ATV

Author: ATVLive

  • Ende s’është kapur i pandehuri që u arratis dje pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë

    Ende s’është kapur i pandehuri që u arratis dje pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë

    Një person dje është arratisur derisa ishte nën shoqërimin e dy zyrtarëve policorë pas seancës gjyqësore në Pallatin e Drejtësisë.

    Policia tha se ai është larguar në drejtim të panjohur, ndërsa gjatë arratisjes ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë, i cili më pas ka marrë tretman mjekësor.

    “Pallati i Drejtësisë Hajvali, Prishtinë 14.02.2025 – 12:15. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka qenë duke u shoqëruar nga dy zyrtarë policorë pas seancës gjyqësore është arratisur dhe larguar në drejtim të panjohur. I dyshuari gjatë arratisjes ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë i cili ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe vazhdon të hetohet”.

  • Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Vrasje në tentativë në Prishtinë

    Një person është plagosur me armë zjarri në rrugën “Shkupi” në Prishtinë dje pas mesnate.

    Policia e Kosovës tha se nuk dihen ende shkaqet dhe se i dyshuar ende është i panjohur, ndërsa i plagosuri është dërguar në QKUK.

    “Rr. Shkupit, Prishtinë 14.02.2025 – 00:19. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, për shkaqe ende të panjohura ishte plagosur me armë zjarri nga personi – i dyshuari ende i panjohur. Viktima është dërguar në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Hovenier: Nuk do të këshilloja Sorensenin që të negociojë zotime të reja, as Kosova as Serbia s’i morën seriozisht obligimet

    Hovenier: Nuk do të këshilloja Sorensenin që të negociojë zotime të reja, as Kosova as Serbia s’i morën seriozisht obligimet

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Asociacioni nuk është hequr si obligim i Kosovës dhe se ai aty është që nga viti 2013, por se ai u përsërit në Marrëveshjen e Ohrit.

    Hovenier thotë se nëse do t’i jepte këshillë emisarit të ri të Bashkimit Europian, Peter Sorensen, do të ishte që të mos negociojë zotime të reja, por të përmbushën këto të vjetrat.

    “Republika e Kosovës bëri një zotim për këtë në vitin 2013. Ai zotim nuk është hequr dhe ai zotim qëndron. Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Dhe unë personalisht besoj – dhe nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensen dhe Bashkimit Europian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim. As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, tha Hovenier në Atlantic Council.

    Hovenier tha se nëse kjo do të lëvizë përpara do të ndryshojë dinamikën dhe do të përfitojë edhe Kosova edhe Serbia.

    Po ashtu, diplomati amerikan thotë se Kosova ka ngecur në mënyrën se si të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave, ndërsa e potencoi se mbështetja amerikane për Kosovën e pavarur ishte për një vend multietnik me mbrojtje të veçantë të pakicave, veçanërisht pakicën serbe.

    “Aty ku kemi ngecur ka qenë disa herë në çështjet shumë të vështira të ndjeshme se si të përmbushen më së miri premtimet e bëra dhe vizioni i vendit në kohën e [kur shpalli] pavarësisë në bazë të mbështetjes sonë për pavarësinë, i cili ishte për një vend multietnik dhe në të cilin do të kishte disa mbrojtje të veçanta për komunitetet joshumicë, veçanërisht komunitetin serb, duke pasë parasysh historinë e ndërlikuar dhe të vështirë”.

    Hovenier përsëriti atë që e kishte thënë disa herë edhe sa ishte në detyrë në Prishtinë që mënyra se si duhet të përmbushet ky obligim i Kosovës duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e saj, raporton gazeta Express

    “Kështu që ne u ngecëm në disa nga çështjet se si të zbatohen më së miri mbrojtjet kushtetuese për komunitetet pakicë. Ne ngecëm në çështjet se si Serbia mund të ushtrojë më së miri të drejtën që ka nën Ahtisaarin për t’i dhënë mbështetje komunitetit serb në Kosovë, por në një mënyrë që janë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”.

  • Shtyhet afati i aplikimit për fëmijët 3 deri në 5 vjeç në institucionet parashkollore

    Shtyhet afati i aplikimit për fëmijët 3 deri në 5 vjeç në institucionet parashkollore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Programin e Kuponëve, raporton EO.

    Afati i fundit është 26 shkurti, ndërsa aplikimi sipas Ministrisë së Arsimit realizohet vetëm nëpërmjet e-Kosova.

    “Programi ka për qëllim të përmirësojë qasjen e fëmijëve 3 deri në 5 vjeç në Institucionet e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme (IEFH) nga familjet të cilat janë të regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale (SAS)”, thuhet në njoftim.

    Nëpërmjet Programit të Kuponëve, MASHTI do të rimbursojë pagesën e edukimit dhe transportit për fëmijët e përzgjedhur. “Ftohen të aplikojnë familjet e regjistruara në SAS të cilat banojë në Prishtinë, Gjilan dhe Lipjan në mënyrë që të përfitojnë nga programi”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, sqarohet se aplikuesit mund të jenë prindërit apo kujdestarët ligjorë të fëmijës.

    Ndër kriteret që parashihet janë që prindërit të kenë të paktën një fëmijë të moshës nga 3 deri në 5 vjeç në kohën e regjistrimit në IEFH. “Mosha e fëmijës llogaritet nga data e ofrimit të shërbimit në IEFH, jo nga data e aplikimit në Program. Rrjedhimisht prindi apo kujdestari ligjor mund të aplikojë edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 5, duke filluar nga 2 vjet e 6 muaj deri në moshën 4 vjet e 6 muaj. Me kusht që vijimin në IEFH ta nis në moshën 3 vjeçare dhe ta përfundojë kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor pas moshës 5 vjeçare. Fëmija duhet të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për ta vijuar IEFH”, bëhet e ditur nga Ministria e Arsimit.

  • Kurti tregon tri kërkesat që i ka në dialog

    Kurti tregon tri kërkesat që i ka në dialog

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munich, aty është takuar me emisarin e ri special të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, të cilit edhe i uroi suksese në detyrën e re, raporton Ekonomia Online,

    Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social X ka treguar për tri kërkesat që i ka në dialog: Serbia duhet ta tërheq letrën e drejtuar EEAS në dhjetor të 2023, ta dorëzojë Milan Radoçiqin, dhe Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme.

    “Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe aneksit të saj. Serbia duhet të tërheqë letrën e saj të 13 dhjetorit 2023 drejtuar EEAS dhe të dorëzojë Milan Radoiçiq-in për të rikthyer besimin në dialog, ndërsa Marrëveshja duhet të nënshkruhet për të parandaluar shkeljet e ardhshme”, shkroi Kurti.

  • Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin ndërkombëtar

    Sfidat e qeverisë së re të Kosovës në planin ndërkombëtar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u zotua të premten se vendi do të angazhohet me aleatët që procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës.

    Ajo i bëri këto komente pas takimit të parë me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, gjatë të cilit siç thuhet në njoftim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe pritshmëritë nga dialogu i Brukselit.

    Takimi u zhvillua gjatë konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë, në kuadër të të cilës, zoti Sorensen takoi ndarazi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Për të ecur përpara me marrëveshjen e Ohrit nevojitet nënshkrimi saj, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti.

    Këto takime ndodhin në një periudhë të rëndësishme, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, rezultatet e të cilave pritet të kenë ndikim edhe në ritmin e dialogut.

    Pesë ditë pas zgjedhjeve të së dielës, Komisioni Qendror po vazhdon procesin e numërimit të votave mes kritikave për vonesa dhe problemeve që u shfaqen në faqen internetit të këtij institucioni gjatë publikimit të rezultateve të partive politike.

    Ndërsa vazhdon numërimi i votave vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për formimin e qeverisë së re të vendit. Nëse lëvizja Vetëvendosje, e cila ka numrin më të madh të votave, nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave.

    “Ne vërtetë e kemi një fitues në kuptimin e lëvizjes Vetëvendosje si e para por njëkohësisht edhe partitë opozitare bashkërisht janë me numër më të madh, pra kemi dy fitues relativ. Ajo që mendoj që do të ishte më e mira të ndodhte është një qeveri e qëndrueshme e cila do të mund të përballet me sfidat që janë përpara veçanërisht në kontekstin ndërkombëtar”, tha analisti Agon Maliqi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës.

    Zoti Maliqi thekson se qeveria e re duhet të ndjek një rrugë tjetër nga katër vitet e fundit në rrafshin ndërkombëtar.

    “Pikë së pari që sinjalizon një lloj dëshire dhe vullneti për të punuar shpejt në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që nuk flet për luftë dhe që nuk merr masa që shihen si destabilizuese nga ana e NATO-s sepse lloji i administratës amerikane që është tani në pushtet por edhe fakti që Kosova nuk i ka punët mirë as me aleatët e saj në Evropë, nuk ja jep Kosovës luksin të bëhet palë që shihet si problematike. Kosovës i duhet një qeveri që e ndërmerr nismën menjëherë për të riparuar me SHBA-të”, tha ai.

    Zoti Maliqi vlerëson se Kosova aktualisht është një faktor i shpërfillur që rrezikon ta marrin me vete dinamikat ndërkombëtare pa u dëgjuar zëri i saj.

    Skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë këtyre dinamikave thotë ai.

    “Është e qartë se në asnjërin prej këtyre skenarëve nuk sigurohet dy e treta dhe nuk sigurohet vazhdimësia e qeverisë pas skadimit të mandatit të presidentes. Pra për tema të mëdha do të ishte mirë të krijohet një qeveri e fortë. Por jashtë kësaj nëse nuk ka mundësi për tu krijuar një qeveri të tillë dhe palët janë aq larg rreth një vizioni të përbashkët rreth kësaj atëherë gjithsesi skenari më i keq do të ishte përsëritja e zgjedhjeve. Në këtë rast edhe një qeveri që krijohet dhe zgjat aq sa zgjat do të ishte më mirë sesa të futemi në një lloj situate ku nuk ka asnjë adresë të përgjegjësisë”, thotë ai.

    Procesi i ngecur i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë se re, krahas përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës./VOA/

  • Shi dhe borë – Moti për sot

    Shi dhe borë – Moti për sot

    Më ftohtë ditën e shtunë. Mundësi për shi e borë. Përmirësim i cilësisë së ajrit.

    Mot më i ftohtë po parashihet për ditën e shtunë, kryesisht me vransira.

    Orëve të para të ditës priten kushte për reshje të pakta shiu, apo dhe dëbore me rënie të temperaturës.

    Frynë erë e ftohtë, mesatare, nga veriu e verilindja 6-12m/s. Temperaturat minimale zbresin në 2C e 4C, e ato maksimale shkojnë deri në 3C e 6C.

  • ​Kurti udhëton për në Gjermani

    ​Kurti udhëton për në Gjermani

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Munih të Gjermanisë për të marrë pjesë në konferencën treditore të sigurisë, forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë dhe nismat diplomatike për të adresuar shqetësimet më të ngutshme të sigurisë në botë.

    Konferenca e 61-të e Sigurisë në Munih do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt në hotel “Bayerischer Hof” dhe do të ofrojë edhe një herë një platformë të pashembullt për debate të nivelit të lartë mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë të kohës sonë.

    Në konferencë marrin pjesë 450 personalitete botërore, përfshirë liderë të shteteve, ministra, organizatave ndërkombëtare dhe joqeveritare, përfaqësues të rangut të lartë të industrisë, medias, akademisë dhe shoqërisë civile.

    Në Munih ndodhet edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili sot mori pjesë në ministerialin e katërt, me temën mbi financimin e terrorizmit si kërcënim global i sigurisë.

    Konferenca e Sigurisë së Munihut ka rrënjë transatlantike dhe evropiane, por aktivitetet e saj pasqyrojnë gjithashtu një botë të globalizuar dhe gjithashtu tërheq vëmendjen ndaj çështjeve që mund të mos jenë ende në krye të agjendës së komunitetit të sigurisë.

  • ​Google prezanton teknologjinë e re për të vlerësuar moshën e përdoruesve

    ​Google prezanton teknologjinë e re për të vlerësuar moshën e përdoruesve

    Google do të fillojë testimin e një veçorie këtë vit që përdor mësimin e makinerive për të përjashtuar fëmijët që përpiqen të kenë qasje në përmbajtjen për të rritur në YouTube.

    Një “modeli i vlerësimit të moshës i bazuar në mësimin e makinës” do të përpiqet të parashikojë nëse një përdorues është nën 18-vjeç dhe, nëse po, të zbatojë cilësimet e përshtatshme të filtrit të moshës në llogarinë e tij.

    Njoftimi vjen mes një morie njoftimesh të Google për sigurinë e fëmijëve, ndërsa Senati i SHBA-së shqyrton një projektligj që do t’i ndalonte adoleshentët të kenë qasje në mediat sociale.

    Kryeshefi ekzekutiv i YouTube, Neal Mohan, përmendi për herë të parë veçorinë e kufizimit të moshës ML të martën në letrën e tij në lidhje me “bastet” e platformës për vitin e ardhshëm.

    “Ne do të përdorim mësimin e makinerive në vitin 2025 për të na ndihmuar të vlerësojmë moshën e përdoruesve – duke bërë dallimin midis shikuesve më të rinj dhe të rriturve – për të ofruar përvojat më të mira dhe më të përshtatshme dhe mbrojtjen e moshës”, shkroi ai.

    Një zëdhënës i YouTube shpjegoi për Engadget se modeli do të bëjë parashikimet e tij duke përdorur të dhëna të tilla si llojet e informacionit që një person kërkon, kategoritë e videove që shikon dhe moshën e llogarive të tyre.

    Për shembull, nëse dikush kërkon shpesh informacion në lidhje me hipotekat ose taksat, kjo ka të ngjarë të tregojë se personi është mbi 18-vjeç. E njëjta gjë për një llogari më të vjetër se 20-vjeç.

    Nëse modeli ML parashikon që dikush është i mitur, YouTube do të zbatojë mbrojtjen e tij standarde për të ofruar një përvojë të përshtatshme për moshën.

    YouTube njoftoi se do të fillojë testimin e mjetit të filtrimit deri në fund të këtij viti, ndërsa planifikon ta shpërndajë atë globalisht në vitin 2026.

  • Behrami thotë se pushteti ka për synim ta çojë vendin në zgjedhje të reja për t’i ikur presionit ndërkombëtar

    Behrami thotë se pushteti ka për synim ta çojë vendin në zgjedhje të reja për t’i ikur presionit ndërkombëtar

    Anëtari i PDK-së, Artan Behrami, në emisionin CONTEXT në ATV, hodhi dyshime se shtyrja dhe vonesat në procesin e numërimit janë pjesë e një taktike të pushtetit për të shpallur zgjedhje të reja dhe për të shmangur presionin ndërkombëtar.

    Sipas Behramit, kjo situatë po shërben për dy qëllime kryesore: për të arritur rezultatin e dëshiruar dhe për të fituar kohë përballë trysnisë ndërkombëtare.

    “Arsyeja e parë është që duhet t’i dalë profecia për 500 mijë vota. Dhe e dyta është për t’i ikur presionit ndërkombëtar, pra për ta çuar vendin në zgjedhje diku nga qershori dhe për të humbur një vit kohë. Ata që e përcjellin politikën, e kanë parë se zhvillimet globale do të përfshijnë edhe Kosovën herët a vonë,” tha Behrami.

    Ai tha se vonesat e krijuara po dëmtojnë procesin e numërimit dhe po bëjnë të pamundur punën e komisionerëve dhe vëzhguesve.

    “Komisionerët dhe vëzhguesit nuk mund të qëndrojnë dy-tre javë duke bërë të njëjtën punë. Sot futen në sistem 500 vota, bie sistemi dhe ato fshihen, pastaj duhet të rifillojnë nga e para. Kjo është një luftë nervash që i shërben këtij pushteti, vetëm sepse numrat nuk i kanë dalë ashtu siç kanë pretenduar”, u shpreh Behrami.

    Deklaratën e plotë të Artan Behramit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: