ATV

Author: ATVLive

  • ​Sveçla në Munih përmend financimin e grupeve nga Serbia për sulme terroriste në Kosovë

    ​Sveçla në Munih përmend financimin e grupeve nga Serbia për sulme terroriste në Kosovë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në Konferencën e Sigurisë sot në Munih ka ngritur shqetësimet e tij mbi sfidën e financimit nga Serbia të grupeve dhe individëve të caktuar për sulme terroriste në Kosovë.

    Ai tha se aktet terroriste rrezikojnë sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

    Sveçla theksoi angazhimet institucionale të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit dhe financimit të tij.

    “Me këtë rast, para të pranishmëve potencova edhe sfidën e financimit nga Serbia të grupeve dhe individëve të caktuar, me qëllim të kryerjes së akteve terroriste brenda vendit tonë për të destabilizuar sigurinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me shtetet aleate në këtë betejë të përbashkët e cila përbën rrezik global”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kujtojmë, në Munih po mbahet Konferenca e Sigurisë, në të cilën ministri Sveçla ishte pjesë e ministerialit të katërt me temën mbi financimin e terrorizmit si kërcënim global i sigurisë.

  • BE synon të investojë 200 miliardë euro në IA

    BE synon të investojë 200 miliardë euro në IA

    Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se ata synojnë të nisin një investim prej 200 miliardë eurosh në fushën e inteligjencës artificiale në Evropë.

    Von der Leyen foli në Samitin e Veprimit të Inteligjencës Artificiale që po mbahet në Paris.

    Ajo tha se duan ta bëjnë Evropën një nga kontinentet lider në fushën e inteligjencës artificiale dhe se do të përshpejtojnë punimet e tyre në këtë fushë.

    Von der Leyen kujtoi se disa nga superkompjuterët publikë më të shpejtë në botë ndodhen në Evropë.

    Ajo theksoi se ata do t’i vënë këto sisteme të disponueshme edhe për punimet e inteligjencës artificiale të kompanive dhe hulumtuesve.

    Presidentja e KE-së theksoi se fabrikat e inteligjencës artificiale që kanë krijuar do t’i çojnë në një nivel tjetër me gigafabrikat e inteligjencës artificiale.

    “Këto do të jenë në gjendje të trajnojnë modele me të dhëna shumë të mëdha dhe infrastrukturë të përpunimit të informacionit”, shtoi Von der Leyen.

    Pasi vuri në dukje se fusha e inteligjencës artificiale në Evropë ka nevojë për financime të konsiderueshme si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat, Von der Leyen tha se e mirëpret nismën e inteligjencës artificiale, për të cilën sektori privat ka premtuar 150 miliardë euro.

    Sipas saj, BE-ja do të sigurojë 50 miliardë euro shtesë burime në fushën e inteligjencës artificiale me nismën “InvestAI”.

    “Ne synojmë të mobilizojmë një total prej 200 miliardë eurosh për investime në inteligjencën artificiale në Evropë”, tha Von der Leyen.

    Në deklaratën e KE-së lidhur me temën, u vu në dukje se do të krijohet një fond i ri evropian prej 20 miliardë eurosh për giga-fabrikat e inteligjencës artificiale.

    Kohën e fundit BE-ja është përpjekur të arrijë rivalët e saj si SHBA-në dhe Kinën duke bërë investime të reja në fushën e inteligjencës artificiale.

  • ​Shpërthejnë protesta në Bruksel kundër planit për uljen e pensioneve

    ​Shpërthejnë protesta në Bruksel kundër planit për uljen e pensioneve

    Pothuajse 100 mijë njerëz protestuan sot në Bruksel kundër planeve të qeverisë belge të qendrës së djathtë për të shkurtuar pensionet dhe shpenzimet sociale në mënyrë që të reduktojë borxhin e madh kombëtar.

    Përveç protestave në rrugë, Aeroporti Ndërkombëtar i Brukselit është mbyllur dhe autobusët dhe tramvajet janë ndalur kryesisht.

    Arsyet e protestave janë të njëjta në të gjithë Evropën, ku një ekonomi e dobësuar po i detyron qeveritë të shkurtojnë përfitimet sociale të konsideruara prej kohësh si të mirëqena.

    Belgjika, shtëpia e selisë së NATO-s, aktualisht shpenzon vetëm 1.3 për qind, duke e bërë atë një nga katër vendet më të këqija midis anëtarëve të NATO-s.

    Përkeqësimi i krizës buxhetore shoqërohet me presion në rritje nga partnerët e NATO-s të Belgjikës, veçanërisht nga SHBA, për të rritur buxhetin e mbrojtjes në dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

    Ministri i Mbrojtjes Theo Franken këmbënguli se gjërat do të ndryshonin.

    “Do të kemi para shtesë. Belgjika është një vend i pasur. Ne do t’i gjejmë paratë,” tha ai në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

    Njoftimi se paratë do të shpenzohen për mbrojtje, jo për pensione, dha një shtysë shtesë për demonstratat.

    “Zgjedhja u bë për investime masive në mbrojtje, duke i frikësuar njerëzit sikur Putin mund të ishte nesër në Bruksel”, thanë udhëheqësit e sindikatave.

    De Wever këmbënguli në parlament se “reformat do të jenë graduale dhe do të kenë drejtësinë sociale si parim udhëzues”.

  • ​Eduard Joseph në mbështetje të protestuesve në Serbi, bën ‘selfie’ me ta

    ​Eduard Joseph në mbështetje të protestuesve në Serbi, bën ‘selfie’ me ta

    Analisti për Ballkanin, Eduard Joseph po i mbështet protestat e studentëve në Serbi, të cilët po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi pas shembjes së çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad.

    Ai, gjatë protestës në Beograd është fotografuar me protestuesit që po marshonin.

    Shembja e çatisë në Beograd la të vdekur 15 persona. Kjo bëri që studentët serbë të nisin protestat, të cilat më pas u përhapën në të gjithë Serbinë.

    Me dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon më shumë përgjegjësi dhe drejtësi.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuciq pretendon se përmes këtyre protestive shërbimet e huaja po mundohen ta rrëzojnë atë nga pushteti.

    Deri më tash dorëheqje ka dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuceviq dhe kryetari i Novi Sadit. Kjo u pa si një strategji e Vuciqit për të fituar kohë.

  • ​Sekretari i Mbrojtjes i Trump: Ne duam ta bëjmë NATO-n përsëri të madhe

    ​Sekretari i Mbrojtjes i Trump: Ne duam ta bëjmë NATO-n përsëri të madhe

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se vendi i tij i mbetet besnik NATO-s, se dëshiron ta bëjë atë të shkëlqyeshëm përsëri, por se kjo kërkon që aleatët evropianë dhe Kanada të investojnë shumë më tepër në mbrojtje.

    Hegseth tha në një konferencë shtypi pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s se këmbëngulja amerikane për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes nga aleatët nuk është e re.

    Ai tha se edhe presidenti Dwight Eisenhower, i cili sundoi nga viti 1953 deri në vitin 1961, shprehu shqetësimin në fund të mandatit të tij se Evropa nuk po mbante mjaftueshëm barrën e mbrojtjes.

    “Për të përdorur fjalët e Eisenhower-it, ata bënë një pinjoll nga xhaxhai Sam. Por, ji i sigurt, presidenti Trump nuk do të lejojë askënd ta kthejë xhaxhain Sam në pinjoll”, tha Hegseth.

    Ai hodhi poshtë kritikat se presidenti Donald Trump, me iniciativën e tij, i bëri lëshime Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në dëm të Ukrainës.

    Ai tha se Trump është “negociatori më i mirë në botë” dhe negocion nga një pozicion i fuqisë, jo i dobësisë.

    “Çdo sugjerim se presidenti Trump po bën diçka tjetër përveç negociatave nga një pozicion i fortë është i rremë. Ne kemi negociatorin e përsosur në tryezë nga një pozicion i forcës për t’u marrë me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Askush nuk do të marrë gjithçka që dëshiron,” tha Hegseth.

  • ​Tragjedia në Cetinje, studentët kërkojnë sërish dorëheqjen e zyrtarëve të shtetit

    ​Tragjedia në Cetinje, studentët kërkojnë sërish dorëheqjen e zyrtarëve të shtetit

    Grupi joformal i studentëve “Ku të nesërmen” ka vazhduar për ditën e pestë radhazi bllokadat në Podgoricë, për shkak të kërkesave të pa përmbushura në lidhje me tragjedinë në Cetinje ku humbën jetën 13 persona.

    Studentëve iu bashkuan qytetarët nga të gjitha qytetet e Malit të Zi në një bllokadë të përbashkët nga ora 11:00 deri në 17:26.

    Milo Peroviq nga grupi “Ku nesër?” tha se ata e kanë raportuar protestën në polici dhe bulevardi “Stanko Dragojeviq” është mbyllur për qarkullim.

    Studentët kërkuan sërish dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Danilo Sharanoviq dhe zëvendëskryeministrit Aleksa Beçiq.

    Marko Vukçeviq nga grupi “Ku nesër?” tha se edhe një herë është treguar se një numër i madh njerëzish qëndrojnë pas kërkesave dhe se duan të jetojnë në një vend më të sigurt.

    “Kanë qenë nja 200 vetë vazhdimisht, duhet të kenë kaluar një mijë persona, nëse jo më shumë, gjatë ditës këtu. Jemi të sigurt që na ka dëgjuar qeveria, shpresojmë se do të dëgjojnë dhe kërkesat do të plotësohen së shpejti”, tha ai për Vijesti.

    Ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të organizohet një protestë e madhe dhe se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.

    Aco Martinoviq, autor i vrasjeve më 1 janar 2025, kishte lënë të vdekur 13 persona dhe më pas kreu vetëvrasje. Në xhepin e tij më pas janë gjetur edhe 80 plumba.

    Policia kishte bërë të ditur se të gjitha vrasjet në tragjedinë e Cetinjes u kryen për 30 minuta, pasi Aco Martinoviq kishte filluar të qëllojë në lokal. Mes të vrarëve ishin tre gra dhe dy djem, dy vëllezër të moshës 8 dhe 13-vjeç.

    Aco Martinoviq pas largimit nga vendi ngjarjes ka vrarë veten pranë shtëpisë së tij familjare në Cetinje dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin e Cetinjës.

    Mali i Zi pati shpallur tri ditë zie në nderim të viktimave të një prej krimeve më të rënda të regjistruara në vend.

    “Jam i tronditur dhe i tronditur nga kjo tragjedi që ka mbuluar me të zeza Cetinjen tonë dhe u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe miqve të viktimave”, pati shkruar presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq në rrjetin social X.

    Shumica e viktimave ishin anëtarë të familjes së Martinoviq, kumbarë ose miq të tij. Martinoviq kishte qenë i dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje të dhunshme.

    Mediat e Malit të Zi pas vrasjes raportuan se në Cetinje kishte prani të një numri të vogël të policisë në rrugë, gjë e cila shkaktoi revoltë në mesin e qytetarëve, pas të cilës nisën kërkesat për dorëheqjen e Sharanoviq dhe Aleksa Beçiq, duke pasuar me bllokada të studentëve në rrugë.

  • ​Sa e dëgjojnë qytetarët radion sot

    ​Sa e dëgjojnë qytetarët radion sot

    Sot është Dita Botërore e Radios, e cila mbetet një medium jetik për përhapjen e ndërgjegjësimit, edukimin e audiencës dhe inkurajimin e veprimit kolektiv.

    Qytetarët e intervistuar nga KosovaPress thonë se përkundër faktit që ajo nuk dëgjohet sikur në të kaluarën, radio mbetet një pjesë e përditshmërisë, duke e konsideruar një burim të rëndësishëm të informacionit.

    Blerta, qytetare, thotë se dëgjon shumë shpesh radio gjatë vozitjes në automjet.

    “Thuajse shumë shpesh, sepse voziti edhe gjatë shkuarjes për në punë me veturë, atëherë dëgjoj edhe radio… Ndoshta edhe jo, sepse janë edhe këto rrjetet tjera të komunikimit, si rrjetet sociale, që i shfrytëzojnë rinia, edhe të tjerët besa jo vetëm rinia. Ndoshta edhe dëgjohet mirëpo duke u nisur nga vetja jo shumë. Gjithsesi nëse je në trafik e dëgjon”, tha ajo.

    Edhe Edor Dyla thotë se ndjek rregullisht emisionet e ndryshme në radio kur është duke vozitur.

    “Ndonjëherë, kur jam në makinë. Përveç makinës nuk dëgjojë, vetëm në makina”, tha ai.

    Ndërsa Shefki Buzhala thekson se nuk ka shumë kohë për të dëgjuar radio, dhe se zakonisht e përcjell televizionin.

    “Shumë rrallë, se nuk kemi kohë edhe aq shumë. Kush ka kohë e dëgjon, kush nuk e dëgjon… Kur kemi kohë dëgjojmë, kohë nuk kemi, shumicën e kohës vetëm televizion, radio shumë rrallë”, potencoi ai.

    Ndërsa qytetari tjetër Nasuf Mjekiqi mendon se radio nuk dëgjohet sikur më parë.

    “Radio dëgjojmë më së shumti në veturë . Si ta ndezi veturën, më ndizet edhe radio. Jo nuk dëgjohet si më përpara, atëherë nuk kemi pasur televizion kështu që kemi qenë më të koncentruar në radio dhe e kemi dëgjuar. Nuk informohem shumë nga radioja, aty më shumë bëjnë pyetje si gjithmonë”, tha ai.

    Ndërsa Bajram Ismaili thotë se ndjek vazhdimisht radion në kohën e lirë.

    “Dëgjoj shpesh. Zakonisht kur jam në shtëpi, qetë dhe kur kam kohë jam i lirë e dëgjoj Kosovën e Lirë. Zakonisht informohem më së shumti prej radios. Sot radio nuk dëgjohet më pak si në kohët e kaluara”, potencoi Ismaili.

    E shpallur në vitin 2011 nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s dhe e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 2012 si Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, 13 shkurti u bë Dita Botërore e Radios (WRD).

    Tema e Ditës Botërore të Radios 2025 është Radio dhe Ndryshimet Klimatike: Një mjet i fuqishëm për veprimin klimatik.

    Ndërsa Marrëveshja e Parisit merr një rëndësi të madhe, radio kontribuon në arritjen e objektivave të saj ndërkombëtare duke mbështetur popullsinë përballë ndryshimeve klimatike përmes shpërndarjes së informacionit të bazuar në fakte, zërave të dëgjuesve, emisioneve të dedikuara radiofonike.

    Në vitin 2025, roli i radios në trajtimin e ndryshimeve klimatike është më i rëndësishëm se kurrë, duke ofruar një platformë për biseda që promovojnë qëndrueshmërinë mjedisore dhe frymëzojnë veprime.

    Qoftë nëpërmjet stacioneve radiofonike të komunitetit që transmetojnë lajme lokale për klimën, rrjeteve kombëtare që rrisin ndërgjegjësimin për sfidat globale mjedisore, ose stacioneve globale që promovojnë marrëveshje ndërkombëtare për klimën, radio ndihmon në përforcimin e zërave dhe bashkimin e njerëzve rreth një angazhimi të përbashkët për të mbrojtur planetin tonë.

  • SHBA vendos sanksione ndaj prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

    SHBA vendos sanksione ndaj prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare

    Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione të enjten ndaj prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) Karim Khan.

    Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 7 shkurt që sanksionon ICC-në për lëshimin e një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për krime lufte në Rripin e Gazës, transmeton AA.

    Trump akuzoi gjykatën për përfshirje në “veprime të paligjshme dhe të pabaza që synojnë SHBA-në dhe aleatin e saj të ngushtë Izraelin”.

  • Jashari tregon arsyet e bojkotimit të aktiviteteve nga qeveria për pavarësi dhe Epopenë

    Jashari tregon arsyet e bojkotimit të aktiviteteve nga qeveria për pavarësi dhe Epopenë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk do të merr pjesë në asnjë aktivitet të organizuar nga qeveria aktuale me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së se pavarësisë së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. Megjithatë, ai thotë se do të zhvillojnë aktivitete tjera në shënim të kësaj feste, por jo në bashkëpunim me qeverinë aktuale.

    Ai derisa arsyeton këtë vendim, thotë se vendi ka të bëjë me një qeveri dhe kryeministër “kundër vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    “Kemi një qeveri dhe kryeministër anti UÇK dhe UÇK me një anti UÇK, kështu nuk munden bashkë me nderua dhe respektua luftën e UÇK-së dhe vlerat kombëtare…Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ka rreth dy apo tre vite që nuk i bënë aktivitetet bashkë me Qeverinë e Kosovës për shënimin e pavarësisë. Sepse kur goditet dhe bëhen përpjekje nga nja Gjykatë e njëanshme speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Serbisë, kemi një kryeministër që godet vlerat e luftës të UÇK-së. Kemi një ministre që udhëheq një dikaster aq të rëndësishëm, Donika Gërvalla (Schwarz), e cila njollos dhe është e faktuar ajo që ka deponuar dëshmi të rrejshme kundër luftës së UÇK-së. Pastaj, kemi udhëheqësen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, e cila bashkëpunon me kriminelet serbë me godit veteranin, e godet luftën e UÇK-së dhe është e natyrshme që nuk mundemi me këta t’i festojmë festat”, thotë Jashari.

    Ai rithekson se në bashkëpunim me qeverinë aktuale nuk do të bashkëpunojnë për festen e 17 shkurtit. Derisa thotë se kanë aktivitetet e tyre.

    “Dëshmoret dhe familjet e dëshmorëve, invalidë dhe familjet e tyre, veteranet, është rruga e ndritur që ka sjellë vendin tek liria dhe këto institucione janë krijuar pas kësaj lufte të përgjakshme e të lavdishme, dhe këto institucione duhet t’i respektojnë këto vlera…Ne bëjmë aktivitetet që organizatat e dala nga lufta, shënojnë festat…po në bashkëpunim me këtë qeveri në asnjë rrethanë dhe formë nuk do t’i shënojmë bashkërisht këto festa”, nënvizon Jashari.

    Kryesia e Veteranëve të Luftës së OVL UÇK-së ka vendosur sot të mos ketë asnjë lloj bashkëpunimi me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.

    Në një deklaratë për media pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së OVL të UÇK-së thuhet se deri te ky vendim ka ardhur për shkak se Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka treguar asnjëherë gatishmëri për bashkëpunim me OVL UÇK, duke i përjashtuar nga çfarëdo forme e financimit dhe mbështetjes ligjore dhe institucionale, por vetëm duke ofenduar, përjashtuar, linçuar dhe persekutuar nga çdo e drejtë ligjore.

  • ​Van der Bellen nuk fton liderin e ekstremit të djathtë për të diskutuar mbi qeverinë e re

    ​Van der Bellen nuk fton liderin e ekstremit të djathtë për të diskutuar mbi qeverinë e re

    Pas negociatave të dështuara mes Partisë së Lirisë Austriake (FPÖ) të ekstremit të djathtë dhe Partisë Popullore Austriake (ÖVP) konservatore, presidenti austriak Alexander van der Bellen diskutoi sot me përfaqësuesit e partive parlamentare për mundësinë e formimit të qeverisë.

    Sipas raportimeve të mediave austriake, Van der Bellen zhvilloi takime gjatë ditës me kryetarët e Partisë Social Demokrate të Austrisë (SPÖ), partisë liberale Neos dhe ÖVP. Kryetari i FPÖ, i cili fitoi më shumë vota në zgjedhjet e fundit, Herbert Kickl, nuk u ftua në bisedime.

    Negociatat mes të djathtës ekstreme dhe ÖVP-së dështuan dje pasi nuk u arrit marrëveshje për shpërndarjen e ministrive.

    Para kolapsit të këtyre negociatave, pati edhe një përpjekje të pasuksesshme për të formuar një qeveri mes ÖVP, SPÖ dhe partisë Neos. Këto palë, megjithatë, kanë sinjalizuar tani një gatishmëri për të rifilluar negociatat.

    Van der Bellen tha se pas bisedimeve me përfaqësuesit e partive, ai dëshiron të gjejë një zgjidhje për ngërçin politik në Austri. Ai nuk përjashtoi mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe as formimin e një qeverie të pakicës.

    Duke iu referuar qarqeve rreth presidentit, mediat austriake përmendin si mundësi edhe një qeveri ekspertësh.

    FPÖ mirëpret zgjedhjet e reja pasi shpreson për sukses edhe më të mirë se në zgjedhjet në fund të shtatorit, kur Demokratët e Lirë fituan 29 për qind të votave. ÖVP fitoi 26 për qind dhe SPÖ fitoi 21 për qind.

    Austria po përballet aktualisht me një rënie ekonomike dhe një shkallë në rritje të papunësisë.