ATV

Author: ATVLive

  • PZAP verifikon disa fletëvotime të pavlefshme

    PZAP verifikon disa fletëvotime të pavlefshme

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë parë zyrtarë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të verifikuar kuti me fletëvotime të pavlefshme, raporton KosovaPress.

    Më herët ka pasur ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje rreth disa fletëvotimeve që janë shpallur të pavlefshme.

    Në QNR edhe të hënën po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi përmes postes.

    Nga të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë numëruar 66.31 për qind e votave me postë.

    Bazuar në të dhënat e KQZ-së, KosovaPress raporton se në numërimin e deritanishëm të votave me postë për zgjedhjet parlamentare te 9 shkurtit, prin Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 52.72 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29.80 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me 7.98 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.32 për qind.

    Ndërkaq, pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të nis numërimi i atyre me kusht dhe personave me aftësi të kufizuara.

  • Samiti i Londrës për Ukrainën, vjen reagimi i Kremlinit

    Samiti i Londrës për Ukrainën, vjen reagimi i Kremlinit

    Kremlini tha të hënën se zotimet e bëra nga udhëheqësit evropianë në samitin e Londrës për Ukrainën në fundjavë për shtimin e fondeve për Kievin nuk do të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua të dielën me kryeministrin britanik, Keir Starmer, dhe me udhëheqës të tjerë perëndimorë në Londër, ku ata u pajtuan për të hartuar një plan të paqes për Ukrainën, i cili do t’u paraqitet Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Të premten e javës së kaluar, Zelensky u përplas ashpër me fjalë në Shtëpinë e Bardhë me homologun amerikan, Donald Trump, i cili ukrainasin e akuzoi se “po luan kumar me Luftën e Tretë Botërore”.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se rezultatet e samitit të Londrës, përfshirë një marrëveshje 2-miliardëshe për raketa të mbrojtjes ajrore nga Britania, do të lejojnë që armiqësitë të vazhdojnë, duke shtuar se është kritike që Zelensky të detyrohet për ta ndryshuar pozicionin e tij dhe për të kërkuar paqe.

    “Është shumë e rëndësishme që dikush ta detyrojë vetë Zelenskyn që ta ndryshojë pozicionin e tij. Dikush duhet ta bëjë Zelenskyn që ta dëshirojë paqen. Nëse evropianët mund të bëjnë këtë, ata duhet të nderohen e të çmohen” – tha ai.

  • Britania thotë se “s’ka marrëveshje” me Francën për propozimin e armëpushimit në Ukrainë

    Britania thotë se “s’ka marrëveshje” me Francën për propozimin e armëpushimit në Ukrainë

    Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë rënë dakord për një plan armëpushimi të pjesshëm për Ukrainën, tha një ministër britanik të hënën, raporton agjencia e lajmeve AFP, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se një propozim i tillë ishte bërë nga dy vendet.

    Macron i tha gazetës franceze Le Figaro të dielën se Londra dhe Parisi po propozojnë një armëpushim njëmujor në Ukrainë “në ajër, në det dhe për infrastrukturën energjetike”.

    Macron tha se ky armëpushim fillimisht nuk do të përfshinte luftimet tokësore.

    “Asnjë marrëveshje nuk është arritur mbi atë se si do të duket një armëpushim”, tha ministri britanik i Forcave të Armatosura, Luke Pollard, për Times Radio.

    “Por, ne po punojmë së bashku me Francën dhe aleatët tanë evropianë për të shqyrtuar se cili është rrugëtimi drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ai.

    Një zyrtar i qeverisë britanike gjithashtu minimizoi çdo marrëveshje të mundshme.

    Duke folur në kushte anonimiteti, ai tha per Reuters se “ka opsione të ndryshme mbi tryezë, të cilat janë subjekt i diskutimeve të mëtejshme me SHBA-në dhe partnerët evropianë, por një armëpushim njëmujor nuk është rënë dakord”.

    Komentet e Macronit erdhën pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, thirri bisedime urgjente për Ukrainën me liderët evropianë, kreun e NATO-s, Mark Rutte, dhe Kanadanë, në qendër të Londrës të dielën.

    “Ashtu siç tha kryeministri në konferencën e tij për shtyp, ne kemi nevojë dhe dëshirojmë të përparojmë me shpejtësi dhe jemi të kënaqur që samiti ka mundësuar që diskutimet të ecin përpara. Këto diskutime do të vazhdojnë me ritëm të shpejtë”, tha një zëdhënës i Downing Street.

    Takimi përfshiu dhjetëra liderë evropianë, përfshirë presidentin ukrainas.

    Të pranishëm në takimin në Londër ishin edhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    Në konferencë nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues i SHBA-së. Vizita e Zelenskyt në Uashington më 28 shkurt u ndërpre para kohe pas përplasjes me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin amerikan, JD Vance. /REL/

  • Numërohen 66,31 për qind e votave përmes postës

    Numërohen 66,31 për qind e votave përmes postës

    Ka nisur edhe një tjetër javë, e treta pas procesit zgjedhor të 9 shkurtit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ende po bëhet numërimi i votave.

    Aktualisht në këtë qendër po vazhdon procesi i numërimit nga votimi me postë. Deri të hënën në mesnatë, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, nga 187 vendvotime, janë numëruar 124 prej tyre, apo përkthyer në përqindje 66.31 për qind.

    Lëvizja Vetëvendosje, është e para me 52.72 për qind të votave apo 21 mijë e 234, e dyta është renditur LDK-ja me 29.80 për qind, apo 12 mijë e 003 vota, e treta PDK-ja me 7.98 për qind, apo 3 mijë e 213 vota, ndërsa e katërta, bazuar në numërimin e votave nga votimi përmes postës, është renditur AAK-ja me 3. 32 për qind apo 1338 vota.

    Numërimi i votave nga diaspora erdhi pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike.

    Pasi të përfundojë edhe ky proces, radha do të jetë për numërimin e votave me kusht e atyre të personave me nevoja të veçanta.

    Vetëm kur të përmbyllet numërimi i secilës votë, KQZ-së i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    Gjatë javës së shkuar kishin thënë se sipas planit, shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët është planifikuar të bëhet deri më 5 mars, ndërkaq, certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale në PZAP dhe Gjykatë Supreme, është planifikuar të bëhet deri më 18 mars.

  • Djali në Gjakovë e bën për spital babanë e tij

    Djali në Gjakovë e bën për spital babanë e tij

    Një person është arrestuar në Gjakovë, pasi i njëjti e ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

    Policia ka bërë të ditur se babait i është ofruar tretman mjekësor, derisa djali është dërguar në mbajtje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht babin e tij. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në raportin e policisë.

  • VV-ja 48 deputetë: Si do të ndahen ulëset në Kuvend me këtë trend të votave nga diaspora?

    VV-ja 48 deputetë: Si do të ndahen ulëset në Kuvend me këtë trend të votave nga diaspora?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave me postë.

    Aktualisht, janë numëruar mbi 66% e votave, dhe Vetëvendosje kryeson me 52%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka befasuar me gati 30%, kurse PDK-ja afër 8%.

    Sipas njohësit të statistikave, Shenoll Muharremi, me këtë trend të votave, Lëvizja Vetëvendosje merr 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

    Nëse ky trend vazhdon, sipas tij, PDK-ja do të ketë 23 deputetë, kurse LDK-ja 21 deputetë. AAK-ja me Nismën, pritet të kenë 8 deputetë.

    Megjithatë, mbetet të shihet nëse do të ndryshojë situata pas numërimit të votave me postë dhe votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

    Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësimin e fundit nga numërimi i votave me postë.

    Aktualisht, janë të numëruara më shumë se 66% e votave me postë.

    Lëvizja Vetëvendosje ka 52.72%, apo mbi 21 mijë e 100 vota.

    Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të befasojë, me afër 30% të votave nga diaspora, apo mbi 12 mijë vota.

    PDK-ja ka rreth 8% apo 3 mijë e 200 vota, kurse AAK-ja ka 3.32%.

    Këto statistika janë larg nga ato që Vetëvendosje ka fituar nga votat nëpër ambasada e konsullata, ku fitonte mbi 80%. Kjo ka nxitur dyshime për mënyrën se si është realizuar procesi nëpër ato qendra.

    Megjithatë, problemet kanë vazhduar edhe në Qendrën e Numërimit e Rezultateve.

    Nacionale ka raportuar për kërcënime e përplasje verbale mes burrit të ministres Albulena Haxhiu, Alban Krasniqi, që është anëtar në KQZ.

    Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, i cili është edhe burri i ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, kërcënoi koordinatorin e LDK-së te qendra e numërimeve. Edhe Alim Rama, sekretar i VV-së, duke shkelur autorizimet ndërhyu e ushtroi presion në po të njejtin vend.

    Alban Krasniqi, i cili është përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ, ndryshe burri i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu brenda qendërs ku po numëroheshin votat, ka kërcënuar koordinatorin e vëzhguesëve të LDK-së Shkëlzen Spahiu, duke iu drejtuar me fjalët, “hajde dalim jashtë”.

    Një video që lexuesin kanë dërguar në Gazetën Nacionale, shihet tek sa Krasniqi afrohet kërcënueshëm, duke u ndihmuar edhe nga disa të tjerë. Nga ana tjetër, të tjerë i thonë Krasniqit, “ty nuk tëka hije kështu…”

    Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, po i shkel rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhguesit që janë të vendosura në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    Ani pse rregullat për vëzhguesit janë të vendosura në çdo tavolinë të numëruesve, Rama që është i akredituar si vëzhgues, nuk po i përfill ato.

    Veprimet e tilla i kanë shqetësuar disa prej vëzhguesve. Në kushte anonimiteti, ata i kanë thënë gazetës Nacionale se Rama po ndërhyn herë pas here në punën e tyre.

    Ata janë ankuar edhe në KQZ-në që nuk po merr ndërmarr asnjë masë ndaj tij.

    “Z. Alim Rama, që është sekretar i VV-së, shpeshherë ndërhyn në punën tonë. Ai këtë e bën edhe pse e di që një gjë e tillë është e ndalur. Pavarësisht ndërhyrjeve të tij, KQZ-ja po e toleron këtë sjellje dhe nuk po merr asnjë masë ndaj tij”, ka thënë numërues në kushte anonimiteti për gazetën Nacionale.

    Zyrtari i lartë i VV-së një gjë të tillë e ka bërë edhe sot, ku po numëroheshin votat e diasporës.

  • Ferat Shala: Qeveria Kurti ka mashtruar qytetarët për mbylljen e AKP-së

    Ferat Shala: Qeveria Kurti ka mashtruar qytetarët për mbylljen e AKP-së

    Në fushatën e vitit 2021 për zgjedhjet parlamentare Albin Kurti kishte premtuar mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Për katër vite të plota në pushtet të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje AKP-ja jo që nuk është mbyllur, por ka vazhduar me procesin e likuidimit të dhjetëra ndërmarrje shoqërore në vend.

    Bordi i AKP-së ka shpallur konkursin për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të AKP-së me mandat 4-vjeçar, me ç’rast konkursi ka qenë i hapur nga 28 janari-26 shkurt 2025.

    Nëse procesi i zgjedhjes së drejtorit të AKP-së shkon sipas planit, ky i fundit do të merrë një kontratë 4-vjeçare para se të formohet Qeveria e re e Kosovës, pasi që ende nuk ka përfunduar numri i të gjitha votave të zgjedhjeve të mbajtura në fillim të shkurtit 2025.

    Ferat Shala nga PDK-ja, i cili në legjislaturën e fundit e ka udhëhequr Komisionin për Ekonomi, Ndërmarrësi e Tregti, deklaroi se AKP-ja nuk do të mbyllet, ashtu siç ka premtuar kryeministri Albin Kurti.

    Hapjen e konkurseve për drejtor të kësaj agjencie, sipas Shalës, po ndodhin për interesa partiak e politik.

    “S’kanë plan ta mbyllin AKP-në, por po vazhdojnë shitjen e aseteve me një sistem kontrolli mbi nivele politike. Edhe drejtorin e ri që disa herë hapin konkurs derisa t’i plotësojë kriteret njëri nga kandidatet e preferuar të tyre politik”, deklaroi Shala.

    Shala akuzoi Qeverinë ‘Kurti’ për mashtrim lidhur me mbylljen e AKP-së.

    Sipas tij, gjatë katër viteve të qeverisjes aktuale, kjo agjenci veç ka punësuar militantë të partisë në pushtet.

    “Qeveria ka mashtruar opinionin me mbylljen e AKP-së. Ajo ka vazhduar punën njëjtë për të vazhduar shitjen e aseteve dhe likuidimin e tyre, asgjë s’ka ndryshuar përveç punësimeve të militantëve të VV-së. E keqja e ekonomisë është se asetet e AKP nuk janë funksionalizuar në kontest të zhvillimit ekonomik”, shprehet Shala.

  • 581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Idrizi: Në vendin ku nisi rrugëtimi i bashkimit shqiptar

    581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Idrizi: Në vendin ku nisi rrugëtimi i bashkimit shqiptar

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka marrë pjesë në 581-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.

    Idrizi ka thënë se Lezha mbetet një gur themeli në identitetin tonë kombëtar, një dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe e vendosmërisë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin tonë.

    “I nderuar të jem pjesë e festimeve të 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Në vendin ku nisi rrugëtimi i bashkimit shqiptar, sot nderuam një nga momentet më madhështore të historisë sonë, përmes përurimit të shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – simbolit të pavdekshëm të krenarisë, sakrificës dhe qëndresës kombëtare. Lezha mbetet një gur themeli në identitetin tonë kombëtar, një dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe e vendosmërisë për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin tonë. Lavdi përjetë Skënderbeut dhe Besëlidhjes së Lezhës”, ka shkruar Idrizi.

  • Sulm me dron rus në Kharkiv të Ukrainës, plagosen tetë persona

    Sulm me dron rus në Kharkiv të Ukrainës, plagosen tetë persona

    Një sulm me dron rus ka plagosur tetë persona, përfshirë një fëmijë shtatëvjeçar në qytetin Kharkiv.

    Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov thotë se droni goditi një ndërtesë shumëkatëshe, raporton BBC.

    Terekhov njoftoi se nga ky sulm janë dëmtuar tri shtëpia dhe janë thyer shumë xhama.

    “Një burrë 80-vjeçar dhe një djalë shtatëvjeçar ishin midis të plagosurve”, është shprehur tutje kryetari i bashkisë së Kharkivit.

    Në total, ushtria ukrainase thotë se ka rrëzuar 46 nga 83 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës, ndërkaq 31 dronë të tjerë “humbën” dhe nuk arritën objektivat e tyre.

  • “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora” triumfon në “Oscars 2025”, merr pesë çmime

    “Anora”, një film i pavarur i shkruar dhe drejtuar nga Sean Baker, është filmi i cili ka fituar pesë çmime “Oscar”, duke përfshirë edhe çmimin prestigjioz për filmin më të mirë të vitit.

    Përveç filmit më të mirë, Sean Baker fitoi çmimet për regjisorin më të mirë, skenarin origjinal dhe montazhin, duke barazuar rekordin për numrin më të madh të Oscarëve të fituar nga një individ në një vit të vetëm me Walt Disneyn, i cili kishte fituar për katër filma të ndryshëm në vitin 1954.

    Ceremonia e 97-të e Çmimeve të Akademisë, e organizuar nga Conan O’Brien, u transmetua drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu të dielën, më 2 mars, nga Teatri Dolby në Ovation Hollywood në Los Angeles.

    Adrien Brody mori trofeun e tij të dytë për aktorin më të mirë, këtë herë për “The Brutalist”,.

    Madison fitoi garën kundër Demi Moore, e cila ishte favoritja për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në “The Substance”.

    “Unë u rrita në Los Anxhelos, por Hollywoodi gjithmonë më dukej kaq larg”, tha Madison në skenë. “Të jem këtu sot është vërtet e pabesueshme”.

    Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e saj për komunitetin e punëtoreve të seksit, duke thënë “unë do të vazhdoj të jem një aleate”.

    “Anora”, e shpërndarë nga kompania e pavarur Neon, ka gjeneruar 40 milionë dollarë në arkat kinematografike globale. “Wicked” ka arkëtuar 728 milionë dollarë.

    Adrien Brody fitoi Oscarin e tij të dytë për aktorin më të mirë për rolin e një arkitekti emigranti hebre që ndjek ëndrrën amerikane në “The Brutalist”. Aktori 51-vjeçar nga Nju Jorku kishte fituar më parë për “The Pianist”, kur në moshën 29-vjeçare u bë fituesi më i ri ndonjëherë i këtij çmimi.

    “Aktrimi është një profesion shumë i brishtë”, tha Brody. “Nuk ka rëndësi ku ndodhesh në karrierën tënde, gjithçka mund të zhduket. Mendoj se kjo e bën këtë moment edhe më të veçantë”.

    Zoe Saldana u shpall aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e saj si ndërmjetësja e një bosi të drogës meksikan në “Emilia Perez”, një film në gjuhën spanjolle i shpërndarë nga Netflix.

    Filmi, i cili fitoi gjithashtu çmimin për këngën më të mirë origjinale me “El Mal”, ishte një nga favoritët për filmin më të mirë në fillim të vitit. Por, shanset e tij u zvogëluan kur dolën në dritë postime të papërshtatshme në rrjete sociale nga aktorja kryesore, Karla Sofia Gascon.

    Kieran Culkin mori çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor për interpretimin e njërit prej dy kushërinjve që udhëtojnë në Poloni për të studiuar rrënjët e familjes së tyre në filmin “A Real Pain”.

    Culkin falënderoi bashkëshorten e tij dhe nënën e dy fëmijëve të tij, Jazz Charton, dhe tha se së fundmi i kishte thënë asaj se dëshironte gjithsej katër fëmijë. Charton kishte bërë shaka duke i thënë se do të pranonte nëse ai fitonte një Oscar.

    “Le të fillojmë punën për ata fëmijë!”, tha Culkin nga skena, duke iu drejtuar bashkëshortes së tij.

    Fituesit e statujave të arta të Oscarit zgjidhen nga rreth 11.000 aktorë, producentë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të industrisë që përbëjnë Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

    “No Other Land”, një film mbi zhvendosjen e një komuniteti palestinez nga Izraeli, fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar. Regjisorët e tij apeluan ndaj botës për t’i dhënë fund konfliktit, duke akuzuar SHBA-në për bllokimin e një zgjidhjeje.

    Bashkëregjisorët e filmit, aktivisti palestinez Basel Adra dhe gazetari izraelit Yuval Abraham, kaluan pesë vjet duke e realizuar këtë dokumentar, që tregon ushtarët izraelitë duke shkatërruar shtëpi dhe duke dëbuar banorët për të krijuar një zonë stërvitjeje ushtarake, si dhe zgjerimin e vendbanimeve hebraike në komunitetin palestinez.

    Dokumentari nxjerr në pah realitetet paralele në të cilat jetojnë dy miqtë – Abraham me targat e tij të verdha izraelite që ia lejojnë të udhëtojë kudo, ndërsa Adra mbetet i izoluar në një territor që vetëm sa tkurret për palestinezët.

    “’No Other Land’ pasqyron realitetin e ashpër që kemi duruar për dekada dhe të cilit ende i rezistojmë, teksa u bëjmë thirrje vendeve të botës të marrin masa serioze për t’i dhënë fund padrejtësisë dhe spastrimit etnik të popullit palestinez”, tha Adra kur mori çmimin në skenë.

    Duke qëndruar pranë bashkëregjisorit të tij, Abraham shtoi: “Ne e realizuam këtë film, palestinezë dhe izraelitë bashkë, sepse zërat tanë janë më të fortë kur jemi së bashku. Ne e shohim njëri-tjetrin, shkatërrimin e tmerrshëm të Gazës dhe popullit të saj, që duhet të ndalet, pengjet izraelite të marra brutalisht në krimin e 7 tetorit, të cilat duhet të lirohen.

    “Kur e shoh Baselin, shoh vëllain tim, por ne nuk jemi të barabartë. Ne jetojmë në një regjim ku unë jam i lirë nën ligjin civil, ndërsa Basel është nën ligjin ushtarak që ia shkatërron jetën dhe ai nuk ka kontroll mbi të”, tha Abraham.

    “Ka një rrugë tjetër. Një zgjidhje politike pa supremaci etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe duhet ta them sa jam këtu, politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge”, shtoi ai.

    Thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, muajin e kaluar që palestinezët të emigrojnë nga Gaza, përfshirë në Egjipt dhe Jordani, është dënuar gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë si destabilizuese.

    Ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, e quajti fitoren e filmit një “moment të trishtë për kinemanë”, pasi, sipas tij, ai paraqet një pamje të shtrembëruar të Izraelit, që ende po përjeton pasojat e sulmit të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor 2023.

    “Liria e shprehjes është një vlerë e rëndësishme, por përdorimi i shpifjeve ndaj Izraelit si një mjet promovimi ndërkombëtar e dëmton shtetin e Izraelit, dhe pas masakrës së 7 tetorit dhe luftës së vazhdueshme, kjo është dyfish më e dhimbshme”, shkroi Zohar në X.

    Pavarësisht se ka fituar çmime të rëndësishme në Evropë dhe SHBA, filmi ende nuk ka arritur një marrëveshje për shpërndarje në kinematë amerikane, tha Abraham për Deadline muajin e kaluar.

    I pyetur pse mendon se shpërndarësit amerikanë nuk e kanë marrë filmin, Abraham u përgjigj: “Besoj se është e qartë që arsyeja është politike. Shpresoj që kjo të ndryshojë.” Ai tha se vendosën të mos prisnin një publikim tradicional në kinema dhe e shfaqën atë në gati 100 kinema në mënyrë të pavarur.

    Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë të animuar shkoi për filmin e pavarur “Flow”, filmi i parë nga Letonia që fiton një Oscar. Filmi brazilian “I’m Still Here” fitoi çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar.

    Të nominuarat, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo, hapën ceremoninë e Oscarit me një disa performanca muzikore me tematikën e “Wizard of Oz”, përfshirë këngën “Defying Gravity” nga filmi “Wicked”./KultPlus.com