Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se dalja e votuesve në zgjedhje deri në orën 15:00 është 27.81 për qind.
Nga 1.970.944 votues të regjistruar, prej tyre 548,140 qytetarë kanë votuar deri në këtë orë.
Këto të dhëna, u bënë nga procesimi i 89.93 për qind të vendvotimeve për pjesmarrjen deri në orën 15:00.
Dalja tregohet të jetë më e ulët sesa në zgjedhjet e vitit 2021 kur më 14 shkurt të atij viti deri në orën 15:00 kishin votuar 32,32 për qind apo 567 mijë e 934 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 me të drejtë vote.
Ndërkaq në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 deri në orën 15:00 kanë votuar 29,28 për qind e votuesve apo 554 mijë e 750 votues nga 1 milion e 961 mijë e 214 qytetarë me të drejtë vote.
Në një qendër votimi në fshatin Gracë të Vushtrrisë, ku shumica e banorëve janë nga komuniteti serb, janë raportuar shkrime provokuese brenda ambienteve të një shkolle, ku mbahen zgjedhjet parlamentare.
Gazetari i ATV-së, Driton Sadiku, tregoi se është raportuar se brenda një klase është gjetur një mbishkrim që thoshte “Kosova është Serbi”, ndërsa ende nuk dihet kush i ka shkruar këto mesazhe.
Përveç kësaj, në të njëjtën shkollë është regjistruar edhe një incident tjetër, ku një qytetar ka fotografuar votën e tij dhe më pas është arrestuar nga policia. /atvlive.tv
Një qytetar nga lagjja Dardania në Prishtinë, i cili tregon se ka qenë votues i rregullt për dekada, ka shprehur pakënaqësinë e tij pas një incidenti në qendrën e votimit në shkollën “Dardania”.
Në një intervistë për ATV, ai rrëfeu se kishte shoqëruar bashkëshorten e tij të sëmurë për të votuar, por hasi në refuzim nga kryesuesi i vendvotimit kur kërkoi që ajo të futej pa pritur në radhë.
“E kam nusen e sëmurë, mezi e çova në katin e dytë. I luta që ta lejonin të votonte pa rend, por kryesuesi i vendvotimit më tha se nuk bën dhe se duhet të presë,” u shpreh ai me mllef.
Për shkak të këtij trajtimi, ai vendosi të mos e ushtrojë të drejtën e tij të votës. /atvlive.tv
Në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, një nga qendrat me fluksin më të lartë të votuesve, është raportuar për një incident mes qytetarëve.
Sipas informatave fillestare, situata u tensionua për shkak të pritjeve të gjata në radhë, duke shkaktuar pakënaqësi dhe përleshje verbale, e madje edhe ofendime mes disa personave.
Gazetarja e ATV-së, Benita Zeneli, drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes sqaroi se Policia e Kosovës ende nuk ka konfirmuar ndonjë ndërhyrje zyrtare, por disa dëshmitarë pohojnë se policia është dashur të qetësojë situatën.
Aktualisht, votimi po vazhdon normalisht dhe gjendja është stabilizuar. /atvlive.tv
Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve (me margjinë gabimi+/-0,37), nga 1,970,944 e qytetarëve me të drejtë vote, raporton EO.
Në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në më shumë se 52% të vendvotimeve, deri në 10 raste të tilla. Shqetësues mbetet fakti se në 6% të vendvotimeve numri i qytetarëve që kanë raportuar për këto vështirësi ka qenë deri në 50 raste.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka thënë se këto vështirësi mund të jenë rezultat i ndryshimeve të Qendrave të Votimit nga ana e KQZ-së për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të votuesve, ndonëse secili votues ishte informuar dhe kishte mundësi të kontrollojë qendrën e votimit dhe vendvotimin përmes sistemit elektronik.
“Sa i përket parregullsive, deri në mesditë kanë qenë gjetja e emrave në listën e votuesve, janë parregullsitë kryesore që e kanë karakterizuar mbi 50 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Shqetësues mbetet fakti që kemi afërsisht 6 për qind të vendvotimeve në të cilat numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve arrin deri në 50 sosh. Këto vështirësi dhe kjo problematike mund të jetë si rezultat i ndryshimeve të shumta në qendrat e votimit që janë bërë nga ana e KQZ-së, ndonëse KQZ-ja ka zhvilluar një fushatë informuese për votuesit në lidhje me këto ndryshime”.
“Sipas rregullave të KQZ-së, vetëm votuesit që nuk dinë shkrim-lexim dhe votuesit që kanë paaftësi fizike, mund të kërkojnë asistencë për të votuar. Megjithatë, për votuesit e grupit të dytë kërkohet një dëshmi mjekësore për të njëjtin. Deri në mesditë, fenomeni i votimit me asistencë ka qenë mjaft i shprehur, ngjashëm si në proceset tjera zgjedhore. Në fakt 6 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë votuar deri më tani kanë votuar me asistencë, e në mesin e votuesve të asistuar 2,3 e tyre janë gra që kryesisht vijnë nga zonat rurale”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e sotme parlamentare ka votuar edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për liri, drejtësi dhe mbijetesë (Za Slobodu Pravdu i Opstanak) në Graçanicë.
Rashiq në një deklarim për media pas votimit ka thënë se serbët e Kosovës duhet të përfaqësojnë vetveten dhe të kenë orientim evropian.
“Shpresoj që këto zgjedhje do të sjellin një strukturë të re në përfaqësimin e serbëve në Parlamentin e Kosovës në formë, ku po konsiderojmë, se ne gjatë periudhës, kur kemi pasur një përfaqësim adekuat në të gjitha instancat e institucioneve të Kosovës, kemi dëshmuar se është e mundshme që të punohet për popull, si një përfaqësues i vërtetë i popullit dhe jo që të jetë i dirigjuar nga cilado anë. Prej fillimit kam thënë, ne nuk dëshirojmë që të jemi serbë as të Beogradit as të Prishtinës, por do të jemi serbë të Brukselit që për neve duhet të jetë e qartë që kushdo qoftë që përfaqëson serbët e Kosovës duhet të ketë një orientim nga Brukseli, sepse kjo është caku final ose primar të çdo partie politike të cilët konsiderojnë që duhet të përfaqësojnë popullin e vet”, tha ai.
Sot Kosova voton në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen për herë të parë si të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), edhe pacientët e shtruar patën mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës falë ekipeve mobile të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Gazetarja e ATV-së, Benita Zeneli, përcolli nga afër këtë proces në Klinikën Kirurgjike, ku bisedoi me drejtues të reparteve dhe pacientë që votuan.
Ajo raportoi se ekipi i KQZ-së ka vizituar jo vetëm këtë klinikë, por edhe repartet e tjera, duke u mundësuar të shtruarve të marrin pjesë në zgjedhje. /atvlive.tv
Në shkollën fillore “Ismail Lula” në Lipjan, e cila është qendra më e madhe e votimit në këtë komunë me nëntë vendvotime, procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 dhe po vazhdon pa probleme të mëdha.
Driton Sadiku, drejtori i shkollës dhe udhëheqësi i kësaj qendre votimi, i ka treguar ATV-së për disa vështirësi të hasura, kryesisht në përgatitjet fillestare.
“Fillimisht, kemi pasur një sfidë me numrin e vogël të stafit të angazhuar për përgatitjet, por megjithatë kemi arritur ta hapim qendrën në kohë”, tha ai.
Një tjetër çështje që është hasur lidhet me votuesit që nuk kanë pasur dokumente të identifikimit me vete.
“Kemi disa raste ku për shembull ka qytetarë të cilët nuk kanë mjetet e identifikimi me vete dhe posedojnë ndonjë dokument me fotografi identifikuese, po vendimi i kryesuesve të KKZ-së është që mos të lejohen me votu pa dokument i identifikues fizik”, sqaroi Sadiku.
Pavarësisht këtyre sfidave, votimi po vazhdon me një fluks të shtuar votuesish, ndërsa pritet që pjesëmarrja të rritet në orët në vijim. /atvlive.tv