ATV

Author: ATVLive

  • ​Grabitet nën kërcënimin e armës një institucion mikrofinanciar në Prishtinë

    ​Grabitet nën kërcënimin e armës një institucion mikrofinanciar në Prishtinë

    Sot rreth orës 16:00 është raportuar për një grabitje në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

    Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë rajonale për Prishtinë, ka bërë të ditur për KosovaPress, se bazuar në informacionet e para, dyshohet se një person nën kërcënim të armës ka grabitur një shumë parash.

    “Aktualisht policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, ka thënë Ahmeti.

  • ​Për kaq ditë do të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    ​Për kaq ditë do të përfundojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë

    Përfundimi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit pritet të merr kohë deri në dy javë.

    Kështu ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili shtoi se në të njëjtën periudhë kohore do të bëhet edhe vlerësimi i pakove me fletëvotime nga diaspora.

    KQZ sot në mbledhjen e radhës njoftoi për anulimin e 529 zarfeve me fletëvotime nga diaspora për shkak të parregullsive. Ndërkaq, u theksua se numërimi i votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale të numërimit ka nisur në 18 komuna, ndërkaq në tetë të tjera do të nisë sot.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se meqenëse s’ka nisur me kohë numërimi në të gjitha qendrat komunale ky proces pritet të përmbyllet brenda dhjetë dite apo maksimumi dy javë.

    “Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha qendra komunale të numërimit dhe me pa edhe atje si po shkon procesi nuk kemi bërë një vlerësim sesa do të zgjatet i tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi. Por e përafërt do të jenë diku dhjetë ditë deri në dy javë po besoj”, tha ai.

    Ai foli edhe për “sulmin apo ndërhyrjen” në sistemin e KQZ-së, ku tha se kjo çështje është në duart e prokurorisë dhe policisë, dhe sapo të marrin raportin nga këto dy institucione do të dalin me qëndrim.

    “Kjo çështje tash është në duart e policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ata, ne nuk do të japim asnjë informacion, pasi nuk i kemi. I kemi disa dyshime tona, por ato dyshime janë adresuar në polici dhe ata do të japin raportin”, tha Radoniqi.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, tha se vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë në qendrat komunale po ndodh për shkaqe teknike.

    “Numërimi në Qendrat komunale të numërimit të fletëvotimeve për kandidatë për fletëvotimet e rregullta ka filluar në 18 komuna. Katër prej të cilave ka filluar me datën 11 shkurt 2025 dhe 14 të tjera më 12 shkurt 2025. Në këto 18 komuna ku ka filluar numërimi gjithsejtë janë numëruar 114 vendvotime nga 1.196 vendvotime gjithsej, ndërsa sot pritet të fillojë numërimi në tetë komuna të tjera”, tha ai.

    Krahas kësaj, Buzhala bëri të ditur se KQZ-ja ka anuluar 529 zarfe me fletëvotime nga diaspora për shkak, siç u tha, parregullsive të shfaqura.

    “Nga data 9 shkurt deri sot në orën 12:00 janë vlerësuar sot 8.766 zarfe, ku prej tyre 8 mijë e 247 zarfe me fletëvotime me votime janë aprovuar, ndërsa 529 zarfe me fletëvotime janë refuzuar. Këto kanë ndodhur për arsye si në vijim: 319 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit nuk janë regjistruar në periudhën e aplikimit, 34 zarfe janë refuzuar për shkak se ka pasur më shumë se një fletëvotim brenda një zarfi. Pesë zarfe janë anuluar për shkak se mungon vula apo pulla postare, 16 zarfe janë anuluar për shkak se votuesit kanë dërguar fletëvotime nga shtete të ndryshme nga shteti që janë regjistruar. Ndërkaq, 50 zarfe janë refuzuar për shkak se brenda zarfit ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit dhe jo fletëvotimi”, tha ai.

    Në lidhje me këto të dhëna reaguan anëtarët e KQZ-së nga partitë politike, ku anëtari i PDK-së, Arianit Elshani, tha se KQZ-ja duhet të fillojë nga sot publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë.

    “Ky është një shqetësim jo vetëm i anëtarëve të KQZ-së, por i të gjithë opinionit publik dhe kandidatëve dhe subjekteve e qytetarëve që të dihet se ku ka përfunduar vullneti i tyre i shprehur në ditën e zgjedhjeve. Është më se e nevojshme një alarmim i KQZ-së në lidhje me procesin e transparencës në raport me daljen e votuesve, numrin e përgjithshëm të votuesve dhe votat e kandidatëve… Unë insistoj dhe kërkoj që kjo të bëhet që nga sot. KQZ-ja të fillojë publikimin e rezultateve të kandidatëve. S’ka kohë më për t’u humbur. Sa më shumë që ka vonesa aq më e madhe është pakënaqësia dhe presioni pasi krijohet pabesi në raport me institucionin”, tha ai.

    Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti, kërkoi nga sekretariati të ketë një plan B për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në rast se bie sërish sistemi elektronik.

    “Po shihet se në planin operacional dhe pjesën e funksionalizimit të QKN-ve nuk jemi në kohë. Edhe ato që i kemi hap janë hapur me vonesë dhe me probleme të theksuara. Unë nuk jam mjeshtër i IT-së, as rrjetit e as sulmeve kibernetike. Ne si trup jemi KQZ dhe kemi obligim me kryer punën tonë për numërimin e votave pasi dikush pret”, theksoi ai.

    Mirëpo, anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Alban Krasniqi, tha se procesi i numërimit të votave po shkon mirë. Ai tha se një pjesë e kritikave për vonesa është tërësisht i gabuar.

    “Një pjesë e këtyre kritikave apo perceptimit që është krijuar për këtë proces zgjedhor është tërësisht i gabuar. Ne çdo herë kur organizojmë zgjedhje të reja harrojmë qysh kemi kaluar në zgjedhjet e mëparshme. Mua më kujtohet prej vitit 2010 me vjedhjet industriale të votave që kanë ndodhur dhe e dina se s’ka mbetur kuti pa u prekur dhe janë pranuar zgjedhjet. Në vazhdimësi në vitet e mëparshme ka pasur rregullsi dhe asnjë proces zgjedhor s’ka përfunduar pa 1 muaj e gjysmë. Sot jemi në një situatë me gjithë vështirësitë teknike që i kuptojnë dhe tentimet për të sulmuar sistemin mendoj se sot kur shkon në qendra komunale të numërimit vëreni një transparencë të paparë asnjëherë kurrë më parë…Kandidatët e subjekteve le të pijë dikush bensedin dhe dikush le të duron, pasi rezultati është në kuti dhe ai do të bëhet publik. Në mars ata kanë me ditur fatin e tyre në këto zgjedhje… Në lidhje me atë që është bërë natën e zgjedhjeve ka qenë problem teknik. Futja e të dhënave është bërë prej njerëzve të thjesht dhe gabimi ka qenë se dy persona kanë futur shifra përtej asaj që ka qenë e logjikshme”, theksoi ai./KP/

  • Bullgari, qytetarët bojkotojnë dyqanet për shkak të çmimeve të larta

    Bullgari, qytetarët bojkotojnë dyqanet për shkak të çmimeve të larta

    Qytetarët bullgarë sot po bojkotojnë dyqanet e shitjes me pakicë për shkak të çmimeve të larta.

    Pas nismës që filloi në Kroaci dhe u përhap shpejt në shumë vende të Ballkanit, në Bullgari sot është vërejtur numër i reduktuar i konsumatorëve për shkak të bojkotit, transmeton AA.

    Bojkoti është inicuar nga organizata joqeveritare, ndërsa, siç raportojnë mediat e vendit, organizatorët po i bëjnë thirrje qeverisë bullgare të vendosë tavan çmimesh për 70 produkte ushqimore bazë, transmeton AA.

    Thirrje për bojkot ndaj dyqaneve dhe supermarketeve deri më tani ka pasur në disa vende të Ballkanit, duke përfshirë Koracinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.

    Në Kosovë, të hënën më 10 shkurt, disa qytetarë iu bashkuan iniciativës për bojkotimin e supermarketeve si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve.

  • ​Ndihmësi i Zelensky: Lufta mund të përfundojë me kushtet ruse, por do të ishte e kotë

    ​Ndihmësi i Zelensky: Lufta mund të përfundojë me kushtet ruse, por do të ishte e kotë

    Këshilltari kryesor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Mihajlo Podoljak, ka reaguar pas liderët evropianë paralajmëruan Uashingtonin kundër një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën me Rusinë pa dëshirën e Kievit.

    Podoljak ka shkruar në rrjetin X se suksesi i vërtetë do të vijë duke i dhënë fund luftës jo sipas kushteve të Rusisë, por me kushte të drejta të vendosura nga Ukraina, SHBA dhe Evropa.

    “Rri i qetë. Emocionet e nxituara janë padyshim të panevojshme sot. Suksesi i vërtetë i politikës së jashtme amerikane, dhe natyrisht presidenti Trump personalisht, si dhe çdo aktor tjetër politik global, nuk do të përcaktohet vetëm nga dëshira për t’i dhënë fund luftës shpejt. Lufta mund të kishte përfunduar dje sipas ultimatumeve ruse – por kjo do të ishte krejtësisht e kotë. Këto kushte duhet të jenë racionale, të arsyeshme në këtë fazë të luftës, të bazuara strategjikisht dhe të justifikuara ekonomikisht. Ne nuk duhet të harrojmë pasojat globale reputacionale dhe politike”, tha Podoljak.

    Donald Trump tha dje se ka arritur marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Lëvizja e Trump ka alarmuar kryeqytetet evropiane që duan të luajnë një rol qendror në bisedimet e paqes, sepse çdo marrëveshje për Ukrainën do të kishte pasoja për sigurinë e tyre.

    “Është e qartë se çdo marrëveshje pas shpinës sonë nuk do të funksionojë. Çdo marrëveshje do të duhet gjithashtu që Ukraina dhe Evropa të jenë pjesë e saj,” tha shefja e politikës së jashtme evropiane Kaja Kallas.

    “Pse po u japim atyre (Rusisë) gjithçka që ata duan para se të fillojnë negociatat, tha Kallas në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s me homologun e tyre ukrainas në Bruksel, duke shtuar se “Ky është qetësim – nuk funksionoi kurrë.”

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth tha të mërkurën se ishte joreale që Ukraina të kthehej në kufijtë e saj të para vitit 2014 dhe se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk do të ishte pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

    Në vitin 2014, Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.

    Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën vonë pas bisedimeve në Paris, ministrat e jashtëm të fuqive evropiane, përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, thanë se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo negociate të ardhshme për Ukrainën.

    Por jo të gjithë liderët evropianë u alarmuan nga masa e Trump. Kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i Trump, vlerësoi presidentin amerikan dhe kritikoi deklaratat e ministrave. “Nuk mund të kërkosh një vend në tryezën e bisedimeve. Duhet ta fitosh atë!”

  • ​Selimi përfundon dëshminë në Speciale: Procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar

    ​Selimi përfundon dëshminë në Speciale: Procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar

    Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Për katër ditë, në gjykatore ai është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokatëve mbrojtës dhe trupit gjykues, rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Ai pohoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur kompetencë për ndalimin apo mbajtjen e personave.

    Lidhur me ketë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, si dhe mbrojtjes së Kadri Veselit, Rodeny Dixon.

    Pjesë nga seanca:

    Selimi: Sa i përket zonës, zona i ka pasur kompetencat në zonën operative te Drenicës, kurse sa i përket arrestimit, Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka pasur këtë kompetencë, ose ndalimin e tyre, asnjëherë nuk është mbajtur një takim që këta me u arrestu.

    Dixon: A mund të konfirmoj që ju nuk keni pasur asnjë rregullore nga Shtabi i Përgjithshëm apo nga ndonjë burim tjetër lidhur me mënyrën se si te ndaloheshin personat, kush ishte përgjegjës, çfarë roli kishte policia ushtarake, apo i palëve të tjera ne këtë proces, a është e sakte kjo?

    Selimi: Po.

    Dixon: Pra ju nuk keni pasur asgjë me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, lidhur me ketë teme, a është e saktë kjo?

    Selimi: E saktë.

    Gjatë dëshmisë, Selimi është ndalur më gjatë te Shtabi i Përgjithshëm duke thënë i njëjti ishte pothuajse inekzistent, “një shtab më shumë politik e logjistik sesa operacional”.

    “Termi si shtab i përgjithshëm është term i madh dhe një term në shikim të parë mendova që është një shtab ku shumë njerëz punojnë në atë shtab dhe një objekt që është me plot salla operative, me një shef operativ, me një ekip profesionale, që jep detyra, urdhra, një shtab ku te paktën numri duhet të sillet prej 60 deri 100 më tepër, një kohë kur ne po flasim ose në kohë lufte. Ne po flasim për një shtab pothuajse inekzistent, një shtab më shumë politik ose një pjesë edhe logjistik, sesa një shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm ose me anëtarë të cilët e kanë një adresë ose një shtab që e ka një strukturë, një sallë operative, disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë. Ne fatkeqësisht këtë nuk e kemi pasur, as nuk e kam parë asnjëherë të organizuar në nivel të tillë dhe kjo ka bërë që shumë komandantë të zonave në teren t’i marrin vendimet vet, të shohin situatën vet, të përgjigjen vetë”, tha Selimi.

    “Shpesh herë i drejtohemi Shtabit të Përgjithshëm por asnjëherë nuk e ke ditë ku janë anëtarët, për arsye të ndryshme, ose i ke pasur jashtë shteti, edhe atëherë kur jam munduar t’i takojë ka qenë zor dhe lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave kjo ka qenë pengesë dhe është dashur që një komandant zone t’i marrin veprimet vetë dhe të organizojë dhe të udhëzojë ose të marrë pjesë vetë ne luftime dhe të interesohet edhe për ushtarët dhe pjesën civile”, tha Selimi në Gjykatën Speciale”, shtoi ai.

    Në fund të dëshmisë së tij, Selimi tha se Adem Jashari ka qenë figura kryesore e UÇK-së.

    “Nuk ka marrë urdhra nga shtabi i përgjithshëm por ka dhënë urdhra ose është konsultuar me Shtabin e Përgjithshëm, me njerëz të cilët i ka njohur. Adem Jashari nuk ka mundur të marrë urdhra nga dikush tjetër, Adem Jashari ka qenë komandant kryesor, pa Adem Jasharin nuk mund të kishte UÇK. Adem Jashari ka qenë figura kryesore elmbematike e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm është në bashkëpunim me Ademin dhe gjithë të tjerët, por figura kryesore është Adem Jashari”, tha ai.

    Mënyrën e marrjes në pyetje nga ana e trupit gjykues e kritikoi avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, sipas së cilit, pyetjet nuk janë sqaruese dhe të paanshme.

    “Këto nuk janë pyetje sqaruese, janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues. Nuk janë pyetje që duhet t’i bëjë trupi gjykues. A keni marrë vendim për mocionin tonë që është pezull, mocioni i nëntorit 2024. Kemi kërkuar të garantohet paanashmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor, duam që kjo të merret parasysh. Sot pyetjet nuk janë të paanshme, këto janë pyetje jo sqaruese”, mbrojtja e Veselit.

    Megjithatë, kryetari i trupit gjykues tha se do të vazhdojnë marrjen në pyetje.

    Pas intervistimit nga turpi gjykues dhe pyetjeve shtesë nga avokatët mbrojtës, Selimi e përfundoi dëshminë e tij në Hagë.

    “Gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara, kam pasur edhe statusin e personit të dyshuar. Me këtë rast, dëshiroj të informoj publikun se të gjitha procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar”, tha Selimi në një deklaratë për media.

    Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.

    Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.

    Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.

    Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./KosovaPress

  • ​Kapen artefakte e monedha romake, arrestohet një person në Gjilan

    ​Kapen artefakte e monedha romake, arrestohet një person në Gjilan

    Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Gjilan dhe ka sekuestruar mbi 200 artefakte arkeologjike, prej të cilave 80 monedha nga periudha e sundimit romak, bizantin dhe mesjetar.

    Arrestimi i të pandehurit D.H. është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Punimet e paautorizuara dhe përvetësimet e monumenteve kulturore” në vende arkeologjike me pajisje detektimi.

    I njëjti dyshohet se me veprimet e tij ka kryer gërmime apo hulumtime arkeologjike pa autorizimin e organit kompetent.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pandehuri D.H. është ndaluar për 48 orë.

  • Kreu i KQZ-së: Procesi i numërimit pritet të zgjasë 10 ditë deri në 2 javë

    Kreu i KQZ-së: Procesi i numërimit pritet të zgjasë 10 ditë deri në 2 javë

    Kryetari i KQZ’së Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi i numërimit të votave do të zgjasë 10 ditë deri në 2 javë.

    “Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit dhe me pa edhe atje se si po shkon procesi, atëherë nuk e kemi bërë një vlerësim se sa do të zgjasë procesi i numërimit, por e përafërt do të jetë 10 ditë deri në 2 javë”, tha ai.

  • Ndahet nga jeta drejtori i Handicap Kosova, Ajhan Saraçi

    Ndahet nga jeta drejtori i Handicap Kosova, Ajhan Saraçi

    Ajhan Saraçi, drejtori i Handicap Kosova, ka vdekur sot (13 shkurt 2025).

    Lajmin për vdekjen e Saraçit e ka bërë të ditur vajza e tij, Berna Saraçi.

    “Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se sot ndërroi jetë ma i dashuri ynë – babi, Ajhan Saraçi.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, e Premte, më 14.02.2025 në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë”, thuhet në njoftimin mortor të saj.

  • ​Trump do të shpallë tarifa reciproke për vendet në Zyrën Ovale

    ​Trump do të shpallë tarifa reciproke për vendet në Zyrën Ovale

    Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të shpallë tarifat reciproke të enjten për vendet në një konferencë shtypi në Zyrën Ovale.

    Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i shtetit amerikan përmes një postimi në rrjetin social Truth Social.

    “Tri javë të mëdha, ndoshta më të mirat, por sot është e madhe: tarifa reciproke,” ka shkruar Trump.

    Masa vjen pas një urdhri ekzekutiv që vendos një tarifë 25% për importet nga Kanada dhe Meksika dhe një tarifë 10% për mallrat kineze.

    Për më tepër, SHBA vendosi një tarifë prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit të hënën.

    Ndërsa Brazili është përmbajtur nga hakmarrja, Kanada njoftoi me shpejtësi një taksë prej 25% për importet amerikane. Tarifat në Kanada dhe Meksikë u ndërprenë për 30 ditë, duke filluar nga 4 shkurti.

    Tarifat përmbushin një premtim të fushatës për të mbrojtur industritë amerikane.

  • Zelensky: Nuk pranojmë marrëveshje SHBA-Rusi pa pjesëmarrjen tonë në bisedime

    Zelensky: Nuk pranojmë marrëveshje SHBA-Rusi pa pjesëmarrjen tonë në bisedime

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ai nuk do të pranojë asnjë marrëveshje paqeje që do të arrihet mes SHBA-së dhe Rusisë pa pjesëmarrjen e Ukrainës.

    Në një konferencë për shtyp pas bisedës me Donald Trump, Zelenskyy theksoi se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo negociate për t’i dhënë fund luftës. Ai sqaroi se anëtarësimi në NATO nuk ishte temë e diskutimit me presidentin amerikan, por theksoi se është i vetëdijshëm për qëndrimin amerikan se Ukraina nuk është e mirëpritur në aleancën ushtarake për momentin.

    “Sot është e rëndësishme që gjithçka të mos shkojë sipas planit të Putinit, i cili dëshiron të zhvillojë negociatat në mënyrë dypalëshe me SHBA-në”, tha Zelenskyy, raporton euronews.

    Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Trump deklaroi të mërkurën, pas bisedës me Putin, se ishte “jopraktike” që Ukraina të bëhej anëtare e NATO-s dhe se ishte e pamundur që ajo të rikthente të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.

    Trump reagoi sërish këtë të enjte, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social. Ai u shpreh se kishte pasur “bisedime të shkëlqyera” me Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyn dhe se ishte optimist për mundësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë.