ATV

Author: ATVLive

  • Vdes aktivisti i LDK-së, Abdixhiku: Ishte djalë me virtyte të larta

    Vdes aktivisti i LDK-së, Abdixhiku: Ishte djalë me virtyte të larta

    Ka vdekur aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirim Maqedonci.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes Maqedonci.

    “I trishtë lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të aktivistit tonë të jashtëzakonshëm, Lirim Maqedonci. Dhimbja për humbjen e tij në kulmin e energjive dhe angazhimeve të shumta, është e madhe. Lirimi ishte një djalë me virtyte të larta, i palodhur në përkushtimin e tij për vlerat dhe idealet që na bashkuan. Me punën dhe angazhimin e tij të pashoq, ai dha një kontribut të çmuar për shtëpinë tonë politike, duke lënë pas një dhimbje të madhe Në këtë moment të vështirë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe timin personal ju shpreh ngushëllime familjes Maqedonci, miqve, strukturave tona dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të publikuar nga LDK-ja.

    “Lirimi do të mbetet përherë në kujtimet dhe zemrat tona. U prehtë në paqe!”, thuhet tutje në telegramin e ngushëllimit të Abdixhikut.

  • Njohjet që s’i erdhën kurrë: Kush ia mbylli dyert Kosovës?

    Njohjet që s’i erdhën kurrë: Kush ia mbylli dyert Kosovës?

    Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në harresë diplomatike – e njohur nga shumë shtete, por jashtë disa organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Me dinamikat e shpejta gjeopolitike, vëzhguesit thonë se Kosova rrezikon të humbasë edhe mbështetjen e disa vendeve me ndikim.

    Në vitin kur Kosova shpalli pavarësinë, më 2008, kryeministri i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, premtoi njohje nga 193 shtete, që i binte të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, plus një.

    “Unë konfirmoj përsëri se shteti i Kosovës do të njihet jo nga 100, por nga 193 shtete. Po të krahasohen njohjet e Kosovës me republikat e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, te ne ka ndodhur mrekullia”, tha Thaçi.

    Ai i bëri këto komente në një seancë të Kuvendit të Kosovës në mes të korrikut 2008, pesë muaj pas shpalljes së pavarësisë.

    Me gjithë kundërshtimet e Serbisë, vendi, atëkohë, njihej nga 43 shtete të botës, përfshirë SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane.

    Dy vjet më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – në përgjigje të kërkesës së Serbisë për opinion – shpalli vlefshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se ajo nuk binte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Për autoritetet në Kosovë atëkohë, kjo ishte edhe një shtysë që demokracia më e re në botë të njihej ndërkombëtarisht.

    “… sepse, më në fund, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – një institucion i vlerësuar i drejtësisë – konfirmoi se populli i Kosovës bëri gjënë e duhur, duke shpallur pavarësinë e tij më 17 Shkurt 2008”, tha ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, pas vendimit të GJND-së.

    Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën – ende larg shifrës së premtuar prej 193.

    Shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021. Kjo njohje ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Para saj, shteti i fundit që e njohu, ishte Barbadosi në vitin 2018. Por, intensiteti i njohjeve filloi të binte që nga viti 2015.

    Në këtë dhjetëvjeçar, Kosovën e njohën vetëm 9 shtete. Vendi vazhdon të mos njihet nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe pesë shtete të Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë qysh më 10 shkurt, për ta pyetur rreth aktiviteteve të saj lobuese, por nuk mori asnjë përgjigje.

    E cituar nga mediat në Prishtinë, tetorin e kaluar, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se “njohjet nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konsalacione të tjera”.

    Aidan Hehir, nga Universiteti Westminster në Londër, numëron disa arsye për stagnimin e njohjeve: nën një, shtetet properëndimore tashmë janë shterur dhe shumica prej tyre e kanë njohur Kosovën, dhe nën dy, vendet që janë të rreshtuara me Rusinë dhe Kinën, ose dashamirëse ndaj Serbisë, nuk mund të binden lehtë./rel

  • Djaloshi nga Kosova shpallet kampion basketbolli në ShBA

    Djaloshi nga Kosova shpallet kampion basketbolli në ShBA

    Kudo që shkojnë në botë, të rinjtë nga Kosova ‘shpërthejnë’ duke arritur rezultate të lakmueshme.

    Thuajse nuk ka lëmi që ata nuk e kanë zënë vendin e tyre, biznes, kulturë, politikë e sport.

    Ata lartësojnë emrin e vendit të tyre me suksesin e tyre.

    Një prej të rinjve që po i bën krenar jo vetëm prindërit dhe familjen, por edhe vendin është edhe Dini Syla.

    Djaloshi që karrierën e tij e kishte nisur në Kosovë, po shkëlqen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ai është shpallur kampion i basketbollit me skuadrën e tij, SCA nga Little Rock, HCAA për Arkansas.

  • Mbreti Charles uron Kosovën për 17 vjetorin e Pavarësisë

    Mbreti Charles uron Kosovën për 17 vjetorin e Pavarësisë

    Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles, ka dërguar një letër urimi për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

    Mbreti ka shprehur urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës dhe ka theksuar lidhjet e forta mes dy vendeve, duke shprehur kënaqësinë për mundësinë e forcimit të mëtejshëm të miqësisë.

    “E nderuar Presidente, bashkëshortja ime dhe unë jemi të ngazëllyer që të dërgojmë urimet më të përzemërta për shkëlqesinë tuaj dhe popullin e Kosovës me rastin e veçantë të Pavarësisë. Jam shumë i kënaqur që vendet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres të forcojmë më tej miqësinë tonë”, thuhet në letrën e Mbretit Charles drejtuar presidentes Osmani.

    Ai ka shprehur gjithashtu bindjen për një bashkëpunim të ngushtë në çështjet klimatike dhe të ambientit. Letra mbyllet me urime për një të ardhme të suksesshme për Kosovën dhe popullin e saj.

  • Në Japoni shënohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

    Në Japoni shënohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

    Ambasadori i Kosovës në Japoni Sabri Kiçmari mori pjesë në takimin festiv të Shoqatës Kosovaro-Japoneze kushtuar 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    Japonezët që kanë marrë pjesë në misione të ndryshme në kuadër të OKB, JICA, institucioneve tjera shoqërore dhe qytetarë japonezë që e kanë vizituar Kosovën dhe ndajnë ndjenja miqësie e simpatie për vendin tonë, u takuan për të shënuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë të re: shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës 17 vite më parë.

    Ambasadori Kiçmari ka folur për historikun e krijimit të Republikës së Kosovës.

    Ai i ka falënderuar Qeverinë e Japonisë dhe zyrtarët e të gjitha niveleve si dhe qytetarët japonezë për kontributin e tyre për lirinë, pavarësinë dhe sidomos shtetndërtimin e Kosovës.

  • “Lutjet e Mëngjesit” në ShBA, komandant “Shkupi” merr pjesë me uniformën e veteranit të UÇK-së

    “Lutjet e Mëngjesit” në ShBA, komandant “Shkupi” merr pjesë me uniformën e veteranit të UÇK-së

    Ferid Berisha, i njohur me nofkën komandant “Shkupi”, ka marrë pjesë në “Lutjet e mëngjesit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    E veçanta e pjesëmarrjes së tij, ishte se ai kishte të veshur uniformën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai ka shkruar se ishte i prekur thellë nga respekti dhe mirënjohja e njerëzve që nuk e njihnin, por e falënderonin për shërbimin e tij ushtarak.

    Berisha tha se kjo dëshmon se sakrifica për liri është e njohur dhe e vlerësuar kudo.

    “Me zemër plot krenari dhe mirënjohje, dua t’ju informoj për përjetimet e jashtëzakonshme që pata në këto ditë historike. Ishte një nder i madh të merrja pjesë në National Prayer Breakfast, i veshur me uniformën e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më preku thellë respekti dhe mirënjohja e njerëzve që nuk më njihnin, por më thonin “Thank you for your service”, duke dëshmuar se sakrifica për liri është e njohur dhe e vlerësuar kudo. Po aq emocionues ishte edhe momenti kur në Detroit ngritëm flamurin kombëtar të Shqipërisë, një simbol i krenarisë dhe unitetit tonë kombëtar. Flamuri valoi lart, ashtu siç ka valuar ndër shekuj në zemrat e shqiptarëve kudo në botë.Së fundmi, pjesëmarrja në festën e Pavarësisë së Kosovës në City Hall New York ishte një përjetim i paharrueshëm. Të festojmë së bashku këtë arritje të madhe është një kujtesë e fuqishme e sakrificave dhe ëndrrës së realizuar për një Kosovë të lirë e të pavarur”, ka shkruar ai.

    Komandant “Shkupi”, kishte drejtuar njësinë e famshme “Tigrat e zi”.

  • Strehimi i refugjatëve palestinezë, Rama: S’ka ende kërkesë nga qeveria amerikane, por përgjigjja do të jetë “JO”

    Strehimi i refugjatëve palestinezë, Rama: S’ka ende kërkesë nga qeveria amerikane, por përgjigjja do të jetë “JO”

    Kryeministri shqiptar Edi Rama tha në Mynih, se qeveria amerikane nuk i ka parashtruar ende ndonjë kërkesë për strehim refugjatësh palestinezë në Shqipëri, por përgjigjja do të jetë gjithsesi “Jo!”.

    “Nuk kuptova pse më kërkuat dëshpërimisht që të isha pjesë e këtij paneli për Lindjen e Mesme”. Kjo ishte ndër fjalitë e para që kryeministri shqiptar Edi Rama tha gjatë aktivitetit të zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, me titull: “Përtej konfliktit: Vlerësimi i rrugëve dhe pengesave që çojnë drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, pasditen e së shtunës (15.02).

    Lufta në Gazëdhe konflikti Izrael-Palestinë ishte tema e këtij takimi, në të cilin njerëz nga politika, bota akademike, shoqëria civile dhe media kishin mbushur thuajse të gjithë sallën në “Amerikahaus” në Mynih.

    Në panel ishin lajmëruar si folës edhe kancelari austriak Alexander Schallenberg dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal Bin Farhan Al Saud, të cilët e anuluan ardhjen në çastet e fundit dhe u zëvendësuan nga politikani gjerman Armin Laschet, i partisë CDU dhe ish-kryeministri i Libanit, Najib Mikati.

    Paneliste ishte edhe Suzanne Maloney, zëvendëspresidente dhe drejtuese e programit të Politikës së Jashtme “Brookings Institution” në SHBA, eksperte e Lindjes së Mesme dhe kryesisht Iranit, njëkohësisht ish-këshilltare e rajonit për qeveritë republikane dhe demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Palestinezë në Shqipëri?

    Presidenti amerikan Donald Trump, tha pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp se Shqipëria është në listën e vendeve që ai po merr në konsideratë për dërgimin e refugjatëve palestinezë.

    “Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump por dhe nëse do të na pyesin – çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra vetë… – gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime” – u shpreh Rama.

    Duke sjellë në vëmëndjen e të pranishmëve mikpritjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, pranimin e 7 mijë muxhahedinëve dhe strehimin e afganëve që u larguan pas rikthimit në pushtet të talebanëve në vitin 2021 dhe që u strehuan në Shëngjin, ku ende vazhdon të jetë një pjesë e tyre – Rama deklaroi se situata me palestinezët është ndryshe.

    “Ne na vjen shumë keq për këta njerëz të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë” – deklaroi Rama, duke theksuar se edhe shifrat kanë rëndësi.

    Ideja e Trumpit për strehimin e palestinezëve në vende të ndryshme të botës shihet si diçka krejtësisht e gabuar edhe nga Suzanne Maloney. “Nuk është aspak normale që këta njerëz të largohen me forcë nga toka e tyre” – u shpreh ajo.

    “Nga dega në degë”

    Ish-kryeministri libanez Mikati tha se “BE-ja ka lënë një vakuum shumë të madh në Lindjen e Mesme” dhe se drejtuesit e BE-së duhet të jenë më të pranishëm në rajon. Laschet nga ana e tij komentoi se “Evropa nuk mund të ndihmojë, por duhet të jetë pjesë e procesit”.

    Rreth një muaj më parë, ministrja e Jashme gjermaneAnnalena Baerbock vizitoi Sirinë, vend i dalë nga një luftë e gjatë dhe pushteti shtypës i Bashar Al-Asad. Ky takim u soll si shembull pozitiv i rolit dhe mbështetjes evropiane në Lindjen e Mesme, gjë për të cilin Rama, nuk ra dakord.

    E teksa Laschet mbrojti rolin e Gjermanisë dhe Bashkimit Europian në rajon, Rama habiti të gjithë të pranishmit në sallë duke e reduktuar kryediplomaten gjermane tek pamja e saj e jashtme. “Ajo është e bukur” ishte komenti i Ramës për vizitën e ministres Baerbock në Siri.

    Pjesën më të madhe të kohës së panelit kryeministri shqiptar e kaloi duke dalë krejtësisht nga tema. Rama u përqendrua sërish tek BE-ja dhe duke ironizuar mënyrën e funksionimit të saj, tha se BE-ja është një strukturë e cila sipas tij “shpik çdo javë normativa dhe rregullore të reja”.

    Rama madje mori herë pas here rolin e moderatorit, duke mos i lënë shumë hapësirë për të folur moderatores së vërtetë të seksionit, Mayssoun Zein Al Din, e cila jo rrallëherë u vu në siklet prej injorimit që ai i bëri shpeshherë gjatë bisedës, ku të tjera pyetje i bëheshin dhe të tjerave u përgjigjej./DW

  • Kurti takoi ministrin e Financave të Gjermanisë, shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kosovës

    Kurti takoi ministrin e Financave të Gjermanisë, shprehu mirënjohje për mbështetjen e Kosovës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi mbrëmë ministrin e Financave të Gjermanisë, Jörg Kukies, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

    Diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, përfshirë ato në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe për mundësitë dhe rëndësinë e shtimit të shkëmbimeve tregtare, investimeve të huaja dhe bashkëpunimit ekonomik.

    Gjatë bisedës, kryeministri Kurti veçoi zbatimin e 12 profileve të arsimit dual dhe planet për shtimin edhe të 10 të tjerave për të zgjeruar lidhjet ndërmjet shkollimit profesional dhe tregut të punës, përkatësisht arsimit me ekonominë, rolin e diasporës sonë për forcimin e urave ndërmjet dy vendeve, dhe progresin, ofertën për investitorë të huaj dhe përparësitë e sektorit te teknologjisë në Kosovë.

    Kryeministri shprehu mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës.

  • Aksident fatal në Greqi, 15-vjeçari humb jetën

    Aksident fatal në Greqi, 15-vjeçari humb jetën

    Një aksident i rëndë trafiku ka shkaktuar vdekjen e një 15-vjeçari dhe plagosjen e tre personave të tjerë mëngjesin e sotëm në rrugën Iasmou në zonën e Fylit.

    Sipas autoriteteve dhe mediave greke, një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë, një tjetër ka pësuar amputim të gjymtyrëve të poshtme, ndërsa personi i tretë ka marrë lëndime të lehta.

    Shërbimi Mjekësor i Urgjencës reagoi menjëherë, duke dërguar katër autoambulanca, përfshirë një Njësi Mjekësore Lëvizëse.

    Dy nga të plagosurit sipas euronews.al, u transportuan në spitalin “Attiko” dhe dy të tjerët në “Evangelismos”.

    Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal.

  • Superliga rikthehet sot, luhen dy ndeshje interesante

    Superliga rikthehet sot, luhen dy ndeshje interesante

    Sot (e diel) janë në program për t’u zhvilluar dy ndeshje në kuadër të xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës.

    Kjo xhiro filloi dje (e shtunë) me dy ndeshje, ku në njërën u përballën Suhareka dhe Dukagjini e cila u mbyll me fitoren e klinasve me rezultat 2-1.

    Vëmendja ishte tek derbi mes Prishtinës dhe Dritës i cili dhuroi një spektakël prej gjashtë golash dhe u mbyll me barazim 3-3.

    Gjatë ditës së sotme Feronikeli do të jetë nikoqir i Llapit me shumë probleme në Drenas, ndërsa në takimin tjetër Ballkani i shkon Gjilanit.

    Sa i përket duelit të parë, Llapi i cili po has në vështirësi të mëdha këtë sezon synon fitoren pasi gjendet momentalisht në pozitën e nëntë apo atë që të çon një kategori më poshtë.

    Në anën tjetër, Ballkani kërkon fitoren ndaj Gjilanit për të vazhduar garën me Dritën për titull kampion, por nuk do të jetë aspak e lehtë për ta duke ditur se gjilanasit luajnë në cilësinë e vendasit.

    Të dyja këto ndeshje është paraparë që të nisin me fillim nga ora 13:00.