ATV

Author: ATVLive

  • ​Nasufi lë KEK-un, së shpejti merr drejtimin e skuadrës së re

    ​Nasufi lë KEK-un, së shpejti merr drejtimin e skuadrës së re

    Skuadra nga Obiliqi, KEK-u, që garon në Ligën e Parë ka mbetur pa trajner. Enis Nasufi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë p;asi e drejtori këtë skuadër për dy vite.

    Nga 47 ndeshje që e drejtoi KEK-un, Nasufo regjistroi 33 fitore, 10 barazime dhe vetëm katër humbje, raporton KosovaPress.

    “Pas një periudhe prej afro 2 vitesh si kryetrajner i ekipit FC KEK kam vendosur të jap dorëheqje nga ky post, duke lënë mbrapa një periudhë fantastike me rezultate të shkëlqyera nga 47 ndeshje si kryetrajner me 33 fitore 10 barazime dhe 4 humbje. FC KEK-u më ka dhënë mundësinë të punoj me kaq shumë njerëz të mrekullueshëm, sa nuk do t’i harroj gjithë jetën time. Fc Kek-u do të mbetet gjithmonë në zemrën time. I uroj klubit dhe mbështetësve gjithë të mirat”, ka shkruar Nasufi në mesazhin e tij lamtumirës.

    Siç mëson KosovaPress, Nasufi së shpejti do të marrë drejtimin e një skuadre të re. Ai tashmë ka në tavolinë tri oferta mjaftë serioze dhe një vendim i ri do të merret së shpejti.

  • Trump: Jam i vetmi President i SHBA që nuk i kam dorëzuar asnjë tokë ukrainase Putinit

    Trump: Jam i vetmi President i SHBA që nuk i kam dorëzuar asnjë tokë ukrainase Putinit

    Presidenti Donald Trump ka thënë se ai është i vetmi President amerikan që nuk i ka dorëzuar asnjë tokë ukrainase Vladimir Putinit.

    Sipas mediave të huaja, komentet Trump i bëri përmes një postimi në Truth Social, ku tha: “Mos e harroni këtë, kur dëgjoni kritikat e dobëta e të paefektshme të demokratëve dhe Fake News që ata i nxjerrin me kënaqësi!”

    Por faktet thonë se nuk ka presidentë amerikanë që t’i kenë dhënë ndonjëherë ndonjë tokë ukrainase Rusisë së Vladimir Putinit.

    Trump u përplas me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, ku i tha atij se po luan bixhoz me luftën e tretë botërore.

    Pas përplasjes, marrëveshja e paralajmëruar e mineraleve mes SHBA e Ukrainës nuk u firmos dhe nuk u arrit asgjë për paqen.

  • ​Përkundër urdhrit të gjykatës për tu paraqitur në prokurori, Kurti ka agjendë tjetër për nesër

    ​Përkundër urdhrit të gjykatës për tu paraqitur në prokurori, Kurti ka agjendë tjetër për nesër

    Ndonëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti është urdhëruar që nesër të paraqitet në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit në ora 10:00, në po të njëjtë kohë për datën 4 mars Albin Kurti do të merr pjesë në një ngjarje tjetër.

    Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Kurti do të marr pjesë në vendosjen e gurëthemelit të çerdhes së re në Gjilan.

    “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e ministrisë, raporton KosovaPress.

    Derisa zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, e kishte konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.

  • Starmer: Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për të mbrojtur veten

    Starmer: Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për të mbrojtur veten

    Kryeministri britanik, Keir Starmer, thotë se Evropa duhet të marrë përgjegjësitë për të mbrojtur veten ndërsa udhëheqësit botërorë u takuan në Londër për të bashkërenduar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Britania organizoi takimin e nivelit të lartë të dielën për të shprehur mbështetjen për Presidentin Volodymyr Zelenskyy pas përplasjes në Zyrën Ovale me Presidentin Donald Trump. Shefi i qeverisë britanike, Keir Starmer tha se Anglia, Franca dhe Ukraina janë pajtuar të hartojnë një plan armëpushimi që do t’ia paraqesin Shteteve të Bashkuara.

    Kryeministri Starmer u zotua të shtojë furnizimin me armatime për Ukrainën ndërsa njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të financojë rreth 2 miliardë dollarë për të furnizuar Kievin me 5,000 raketa mbrojtëse.

    Ai tha se thirrja ndaj aleatëve evropianë për të rritur shpenzimet e armatimeve për mbrojtjen e Evropës dhe Ukrainës nuk ishte shenjë mosbesimi ndaj Shteteve të Bashkuara.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, thotë se kërkohen garanci të forta sigurie për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë dhe për të siguruar që vendi i shkatërruar nga lufta të mos pushtohet përsëri.

    Zoti Costa tha për shtypin në fund të takimit për sigurinë dhe mbrojtjen, që u mbajt në Londër, se aleatët duhet të mësojnë nga e kaluara dhe të shmangin përsëritjen e “përvojës së Minskut”.

    Kancelari gjerman në largim, Olaf Scholz, tha se “nuk mund të pranohet perspektivat ruse” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    “Rusia është përpjekur gjithmonë që të krijojë një qeveri në Ukrainë që zbaton urdhrat e saj. Kjo nuk mund të pranohet”, tha ai.

    “Ukraina është një vend evropian që ka zgjedhur të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian – një komb demokratik dhe sovran. Dhe duhet të mbetet i tillë”, tha zoti Scholz pas takimit në Londër.

    Ai tha gjithashtu se nuk është e pranueshme kërkesa e Rusisë që Ukraina të çmilitarizohet dhe se: “Ukraina duhet të forcohet për t’u siguruar që ajo të mos sulmohet kurrë”.

    Në Gjermani, pavarësisht se ende nuk është formuar qeveria e re, partitë që janë në bisedime po diskutojnë për krijimin e shpejtë të dy fondeve speciale me vlerë qindra miliarda euro, një për mbrojtjen dhe një të dytë për infrastrukturën.

    Sipas agjencisë së lajmeve Reuters ekonomistët që këshillojnë partitë që pritet të formojnë koalicionin qeveritar thanë se do të shpenzohen 400 miliardë euro për mbrojtjen dhe deri në 500 miliardë euro për infrastrukturën.

    Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se Perëndimi duhet të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës. Ajo e cilësoi takimin në Londër si një moment vendimtar.

    “Unë mendoj se është shumë, shumë e rëndësishme që ne të shmangim rrezikun që Perëndimi të përçahet. Për këtë, Britania e Madhe dhe Italia mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave”, deklaroi kryeminsitrja italiane e cila gjithashtu konfirmoi se kishte komunikuar në telefon me presidentin amerikan Donald Trump.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u takua gjithashtu me Mbretin Çarls pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë në Londër.

    Lavrov kritika Evropës për mbështetjen ndaj Ukrainës

    Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov vlerësoi të dielën qëllimin e Presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por akuzoi fuqitë europane se kërkojnë të zgjasin konfliktin.

    Ministri Lavrov gjithashtu hodhi poshtë idetë e BE-së për dërgimin e një kontigjenti paqeruajtësish evropianë dhe tha se Rusia nuk kishte besim në Ukrainë pas rënies së marrëveshjeve të Minskut.

    E ndërsa diskutohet për një paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, një sulm me dron rus të dielën në qytetin ukrainas Kherson vrau një person dhe plagosi gjashtë të tjerë. Në anën tjetër të lumit Dnieper, zyrtarë të emëruar nga Moska në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Khersonit thanë të dielën se dy persona vdiqën nga bombardimet ukrainase.

    Moska dërgoi 79 dronë sulmues në Ukrainë gjatë natës së të dielës, thanë zyrtarët ukrainas. Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, 63 dronë u shkatërruan. 16 dronë të tjerë u bllokuan në mënyrë elektronike./voa

  • “Trainkos” shpjegon largimin nga puna të punëtorit me 42 vite përvojë

    “Trainkos” shpjegon largimin nga puna të punëtorit me 42 vite përvojë

    Sami Halimi, punonjës me mbi 42 vite përvojë në NP Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A., është larguar nga puna.

    Ai pretendon se po përjashtohet padrejtësisht, pasi ka refuzuar ndryshimin e kontratës së tij nga afat i pacaktuar në një kontratë 3-vjeçare.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe “Trainkos”, ku ka theksuar se punëtori në fjalë nuk është larguar nga puna, por i njëjti ka refuzuar te nënshkruaj kontratën e punës e cila ka pagën e njëjtë sikurse paraprakja por me rastin e sistematizimit i është shuar pozita e punës prandaj kontrata e re vie me terma te ri, detyra tjera te punës për page te njëjtë sipas Rregullores se Sistematizimit e që derivon nga pozita paraprake e punës.

    LEXO EDHE:

    Punëtorit me 42 vite përvojë i komunikohet largimi nga puna, pretendon se po përjashtohet padrejtësisht

  • KQZ: Të martën përfundon numërimi i votave me postë, më pas vijnë ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara

    KQZ: Të martën përfundon numërimi i votave me postë, më pas vijnë ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është duke vazhduar numërimi i votave me postë.

    Lidhur me këto vota ka mbajtur konferencë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi i cili tha se ditën e martë pritet të përfundojnë numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë, raporton KosovaPress.

    “Deri ditën e martë do të arrijmë të përmbyllim numërimin e gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë dhe pas kësaj do të fillojmë numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime me datën 9 shkurt si dhe pastaj numërimin e votave të personave me nevoja të veçanta. Pasi të mbyllen gjitha këto procese si dhe pasi të marrim konfirmimin nga ana e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme se nuk ka ndonjë çështje që është duke u shqyrtuar në këto institucione atë herë KQZ do të mund të shpall rezultatin përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët e këtyre zgjedhjeve”, tha Elezi.

    Elezi shtoi se çdo numërim që bëhet në QNR është i ankimueshëm dhe kjo do të thotë që vëzhguesit, subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre për çdo administrim dhe për çdo numërim që zhvillohet në QNR.

    “Të gjitha statistikat e një procesi zgjedhor sa i përket votave të pavlefshme ne do ti kemi më kohën kur KQZ do ti shpall rezultatet përfundimtare. Pjesë e statistikave që ka një proces zgjedhor natyrisht që do te jenë edhe fletëvotimet e pavlefshme. Në rastet kur ka paqartësi nëse një fletëvotim duhet të llogaritet i vlefshëm apo ndryshe është PZAP ku palët mund të paraqesin ankesat e tyre”, tha Elezi.

    Sipas përditësimit të fundit në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 3 mars ora 00:54 janë numëruar 124 kuti të votimit nga 187 sa janë apo 66.31 për qind.

  • Një person i vdekur në Mannheim të Gjermanisë pas përplasjes së makinës në turmë

    Një person i vdekur në Mannheim të Gjermanisë pas përplasjes së makinës në turmë

    Të paktën një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një person e ka përplasur makinën në një turmë njerëzish në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Manhajm, policia lokale të hënën.

    Incidenti ndodhi pak pas mesditës me orën lokale, tha Stefan Wilhelm, një zëdhënës i policisë në Manhajm. Një i dyshuar është arrestuar, shtoi ai.

    Qeveria federale e Gjermanisë lëshoi një paralajmërim “rrezik ekstrem” në qytet dhe tha se një operacion policor në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar.

    Mikla Cela, një punëtore në një restorant në qendër të qytetit, tha për CNN se ka parë një makinë të zezë që kalonte pranë me shpejtësi të madhe. Ai tha se më vonë dëgjoi disa njerëz duke bërtitur dhe pa një burrë me një xhaketë të bardhë të shtrirë në dysheme, përcjellë KosovaPress.

    Ferry Overdevest, pronar i një dyqani lulesh në Mannheim qendror, tha për CNN se rreth 30 njerëz kishin kërkuar strehim në dyqanin e tij dhe se ambulancat ishin në rrugë.

    Gjermania është tronditur nga një varg sulmesh vdekjeprurëse të përplasjes me makina në muajt e fundit.

    Në dhjetor, një automjet hyri në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, duke vrarë gjashtë persona, përfshirë një djalë 9-vjeçar. I dyshuari është një shtetas saudit 50-vjeçar, i cili kishte jetuar në Gjermani për më shumë se një dekadë dhe punonte për të ndihmuar sauditët të largoheshin nga vendi i tij, përcjellë KosovaPress.

    Në shkurt, një person futi një Mini Cooper mbi demonstruesit në Munih, duke vrarë një nënë dhe fëmijën e saj, si dhe duke plagosur më shumë se 30 të tjerë. I dyshuari është një afgan 24-vjeçar.

    Ky sulm erdhi në prag të Konferencës së Sigurisë së Munihut dhe vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve federale të vendit, ku shqetësimet mbi emigracionin dhe sigurinë ndihmuan që partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të vinte në vendin e dytë.

    Sulmi i së hënës ka ndodhur derisa njerëzit ishin mbledhur për paradat që shënojnë sezonin e karnavaleve.

  • Raportuesi i PE-së për Serbinë fajëson Vuçiqin për mosrealizimin e takimeve

    Raportuesi i PE-së për Serbinë fajëson Vuçiqin për mosrealizimin e takimeve

    Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, pas vizitës së tij në Beograd, gjatë së cilës nuk u takua me zyrtarët më të lartë shtetërore, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte planifikuar një gjë të tillë.

    “Vendimin që kontaktet e drejtpërdrejta me mua, në emër të pushtetit, të reduktohen ekskluzivisht në bisedime në Kuvendin Popullor dhe në Ministrinë për Integrime Evropiane e mori, natyrisht, presidenti Vuçiç, pasi vetëm ai vendos për lëvizje të tilla,” konfirmoi Picula për Radio Evropa e Lirë.

    Picula shkoi në Beograd pasi që më 20 shkurt, në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, u prezantua draft-raporti, i cili u përball me kritika nga autoritetet serbe.

    Takimin me raportuesin për Serbinë e refuzoi Vuçiqi, i cili e quajti Piculën “gënjeshtar”. Përveç Vuçiqit, takimin e refuzoi edhe kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” në Kuvendin e Serbisë, Milenko Jovanov.

    Picula pretendon se qëndrimi negativ i qeverisë ndaj draft-raportit për situatën në vend ishte promovuar që para mbërritjes së tij.

    “Nga ana tjetër, nuk do të ishte e drejtë të reduktohej kuptimi dhe rezultatet e qëndrimit tim në Serbi vetëm në takimet që nuk pata me presidentin e shtetit, kryeministren në detyrë dhe ministrin e Punëve të Jashtme”, tha Tonino Picula.

    Gjatë qëndrimit të tij në Serbi, ndodhi gjithashtu një aksion policor në ambientet e disa organizatave joqeveritare në Beograd.

    Picula konfirmon se edhe ky element, së bashku me të gjitha përshtypjet nga vizita, do të përfshihen në vijimin e punës për raportin mbi gjendjen në Serbi.

    Ai vlerësoi se misioni katërditor në kapacitetin e raportuesit të përhershëm të Parlamentit Evropian për Serbinë ka treguar se nuk do të jetë e mundur të kapërcehen lehtësisht dallimet në vlerësimet për situatën në vend mes tij dhe përfaqësuesve të pushtetit me të cilët nuk pati mundësinë të bisedojë.

    “Ngjarjet më të rëndësishme në Serbi prej muajsh janë protestat masive të udhëhequra nga studentët, të cilët po bllokojnë institucionet arsimore. Protestat janë përhapur pothuajse në të gjithë vendin. Sipas mendimit tim, bëhet fjalë për një presion të përgjithshëm shoqëror mbi politikën, me qëllim çlirimin e institucioneve të shtetit nga gjithçka që i ka bllokuar për vite me radhë”, thekson Picula.

    Sipas tij, zhvillimet e ardhshme do të varen nga marrëdhëniet mes katër faktorëve që ai i konsideron më me ndikim: pushtetit, i cili nuk po arrin t’i shpërndajë protestat; opozitës institucionale, e cila nuk i drejton zhvillimet; komunitetit ndërkombëtar, që kryesisht po mban distancë; dhe studentëve, të cilët kanë një bazë të gjerë legjitimiteti, por ende nuk kanë zgjeruar listën e kërkesave përtej atyre fillestare.

    Studentët, të cilët nga fundi i nëntorit kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në të gjithë vendin, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024 u rrëzua çatia e Stacionit Hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.

    Studentët kërkojnë gjithashtu ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmet ndaj tyre dhe qytetarëve të tjerë gjatë protestave.

    Pushteti, i udhëhequr nga presidenti Vuçiq, pretendon se në Serbi po tentohet një “revolucion me ngjyra” dhe këmbëngul se kërkesat e studentëve janë plotësuar. Studentët dhe opinioni akademik i hedhin poshtë këto pretendime.

  • ​Rinia nuk është më koha më e lumtur e jetës, OKB paralajmëron krizën e shëndetit mendor

    ​Rinia nuk është më koha më e lumtur e jetës, OKB paralajmëron krizën e shëndetit mendor

    Për më shumë se një gjysmë shekulli, kriza e mesjetës ka qenë një fenomen në shoqërinë perëndimore. Por tani, sipas ekspertëve, ky model po ndryshon. Në një studim të ri të porositur nga OKB, akademikët e njohur Jean Twenge dhe David Blanchflower paralajmërojnë se një krizë e shëndetit mendor të rinisë në gjashtë shtete anglishtfolëse po ndryshon mënyrën e traditës së lumturisë gjatë jetës.

    Ndryshe nga dikur, kur lumturia ndiqte formën “U” (me një rini të lehtë, një moshë të mesme më të vështirë dhe një jetë më të rehatshme më vonë), tani lumturia rritet gradualisht me kalimin e kohës. Studimi gjeti një rënie të lumturisë tek të rinjtë gjatë dekadës së fundit, veçanërisht tek gratë e reja.

    Studimi lidhë këtë rënie me përdorimin e telefonave të mençur dhe mediave sociale, duke sugjeruar se ky fenomen ka ndodhur krahas rritjes së përdorimit të internetit. Ekspertët e shohin këtë si një krizë globale të thellë tek të rinjtë, që përfshin izolimin dhe humbjen e aktiviteteve sociale dhe ndërveprimeve.

    “Të rinjtë janë bërë shumë të izoluar. Nuk ka të bëjë aq shumë me njerëzit po rrinë në telefon, por me atë se çfarë nuk po bëjnë. Ata nuk po dalin jashtë aq shumë”, shprehu Blanchflower.

    Studime të tjera kanë lidhur krizën e shëndetit mendor të të rinjve me pabarazinë ndërgjeneracionale, mediat sociale të parregulluara, punësimin e pasigurt dhe krizën klimatike.

    Po ashtu, të rinjtë po bëhen gjithnjë e më shumë të prirur të jenë jashtë tregut të punës për shkak të kushteve të shëndetit mendor.

    Blanchflower thotë se kjo krizë mund të ketë pasoja të mëdha sociale dhe ekonomike, duke ndikuar tek performanca në shkollë dhe produktiviteti global.

    OKB ka theksuar nevojën për kërkime të mëtejshme për të parë nëse ky fenomen është i përhapur edhe në vende të tjera, shkruan The Guardian.

  • ​Prada në bisedime për blerjen e markës Versace

    ​Prada në bisedime për blerjen e markës Versace

    Prada është në bisedime për të blerë markën e modës Versace nga investitori amerikan Capri Holdings për një çmim që mund të arrijë deri në 1.5 miliardë euro. Prada me bazë në Milano dhe Capri në Nju Jork, mund të arrijnë një marrëveshje për Versace këtë muaj, sipas Bloomberg, megjithëse bisedimet mund të dështojnë.

    Një marrëveshje do ta sillte markën Versace prapë nën pronësi italiane dhe do ta bënte Pradën më të madhe në përpjekjen e saj për t’u konkurruar me LVMH-në franceze, që zotëron marka luksoze si Louis Vuitton, Moët & Chandon dhe Hennessy.

    Prada u themelua në vitin 1913 në Milano nga Mario Prada, por që nga vitet e 70-ta është udhëhequr nga mbesa e tij, Miuccia Prada. Capri, që dikur quhej Michael Kors, u riemërua pasi marka amerikane mori kontrollin mbi prodhuesin e këpucëve Jimmy Choo në vitin 2017, dhe pastaj mbi Versace në vitin 2018.

    Një shitje për 1.5 miliardë dollarë do të përfaqësonte një humbje për Capri. Michael Kors bleu Versace-n për 2.1 miliardë dollarë, por marka italiane ka pasur vështirësi në vitet e fundit.

    Capri raportoi të ardhura prej 193 milionë dollarësh për Versace në tre muajt e fundit të vitit 2024, një rënie prej 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Parashikohet që kompania të jetë me humbje këtë vit financiar dhe të arrijë ekuilibër në vitin e ardhshëm, transmeton Theguardian.

    Versace nuk prodhon artikuj si bagazhet, të cilat mbeten shitës të qëndrueshëm për marka si Louis Vuitton gjatë periudhave më të ngadalta. Po ashtu, ka pyetje nëse marka do të mbetet nën udhëheqjen e Donatella Versace, dizajneres që nga vdekja e vëllait të saj, Gianni, në vitin 1997.

    Në Javën e Modës në Milano, Miuccia Prada tha se marrëveshja për Versace ishte “në tavolinën e të gjithëve”.

    Prada ka marrë qasje në të dhënat financiare dhe shitjet më të fundit të Versace pas përfundimit të verifikimit të parë, raporton Bloomberg, përcjell KosovaPress.

    Capri ka thënë se është optimiste për potencialin e rritjes afatgjatë të Versace, por parashikimet e saj tregojnë për një rënie të shitjeve nga 810 milionë dollarë në vitin financiar aktual në 800 milionë dollarë vitin e ardhshëm. Megjithatë, kompania parashikon se shitjet do të rriten në 900 milionë dollarë deri në vitin 2028 dhe në 1.5 miliardë dollarë në afat të gjatë. Agjencia S&P Global Ratings ulën vlerësimin e borxhit të Capri në shkurt, duke thënë se presionet e performancës dhe huamarrjet e larta mund të paraqesin probleme në shlyerjen e borxheve të saj, shkruan the Guardian.

    Capri mori një goditje në vitin 2024 pasi Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA, i cili rregullon çështjet e konkurrencës, paditi për të bllokuar një marrje të Capri nga Tapestry, kompania nënë e markës Coach, për 8.5 miliardë dollarë.