hetim të plotë për t’i sqaruar rrethanat

    Abdixhiku ngushëllon familjet e tre fëmijëve, kërkon hetim të plotë për t’i sqaruar rrethanat

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre fëmijëve që humbën jetën nga shembja e një shtëpie të pabanueshme në Jabllanicë të Pejës, raporton EO.

    “Me rastin e ngjarjes tragjike në Jabllanovicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ju shpreh ngushëllime familjeve dhe qëndron me ta në këto momente të rënda”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    “Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës. Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe. Po ashtu lus që të gjitha organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie”, thotë Abdixhiku.

  • Tragjedia në Jabllanicë, familjari i fëmijëve: I gjetëm pa jetë pas 4 orësh kërkim

    Tragjedia në Jabllanicë, familjari i fëmijëve: I gjetëm pa jetë pas 4 orësh kërkim

    Përparim Ademaj, familjar i fëmijëve që vdiqën tragjikisht pas shembjes së një objekti në Jabllanicë të Gjakovës tha se trupat e pajetë i gjetën rreth katër orë kërkimi.

    “Kjo tragjedi ka ndodhë në këtë objekt të pabanueshëm. Rreth orës 10 e gjysmë në mbrëmje. Më herët kanë dalë si rinia tu lujtë, shokë”, tha ai në një prononcim për Indeksonline.

    “Kur kemi kuptu që janë këtu, i kemi thirr Policinë. Kanë ardhë Policia shumë shpejt, zjarrfikësit, ambulanca. I kemi gjetë pa shenja jete diku pas 4 orësh”, tha ai.

    Në bazë të kamerave, ai tha se shtëpia e pabanuar ku gjendeshin fëmijët u rrëzua rreth orës 16:30 të shtunën pasdite.

  • Enver Hoxhaj shpreh ngushëllime për familjet e viktimave në Jabllanicë

    Enver Hoxhaj shpreh ngushëllime për familjet e viktimave në Jabllanicë

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe kandidati për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ku tre fëmijë humbën jetën si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

    Përmes një mesazhi ngushëllimi, Hoxhaj shprehu dhimbjen e tij për këtë ngjarje të rëndë, duke e cilësuar atë si një tragjedi që ka tronditur të gjithë.

    “Lajmi për humbjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë na ka tronditur të gjithëve. Një ngjarje e rëndë që ka marrë jetët e pafajshme të të rinjve, duke lënë pas dhimbje dhe pikëllim të thellë. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të tyre dhe gjithë Gjakovës,” ka shkruar ai.

    Sipas të dhënave të marra nga policia, rasti është duke u hetuar për rrethanat e ngjarjes.

  • Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, Osmani u shpreh ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve

    Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, Osmani u shpreh ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve që humbën jetën nga shembja e një shtëpie në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

    Ajo ka thënë se nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.

    “Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!”, ka shkruar Osmani.

  • Azemi për premtimet e politikanëve për rritje të pagave: Fushatat janë humor, nuk janë realizuese

    Azemi për premtimet e politikanëve për rritje të pagave: Fushatat janë humor, nuk janë realizuese

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka kritikuar premtimet e fushatave elektorale të politikanëve për rritje të pagave, duke i quajtur ato “parealizueshme” dhe “humbje kohe”.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi theksoi se paga minimale në sektorin privat aktualisht është 264 euro, ndonëse premtohej rritje më e madhe.

    “Fatkeqësisht merremi me fushata nga pas lufta dhe këto më shumë se 80 për qind janë për neve janë çështje të parealizueshme, për neve janë si humor, për vetë faktin që në Kuvendin e Kosovës na ka larguar 14 punëtore ku të gjitha deputet që po dëshirojnë votën e popullit dhe po premtojnë dhe realisht i kanë larguar punëtoret dhe nuk kanë bërë asgjë. Fushatat janë një obligim ligjor por është një humbje e kohës është shpenzim i kohës dhe duke nisur nga e kaluara realizimi i premtimeve është fare e pa përmbushur”, ka shkruar Azemi.

    Azemi shtoi se shumë punëtorë në sektorin privat nuk kanë kontrata pune, nuk përfitojnë nga Trusti Pensional dhe sigurimi shëndetësor, dhe se për këtë çështje asnjë qeveri nuk ka marrë masa të dukshme.

    “Paga minimale në sektorin privat sot është 264 euro, Kurti vetëm ka nxjerrë një vendim sa për popullzim sepse kjo pagë nëse ka nevojë ne mund të adresojmë në emër secilën kompani që nuk e bënë zbatimin e kësaj page. Premtimet elektorale janë fushata, por po i përmendi disa, paga minimale në shtetin e Kosovës është 234 euro jo 350 qysh e ka premtuar në fillim të mandatit, rreth 30 përqind të punëtorëve të sektorit privat i kemi pa kontrata punë. Rreth 50 për qind prej këtyre punëtore nuk kanë fare trus pensional punojnë dhe në fund nuk marrin asgjë nga Trusti. Rreth 70 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk është deklaruar komfort pagës që e merr, 90 për qind të punëtorëve në sektorin privat nuk kanë sigurim shëndetësor, të gjitha këto ish qeveritë dhe kjo e fundit kanë premtuar mrekullia dhe nuk kanë bërë asgjë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ai kërkoi që punëtorët e sektorit privat të kenë më shumë benefita nga buxheti i Kosovës, dhe i bëri thirrje për realizimin e premtimeve reale.

    “Ne e kemi obligim që të tregojmë se çdo qeveri në mandatin e tyre çfarë ka punuar përndryshe ne në asgjë rast nuk do të propozojmë që ta votojmë këtë apo atë, vet kurrizi i punëtorëve e dinë më mirë se a iu është lehtësuar gjatë kësaj qeverie apo jo, do të thotë a kanë pasur beneficione. Përderisa shumat e mjeteve që ne derdhim në buxhetin e Kosovës jashtëzakonisht sepse jemi 300 mijë punëtorë, dhe beneficionet janë ndarë për të tjerët por në asnjë rast për punëtorit e sektorit privat”, tha Azemi për Ekonomia Online.

  • Haradinaj ngushëllon familjet e tre fëmijëve që vdiqën në Jabllanicë

    Haradinaj ngushëllon familjet e tre fëmijëve që vdiqën në Jabllanicë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik në Gjakovë ku tre fëmijë vdiqën nga shembja e një objekti, raporton Ekonomia Online.

    Ai i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

    “I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës. Bashkëndjejmë me familjet Rama, Mehmeti e Morina, që humbën fëmijët. Zoti ju lehtësoftë dhembjen.”, ka shkruar ai.