Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, në emisionin CONTEXT në ATV, ngriti dyshime mbi tenderin për softuerin e KQZ-së, duke thënë se ai u fitua nga një kompani e lidhur drejtpërdrejt me pushtetin dhe dështimi i tij nuk është rastësi.
Sipas tij, dy pronarët e kompanisë fituese të tenderit kanë lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë, njëri si zëvendësministër dhe tjetri si këshilltar i kryeministrit.
“Tenderin për softuerin e ka fituar një kompani, pronarët e së cilës janë të lidhur me partinë në pushtet. Njëri ka një pozicion zëvendësministri, tjetri është këshilltari i kryeministrit. Dhe si ka mundësi që ky softuer, që ata vetë e kanë sjellë, po dështon? Pastaj dalin dhe thonë ‘na sulmoi Kina’, një miliard njerëz na sulmuan! Pse ka nevojë një miliard njerëz për të sulmuar një KQZ?”, tha Demhasaj.
Ai tha se softueri i KQZ-së u bllokua pikërisht në momentin kur Vetëvendosja kishte rezultatet më të larta, duke e cilësuar këtë si tentativë për të ndërtuar një narrativë manipuluese.
“Softueri i KQZ-së është bllokuar pikërisht kur dolën disa rezultate dhe Vetëvendosja kishte 57% të votave. Aty u ndal gjithçka, për të krijuar një narrativë që ky ishte rezultati real, por na sulmuan dhe na i morën votat”, u shpreh Demhasaj.
Deklaratën e plotë të Arton Demhasajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për herë të parë në 25 vite, zgjedhjet në Kosovë po përcillen me paqartësi të mëdha, duke ngritur dyshime për mbi 30 mijë vota të cilat mospërputhjen me rezultatin e KQZ-së.
Sipas tij, Kosova ka qenë shembull në organizimin e zgjedhjeve në rajon, por këtë herë procesi është i mbushur me dyshime.
“Nëse për diçka në Kosovë kemi ndërtuar standard dhe ju kemi dhënë shembull krejt vendeve të rajonit, ka qenë pikërisht organizimi i zgjedhjeve. Dhe çka po flasim tash, njëzet e pesë vjet më vonë, kemi organizuar zgjedhje që, hala pas një jave nga mbajtja e tyre, nuk kemi një rezultat final për partitë politike e lëre më për kandidatë”, tha Demhasaj.
Ai përmendi një mospërputhje të madhe në shifrat zyrtare të votave në faqen e KQZ-së.
“Hala në faqen e KQZ-së figuron se në këto zgjedhje kanë votuar 799,954 qytetarë. Në anën tjetër, kur i mbledh votat e partive politike, del që janë 833,000. Domethënë, kah erdhën këto mbi 33 mijë vota? Ku figurojnë këto?”, tha Demhasaj.
Deklaratën e plotë të Arton Demhasajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Anëtari i PDK-së, Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Ministria e Brendshme po kontrollon rrjetin dhe sistemin e internetit të KQZ-së, duke ndikuar në vonesat e procesit zgjedhor.
Sipas Behramit, këto vonesa janë të qëllimshme dhe të orkestruara nga struktura politike të afërta me pushtetin.
“Të gjitha vonesat që janë krijuar, unë mendoj që janë vonesa të qëllimshme, të udhëhequra nga parapolitika dhe nga ato sobat e Dejana Mihajlit, të ekzekutuara nga Ministria e Brendshme, e cila e kontrollon krejt serverin dhe sistemin e internetit. Nuk është kompania, por është Ministria e Brendshme që e kontrollon, pra zoti Sveçla e kontrollon atë”, tha Behrami.
Ai tha se këto vonesat favorizojnë një lider politik që nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve.
“Këto vonesa i konvenojnë një lideri i cili nuk është duke e pëlqyer rezultatin, sepse profecia e tij për 500 mijë vota nuk i ka dalë dhe tash duhet me e rrotullu krejt Kosovën, me çu
zgjedhjet edhe njëqind herë, derisa t’i dalë profecia e tij për pesëqind mijë vota”, u shpreh Behrami.
Deklaratën e plotë të Artan Behramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Qe një temë e mirë – numrat! Në emisionin e kaluar gjatë u mundova ta shpjegoj pse platforma e KQZ-së është gabim dhe pse njerëzit po hutohen kur po llogaritin votat e partive në përpjesëtim me pjesëmarrjen e votuesve.
Për çdo rast, linkun e asaj videoje, po e lë në përshkrim, kush ka interes ti kthehet. Mirëpo, sot do të merremi më diçka tjetër – numrat dhe legjitimitetin!
Kam pa shumë talenta këtyre ditëve pas zgjedhjeve që i kanë pohuar tri gjëra – e para që dalja në zgjedhje vazhdon të jetë e ulët dhe kjo është shenjë e pakënaqësisë së popullit me partitë.
E dyta – që Albin Kurti ka rënie të votës dhe që opozita i ka fituar zgjedhjet dhe e treta, që Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk ka prodhuar zgjidhje për situata si kjo që e kemi tani.
Të shkojmë më radhë – e para dalja e ulët – nuk është e vërtetë. Ky është keqkuptimi dhe manipulimi më i madh që është kah bëhet me kosovarë dhe keqinformimi më i madh i zgjedhjeve në Kosovë në raportet ndërkombëtare.
Burimi i këtij keqkuptimi është KQZ-ja. Në listë të KQZ-së janë 2 milionë veta të regjistruar si votues, kurse në Kosovë janë 1,6 milionë banorë. Prej 1,6 milionë banorëve, sipas regjistrimit të popullsisë, jo listave qyfte të KQZ-së rreth 420 mijë kanë qenë më të rinj se 18 vjet.
Pra, banorë të Kosovës mbi 18 vjeç janë rreth 1,2 milionë. E nëse prej 1,2 milionëve dalin përmbi 830 mijë në zgjedhje, jemi kah flasim për dalje mbi 67%, që është shifër fantastike.
Është shifër që dëshmon që demokracinë në Kosovë e marrim seriozisht, që e dimë që me votë bëhet ndryshimi dhe votën e mbrojmë!
Për më tepër, po ju lus të gjithëve, kusho që e shikon këtë video, le ta bën një llogaritje të thjeshtë për komunën e vet, secili për komunë të veten.
Llogaria është kjo – numëroni votat për parti në KQZ nga komuna juaj dhe më pas zbriteni atë numër nga numri i banorëve në rritur në komunë ne tuaj.
Qysh? Qe qysh:
Po e marrim shembull Prishtinën. Nëse i mblidhni 55 mijë vota të Vetëvendosjes, 30 mijë të LDK-së, 21 mijë e gjysmë të PDK-së, 5 mijë të Listës për Familje, 4 mijë të AAK-së, etj etj. Do të dalin rreth 117 mijë vota. 117 mijë.
Tash, shikoni të dhënat e regjistrimit të popullsisë – shkoni te komuna e juaj, në rastin tonë Prishtina.
Prishtina, sipas ASK-së i ka 227 mijë banorë. Prej numrit 227 mijë zbrini numrat e banorëve 0-4 vjeç, 5 deri 9 vjeç, 10 deri 14 vjeç i bie që i kemi heqë nja 50 mijë banorë. Nëse e heqim edhe gjysmën e banorëve 16-19 vjeç, Prishtina del se i ka rreth 170 mijë banorë të rritur.
Nëse janë 117 mijë vota në 170 mijë banorë të rritur, dalja është 67% është shumë e lartë. Nuk po them që kjo formulë është definitive, por formula e KQZ-së është qyfte llaf. S bën punë, gabim është!
Sipas të njëjtës formulë, dalja në Skenderaj ose Drenas e kalon 70%shin, është është mesele!
Pra, kushdo që thotë dalja ka qenë e ulët, ose që krejt kjo kalsë politike e ka përkrahjen vetëm e gjysmës së popullit, MO I BESONI dhe dijeni që ose ëhstë kah rren ose s është kah din!
Kjo tash e jep pjesërisht përgjigjen në pohimin e dytë – a ka humbë Albin Kurti vota?
Më 2019 Albin Kurti i ka pasur 184 mijë vota, kurse Vetëvendosja mbi 220 mijë. Në zgjedhjet e 2021-ës Albin Kurti nuk ka qenë në listë, nuk ka qenë në fletëvotim!
Vjosa Osmani i ka marrë mbi 300 mijë vota, kurse Vetëvendosja rreth 440 mijë.
Deri tash, Vetëvendosja pa Vjosa Osmanin i ka 340 mijë vota, pa u numëru diaspora dhe votat me kusht.
Më pak se në 2021-ën sigurisht, por Albin Kurti si emër i përveçëm sivjet ka me fitu më shumë vota se ndonjëherë më parë, e sa nën 440 mijë është efekti – do të dihet muajin e ardhshëm.
A po vëreheet mungesa e Vjosa Osmanit, a ka ndonjë faktor tjetër, apo vec dalja prej 900 mijë votave
Për më tepër, KQZ-ja sado që është e ngadalshme, numërimi i votave nuk pritet ta deformojë vullnetin e popullit. Votat e partive i ruajnë komisionerët, aty ku ka dyshime mund të jetë rinumërime dhe krejt kjo do të kushtojë kohë dhe nerva, por jo edhe prishje të procesit.
Bukuria tjetër e këtyre zgjedhjeve ka qenë mundësia të votohen 10 kandidatë për deputetë, e jo 5.
Efekti i parë i kësaj risie ligjore është ngadalësimi i procesit të votimit. Krejt ne që kemi votuar e dimë që sivjet na janë dashur së paku 1 minutë më shumë për të votuar. Nëse 1 minutë e shumëzoni me 830 mijë – po e shihni edhe vetë pse ka pasë hallakamë.
Efekti i dytë që e ka shkaktuar është ngadalësimi dhe komplikimi i procesit të numërimit. Votat për deputetë do të duhej të numëroheshin në qendra komunale të numërimit dhe po e shohim që nëse vazhdon me këtë tempo, Kuvendo zor që bëhet para Bajramit!
Efekti i pritur i kësaj risie ligjore është një përbërje e Kuvendit që është më cilësore dhe një votë më e shpërndarë, për dlalim nga vota e koncentruar në grupe me nga 5 deputetë të një rajoni ose një klike.
Nëse ky efekt është mbërri duhet të shohim rezultatet!
Jusuf Shujak, me ngulm insiston se nuk kishte gisht në krimet e luftës.
Por, Prokurori Special është i bindur se i njëjti ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, në Gjakovë, pikërisht me datën 10 maj 1999, derisa ishte pjesë e forcave paramilitare serbe.
“Në rrugën bajram curri në Gjakovë, pjesëtarë të forcave paramilitare serbe, ku bënte pjesë edhe I pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, kanë hyrë në shtëpinë e Muhamet Dylës, KU ISHIN dukë qëndruar Mujamet Dyla, dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë dhe dy të zhvendosur”, tha prokurori special, Kastriot Mema.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, edhe u vranë me pretendimin se ishin pjesë e UÇK-së.
“Fillimisht I urdhëruan të dalin në oborr, sapo dolën, një polic serb I ndalon Cene Hajdaraj dhe Isa lokaj, dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet. Dhe një pjesëtar u kishte thënë se jeni UCK, dhe shtënë me armë, dhe I vret që të dy”, tha më tej Mema.
Përballë kësaj akuze, Shijak, nuk ndjehet fajtor.
“Jam i pafajshëm. Nuk e di për çfarë rasti bëhet fjalë”, deklaroi i akuzuari.
Me këtë deklarim, gjykimi ndaj tij edhe filloi, pasi ditë më parë kishte dështuar në mungesë të shkresave të lëndës.
Jusuf Shujak ishte arrestuar në prill të vitit 2024, në fshatin Banjskë, vend në të cilin punonte si postier. I njëjti, aso kohe dyshohej se kishte lidhje të afërta me Milan Radojicicin.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Mënyra si trupi gjykues po e pyet dëshmitarin Sylejman Selimi, nuk po i pëlqen fare avokatit të Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Edhe vetë Kadri Veseli, reagon duke u ngritur në këmbë për të komunikuar me ekipin e tij të mbrojtjes.
Avokati ankohet se gjykatësi nuk po e ruan paanshmërinë me pyetjet që po bën, gjatë seancës së të enjtes.
“Këto nuk janë pyetje sqaruese, por janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues, prandaj kjo është që e kemi trajtuar në mocionin tonë, këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese”, deklaroi Dixon.
Ekipet mbrojtëse madje kanë paraqitur mocion për të kërkuar paanshmëri nga trupi gjykues, në fund të nëntorit. Por kryetari i trupit, Charles Smith III, thotë se marrja në pyetje vazhdon me të njejtën metodë.
“Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetje në formën siç e kemi bërë. Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje lidhur me çdo temë të mundshme”, deklaroi Smith III.
Megjithatë, Dixon insiston të marrë përgjigje.
“Po unë po them që në mocionin tonë të garantohen të drejtat e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Po theksoj edhe një herë që sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit në përfundimet e tyre”, tha Dixon.
Një ditë më parë, edhe Hashim Thaçi, reagoi duke u ngritur në këmbë në seancën ky po dëshmonte Sylejman Selimi.
Së fundmi, përmes një letre, katër të akuzuarit, kanë kërkuar nga gjyqtarët që të mos e mbështesin vetëm njërën palë, por të kontribuojnë në zbardhen e së vërtetës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Në ditën e katër të dëshmisë së tij në Hagë, ish-komandanti Sylejman Selimi, u pyet rreth urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm dhe për komandantin Adem Jashari.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit, Selimi tha se nuk i din kontaktet direkte të Adem Jasharit derisa nga trupi gjykues u insistua të dihej se a ka pasur Jashari kontakte me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm.
“Prapë po them të njëjtën gjë edhe tash edhe atëherë kur kam deklaru. Adem Jashari ka pasur kontakte me të gjithë. Unë nuk kam ditur ku ka qenë Shtabi dhe a ka ekzistu në atë kohë por ai ka pasur kontakte edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm edhe me njerëz të tjerë”, tha Selimi.
Derisa kishte insistim në këtë drejtim Selimi u tregua më i prerë duke thënë se Jashari ishte kryesori dhe se ai nuk mori urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Adem Jashari s’ka marrë urdhra por ka jep urdhra. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin s’kishte me pas as UÇK”, tha Selimi.
Po ashtu, Selimi Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, mohoi se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e konfirmoi edhe për avokatin e Veselit Rodney Dixon. Ai rikonfirmoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.
Pas kësaj, Selimi përfundoi edhe dëshminë e tij në këtë proces dhe nëpërmjet një deklarate Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës tha se të gjitha procedurat hetimore ndaj tij kanë pushuar.
Ndërkaq në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Krahas të bërit fushatë për vete, partitë politike nuk reshten së ankuari për partitë tjera.
Në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shkuan me qindra ankesa, prej të cilave për më shumë se 120 u morën vendime dënuese.
E kostoja e këtyre vendimeve ishte goxha e lartë, pasi partive politike iu shqiptuan gjoba në vlerë totale mbi 650 mijë euro.
“Prin lëvizja vetëvendosje me 202 mijë euro gjobë, pastaj PDK me 143 mijë ero gjobë, LDK-ja me 141 mijë euro, AAK me 81 mijë euro, Koalicioni për Familjen 33 mijë euro dhe Lista Serbe 21 mijë euro gjobë”, tha Vullnet Bugaqku, hulumtues në IKD.
Natyra e dënimeve ishte e ndryshme, por më së shumti, u dhanë për shkak të gjuhës së ashpër që politikanët e përdorën në fushatë.
“Këto zgjedhje mund të themi lirisht që i karakterizon një gjuhë e ashpër, e papërshtatshme, fyese, nxitëse dhe urryese e shprehur mes kandidatëve dhe subjekteve politike”, tha Bugaqku.
Në fakt kjo konsiderohet edhe si fushata më e ashpër ndonjëherë në Kosovë.
E një gjuhë e tillë me fyerje e linçime, sipas profesorit të gazetarisë, Gzim Qerimi nuk është e shëndetshme për një shoqëri demokratike.
“Ne duhet ta trajtojmë këtë gjuhë edhe nga perspektiva etike dhe jo vetëm nga perspektiva ligjore sepse shumë gjëra nuk dënohen me ligj por në aspektin etik dhe mënoj që gjuha që është përdoru nga partitë politike është papranueshme dhe kanë treguar që në realitet nuk janë model i mirë i të bërit politikë”, tha Qerimi.
Dënimet e shqiptuara nga PZAP-ja, partitë politike duhet që t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, në të kundërtën shqiptohet masa e përmbarimit. E krejt këto para, shkojnë në buxhetin e shtetit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Pavarësisht pajisjeve të reja dhe programeve të avancuara të krijuara për të thjeshtuar numërimin e votave, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm iu komplikuan punët.
Fillimisht për shkak të pengesa të qasjes në ueb-faqe, KQZ-ja nuk arriti t’i publikoj rezultat preliminare të vendvotimeve, brenda dyzet e tetë 48 orëve nga mbyllja e vendvotimeve, ashtu siç e parasheh Ligji i ri për Zgjedhjet.
Derisa aktualisht ky institucion po përballet edhe me probleme në sistemin e numërimit të votave, të cilat poashtu po shkaktojnë vonesa në nxjerrjen e rezultateve për kandidatët për deputetë.
Të gjitha këto, po vlerësohet se e dëmtojnë gjithë procesin e zgjedhjeve.
Madje, sipas Kolshit, vështirësitë me të cilat po përballet KQZ-ja mund t’i shtyjnë partitë të vënë në pikëpyetje rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Njohës të procesit të zgjedhjeve, problemet e KQZ-së i lidhin edhe me rezultatin e partisë në pushtet.
Problemet e KQZ-së nxitën reagime të shumta të përfaqësuesve të partive politike, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita.
Qeveria, në anën tjetër, hoqi përgjegjësin për problemet e serverëve dhe softuerëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq shprehu pritjen e tij që pas zgjedhjeve në Kosovë “vullneti i qytetarëve të respektohet dhe të mos deformohet në asnjë mënyrë politike”.
Ai këto komente i bëri pas takimit sot në Beograd me homologun e tij hungarez, Péter Szijjárto.
“Numërimi i votave është duke u zhvilluar dhe për fat të keq ka një përpjekje për të ndikuar disi në rezultatin se si votuan qytetarët”, tha Gjuriq në një konferencë për shtyp pas takimit.
Gjuriq ka komentuar edhe protestat e studentëve që kanë shpërthyer pas shembjes së tendës hekurudhore më 1 nëntor 2024 në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 15 persona, dhe disa të tjerë u lënduan.
“E ritheksova bindjen time se ne në Serbi kemi durimin dhe mençurinë që të mos lejojmë skenarë të ndryshëm që mund të ngjajnë qoftë me revolucione me ngjyra apo me tentativa të ndryshme destabilizimi, për të mos lejuar që të ndodhin skenarë të tillë në vendin tonë”, tha ai.