ATV

Author: ATVLive

  • Limaj: E vetmja rrugë për ta përmirësuar drejtësinë është rritja e performancës

    Limaj: E vetmja rrugë për ta përmirësuar drejtësinë është rritja e performancës

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rruga e vetme për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë është rritja e performancës dhe vendosja e meritokracisë.

    Ai tha se Qeveria dhe Kuvendi mund të reformojnë ligjet, por prokurorët dhe gjyqtarët duhet të mbahen përgjegjës kur nuk i zbatojnë ato brenda afateve të përcaktuara.

    “Krejt çka mund të bëjnë Parlamenti dhe Qeveria është të propozojnë ligje e reforma, sepse funksionimi i drejtësisë varet nga ligjet. Nëse një ligj nuk zbatohet si duhet, duhet të sanksionohet përgjegjësi. Zyrtarisht, rruga e vetme për ta reformuar është rritja e performancës. Prokurorët që nuk funksionojnë brenda afateve të parashikuara, duhet sanksionuar. Ligjet duhet ta parashohin këtë, jo pse dikush e dëshiron, por sepse është e domosdoshme”, tha Limaj.

    Deklaratën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Limaj: Në mungesë të rezultateve, po ndiqet një kurs populist e përçarës nga pushteti

    Limaj: Në mungesë të rezultateve, po ndiqet një kurs populist e përçarës nga pushteti

    Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se, në vend që pushteti t’u prezantojë qytetarëve rezultatet e arritura gjatë këtyre viteve, po ndjek një politikë populiste e përçarëse.

    Ai tha se mungesa e rezultateve po i shtyn drejtuesit e qeverisë të zgjedhin parulla populiste, me synimin që sërish ta mashtrojnë elektoratin siç ndodhi para katër vitesh.

    “Edhe në vend që të paraqesë program, rezultate të arritura katërvjeçare, në vend që ta shfrytëzojë këtë fushatë elektorale, që duhej të ishte momenti kur qytetarët të jenë në fokus, po shohim vetëm polarizim. Duket qartë se në mungesë të rezultateve kanë zgjedhur një kurs populist, përçarës e mashtrues. Po tentojnë edhe një herë ta bindin qytetarin e Kosovës me parulla boshe, ashtu siç vepruan para katër vitesh”, tha Limaj.

    Deklaratën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti shpreh ngushëllime: Vdekja e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin

    Kurti shpreh ngushëllime: Vdekja e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës në të cilën humbën jetën tre fëmijë.

    Kurti ka thënë se vdekja e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin dhe se i ka tronditur.

    “Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku mbrëmë e humbën jetën tre fëmijë, pas shembjes së një objekti të pabanuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    “Në këtë periudhë të rëndë, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve Mehmeti, Rama dhe Morina, duke u lutur që të gjejnë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është pranë jush në këto ditë të vështira”, ka shkruar ai.

    “Kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin tonë dhe na ka tronditur të gjithëve. Tre djelmoshat u prehshin në paqe”.

  • Ngjarja e rëndë në Gjakovë, objekti u shemb në rrethana të panjohura, 3 të rinjtë u lokalizuan përmes dridhjes së telefonit

    Ngjarja e rëndë në Gjakovë, objekti u shemb në rrethana të panjohura, 3 të rinjtë u lokalizuan përmes dridhjes së telefonit

    Tre adoleshentë humbën jetën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës pasi u shemb një objekt. Familjarët që po i kërkonin arritën të lokalizojnë viktimat vetëm përmes dridhjeve të telefonit, kur u afruan te vendi i ngjarjes.

    Një ngjarje e rëndë tronditi Kosovën mbrëmjen e së shtunës, ku tre adoleshentë humbën jetën pasi një objekt i braktisur në të cilën po luanin u shemb në rrethana ende të panjohura, duke i zënë poshtë tij.

    Rasti ndodhi në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, ndërsa viktimat janë Ramë Mehmeti, Ideal Ramaj dhe Veton Morina të gjithë të moshës 13 dhe 15-vjeçare.

    Objekti njëkatësh ishte djegur gjatë luftës, ndërsa për më shumë se dy dekada e gjysmë nuk ishte rikonstruktuar asnjëherë.

    Kamerat e sigurisë të vendosura pranë shtëpisë më të afërt kanë fiksuar kohën 16:35 minuta si momentin kur është shembur objekti, që dikur shërbente si market i lagjes. Trupat e pajetë të tre të rinjve u nxorën rreth orës 23:00.

    Familjarët filluan kërkimet për fëmijët menjëherë sapo ata nuk po lajmëroheshin në telefonat e tyre.

    Megjithatë, pikërisht dridhja e telefonit bëri që të ndihmojë fshatarët të identifikonin vendin se ku ishin tre të rinjtë.

    “Telefoni iu bënte por nuk e hapshin, edhe ky objekti kur e kanë pa mbrëmë rreth orës 22:00 që është shembur kemi ardhur këtu edhe kur kemi thirr ne telefona kanë bërë telefonat nën gërmadha”, u shpreh Përparim Ademaj, familjar i viktimave

    Banorët e fshatit u mobilizuan për të gjetur tre të rinjtë dhe për orë të tëra vijuan kërkimet deri në momentin kur kuptuan se situata është më e rëndë dhe kërkuan ndihmën e policisë.

    “Njëri prej tyre e kishte zënë në këmbë, shumë të dëmtuar, trupat i kemi hipur në urgjencë, me një veturë, dy me një tjetër edhe janë çuar për Gjakovë”, deklaroi Bajrush Brahimaj, banor i fshatit.

    Familjarët të dielën kishin hapur dyert për ngushëllime, ndërsa reagime për rastin kanë shprehur edhe krerët e shtetit si dhe të gjitha institucionet qendrore dhe lokale. (A2 Televizion)

  • Haradinaj shkon për ngushëllime te familjet e fëmijëve që vdiqën dje në Jabllanicë

    Haradinaj shkon për ngushëllime te familjet e fëmijëve që vdiqën dje në Jabllanicë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkuar për ngushëllime te familjet e fëmijëve që vdiqën dje nga shembja e një objekti në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, raporton Ekonomia Online.

    “Me zemer të thyer te familjet që humbën më të dashurit e tyre në Jabllanicë. Ngushëllime, Zoti ju dhashtë force”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka publikuar fotografi nga vizita.

  • Bedri Hamza u shpreh ngushëllime familjeve për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë

    Bedri Hamza u shpreh ngushëllime familjeve për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë

    Bedri Hamza u ka shprehur ngushëllime familjeve Rama, Mehmeti dhe Morina për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës.

    Përmes një deklarate për Klan Kosova, Hamza bashkëndjen me familjet në këtë tragjedi.

    ”Me dhimbje të madhe e mora lajmin për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. Bashkëndjejmë me familjet dhe u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes së jetës së tre fëmijëve, por shpresojmë që familjet do të gjejnë forcë duke u mbështetur tek njëra-tjetra dhe duke e ditur që e gjithë Kosova po bashkëndjen me to në këto momente tepër të rënda”, ka thënë Hamza.

    Policia në raportin 24-orësh ka thënë se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë, dy 15 vjeç dhe tjetri 14 vjeç, ishin brenda kur u zunë nga pllaka.

  • Gjendet një mjet i pashpërthyer në Gjakovë, FSK e largon

    Gjendet një mjet i pashpërthyer në Gjakovë, FSK e largon

    Një person në Gjakovë derisa ishte duke punuar në oborrin e tij ka hasur në një mjet të dyshimtë. Njësia për deminim e FSK’së e ka tërheqhr mjetin e pashpërthyer të kategorisë D-9, raporton Ekonomia Online.

    “GJETJE E MJETIT TË PASHËRTHYER- Rr. Gj.N. Kazazi, Gjakovë 01.02.2025, 09:40.Raportohet se deri sa ishte duke punuar në oborrin e tij ankuesi m/k kishte hasur në një mjet të dyshimtë të pashpërthyer. Njësia për deminim i FSK-së, ka bërë tërheqjen e mjetit të pa shpërthyer të kategorisë D-9. Nuk raportohet për ndonjë incident”, njofton Policia.

  • KQZ fillon trajnimin për më shumë se 15 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimit në Kosovë dhe në përfaqësi diplomatike

    KQZ fillon trajnimin për më shumë se 15 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimit në Kosovë dhe në përfaqësi diplomatike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar fazën e radhës të programit të trajnimit, në të cilën përfshihet trajnimi i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt 2025, raporton Ekonomia Online.

    Gjithashtu, për herë të parë do të mbahet programi i trajnimit për anëtarët e Këshillave të Vendvotimit të cilët do të angazhohen për votimin jashtë Kosovës më 8 shkurt 2025 në vendvotimet që do të hapen në përfaqësitë diplomatike.

    Në këtë fazë të trajnimit do të përfshihen më shumë se 15 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimit, të cilët janë emëruar nga KQZ dhe që u përkasin të gjitha komunave të Republikës së Kosovës.

    Qëllimi i këtij trajnimi është që anëtarët e Këshillave të Vendvoitmit të përfitojnë njohuri mbi legjislacionin, rregulloret zgjedhore dhe procedurat zgjedhore që do t’i zbatojnë në ditën e zgjedhjeve për temat të ndryshme, si në vijim:

    • Votimi dhe numërimi i fletëvotimeve në vendvotim;
    • Votimi me kusht;
    • Votimi për persona me nevoja të veçanta;
    • Numërimi i fletëvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit;
    • Procedurat për pranimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i vendvotimeve në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit në Republikën e Kosovës është 2,533 vendvotime, ndërkaq numri i vendvotimeve për votimin jashtë Kosovës, në përfaqësi diplomatike, është 43 vendvotime.

  • Studentët kalojnë natën afër urës së bllokuar në Novi Sad

    Studentët kalojnë natën afër urës së bllokuar në Novi Sad

    Qindra studentë në Serbi, të përkrahur edhe nga qytetarë tjerë, e kanë kaluar natën në afërsi të Urës së Lirisë në Novi Sad, në kuadër të bllokadës 24-orëshe. Bllokada ka nisur më 1 shkurt, në tremujorin e incidentit në këtë qytet, ku kanë vdekur 15 persona, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të qytetit.

    Studentët besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës.

    Në nisje të protestës më 1 shkurt, protestuesit kanë bllokuar për tri orë edhe dy urat tjera të Novi Sadit, Varadin dhe Zhezhel.

    Në mbrëmjen e së shtunës, figura të njohura publike dhe kulturore kanë folur para protestuesve. Protestuesit kanë qëndruar në afërsi të urës, nga frika se ajo mund të mbingarkohej. Bllokada 24-orëshe në Urën e Lirisë pritet të përfundojë në orën 15:00 të së dielës, mirëpo mund të zgjatet, nëse ashtu merren vesh protestuesit.

    Studentëve në Novi Sad u janë bashkuar edhe kolegët e tyre prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit. Në protestë ka pasur edhe qytetarë prej rajoneve tjera të Serbisë.

    Prej incidentit të 1 nëntorit në Serbi, mijëra njerëz kanë protestuar rregullisht nëpër rrugë.

    Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.

    Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat.REL

  • Arrihet marrëveshja, Rashford huazohet te Aston Villa

    Arrihet marrëveshja, Rashford huazohet te Aston Villa

    Sulmuesi i Manchester United, Marcus Rashford, do t’i bashkohet Aston Villës në formë huazimi deri në fund të sezonit, me klubin nga Birmingham që do të mbulojë mbi 70% të pagës së tij.

    Sipas burimeve të afërta me marrëveshjen, kontrata përfshin edhe një klauzolë blerjeje prej 40 milionë paundësh, e cila mund të shndërrohet në një marrëveshje për tre vite e gjysmë nëse gjithçka shkon sipas planit.

    Testet mjekësore për Rashfordin janë caktuar për sot, dhe me kalimin e tyre me sukses, lojtari do të bëhet zyrtarisht pjesë e ekipit të Unai Emeryt.

    Ky transferim përfaqëson një hap të rëndësishëm për Aston Villën, e cila kërkon të forcojë repartin ofensiv në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

    Nga ana tjetër, largimi i Rashfordit nga Old Trafford përkohësisht sinjalizon një fazë të vështirë për lojtarin, i cili ka pasur një sezon të luhatshëm nën drejtimin e Erik ten Hag. Megjithatë, kalimi te Villa mund t’i japë një shtysë të re karrierës së tij dhe t’i ofrojë më shumë minuta loje në një ekip në formë të shkëlqyer këtë sezon.

    Tifozët e Aston Villës tashmë po presin me padurim zyrtarizimin dhe prezantimin e Rashfordit, i cili mund të bëjë debutimin e tij në javën e ardhshme në Premier League.