ATV

Author: ATVLive

  • Tensionet në Serbi dhe fushata në Kosovë: Ekspertët paralajmërojnë përpjekjet e Beogradit për destabilizim, por siguria mbetet nën kontroll

    Tensionet në Serbi dhe fushata në Kosovë: Ekspertët paralajmërojnë përpjekjet e Beogradit për destabilizim, por siguria mbetet nën kontroll

    Ekspertët e sigurisë në vend kanë paralajmëruar se Beogradi zyrtar mund të tentoj që të përdorë Kosovën si një mjet për të devijuar vëmendjen nga problemet e tij të brendshme, kjo pas protestave masive që janë duke u mbajtur atje kundër qeverisë së Vuçiqit, dhe të ndikoj në fushatën elektorale në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Por, sipas tyre, praktikisht kjo nuk do të ndodhë në një nivel të rrezikshëm, për shkak të gatishmërisë së institucioneve të sigurisë.

    Profesori universitar Fatmir Çollaku, ka thënë për Ekonomia Online se vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e stabilizuar, pavarësisht përpjekjeve të ndryshme për të krijuar pasiguri.

    Sipas tij, Serbia tradicionalisht ka tentuar të zhvendosë vëmendjen nga krizat e saj të brendshme drejt Kosovës, por në këtë rast, strukturat e sigurisë janë të përgatitura për të përballuar çdo provokim të mundshëm.

    “Në përgjithësi situata e sigurisë është e qëndrueshëm është stabile përkundër shumë përpjekjeve që të jetë ndryshe. Përpjekjeve nga fqinja veror dhe interpretimeve të shumë folëseve publike se do të ketë sulme për vitin e ri, pas viti të ri, pas festave, megjithatë nuk ndodhi asgjë dhe mirë që nuk ndodhi. Unë mendoj që do të jetë stabile edhe ne vazhdimësi situata e sigurisë sepse sistemi i sigurisë është në përformanc cilësore, është i konsoliduar mirë dhe tani organet e sigurisë e në veçanti policia kanë një përvojë të konsiderueshëm në rastet që ishin sulet terroriste, janë referenca të mjaftueshëm për policinë që të ketë një vigjilencë më të lartë një mobilizim më të mirë me stabil dhe një operacionalitete të cilësisë së lartë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ai thekson se, ndonëse teorikisht ekziston mundësia për tensione të shkaktuara nga Serbia për të devijuar vëmendjen nga problemet e saj të brendshme, praktikisht kjo nuk do të ndodhë në një nivel të rrezikshëm, për shkak të gatishmërisë së institucioneve të sigurisë.

    “Teorikisht janë të mundshme, por praktikisht jo, sepse teorikisht janë të mundshëm sulmet ose provokimi serioz i situatës nga ana e Serbisë për të hequr vëmendjen nga problemet të thelluara të brendshme nga pakënaqësia tashme e akumuluar e popullatës atje kundër Vuçiqit, prandaj këtu praktika kanë qenë të dukshëm edhe me herët kur Serbia ka probleme të theksuara përpiqet të zhvendos vëmendjen e opinionit të vetë të brendshëm ndaj Kosovës sepse Kosova është kauza që i bashkon të gjitha rrymat atje. Por në rastin konkret praktikisht nuk do të jetë e mundshme për faktin se policia, KFOR edhe organet e sigurisë janë në nivel të kënaqeshim të detyrës dhe e llogarisin mundësit eventuale për ndonjë provokim. Prandaj provokimi mund të ndodh por jo me peshë sepse rezistenca do të jetë që në start e fuqishme dhe zmbrapse”, ka thënë ai.

    Në lidhje me sigurinë në tubimet e mëdha elektorale, Çollaku thekson se në çdo vend, periudhat zgjedhore sjellin një rritje të rrezikut për incidente, por deri më tani nuk ka pasur asnjë problem serioz që do të rrezikonte sigurinë kombëtare.

    “Në çdo fushat në të kaluarën te ne por edhe në vendet e tjera, vigjilenca e organeve të sigurisë publike do të duhej që t jetë me e lartë për faktin që mundësi për të manipuluar, për të keqpërdorura, mundësi për të bërë ndonjë shkelje ligjore, pak është me e madhe sepse behet fjalë për dalje masovike të njerëzve nëpër tubime, prandaj prezenca me e madhe e njerëzve është një mundësi reale për një skandal, që deri me tani nuk ka pasur një incident serioz për sigurinë kombëtare dhe nacionale”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Eksperti i sigurisë Drizan Shala për Ekonomia Online thekson nevojën për analizë më të thelluar të sigurisë gjatë fushatës zgjedhore.

    Ai vlerëson se situata deri më tani ka qenë normale.

    “Sa i përket procesit zgjedhor që jemi ne duhet të duhet të analizojmë aspektin e sigurisë. Pa dyshim çështja e tubimeve kryesore që mbahen nëpër komuna të caktuar ne deri më tani shohim një rrjedhe normale të aktiviteteve politike. Por që do të duhej që të bëjmë një pyetje krucila e cila është sa i përket çështjeve të sigurisë të personave të cilët tani më gëzojnë mbrojtje nga policia e Kosovës që janë kreret e partive politike, mandej edhe kryeministri i Kosovës ku dihet që qytetaret e ndryshëm mund të hyjnë në objekte përkatëse sallat e ndryshme dhe kontrolli i tyre nuk behet në mënyrë të detajuar dhe kjo mund ta ngris potencialin të përdorimit të akterve të tretë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Ai thekson gjithashtu se Ballkani Perëndimor është në një periudhë të tensionuar politike dhe nuk përjashton mundësinë që Serbia të ketë plane të detajuara për të destabilizuar procesin zgjedhor në Kosovë.

    “Ne e dimi që jemi në një situatë kaotike pulitke në rajonin e Ballkanit Perëndimorë dhe ndoshta mund të ketë ndonjë plan të detajuar nga ana e Serbisë për ta destabilizuar procesin politik i cili është duke rrjedhur në mënyra normale në kontekstin e suazave të përcaktuar politike. Kjo mund të ndikoj drejt për drejt në cenimin e sigurisë publike edhe të procesit zgjedhor por madje mund të ketë efekte edhe në sigurinë nacionale”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

  • Avokati i Popullit thekson nevojën për mekanizma më të fortë në luftën kundër diskriminimit

    Avokati i Popullit thekson nevojën për mekanizma më të fortë në luftën kundër diskriminimit

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se ligji për mbrojtjen ndaj diskriminimit nuk po zbatohet në praktikë, për shkak të mungesës së mekanizmave të qartë ligjor për raportimin e shkeljeve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj ka bërë të ditur se është realizuar një hulumtim mbi punësimin e grave në sektorin publik, i cili tregon rritje të përqindjes së grave në këtë sektor, por një mungesë të përfaqësimit të tyre në pozitat vendimmarrëse.

    “Nuk ka raportim për zbatim të ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit, fatkeqësisht në mungesë të mekanizmave të qarta ligjore që bëjnë përgjegjëse autoritetet publike për të raportuar. Megjithatë e kemi bërë një hulumtim në lidhje me punësimin e grave në sektorin publik sepse në sektorin privat e kemi të pa mundur të bëjmë një vlerësim dhe një analizë të tillë, na ka dalë se në përqindje ka rritje, thjesht është përtej pritjeve që ne kemi pasur, por kjo nuk është e njëtrajtshme në të gjitha pozitat. Përderisa, numri i grave në sektorin publik është rritur numri i grave që janë pjesë vendimmarrëse, gjithmonë është më i vogël se burrat dhe këto vërehet një diskriminim”, ka thënë Qelaj.

    Ai gjithashtu potencon se nuk ka mundësi për të vlerësuar diskriminimin në sektorin privat, duke kërkuar forcimin e mekanizmave raportues dhe rritjen e vetëdijes së qytetarëve.

    “Mund të ketë edhe në sektorë të tjerë, por e kemi të pamundur të dimë në secilin rast individual kur nuk ka raportim, prandaj qëllimi është që të rriten dhe të fuqizohen mekanizmat raportues dhe të rritet vetëdija e qytetarëve që të raportohet, secili rast i diskriminimit. Në anën tjetër është përgjegjësi dhe detyrim i autoriteteve të vlerësojnë situatën në raport me barazinë para ligjit dhe respektimin e parimit të mos diskriminimit në secilën rast ku shtrojnë politika dhe hartojnë politika që do të zbatohen në interes të përgjithshëm”, ka theksuar ai.

    Qelaj ka theksuar se pranon 80-100 ankesa për diskriminim çdo vit, kryesisht lidhur me punësimin dhe shërbimet sociale.

    “Në institucionin e Avokatit të Popullit pranon një numër të konsiderueshëm të ankesave për shkak të diskriminimit 80-100 është numri i rasteve të kësaj natyre, që nënkupton diku 8-10 për qind të rasteve, Kryesisht dominojnë ankesat në raport me vendin e punës dhe avancimin dhe procesin e rekrutimin dhe pastaj janë çështjet pronësore dhe ka çështje të tjera që lidhen me marrjen e shërbimeve sociale e shëndetësore ku kohëve të fundit kemi pasur një vërshim të madh të numrit të ankesave kryesisht për shkak të trajtimit të pa barabartë dhe aplikimin e programeve mbështetëse që ka zbatuar Qeveria”, ka thënë Qelaj për Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se, megjithëse ekziston një kornizë ligjore e fortë për mbrojtjen e barazisë, zbatimi i saj mbetet një problem.

    “Megjithatë, ajo që është me rëndësi se ne kemi një kornizë ligjore shumë të fuqishme në mbrojtjen e parimit të barazisë dhe mos diskriminimit por fatkeqësisht si ligjet e tjera edhe ky ligj nuk po zbatohet në praktikë”, tha Qelaj.

  • Ekonomistët: Qeveria nuk ka arritur të indeksojë të ardhurat në raport me rritjen e çmimeve

    Ekonomistët: Qeveria nuk ka arritur të indeksojë të ardhurat në raport me rritjen e çmimeve

    Paralajmërimet e Bankës Qendrore të Kosovës që viti 2025 mund të përmbyllet me rritje ekonomike prej rreth 4.2 deri ne 4.4%, ekonomistët vlerësojnë se kjo nuk përkthehet në një përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies së qytetarëve, për shkak të inflacionit të lartë dhe kostos së lartë të jetesës, raporton Ekonomia Online.

    Ekonomisti Besnik Avdiaj tha për Ekonomia Online se ndonëse një rritje e tillë do të konsiderohej solide në vendet e zhvilluara, në Kosovë ajo nuk e reflekton realisht fuqinë blerëse të qytetarëve.

    Sipas tij, qytetarët vazhdojnë që të përballen me çmime të larta kur shkojnë në markete, në furra të bukës, në pompa të derivateve vetëm për faktin se kostoja e tyre e jetës po e tejkalon dukshëm mundësin për të gjeneruar të hyrat që kanë.

    “Një rritje ekonomike ndërmjet 4 dhe 5 për qind në shumë vende të botës demokratike është rritje solide, është rritje stabile ekonomike e cila e mbulon koston e jetës e cila vazhdimisht ngritet sepse nuk mund të kemi ngritje ekonomike pa ngritje standardi të konsumit. Mirëpo, kur e shohim që Kosova është një vend që edhe sot vazhdon që t’i vuaj pasojat e një tranzicioni të pas luftës dhe me përballje me krizat e ngritjes së çmimeve dhe inflacionit, një ngritje e tillë ekonomike nuk e pasqyron edhe ngritjen reale të fuqisë blerëse të qytetarëve. Që nënkupton që ne mund të kemi një rritje 4.2 deri 4.5 për qind, por qytetarët po vazhdojnë që të përballen me sfida kur shkojnë në markete, në furra të bukës, kur shkojnë në pompa të derivateve, vetëm për faktin se kostoja e tyre e jetës po e tejkalon dukshëm mundësin për të gjeneruar të hyra më shumë në emër të rritjes ekonomike”, tha ai.

    Avdiaj shtoi se një rritje ekonomike e mjaftueshme duhet të ishte të paktën dyfishi i kësaj shifre, për të stimuluar investimet dhe prodhimin vendor.

    “Në terma nominal nuk është rritje e vogël por në terma real me shumë gjasa që është më e vogël se sa në termat numerik. Një rritje solide për Kosovën duke marr parasysh edhe faktorët e inflacionit, pra të rritjes së çmimeve, kostos së përgjithshme të jetës do të duhej të ishte të paktën dyfishin e kësaj, për të stimuluar investime dhe për të stimuluar konsumin vendor, pra të prodhimeve vendore për shkak se ne dimë që rreth 85 për qind kemi import. Për ta përkthyer ndryshe i bije që paranë tonë po e dërgojmë jashtë vendit, kjo rritje ekonomike nuk është një pasqyre reale e rritjes, pra fuqisë blerëse e qytetarit”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa shprehet kritik ndaj mënyrës se është menaxhuar ekonomia nga qeveria.

    Ai shtoi se inflacioni i lartë dhe mungesa e masave të duhura kanë vështirësuar jetesën për qytetarët, ndërsa sipas tij, qeveria nuk ka arritur të indeksojë të ardhurat në raport me rritjen e çmimeve.

    “Nëse i bëjmë një vlerësim qeverisjes aktuale për masat e ndërmarra në raport me aspektin ekonomik atëherë as nuk është e mjaftueshëm as nuk është e duhura kjo rritje ekonomike. Sepse nuk i plotëson as nevojat elementare të rritjes ekonomike dhe të kërkesës agregate të përgjithshme se sa i duhet qytetarëve të vendit dhe ekonomisë së vendit. Rritja e lartë e shkallës së inflacionit e projektuar më e larta ndonjëherë në 20 vitet e fundit, masat jo të duhura kanë vështirësuar jetën e secilit qytetar në vend. Nuk i plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit, e nuk është arritur as indeksimi i nivelit të të ardhurave në raport me shpalljen e inflacionit”, tha ai për Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se një ndër hapat e parë që duhet të marrë qeveria e re është të ndal përkeqësimin e situatës ekonomike përmes politikave që ndihmojnë qytetarët të përballojnë shpenzimet mujore pa u detyruar të marrin kredi bankare.

    “Hapat e parë që duhet t’i merr çdo qeveri që vije të ndal depresion te njerëzit për shkak të rritjes së madhe të çmimeve, duke e indeksuar nivelin e të ardhurave së pari në sektorët publik, të krijoj politika stimuluese në sektorin privat, që t’u jap hapësirë që njerëzit mund të përballojnë muajin nga muaji në muaj në nivelin e të ardhurave që i kanë. E jo të orientohen në sistemin bankar, të marrin kredi për të mbuluar nevojat e shpenzimeve ditore”, tha ai për Ekonomia Online.

  • “U shemb pllaka e një shtëpie të pabanuar”, çka dihet për tragjedinë me tre viktima në Gjakovë?

    “U shemb pllaka e një shtëpie të pabanuar”, çka dihet për tragjedinë me tre viktima në Gjakovë?

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Jabllanicë të Gjakovëa. Atje tre fëmijë kanë vdekur si pasojë e shembjes së një shtëpie të pabanuar.

    Policia Rajonale e Gjakovës e konfirmoi se njëri nga viktimat është 16 vjec dhe tjetri 14 vjeç, ndërsa për të tretin ende nuk dihet mosha saktë.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha për media se vdekja e tre fëmijëve erdhi si pasojë e shembjes së pllakës se një shtëpie të pabanuar.

    Elezaj shtoi se personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave

    “Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai.

  • Protestat në Serbi, studentët nisin bllokimin 24 orësh të 3 urave të Novi Sadit

    Protestat në Serbi, studentët nisin bllokimin 24 orësh të 3 urave të Novi Sadit

    Studentët serbë të Novi Sadit të përkrahur edhe nga qytetarë të tjerë nga Beogradi e qytete të tjera sot do të bllokojnë tre urat e qytetit të Novi Sadit në shenj proteste për tragjedinë e rëndë të ndodhur muaj më parë ku humbën jetën 15 persona nga shembja e një mbikalimi.

    Nga ora 15:00 ka nisur bllokada e urës “Varadinos”, “Urës së Lirisë” dhe “Urës Zezelj”.

    Këto ura do të mbahen të bllokuara për 24 orë, shkruan N1.

  • Vdes epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, Prof. Dr. Isuf Dedushaj

    Vdes epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, Prof. Dr. Isuf Dedushaj

    Epidemiologu i njohur, i pari nga shqiptarët e Kosovës, Isuf Dedushaj, ka vdekur në moshën 73 vjeçare.

    Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur familja e tij.

    Prof. Dr. Isuf Dedushaj ka qenë mjek, epidemiolog, profesor universitar dhe doktor i shkencave të mjekësisë nga Vuthaj, në Mal të Zi.

    Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976.

    Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës. Në vitin 1976 punësohet në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi Sociale. Përfundon specializimin për epidemiologji më 20 maj të vitit 1980, duke u bërë kështu epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës, sipas biografisë së publikuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.

    Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës në Bosnje, ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983.

    Dr. Isuf Dedushaj me 27 nëntor të vitit 1986 në Fakultetin e Mjekësisë mbrojti tezën e doktoratës. Gjatë vitit 1986/1987 përfundoi subspecializimin në imunologji pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës prej vitit 1976 deri në vitin 1990.

    Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ka qenë edhe prodekan dhe dekan. Prof. Dedushaj ka qenë anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës. Ka publikuar 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë saj. Është autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare.

  • Nora Gjakova ndalet në çerekfinale, mbetet të sigurojë medalje nga repesazhi

    Nora Gjakova ndalet në çerekfinale, mbetet të sigurojë medalje nga repesazhi

    Xhudistja kosovare Nora Gjakova është mposhtur në çerekfinale të Grand Slamit të Parisit.

    Gjakova pësoi humbje ndaj xhudistes japoneze Megu Danno në ‘Golden Score’ në kategorinë deri në 63 kilogramë teksa tani do të vazhdojë në repesazh.

    Në repesazh Gjakova do ta kërkojë fitoren ndaj xhudistes spanjolle Cristina Cabana Perez.

    Kujtojmë se Gjakova e kishte nisur mjaft mirë rrugëtimin në këtë turne, duke marrë fillimisht fitoren ndaj Rania Drid.

    Në raundin e ardhshëm ajo dominoi sërish, këtë herë ndaj kraotes Iva Oberan, por që u ndal në çerekfinale ndaj Dannos.

  • Anulohet masa e suspendimit për gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Anulohet masa e suspendimit për gjyqtarin që e la të lirë Enver Sekiraqën

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka revokuar vendimin me të cilin gjyqtari Agim Kuçi ishte suspenduar lidhur me vendimin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Enver Sekiraqës, i cili ende gjendet në arrati.

    “Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me datë 24 janar 2024 në rastin disiplinor me nr…, e ka revokuar vendimin KGJK-së të datës 21 maj 2024, për suspendimin e gjyqtarit – subjekt i hetimit, ndërsa lidhur me përgjegjësinë disiplinore vendimi nuk mund të bëhët publik në këtë fazë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Aishe Qorraj për “Betimi për Drejtësi”.

    Gjyqtari Kuçi ishte suspenduar pas shpalljes së aktgjykimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, ku mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale mbi vendimin e Themelores, e cila më 3 maj 2024 ia kishte ndërprerë që masën e arrestit shtëpiak duke e lënë të mbrohej në liri, ka vendosur që Sekiraqa do të kthehet në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

    Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti nuk është arrestuar.

    “Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhej në njoftimin e KGJK-së kur ishte suspenduar gjykatësi.

    Aty thuhej se Këshilli vlerësoi se suspendimi i subjektit të hetimit, në këtë fazë të procedurës, do të krijojë parakushte që paneli hetimor të hetoj në tërësi çështjen në mënyrë të pavarur, objektive dhe të pa ndikuar. / BetimipërDrejtësi

  • Behrami i dërgon letër zyrës së kongresistit amerikan, Keith Self, kërkon hetim kundër Jack Smithit

    Behrami i dërgon letër zyrës së kongresistit amerikan, Keith Self, kërkon hetim kundër Jack Smithit

    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ia ka dërguar një letër zyrës së kongresistit Republikan, Keith Self, i cili është Kryetar i Nënkomitetit për Çështje të Jashtme të Dhomës për Evropë.

    “Kërkesë për hetim mbi rolin e z. Jack Smith në shpërbërjen e procesit të paqes – 2020”, mban titullin letra e Behramit!

    Behrami në këtë letër të gjatë shpjegon të gjitha arsyet që çuan në dështimin e samitit të paqes, i organizuar nga Presidenti Trump më 2020, pasi Gjykata Speciale kundërligjshëm kishte publikuar një njoftimin që ndaj Presidentit Thaçi është ngritur një aktakuzë.

    “Në dritën e këtyre shqetësimeve, me respekt kërkoj nga i nderuari Keith Self të nisë një hetim mbi rolin e z. Jack Smith në parandalimin e samitit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, dhe mbi shpërbërjen e procesit të paqes. Një hetim i tillë është thelbësor për të kuptuar motivet pas veprimeve të z. Smith, dhe për të siguruar llogaridhënie për vendimet që kanë pasur pasoja të gjera për politikën e Jashtme të SHBA-së dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në këtë letër.

    Letra e Behramit vjen vetëm pak kohë, pasi Administrata Trump ka shkarkuar Bruce Swartz, derisa i Dërguari për Misioni Speciale, Richard Grenell deklaroi sot se ka dhënë tashmë një dëshmi kundër Jack Smith!

    Kjo është letra e plotë e Behramit në gjuhën angleze dhe shqipe:

    E nderuara znj. Parkinson,

    Quhem Artan Behrami, jam gazetar nga Kosova, aktualisht kandidat në zgjedhjet nacionale për deputet në Parlamentin e Kosovës. Po ju shkruaj për të tërhequr vëmendjen e të Nderuarit Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës për Evropë, mbi veprimet e z. Jack Smith, Ish-Këshilltarit të Posaçëm të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, në shpërbërjen e proceseve të paqes në Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, vendimi i z. Smith, në qershor 2020 , për të bërë publike një aktakuzë kundër Presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, duket se ka qenë i qëllimshëm për të penguar samitin e paqes të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili do të zhvillohej më 27 qershor 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

    Ky samit, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, paraqiste një mundësi kritike për të adresuar një nga mosmarrëveshjet më të qëndrueshme të Evropës. Pritjet për këtë samit ishin të mëdha, me shpresa se një marrëveshje historike mund të sillte stabilitet dhe prosperitet në rajon. Megjithatë, vetëm tri ditë para samitit, më 24 qershor 2020, z. Jack Smith, si kryetar i Zyrës së Prokurorit të Posaçëm (SPO), njoftoi se një aktakuzë dhjetëpikëshe kundër Presidentit Thaçi ishte paraqitur dy muaj më parë, më 24 prill 2020.

    Ky njoftim u bë publik ndërkohë që Presidenti Thaçi ishte në rrugë për në Washington D.C. për të marrë pjesë në samit, ku unë isha pjesë e këtij delegacioni. Ndërsa avioni i jonë ateroi në Vjenë për të fluturuar pastaj për në SHBA, Presidenti Thaçi mori vesh për aktakuzën, duke u detyruar ta anulonte udhëtimin dhe të kthehej në Kosovë. Ky zhvillim i ngjarjeve anuloi papritur samitin dhe dështoi procesin e paqes, duke minuar udhëheqjen e SHBA-së në ndërmjetësimin për një zgjidhje.

    Si e penguan veprimet e z. Smith procesin e paqes

    Koha e njoftimit të aktakuzës:
    Koha e njoftimit të aktakuzës ngre pyetje serioze mbi motivet e z. Smith. Aktakuzat ishin paraqitur dy muaj më herët, më 24 prill 2020, megjithatë ato u bënë publike vetëm disa ditë para samitit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo kohë e qëllimshme e njoftimit turpëroi dhe delegjitimoi Presidentin Thaçi, ndërkohë që pengoi përpjekjet e Administratës amerikane për të mundësuar një marrëveshje paqeje. Ky veprim duket se ishte i qëllimshëm për të penguar samitin dhe për të parandaluar që Presidenti Trump të arrinte një arritje diplomatike.

    Ndikimi mbi përpjekjet e SHBA-së si ndërmjetësuese:
    Duke anuluar samitin, veprimet e z. Smith minuan besueshmërinë e SHBA-së si ndërmjetësuese dhe dobësuan ndikimin e saj në rajon. Iniciativa, e udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë, ishte një mundësi unike për të avancuar paqen, por ajo u pengua nga një vendim që duket të ketë qenë i motivuar politikisht. Ky dështim ka pasur pasoja afatgjata, duke çuar në rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, dhe duke kufizuar mundësitë për bisedime të ardhshme të udhëhequra nga SHBA-ja.

    Motivimi politik:
    Vendimi i z. Smith është e vështirë të shihet si diçka tjetër përveçse i motivuar politikisht. Duke targetuar Presidentin Thaçi, një figurë kyçe në procesin e paqes, z. Smith jo vetëm që e hoqi atë nga pushteti, por gjithashtu krijoi një boshllëk që më pas u mbush nga një udhëheqje populiste. Kjo udhëheqje ka kontribuuar në pasiguri në Kosovë, ka tensionuar marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe ka minuar përpjekjet më të gjera për promovimin e stabilitetit rajonal.

    Përmbysja e procesit të paqes:
    Anulimi i samitit në Shtëpinë e Bardhë ndaloi momentumin drejt një marrëveshjeje paqeje dhe përkeqësoi ndarjet në rajon. U humb edhe mundësia për të zgjidhur një nga konfliktet më të vështira në Evropë, derisa boshllëku politik që u krijua fuqizoi retorikën populiste nga të dyja palët, duke e bërë më të komplikuar rrugën drejt normalizimit.

    Përtej shpërbërjes së procesit të paqes, veprimet e z. Smith kanë pasur pasoja të gjera për sistemin gjyqësor dhe politik të Kosovës. Aktakuzat kanë shndërruar Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) në një gjykatë monoetnike që përqendrohet në shqiptarët e Kosovës. Ky zhvillim dëmton qëllimin origjinal të gjykatës, e cila u krijua për të adresuar akuza të përfshira në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2010 nga Dick Marty. Përkundrazi, gjykata tani po kriminalizon luftën për çlirimin e Kosovës dhe përpjekjet për ndërtimin e shtetit, duke njollosur imazhin e Shteteve të Bashkuara si mbështetës i pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës.

    Më 8 janar 2025, Presidenti Biden shpalli një Dekret Ekzekutiv që thekson angazhimin e SHBA-së për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Dekreti përmend nevojën për të mbajtur individët përgjegjës për veprimet që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Nëse ky parim vlen për individët jashtë SHBA-së, ai duhet të zbatohet edhe për ata, veprimet e të cilëve minojnë përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja. Duke bërë publike aktakuzën në një moment kyç, z. Smith ka kërcënuar drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke shkelur në mënyrë të qartë parimet e përshkruara në Dekretin Ekzekutiv.

    Në dritën e këtyre shqetësimeve, me respekt kërkoj nga i nderuari Keith Self të nisë një hetim mbi rolin e z. Jack Smith në parandalimin e samitit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, dhe mbi shpërbërjen e procesit të paqes. Një hetim i tillë është thelbësor për të kuptuar motivet pas veprimeve të z. Smith, dhe për të siguruar llogaridhënie për vendimet që kanë pasur pasoja të gjera për politikën e Jashtme të SHBA-së dhe stabilitetin rajonal.

    Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme. Jam i sigurt se udhëheqja dhe angazhimi juaj për drejtësi do ta çojnë këtë përpjekje drejt mbrojtjes së rolit të Shteteve të Bashkuara si promovuese e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

  • Dristria e nis me fitore Grand Slamin në Paris, kalon pengesën e parë

    Dristria e nis me fitore Grand Slamin në Paris, kalon pengesën e parë

    Xhudistja kosovare Distria Krasniqi, e ka nisur me fitore rrugëtimin e saj në Grand Slamin e Parisit.

    Lufta e saj e parë ishte ndaj francezes Alyssia Poulange që ishte e vlefshme për kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Këtë duel Distria e fitoi pasi xhudistja franceze mori tri dënime dhe kështu fitorja me Ippon i takoi xhudistes tonë.

    Për raundin e ardhshëm tashmë dihet se Distria do ta ketë përballë xhudisten spanjolle Ayumi Leiva Sanchez.

    Kujtojmë se me fitore e kanë nisur edhe dy xhudistët e tjerë, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova.

    Të njëjtin fat nuk e patën edhe Erza Muminoviq dhe Dardan Cena, të cilët u mposhtën qysh në luftën e parë.