ATV

Author: ATVLive

  • Ekipi i Presidentit Trump pritet të fillojë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite

    Ekipi i Presidentit Trump pritet të fillojë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite

    Zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump do të fillojnë bisedimet e paqes me negociatorët rusë dhe ukrainas në Arabinë Saudite në ditët në vijim, sipas një ligjvënësi amerikan dhe një burimi që ka dijeni për planet.

    Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff do të udhëtojnë në Arabinë Saudite, i tha ligjvënësi amerikan Michael McCaul agjencisë Reuters në Mynih. Një burim me njohuri për planet, konfirmoi se bisedimet do të mbahen.

    Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës fqinje në shkurt 2022. Rusia ka nën kontroll rreth një të pestën e Ukrainës dhe ka kërkuar që çdo marrëveshje paqeje të parashikojë që Kievi të heqë dorë nga pjesë të territorit të saj dhe të ketë një status të përhershëm neutral.

    Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territori që ka marrë nën kontroll si edhe që të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci ekuivalente sigurie për të parandaluar një sulm të ngjashëm nga Moska në të ardhmen.

    Sekretari Rubio pati një telefonatë të shtunën me homologun e tij rus, Sergei Lavrov gjatë së cilës ata diskutuan për konfliktin në Ukrainë, thanë të dyja palët. Ata ranë dakord për kontakte të rregullta për të përgatitur një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit Trump, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

    Ligjvënësi republikan McCaul, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se siç e kishte kuptuar ai, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte ftuar për të marrë pjesë në bisedimet në Arabinë Saudite.

    Zoti McCaul tha se bisedimet kishin për qëllim organizimin e një takimi mes presidentëve Trump, Putin dhe Zelenskiy “për të sjellë përfundimisht paqen dhe për t’i dhënë fund këtij konflikti”.

    I pyetur për takimin e planifikuar midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite, zoti Zelenskiy i cili ishte në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut – u tha gazetarëve: “Ndoshta ka diçka (në) tryezë, por jo në tryezën tonë. Nuk kam parë asnjë ftesë … (për) Ukrainën për t’u takuar me të dërguar të tjerë.”

    Ai tha të premten se do të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë, por nuk tha se kur. Megjithatë, udhëheqësi ukrainas tha se nuk kishte plane të takohej me zyrtarë amerikanë apo rusë gjatë atyre vizitave.

    Presidenti Zelenskiy tha më herët të shtunën se Ukraina nuk do të pranonte kurrë asnjë marrëveshje paqeje të arritur pas shpinës së saj ose pa përfshirjen e Kievit. Ukraina ka thënë vazhdimisht se dëshiron të hartojë një strategji të përbashkët me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, përpara çdo takimi Trump-Putin.

    Biseda e zotit Trump me presidentin rus të mërkurën dhe gjasat se mund të ketë lëshime ndaj Moskës për kërkesat kryesore të Ukrainës, shkaktoi shqetësim si në Kiev ashtu edhe mes aleatëve evropianë në NATO, të cilët thanë se druheshin se Shtëpia e Bardhë mund të bënte një marrëveshje pa to.

    Zyrtarët evropianë thanë se çdo marrëveshje do të ishte e pamundur të zbatohej nëse ata dhe ukrainasit nuk përfshiheshin në negociata.

    Zoti Trump, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten, tha se Ukraina do të kishte një vend në tryezë gjatë çdo negociate paqeje me Rusinë për përfundimin e luftës.

    Negociatat për një marrëveshje kritike për mineralet e rralla vazhduan dhe zoti Zelenskiy që tha se një projekt-dokument nga Uashingtoni nuk përfshinte dispozitat e sigurisë që i nevojiten Kievit. Tre burime thanë se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar marrjen në pronësi të 50% të mineraleve kritike të Ukrainës. /VOA/

  • Liderët evropianë pritet të mbajnë takim urgjent për Ukrainën

    Liderët evropianë pritet të mbajnë takim urgjent për Ukrainën

    Liderët evropianë pritet të mblidhen në Paris javën e ardhshme për një takim urgjent për luftën në Ukrainë, pasi rritjes së shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara do ta lënë kontinentin jashtë tryezës së bisedimeve për paqe me Rusinë.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer – i cili pritet të marrë pjesë në takimin e Parisit – tha se “ky është një moment i rrallë në historinë e sigurisë sonë” dhe se tanimë është e qartë se Evropa duhet të ketë rol më të madh në NATO, raporton BBC.

    Një zëdhënës i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha për agjencinë e lajmeve AFP se janë “duke u zhvilluar bisedime për një takim të mundshëm joformal”.

    Ky takim pritet të mbahet pasi i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, tha se liderët evropianë do të konsultohen por nuk do të marrin pjesë në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

    Trump do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme të shtunën.

    Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë – përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz, dhe negociatori për Lindjen e Mesme Steve Witkoff – do të takohen me negociatorët rusë në ditët në vazhdim në Arabinë Saudite.

    Një zyrtar ukrainas i tha Politicos se kjo e ka zënë në befasi Kievin dhe se deri më tani nuk ka plane për të dërguar një delegacion në Arabinë Saudite.

    Ndërkohë, në Konferencën e Sigurisë në Munih, shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha të shtunën se Evropa duhet të bëjë “propozime të mira” për garantimin e paqes në Ukrainë, nëse dëshiron të përfshihet në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja.

    Rutte tha se do të udhëtojë për në Paris të hënën për të marrë pjesë në takimin e liderëve evropianë, i organizuar nga presidenti francez Macron.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e BE-së, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimit të bisedimeve pa përfshirjen e negociatorëve të tyre.

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje kundër një “zgjidhjeje të shpejtë” dhe një “marrëveshjeje të pistë” për përfundimin e konfliktit, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e Evropës dhe Ukrainës.

    Duke iu drejtuar konferencës së Munihut, Zelensky u bëri thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.

    “Ka ardhur koha, Forcat e Armatosura të Evropës duhet të krijohen”, tha ai.

    “Nëse amerikanët vendosin të largohen, ta kufizojnë praninë e tyre, nuk është gjë e mirë, natyrisht, është e rrezikshme”, tha Zelensky.

  • Avokati i Erion Veliajt: Dorëzuam ankimimin për të kundërshtuar masën arrest me burg

    Avokati i Erion Veliajt: Dorëzuam ankimimin për të kundërshtuar masën arrest me burg

    Ermir Beta, avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj ka deklaruar se ka dërguar me postë ankimimin drejtuar gjykatës së apelit të posaçëm ku kundërshtohet masa e arrestit me burg ndaj Veliaj.

    “Apelojmë vendimin e parë, atë të datës nëntë shkurt”, tha avokati në një bisedë telefonike me Top Channel.

    Ai shtoi se po bën gati dhe apelimin e dytë për vendimin e datës 12 shkurt ku gjyqtari antikorrupsion z. Erjon Bani la në fuqi gjatë verifikimit të kushteve masat qe kishte shpallur në mungesë.

  • Ky është dizajni i ri i NEWBORN për këtë vit

    Ky është dizajni i ri i NEWBORN për këtë vit

    Ideatori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismaili, ka bërë të ditur se si do të duket ky monument në përvjetorin e 17’të të pavarësisë së Kosovës.

    Ai ka thënë se këtë herë “Newborn” do t’i dedikohet inteligjencës artificiale.

    Ismaili ka kërkuar ndihmë për përfundimin e këtij projekti.

  • Katër raste të dhunës në familje për 24 orë, policia jep detaje

    Katër raste të dhunës në familje për 24 orë, policia jep detaje

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit- në Lipjan, Obiliq, Pejë dhe Klinë.

    Në Lipjan një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga burri i saj.

    “Lipjan/15.02.2025-00:20. Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj m/k. I dyshuari pasi kishte sulmuar viktimën ishte larguar nga shtëpia. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësorë. I dyshuari gjendet në arrati.

    “Në Obiliq një burrë e një grua janë rrahur mes vete.

    “Obiliq / 15.02.2025-20:00. Pas një mosmarrëveshje verbale janë rrahur mes veti dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovarë të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Të njëjtit pasi janë intervistuar, në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa në Pejë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.

    “Pejë/ 15.02.2025-12:30. Viktima femërkosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar.”

    Edhe në Klinë një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

    “Klinë/ 15.02.2025-19:50. Viktima femërkosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

  • Një person u soll pa shenja jete në QKMF-në e Malishevës

    Një person u soll pa shenja jete në QKMF-në e Malishevës

    Policia ka nisur hetimet rreth një rast në Malishevë.

    Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 14:20.

    Sipas raportit 24 orësh, një person ishte sjellur pa shenja jete nga familjarët e tij në Qendren Kryesore të Mjekësisë Familjare të këtij qyteti.

    Organet e rendit, theksojnë se të paktën kështu kishin deklaruar mjekët e këtij institucioni, duke mos dhënë më shumë informacione.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet tutje në këtë njoftim.

    Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

  • Osmani takohet me presidentin e Estonisë: Mirënjohëse për mbështetjen në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

    Osmani takohet me presidentin e Estonisë: Mirënjohëse për mbështetjen në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

    Ata kanë diskutuar për “partneritetin dypalësh dhe sfidat e përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

    “Me Presidentin e Estonisë, Alar Karis në Konferencën e Sigurisë në Mynih, diskutuam për partneritetin tonë dypalësh dhe për sfidat e përbashkëta në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

  • Policia arreston një person që i ndihmoi një të dyshuari të arratiset pas seancës gjyqësore

    Policia arreston një person që i ndihmoi një të dyshuari të arratiset pas seancës gjyqësore

    Një person është arrestuar pasi dyshohet se i ka ndihmuar një personit të arratiset pas seancës gjyqësore.

    Ai është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është ende në arrati.

    “DHËNIA E NDIHMËS KRYERËSVE PAS KRYERJES SË VEPRËS PENALE- Prishtinë / 15.02.2025 – 17:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti i kishte ndihmuar personit tjetër (të dyshuarit mashkull kosovar) që të arratiset pas seancës gjyqësore, i cili tani gjendet në arrati. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Cakolli thotë se VV po kalkulon në zgjedhje parlamentare të njëkohshme me ato lokale

    Cakolli thotë se VV po kalkulon në zgjedhje parlamentare të njëkohshme me ato lokale

    Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim sheh që Lëvizja Vetëvendosje po kalkulon për zgjedhje të reja parlamentare të njëkohshme me ato lokale gjatë kësaj vjeshte.

    Kjo, sipas tij, madje duke e ditur performancën jo të nivelit nacional që Vetëvendosje ka në ato lokalet.

    ”Fatkeqësisht, në bazë të disponimit të deritanishëm të partive politike, duket shumë lehtë që mund të arrijmë në skenarin që zvarritet formimi i institucioneve, kjo është në favor sidomos të VV-së, që mendoj se po kalkulon mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato lokale, duke ditur se rezultatet e saj në zgjedhje lokale janë shumë më të dobëta. Ndërsa, mbajtja e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë”, ka vlerësuar ai për BlicInterview.

    ”Unë besoj se me një trend të tillë të numërimit të votave, nuk pres që të kemi rezultate përfundimtare nga ana e KQZ-së për 3-4 javë. Mund të ndodhë që nga mesi i marsit ose fundi të kemi rezultate të certifikuara. Do të ishte ironi që të kemi rezultatet me 1 Prill, Ditën e Gënjeshtrave”, është shprehur ai.

  • New Delhi: Të paktën 18 persona të vdekur nga përplasja e turmës në stacionin hekurudhor

    New Delhi: Të paktën 18 persona të vdekur nga përplasja e turmës në stacionin hekurudhor

    Të paktën 18 persona raportohet të kenë vdekur dhe 10 të tjerë janë plagosur nga një përplasje në stacionin hekurudhor në New Delhi.

    Mediat ndërkombëtare shkruajnë se mijëra njerëz thuhet se u mbërthyen në stacionin hekurudhor të shtunën mbrëma teksa u përpoqën të hipnin në trenat e vonuar.

    Siç bëhet e ditur nga zyrtarët katër nga viktimat janë fëmijë kurse 10 gra.

    Kryeministri indian Narendra Modi tha se mendimet e tij ishin “me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre” në një postim në X, shkruan BBC.

    Përplasje të tilla të turmave raportohen rregullisht në Indi, ku ka mbipopullim të shpeshtë në ngjarje fetare, festivale dhe hapësira publike.

    Incidenti vjen disa javë pasi 30 njerëz u vranë në një dëshpërim para agimit në festivalin fetar, Kumbh Mela, në Indinë veriore, ku dhjetëra miliona hindu ishin mbledhur për t’u larë në ujërat e lumenjve të shenjtë në një nga ditët e shenjta të ngjarjes gjashtëjavore.

    Në Delhi, dëshmitarët i thanë BBC Hindi se një “turmë e madhe” ishte mbledhur në stacion, përmes së cilës shumë njerëz po udhëtonin drejt dhe nga Kumbh Mela, i cili po mbahet në qytetin Prayagraj në shtetin fqinj Uttar Pradesh.

    Qindra njerëz po prisnin po ashtu trenat për në vende të tjera.

    Lidhur me ngjarjen pati deklarime edhe nga dëshmitarët.

    Ruby Devi tha se turma në stacionin kryesor hekurudhor të kryeqytetit indian kishte qenë aq e madhe sa nuk ishte në gjendje të hynte brenda.

    Umesh Giri, gruaja e të cilit Shilam Devi vdiq në përplasje, tha se turma ishte “e pakontrollueshme” ndërsa ai u përpoq të hipte në Prayagraj Express.

    Dharmendra Singh, i cili gjithashtu po udhëtonte për në Prayagraj, i tha agjencisë së lajmeve PTI të Indisë se kishte “shumë më shumë njerëz sesa kam parë ndonjëherë në këtë stacion”.

    “Para meje, gjashtë-shtatë gra i morën me barela.

    KPS Malhotra, zëvendës komisar i policisë, tha se autoritetet po hetonin se çfarë çoi në shtypjen.

    “Kjo ndodhi për shkak të një vonese në mbërritjen e dy trenave dhe më shumë njerëz që u mblodhën në stacion,” tha ai.

    Krerët e opozitës kanë kritikuar qeverinë duke e akuzuar për dështim administrativ.

    “Duke marrë parasysh numrin e madh të besimtarëve që shkojnë në Prayagraj, duhet të ishin bërë rregullime më të mira në stacion,” postoi Rahul Gandhi, udhëheqësi i opozitës në parlamentin e Indisë, në X.