ATV

Author: ATVLive

  • ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    ​Zgjedhjet, heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës diskutohen në takimin Kurti-Orav

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se ambasadori Orav e vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

    “Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në takimin Kurti-Orav u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar tri subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

    Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

  • ​Begaj në KFOR, interesohet për situatën në veri

    ​Begaj në KFOR, interesohet për situatën në veri

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në komandën e KFOR-it në Prishtinë, ku u takua me komandantin e këtij misioni, Gjeneral Major Enrico Barduanin, dhe efektivët shqiptarë që shërbejnë aty.

    Me komandantin e KFOR-it, Begaj diskutoi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Kosova në kontekstin e zhvillimeve, sidomos në veri të vendit dhe në të gjithë rajonin.

    “Presidenti i Republikës i shprehu Gjeneral Major Barduanit mirënjohje për kontributin dhe, gjithashtu, i përcolli falënderimet për vendin e tij, Italinë, e cila ka numrin më të madh të trupave në Kosovë. Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e pranisë së KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa vlerësoi rolin kyç që ky mision ka luajtur deri tani jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin në Ballkan. Presidenti Begaj i shprehu komandantit të KFOR-it, Gjeneral Majorit Enrico Barduani, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe misionit të KFOR-it, të cilin e cilësoi si “histori suksesi”, si edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur numrin e trupave nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria ka në shërbim të KFOR-it numrin më të madh të efektivëve që marrin pjesë në misionet ndërkombëtare jashtë vendit. Gjatë takimit me ushtarakët shqiptarë, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tyre për një shërbim të cilin e çmon me rendësi të madhe kombëtare pasi, siç u shpreh, krahas kontributit në NATO, për paqen dhe sigurinë, pjesëmarrja e tyre në KFOR i shërben paqes, sigurisë dhe mirëqenies së Kosovës, e cila është prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

    Presidenti Begaj vlerësoi se përmirësimet ligjore dëshmojnë për vëmendjen dhe mbështetjen në rritje të institucioneve ndaj Forcave të Armatosura.

    “Ju përfaqësoni pjesën më të mirë të shtetit shqiptar, sepse na bëni krenar me veprimtarinë, angazhimin, ndjenjën e përgjegjësisë, kontributin tuaj”, – vlerësoi Presidenti Begaj në këtë takim ku shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Arben Kingji, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Petrit Malaj.

  • ​Osmani ndan dekorata presidenciale për nder të 17-vjetorit të pavarësisë

    ​Osmani ndan dekorata presidenciale për nder të 17-vjetorit të pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë titullin hero i Kosovës, Shaban Jasharit.

    Osmani, në një ceremoni të veçantë për nder të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, thekoi se familja Jashari është themeli i lirisë së Kosovës.

    Krahas kësaj, Osmani ndau urdhrin hero dhe heroin e Kosovës edhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin.

    E para e vendit tha se shteti i Kosovës njeh sakrificën e të gjithëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Osmani për nder të 17 vjetorit të pavarësisë, ndau dekorata presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

    Në këtë ceremoni morri pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se Kosova e pavarur është një realitet që s’kthehet asnjë herë më prapa.

    Ai tha se ndihma e Shqipërisë ndaj Kosovës është ndihmë për shqiptarinë.

    “Ne duhet të qëndrojmë bashkë krah për krah në çdo sferë”, tha ai.

  • ​Ambasada amerikane mbështetë rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane

    ​Ambasada amerikane mbështetë rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane

    Ambasada amerikane në Kosovë ka mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane, demokratike, multietnike dhe prosperuese.

    Kështu thuhet në njoftimin e ambasadës, duke shtuar se e ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati iu bashkua liderëve kosovarë për të shënuar 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

    “E ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati iu bashkua liderëve kosovarë për të shënuar 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ambasada amerikane ka mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje sovrane, demokratike, multietnike dhe prosperuese”, thuhet në njoftim.

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës.

    Qytetarë të shumët ishin mbledhur për të parë nga afër parakalimin e ushtarëve dhe policëve të Kosovës, derisa nën patronatin e presidentes dhe kryeministrit ishin organizuar aktivitete të shumta.

  • ​Begaj: Kosova e pavarur është një realitet që s’kthehet asnjë herë më prapa

    ​Begaj: Kosova e pavarur është një realitet që s’kthehet asnjë herë më prapa

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Kosova e pavarur është një realitet që s’kthehet asnjë herë më prapa.

    Ai tha se ndihma e Shqipërisë ndaj Kosovës është ndihmë për shqiptarinë.

    “Ne duhet të qëndrojmë bashkë krah për krah në çdo sferë”, tha ai.

    Këto komente Begaj i bëri me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një ceremoni të veçantë, ku nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, u ndan Dekorata Presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare.

  • ​Detaje të reja nga tentim grabitja në Prishtinë

    ​Detaje të reja nga tentim grabitja në Prishtinë

    Një tentim grabitje ka ndodhur sot rreth orës 10:40 të mëngjesit, në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, më saktësisht mbrapa Teatrit Kombëtar, ku i dyshuari ka hy në objekt me armë, syze dhe kapelë dhe ka kërkuar nga dy punëtoret që të japin të gjitha paratë.

    Policia doli në vendin e ngjarjes dhe bllokoi njërën korësi të rrugës, me që rast u krijuan edhe kolona të gjata.

    Sipas informatave që ka arritur të sigurojnë ekipi i KosovaPress-it, nga dy punëtore që ishin në këtë rast viktima, të njëjtat kanë arritur të prekin alarmin dhe i dyshuari ka ikur dhe nuk ka arritur te marrë asgjë.

    Punëtoret e WesterUnionit, nuk dëshiruan të flasin para kamerës por sipas informatave që kemi arritur t’i sigurojmë, i dyshuari ka hy në qetësi dhe pasi që është prekur alarmi, ai ka dal me vrap, duke prekur dorezën e derës me krahë për të mos lënë shenja.

    “Ora ka qenë 10:40, ka hy shumë qetë dhe ka thënë qiti paret njëherë, ka nxjerrë armën dhe më shumë nuk kam pa. e kemi një pjesë mbrapa ka qenë me syzë dhe kapelë dhe kemi prekur alarmin dhe ka ikur. Nuk ka marrë asgjë pasi që nuk ka pasur mundësi, ka ikur duke vrapuar. Derën e ka hapur me krah për të mos lenë shenja. Policia na ka pyetur për një të dyshuar dhe ishte ai, ka tentuar edhe diku tjetër“, tha punëtorja mbrapa kamerës.

    I njëjti është fytyrë e njohur për Policinë e Kosovës, pasi që kishte tentuar edhe në vende të tjera.

    Ndërkaq, nga Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin.

    “Sot rreth orës 11:00, kemi pranuar informatën për një rast tentim grabitje që ka ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, saktësisht në një institucion mikrofinanciar. Në koordinim me Prokurorinë përkatëse, hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • ​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

    ​Ambasadori Orav zhvillon takime të ndara me opozitën, diskutojnë për zgjedhjet

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar dy subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.

    Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.

    Sipas njoftimit të PDK-së në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.

    “Për Partinë Demokratike të Kosovës, këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë tonë dhe një dëshmi e qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës. Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

    Tutje thuhet se PDK mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik.

    “Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së në rrjetin social Facebook.

    Edhe LDK ka bërë me dije se kryetari Lumir Abdixhiku në Selinë Qendrore ka pritur në takim ambasadorin Orav.

    Gjatë takimit Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin Orav për gjendjen aktuale politike me theks të veçantë lidhur me procesin zgjedhor, si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj situate.

    “Kryetari Abdixhiku theksoi se LDK e respekton në plotni vullnetin qytetar të shprehur gjatë këtij procesi zgjedhor dhe po ashtu pret që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbyllë sa më shpejt procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundojë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur çdo vonesë tjetër. Në fund kryetari Abdixhiku tha se LDK do të angazhohet për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovë me theks të veçantë në përmbylljen e proceseve të integrimit evropian”, përfundon njoftimi i LDK-së në rrjetin social Facebook.

    Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se ambasadori Orav, konfirmoi edhe një herë rëndësinë e partneritetit me BE-në.

    Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj shtoi se me ambasadorin bashkëbiseduam rreth procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe hapave të mëtejshëm drejt integrimit evropian.

    “Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në rrugëtimin tonë të përbashkët. Vlerësoj angazhimin e BE-së në forcimin e demokracisë dhe institucioneve tona, duke qenë se proceset zgjedhore të besueshme janë tregues i pjekurisë sonë politike dhe aspiratave evropiane”, ka shkruar haradinaj në rrjetin social Facebook.

  • Serbia i kërkon ndihmë Rusisë për protestat e studentëve, por manipulon me Perëndimin

    Serbia i kërkon ndihmë Rusisë për protestat e studentëve, por manipulon me Perëndimin

    Serbia tashmë edhe zyrtarisht ia ka shtrirë dorën e kërkesës për ndihmë nga Rusia rreth protestave studentore që po mbahen në Serbi tash e sa muaj.

    Këtë e ka bërë dje ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq derisa sot një gjë të tillë e ka bërë edhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin.

    Ky i fundit u takua me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Sergei Shoigu.

    Që të dy raportohet se ranë dakord për intensifikimin e dialogut ndërinstitucional për t’iu kundërvënë “revolucioneve me ngjyra”, duke iu referuar kështu protestave studentore kundër regjimit në Serbi.

    Vulin dhe Shoigu u takuan në Moskë dhe siç thuhet në deklaratën e qeverisë së Serbisë, takimi konfirmoi “një refuzim kategorik të ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme të shteteve sovrane”, shkruajnë mediat serbe, transmeton KosovaPress.

    “Pala ruse shprehu gatishmërinë e saj për të vazhduar mbështetjen për popullin vëllazëror të Serbisë në ruajtjen e stabilitetit. Palët ranë dakord të intensifikojnë dialogun ndërinstitucional për të kundërshtuar ‘revolucionet me ngjyra’”, shtohet deklarata.

    Por çka do të thotë termi ‘ndërhyrje e jashtme’ që u përmend nga Vulini dhe Shoigu?

    Gjatë ditës së djeshme kur ndodhi takimi mes ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe atij rus, Sergei Lavrov, në mediat serbe u zbulua një detaj. Takimi ndodhi pas një deklarate që Gjuriq e dha në Mynih para ndërkombëtarëve, duke i lidhur protestat në Serbi me shërbimet sekrete ruse.

    Burimet e N1 raportuan se protestat e studentëve po i paraqiten Perëndimit si rezultat i ndërhyrjes ruse dhe Moskës si një revolucion me ngjyra i orkestruar nga Perëndimi.

    Ndërsa në Moskë flitet për përpjekjet e Perëndimit për të destabilizuar Serbinë, në Mynih.

    Përkatësisht, nënkryetari i Unionit Studentor Serb, Borko Stefanoviq, thotë se ka informacione të besueshme se ka qenë Gjuriqi ai që në takime zyrtare në Mynih i ka akuzuar studentët si spiunë rusë dhe ka thënë se kryengritja e popullit në Serbi është organizuar nga shërbimi sekret rus.

  • KQZ thërret konferencë për media

    KQZ thërret konferencë për media

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot do të mbajë konferencë për media në sallën e sporteve “1 Tetori”.

    Sipas njoftimit, aty pritet të paraqitet progresin e numërimit të vendvotimeve dhe verifikimin e pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës përmes postës.

    Konferenca pritet të mbahet në ora 17:00.

    “Ju njoftoj se sot (e martë, 18 shkurt 2025, ora 17:00) në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Prishtinës, në sallën e sporteve “1 Tetori” do të mbaj konferencë për media për të paraqitur progresin e numërimit të vendvotimeve dhe verifikimin e pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës përmes postës.”, thuhet në njoftim.

  • Afër shtatë milionë euro u paguan nga buxheti i Kosovës më 2024 për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja dhe vizitat familjare

    Afër shtatë milionë euro u paguan nga buxheti i Kosovës më 2024 për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja dhe vizitat familjare

    Për mbrojtjen e të akuzuarve të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë dhe vizitat familjare, Republika e Kosovës gjatë vitit 2024 ka paguar 6 milionë e 786 mijë e 700 euro, duke mos e kaluar buxhetin e ndarë për këtë vit- shumë e cila ishte 6 milionë e 850 mijë euro.

    “Betimi për Drejtësi” raporton se lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen e të akuzuarve gjatë vitit 2024, e nga të cilat ish-krerët e UÇK-së kanë shpenzuar (secili veç e veç) nga një milion e 320 mijë euro, përveç për mbrojtjen e Kadri Veselit, për të cilën janë shpenzuar 10 mijë euro më pak.

    Për mbrojtën e Pjetër Shalës, janë shpenzuar 865 mijë euro, ndërsa për atë të Salih Mustafës 440 mijë euro.

    Për të akuzuarit për pengim të drejtësisë (Haxhi Shala, Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi), të cilët së fundi kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar, përveç Ismet Bahtijarit, Ministria e Drejtësisë nuk ka ofruar të dhëna ndonëse “Betimi për Drejtësi” ka ripërsëritur disa herë kërkesën. Sipas MD-së, për mbrojtjen e Ismet Bahtijarit janë shpenzuar 8 mijë euro.

    Po ashtu, as për Isni Kilajn nuk ka informacion nëse mbrojtja e tij është paguar nga buxheti i Kosovës.

    Ndërsa për vizitat familjare, nga buxheti i Kosovës më së shumti janë shpenzuar për Jakup Krasniqin. Shpenzimet për këto vizita kanë shkuar në 31 mijë e 325 euro e 28 centë. Për atë të Rexhep Selimit janë shpenzuar 28 mijë e 720 euro e 95 centë. Për atë të Haxhi Shalës janë shpenzuar 27 mijë e 928 euro e 33 centë. Kurse, për familjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 24 mijë e 412 euro e 76 centë për vizitat në Hagë.

    Për nga lartësia e shpenzimeve për vizitat familjare, i radhës është Ismet Bahtijari, i cili ka shpenzuar 17 mijë e 640 euro e 62 centë, duke e pasuar më pas Sabit Januzi me 17 mijë e 15 euro e 89 centë.

    Kurse, 15 mijë e 340 euro e 99 centë janë shpenzuar për vizitat familjare për Salih Mustafën. Ndërsa, Isni Kilaj për vizitat familjare i ka shpenzuar vetëm 11 mijë e 247 euro e 13 centë, duke e lënë të fundit në listën e shpenzimeve Pjetër Shalën me 10 mijë e 518 euro e 20 centë.

    Por, për familjarët e Thaçit nuk është dhënë ndonjë informacion nga MD-ja nëse ata kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

    Në total, për vizitat familjare të të pandehurve të lartpërmendur në Hagë, janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 184 mijë e 152 euro e 15 centë.

    Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

    Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

    Ndryshe, përmes Udhëzimit Administrativ MD nr. 01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD nr.08/2022 për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar Potencial për Krimet e Pretenduara në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara i cili ka hyrë në fuqi në shkurt të 2024-ës janë ndryshuar tarifat për ekipet e mbrojtjes.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

    Gjatë 2024-ës në proces ishin katër raste, kurse një tjetër filloi në fund të vitit kundër administrimit të drejtësisë.

    Rasti i ish-krerëve të UÇK-së (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit) është në proces të gjykimit dhe në fazën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen nga ana e ZPS-së se ndërmjet marsit të vitit 1998 e deri në shtator 1999, kanë kryer krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave që konsideroheshin si kundërshtarë. Rasti i katërshes së UÇK-së është në gjykim.

    Ndonëse vendimet ende nuk kanë marrë formën e prerë, Pjetër Shala u dënua me 18 vjet burgim nga Themelorja. Kurse, Salih Mustafës – Calit, Supremja ia ktheu rastin sërish në Apel, duke ia ulur dënimin nga 22 në 15 vjet burgim.

    Më 16 korrik 2024, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ai u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

    Në seancën e 29 nëntorit 2024, Pjetër Shala u urdhërua që të paguajë 208 mijë euro si zhdëmtim ndaj viktimave. Tani ai është në proces të apelit lidhur me këtë rast.

    Ndërsa, aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim. Ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

    Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 14 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Ndërsa, më 29 korrik, Supremja e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit lidhur me dënimin prej 22 vitesh burgim, duke kërkuar një dënim të ri për të pandehurin. Në shtator 2024, Apeli në rivendosje e dënoi Mustafën me 15 vite burgim.

    Rast i Mustafës është sërish në proces tek Supremja. Mustafa përmes mbrojtjes së tij ka kërkuar që të ulet dënimi për vrasjen e paligjshme dhe si rrjedhojë të ulet dënimi përfundimtar ndaj tij, me arsyetimin se shumica e jurisprudencës në Kosovë lidhur me të njëjtin krim është shumë më e butë duke marrë parasysh edhe faktin që ai nuk u gjend fajtor direkt për këtë vepër.

    Ndryshe, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Kur u vendos në Apel për këtë rast, nuk u shqyrtua fare urdhri për zhdëmtim, pasi sipas trupit gjykues, pala nuk e kishte apeluar atë.

    Në vitin 2024 Sabit Januzi, Haxhi Shala dhe Ismet Bahtijari pranuan fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe atë të frikësimit, përmes një marrëveshjeje të arritur në mes tyre dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kështu, më 2025 u shpall aktgjykimi ndaj tyre.

    Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar në dhjetor 2024 njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit dhe kjo është konfirmuar nga gjykatësja e procedurës paraprake në DhSK

    Në bazë të saj, më 5 dhjetor është arrestuar Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, të cilët një ditë pas u transferuan në Hagë. Kurse, për Hajredin Kuçin ishte lëshuar fletëthirrje për paraqitje në DhSK.

    ZPS-ja pretendon se individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Paraqitja e parë e Thaçit, Smakajt dh Fazliut është bërë me 8 dhjetor 2024. Ndonëse nuk u deklarua për fajësinë ose pafajësinë në këtë çështje, Thaçi tha se e di që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale dhe ai nuk paraqet rrezik politik për askënd. Po ashtu, as Smakaj nuk ishte deklaruar, duke kërkuar që ta shfrytëzojë afatin kohor. Megjithatë, mbrojtja kishte kërkuar lirim me kusht, duke ofruar 5 mijë euro dorëzani, gjë e cila është refuzuar nga gjyqtarja dhe rrjedhimisht ai ka mbetur në paraburgim.

    E njëjta gjë ishte vendosur edhe për Fadil Fazliun, ndonëse ai ofroi 2 mijë e 540 euro dorëzani dhe se u deklarua i pafajshëm.

    Të pafajshëm u deklaruan edhe Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj gjatë seancave të 9 dhjetorit 2024. Por, Kilaj mbeti në paraburgim, duke iu refuzuar dorëzania në vlerë 40 mijë euro.

    As në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur më 17 dhjetor 2024, Smakaj dhe Thaçi nuk u deklaruan. Megjithatë, Thaçi nënvizoi se dy aktakuzat nga Specialja i janë ngritur afër zgjedhjeve. E para kur do të rizgjidhej sërish President dhe e dyta në prag të zgjedhjeve elektorale.

    Kujtojmë se më 13 maj 2024, Isni Kilaj ishte liruar nga paraburgimi pas arrestimit më 2023-ën. Ai ishte liruar nën masa të rrepta të sigurisë dhe me një dorëzani prej 30 mijë eurove.

    Nën dyshimet për pengim të drejtësisë, në mars të 2024-ës ishte bastisur edhe shtëpia e Sylejman Selimit e po ashtu i ishte konfiskuar telefoni Sami Lushtakut.