ATV

Author: ATVLive

  • Numërimi i votave të diasporës drejt fundit, Muharremi jep projeksionet e shpërndarjes së mandateve

    Numërimi i votave të diasporës drejt fundit, Muharremi jep projeksionet e shpërndarjes së mandateve

    Derisa procesi i numërimit të votave të diasporës po shkon drejt fundit analisti dhe statistikani Shenoll Muharremi ka bërë projeksionin e Kuvendit të ri që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare.

    Rezultati i mundshëm final sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, sipas Muharremit nuk do të ndryshonte shumë nga ai që ka dalë nga votat e Kosovës.

    Analisti ka llogaritur mandatet nga 100% të votave në Kosovë dhe 79% e votave të diasporës (votat nga përfaqësitë diplomatike dhe 77% nga votimi përmes postës )

    Muharremi ka përmendur se votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta janë supozuar se ndjekin trendin e votave sipas rezultateve të votave të Kosovës.

    LVV: Vota 42.29% / Mandate 48

    PDK: Vota 20.96% / Mandate 24

    LDK: Vota 18.25% / Mandate 20

    AAK-N: Vota 7.07% / Mandate 8

    Pakicat-tjera: Vota 11.42% / Mandate 20

    Kujtojmë, se kanë mbetur për t’u numëruar edhe rreth 20 mijë vota që kanë ardhur me postë, mbi 12 mijë e 801 vota me kusht dhe mbi 2 mijë e 597 vota të personave me nevoje të veçanta, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.

  • A do të paraqitet Kurti sot në Prokurorinë Speciale?

    A do të paraqitet Kurti sot në Prokurorinë Speciale?

    Ka disa muaj që kryeministri Albin Kurti është ftuar për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale.

    Pavarësisht kësaj, Kurti ka vazhduar të refuzojë ftesën e Speciales për të dëshmuar në lidhje me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

    Anipse disa ftesa radhazi iu dërguan kryeministrit Kurti, ky i fundit pati vetëm një përgjigje, që prokurorët ta marrin në pyetje në Kryeministri.

    E përpos kësaj, Prokuroria Speciale më pas kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të bëjë kërkesë drejtuar Kurtit që të paraqitet në Prokuroi.

    E të premten nga Kryeministria e Kosovës dërguan letër në Gjykatën Themelore ku sërish i thanë që prokurorët ta intervistojnë Kurtin në kryeministri, madje duke ia radhitur edhe disa arsye.

    Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se kryeministri Kurti duhet të paraqitet për të dhënë dëshmi në Speciale sot në ora 10:00

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka lëshuar urdhrin e datës 21.02.2025 me të cilin ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.

    Kurti ishte ftuar më 10 dhjetor nga prokurorët e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit për lëndën me numër PPS.nr.62/2023, që ka të bëjë me kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Në bazë të nenit 132 të Kodit të Procedurës Penale, Kryeministri Albin Kurti mund të dënohet me gjobë dhe burgim nëse refuzon të paraqitet në prokurori për të dhënë dëshminë e tij.

    Pavarësisht këtyre ftesave, Kurti sërish nuk ka njoftuar nëse do të paraqitet për të dëshmuar apo jo.

  • Pamjet ku një person e shqeu Kur’anin në Prizren, policia fillon hetimet

    Pamjet ku një person e shqeu Kur’anin në Prizren, policia fillon hetimet

    Pamjet e një personi të panjohur në Prizren teksa e shqyen librin e shenjtë Kur’anin, kanë shkaktuar reagim të madh.

    Si rezultat, Policia e Kosovës ka filluar hetimet në drejtim të veprës nxitje e mosdurimit fetar.

    Njoftimi:

    Prizren 03.03.2025 – 12:10. Lidhur me rastin, njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, është iniciuar rasti si dhe është njoftuar prokurori kompetent. Rasti është duke u hetuar.

    Mbrëmë “RTV Besa” ka publikuar një video nga kamerat e sigurisë në të cilat shihet një person teksa ka grisur Kur’anin.

    Pamjet janë publikuar edhe në mediat tjera të vendit, derisa raportohet se veprimi i burrit me grisjen e Kur’anit ka ndodhur të hënën, gjatë muajit të Ramazanit.

  • Moti sot me diell, temperatura deri në 12 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperatura deri në 12 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të mbajë mot me diell.

    Në njoftimin e këtij instituti thuhet se temperaturat maksimale të ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9 deri në 12 gradë Celsius.

    “Mot me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme e lehtë deri mesatare”, thuhet tutje në njoftimin e IHMK-së.

  • Rezultatet e 90.37 përqind të votave me postë

    Rezultatet e 90.37 përqind të votave me postë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatetet nga numërimi i 90.37 përqind e votave të mërgatës nga votimi përmes postës. Rezultatet e proceduara janë nga 169 kuti prej 187 sa janë gjithsej.

    Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.70 përqind e votave apo 28 mijë e 593 vota.

    Pas VV’së, renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.15 përqind e votave apo 16 mijë e 673 vota, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 9.52 përqind apo 5 mijë e 266 vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 3.09 përqind e votave apo 1 mijë e 707 vota.

  • Shtëpia e Bardhë mirëpret përpjekjet e Europës për ta ndërmjetësuar paqen në Ukrainë

    Shtëpia e Bardhë mirëpret përpjekjet e Europës për ta ndërmjetësuar paqen në Ukrainë

    Shtëpia e Bardhë mirëpriti të hënën një përpjekje të udhëhequr nga Europa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke mos thënë se si do të dukej një kontribut i SHBA-së në atë plan, raporton CNN.

    “Ne mirëpresim që europianët ta marrin drejtimin në sigurinë europiane. Dua të them, kjo ka qenë baza. Ata duhet të investojnë në aftësinë për ta bërë këtë”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Mike Waltz, një ditë pasi kryeministri britanik Keir Starmer foli për një përpjekje të re të koalicionit europian për të siguruar paqe midis Rusisë dhe Ukrainës.

    “Ata sigurisht që po tregojnë një vullnet dhe ata – si Starmer ashtu edhe (presidenti francez Emmanuel) Macron – e treguan këtë vullnet javën e kaluar, para të premtes. Ne patëm gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në telefon me presidentin, përpara se të hynte Presidenti Zelensky. Pra, ne mirëpresim që Europa të përparojë për Europën, por ata gjithashtu duhet të investojnë në aftësitë për ta bërë këtë”, tha Waltz.

    Ai tha se është e qartë përpara se Zelensky ta vizitonte Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar se Europa po planifikonte ta rriste kontributin e saj në sigurinë e Ukrainës.

  • Zgjidhet kryetari i ri i GjND-së

    Zgjidhet kryetari i ri i GjND-së

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), e njohur ndryshe si Gjykata Botërore, ka zgjedhur gjyqtarin japonez Yuji Iwasawa si kryetarin e saj të ri.

    Ai do të përfundojë mandatin e ish-kryetarit Nawaf Salam, i cili dha dorëheqjen në janar për t’u bërë kryeministër i Libanit.

    Mandati i Iwasawa-s do të zgjasë deri më 5 shkurt 2027, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”, përcjell ATV.

    Iwasawa ka qenë anëtar i ICJ-së që nga viti 2018. Para kësaj, ai ka qenë profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tokios dhe kryetar i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e themeluar në vitin 1945 dhe me seli në Hagë, ka si mision zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve. /atvlive.tv

  • ​Keqpërdoren mjetet e K.R.U “Gjakova”, aktakuzë ndaj pesë punëtorëve

    ​Keqpërdoren mjetet e K.R.U “Gjakova”, aktakuzë ndaj pesë punëtorëve

    Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton se ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurve me inicialet H.Ç., M.U., S.M., Z.V., A.H., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se të pandehurit me inicialet H.Ç., M.U., S.M., Z.V., A.H., me datë të pacaktuar e deri në fillim të muajit qershor të vitit 2024, në cilësinë e personave zyrtar pranë Kompanisë Rajonale te Ujësjellësit K.R.U “Gjakova” SH.A – Dega në Rahovec, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, raporton KosovaPress.

    “Të koordinuar në mes vete, në dëm të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit K.R.U “Gjakova” SH.A, kryejnë shërbime në komunë të Rahovecit, te qytetarët e saj gjatë orarit të punës dhe jashtë tij pa dijeninë e kompanisë, në atë mënyrë kanë shfrytëzuar: kamionin, eskavatorin, derivatin dhe materialin e nevojshëm për kyqjen e ujësjellësit tek qytetarët me të cilët kishin biseduar tani të pandehurit gjegjësisht, H.Ç., i koordinuar me të pandehurin S.M., të pandehurin Z.V., dhe të pandehurit A.H., dhe M.U., kanë marrë për shërbimet e kryera tek qytetarët si, L.O., shumën prej 1.500 euro, G.D., shumën prej 350 euro, H.D., shumën prej 750 euro, A.A., shumën prej 1.000 euro dhe P.M., shumën prej 2.000 euro, të holla këto te cilat janë ndarë në mes të pandehurit H.Ç., dhe S.M., ndërsa në pagesa më të vogla u janë dhënë tre të pandehurve të tjerë, me çka në këtë mënyrë me veprimet e tyre të kundërligjshme të njëjtit i shkaktojnë dëm material të dëmtuarës K.R.U “Gjakova” SH.A. Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i’u vihet në barrë, si dhe ti shqiptohet dënimi plotësues – Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik.

  • ​Blatter deklarohet i pafajshëm në akuzën për korrupsion

    ​Blatter deklarohet i pafajshëm në akuzën për korrupsion

    Ish-presidenti i FIFA-s Sepp Blatter tha se ishte i pafajshëm kur u paraqit në një gjykatë zvicerane të hënën së bashku me francezin, Michel Platini. Blatter dhe Platini u liruan në vitin 2022 në një gjykatë më të ulët zvicerane pas një hetimi shtatëvjeçar për një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane (2.22 milionë dollarë) ndaj Platinit, transmeton KosovaPress.

    Prokurori federal zviceran ka apeluar kundër këtij vendimi, duke çuar në një seancë të re në Dhomën e Apelit të Jashtëzakonshëm të Gjykatës Penale Zvicerane në Muttenz, afër Bazelit. Prokurori kërkoi shfuqizimin e plotë të aktgjykimit.

    Blatter i tha gjykatës të hënën se nuk ishte fajtor për mashtrim.

    “Kur flisni për gënjeshtra, gënjeshtra dhe mashtrime, nuk jam unë. Kjo nuk ka ekzistuar gjatë gjithë jetës sime,” tha ai. “Ne kishim parime në familjen time – marrim vetëm paratë që kemi fituar. Unë jam i pafajshëm”, përcjellë KosovaPress.

    Aktakuza e vitit 2022 akuzonte Blatterin dhe Platinin se kishin mashtruar stafin e FIFA-s në 2010 dhe 2011 në lidhje me detyrimin e organit qeverisës të futbollit botëror për të paguar francezin, i cili në atë kohë ishte president i organit qeverisës evropian të sportit UEFA.

    “Ata pretenduan rrejshëm se FIFA i detyrohej Platinit, ose se Platini kishte të drejtë për shumën prej 2 milionë frangash zvicerane për punë këshilluese. Ky mashtrim u arrit përmes pretendimeve të përsëritura të pavërteta të bëra nga të dy palët e akuzuara”, thuhet në aktakuzë.

    Rasti shkatërroi shpresat e Platinit për të pasuar përfundimisht Blatterin, i cili dha dorëheqjen nga FIFA në 2015 pas një skandali të veçantë korrupsioni.

    Blatter dhe Platini u pezulluan nga futbolli në vitin 2015 nga FIFA për shkelje të etikës, fillimisht për tetë vjet, megjithëse përjashtimet e tyre më vonë u reduktuan.

    Blatter, i cili ishte president i FIFA-s për 17 vjet deri në vitin 2015.

  • Miratohet Udhërrëfyesi për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka

    Miratohet Udhërrëfyesi për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Udhërrëfyesin për Zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP: Supervisory Review and Evaluation Process), që mundëson zbatimin gradual e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës, duke marrë parasysh specifikat e sektorit bankar, për të siguruar që praktikat mbikëqyrëse të jenë të përshtatshme dhe proporcionale me madhësinë, fushëveprimin dhe kompleksitetin e sistemit tonë bankar.

    Qëllimi kryesor i SREP-it është monitorimi dhe vlerësimi i vazhdueshëm i rreziqeve ndaj të cilave ekspozohen bankat, si dhe krijimi i një strategjie mbikëqyrëse të përshtatshme, që ruan dhe avancon sistemin bankar në tërësi, që i kontributin stabilitetit financiar të vendit.

    Zbatimi i Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës për banka (SREP) është në kuadër të aktiviteteve reformuese në linjë me objektivat e planit strategjik të BQK-së, ndërsa përmbush një nga Pikat Referuese Strukturore që dalin si detyra të BQK-së nga dy Marrëveshjet aktuale me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rekomandimeve të dhëna gjatë misionit të FMN në dhjetor 2024, si pjesë e Asistencës Teknike (TA) për Procesin e Rishikimit Mbikëqyrës.

    Udhërrëfyesi për SREP është përgatitur më mbështetjen e FMN, ku përmes tij BQK ka për qëllim që të përmirësojë sistemin e vlerësimit të rrezikut duke përzgjedhur kriteret përkatëse dhe duke rafinuar udhëzimet për vlerësimin, duke u mbështetur në analizën e rregullt prudenciale të të dhënave dhe për të arritur rezultate më të harmonizuara të vlerësimit të rrezikut.

    Me këtë, synohet kalimi gradual nga sistemi aktual i vlerësimit CAMELS në SREP, në përputhje me parimet e përcaktuara nga Udhëzimet e Autoritetit Bankar Evropian (EBA).

    Udhërrëfyesi për SREP përshkruan planin për trajnimin e personelit, organizimin e konsultimeve dhe bashkëpunimit me bankat vendore dhe palët e tjera të interesit për SREP, si dhe synon caktimin e një afati orientues për zbatimin e plotë të manualit SREP.

    BQK falënderon FMN për mbështetjen e dhënë për përpilimin e këtij Udhërrëfyesi si dhe asistencat tjera me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të institucionit, ndërsa mbetet përkushtuar në zbatimin e reformave dhe rekomandimeve sipas praktikave më të mira.