ATV

Author: ATVLive

  • Ministri kroat takon zv.ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes: Prania e ushtrisë amerikane në Kosovë tepër e rëndësishme

    Ministri kroat takon zv.ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes: Prania e ushtrisë amerikane në Kosovë tepër e rëndësishme

    Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë është takuar edhe me zëvendës-ndihmës sekretarin e Mbrojtjes amerikane për Politika Evropiane dhe të NATO-së, David Bake.

    Anushi ka thënë se në këtë takim ka theksuar se çelësi i sigurisë së Evropës Juglindore është Kosova dhe se prania e ushtrisë amerikane në Kosovë përmes KFOR-it është shumë e rëndësishme.

    “U takova me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, David Baker. Në mënyrë të veçantë theksova se çelësi i sigurisë në Evropën Juglindore është Kosova dhe se prania amerikane përmes KFOR-it është jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka shkruar Anushiq.

    Ai gjithashtu ka treguar se Kroacia është e angazhuar fuqishëm për pajisjen dhe modernizimin e Ushtrisë Kroate, së bashku me SHBA-në, duke thënë se Kroacia po pajisë Forcat e Armatosura me Bradley, Black Hawks dhe sistemin raketor Himars.

  • Vonohen pagesat e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor

    Vonohen pagesat e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor

    Ambiciet e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se në fund të vitit 2024 do të kryheshin pagesat e para nga Paketa e Rritjes dhe Reformave e BE-së, nuk u realizuan.

    Për më tepër, ato nuk u bënë as në fillim të vitit 2025 dhe nuk është e qartë se kur do të mund të bëhen.

    Vonesat në pagesa, sipas disa burimeve diplomatike në BE, kanë të bëjnë më shumë me vonesat e vendeve përfituese – pra atyre të Ballkanit Perëndimor – në përmbylljen e procedurave të brendshme.

    “Duket se kësaj radhe BE-ja është më e gatshme t’i bëjë pagesat nga kjo paketë sesa që vendet e rajonit janë të gatshme t’i marrin ato”, tha për Radion Evropa e Lirë një burim i BE-së.

    Nga Komisioni Evropian nuk u përgjigjën saktësisht se në cilën fazë janë vendet e rajonit, sa u përket pagesave që presin t’i marrin.

    Zyrtarët vetëm rikujtuan se të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnje e Hercegovinës, i kanë agjendat e reformave të miratuara nga BE-ja dhe se me këtë i kanë përmbushur kriteret për pagesat paraprake në vlerë prej 7% të totalit nga ana e BE-së.

    “Komisioni, momentalisht, është duke finalizuar hapat në procedurë, që do të mundësojnë pagesën e parafinancimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet të bëhen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”, thanë nga Komisioni Evropian.

    Duket se problemi me disa vende të rajonit, përfshirë edhe Kosovën, është se me BE-në duhet të arrijnë marrëveshje për kredi, pasi një pjesë e mjeteve financiare janë në formë të kredive dhe një pjesë grante pa kthim.

    Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.

    Për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, që u zhvilluan më 9 shkurt, procedura e konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pritet të marrë kohë, kështu që gjasat janë të vogla që ajo të marrë ndonjë pagesë nga BE-ja para verës.

    Paketa e përgjithshme për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027.

    Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

    Qëllim i kësaj pakete ambicioze financiare të BE-së është që të ndihmohet rritja ekonomike në këtë rajon dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të tij evropian.

    Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga kjo paketë. Mbi 250 milionë do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme. Pjesa prej 7% që do t’i paguhej si parafinancim, i bie të jetë rreth 61 milionë euro.

    Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, ndërsa si mjete parafinancuese 64.5 milionë.

    Maqedonia e Veriut do të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të jetë 52.5 milionë euro.

    Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliard euro, ndërsa pagesa e parë do të ishte 111 milionë euro.

    Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë euro, ndërsa si parafinancim 26.8 milionë euro.

    Bosnja e Hercegovina nga totali i planit do të ketë në dispozicion 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa si parafinancim 76 milionë euro.

    Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

    Por, në prezantimin e parë të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas 1-2 vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve të tjera.

    Plani ka po ashtu për qëllim që të nxisë bashkëpunimin rajonal, si dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

    Bashkimi Evropian dëshiron që sa më parë të kryhen pagesat e para nga ky plan dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tij.

    Por, në të njëjtën kohë, ai rikujton edhe kushtet që duhet të përmbushen gjatë gjithë procesit të realizimit të projekteve.

    Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kontrollin financiar dhe auditimin e duhur sipas standardeve evropiane.

    Në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, kusht specifik është edhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, përfshirë zbatimin e obligimeve nga dialogu që e lehtëson BE-ja.

    Në mesin e kërkesave të BE-së për vendet e rajonit është edhe përshtatja e tyre me regjimin e vizave të BE-së.rel

  • Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan

    Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan

    Takimet në Mynih, në kuadër të edicionit të 61-të të Konferencës së Sigurisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, raporton EO.

    Kryeministri tha se Turqia është partner dhe aleat i Kosovës me të cilin kemi marrëdhënie bilaterale të forta dhe bashkëpunim të afërt në shumë fusha, përfshirë ekonomi dhe mbrojtje.

    Ai e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë për Kosovë në rrafshin ndërkombëtar, kontributin në sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it dhe partneritetin në zhvillimin e industrinë vendore të mbrojtjes me marrëveshjen e nënshkruar me kompaninë turke MKE për funksionalizimin e fabrikës së municionit.

    Në këtë takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishin zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

  • Zjarrfikësi për hotelin që u përfshi nga zjarri në Brezovicë: Pritet të shembet ndërtesa

    Zjarrfikësi për hotelin që u përfshi nga zjarri në Brezovicë: Pritet të shembet ndërtesa

    Sot rreth orës 10:15, një hotel në Brezovicë është përfshirë nga flakët.

    Një nga zjarrfikësit që ndodhet në vendin e ngjarjes ka bërë të ditur për Indeksonline se vendi i zjarrit është lokalizuar, por, sipas tij, pritet të shembet ndërtesa për arsye se është e djegur pjesërisht.

    Për këtë incident zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha se nuk ka raportime për të lënduar.

    “Sot rreth orës 10:15 kemi pranuar një informatë për një zjarr ku është përfshirë një restorant/hotel në Brezovicë. Ekipet e zjarrfikësve dhe policia kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit po punojnë për të lokalizuar dhe shuar zjarrin, ndërsa policia po bën sigurimin e zonës përreth. Aktualisht, nuk ka raportime për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme”, tha ai.

  • Çmimet e larta tkurrin blerjet: A mund të ulen çmimet?

    Çmimet e larta tkurrin blerjet: A mund të ulen çmimet?

    Për disa qytetarë të Kosovës, çmimet e produkteve ushqimore janë gjithnjë e më pak të përballueshme.

    Betim Gashi thotë se mezi arrin të sigurojë gjithçka që duhet për familjen e tij 5-anëtarëshe.

    “Gjithçka është shtrenjtuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë – vaji, mielli, sheqeri e plot produkte të tjera. Ato nuk janë kthyer më në çmime normale, por janë duke u rritur vazhdimisht”, thotë 38-vjeçari nga Prishtina.

    Ai punon në një institucion shtetëror, ku paga neto është rreth 500 euro, por për shportën mujore thotë se i duhen rreth 400 euro.

    “Këtu pa e përfshirë rrymën që më kushton rreth 40 euro – plus faturat tjera, drurët për ngrohje, uji, mbeturinat”, thotë Betimi.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se i është dashur të zvogëlojë sasinë e produkteve higjienike, për t’i siguruar të gjitha ushqimet.

    “Dikur blija detergjent të rrobave prej 9 kilogramësh, tash e marr nga 2 kilogramë”, tregon Betimi.

    E, meqë ka fëmijë të vegjël, ai përmend edhe shtrenjtimin e pelenave dhe të pecetave.

    Thotë se shpresa e tij e vetme është që shteti të ndërhyjë dhe t’i ulë çmimet e produkteve esenciale, sidomos ato vendore, sepse, siç thotë, janë bërë të barabarta me çmimet e produkteve të importuara.

    Për këtë arsye, Betimi do t’i bashkohet edhe nismës “Kosova bojkoton”, përmes së cilës qytetarët janë organizuar në rrjete sociale dhe i kanë ftuar edhe të tjerët që të mos blejnë në dyqanet zinxhir, më 15 dhe 16 shkurt, në shenjë proteste kundër çmimeve të larta.

    Kjo nismë është ndërmarrë fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe ka rezultuar me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.

    Ajo është përsëritur edhe herë të tjera, jo vetëm në këtë shtet, por edhe në të tjera të Ballkanit Perëndimor.

    Gjetiu në botë, inflacioni ka marrë hov si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe pushtimit rus të Ukrainës.

    Vitin 2022, Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare inflacioni gati 12 për qind.

    Aktualisht është rreth 1 për qind.

    Por, rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve – do të thotë se çmimet rriten më ngadalë.

    Çfarë kërkohet?
    Xhevat Kastrati është një ndër nismëtarët e bojkotimit të dyqaneve në Kosovë.

    Shqetësues për të është fakti se, siç thotë, në shumë shtete të Bashkimit Evropian që i ka vizituar, ka hasur në disa produkte më të lira se në Kosovë.

    “Shpesh flitet për shtrenjtimin e naftës si faktor për rritjen e çmimeve, me arsyetimin se nafta e shtrenjtuar, ka shtrenjtuar edhe transportin e produkteve të importuara. Mirëpo, çmimi i naftës ka rënë, e çmimet tjera jo. Për më tepër, janë shtrenjtuar edhe çmimet e produkteve vendore”, thotë ai.

    Kërkesat e organizatorëve të bojkotimit për autoritetet e Kosovës janë: zbatimi i ligjeve për mbrojtjen e konsumatorit, ulja afatgjate e çmimeve konform standardit, përpilimi i ligjit për çmimet tavan dhe kontrollimi i cilësisë së ushqimit.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë në lidhje me këto kërkesa, por nuk mori përgjigje.

    Një projektligj për çmimet tavan, i hartuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2022, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e vendit, vitin pasues.

    Pse çmimet në Kosovë janë të larta?
    Profesori i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Arbër Hoti, thotë se pos luftës në Ukrainë, e cila ka shkaktuar çrregullime në tregje, çmimet në Kosovë i ka rritur edhe importi.

    Sipas tij, Kosova është shtet i varur nga importi dhe ndikohet dukshëm nga inflacioni global.

    “Ajo importon mbi 80% të mallrave, duke përfshirë ushqime dhe materiale të ndërtimit. Kjo varësi e bën vendin të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe kostove të transportit”, thotë ai.

    Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar.

    Të dhënat e siguruara nga Dogana e Kosovës tregojnë se, gjatë vitit të kaluar, vendi ka importuar mallra në vlerë prej rreth 6.38 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vlerën e 889 milionë eurove.

    Ky institucion nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa dhe cilat produkte ushqimore importohen më së shumti.

    Por, nga të dhënat e mëhershme, më së shumti importohen mishi dhe produktet tij, peshku dhe produktet e tij, mjalti, vezët, qumështi e të tjera.

    Ato, kryesisht, importohen nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Italia, Turqia, Kina etj.

    Si arsye për çmimet e larta, Hoti përmend edhe politikat fiskale, sipas të cilave produktet bazë dhe jobazë tatohen njësoj, si dhe mungesën e konkurrencës në treg.

    “Për shembull, në sektorin e energjisë elektrike, një kompani dominuese furnizon rreth 100% të konsumatorëve”, thotë ai.

    A mund të ulen çmimet?
    Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës thotë se çmimet mund të ulen, por vetëm nëse shteti ndërhyn duke i ndihmuar bizneset vendore me subvencione.

    Ai thotë se këto biznese detyrohen t’i rrisin çmimet, kur materialin për prodhim e blejnë nga jashtë me çmim më të lartë.

    Ndër vite, subvencione për bizneset ka pasur.

    Në konferencën e fundvitit të kaluar me afaristë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, për tre vjet, atyre u ka shpërndarë 1.3 miliard euro në formë të granteve dhe programeve të tjera, për të forcuar konkurrencën e tyre në tregjet vendore e ndërkombëtare.

    Si zgjidhje të mundshme për uljen e çmimeve, Krasniqi sheh edhe uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet ushqimore.

    “TVSH-ja në ushqim të ulet nga 18% në 5%. Pra, do të kishim çmime për 13% më të ulëta për qytetarët”, thotë ai.

    Një tjetër zgjidhje do të ishte diversifikimi i furnizuesve, duke shmangur varësinë nga një ose dy shtete kryesore importuese dhe duke kërkuar tregje alternative, thotë Hoti.

    Këta hapa, sipas tij, do të krijonin konkurrencë më të madhe në import dhe potencialisht çmime më të ulëta.

    Hoti thotë se bojkotimi i dyqaneve mund të bëhet shtysë për veprimin e institucioneve – ndikim tjetër nuk pret të ketë.

  • Rrokulliset autobusi në Shkrel-Rugovë, lëndohen 17 persona

    Rrokulliset autobusi në Shkrel-Rugovë, lëndohen 17 persona

    17 persona kanë pësuar lëndime pasi një autobus është vetaksidentuar në fshatin Shkrel.

    Të lënduarit janë dërguar në Eemergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për tretman mjekësor.

    “Sot rreth orës 00:50, Policia është njoftuar për një vetaksident i cili ka ndodhur ne fshatin Shkrel-Rugovë, në këtë vetaksident ishte i përfshirë një autobus i cili ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur. Si pasojë shtatëmbëdhjetë (17) persona kanë pësuar lëndime trupore, të njëjtit janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për tretman mjekësor, rasti është duke u hetuar nga Njësia e Trafikut Rajonal”, tha policia.

  • Papa Françesku anulon eventet pas shtrimit në spital

    Papa Françesku anulon eventet pas shtrimit në spital

    Papa Françesku ka anuluar eventet e tij të planifikuara gjatë ditëve të ardhshme pasi u shtrua në spital, tha Vatikani. Papa u shtrua të premten në një spital në Romë pas problemeve me bronkitin.

    Në një deklaratë të premten, Vatikani tha se Papa ishte pranuar në spital për shkak të përkeqësimit të bronkitit dhe se testet e para diagnostike kishin treguar një “infeksion të traktit respirator”.

    Pjesëmarrja e planifikuar e Papës në një audiencë të shtunën është anuluar, ndërsa mesha në Bazilikën e Shën Pjetrit të dielën do të mbahet nga kardinali José Tolentino de Mendonça. Një vizitë në studiot e filmit Cinecittà të hënën është anuluar gjithashtu.

    Viteve të fundit, Papa është përballur me probleme shëndetësore. Në mars të vitit 2023, ai u shtrua në spital me bronkit akut. Ai është parë gjithashtu shpesh në një karrige me rrota ose me një shkop ecjeje për shkak të një dhimbjeje të nervit shiatik dhe një problemi në gju.

  • Pas urdhrit të Trump, ushtria amerikane ndalon regjistrimin e personave transgjinorë

    Pas urdhrit të Trump, ushtria amerikane ndalon regjistrimin e personave transgjinorë

    Ushtria amerikane nuk do të lejojë më personat transgjinorë të regjistrohen dhe do të ndalojë ofrimin e kujdesit gjinor për anëtarët e shërbimit, njoftoi të premten në mediat sociale.

    “Ushtria nuk do t’i lejojë më individët transgjinorë të bashkohen me ushtrinë dhe do të ndalojë kryerjen ose lehtësimin e procedurave që lidhen me tranzicionin gjinor për anëtarët e shërbimit,” thuhej në postim.

    Njoftimi vjen pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Trump më 27 janar, i cili udhëzoi Pentagonin të përcaktojë një politikë për anëtarët e shërbimit transgjinor brenda 30 ditëve.

    Në urdhrin e Trump thuhej se shprehja e “një identiteti gjinor që nuk përputhet me gjininë e një individi bie ndesh me përkushtimin e një ushtari për një mënyrë jetese të ndershme, të vërtetë dhe të disiplinuar, madje edhe në jetën personale” dhe se ata që e bëjnë këtë “nuk mund të përmbushin standardet rigoroze të nevojshme për shërbimin ushtarak”.

  • Guvernatori i Teksasit uron Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë

    Guvernatori i Teksasit uron Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë

    Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, ka uruar Kosovën në prag të Ditës së Pavarësisë.

    Në urimin e tij, Abbott vuri në pah përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj parimeve demokratike, transmeton Klankosova.tv.

    “Lidhja midis Teksasit dhe Kosovës është unike, e forcuar nga vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha Abbott.

    “Kombet tona janë të lidhura përmes respektit të ndërsjellë për historitë dhe traditat tona të pasura, dhe ne jemi krenarë për marrëdhënien e rëndësishme që ndajmë me Kosovën”.

  • Roma do të dërgojë ankesë zyrtare në UEFA për arbitrin Stieler pas barazimit me Porton

    Roma do të dërgojë ankesë zyrtare në UEFA për arbitrin Stieler pas barazimit me Porton

    Roma ka vendosur të dërgojë një ankesë zyrtare në UEFA për performancën e arbitrit Tobias Stieler gjatë barazimit 1-1 ndaj FC Porto në ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League, të zhvilluar të enjten në mbrëmje.

    Megjithëse Giallorossët arritën një rezultat relativisht pozitiv në transfertë, trajneri Ranieri u tregua tepër i zemëruar me disa nga vendimet e arbitrimit. Ai u tha lojtarëve të tij të mos shtrëngonin duart me gjyqtarët në fund të ndeshjes dhe dha një konferencë shtypi të ashpër pas përfundimit të saj.

    Arbitri Stieler ndëshkoi lojtarët e Romës me tetë kartonë të verdhë, duke përjashtuar nga loja Bryan Cristante dhe një anëtar të stafit teknik të Ranierit. Ndërkohë, Porto u ndëshkua vetëm me tre kartonë gjatë 90 minutave. Po ashtu, pati pretendime se Roma nuk u lejua të kryente një zëvendësim të planifikuar pak para golit të barazimit të Portos.

    “Kërkuam një zëvendësim, asistenti e dinte që do të bëhej një ndërrim”, tha Ranieri pa ndeshjes.

    “Ishte një atmosferë e zjarrtë, publiku bërtiste dhe ai lëvizte sipas tyre. Dhe ju e caktoni këtë arbitër për këtë ndeshje? Nuk e kuptoj pse. Ai po shkonte përreth duke dhënën kartonë për disa. Sipas meje, po priste që të ndodhte diçka në zonën e penalltisë për t’ua dhënë fitoren atyre”, vazhdoi ai.

    Sipas raportimeve nga Calciomercato.com, Ranieri ka marrë mbështetjen e pronarëve të Romës, Friedkin, të cilët pritet të dërgojnë një letër zyrtare ankimimi në UEFA në ditët në vijim.