ATV

Author: ATVLive

  • Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

    Krerët e shtetit sot bëjnë homazhe në Prekaz

    Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, krerët e shtetit, sot në ditën e dytë të këtij manifestimi, do të bëjnë homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

    Homazhe janë paraparë edhe nga të gjitha komunat e vendit dhe në të gjitha komplekset memorialë të dëshmorëve.

    Nga ora 10:00, drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

    Kurse nga ora 17:00, në Prishtinë, është paraparë akademi përkujtimore për Epopenë e UÇK-së.

    Të mërkurën Prekazi u vizitua nga shumë qytetarë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kurse, në Qeverinë e Kosovës është mbajtur mbledhje solemne për Epopenë e UÇK-së.

    Gjithashtu një manifestim është mbajtur në kazermën ‘Adem Jashari’ në Prishtinë. Në të gjitha aktivitetet u vlerësua lartë sakrifica e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

  • IKSHPK-ja kundërshton gjetjet në Maqedoninë e Veriut për ujin nga Kosova

    IKSHPK-ja kundërshton gjetjet në Maqedoninë e Veriut për ujin nga Kosova

    Uji burimor “Rugove” kontrollohet rregullisht në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe në të “nuk janë gjetur asnjëherë baktere të dëmshme për shëndetin e konsumuesve”, thotë Ergyl Binçe, drejtor i Laboratorëve për Analizat e Ujit dhe Ushqimeve në këtë institucion.

    Radio Evropa e Lirë siguroi deklaratën e tij një ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është duke i inspektuar të gjitha dërgesat e ujit burimor nga Kosova, pasi, siç tha, disa analiza të mëhershme zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji.

    Media të caktuara në këtë vend publikuan vendimin e agjencisë, sipas të cilit bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugove”.

    Kjo kompani e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se produkti i saj është në rregull dhe se shitjet në shtetin fqinj janë duke vazhduar.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shqetësimin që ka ngritur agjencia e saj homologe në Maqedoni të Veriut.

    Ngjashëm nuk u përgjigj as Inspektorati Sanitar, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe është përgjegjës, ndër të tjera, për vërtetimin e cilësisë së ujit të ambalazhuar në Kosovë.

    Çka thotë IKSHPK-ja?

    Binçe konfirmon se kompania që prodhon ujin “Rugove” i bën vazhdimisht analizat në IKSHPK – “madje edhe për stoqet që i eksporton jashtë vendit”.

    Ai beson se vërejtjet që kanë përmendur autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, lidhur me “praninë e bakterit koliform” te uji i ambalazhuar “Rugove”, nuk qëndrojnë.

    “Këtë bakter që e përmendin, nuk e kemi gjetur kurrë, jo vetëm tek uji ‘Rugove’, por tek asnjë [nga ujërat e ambalazhuara të kompanive tjera kosovare]”, thotë Binçe.

    Ai shton se është e rëndësishme që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës të marrë një rol më aktiv, duke shkuar në Maqedoninë e Veriut dhe duke verifikuar në mënyrë të pavarur burimin e problemit.

    Ekspertja për ujëra në IKSHPK, Burbuqe Nushi-Latifi, shpreh habi me konstatimin e kolegëve maqedonas.

    Sipas saj, ai mund të jetë “gabim njerëzor në laborator ose në diagnostikim”.

    “Gjatë përpunimit [të ujit], duart e palara mund ta bartin [bakterin]… vetëm një koloni, dy, tri ose katër. Më pas, ato zhvillohen në ujë, sepse uji është jetik jo vetëm për njerëz, por edhe për baktere”, thotë Nushi – Latifi për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas të dhënave të Byrosë së Prokurimit Publik të Maqedonisë së Veriut, janë 23 institucione të këtij vendi, të cilat, përmes një kompanie të atjeshme, furnizohen me ujin “Rugove”.

    Disa prej këtyre institucioneve – si Ministria e Administratës Publike – konfirmuan për Radion Evropa e Lirë në Shkup se e kanë konsumuar dhe vazhdojnë ta konsumojnë ujin “Rugove”.

  • BE e shqetësuar me kaosin në Serbi

    BE e shqetësuar me kaosin në Serbi

    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet në Serbi, si për pengimin e punës së Parlamentit, ashtu edhe për ndërhyrjet në punën e organizatave të shoqërisë civile.

    “Jemi shumë të shqetësuar për pengimin e punës parlamentar dhe dhunës në Parlament. Parlamenti duhet të jetë vend për debat demokratik në interes të qytetarëve dhe ai duhet ta ushtrojë rolin e vet të plotë”, tha një zëdhënës i BE-së përmes një njoftimi për media.

    “Zhvillimet e fundit në Serbi, të drejtuara ndaj organizatave të shoqërisë civile janë po ashtu shqetësuese. Shoqëria civile luan një rol vital në zhvillimet e demokracisë dhe shoqërisë pluraliste”, shtohet në njoftim.

    Më 4 mars, seanca plenare në Serbi u përshkua me incidente, pasi deputetët e opozitës lëshuan dy herë bomba tymi dhe mjete piroteknike, teksa partitë e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.

    Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetares, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.

    Gjatë incidentit janë lënduar tre deputetë që ishin në sallë, përfshirë një deputete që është raportuar se ka pësuar “goditje në tru” dhe është “në rrezik për jetë”.

    Bashkimi Evropian tha se i fton të gjitha palët që përmes dialogut t’i adresojnë shqetësimet që kanë.

    “Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje për uljen e tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog gjithëpërfshirës nga të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë aktorët politikë, institucionet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të adresuar reformat e domosdoshme për të ardhmen e Serbisë në BE”, u tha në reagimin e BE-së lidhur me zhvillimet e fundit në Serbi.

    Gjatë seancës plenare më 4 mars, partitë në pushtet në Serbi refuzuan kërkesën e opozitës që të diskutohej vetëm për ndryshimet në Ligjin për arsimin e lartë. Kjo është kërkesë e studentëve që po protestojnë në Serbi që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

    Qeveria serbe pretendon se ka plotësuar kërkesat e studentëve protestues. Por, studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.

    Pas ngjarjeve në Parlamentin serb, Prokuroria Themelore në Beograd tha se i ka kërkuar policisë që të mbledhë informatat e nevojshme për këtë ngjarje.

  • CIA pezullon ndarjen e informacioneve me Ukrainën, si ndikon kjo në luftë

    CIA pezullon ndarjen e informacioneve me Ukrainën, si ndikon kjo në luftë

    Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha të mërkurën se SHBA-ja ka pezulluar mbështetjen me informacione dhe dërgesat e armëve për Ukrainën pas përplasjes në Zyrën Ovale midis Presidentit Volodymyr Zelensky dhe Presidentit amerikan Donald Trump të premten e kaluar, shkruan A2 CNN.

    “Trump kishte të drejtë kur pyeti, nëse Presidenti Zelensky ishte i përkushtuar ndaj procesit të paqes, dhe ai tha le të bëjmë një pauzë”, tha Ratcliffe në një intervistë për Maria Bartiromo në Fox Business të mërkurën.

    Ratcliffe shprehu shpresën se pezullimi do të hiqet së shpejti dhe theksoi angazhimin e tij për të punuar me Ukrainën drejt arritjes së paqes, pas një letre që presidenti ukrainas i dërgoi Trump-it.

    “Dhe mendoj se do të punojmë krah për krah me Ukrainën, siç kemi bërë, për të zmbrapsur agresionin që është atje, për ta vendosur botën në një pozitë më të mirë në mënyrë që këto negociata paqeje të ecin përpara”, shtoi drejtori i CIA-s.

    Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se SHBA-ja tashmë ka kufizuar ndarjen e disa informacioneve të inteligjencës, duke përfshirë kryerjen e më pak fluturimeve të mbikëqyrjes dhe zbulimit, çka mund të ndikojë si në operacionet sulmuese ashtu edhe në ato mbrojtëse, përfshirë mbrojtjen ajrore, pasi Ukraina varet nga inteligjenca amerikane për mbikëqyrje. (A2 Televizion)

  • Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit, Rama: Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë

    Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e Adem Jasharit, Rama: Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë

    Përparim Rama, kryetari i Prishtinës, përmes një postimi ka bërë të ditur se komuna ka caktuar lokacionin për vendosjen e monumentit të Adem Jasharit në kryeqytet.

    Ai ka njoftuar edhe se për këtë komuna ka pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.

    Postimi:

    Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”

    Nderim i përjetshëm për sakrificën që vulosi lirinë tonë

    Sot, në seancën solemne të Kuvendit të Kryeqytetit, përkujtuam dhe nderuam sakrificën e pavdekshme të familjes Jashari – një akt trimërie që shënoi pikë kthese në rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe pavarësisë.

    Mirënjohja e dorëzuar familjes Jashari nuk është thjesht një simbol, por një zotim i Kryeqytetit se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në themelin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe, mbi të gjitha, në zemrat tona.

    Me përkushtim të plotë për të ruajtur dhe nderuar këtë trashëgimi, Kryeqyteti, ka caktuar tashmë lokacionin për monumentin e Heroit Legjendar “Adem Jasharit”, lokacion për të cilin kemi pëlqimin edhe të vetë familjes Jashari.

    Ky monument do të qëndrojë si dëshmi e përjetshme e lavdisë dhe heroizmit të tij.

  • Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ndau çmimin letrar “Adem Demaçi”

    Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ndau çmimin letrar “Adem Demaçi”

    Çmimi letrar “Adem Demaçi” iu nda të mërkurën, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës “Ora e Lirisë”, shkrimtarit Hysen Këqiu, për krijimtarinë e tij letrare që për temë ka luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ky manifestim tashmë është tradicional dhe është viti i tretë me radhë që organizohet.

    Në mesin e rreth 60 autorëve që konkurruan për këtë çmim, sipas vlerësimit të jurisë, Hysen Këqiu meritoi të marrë këtë çmim për poezinë që lexoi dhe për krijimtarinë e përgjithshme të tij.
    “Juria në përbërje me Adem Zejnullahu, Xheladin Mjeku dhe unë, i ka propozuar kryesisë që çmimi letrar Adem Demaçi, për poezinë që e lexoi dhe krijimtarinë të përgjithshme, t’i jepet poetit dhe shkrimtarit, Hysen Këqiu”, tha kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, shkruan KosovaPress.

    Më 5, 6 dhe 7 mars, me aktivitete të ndryshme, shënohet Epopeja e UÇK-së në të cilën kujtohet heroizmi i familjes Jashari në Prekaz.

  • Shtyhet seanca ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Shtyhet seanca ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta shtyjë seancën fillestare për të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.

    Ky vendim u mor pasi avokatët e të akuzuarve kërkuan që kjo seancë të shtyhet.Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 17 mars.

    Avokati i Shabanit, Besnik Berisha, tha se klientit të tij i duhet më shumë kohë për t’u njohur me aktakuzën, në mënyrë të ai të vihet në dijeni në detaje mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.

  • Kryetari Konjufca mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së

    Kryetari Konjufca mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve shtetërore të organizuara për ndër të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në kuadër të këtij manifestimi kryetari Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësuesin e Familjes Jashari, Rifat Jashari, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë Obeliskut të UÇK-së në ambientet e Kazermës “Adem Jashari”.

  • Të gjithë në Prekaz, qytetarët e quajnë pikënisje të lirisë

    Të gjithë në Prekaz, qytetarët e quajnë pikënisje të lirisë

    Pikënisje e lirisë. Kështu e konsiderojnë Prekazin, qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare. Për çdo mars, ky fshat pret vizitorë të shumtë të cilët nderojnë heroizmin e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij, shkruan KosovaPress.

    Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit.

    Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi shënon Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – manifestim që mbledh në Prekaz qytetarë, organizata e përfaqësues të institucioneve, shkruan KosovaPress.

    Qytetarët të cilët bënë homazhe të mërkurën thanë se familja Jashari është ajo që e solli lirinë e Kosovës.

    Në mesin e vizitorëve, ishte edhe Xhevahir Xhemshiti nga Vitia, i cili kishte qenë ushtar i Brigadës 138.

    Xhemshiti, rrëfeu se ditën kur kishte filluar lufta në Drenicë, së bashku me familjen e tij, u nis që të ndihmonte familjen Jashari, por u ndaluan në Prishtinë nga disa persona, shkaku i rrezikshmërisë.

    “Është krenari dhe mërzi, për atë se çka ka ndodhur këtu, por tash ndihemi krenarë, që e gëzojmë këtë liri, falë këtyre jemi këtu. Këta janë pikënisja e gjithë lirisë. Unë atë ditë, kur ka ndodhur masakra, luftimi në Drenicë, jam nisur me iu bashkëngjitë me gjithë dajtë dhe dajën e dajës së babait, jemi nisur deri në Prishtinë, por kur kemi mbërri aty nuk na kanë lejuar disa persona, na kanë thënë vazhdoni tutje se jeni në rrezik”, tha Xhemshiti.

    Ndërkaq, Iliri nga Çamëria, u shpreh për KosovaPress se është fat i madh në këtë shekull “kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi” shqiptarët të kenë heronj të tillë që i kujtojnë.

    “Drenica dhe familja Jashari, sidomos për ne nga Çamëria është një inspirim shumë i madh shpirtëror. Është një ringjalle ose një lindje, e aspiratave tona kombëtare të katër vilajeteve. Ne epiriotët e Çamërisë, e kemi shumë për zemër Dardaninë, unë nuk mund t’i them dot Kosovë… Është fat i madh, në këtë shekull të ri që jemi futur, kur po sulmohet nacionalizmi dhe patriotizmi, ne kemi heronj të tillë, që na tregojnë ku duhet të ecim, të ringjallemi dhe të respektojmë traditën tonë…dikur ju e shikonit inspirimin tek ne mëma Shqipëri, kurse tash ne po shohim inspirimin në Dardani”, u shpreh ai, shkruan KosovaPress.

    E anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Skenderaj, Agron Kajtazi, i cili kishte ardhur me anëtarë të organizatës, shtoi se këto tre data që duhet mbajtur mend janë mobilizimi, apo mbjellja e dashurisë për atdhe.

    “5,6 dhe 7 marsi është mobilizimi, apo ajo mbjellja e dashurisë për atdhe, rrokja e pushkës e shumë luftëtarëve gjithandej trojeve”, shtoi Kajtazi.

    E Rexhep Alija nga Mitrovica tha se “në ketë tokë ka lindur liria e gjithë shqiptarisë”.

    “Këtu ka lindur liria e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. Dhimbja ekziston, por është edhe krenaria mbasi këtu lindi liria”, vijoi Alija.

    Sulmit të marsit në familjen Jashari i kishte mbijetuar vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila pa tmerrin derisa po i vriteshin anëtarët e familjes.

  • ​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

    ​Liderët e BE-së do të takohen për një samit të posaçëm për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën

    Liderët e Bashkimit Evropian nesër do të takohen në një samit të posaçëm të Këshillit Evropian për mbrojtjen evropiane dhe Ukrainën.

    “Liderët e BE-së do të diskutojnë se si BE-ja mund të mbështesë më tej Ukrainën dhe parimet që duhet të respektohen në vazhdim”, njoftoi Këshilli Evropian, transmeton AA.

    Në këtë kontekst, theksohet më tej se ata do të shkëmbejnë pikëpamje mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.

    Në takim është ftuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Këshilli Evropian njoftoi se takimi do të bazohet në takimin e 3 shkurtit në Bruksel, kur liderët “diskutuan se si të forcohet mbrojtja evropiane në aspektin e aftësive kolektive, financimit dhe partneriteteve strategjike”, përcjell KosovaPress.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ftoi liderët e BE-së në takimin e 27 shkurtit.

    Liderët evropianë janë përpjekur të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të mbështesin Kievin, derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i avancoi drejtpërdrejtë negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj trevjeçare me Ukrainën.

    Trump gjithashtu ka pezulluar dërgimin e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, pas konfrontimit të tij me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

    Dje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen prezantoi një plan për të mobilizuar rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen e Evropës dhe për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes urgjente ushtarake për Ukrainën. Propozimi me 5 pika siç duket do të diskutohet në takimin e nesërm.