ATV

Author: ATVLive

  • Izmaku: Qeveria e ardhshme do të formohet nga partitë opozitare

    Izmaku: Qeveria e ardhshme do të formohet nga partitë opozitare

    Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, në emisionin COMPASS në ATV, u shpreh e bindur se qeverisja e ardhshme do të formohet nga partitë opozitare.

    Sipas saj, opozita ka ndërtuar një program politik me një kulturë të mirë elektorale dhe ka demaskuar keqqeverisjen pa përdorur fyerje ndaj kundërshtarëve politikë.

    “Unë e besoj që qeverisja e ardhshme, duke e parë disponimin e qytetarëve dhe sinqerisht edhe zhgënjimin e tyre me premtime boshe, do të ndërtohet nga opozita e tanishme. Qeveria e ardhshme do të ndërtohet mbi disa parime bazë që opozita i ka pasur si diskurs në këto zgjedhje. Jam shumë e lumtur dhe krenare që kam qëndruar mes kandidatëve që asnjëherë nuk e kanë ofenduar askënd, qoftë edhe nga pozita”, tha Izmaku.

    Ajo tha se qeverisja aktuale është përfshirë në raste të shumta korrupsioni, përfshirë tenderë njëburimorë, të cilët, sipas saj, kanë arritur në mbi dy mijë raste.

    “Kemi mijëra raste të korrupsionit, të cilat janë duke u trajtuar në gjykata. Siç i kemi, për shembull, tenderët njëburimorë që kalojnë numrin dy mijë, një gjë që nuk ka ndodhur për 20 vite”, u shpreh Izmaku.

    Deklaratën e plotë të Xhevahire Izmakut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Izmaku: AAK-NISMA do t’i marrë mbi 100 mijë vota

    Izmaku: AAK-NISMA do t’i marrë mbi 100 mijë vota

    Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, në emisionin COMPASS në ATV, u shpreh e bindur se ky koalicion do ta kalojë pragun e 100 mijë votave në zgjedhjet e ardhshme.

    Sipas saj, votat për këtë koalicion janë të konsoliduara dhe kanë qëndruar të forta edhe në situata politike të paparashikueshme.

    “Bazuar edhe në statistikat e të kaluarës, dhe këto po përfshij edhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhë, ne do ta kalojmë 100-mijëshin, kjo është e sigurt, si koalicion, sepse është një votë e cila ka qenë e konsolidume, e koncentrume në rrethana të ndryshme, pra ka qenë stoike edhe në momentume kur ka pasë lëvizje të paparashikueshme politike, qysh e dimë, pra para katër viteve që ka qenë një votë, e cila sigurisht që s’ka me as për të afërmi, nuk i takon më atij subjekti politik sepse është një zhgënjim i jashtëzakonshëm” tha Izmaku.

    Deklaratën e plotë të Xhevahire Izmakut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Izmaku: Ka një rritje të elektoratit për koalicionin AAK-NISMA

    Izmaku: Ka një rritje të elektoratit për koalicionin AAK-NISMA

    Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, në emisionin COMPASS në ATV, tha se ka një rritje të elektoratit dhe të besimit tek koalicioni, bazuar në kontaktet dhe takimet me anëtarësinë.

    Sipas saj, ky koalicion synon të sjellë një fitore për Kosovën, duke e vendosur interesin e vendit mbi atë të partive politike.

    Ajo tha se besimi ndaj kandidatëve të vendosur në listën zgjedhore është në rritje, pasi ata përfaqësojnë interesa kombëtare dhe kanë dëshmuar angazhimin e tyre në të kaluarën.

    “Ka një rritje të elektoratit dhe të besimit tek figurat që ka vendosur lideri Limaj në listë. Kjo është një listë që na bën krenarë, sepse përfaqëson profile që mbrojnë interesa të mëdha kombëtare dhe kanë një histori të dëshmuar në këtë drejtim”, u shpreh Izmaku.

    Deklaratën e plotë të Xhevahire Izmakut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Zogaj tregon strategjinë e LDK-së për të ulur emigrimin e të rinjve

    Zogaj tregon strategjinë e LDK-së për të ulur emigrimin e të rinjve

    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Alban Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se strategjia e partisë së tij për ndaljen e emigrimit të të rinjve bazohet në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

    Sipas tij, rritja ekonomike do ta bëjë Kosovën më atraktive, duke siguruar të ardhura më të larta dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë.

    “Strategjia jonë është në kapitullin e zhvillimit ekonomik të programit tonë, që thotë pesë për qind rritje ekonomike në vit. Rritja ekonomike e bën këtë vend atraktiv, sepse i rrit të ardhurat tona. Rritja ekonomike krijon vende të reja të punës”, tha Zogaj.

    Ai tha se përmes këtij plani, të rinjtë nuk do të kenë më nevojë të largohen nga vendi për të kërkuar punë në Evropë.

    “Vendet e reja të punës do t’i angazhojnë të rinjtë tanë dhe ata, kur e kanë një vend pune në Kosovë, nuk do të kenë nevojë të shkojnë për të punuar në Evropë. Pra, rritja ekonomike është strategjia jonë”, u shpreh Zogaj.

    Deklaratën e plotë të Alban Zogajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Zogaj: LDK do të jetë në pushtet, 1.5 miliardë euro do t’i orientojmë në Prishtinë

    Zogaj: LDK do të jetë në pushtet, 1.5 miliardë euro do t’i orientojmë në Prishtinë

    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Alban Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, shprehu bindjen se partia e tij do të qeverisë vendin, duke e cilësuar Lumir Abdixhikun si kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

    Ai tha se për herë të parë LDK do të ketë pushtetin qendror dhe udhëheqjen e kryeqytetit, me një fokus të madh në investime për Prishtinën.

    “Ne do të jemi në pushtet në dy anët. Për herë të parë do ta kemi kryeministrin Lumir Abdixhiku dhe në anën tjetër kryeqytetin gjithashtu nën udhëheqje. Po, një miliardë e gjysmë i kemi orientuar dhe i kemi fokusuar tek Prishtina”, tha Zogaj.

    Ai vlerësoi se projekti i unazës së jashtme të Prishtinës është një investim urgjent, për të cilin tashmë janë zotuar qindra milionë euro nga Banka Evropiane, por qeveria aktuale nuk po e nënshkruan garancionin për kredinë.

    “Një prej projekteve kryesore e të mëdha urgjente është unaza e jashtme e Prishtinës me diku rreth 360 milionë euro investime. 250 milionë euro investime veçse janë të zotuara nga Banka Evropiane, por Qeveria aktuale nuk po e nënshkruan garancionin për kredinë, e cila do të orientohej tek ky projekt”, u shpreh Zogaj.

    Deklaratën e plotë të Alban Zogajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Azemi: Asnjë biznes nuk vjen në Kosovë kur kryeministri thotë se do të ketë luftë

    Azemi: Asnjë biznes nuk vjen në Kosovë kur kryeministri thotë se do të ketë luftë

    Kandidati për deputet nga LDK, Visar Azemi, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi Qeverinë Kurti për refuzimin e projektit të gazit të financuar nga SHBA, duke theksuar se një qasje e tillë ka ndikuar në largimin e investitorëve nga Kosova.

    Sipas tij, Serbia ka përfituar nga kjo situatë duke nënshkruar marrëveshje strategjike për energjetikë dhe duke tërhequr investime të shumta nga bizneset amerikane.

    “Projektin me gaz, të cilin Qeveria Kurti e refuzoi në momentin e parë kur iu ofrua si mundësi, bile-bile edhe me financim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot ajo Serbi ka nënshkruar marrëveshje strategjike për energjetikë, që nënkupton lidhje direkte me atë gazin të cilin ne nuk e kemi marrë. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, kemi parë një fluks të madh të bizneseve amerikane dhe jo vetëm, që janë orientuar drejt Serbisë”, tha Azemi.

    Ai tha se deklaratat e kryeministrit për luftë kanë ndikuar drejtpërdrejt në frikësimin e investitorëve të huaj dhe largimin e mundësive ekonomike për Kosovën.

    “Qeveria e Kosovës, çdo prononcim për veten e ka deklaruar për luftë dhe për marrëdhënie të këqija me fqinjët e saj. Asnjë biznes nuk vjen në Kosovë me investu kur kryeministri del dhe flet se në Kosovë do të ketë luftë”, u shpreh Azemi.

    Deklaratën e plotë të Visar Azemit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Azemi: Kosova nuk është në pozitë për me ba zgjidhje tjetër, përveç Amerikës

    Azemi: Kosova nuk është në pozitë për me ba zgjidhje tjetër, përveç Amerikës

    Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Visar Azemi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç Amerikës kur vjen puna te orientimi strategjik dhe politik.

    Ai tha se edhe Evropa do të detyrohet të përshtatet me realitetin e superfuqive, ndërsa Kosova duhet të mbajë qëndrimin e saj pro-amerikan.

    “Amerika i vendosi tarifë Kanadasë dhe Meksikës dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër u dorëzuan, sepse duhet me u mbajtë strategjikisht me Amerikën. Po ne nuk jemi në pozitë me ba zgjedhje tjetër, përveç Amerikës. Edhe Evropa ka me pasë fatin e njëjtë”. tha Azemi.

    Sipas tij, Kosova ka përfituar sa herë ka pasur raporte të mira me SHBA-në, prandaj ky orientim duhet të mbetet i pandryshuar.

    Deklaratën e plotë të Visar Azemit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Policia gjen armë dhe municion në veri

    Policia gjen armë dhe municion në veri

    Policia e Kosovës sot pas pranimit të një informate mbi dyshimet se në një lokacion ka armë, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ku kanë kryer një kontroll në një lagje afër lumit Ibër përkatësisht tek Shkëmbi i Dudës në qytetin e Mitrovicës Veriore.

    Zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani ka thënën për KosovaPress se gjatë kontrollit të realizuar në atë pjesë në një kotec pulash policia ka gjetur dhe konfiskuar: Një armë te gjatë – AK-47, Dy karikator të së njëjtës armë me nga (tridhjetë) 30 fishek, Katërqind e shtatëdhjetë e tre (473) fishek të pistoletës, Dyzet fishek të armës së gjuetisë, Njëqind e njëzet e dy fishekë të kalibrave të ndryshëm të armës së gjatë, Një thikë taktike, Një komplet i pajisjeve për pastrimin e armës dhe Një çantë e zezë.

    Sipas Elshanit në lidhje me rastin në Stacion Policor është shoqëruar i dyshuari Z.T i moshës 68 vjeçare i cili është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’’, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar. Duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, Policia vazhdon të mbetet e përkushtuar për luftim të dukurive negative dhe ofrim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ai.

  • Misini skeptik në projektin e LDK-së për ndërtimin e termocentralit me gaz

    Misini skeptik në projektin e LDK-së për ndërtimin e termocentralit me gaz

    Profesori i Ekonomisë në Kolegjin AAB, Shkumbin Misini, në emisionin CONTEXT në ATV, u shpreh skeptik për projektin e LDK-së për ndërtimin e një termocentrali me gaz, duke ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e realizimit të tij.

    Sipas tij, investimet ndërkombëtare në energji në Ballkanin Perëndimor kanë shkuar kryesisht në Serbi, duke e lënë Kosovën prapa në këtë drejtim.

    “Edhe institucionet ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe institucionet e tjera sot janë në panik për shkak të një presidenti amerikan që ua ka ndryshuar krejt formulat matematikore, ekonomike dhe të gjitha aspektet. Investimet që sot i ka marrë Ballkani Perëndimor prej Amerikës i ka çuar sidomos kah Serbia. Vitin e kaluar, ajo ka përfituar miliona euro në energji të ripërtëritshme, pse ne të shkojmë me një investim të tillë?”, tha Misini.

    Ai vuri në dyshim edhe mundësinë e sigurimit të fondeve për ndërtimin e termocentralit me gaz, duke përmendur sfidat politike dhe institucionale që e bëjnë të vështirë realizimin e projektit.

    Deklaratën e plotë të Shkumbin Misinit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Dhjetë të vdekur nga të shtënat në një shkollë në Suedi

    Dhjetë të vdekur nga të shtënat në një shkollë në Suedi

    Dhjetë persona janë vrarë nga të shtënat në një shkollë në Orebro të Suedisë, tha policia suedeze.

    Të shtënat në shkollën Risbergska në Orebro, 200 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Stokholm, ndodhën të martën pasdite.

    Policia tha se autori nuk ishte i njohur më parë për ta dhe besohej se ai po vepronte i vetëm, raporton BBC.

    Sipas policisë, ka edhe disa persona të tjerë të cilët janë plagosur.

    “Ky është një incident jashtëzakonisht tragjik”, tha shefi i policisë së Orebros, Roberto Eid Forest.

    Më herët, kryeministri suedez tha se ishte “një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë në Suedi”.

    Një numër i të plagosurve janë dërguar në spital, ndërsa të paktën katër persona i janë nënshtruar operacionit.

    Policia fillimisht kishte thënë se rasti po hetohej si një tentativë për vrasje dhe zjarrvënie.

    Sipas policisë, deri më tash nuk ka dyshime nëse ky rast ka lidhje me terrorizëm.