ATV

Author: ATVLive

  • Jeton Kelmendi, kandidat për nënkryetar të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

    Jeton Kelmendi, kandidat për nënkryetar të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

    Profesori dhe shkrimtari Jeton Kelmendi, është kandiduar për postin e Zëvendëspresidentit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA).

    Kjo akademi prestigjioze, e cila ka selinë në Salzburg të Austrisë, përfshin anëtarë nga e gjithë bota, duke përfshirë 42 laureatë të Çmimit Nobel. EASA është një nga institucionet më të rëndësishme akademike dhe shkencore në Evropë, duke bashkuar personalitete të shquara nga fusha e shkencave dhe arteve.

    Profesor Jeton Kelmendi është i cili është profesor i rregullt në Kolegjin AAB.

    Krijimtaria e tij është përkthyer në mbi 42 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët shqiptarë më të përkthyer. Përveç kontributit të tij në letërsi, Kelmendi ka qenë një promovues aktiv i kulturës dhe shkencës shqiptare në arenën ndërkombëtare.

    Si kandidat për Zëvendëspresident të EASA-s, Kelmendi synon të sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe inovacioni akademik. Në programin e tij katërvjeçar, ai është angazhuar për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, për të promovuar kërkimet shkencore dhe artistike, si dhe për të zgjeruar ndikimin e Akademisë në fushën e edukimit dhe shkencës.

    Zgjedhjet për lidershipin e ri të Akademisë do të mbahen me 6 Mars, dhe kandidatura e Kelmendit konsiderohet një hap i rëndësishëm për prezantimin e intelektualëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike evropiane.

  • Grabitje e armatosur në një market në Ferizaj, hajnat tmerrojnë punëtoren dhe kapin 1 mijë euro

    Grabitje e armatosur në një market në Ferizaj, hajnat tmerrojnë punëtoren dhe kapin 1 mijë euro

    Vjedhjet dhe grabitjet janë raste që ndodhin shumë shpesh në bizneset në Kosovë, duke shkaktuar pasiguri dhe humbje. Një rast i tillë ka ndodhur pasditen e së hënës në Ferizaj, ku një market ishte cak i hajnave që kryen plaçkitje të armatosur, raporton Sinjali.

    Bazuar në informacionet e para, dy persona të armatosur janë futur në një market, prej ku kanë arritur të grabisin një shumë të konsiderueshme parash.

    Mësohet se hajnat kanë kapur hiç më pak se 1 mijë euro para të gatshme.

    Punëtorja e marketit ishte ajo që u ballafaqua me të dyshuarit dhe për pasojë pësoi lëndime trupore, për çka mori tretman mjekësor.

    Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

    Të dyshuarit janë arratisur, ndërsa Policia po ndërmerr veprimet e nevojshme për t’i identifikuar dhe arrestuar.

    Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit.

  • PDK dhe LDK në ‘luftë’ për një deputet: Ulëset në Kuvend bazuar në rezultatet aktuale

    PDK dhe LDK në ‘luftë’ për një deputet: Ulëset në Kuvend bazuar në rezultatet aktuale

    PDK dhe LDK duket se do të luftojnë deri në fund për një deputet.

    Kështu ka bërë të ditur njohësi i statistikave, Shenoll Muharremi.

    Bazuar në rezultatet aktuale, VV ka 48 deputetë, PDK 24 dhe LDK 20. Nëse ka ndryshime në votat e radhës, atëherë LDK-ja mund t’ia marrë një deputet PDK-së.

    Postimi:

    Rezultatet e Fundit: Mandati 100 Luhatës

    Sipas rezultateve më të fundit ku janë numëruar 90% të votave të diasporë dhe ku votat me kusht shpërndahen proporcionalisht me rezultatet e Kosovës, aktualisht me të dhënat e 4 mars 08:30h, sipas metohës D’Hondt, Mandati i 100 i mbetet ende PDK.

    Rezultatet* e mundshme finale sipas trendit aktual (4 mars 08:30h):

    LVV: 42.29% vota dhe 48 Mandate

    PDK: 20.96% vota dhe 24 Mandate

    LDK: 18.25% vota dhe 20 Mandate

    AAK-N: 7.07% vota dhe 8 Mandate

    Pakicat/tjera: 11.42% vota dhe 20 Mandate Pakicat

    *Këto vlerësime po bëhen në kohë reale dhe ende mund të ndryshojnë deri në fund.

  • Presidenti amerikan Trump pezullon të gjitha ndihmat ushtarake për Ukrainën

    Presidenti amerikan Trump pezullon të gjitha ndihmat ushtarake për Ukrainën

    Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën pas debatit të tij të së premtes në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Kështu tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN të hënën.

    Siç raporton CNN, një tjetër zyrtar ka deklaruar se pezullimi do të zbatohet për të gjithë pajisjet ushtarake që ende nuk kanë mbërritur në Ukrainë.

    “Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqendruar te paqja. Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Po e pezullojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, ka deklaruar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.

    Sipas zyrtarit, ky pezullim është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj asaj që Trump e sheh si sjellje të keqe të Zelenskyt javën e kaluar.

    Ata theksuan se pezullimi mund të hiqet nëse Zelensky tregon një angazhim të ri për negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

  • A po rrëshqet Serbia në luftë civile?

    A po rrëshqet Serbia në luftë civile?

    Ajo që ka filluar po vazhdon. Problemet që e mundojnë Serbinë nuk po zgjidhen. Pushteti nuk ka një strategji të qartë për studentët. Është kapur në befasi dhe po vepron në mënyrë spontane, pa plan. Studentët, si çlirimtarë, dje marshuan nga të gjitha universitetet e Serbisë drejt Nishit, qytetit të tretë më të madh në vend, dhe e bllokuan atë për 18 orë. Nëpër rrugë ushtoi himni studentor, “Flaka në errësirë”.

    Populli u zgjua. Dhjetëra mijëra qytetarë dolën për të mbështetur studentët dhe shpalljen e “Ediktit Studentor”. Në këtë mënyrë, ata hodhën poshtë në mënyrën më të qartë gënjeshtrat e Vuçiçit, i cili po atë ditë deklaroi se mbështetja për studentët po binte dhe se protestat po shndërroheshin në ekstremizëm. Askush nuk mund t’u vërë faj studentëve që kërkojnë një Serbi më të mirë – një sistem që vlerëson dijen dhe punën, e jo bindjen dhe heshtjen. Koha është që apatia t’i lërë vendin veprimit, që heshtja të zëvendësohet me luftën e zhurmshme për një të ardhme më të mirë.

    Mjaft më me Vuçiçin dhe partinë e tij të djathtë, që kanë shtypur liritë demokratike dhe kanë ngritur një sistem kriminal, të mbështetur në korrupsionin vdekjeprurës. Çfarë është, në fakt, Edikti Studentor që u shpall dhe çfarë sjell ai, që qytetarët e vlerësuan me notën maksimale – dhjetë? Në këtë edikt, studentët kërkojnë liri dhe jo mëshirë. Kërkojnë një shtet që është pronë e përbashkët e të gjithë qytetarëve të tij. Kërkohet drejtësi, dinjitet, dije, solidaritet, rini dhe e ardhme.

    Kërkohet dorëheqja jote, Vuçiç – por ti nuk e pranon. Në Nish, Vuçiç, ishin 246 mijë qytetarë në protestë, e jo 16 mijë sa i numërove ti në kokën tënde. Formo një qeveri kalimtare, përndryshe – siç tha një gjeneral – do të përballesh me luftë civile. Qeveria kalimtare duhet të shpallë zgjedhje në të gjitha nivelet, të ndryshojë ligjin zgjedhor dhe të shkarkojë menaxhmentin e RTS.

    Studentët në Nish dërguan një mesazh të qartë për pakënaqësinë e popullit – e sa larg do të arrijë ky mesazh në Beograd më 15 mars, mbetet për t’u parë.

    Kushti është që gjithçka të ndalojë – trenat, autobusët, punëtorët, sindikatat. Të ndalet i gjithë sistemi. Të mos paguhen faturat ndaj shtetit – ndaj kësaj oktapodi kriminal e të korruptuar. Opozita duhet të dalë nga bodrumi ku është mbyllur. Duhet bllokim total i institucioneve. Historia tashmë ka ndezur sinjalin e kthesës dhe ka nisur tejkalimin.

  • Dyshohet për falsifikim të parasë në Zubin Potok të Mitrovicës, merret në pyetje një klient i bankës

    Dyshohet për falsifikim të parasë në Zubin Potok të Mitrovicës, merret në pyetje një klient i bankës

    Një rast i falsifikimit të parasë është identifikuar në Zubin Potok të Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

    Policia e Kosovës lidhur me rastin ka ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar.

    “Zubin Potok 03.03.2025 – 13:40. Ankuesja femër kosovare, punëtore e bankës ka lajmëruar se kishte pranuar një kartëmonedhë në vlerë 200€ nga një klient i bankës dhe dyshohet se kartëmonedha është e falsifikuar. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Tre fëmijë dhe një grua raportohen të zhdukur gjatë 24 orëve të fundit

    Tre fëmijë dhe një grua raportohen të zhdukur gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër persona janë raportuar si të zhdukur gjatë 24 orëve të fundit, raporton EO.

    Sipas njoftimit, në Prishtinë dy fëmijë, një djalë e një vajzë të mitur janë larguar nga shtëpia më 24 shkurt e deri më tani nuk dihet vendndodhja e tyre.

    Rasti është iniciuar si “person i zhdukur”.

    Në Prizren një persona ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe s’ka njohur për vendndodhjen e saj. Rasti është nën hetime.

    E në fshatin Ozdrim të Pejës, një burrë ka njoftuar se bashkëshortja e tij, me probleme psikike, është larguar nga shtëpia dhe s’ka njohuri se ku gjendet.

    “Fsh. Ozdrim, Pejë 27.02.2025 – 09:00. Me 03.03.2025 një mashkull kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij viktima femër kosovare, me sëmundje psikike është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj, rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin policor.

  • Sot pritet të fillojë numërimi i votave me kusht

    Sot pritet të fillojë numërimi i votave me kusht

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po synon që sot të përfundojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës dhe të fillojë atë me kusht.

    Këtë e tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, dje, në deklarimin për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku po vazhdonte ky numërim.

    Pas përmbylljes së këtij procesi, tha se aty do të nisë një tjetër numërim. E radha, sipas tij, është për votat me kusht nga 56 vendvotime sa ishin më 9 shkurt në gjithë Kosovën.

    “Ne besojmë që brenda një kohe të shpejtë, deri ditën e martë do të arrijmë të përmbyllim numërimin e të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë, dhe pas kësaj do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, si dhe pastaj numërimit të votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dje, ka dalë me të dhënat më të reja nga numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës, proces që po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    “Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thotë KQZ-ja.

    Sipas tyre, procesi i numërimit është transparent dhe po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.

  • Shpërthen lufta tregtare ShBA – Kinë: Hyjnë në fuqi taksat amerikane, hakmerret Pekini

    Shpërthen lufta tregtare ShBA – Kinë: Hyjnë në fuqi taksat amerikane, hakmerret Pekini

    Taksat e reja prej 25 për qind të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve nga Meksika e Kanadaja hynë në fuqi të martën, bashkë me dyfishimin e taksave ndaj mallrave kineze në 20 për qind, duke nisur konflikte të reja tregtare me tri partneret kryesore tregtare të ShBA-së.

    Masat e reja, që mund të pezullojnë gati 2,2 trilionë dollarë në tregtinë e dyanshme amerikane, hynë në fuqi në orën 12 e 1 minutë pas mesnatës, disa orë pasi Trumpi deklaroi se të tria këto shtete kishin dështuar që të bënin mjaftueshëm për ta luftuar rrjedhjen e fentanilit vdekjeprurës dhe elementeve të tij drejt ShBA-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Kina u kundërpërgjigj menjëherë pas hyrjes në fuqi të taksave amerikane, duke njoftuar tarifa shtesë prej 10 deri në 15 për qind ndaj importeve të caktuara të ShBA-së nga 10 marsi dhe një varg të kufizimeve të reja ndaj eksportit të dedikuar për entitete amerikane.

    Kanadaja dhe Meksika, të cilat kanë gëzuar një marrëdhënie tregtare pothuajse pa taksa me Shtetet e Bashkuara për tri dekada, gjithashtu pritet të marrin masa hakmarrëse kundër aleates së vjetër.

    Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se vendi i tij do të kundërpërgjigjet me taksa të menjëhershme prej 25 pë qind ndaj importeve amerikane me vlerë të 30 miliardë dollarëve kanadezë dhe me taksa të tjera ndaj importeve me vlerë të 125 miliardë dollarëve kanadezë, nëse taksat e Trumpit do të jenë ende në fuqi pas 21 ditëve.

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pritet ta njoftojë kundërpërgjigjen e saj gjatë një konference për shtyp në Mexico City të martën, tha Ministria e Ekonomisë.

  • Rama në Berlin: Kur mora detyrën në 2013 ishim si Koreja e Veriut

    Rama në Berlin: Kur mora detyrën në 2013 ishim si Koreja e Veriut

    Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, ku po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të turizmit, në të cilin Shqipëria është vendi i nderit.

    Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës dhe tashmë është kthyer në një fuqi turistike.

    Rama u ndal gjithashtu edhe te numri i vizitorëve, i cili sipas kryeministrit është 6 fishuar nga viti 2013 deri në vitin që lamë pas.

    Pjesë nga fjala e Edi Ramës:

    “U bëmë Koreja e Veriut pasi u martuam me Kinën në periudhën më të keqe në historinë kineze dhe nga këtej mësuam shumë sesi të luanim dhe një nga këto lojëra ishte jo flokë të gjata ose mjekërr. Ky berber kushte si misionn të priste flokët e gjata dhe mjekrën në grupet e turistëve në aeroport.

    Kur mora detyrën në 2013 shifrat ishin krejt ndryshe, por edhe asaj kohe ishin shumë të ulëta rreth 2 milionë vizitorë nga 12 milion që pritëm vitin e kaluar. Shohim këtë vit shifra edhe shumë të larat me janar dhe shkurt që kanë vendosur shifra të reja.

    Gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve, gjermanët janë edhe pushuesit kryesor në botë ku ja kalojnë dhe kinezëve. Jo sepse janë shumë në shifra, por sepse qëndrojnë më shumë ditë gjithsej, kush mendon që gjermanët thjesht punojnë e kanë gabim. Dhe i duam se pijnë shumë birrë dhe hanë kur na viziotojnë. Shqipëria është destinacioni me rritjen më të shpejtë në Europë dhe është e renditura e para në botë pas pak vitesh krahë Katarit dhe Arabisë Saudite. E nuk jemi më një perlë e fshehur, po shndërrohemi në një fuqi turistike.”