ATV

Author: ATVLive

  • Prej sot ndryshon forma e testimit për patentë-shoferë, Ministria e Infrastrukturës thotë se e lehtëson punën e kandidatëve

    Prej sot ndryshon forma e testimit për patentë-shoferë, Ministria e Infrastrukturës thotë se e lehtëson punën e kandidatëve

    Testi me shkrim për patentë-shoferë mbetet një nga “fobitë” e kandidatëve që duan të pajisen me leje për vozitje në Kosovë, kjo pasi për shkak të pyetjeve shpesh jo të formuluara mirë e shpesh me opsione shumë të ngjashme me njëra tjetrën e që në disa raste iu duhet të zgjedhin edhe më shumë se një përgjigje të saktë.

    Për ta lehtësuar këtë, Ministria e Infrastrukturës ka ndërmarrë procesin e ndryshimit të testimit duke duke ndryshuar formën e pyetjeve.

    Kjo Ministri në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se kjo formë e testimit do të hyj në fuqi nga data 18 shkurt, saktësisht sot.

    “Është në proces të ndryshimit mënyra e testimit e cila krijon lehtësira për testimin e kandidatëve për të gjitha kategoritë rrit efikasitetin, cilësinë e vlerësimit të njohurive të kandidatëve dhe saktësinë në vlerësim të kandidatëve. Sipas planifikimeve kjo formë e testimit do të fillojmë me 18.02.2025”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Sipas tyre, përveç ndryshimit të pyetjeve do të hyj në fuqi edhe doracaku zyrtar për të gjitha kategoritë.

    Nëse ky ndryshim është bërë për të rritur kalueshmërinë, Ministria e Infrastrukturës e ka mohuar pasi sipas tyre është bërë vetëm për të krijuar lehtësira për testimin e kandidatëve.

    Ndërsa vetëm gjatë vitit 2024, mbi 83 mijë persona janë pajisur me patentë-shoferë në Kosovë.

    Që nga data 1 janar 2024 e deri më 30 nëntor janë testuar në provimin teorik 94 mijë e 819 kandidatë, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56 mijë e 358 kandidatë.

    “Sa i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Departamenti për patentë-shofer është kompetente për testimin e kandidatëve për patentë-shofer të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik ku gjatë vitit 2024 nga 01. Janar 2024 deri më 30 nëntor 2024 janë testuar nga provimi teorik 94 819 kandidat, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56358 kandidat (gjithmonë duke u mbështetur në raportet e e-testimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Patentë-shoferëve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës.

    Testimi i këtyre kandidatëve, sipas Ministrisë është lehtësuar edhe pas digjitalizimit apo e-testimit, shkruan lajmi.net.

    Patentë-shoferët apo lejet për vozitje janë të detyrueshme për qytetarët në Kosovë, pasi që edhe veturat janë pothuajse opsioni kryesor i qarkullimit të tyre për punë apo çfarëdo nevoje tjetër.

    Në Kosovë mungesa e metrove, mos-përdorimi i biçikletave si dhe kaosi që shkaktohet zakonisht brenda autobusëve ua pamundëson thuajse lëvizjen me ndonjë mjet tjetër transporti, përpos automjeteve.

  • ​Vrasje në tentativë në Ferizaj, i mituri tenton të ikë por kapet nga viktimat

    ​Vrasje në tentativë në Ferizaj, i mituri tenton të ikë por kapet nga viktimat

    Është arrestuar një person i dyshuar i mitur, pasi që i njëjti ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë.

    Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës, duke shtuar se gjatë ikjes, i dyshuari është kapur nga viktimat dhe është rrahur.

    “Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit, me një karikator me një fishek dhe katër gëzhoja. Pas pranimit të tretmanit mjekësor, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.

  • ​Qëllimshëm me veturën e tij goditi veturën gruas, arrestohet i dyshuari

    ​Qëllimshëm me veturën e tij goditi veturën gruas, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se qëllimshëm me veturën e tij e kishte goditur veturën e viktimës femër kosovare në Ferizaj.

    “Përveç dëmeve materiale në dy veturat, lëndime kanë pësuar viktima dhe i dyshuari dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa viktima është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë

    Konferenca ndërkombëtare “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike” do tw mbahet sot në Universitetin amerikan të njohur për studime ndërkombëtare dhe diplomatike Elliott School of International Affairs.

    Kjo konferencë synon të sjellë një debat të thelluar mbi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës, rolin e diplomacisë publike dhe ndikimin e saj në të ardhmen e vendit.

    Kjo konferencë organizohet nga Jeta Abazi Gashi (Universiteti i Prishtinës) në bashkëpunim me profesor Babak Bahador dhe mbështetet nga Instituti për Studime Evropiane, Ruse dhe Euroaziatike Elliott School, dhe mbledh ekspertë të njohur nga fusha e politikës, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, mediave dhe artit.

    Në panelin e parë Marrëdhëniet SHBA-Kosovë dhe Diplomacia Publike marrin pjesë Elez Biberaj, ish-drejtor i Divizionit të Eurazisë të Zërit të Amerikës, Pëllumb Kelmendi, profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin Auburn, Drilona Emrullahu, ekonomiste, Banka Botërore. Aty do të shqyrtohen marrëdhëniet 25-vjeçare mes SHBA-së dhe Kosovës.

    Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA, Charles Kupchan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Universiteti Georgetown dhe Jeta Abazi-Gashi, hulumtuese dhe bursiste e Fulbright, Universiteti George Washington (nga Universiteti i Prishtinës) janë pjesë e panelit të dytë E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomacisë publike, e cila shqyrton trajektoren e marrëdhënies në një botë gjithnjë e më shumëpolare.

    Paneli i tretë Ndërtimi i Paqes (Art, Media dhe Politikë) shqyrton perspektivat për paqen dhe stabilitetin afatgjatë për Kosovën. Pjesëmarrës të panelit janë Sislej Xhafa, artist kosovar nga Nju Jorku, Elizabeth Hume, drejtoreshë ekzekutive në Aleancën për Ndërtimin e Paqes, Gëzim Visoka, profesor i asociuar, Universiteti i Qytetit të Dublinit (DCU).

  • Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja Osmani ndan Dekorata Presidenciale në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

    Në kuadër të ceremonive për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani do të zhvillojë sot një ceremoni në orën 12:00.

    Gjatë këtij eventi, ajo do të ndajë Dekorata Presidenciale për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në forcimin dhe avancimin e Kosovës.

    Ceremonia do të mbahet në Sallën e Filarmonisë, e cila ndodhet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

  • “Lidhjet midis popujve tanë janë të forta”, Donald Trump uron për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

    “Lidhjet midis popujve tanë janë të forta”, Donald Trump uron për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga homologu i saj amerikan Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e tij, presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.

    Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

    “Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.

    Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.

    Në fund të urimit, presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.

  • Zelensky thotë se Ukraina s’u ftua për bisedimet SHBA-Rusi në Arabinë Saudite

    Zelensky thotë se Ukraina s’u ftua për bisedimet SHBA-Rusi në Arabinë Saudite

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite, për përfundimin e luftës së Moskës në Ukrainë.

    Duke folur më 15 shkurt, Zelensky tha gjithashtu se Ukraina nuk do të bisedojë me Rusinë pa u këshilluar fillimisht me aleatët e vet evropianë.

    “Ne nuk kemi asnjë dokument, asnjë ftesë. Për mua është e çuditshme të flas në këtë rast, në këtë mënyrë, nëse më parë nuk kemi zhvilluar asnjë bisedë mes vete si aleatë dhe partnerë strategjikë”, tha ai gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.

    “Për aq sa di unë, Rusia nuk është partneri ynë strategjik”, shtoi ai.

    Reagimi i Zelenskyt vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme.

    Zyrtarët amerikanë thanë për gazetarë më 15 shkurt se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, dhe negociatori për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të marrin pjesë në bisedime.

    Keith Kellogg, i dërguari i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, nuk pritet të marrë pjesë në bisedime, sipas mediave që cituan zyrtarë amerikanë.

    Zyrtarët amerikanë nuk dhanë hollësi se kur do të zhvillohen takimet në Arabinë Saudite. Rubio mbërriti në Izrael mbrëmjen më 15 shkurtit, pasi mori pjesë në konferencën e Munihut.

    Mykhaylo Podolyak, këshilltar i lartë i Zelenskyt, tha se “nuk ka negociatorë që do ta përfaqësojnë Ukrainën në Arabinë Saudite”.

    “Sot, nuk ka asgjë në tryezën e bisedimeve që mund të diskutohet. Rusia nuk është e gatshme për negociata”, tha ai për televizionin ukrainas pas komenteve të Zelenskyt më 15 shkurt.

    Ndërkohë, liderët evropianë pritet të mblidhen javën e ardhshme në Paris për një takim urgjent në lidhje me luftën në Ukrainë.

    Ky takim pritet të mbahet pas shqetësimeve se Uashingtoni do të lërë Evropën jashtë bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
    SHIKONI EDHE:
    Liderët evropianë pritet të mbajnë takim urgjent për Ukrainën
    Kellogg shkaktoi habi kur tha se Evropa mund të mos jetë në “tryezën”, nëse Shtetet e Bashkuara i ndërmjetësojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Duke folur në një panel dreke në Konferencën e Sigurisë në Munih më 15 shkurt, Kellogg la të kuptohet se Uashingtoni synon të bëjë përparime të rëndësishme brenda disa javësh, duke theksuar se ai po vepron “me kohën e Trumpit”.

    Mes shqetësimeve në Kiev dhe Bashkimin Evropian se ata mund të anashkalohen pasi Trump foli me presidentin rus Vladimir Putin këtë javë dhe tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të fillonin menjëherë negociatat, Kellogg theksoi se Ukraina dhe Evropa nuk do të përjashtohen.

    “Duhet t’i përfshish aleatët. A do të luajnë rol ata? Sigurisht që po. Ne duam të sigurohemi që është një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë”, shtoi ai.

    Megjithatë, kur u pyet nëse mund të garantonte audiencën se “ukrainasit do të jenë në tryezë dhe evropianët do të jenë në tryezë”, Kellogg u përgjigj: “Oh, mirë, sapo ndryshuat gjithë dinamikën”.

    “Përgjigja për pyetjen e fundit… është jo”, tha ai, duke iu referuar me sa duket Evropës. “Përgjigja për pjesën e parë të asaj pyetjeje është po, sigurisht që ukrainasit do të jenë aty”.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha më 15 shkurt se sekretari Rubio bisedoi në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës.

    Biseda e Rubios me Lavrovin “u bë në vazhdën e bisedimeve pas bisedës së presidentit Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin më herët këtë javë”, thuhet në një komunikatë të shkurtër.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e BE-së, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimit të bisedimeve pa përfshirjen e negociatorëve të tyre.

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje kundër një “zgjidhjeje të shpejtë” dhe një “marrëveshjeje të pistë” për përfundimin e konfliktit, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e Evropës dhe Ukrainës.

    Duke iu drejtuar konferencës së Munihut, Zelensky u bëri thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.

    “Ka ardhur koha, Forcat e Armatosura të Evropës duhet të krijohen”, tha ai.

    “Nëse amerikanët vendosin të largohen, ta kufizojnë praninë e tyre, nuk është gjë e mirë, natyrisht, është e rrezikshme”, tha Zelensky.

    Në margjinat e konferencës së Munihut, vendet e industrializuara të G7-ës ritheksuan “mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën.

  • Ushtarët italianë kryen patrullime rutinë në Istog: Aktivitete me qëllim garantimin e sigurisë

    Ushtarët italianë kryen patrullime rutinë në Istog: Aktivitete me qëllim garantimin e sigurisë

    Ushtarët italianë të caktuar në Komandën Rajonale të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, kanë kryer patrullime rutinë përgjatë “vijës kufitare administrative” në veri të komunës së Istogut.

    KFOR thotë se këto aktivitete kanë për qëllim të garantojnë sigurinë dhe të mbajnë një prani të vazhdueshme në zonë.

    “Ushtarët italianë të caktuar në Komandën Rajonale në perëndim të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, kryen patrullime rutinë përgjatë Vijave Kufitare Administrative (ABL) në veri të komunës së Istogut. Aktivitetet e patrullimit të motorizuara dhe në këmbë kanë për qëllim të garantojnë sigurinë dhe të mbajnë një prani të vazhdueshme në zonë”.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis mbrojtës dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Gjergjaj takohen me Richard Grenell, publikojnë fotografi së bashku

    Dafina Zeqiri dhe Kreshnik Gjergjaj takohen me Richard Grenell, publikojnë fotografi së bashku

    Këngëtarja Dafina Zeqiri së bashku me burrin e saj, Kreshnik Gjergjaj janë takuar me emisarin special të ShBA-ve për misione të veçanta, Richard Grenell.

    Gjergjaj ka postuar në rrjetin social Instagram duke ngrënë darkë me Grenell, ku përveç Dafinës, prezentë ishte edhe kunati i saj, Arian Gjergjaj.

    Të katërt kanë darkuar në një restaurant në Gjermani.

  • Ushtarët letonezë dhe italianë patrullojnë në Zubin Potok

    Ushtarët letonezë dhe italianë patrullojnë në Zubin Potok

    Ushtarët letonezë dhe italianë të KFOR-it, patrulluan sot në Zubin Potok, për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në zonë.

    KFOR-i thotë se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë”.