ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja e UÇK-së, për katër vite qeverisje kemi ecur në ritmin e saj

    Kurti: Jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja e UÇK-së, për katër vite qeverisje kemi ecur në ritmin e saj

    Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se kjo epope ka vetëm një adresë lirinë nga pushtuesi serb dhe një horizont bashkimin tonë, raporton Ekonomia Online.

    “Sot na ndanjë j 27 mote prej ngjarjes me të lavdishme. Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e UÇK… Kjo na ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit politik dhe jo vetëm. Na takon neve ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë. Çka është përcaktimi i ritmit, atë e gjejmë në fjalët e bacës Rifat ku tha mbi luftën e gjakun të gjejmë gjuhën e përbashkët. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë lirin nga pushtuesi serb dhe një horizont bashkimin tonë. Ngjarjet e marsit janë një ngjarje e përkryer, ngjarje që përcakton fushën e veprimit, që nga ajo ditë çdo politik e jona është politik e caktuar”, tha Kurti

    Ai ka thënë se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur në ritmin e saj.

    “Çlirimi i një populli përbënë lirinë që fitohet dhe lirin që mbrohet. Ne i kemi shpallur zotimet tona si për qeverinë e kaluar, si për të ardhmen për luftë ndaj korrupsionit. Ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur në ritmin e saj dhe perspektiven e hapur prej saj”, tha ai.

  • 2558 gjoba trafiku për 24 orë

    2558 gjoba trafiku për 24 orë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve janë shqiptuar 2558 gjoba në trafik, raporton EO.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 26 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 28 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 19 persona, ndërkaq 13 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Rama: Sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, themel i lirisë që gëzojmë sot

    Rama: Sakrifica e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, themel i lirisë që gëzojmë sot

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27 vjetorit së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të gjitha shkollat e vendit ora e parë mësimore i është kushtuar kësaj ngjarje historike.

    Në kuadër të kësaj, kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe udhëheqësi i Sektorit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, Sylë Vitia, kanë mbajtur ligjëratë me nxënës në shkollën fillore “Shkëndija”.

    Kryetari Rama në këtë ligjëratë foli për rendësinë e Epopesë së UÇK-së, sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij si dhe për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

    “Duke ju falënderuar UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari sakrificës së madhe të tij, të gjithë familjes Jashari dhe të gjithë burrave e grave tjerë që kanë luftuar ne sot gëzojmë lirinë. Lufta jonë është e drejtë ku na janë bashkuar edhe forcat e tjera të NATO-së. Ata kanë parë që UCK-ja këtë luftë e kanë bërë të drejtë, luftë për lirin, pavarësinë, luftë për të folur gjuhen tonë. Edhe është çliruar vendi ynë dhe kemi krijuar shtetin tonë, pastaj është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai.

    Vitia në këtë ligjëratë foli për motivet që kanë shtyrë atë t’i bashkohet UÇK-së, i cili shtoi se për të periudha e luftës është periudha me e shenjtë e jetës së tij.

    “Motivi ka qenë liria, arsyeja pse kemi ardhur deri të motivi për të marr pjesë në luftë kanë qenë të shumta, padrejtësitë që na janë bërë, shtypja, represioni, na janë ndalur shkollat. Krejt këto padrejtësi, ato vrasje, ato masakra që kanë ndodh me kanë shtyrë që të bëhem pjesë e UÇK-së. Ajo është periudha më e shenjte e jetës sime, edhe po ti kisha 20 jetë mendoj që nuk do të përjetoja një periudhë me të shenjtë”, ka thënë ai.

  • Trump: Do ta kthejmë Kanalin e Panamasë dhe do ta marrim Grenlandën

    Trump: Do ta kthejmë Kanalin e Panamasë dhe do ta marrim Grenlandën

    Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një fjalimi maratonik në Kongres se Amerika do ta kthejë Kanalin e Panamasë, do të pushtojë Grenlandën dhe do të vendosë një flamur në Mars.

    Trump premtoi se ShBA-ja do ta rimarrë Kanalin e Panamasë.

    “Administrata ime do ta rimarrë Kanalin e Panamasë dhe ne veçse kemi filluar të punojmë për këtë. Vetëm sot, një kompani e madhe amerikane njoftoi se po blen të dy portet përreth Kanalit të Panamasë.”

    Nëse kjo shitje do të miratohet, mbetet për t’u parë.

    Presidenti panamez Jose Raul Mulino ka thënë vazhdimisht se kanali nuk është në shitje.

    “Kanali është dhe do të mbetet panamez dhe administrata e tij do të mbetet nën kontrollin panamez për sa i përket neutralitetit të përhershëm”, tha Mulino në janar të këtij viti.

    Trump përmendi edhe Grenlandën.

    “Unë kam gjithashtu një mesazh sonte për njerëzit e mrekullueshëm të Grenlandës: Ne mbështesim fuqimisht të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj. Dhe nëse zgjidhni, ne ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Trump.

    Ai tha se Amerika ka nevojë për Grenlandën “për sigurinë kombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare”.

    “Mendoj se do ta arrijmë. Në një mënyrë apo tjetër, do ta arrijmë”, tha Trump.

    Trump foli edhe për dëshirën e tij për të nisur një “epokë të artë” të re dhe për të “vendosur flamurin amerikan në Mars”.

  • 27 vjetori i Epopesë, Abdixhiku: Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re

    27 vjetori i Epopesë, Abdixhiku: Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së përkujton sakrificën sublime të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.

    Në shkrimin e tij thotë se 27 vjet më parë, Kosova përjetoi momentet më të rënda të historisë së saj më të re.

    “Pikërisht më 5 mars të vitit 1998, forcat policore serbe rrethuan familjen Jashari. Qëndresa e tyre përballë këtyre forcave serbe ishte e pakapërsyeshme, e papërsëritshme. Ajo i dëshmoi botës vendosmërinë e palëkundur të popullit të Kosovës për çlirim!”.

    Ai thekson se sakrifica e familjes Jashari, të prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, është vetë themeli i lirisë të Kosovës, prandaj dhe nuk mund të përshkruhet vetëm me fjalë.

    “Ata u bënë heronjtë tanë, të cilët jo vetëm që luftuan për lirinë e atdheut, por dhanë jetën për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vinin. Vlera e sakrificës së familjes Jashari është e papërsëritshme, unikate, dhe e tillë do të mbetet, e përjetshme në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar”.

    “Pra të kujtosh e shënosh përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës, si dhe përpjekjes së popullit tonë për liri”.

    Abidixhiku tutje thotë se datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri dhe çlirim.

    “Rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, bashkë me Shaban e Hamëz Jasharin si dhe 56 anëtarëve të familjes, ishte kushtrim për tërë popullin, si dhe këmbanë për luftën e përpjekjen e popullit drejt lirisë. Familja Jashari është shembulli më i pastër i asaj që mund të bëjë një popull për lirinë e tij.

    Në këtë ditë, në 27 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me krenari dhe nder, të gjithë fëmijët, gratë e burrat që dhanë jetën për lirinë e Kosovës të cilën e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme për familjen Jashari dhe të gjithë të rënët anë e kënd Kosovës!”

  • Policia gjermane heton 15 oficerë në skandalin e bisedave raciste në internet

    Policia gjermane heton 15 oficerë në skandalin e bisedave raciste në internet

    15 policë aktivë dhe në pension të Hamburgut janë nën hetim disiplinor për ndarjen e mesazheve raciste dhe pro-naziste në bisedat në internet.

    Pas miratimit të gjykatës, njësia e punëve të brendshme e Departamentit të Policisë së Hamburgut kreu bastisje të njëkohshme në shtëpitë dhe vendet e punës të gjashtë oficerëve aktivë, si dhe në shtëpitë e tre oficerëve në pension.

    Hetuesit sekuestruan në cilësinë e provës pajisje të shumta elektronike.

    Shtatë punonjës të policisë janë pezulluar nga detyra, u janë konfiskuar stemat e shërbimit dhe armët dhe nuk lejohen të hyjnë në objektet e policisë pa arsye të vlefshme.

    “Ne do t’i hetojmë tërësisht këto akuza dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme disiplinore. Çdo formë diskriminimi, glorifikimi i dhunës apo ksenofobia nuk do të pranohet në Policinë e Hamburgut. Policia e Hamburgut qëndron për vlerat e kushtetutës sonë”, tha kreu i policisë së Hamburgut, Falk Schnabel.

    Hetimi rrjedh nga dy raste të veçanta që përfshijnë oficerë të moshës 44 deri në 61-vjeç. Analiza paraprake e bisedave në internet e të dyshuarve zbuloi se ata në biseda private dhe në grup kishin shkëmbyer mesazhe ksenofobike dhe raciste që lavdëronin dhunën dhe në disa raste nacionalsocializmin.

    Schnabel theksoi zero tolerancë të departamentit ndaj ksenofobisë dhe racizmit dhe u bëri thirrje të gjithë oficerëve që të ndërhyjnë në mënyrë aktive sa herë që hasin deklarata në kundërshtim me vlerat demokratike.

    “Për këtë qëllim, viteve të fundit kemi zhvilluar instrumente, përfshirë menaxhimin e ankesave dhe raportimin qendror të ekstremizmit të djathtë, për të hetuar vazhdimisht çdo dyshim. Armiqësia ndaj njerëzimit dhe kushtetutës nuk ka vend tek ne”, tha ai

  • Ancelotti i kënaqur me paraqitjen e Realit ndaj Atleticos

    Ancelotti i kënaqur me paraqitjen e Realit ndaj Atleticos

    Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ishte i kënaqur me qëndrueshmërinë e skuadrës së tij, pasi ata fituan 2-1 ndaj Atletico Madrid në “Bernabeu” në ndeshjen e parë të vështirë të raundit të 16-të të Ligës së Kampionëve të martën.

    Brahim Diaz shënoi golin e fitores në pjesën e dytë pasi sulmuesi i Atletico-s, Julian Alvarez kishte barazuar rezultatin pas golit të hershëm të Rodrygo-s, raporton KosovaPress.

    Vinicius Jr dhe Kylian Mbappe humbën raste të mira që mund t’i kishin dhënë Realit një diferencë më të madhe për ndeshjen e dytë, por Ancelotti nuk ishte në disponim për t’u ankuar për mundësitë e humbura.

    “Këto janë ndeshje të barabarta. Është një raund i 16-të në Ligën e Kampionëve pasi mund të jetë një finale ose gjysmëfinale. Atletico është një skuadër e mirë dhe nuk mund të mendosh për përfundimin e ndeshjes në ndeshjen e parë ,” tha Ancelotti në një konferencë për shtyp, përcjellë KosovaPress.

    “Ne kemi fituar një avantazh të vogël që na jep besim për ndeshjen e dytë, por kaq. Ishte një ndeshje e vështirë…si zakonisht. Është gjithmonë vështirë kundër Atleticos. Në pjesën e parë humbëm shumë topa, patëm gabime të panevojshme që për pak na kushtuan, ata barazuan me Julian Alvarez. Por në pjesën e dytë ishim më të mirë. Ne mundëm të përfitonim dhe ia dolëm”, theksoi Ancelotti.

  • ​Guri i Cjapit, një perlë e natyrës në zonën e Korçës

    ​Guri i Cjapit, një perlë e natyrës në zonën e Korçës

    Guri i Cjapit në Bozdovec të Shqipërisë është një nga perlat e natyrës në zonën e Korçës.

    Ky thesar i natyrës, me frekuentim të lartë nga ekskursionistët dhe të apasionuarit pas alpinizmit dhe natyrës, zor se mund të përshkruhet me fjalë, por vetëm të përjetohet, shkruan ATSH.

    Guri i Cjapit është kthyer në një destinacion të përkryer dhe një nga sekretet më të bukura të Korçës, për të gjithë ata që kërkojnë aventurë dhe qetësi mes bukurive të maleve, përcjell KosovaPress.

    Guri i Cjapit ndodhet në brendësi të parkut të Bozdovecit, në komunën Drenovë të rrethit të Korçës. Përfaqëson një bllok shkëmbor konglomeratik dhe ranor me formë të veçantë; ngjan me një deve të ulur në tokë. Emrin e ka marrë nga një cjap, që është rrëzuar në këtë shkëmb. Gjatësia e këtij guri është 20-25 metra, gjerësia është 5-10 metra, dhe gati po kaq është lartësia. Përbëhet nga shkëmbinj konglomerat të modeluar nga erozioni dhe era. Ka vlera shkencore, didaktike, estetike e turistike.

    Vizitohet nga turistë vendas dhe të huaj sipas itinerarit Korçë-Drenovë-Bozdovec.

  • ​Ankandi i tretë i letrave me vlerë mbahet më 12 mars

    ​Ankandi i tretë i letrave me vlerë mbahet më 12 mars

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se më 12 mars 2025 do të mbahet ankandi i tretë për vitin 2025. Në këtë ankand sipas ministrisë do të emetohen Obligacione me maturitet 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

    Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (5 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

    “Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

  • ​Simeone: Mund të bënim më shumë ndaj Realit

    ​Simeone: Mund të bënim më shumë ndaj Realit

    Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ishte i zhgënjyer që skuadra e tij nuk arriti të përfitonte nga kontrolli që kishte për periudha të gjata të lojës në humbjen 2-1 ndaj rivalëve Real Madrid në ndeshjen e parë të fazës 1/16 të Ligës së Kampionëve të martën, shkruan KosovaPress.

    Por Simeone tha se ishte i lumtur me mënyrën se si ekipi i tij reagoi ndaj pësimit të një goli të hershëm, duke shtuar se ai ndjehej i sigurt se ata mund ta kthenin rezultatin në ndeshjen e dytë në stadiumin “Metropolitano” javën e ardhshme, siç bënë kundër Interit në të njëjtën fazë vitin e kaluar.

    “Duhet të kishim përfituar më mirë kur kishim kontrollin e lojës ”, tha Simeone. “Është e vështirë të rrezikosh në mënyrë që me çdo kundërsulm të përfundoni duke humbur topin. Ne e kontrolluam shumë mirë atë situatë, por na mungonte diçka në metrat e fundit”, shtoi trajneri i “Los Colchonoeros”

    Argjentinasi tha se ishte i bindur se atmosfera në terrenin e tyre në shtëpi do t’i jepte Atletico-s “një stimul” dhe se ekipi i tij shkon në ndeshjen e dytë me qëllimin për ta përmbysur rezultatin.